Fatmira Nikolli
Gëzim Qendro iku dje në moshën 60-vjeçare. Iku në heshtje. Siç pati jetuar në heshtje, si një prej fisnikëve të fundit në një vend zulmëmëdhenjsh të rrejshëm. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, po në heshtje. Pa e ulëritur dhimbjen e tij. Fliste rrallë, fliste vetëm kur kishte diçka për të kumtuar. Fliste pa dashur të sulmonte, pa dashur as të binte në sy, pa dashur që objektivët të ktheheshin drejt tij, e pa dashur ta shihte veten në media më shumë se në pasqyrë. Fliste pa dashur të përfitonte, por padyshim duke e bërë përfitues dëgjuesin e shikuesin.
Ka pak njerëz në Tiranë e në laminë e artit që kanë peshën e fjalës së tij. Ka akoma më pak që dinë ta bëjnë si ai, pa arrogancë, pa luftë, pa i marr skenat me zor. Përkundrazi, ai i kishte zët skenat. E lehtë si pupël dhe e rëndë si gur, fjala e Qendros pati gjithherë forcën e madhështisë.
Prej dje, nuk është më mes nesh. Për shumëkënd, qe lajmi i parë i ditës. Një ikje e trishtë. Kush e ka njohur ka rrëmuar në kujtime për të gjetur biseda, e foto, për të kujtuar çfarë thoshte e si e thoshte. Dikush për të nderuar Qendron, e dikush veten. Sot e dimë me siguri se na duhej më shumë se i duheshim, e së në çdo tast që shtypim, diç po marrim prej lavdisë së tij. Me kohë, në mundshim t’i ngjajmë sadopak urtisë që bartte e urtisë që jepte, do na e falë. Së paku, do kemi përfituar prej shembullit të tij.
Për pasionin për punën, për dashurinë për artin, për dijen mbi kujtesën e arteve në Shqipëri, për ekranin e trashëgiminë, për filozofinë e kritikën, për shembujt e panumërt që ofronte prej më larg. Në respekt të ngjarjeve e mendimeve, që ai nuk donte të ishin publike, as sot, shumë syresh nuk do dalin. Le të mbeten në eter ato që si të tilla i patëm lënë.
Por që shembulli i tij të mos humbë në babëzinë e madhe për famë e pushtet, mes atyre që e citojnë edhe pse nuk mundën ta kuptojnë kurrë, më duhet të risjell në vëmendje një bisedë të dy viteve më parë, kur koha e desh të bënim një intervistë për artin në realizmin socialist. Në takimet paraprake për intervistën, ndodhi që të më rrëfente ndodhi të jetës së tij. Dëgjoja një zë të ulët, një narracion të qartë. I ngjante një filmi: një burrë me thinja, më tregonte për kohë që nuk i kisha jetuar. Kur Tirana i ishte dorëzuar kaosit të 1998-ës, Gëzim Qendro, atëkohë në krye të institucionit më të rëndësishëm të artit pamor në vend, flinte në Galerinë Kombëtare, për të mbrojtur artin e një vendi në flakë. Kur ai kërkonte mbrojtje nga shteti për Galerinë, shteti qeshte me të, qeshte se si ky burrë po mbronte pikturat në një skenë apokaliptike të rënies së shtetit. Por ai qëndroi, i vetëm, në godinën përbri teatrit, kur të tjerë rendnin të merrnin ç’të mundnin, ai qëndroi të mbronte ç’të mundte.
Ceremonia e homazheve dhe pritja e familjareve u bë dje nga ora 10:00 deri më 11:00, tek Galeria Kombëtare e Arteve. La pas një vajzë dhe një grua që do të dijë ta ruajë me dinjitet kujtimin e veprën e tij.
IKJA E QENDROS
E para që shkroi për ikjen e Qendros, ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shumë para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e artit dhe të mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm! Lamtumirë!”. Pas saj, edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh “Hidhërim për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros, një mik i mirë, fjalëpakë e punëshumë, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë, që nuk ia doli dot mbi sëmundjen e rëndë, por la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme. Lamtumirë o mik!”
Si një nga kritikët dhe filozofët më të njohur në vend, e një nga themeluesit e Bienales së Artit të Tiranës, miqtë që e deshën qenë shumë.
Stefan Taçi kujtoi se pat shpresuar deri në fund, që Gëzimi ta mundte sëmundjen. “E dinim gjendjen e tij shëndetësore të kohëve të fundit, por njeriu shpreson gjithmonë, deri në minutën e fundit, aq më shumë kur dinim kurajën e vetë Gëzimit”. Në një bisedë të ditëve më parë, Taçi kujtoi se i kishte çuar një mesazh për ta përgëzuar dhe falenderuar për librin “Kinostudio ‘Shqiperia vjetër”. “Bashkë me mesazhin i kisha çuar një imazh nga faqja e fundit e librit ku kisha skicuar atë vetë në profil siç e mbaja mend unë në vitet kur punonim në Kinostudio. Dukej i prekur nga fjalët e mia mbi librin dhe skicën, folëm disa minuta e as më shkonte ne mend se pas 20 ditësh zëri tij do fikej kaq shpejt. Dukej aq kurajoz. Më tha se po punonte për një libër të ri”- shkroi dje Taçi.
