Besa Llugiqi e Gëzim Myshketa me “La Traviata” në Stara Zagora të Bullgarisë

Më 9 shtator do të prezantohet shfaqja operistike “La Traviata” në Stara Zagora të Bullgarisë, shfaqje në të cilën do të prezantohen dy artistë shqiptarë, shkruan KultPlus.

Sopranoja Besa Llugiqi do të prezantohet në rolin e Violetës, kurse baritoni Gëzim Myshketa në atë të Germont, përderisa në këtë shfaqje operistike do të paraqiten edhe artistë të tjerë.

Kjo shfaqje operistike do të paraqitet nën drejtimin e Gaddiel Dombroëner në Antique Theater të Shtëpisë Operistike në Stara Zagora, e që do të nisë në ora 20:00./ KultPlus.com

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj shfaqen në ‘OperaVision’ me operën ‘Rigoletto’

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj do të bëhen bashkë në skenën për të performuar operën ‘Rigoletto’, ku Myshketa vjen me rolin e Rigolettos ndërsa Lahaj me rolin e Dukës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur baritoni shqiptar Gëzim Myshketa përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Myshketës
Super Lajm, ‘Rigoletto’, kryeroli të cilin e interpretova vitin e shkuar do të shfaqet në OperaVision – televizioni operistik i Evropës me dt 1 Janar 2023 ora 15**

Në rolin e Dukës një tjetër Artist Shqiptar Rame Lahaj./ KultPlus.com

Gëzim Myshketa me dedikim emocionues pas “Ta zbardhi ftyrën”: Unë nuk kam lindur në Prishtinë, ama këtu mu duk se rilinda

Edicioni i pestë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me baritonin Gëzim Myshketa, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.

Tejet i emocionuar nga kjo mbrëmje ka mbetur edhe baritoni Gëzim Myshketa i cili sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.

Myshketa është shprehur se në këtë mbrëmje është rilindur shpirtërisht dhe ka ndjerë një dashuri të pakusht.

Ai gjithashtu është shprehur se popullin e Kosovës e do pa patriotizëm të kotë e të pa vend.

Ky është postimi i plotë i baritonit Myshketa:

Katër Ungjijtë e shenjtë dekretojnë :

“nemo propheta in patria” – “askush nuk është profet në vendin e tij”…

Nuk ndodh gjithnjë kështu ose të paktën jo kështu ( krejtësisht ) …

Unë nuk kam lindur në Prishtinë por në Durrës… ama këtu mu duk se rilinda!!!

Rilinda shpirtërisht e gjithë zymtësia e javëve të fundit jetese “në botën e pasur e të përparuar“ u venit.

U rilinda me shpresë e vrull të ri nga një dashuri e dëshiruar e pakufijtë e sinqertë…

Ndjeva të më duan aq shumë deri “siklet” , një “siklet” i ëmbël …privilegjues…

Ju dua populli im i Kosovës , i Prishtinës!

Ju dua pa patriotizëm të kotë e të pa vend!

Ju dua thjesht se më deshët!

Ju dua se emocionin që zinte fill nga gryka ime drejt jush ma keni kthyer 100 fish në kohë reale përgjatë të gjithë mbrëmjes e më pas, e tani , e nesër akoma.

Ju dua se po ndërtoni me shumë sakrifica të ardhmen TUAJ , ndaj mos kini asnjë shenjë të zbehtë ngurrimi a inferioriteti ndaj askujt !!! Jeni më të mirë e keni më shumë vlera se mjaft popuj të cilët “lluksin” e lirisë e kanë të tyrin prej shekujsh…

I Falem Nderit që më bëtë: KultPlus.com
Ardianë Pajaziti, Kult Plus, Lule Elezi, Elikona Hysaj Shala, Meriton Ferizi, Arsim Halili, Fëllënza Citaku!!!

Flm maestro LULE ELEZI.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Radion Televizioni i Kosovës- RTK
Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Nga një vullnetar që i këndonte refugjatëve të Kosovës në një yll të operave botërore, Gëzim Myshketa shkëlqeu mbrëmë në ‘Ta zbardhi ftyrën’

