Nisin gërmimet arkeologjike në Cernicë të Gjilanit, Ministri Çeku: Gradina e Cernicës një ndër vendbanimet kryesore në Mbretërinë Dardane

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se kanë nisur gërmimet arkeologjike në lokalitetin arkeologjik, në Cernicë të Gjilanit.

Ministri Çeku tha se Gradina e Cernicës, bazuar në materialin e zbuluar arkeologjik, përfaqëson njërin nga vendbanimet kryesore të periudhës së hekurit dhe asaj helenistike – periudha e Mbretërisë Dardane, në territorin e Republikës së Kosovës.

“Arkeologjia po trajtohet me prioritet. Përmes zbulimeve arkeologjike tregohet historia e lashtë e vendit tonë”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Rikthehen gërmimet arkeologjike në Bushat dhe Koman të Shqipërisë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka njoftuar për rikthimin e gërmimeve arkeologjike në Bushat dhe Koman. Gërmimet po mbahen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Varshavës në Poloni, nën drejtimin e Saimir Shpuzës dhe Piotr Dyczek.

“Pas ekspeditave të para, gjatë të cilave u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit, që krijuan një hartë më të qartë të shtrirjes së tij, gërmimet janë përqendruar në qytetin e mesëm dhe të sipërm, që mendohet të jetë ndërtuar në shek. III p.e.s., për të zbuluar organizimin e brendshëm të urbanistikës, planimetrinë e ndërtimeve të qytetit dhe rolin e tyre”, ka njoftuar Ministria e Shqipërisë.

Ky proces i gërmimeve daton nga viti 2010, si përpjekje për të shpërfaqur pasuritë kulturore të këtij vendbanimi mesjetar për vizitorët./rtk/KultPlus.com

Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

“Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.

“Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.

Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Rinisin gërmimet arkeologjike në Bazilikën e Elbasanit

Gërmimet arkeologjike kanë nisur sërish në bazilikën paleokristiane Extra Muros në qendër të qytetit të Elbasanit, duke nxjerrë në dritë jo vetëm objekte, por edhe fakte të reja.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky proces, që po kryhet nga Instituti i Arkeologjisë, nën drejtimin e arkeologut Elio Hobdari dhe ku janë përfshirë edhe studentë nga dega e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.

Margariti bëri të ditur se gërmimet do të zhvillohen në dy faza, ku e para do të vijojë deri në mesin e muajit korrik dhe më pas faza e dytë do të rifillojë në fillim të shtatorit.

“Faza e parë është fokusuar në disa vendvarrime në ambientet e bazilikës, të cilat po gërmohen dhe dokumentohen, ndërsa janë zbuluar elemente të reja arkitektonike si kapitele, pjesë kolonash etj.”, shtoi ajo./atsh/KultPlus.com