“E njihte si pakkush tjetër estetikën dhe kritikën bashkëkohore të arteve pamore: kolegët e tij do ta vënë këtë në dukje më mirë se unë. Me veprën e tij provoi mundësinë e një qasjeje tjetër, më refleksive dhe larg bujës, ndaj artit të Realizmit Socialist dhe krejt historisë së pikturës shqiptare. Prej tij do të më mbeten edhe përshtypjet e shpërndara të atyre pak orëve që kemi ndenjur bashkë në Tiranë; si dhe premtimet, tani të pambajtshme, për t’u takuar sërish”, tha dje Ardian Vehbiu. Për drejtorin aktual të GKA-së, Erzen Shkololli, “kemi humbur një profesionist të vlefshëm, njohës dhe kritik të artit të çmuar, por mbi të gjitha një mik të veçantë”.
JETËSHKRIM
Profesor i Asociuar i Teorisë së Artit dhe Kritikës, Shef i Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit, në një universitet privat, në Shqipëri. Është diplomuar në “Academie voor Beeldende Vorming”, Amsterdam, Holandë (1992-1996) dhe ka mbrojtur doktoraturën në Estetikë në Universitetin “Paris VIII” (2009) për pikturë. Ka qenë drejtor arti i filmave të animuar në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë (1997-2002), drejtor i revistës së artit PamorART” (1998-2002), bashkëdrejtor dhe një nga kuratorët e tre edicioneve të para të Bienales në Tiranë, kurator i ekspozitave “Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus”, “Post EVA”, “Nostalgji”, “Glocal”; bashkëkurator i ekspozitës “In & Out”; ka marrë pjesë në konkursin e përvitshëm mbi artin bashkëkohor Onufri (1997, 2001). Ekspozita të tjera të kuruara nga ai janë: Çmimi Myslim Mulliqi, Antologjia e Shpresës, Koordinatat Onirike të Nënvetëdijes, Zbrazëtia Ludike e Objektit, Mes Orientit dhe Oksidentit. Që prej vitit 1992 ka botuar mbi 100 artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj mbi çështje rreth historisë së artit shqiptar. Është autor i tre monografive për artistët shqiptarë: “Arkeologjia e Mëngjesit (Dituria), “Heronjtë janë të uritur” (Onufri), “Surrealizmi socialist” (l’Harmattan) dhe përkthyes i 14 titujve librash të lidhura kryesisht me historinë e artit dhe teorinë e artit. Ka qenë gjithashtu një nga kuratorët e Muzeut “Shtëpia me gjethe” dhe anëtar i jurisë së Ministrisë së Kulturës për Bienalen e Venecias.
Suzana Varvarica Kuka: Kujtova se do ia hidhte, nuk e kishte kohën të ikte
Gëzim Qendro erdhi në GKA në fund të vitit 1998 dhe u largua në vitin 2002 kujton Suzana Varvarica Kuka për Qëndron e pyetur nga “GSH”.
E ka njohur shumë kohë më parë, kur punonin në filmin vizatimor në Kinostudio. Dhe ky është rrëfimi i saj:
Pas viteve ’90 u bashkuam përsëri në Galeri me të ndjerën Majlinda Agolli dhe mikun tonë të përbashkët specialistin Andon Ikonomi. Na u duk se po punonim si dikur dhe asgjë nuk kishte ndryshuar, vetëm se tani Gëzimin e kishim drejtor dhe e respektuam që të tre si të tillë.
E kam njohur në rini dhe e respektoja për vullnetin e fortë që kishte për leximin dhe dijen. Më pas për pasionin dhe talentin në përkthimin e ideve në imazhe.
Në Galeri dukej i rritur, plot dinjitet dhe personalitet të formuar. I edukuar jashtë vendit kishte fituar qartësinë e funksionit të sistemit të artit ndërkombëtar. Kjo e nxiti që në galeri të krijonte një institucion kombëtar ekspozues me parametra bashkëkohorë. Ai u bë iniciator i ekspozitave të konceptuara nën një ide dhe shumë informacione. Ai e grupoi veprën e artit si një kohë dhe një hapësirë e kjo vlejti për të kuptuar edhe më shkoqur sesi kishte ndikuar metoda e realizmit socialist në jetën e artistit dhe në deformimin e njeriut, i cili rëndom quhej “njeriu i ri”. Ai është iniciator i revistës së vetme të artit të GKA, Tiranë “PamorArt”, e cila pas tij nuk e gjeti më dritën e botimit, por ne aso kohe ishim të gëzuar dhe madje menduam se diçka shumë të paqme dhe intelektuale po bënim. Gjatë kohës së tij në drejtim u organizuan ekspozitat atraktive dhe mbresëlënëse ndërkombëtare “Onufri”, “Marubi” e “Bienalja e Tiranës” e shumë kombëtare. E kjo ishte koha kur artisti shqiptar u përball me shumë vështirësi, kur ndjeu konkurrencën dhe nivelin e tij në sipërfaqen e artit bashkëkohor ndërkombëtar. E kjo situatë ishte një situatë e fortë kthese e ndryshimi. Ai është autor i dhjetëra librave me vlerë në fushën e studimit, estetikës, artit dhe filozofisë. Për të ndjerin dhe të diturin Qendro, siç ne e themi emrin e tij kam shumë për të treguar e shkruar.
Nuk do harroj takimin tonë me biseda që nuk mbaronin, në tavolinën ku u ulëm, pranë shtëpisë së tij e kur doli nga spitali. Shpresova se ia kishte hedhur për gjithmonë. Por, Ai, Qendro, ç`ka shkruar, ç`ka kemi biseduar nuk do të harrohen askurrë, për ne miqtë e tij. Nuk e kishte kohën të ikte./ KultPlus.com