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

Edicionin e tij të pestë, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, i cili u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”. Nëpërmjet perlave shqiptare, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Myshketës që jehonte në hapësirë dhe kësisoj lëshohej rrëke nëpër secilin shpirt të pranishëm. Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë pasur një vend të veçantë, me ç’rast kanë dhënë ndjesi nga më të ndryshmet, duke dëshmuar se arti operistik zë një vend të rëndësishëm në audiencën shqiptare, dhe se dashuria e pasioni i artistëve që veprojnë në botë, për të interpretuar në mesin e shqiptarëve, asnjëherë nuk u shuhet, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të baritonit Myshketa. Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e këtij artisti në ndërlidhje me pianisten Elezi dhe “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Salla e mbushur nga artistë të njohur shqiptarë e jo vetëm, kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe e vjollcë në prapavijë afër perdeve të zeza dhe ato të kaltër në formë lulesh në pjesën e tavanit. Po ashtu, dy reflektorët e ngrohtë kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Elezi dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:10, errësira kaploi vendin dhe duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hap këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artistët në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Fillimisht, hapjen e edicioni të pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Faleminderit të gjithëve që keni gjetur kohë për të ardhur dhe jeni bërë pjesë e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” tash e pesë vjet. Unë dhe stafi i KultPlus-it jemi shumë me fat që kemi arritur të nxjerrim baritonin Gëzim Myshketa nga skenat më prestigjioze, për ta sjell në Prishtinë, pavarësisht faktit që tash e shumë vite janë duke u bërë kërkesa për ndërtimin e një salle operistike. Kjo tregon shumë për dashurinë e madhe të artistëve që kthehen në këtë vend pikërisht për dashurinë që kanë për ju”, ka thënë Pajaziti.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur baritoni Gëzim Myshketa doli në skenë, i shoqëruar nga pianistja Lule Elezi. Mbrëmja u zhvillua herë me rrëfime jetësore e herë me këndime, që zinin vend në momentin më të duhur. Baritoni Gëzim Myshketa ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij qysh nga fëmijëria e deri më sot, por ajo që shënoi hapjen e mbrëmjes ishte kënga e parë “Ta dish”, një vepër kjo që depërtoi përtej fenomenales.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, baritoni Myshketa ka thënë se ka shumë emocione, pikërisht sepse ndodhet në mesin e shqiptarëve të tij.

“Jam shumë i emocionuar, më shumë se kurdoherë. Po këndoj mes shqiptarëve të mi dhe ju falënderoj shumë. Nuk kam fjalë! Unë kam zgjedhur një program të vogël me disa pjesë shqiptare që ia dedikoj atdheut tim, Shqipërisë e Kosovës. Kënga që e hap këtë mbrëmje është një këngë shkodrane “N’at Zaman” ose “Ta dish” dhe është pjesa e parë e albumit që unë bëra këtë vit me këngë të përzgjedhura shqiptare. Shpresoj të ju pëlqej”, ka thënë Myshketa i cili pas këtyre fjalëve e mbërtheu skenën dhe gjithë sallën me zërin e tij kumbor që rrëqethte secilin shpirt të pranishëm.

Pas këtij interpretimi të parë para publikut, Gëzimi u shpreh se të këndojë në Kosovën e lirë, për të, është goxha emocion.

“Kam ardhur në radhë të parë sepse jam në Kosovë, mes vëllezërve dhe motrave shqiptare. Të këndojmë së bashku në Kosovën e lirë dhe për herë të parë, është goxha emocion. Kanë kaluar gjashtë apo shtatë vite që kur isha në koncertin në Prishtinë në Katedrale. Jam shumë i emocionuar dhe dua ta falënderoj Ardianën për punën e jashtëzakonshme. Të kesh kaq shumë njerëz që vinë e të japin dashuri, vëmendje, në një mbrëmje të dedikuar ty, është shumë për mua. Jam shumë i lumtur dhe Kosovën e shoh më mirë dhe më mirë e pafsha edhe herëve tjera”, thotë ai.

Duke marrë parasysh se Opera e Kosovës për herë të parë është institucionalizuar, për Myshketën, të qenurit një nga emrat që luan për herë të parë në hapjen zyrtare të një titulli artistik siç është “La Traviata”, është shumë gjë e bukur. Ai thotë se po punohet shumë aty dhe beson që do të jetë një shfaqje shumë e bukur, kësisoj edhe ai do të kaloj dy javë të mrekullueshme në Kosovë.

Baritoni Myshketa ka përmendur edhe kohën kur ai ka dhënë një kontribut në një periudhë kur Kosova ka qenë jo në ditë të mira. Ai ka punuar si vullnetar në Durrës dhe i ka dhënë shumë shpresë shqiptarëve të Kosovës që kanë lënë vendin e tyre për tu strehuar.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e dhimbshme, një emocion ndryshe. Unë kam qenë vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç dhe po shihnim pamjet brutale të miliona njerëzve që linin vatrat e tyre. Dhe e ndjenim që duhet të bënim diçka. Ne ishim gati për luftë. Filluam të pastronim pallatet sepse ishte gati e sigurt që edhe Shqipëria do hynte në luftë. Gjëja e parë që bëra ishte që së bashku me miq, merreshim me shpërndarjen e rrobave për njerëzit që kishin nevojë, në shkollën e muzikës në Durrës. Gjëja më emocionuese, ishte që ne bënim koncerte sepse kishte njerëz që akoma qanin, por e ndjenim që kishim nevojë t’i jepnim shpresë. Këndonim këngë patriotike dhe besoj që kam bërë koncert në gjithë kampet e refugjatëve”, shpalos Myshketa.

