Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati

Poezi nga Gili Hoxhaj

Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati,

qysh niset lufta

e qysh ndalet kanga.

 Qysh u shpërndanë zogjtë prej krismave

kur para syve na e vodhën pranverën.

Tu e pa tymin që dilte prej shpisë,

mu duk’ që po ma djegë fmininë e djalit,

krenarinë e burrit,

e mundin e plakut që

ma s’kollitej,  por lutej për ata që si kish pranë.

S’kisha ba kurrë kaq hapa larg shpisë,

se çdo ditë

aty e kam tymos oxhakun

për t’i dhënë ngrohtësi shpisë,

 e shije gjellës.

Atë ditë mendoja se a do t’i gjejmë të paktën themelet

e

ndoshta ata nga larg do ta paguajnë për neve biletën e kthimit.

Sa e vështirë ish me i pa ditët tua tu u djegë,

qysh hapat bahen  ma të randë

se pesha e çantave në shpinë,

e gjërave që doja t’i shpëtoja;

edhe

ajri ish ma i randë

se fëmija që e mbaja ngrykë.

Ai veç sa kish msu me ecë,

nuk i harroj

hapat e tij të parë  mbi rrugën e pasigurtë,

ato ditë kur dukej se të gjithë kishim harru qysh ecet.

S’kujtonim se kush ishim:

Shtegtarë të lirsë,

a të vdekjes.

Krejt ishim përmbledhur në një identitet,

e ashtu

rrugën e morëm bashkë,

disa i pamë të vdekur,

e disa i pamë tek vinin në jetë

pranë zjarrit të ndezur shpejt.

Aty pranë, njërit ia vunë emrin Çlirimtar e tjetrit Atdhe,

duke shpresuar se do të ktheheshim në atdheun e çliruar,

por

A do të çlirohemi ndonjëherë nga ndjesia e tmerrshme e kujtimit?


Flinim ma pak se sa që flisnim,

plaku i shpisë ndezi të fundit cigare

derisa rrudhat ia bënë shikimin më të butë,

‘do ta ndërtojmë shtëpinë e re

mbi kujtimet e vjetra’,

Në fyt më janë pllakosur fjalët

që kurrë si kam përbi:

‘Shtëpinë e ndërtojmë

por dhomat me çka t’i mbushim’.

Pragu i pritjeve

Poezi nga Gili Hoxhaj

E sheh,
e lexon si një libër që dikush ia ka djegur fletët me ma së shumti kuptim.
Tash e 20 vite e kapërcen pragun e derës, pa e shkelë.
Aty e ka përcjellë,
Aty pret t’i kthehet.
“Dhimta s’vdes t’u u plakë se dhimta veç rinohet”,
të vjen nga një shikim i mpirë.

Mund të duket veç një tregim lufte,
por s’është veç e tillë përpjekja e dështuar për ta gjetur një refren
me të cilin mund të ngrihesh për t’i vallëzu përsëri jetës.

E di se aty fle një tregim lufte,
i cili është më shumë se i tillë,
aty të zgjon një këmbanë tjetër
që zhytet në fjalët e një gruaje
kur tregimi përfundon me:
“Ai su kthye ma kurrë, asgjë e tij ma s’erdhi”

S’mund të rrish as ulur,
S’mund as të ngrihesh
Këtu ku çdokush fle mbi hirin e luftës
e
askush s’ta mësoi si ta shikosh në sy këtë grua të thinjur

që s’ia del me e kujtu fjalën e fundit të atij që ia mësoi fjalën e parë.

Pranë saj,
burri e luhat plisin,
Thotë se as vet s’është ma i fortë ama e shkelë pragun
e
çdo ditë e hapë dhe e mbyll varrin që s’i vijnë eshtrat. /KultPlus.com

Fotografia në ballinë: Atdhe Mulla,nga videoekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ktijuar nga Integra dhe ForumZDF Prishtina.

Gazetarja e KultPlus, Gili Hoxhaj shpërblehet për artikullin më të mirë në “Garën e Kritikëve të Rinj” (FOTO)

Laboratori i Inovacioneve të UNICEF, në bashkëpunim me organizatën PEN, ka mbajtur sot garën për “Kritikët e rinj” si pjesë e Programit PONDER që synon fuqizimin e të rinjve përmes shkrim-leximit kritik, medial. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare prej së cilës kanë dalë tre fitues gjithsej. Gara ka paraparë çmime për storie kritike me shkrim, video dhe fotografi.

Gazetarja e KultPlus, Gylymser Hoxhaj (Gili Hoxhaj) është shpërblyer për artikullin më të mirë në Garën e Kritikëve të Rinj, shkruan KultPlus.

Uresa Ahmeti dhe Gylymser Hoxhaj kanë qenë dy nga të shpërblyerat në kategorinë e artikujve më të mirë që prekin tema tabu. Ahmeti është shpërblyer për shkrimin “How does eve Ensler challange taboo in the Vagina Monologues?” kurse Hoxhaj me shkrimin “Abortet e pasigurta, një kapitull i heshtur kosovar”.

Që të dyja fitueset thanë se kanë zgjedhur këto tema pikërisht sepse kanë dashur të trajtojnë të drejtën e gruas dhe pozitën e saj në shoqërinë kosovare.

Sovran Ndrecaj është shpërblyer në kategorinë e fotografisë më të mirë, me fotografinë që prek barazinë gjinore.
Çmimet janë ndarë nga juria e përbërë nga Donjeta Demolli, Leonora Aliu dhe Bardhi Bakija. Juria vlerësuese ka theksuar se selektimi në këtë garë ka qenë shumë i vështirë, ndërsa janë të lumtur që rinia e Kosovës po arrin që me sens kritik t’i prek aspektet më negative të kësaj shoqërie.

