Shtatorja e Gjergj Kastriotit gati për përurim në Itali, Muriqi: Figura e Kastriotit një ndër figurat më sfiduese për artistët

Gëzim Muriqi e ka realizuar shtatoren e Gjergj Kastriotit, shtatore që do të përurohet më 30 gusht në Hora të Arbëresheve, dhe një realizim i tillë padyshim do të mbetet si një ndër emocionet më të mëdha për artistin.

Në një intervistë për KultPlus, Muriqi ka thënë se kërkesa për realizimin e një shtatoreje për një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit ka ardhë nga bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër.

“Respektivisht çdo gjë ka filluar me Veli Berishën, të cilit më pas i janë bashkëngjitë edhe: Rexhep Rifati , Adnan Asllani e Ramadan Morina, kurse iniciativën e drejton shoqata “Hora e Arbëresheve” me seli në Zvicër”, ka thënë Muriqi për KultPlus.

Kjo shtatore po përurohet si shenjë mirënjohje për komunitetin arbëresh në Itali, të cilët ruajtën kulturën arbërore për shumë shekuj, kulturë që vazhdojnë ta ruajnë edhe në ditët e sotme.

Muriqi ka thënë se shtatorja është e lartë afërisht 300 cm, kurse modelimi i shtatores deri në derdhjen në bronz e ka realizuar afërisht për katër muaj.

Muriqi ka thënë se nuk është hera e parë që si artist të jetë marr me figurën e Gjergj Kastriotit, pasi që, sipas tij ai edhe më herët është marr me këtë figurë të rëndësishme të kombit, qoftë si grafikë apo gravurë, dhe se sipas tij, figura e Gjergj Kastriotit mbetet figura më sfiduese për shumë artistë të fushave të ndryshme.

30 gushti kur edhe do të shënojë përurimin e shtatores, në të njëjtën kohë shënon edhe përvjetorin e zbarkimit të arbëreshëve në Horë të Arbëresheve, qysh para pesë shekujve.

Muriqi ka thënë se do të jetë i pranishëm në Horë të Arbëreshëve me rastin e përurimit të shtatores, dhe se sipas tij, të pranishëm në këtë përurim do të jenë tre presidentë: Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë.

Muriqi përderisa është në ethet e kësaj ngjarje të madhe, ka thënë për KultPlus se së fundi është në fazën përgatitore për realizimin e dy shtatoreve për dy personalitete të njohura, të cilat do të zbulohen së shpejti./ KultPlus.com

Gëzim Muriqi realizon shtatoren e Ibrahim Rugovës, pritet të vendoset në Istog

Xhemile Hysenaj

Skulptori i njohur, Gëzim Muriqi, i cili njihet për realizimin e shtatoreve të figurave të njohura historike shqiptare, ka paralajmëruar se është në përfundim e sipër të skulpturës së tij të fundit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

Gëzim Muriqi tregoi për KultPlus se modelimi i skulpturës ka zgjatur pak më shumë se një muaj, duke pasur pastaj parasysh përgatitjet që skulptori duhet t’i bëjë në mënyrë që të njihet më shumë me karakterin e figurës të cilës i dedikohet shtatorja.

Një figurë si ajo e Ibrahim Rugovës kur vie para publikut në cfarëdo formë e sidomos përmes artit, kërkon shumë përgjegjësi. Për Muriqin kjo është skulptura e dytë e Rugovës, e para gjendet në Malaj të Rugovës, dhe, edhe pse tashmë një profesionist në punën e vet, ai e konsideron një përgjegjësi të madhe realizimin e kësaj skulpture.

‘Përgjegjësi profesionale vazhdon të përcjellë artistin në vazhdimësi’, shprehet tutje ai për KultPlus.

Duke pasur parasysh situatën pandemike nëpër të cilën po kalon edhe Kosova, data e zbulimit të shtatores nuk është zbuluar akoma. Muriqi tregon se kjo situatë imponon edhe datën, mirëpo shpreson dhe beson se brenda këtij viti do të realizohet edhe promovimi i shtatores.

Shtatorja, dimensionet e së cilës janë 305 cm, pritet të vendoset në Istog, në memorialin ‘Ibrahim Rugova’. / KultPlus.com