Sipas tij, një nga kujtimet e tij më të bukura ka qenë kur çdo natë, kanë ardhur dy-tre goca/çuna në shtëpinë e tij. Ishte një familje nga Peja që e kanë humbur babin e tyre dhe shkonin tek ai, dhe motra e Myshketës, bënte supë e rrinin bashkë.

“Jemi dëgjuar në telefon këto ditë dhe ka qenë jashtë mase emocionuese. Na presin në Pejë dhe besoj që do shkojmë aty. Unë vetëm kam kontribuar duke kënduar e duke i dhënë shpresë njerëzve. Ky ka qenë roli im si vullnetar. Ishte minimalja që do të bënte çdokush në ato momente të vështira. Atëherë ka qenë vaj dhe mundoheshim të qeshnim prej hallit, por sot është festë. Unë besoj që sot faktori shqiptar është më i fortë se asnjëherë më parë. Duhet t’i qojmë shtete tona si motra, më përpara”, tregon tutje.

Ndërsa, kur ndalemi tek karriera e tij dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt majave të operistikëve botërore, baritoni Myshketa ka treguar se kur i lindi dashuria për këtë profesion.

“Në një tavolinë të një shtëpie shumë modeste në Durrës, ku ne ishim të internuar gjatë komunizmit si ish-familje borgjeze. Babai im ka qenë një baterist i jashtëzakonshëm. Gjithë xhaxhallarët e mi luanin instrumente por pasionin e kishte gjithë familja. Vendosa në këtë tavolinë ta bëja ‘show-in’ tim dhe kështu lindi pasioni. Ishim një familje shumë e thjesht por që bënte një jetesë në ato vite shumë të vështira, kur ishte pushtuar nga jugosllavët. Ne ishim poshtë një diktature që nuk lejonte shprehjen e lirë. Kemi qenë në situata shumë të vështira por në atë shtëpinë e thjesht, jetohej me muzikë dhe muzika jepte liri. Atë çka të tjerët nuk e kishin në jetën e përditshme, ne e gjenim duke kënduar këngët italiane fshehurazi”, thotë ai.

Sipas tij, ai ka nisur karrierën shumë i vogël dhe mendon që mund të dali edhe në pension për shkak se ai ka tridhjetë vjet punë.

“Kur shkova në Itali si tetëmbëdhjetë vjeçar e pas dy tri vitesh mësim, mora pjesë një nga konkurset më të rëndësishme operistike. Ka qenë konkurs i zërave operistik evropianë i të rinjve dhe unë zëra vendin e parë në mesin e 250 konkurrentëve. Mora familjen dhe i tregova që kjo është diçka serioze. Aty pastaj ka qenë kthesa kur kuptova që ky është rrugëtimi im”, thotë Myshketa.

Pastaj, pjesë e mbrëmjes u bënë edhe videot e shumta të shfaqura në ekran e që e surprizuan baritonin Myshketa në një mënyrë të bukur. Një kolazh i duartrokitjeve të adhurueseve të tij në Veronë kishte zënë vend. Për këtë moment, ka folur edhe vetë ai.

“E kam menduar gjithmonë që nuk jam vetëm këngëtar por është e rëndësishme që të jesh edhe personazh në skenë. Kam debutuar në vitin 2003 dhe janë gati njëzet vite nga ana profesionale operistike. Një kujtim shumë i afërt ka qenë debutimi këtë vit në Arena Di Verona dhe isha mes kolegëve më të mëdhenj që janë në botë. Ka qenë emocion kur mbaruam shfaqjen dhe po shkonim në restorant dhe gjetëm diçka të papritur. Gjithë sheshi po darkonte në një e gjysmë të natës dhe u ngrit në këmbë, e na duartrokiste neve. Më ka prekur ky gjest shumë”, shprehet ai.

Ndërsa, kur flasim për albumin e tij “Ta dish”, atëherë baritoni Myshketa thotë se ka lindur si ide gjatë periudhës së karantinës.

“Lindi si një ide gjatë karantinës dhe ideja ishte që do të doja ta bëja patjetër. Jam pak vonë për volumin e dytë sepse është një antologji e vogël e këngës qytetare shqiptare, e ripërpunuar për tercetë. Dua t’i marr ato perlat kryesore të muzikës shqiptare dhe t’i ri-sjellë për publikun, pa asnjë lloj përfitimi, veç pasion. Dua ta bëj një vetëm për Kosovën, me pjesët e Kosovës, një me Shkodrën, Korçën e kështu me radhë. Do të ishte një ëndërr që pas dymbëdhjetë viteve, të kem gjithë këto CD ku janë perlat e muzikë shqiptare, të përmbledhura. Në albumin ‘Ta dish’, këngët patriotike kanë më shumë emocion. Çdo këngë ka një histori të vërtetë”, shpalos Myshketa.

