“Varg e Vi” përmes projektit “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, synon kthimin e vëmendjes kah trashëgimia kulturore, historike dhe urbane e qytetit të Gjilanit, përcjellë KultPlus.
Kujtimet kanë dërguar organizatorët e eventit në aktivitetin e parë me këngë të interpretuara nga grupet lokale muzikore, e pastaj kënga pas një kohe tjetër, i dërgon edhe në aktivitete dhe shenja të tjera të kujtesës së re urbane: tek Ëmbëltorja, te Faraxhia, te Përmendorja, te Soliteri, tek Ura e Maskatarit…”.
Qyteti ka kujtime, ashtu si njerëzit. Kujtimet e para dhe më të lehta, riprodhohen nga muzika. Një këngëtar me origjinë nga Gjilani, Agron Berisha, u lind në Shkup, u kthye herë pas herë në Gjilan – në vendlindjen e familjarëve të tij, si dhe u bë pjesë e kujtesës kolektive të këtij qyteti, duke kënduar rok e balada dashurie në “Ish-Shtëpinë e Armatës”, “Palestrën e Sporteve”…
Qyteti krijon kujtime. Ato kodohen, depozitohen dhe riprodhohen nga njerëzit dhe duke i parë monumentet. Njerëzit që lënë gjurmë në një qytet, numërohen në gishta. Kujtesa nuk ngjizet vetëm me njerëzit e lindur në një qytet, por edhe me ata dhe ato që ecën nëpër të, kënduan në të dhe lindën rrëfime urbane, duke u kujtuar ende edhe sot nga shokët e tij të dikurshëm. Qyteti krijon figura, profile, portrete, zëra, fytyra dhe kujtime. Njëri nga këto është edhe Agroni. Duke e kujtuar atë, i kujtojmë sidomos vitet e ’70-ta dhe ’80-ta (shek. XX) të Gjilanit.
Për tu rikthyer në kohë, për të sjellë muzikën e viteve 70-ta dhe 80-ta, në këtë ngjarje do të performojnë artistët si: Valdrin Halimi: muzicient/ koordinator i pjesës muzikore, Diana Toska: Vokal, Njomëza Hyseni: Vokal, Xhaner Gashi: Vokal/ Kitarë, Premtim Selimi: Klaviaturë, Gramos Kërqeli: Perkusione, Luftim Dalipi: Vokal/ Kitarë.
Ngjarja do të mbahet më datë 25 gusht, duke filluar në ora 20:00 tek Shtëpia e Rinisë, prapa Sahat Kullës në Gjilan. / KultPlus.com