Infantino vlerëson Shqipërinë për pritjen e afganëve, Rama: Moment krenarie

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale deklaratën e kreut të FIFA-s, Gianni Infantino i cili gjatë konferencës për mediet në nisje të Botërorit të Katarit vlerësoi Shqipërinë që hapi dyert për refugjatët afganë.

Rama e konsideron një moment krenarie për Shqipërinë.

Në deklaratën e tij, Infantino tha se të gjithë vendet evropiane e amerikane, shtete e Amerikës së Veriut, mbyllën dyert duke kërkuar falje se nuk mundeshin.

“I vetmi vend që tha: ‘Mirë sillini këtu se ne e dimë çfarë do të thotë të vuash dhe të ikësh nga vendi yt”, ishte Shqipëria. Dhe miku im, Edi Rama, tha: Ato janë të mirëpritura në Shqipëri ku mund të ndërtojnë një të ardhme”. Kështu Shqipëria hapi dyert. Nga të gjithë vendet, Shqipëria u hapi dyert refugjatëve afganë që duhej të iknin sepse luanin futboll në Afganistan”, tha Infantino. / atsh / KultPlus.com

/

Çeku takohet me Infantinon, diskutohet për të ardhmen e futbollit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në kabinetin e tij Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku njofton se aty u diskutua dhe ndanë mendime e vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.

Postimi i plotë:

‘Nder i veçantë që sot të pres në kabinetin tim Presidentin e FIFA-së, Gianni Infantino.

Me Infantinon dhe ekipin e tij – përfshirë legjendën e futbollit, Youri Djorkaeff, ndamë mendime dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.

Me qëllim të kultivimit të pasionit dhe talentit të natyrshëm të të rinjve tanë në futboll, zhvilluam diskutim produktiv me fokus të veçantë në infrastrukturën fizike të sportit të futbollit dhe përfshirjen e futbollit në sistemin arsimor të Kosovës.

Përveç diskutimit, u dakorduam që të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për konkretizim të bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla” në programin tonë shtetëror “Sporti në Shkolla”.

Rruga që duhet të ndjekim për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sportit të futbollit është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i thellë ndërmjet organizatave sportive vendore dhe ndërkombëtare dhe institucioneve relevante të sportit“, thuhet në postimin e tij. /KultPlus

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e viziton për herë të parë Kosovën që prej kur shteti ynë është anëtarësuar në këtë organizatë.

Bashkë me presidentin Infantino, në delegacion ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA. Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë. Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare. / KultPlus.com