Pastaj, ishte kënga e pa-kënduar më parë nga baritoni, “Mallëngjimi” si dhe “Arbëreshe potpuri”, ato që shpërthyen jashtëzakonisht bukur. Inkuadrimi i publikut në këto këngë qe diçka që dëshmoi se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” po kulmonte nga çasti në çast. Luhatja e kokës së baritonit Myshketa, lëvizjet e duarve, notat e larta që dilnin nga zëri i tij mahnitës, ishin elementet bazë që e bënin atë thjesht magjepsës. Të gjithë përhumbeshin pas interpretimit të tij dhe kjo dukshëm vërehej nga sytë dhe qëndrimi i gjithsecilit. Dukej sikur hynte në një botë tjetër kur këndonte, dhe në një tjetër kur fliste, por që të dyja këto, i bënte me një thjeshtësi të paparë.

Pas këtij emocioni, Gëzimi foli pak edhe për periudhën e pandemisë, një kohë kjo jo e mirë për shumë kënd. E njëjta vlen edhe për baritonin Myshketa i cili është shprehur se kohën e ka kaluar nëpërmjet incizimeve të këngëve shqiptare në rrjetet sociale, të cilat janë mirëpritur tejet mirë nga shikuesit.

“Çdo person që është i detyruar të rri mbyllur, nuk gëzon. Ne artistët e ndjejmë pak më tepër. U mbyllën gjithë sallat koncertale, gjithë teatrot. Unë aty në shtëpinë time fillova të bëj disa incizime dhe gjithë këngët shqiptare ia përcolla njerëzve nëpërmjet rrjeteve sociale. Kështu e kam kaluar kohën”, thotë ai.

Po ashtu, kur ndalemi tek ëndrra e tij e paplotësuar, atëherë baritoni Myshketa shpalos këtë ëndërr, që për të është e vështirë të realizohet, nga angazhimet e shumta të karrierës së tij.

“Ëndrra ime është që ta hap një restorant diku. Kurse, nga ana e karrierës e kam përjetuar gjithmonë lehtë. Kur vinë gjërat e bukura, vinë. Unë mundohem që gjithmonë të rritem në nivelin profesional por nuk është se nuk më zë gjumi nëse nuk kam një sukses çdo ditë. Jeta ka shumë gjëra të bukura. Gëzimi mundohet që pas çdo shfaqje teatrore, të mbyll personazhin e të kthehet tek jeta me të mirat e të këqijat e veta. Unë tani kam shumë projekte. Kam një turne në Francë, në Kanë, në Luksemburg. Pastaj, kthehem në Japoni, në Marsei. Kam shumë projekte, falë Zotit. Shpresoj që në radhë të parë, opera ‘La Traviata’ këtu në Prishtinë, të dali bukur pasi që publiku i Kosovës është publik shumë i vëmendshëm. Isha shumë i gëzuar sot në provat e kësaj opere, sepse të gjithë ishin shumë të pasionuar për të bërë. Sigurisht, dua të kthehem edhe në Tiranë. Më pëlqen shumë edhe pjesa regjisoriale, pse jo, ta zhvilloj akoma më shumë”, shpalos ai.

Krejt për fund, dy nga veprat ikonike si: “Unë biri yt Kosovë” dhe “Dua më shumë Shqipërinë” sollën në skenë edhe Korin e fëmijëve “Okarina”, që në ndërlidhje me baritonin Myshketa dhe pianisten Elezi, dhanë një emocion që rrallëherë përjetohet. Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me baritonin Myshketa. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pa-ndalura, u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.

Pastaj, ylli i edicioni të kaluar të mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”, Gjon’s Tears, ka dhënë një video-mesazh, në pamundësi për të qenë i pranishëm në sallë.

“Mirëmbrëma për të gjithë ju atje në Kosovë. Ju falënderoj shumë për emocionet që mi përcjellni çdo herë. Shpresoj të jeni të gjithë mirë dhe doja ta falënderoja shumë për mbrëmjen “Ta zbardhi ftyrën”, Ardianë Pajazitin dhe KultPlus-in për evenimentin që është organizuar. Mbaj mend që e kam vlerësuar shumë edhe unë këtë natë artistike që kam pasur momentin për të treguar muzikën time. Do të doja shumë të isha aty për t’ia dhënë çmimin baritonit të madh, Gëzim Myshketës por jam në Paris, duke e krijuar albumin tim. Gëzim kënaqu këtë natë dhe jam i sigurt që është një koncert shumë i jashtëzakonshëm”, ishte shprehur Gjoni në videon e dërguar.

Për ta shpërblyer baritonin Gëzim Myshketa me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti, në ndërkohë u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus-it si shenjë falënderimi për punën e madhe që bëjnë: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Era Berisha, Flonja Haxhaj dhe Uranik Emini, të cilët dolën në skenë për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre e ku nuk munguan duartrokitjet e shumta nga publiku.

