Ç’thoshte Naimi për Amerikën

Nga Getoar Mjeku

Ky mund të jetë shkrimi më i vjetër shqip që përmend kontinentin dhe vendet e saj. Dalë nga pena e rilindasit Naim Frashëri, në një kohë kur librat në gjuhën tonë qenë të ndaluar. Teksti përshkrun Shtetet e Bashkuara apo «Vëndet’ e bashkuarë» si vendin më të zhvilluar të botë, përcjellë KultPlus.

Njëherësh, poeti ynë kombëtar duket se e ka quajtur Kanadanë «Kanadë», ashtu siç bëjnë sot kosovarët.Tekstin e gjejmë në dy libra shkollorë: kapitullin «Dheshkronja» në Dituritë për mësonjëtoret e para (1886) dhe te Gjithësija (1895).

Me germa të sotme del kështu:
Amerik’ e veriut ndahetë më katërë copë:

1. Anët’ e veriut, që janë shumë të ftohta, edhe më të shumëtë vënde janë t’Ingliterësë; kanë katërë miliunë njerës, m’i ditur’ i këti vëndi është Kanada dhe ka k. q. Kjebeknë.

2. Vëndet’ e bashkuarë, që janë prej 34 dhimokrative të bashkuara, dhe kanë 35,000,000 njerës: k. q. i gjithëve është Vashinktoni edhe më të mbëdhenjtë qytete janë Nevjorku me 800,000 njerës, Bostoni me 200,000, Filladhelfija me 560,000 etj. Ky vënt është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota.

3. Meksika, q’ është një dhimokrati me 8 miliunë njerës, edhe ka k. q. Meksikënë.

4. Guatemalla dh’ Amerik’ e mezit, që kanë 2 miliunë njerës, edhe k. q. Guatemallënë: në këtë vënt është [kanali] Panama, që po e hapinë tani.

Se Naimi i veçon Shtetet e Bashkuara si vendin ma të zhvilluar të rruzullit është e qartë. Por për se e ka fjalën kur thotë «në dituri e në dritë»? Shkencën dhe arsimin? /KultPlus.com

Qytetarët kërkojnë emrin Dardania në vend të emrit Kosovë

Ndërsa Kuvendi shtyu për javën tjetër ratifikimin e demarkacionit, qytetarët në Facebook kanë nisë të votojnë për emrin e vendit: Dardaní apo Kosovë? Nuk është fjala për një referendum, por për një sondazh vullnetar që e ka postuar në rrjetin shoqëror një jurist nga Prishtina.

Getoar Mjeku thotë se “[e]mri Dardania është i saktë historikisht, gjeografikisht dhe politikisht”. Ai prej kohësh ka nisë faqen fushatë në Facebook “Dardania, vendi ynë” për ta promovuar ringjalljen e emrit të lashtë.

Ditë më parë, mediet tona përhapën një shkrim të historianes shqiptare Elena Kocaqi, e cila nxit përdorimin e emrin Dardania. Më herët, një organizatë e njohur si Lëvizja Dardania gjithashtu ka bërë thirrje për ripagëzimin e vendit. Këtë synim e kanë përkrahë dikur edhe figura të ndryshme politike si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Arbën Xhaferi.

Në sondazhin në Facebook, kanë votuar rreth 500 vetë dhe mbi dy të tretat anojnë kah Dardania.

Të tjerët janë për emrin zyrtar Kosovë. Arsyet e tyre janë kryesisht praktike — thjesht, janë mësuar me Kosovën. Por ka dhe nga ata që e shohin emrin Dardania si propozim partiak të përkrahësve të presidentit Rugova ose si përpjekje për të sajuar një identetit të ndarë nga kombi shqiptar.

Kanë mbetë edhe gjashtë ditë deri në mbyllje të sondazhit të Mjekut. Por nëse qytetarët do të kenë mundësinë ta ndryshojnë emrin zyrtar të vendit nuk është e qartë.

Emërtimi Kosovë përdoret zyrtarisht prej shekullit XIX, kur është themeluar Vilajeti i Kosovës, në kuadër të Perandorisë Osmane. Kurse Kuvendi e ka miratuar emrin Kosovë dy herë, duke shfuqizuar emrin Kosovë-Metohi: më 1969, me ligjën kushtetuese të krahinës, dhe më 1990, me deklaratën kushtetuese që shpalli Kosovën republikë. / KultPlus.com