Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi e ka cilësuar të papritur dhe të pakuptimtë grevën e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të pjesëtarëve të Filarmonisë dhe ansamblit “Shota”.
Në “Express Intervistën” në KTV, Gashi ka thënë se veprimet e njëanshme më nuk do të tolerohen nga ministria. Ai ka paralajmëruar reforma dhe masa të tjera për çdo shkelje që ndodh në institucionet e kulturës.
Gashi ka thënë se asnjëherë s’ka dhënë datë për rritje pagash të aktorëve dhe performuesve tjerë. Ai ka thënë se e cilëson si të pakuptimtë hyrjen në grevë dhe anulimin e shfaqjeve pasi, sipas tij, të gjithë ishin në dijeni se vendimi për rritje pagash do të votohet javën e ardhshme në qeveri. Ai ka bërë të ditur se Ministria e Financave dy herë ka kthyer përgjigje negative për rritje pagash.
“Do ta demantoj shoqatën sindikale të Teatrit sepse asnjëherë s’kam dhënë data për rritje pagash. Madje në takimin e parë ka qenë kërkesë për rritje pagash për aktorët dhe pas analizës kam ardhur në përfundim që jo vetëm teatri, e aktorët, por të gjithë performuesit dhe të gjithë punëtorët tjerë kanë paga të ulëta dhe kam vendosur për ndryshim apo rritje page për të ofruar një pagë dinjitoze. Jemi dakorduar me të gjithë sepse s’pajtohesha me kërkesën e teatrit për rritje pagash vetëm për aktorët”, ka thënë ai.
Gashi ka deklaruar po ashtu se MKRS-ja më nuk do të lejojë shkelje nga individë brenda institucioneve të Kulturës.
“Janë disa individë që kanë probleme me ligjin dhe pas fillimit të realizimit të pagave, MKRS-ja do të merret me secilin punëtor të ministrisë dhe secilin njeri që s’do të kryejë punën e vet të caktuar me kontratë. Është mesazh që pas rregullimit të pjesës financiare duhet ta kemi të qartë të gjithë që institucionet e kulturës duhet të kthehen me rregull dhe në rend. Ka probleme të shumta dhe dilema që do të hiqen përgjithmonë. Kemi ankesa nga shumë aktorë që s’kanë arritur të dalin në skenë pasi s’ua kanë mundësuar individë e grupe të caktuara. I kam paralajmëruar se veprimet e njëanshme nënkupton që ky proces mund të kthehet prapa. Mund të dëmtohet sepse nuk pranoj që dy apo tre aktorë të vendosin të mos shfaqet një shfaqje. Qytetarët nuk e dinë pse nuk po realizohet premiera. Programi kulturor nuk duhet të ndërpritet pavarësisht problemeve dhe sfidave që mund të kemi. Insistimi jonë është që pagat të jenë retroaktive nga muaji janar dhe qeveria vendos përfundimisht për këtë”, ka shtuar ai, teksa ka theksuar se ka aktorë që mbajnë dy vende pune dhe ikin nga orari i punës për të incizuar seriale për çka ka paralajmëruar se më nuk do të lejohet.
Ai ka bërë të ditur se paga e aktorëve do të sillet rreth 700 euro./KultPlus.com