Për të finalizuar këtë mbrëmje magjike, Gëzimi kishte ruajtur për fund një ndër perlat më të bukura shqiptare, këngën “Luleborë” e cila u këndua njëzëri me publikun në sallë. Këto emocione të fuqishme që u përçuan nëpërmjet këngës kulmuan me duartrokitje të fuqishme duke e kthyer artistin edhe njëherë në skenë.

Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, tutje të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku baritoni Gëzim Myshketa gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli baritoni Gëzim Myshketa.

“Qe një natë e jashtëzakonshme me shumë emocione. Jam shumë i lumtur që u ktheva në Prishtinë pas 6-7 vitesh. Publiku ishte i mrekullueshëm me një program shumë të sinqertë. Çdo gjë ishte shumë mirë dhe falënderoj shumë KultPlus-in, e sidomos Ardianën për punën e jashtëzakonshme të këtij eventi. Edicionin vendosëm që ta zhvillojmë në dhjetor dhe kemi punuar goxha për përzgjedhjen e pjesëve. Ishte shumë kënaqësi. Sonte do e veçoja ngrohtësinë e publikut. E dua Kosovën shumë”, ka thënë Myshketa.

Ndërsa, udhëheqësja e Korit të Fëmijëve “Okarina”, Elikona Hysaj Shala është shprehur e lumtur që fëmijët kanë ndarë skenën me baritonin e njohur Gëzim Myshketa.

“Gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të organizuar nga KultPlus. Çdo detaj i menduar mirë ka respektuar artistin, gjë që i bie se KultPlus di të respektojë artistin ashtu siç vlen dhe duhet. Gjitha këto nuk do të realizoheshin pa mundin e organizimin për të krijuar një mbrëmje kaq mbresëlënëse sikurse sonte. Kur takohen fëmijët me një bariton të përmasave botërore siç është Myshketa atëherë është një fat tejet i madh sepse ai ka dhuruar një dashuri të madhe për skenën dhe fëmijët në atë mënyrën që ata të kenë motiv edhe më tepër të vazhdojnë tutje. Ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë takim në skenë”, thotë Hysaj-Shala.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje kishte sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, AMC-në dhe Ujë Rugove. / KultPlus.com

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë nesër te “Ta zbardhi ftyrën” me Gëzim Myshketën

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus nesër po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.

Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.

Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.

“Ta zbardhi ftyrën” vjen nesër, më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

“Ta zbardhi ftyrën” me baritonin Gëzim Myshketa, perlat shqiptare do të jenë madhështia e mbrëmjes

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.

Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.

Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.

“Ta zbardhi ftyrën” vjen më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Edicioni i pestë i “Ta zbardhi ftyrën” do të shënohet me baritonin Gëzim Myshketa

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus ka nisur përgatitjet për të sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Edhe ky edicion pritet të jetë tejet special me një figurë të rëndësishme të artit shqiptar që na bën çdo ditë krenar me paraqitjet e tij në skenat ndërkombëtare.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar se tashmë është konfirmuar edhe artisti i këtij edicioni.

“Pas katër edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit do të sjellim një artist shqiptar që  vlerësohet shumë  në nivel ndërkombëtar. Këtë vit do të sjellim baritonin e suksesshëm Gëzim Myshketa, me të cilin edhe do të shënojmë edicionin e pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka treguar më pas se për shkak të agjendës së ngjeshur të Myshketës, kjo mbrëmje artistike që zakonisht është mbajtur në muajin gusht, këtë vit do të mbahet në muajin dhjetor.

“Për shkak të natyrës së mbrëmjes, ku sjellim artistë shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, jo gjithherë po arrijmë ta realizojmë këtë mbrëmje në një muaj të caktuar. Sepse po varemi prej agjendës së mysafirëve”, ka thënë Pajaziti e cila është shprehë të jetë shumë e kënaqur që KultPlus si herëve të shkuara, edhe kësaj radhe do të prezantojë një artist të përmasave të mëdha.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me artistin e këtij edicioni ku do të ketë një diskutim të hapur me audiencën dhe performancë para publikut me një repertor të përzgjedhur.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme. / KultPlus.com

Baritoni Gëzim Myshketa me “Les vepres Siciliennes” në teatrin e Italisë

Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa vazhdon të mbetet një nga artistët shqiptar më të suksesshëm në skenat evropiane, me ç’rast sw fundmi ai do të interpretojë në “Teatro Massimo di Palermo”, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, baritoni Myshketa ka bërë të ditur se nga data 22 janar deri më 25 janar 2022 do të jetë në “Teatro Massimo di Palermo”.

Ai do të performojë në rolin e ‘Guy de Monfort’ në operën “Les vepres Siciliennes“ të kompozitorit italian Giuseppe Verdi. / KultPlus.com

Gëzim Myshketa sjell albumin artistik me këngë nga trevat shqiptare

Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa ishte i ftuari i emisionit të pasdites “Rudina” në Tv Klan. Baritoni i mirënjohur sapo ka realizuar një album antologjik me disa nga këngët më të bukura shqiptare, të lidhura së bashku në një libër me 70 faqe, ideja fillestare e të cilit ishte një libret, përcjell KultPlus.

“Ta dish” titullohet vepra që shënon një moment të rëndësishëm të baritonit me famë ndërkombëtare që përveç këngëve, përmban edhe historinë e secilës prej tyre. Eventi prezantues i organizuar ditën e djeshme mblodhi emra të rëndësishëm të artit dhe njerëz të afërt të tij.Gëzim Myshketa tregon edhe filozofinë që qëndron pas këtij projekti, i cili nuk lidhet aspak me tregun komercial muzikor dhe është art i pastër, i pa ndikuar të cilin e ka realizuar me shumë dëshirë e pasion për të kontribuar në art. Albumi libër përmban një përzierje të këngëve të ndryshme të disa prej trevave shqiptare.

Gëzim Myshketa:Fjala “treg, komerciale” nuk ekziston fare dhe nuk e kam menduar në asnjë moment. Kjo ëhstë thjesht një dëshirë, një pasion i imi, një kontribut i imi. CD-ja mbase do të riprodhohet, nuk është fare çështje shitjesh, unë dua ta prodhoj me ndihmën e financuesve që do të kenë mundësi të na ndihmojnë siç kanë bërë, por dua thjesht që të arrijë kënga jonë, e shpluhurosur, e pastër, me një kostum të ri dhe pse jo të mbetet një incizim i shumë e shumë pjesëve shqiptare me zërin tim. Kënaqësia më e madhe kur bën një disk të tillë është se nuk je fare i kufizuar, e bën ashtu siç e ndien, sepse për asnjë moment nuk ke idenë “obobo po të rinjtë a do e pëlqejnë?, po tregu sot?”, normalisht mundohesh të sjellësh një prodhim artisitk që të pëlqehet sa më shumë, patjetër, por duke mos patur problemin e shitjeve, ti bën atë çfarë ndien dhe kjo duket, shihet dhe dëgjohet në album.

Rudina Magjistari: Në lidhje me përzgjedhjen e këngëve, sa kohë të është dashur dhe a ka diçka për të na rrëfyer lidhur me to?

Gëzim Myshketa: Ka lindur shumë natyrshëm, disa nga këto këngë janë më domethënëse, përfaqësuese si “Luleborë”, “O moj korçare” etj. Nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje specifike, ishte një listë të cilën kisha dëshirë ta këndoja dhe pak a shumë duke patur dëshirën të preknim treva të ndryshme pasi kemi nga Veriu, Jugu e Shqipëria e Mesme, por që të bësh të gjithë këngët shqiptare është e vështirë sepse mungon Kosova, arvanitasit e treva të tjera dhe qëllimi në volumin e dytë është të fusim pjesë të tjera të këtij lloji. /tvklan.al/ KultPlus.com

Myshketa publikon librin me CD muzikore ‘Ta dish’: Nuk fsheh dot se ndjej mall për këngët e vendit tim

Baritoni, Gëzim Myshketa, ka publikuar librin me CD muzikore, ‘Ta dish’, si një antalogji të këngës tradicionale shqiptare të përpunuar shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Myshketa në një posti në Facebook i cili ka thënë se kur kishte filluar të këndonte që në fëmijëri nuk  kishte menduar kurrë që jeta e tij do të ishte përplot rrugëtime.

“Kur nisa të këndoj që në fëmijëri, në qytetin tim të lindjes, në Durrës, nuk e kisha parashikuar kurrë që jeta ime do të vijonte me “valixhe në dorë” nga një shtet në tjetrin, në skena shumë të rëndësishme, me role të bukura që i kam shijuar pafund”, ka shkuar ai.

Tutje artisti ka theksuar se ndonëse ndihet me fat për rrugëtimin e tij profesional, nuk e fsheh dot ndjesinë e mungesës së atdheut, rrugëve, njerëzve, por mbi të gjitha këngët e vendit të tij.

Krejt të fund bartioni ka pohuar se k libër me CD muzikore është veç një kontribut modest i tij.

“Ky është një kontribut modest imi, sepse besoj që çdo ndryshim nis nga vetja. Sikur copëzat e Shqipërisë të duhen fort nga secili prej nesh, ajo ka për të qenë gjithmonë e më shumë e bukur, e fortë, krenare”, ka përfunduar Gëzim Myshketa.

Statusi i plotë:

Më në fund pa dritën publikimi i Librit me Cd Muzikor “TA DISH” Antologji e vogël e këngës tradicionale Shqiptare të përpunuar Vol.1.

Të dashur Miq,

Prej ditësh mendohem se si të gjej fjalët më të ndjera e të çiltra për të mbërritur te secili prej Jush. Kuptova, se ato janë të varfra, përpara thjeshtësisë së dashurisë që i kemi dhënë njeri-tjetrit në gjithë këto vite.

Kur nisa të këndoj që në fëmijëri, në qytetin tim të lindjes, në Durrës, nuk e kisha parashikuar kurrë që jeta ime do të vijonte me “valixhe në dorë” nga një shtet në tjetrin, në skena shumë të rëndësishme, me role të bukura që i kam shijuar pafund.

Ndihem i përkëdhelur e me fat në rrugëtimin tim profesional, megjithatë, nuk e fsheh dot ndjesinë e mungesës së; aromës së luleve të vendit tim… ngjyrës së qiellit të vendit tim… ndjej mall për rrugët, njerëzit, kripën e dallgëve, gjuhën e përveçme… ndjej mall për këngët e vendit tim…

“Ta dish…!”. Kjo përmbledhje muzikore e informative që keni në duar i thotë të gjitha:

Ta dish…sa më mungon!

Ta dish… sa të du’!

Ta dish…sa mirënjohës të jam për këtë që jam!

Ta dish… sa dua ti’a jap meritat që i takojnë kësaj krijimtarie!

Ta dish që me mend, shpirt e zemër jam gjithmonë te ty e me ty,

Shqipëri.

Ky është një kontribut modest imi, sepse besoj që çdo ndryshim nis nga vetja. Sikur copëzat e Shqipërisë të duhen fort nga secili prej nesh, ajo ka për të qenë gjithmonë e më shumë e bukur, e fortë, krenare!

Aty ku nis kënga të ligjërojë me gjuhën e saj, fjalët ndoshta janë të tepërta, ndaj s’më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju uroj dëgjim e lexim të mbarë./ KultPlus.com

Pas raportimeve për vdekjen e Kabashit, reagon Myshketa: Mirushi është shëndosh e mirë

Media të ndryshme gjatë ditës së sotme kanë raportuar se aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi, ka ndërruar jetë, shkruan KultPlus.

Një lajm i tillë është demantuar fillimisht nga gazetarja e Fax News në Shqipëri, Edona Haklaj. E reagime të shumta ka pasur edhe nga artdashës e artist.

Ndër ta është edhe Gëzim Myshketa i cili në një postim në Facebook ka shkruar se Mirush Kabashi është shëndosh dhe mirë.

Gjithashtu Myshketa ka shtuar se beson se një lajm i tillë nuk ka qenë i qëllimshëm, mirëpo sipas tij për aktorë të kalibrit të Mirush Kabashit, është e mjaftueshme një postim privat që të krijoj efekt domino.

Më poshtë mund të lexoni satusin e tij të plotë:

Miq të përbashkët sapo kanë kontaktuar në tel !!! Mirush KABASHI është shëndosh e mirë dhe e Paçim edhe për 100 vjet

*** Mendoj nuk ka asgje te qellimshme nga askush sepse “viktime e ketij lajmi rashe edhe une fillimisht …. Kur behet fjale per personazhe te ketij kalibri mjafton nje postim privat dhe lind nje efekt “domino”….

Nuk besoj ka njeri ne Shqiperi te mos ta doje dhe adhuroje Mirushin Kombetar!!! Mbetet vetem shprehja e urte popullore :

“ I SHTOHET JETA” Amin./ KultPlus.com

Gëzim Myshketa së shpejti interpreton në operën franceze

Baritoni Gëzim Myshketa po vazhdon debutimin e tij artistik, shkruan KultPlus.

Ai nëpërmjet publikimit të një fotografie ka bërë të ditur se do të interpretoj në Operën Berlioz në Francë.

“Ende nuk e dijmë nëse do të hipim në skenë, por ja ku jemi, në teatër…Ne frymojmë dhe jetojmë me artin, dhe kjo është diçka e madhe!!!”, ka shkruar baritoni Myshketa.

Opéra Berlioz është një sallë shfaqjesh e krijuar në 1990 në Montpellier brenda qendrës së kongreseve Le Corum. / KultPlus.com

Gazeta e famshme italiane “La Stampa” shkruan për Gëzim Myshketan, e quan “bariton të jashtëzankonshëm”

Këngëtari i njohur shqiptar Gëzim Myshketa, i cili ka korrur mjaft suksese dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj dirigjentësh si Bruno Aprea, Fasolis Diego, Daniel Oren, Dante Ferretti, e të tjerë, sot ka zënë vend në faqen e gazetës së famshme italiane “La Stampa” e cila i ka kushtuar artikull të veçantë Myshtekës, e veç tjerash atë e ka cilësuar si “bariton të jashtëzakonshëm” /KultPlus

Gezim Myshketa, protagonist në operën e Evropës në Strasbourg

Baritoni Gezim Myshketa së shpejti do të jetë protagonisti i operës “Beatrix Cenci”,  që do ta ketë premierën në Francë, shkruan KultPlus.

Opera e kompozitorit argjentinas Alberto Ginastera e vitit 1971, për herë të parë do të vihet në një skenë prestigjioze të Francës.  Për të interpretuar rolin kompleks të Konctit Cenci është përzgjedhur artisti shqiptar Gezim  Myshketa.

Provat do të zgjasin për 45 ditë ndërsa vepra konsiderohet e vështirë për nga dramaturgjia dhe kompozicioni muzikor. Ajo për publikun atje vjen premierë më 17 mars me regji të argjentinasit Mariano Pensottit dhe nën dirixhimin muzikor të mjeshtrit Marco Letonja.  / KultPlus.com

Qerkezi e Myshketa në duet për 70-vjetorin e konkursit operistik në Itali

Para tre vjetësh sopranoja Marigona Qerkezi mori vëmendjen e teatrove italiane kur doli fituese e konkursit ndërkombëtar operistik “AsLico”, që u dedikohet këngëtarëve të rinj lirikë të Evropës.

Triumfi në garën prestigjioze që mbahet në Como të Italisë, e ka rikthyer në skenën e teatrit të operës së këtij qyteti. Të dielën mbrëma, Qerkezi – e cila po bën karrierë ndërkombëtare dhe viteve të fundit goxha shpesh ka performuar para audiencës italiane – e ka ndarë skenën me baritonin shqiptar Gëzim Myshketa.

Dy shqiptarët kanë interpretuar duetin Lucias dhe Enricos, shkëputur nga opera e njohur “Lucia di Lammermoor” e Gaetano Donizettit, në mbrëmjen që shënoi 70-vjetorin e “As.Li.Co”. Të dy u ftuan për t’u bërë pjesë e koncertit jubilar si ish-fitues të këtij konkursi, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

“Për ty atdhe” apo himni i vërtetë shqiptar

Kënga e njohur “Për ty atdhe”, është një ndër këngët që prezantohet në raste të veçanta të popullit shqiptar, shkruan KultPlus.

Po sjellim performancën e baritonit Gëzim Myshketa, i cili mjeshtërisht sjellë këtë perlë të muzikës shqiptare, i cili e ka kënduar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./KultPlus.com

Myshketa: Tinka Kurti do të jetë pjesë e shfaqjes operistike “Carmen”

Shfaqja operistike “Carmen”, që do të ngjitet me premierë në Tiranë, me regji të Gëzim Myshketës, ka të përfshirë edhe aktoren e madhe shqiptare Tinka Kurti, shkruan KultPlus.

Mirëpo,pas disa problemeve shëndetësore të aktores Kurti, e cila tashmë është e shtrirë edhe në spital, kjo shfaqje gjithsesi do të ketë të përfshirë aktoren në këtë premierë, pikërisht më 30 janar.

Regjizori i veprës Gëzim Myshketa ka thënë për KultPlus se roli i aktores së madhe që në krye të herës ka qënë i konceptuar në disa extracte audio dhe video tashmë të realizuara.

“Kjo ide ishte e tillë, sepse pata menduar të realizoj një version për të mos ta munduar çdo natë të shfaqjeve artisten e madhe”, ka thënë ai, duke potencuar se gjëja më e rëndësishme mbetet rehabilitimi i plotë i shëndetit të artistes me të cilën është në kontakt të vazdueshëm nëpërmjet vizitave dhe telefonatave te përditshme.

“Dëshiroj të falenderoj ekipin e mrekullueshëm të spitalit Amerikan dhe doktor Adrian Jorgji në veçanti për dedikimin e veçantë si dhe shpresoj dhe uroj që Tinkën Kombëtare ta kemi në sallë në ditën e premierës”, ka thënë ai.

I pyetur për vijimin e provave, Myshketa shprehet se po bëhet një punë gjigante e drejtuar nga Zana Çela dhe bashkëpunëtorët e saj të cilët i falenderon pa masë.

“Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero. Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha. /KultPlus.com

Opera “Carmen” projekt gjigant në TKOB, në skenë do të ngjitet edhe Tinka Kurti

Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.

Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.

Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.

Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet sonte, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com

Pirgu e Myshketa pjesë e operës së Guiseppe Verdit në Napoli (FOTO)

Në Teatrin më të vjetër të Evropës ‘San Carlo’ në Napoli, tashmë po shfaqet me sukses opera monumentale e Giuseppe Verdit ‘Simon Boccanegra’.

Në këtë operë në rolet e dy prej protagonistëve figurojnë dy artistët shqiptarë me karrierë ndërkombëtare që janë tenori Saimir Pirgu dhe baritoni Gëzim Myshketa.

Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, baritoni Myshketa i cili është shprehur tejet i kënaqur me debutimin e këtij roli në këtë tempull të lirikës italiane.

Opera me regji të Sylvano Bussottit që vjen nën dirigjimin e Stefano Ranzanit, ka dy kaste këngëtarësh të kalibrit internacional dhe po shfaqet nga data 7 deri më 14 tetor. Myshketa me pas do vijoj stinën lirike me turnetë në Toulouse, Vjenë, Rome, Oman Emiratet e Bashkuara, Laipcig e Shtuttgart./ KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet më 16 nëntor, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com