Konkursi ka përfshirë edhe një kategori për videon më të mirë, por që asnjë nga videot nuk i ka plotësuar kushtet për
selektim.

Gjatë eventit, zëvendës-shefi i zyrës së UNICEF në Kosovë, James Mugaju, deklaroi se zyra e UNICEF në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe OJQ PEN janë duke e mbështetur këtë program për shkak se besojnë që nëse investohet në aftësitë e mendimit kritik, do të ketë më shumë të rinj me aftësinë për të filtruar mesazhet në rrjetet sociale.

Laboratori i Inovacionit në UNICEF për dy vite është pjesë e programit Ponder dhe përmes trajnimit direkt të 300 të rinjve pa dallim gjinie apo etniteti, ka përcjellë 70 pjesëmarrës të programit në zhvillimin e tyre profesional, përmes ofrimit të punës praktike në platformat mediale në tërë Kosovën; ka ofruar mentorim dhe monitorimit drejt suksesit të 22 të rinjve që janë punësuar në media.

Përves çmimeve fituese, të gjithë të rinjtë të cilët kanë aplikuar në këtë garë tani më kanë hyrë në rrjetin e kritikëve të rinj, dhe si të tillë përmes kësaj gare do të publikohet puna e tyre në platformën Ponder – www.ponder-ks.org, e që ka për qëllim rrjetëzimin e të rinjve që ndajnë interesa të ngjashme, dhe që duan të zhvillojnë mendimin kritik dhe të bëhen qytetarë aktiv në shoqërinë e tyre./ KultPlus.com

Dyerve të përplasura

Poezi nga Gili Hoxhaj

Sa herë e kemi kapur veten për flokësh
derisa numërojmë centët e fundit
me të cilët s’mund të ushqejmë as veten.
Spitaleve,
paguajmë që të mos vdesim

Nën kuletën e rjepur na flenë ditët pa shpresë,
dimë të numërojmë deri në të nesërmen,
përkëdheljet janë shpëtimi i vetëm derisa fëmijët tanë trashëgojnë lodrat e atyre që janë bërë gra e burra

Mjaftohemi vetëm me frymëmarrje,
sepse kështu na kanë mësuar ta ngushëllojmë veten
Se pa zgjidhje është veç vdekja
Kanë harruar se nën çeremidet e thyera, vdesim secilën ditë

Verbohemi çdo ditë nga pak nga pluhuri prej të cilit s’e njohim as veten në pasqyrë,
dyert tona ua hapin të tjerëve,
na rjepin nga ëndrrat për ata që s’kanë shkelur as mbi lloqin e të mbathurave tona,
as mbi mindilin që s’na i fshin as sot djerset
që janë palosur nën rrudha

Prej klithmave na shtjerrët zëri,
atëherë dukemi të kënaqur derisa endemi oborreve tona të rrethuara me tela të ndryshkur,
ata enden oborreve të botës e flasin për vlerat të cilat i kanë djegur në zjarrin e parë

S’kemi as faj që rrugëve i lemë ankesat me ata qe fatin e njëjtë e përjetojnë ndryshe,
kafeneve i kemi larë gjynahet e të gjithëve,
mes tymit të duhanit kemi vajtuar fatin e të parëve,
kemi renkuar kur i kemi numëruar dhimbjet e trashëguara
për ta pranuar se s’jemi as vetë më mirë

Veç fëmijët na i ndezin shkëndijat,
sa herë fryejnë qirinjtë e datëlindjes
neve na mbarojnë përrallat.
Përmes ninullave,
Të ardhmen ua patëm premtuar ndryshe./KultPlus.com

Marshi protestues kundrejt marshit festiv!

Dita ndërkombëtare e gruas 8 Marsi, në Kosovë vazhdon të jetë një ditë e cila shënohet në dy mënyra, me marshin protesues dhe marshin festiv. Në mesditën e kësaj date, këtë vit rreth dhjetëra gra marshuan rrugëve të Prishtinës, në shenjë proteste kundër pabarazive gjinore me të cilat përballen gratë në Kosovë. Ndërsa, ndryshe vazhdon të shënohet mbrëmja e kësaj date, ku disa nga gratë kursehen nga orari i plotë i punës dhe në mbrëmje “marshojnë” drejt në restaurante për të festuar. Mjafton të hysh në faqet e Facebook-ut të disa prej restauranteve të Kosovës dhe të shohësh që numri i grave të cilat festojnë këtë datë është dukshëm më i madh në krahasim me numrin e atyre që marshuan. Madje disa nga restaurantet kishin mbyllur rezervimet qysh nga data 21 Shkurt. Ndoshta ky festim vije si mungesë e vetëdijësimit për simbolikën e saktë të 8 Marsit e cila e ka zanafillën më 8 Mars 1908, ku 15 mijë gra marshuan në rrugët e Nju Jorkut duke kërkuar orar më të shkurtë pune, rroga më të mëdha dhe të drejtë vote. Megjithatë është gabim të mendojmë se kemi të drejtë të gjykojmë mënyrën se si ato kanë zgjedhur ta kalojnë këtë ditë por është e rëndësishme ta shohim se cila është pozita e tyre dhe në çfarë kalojnë ato në 364 ditët tjera.

Kjo datë që në parim ka ngritjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas në nivel të barabartë me burrat , parashihet edhe në kornizën ligjore të Kosovës e cila ekziston në një lidhje të brishtë me zbatimin praktik në Kosovë, ku gruaja në disa raste ende shihet me një sy paragjykues dhe me një pozitë diskriminuese në jetën politike dhe në punësim. Megjithatë statistikat tregojnë se ka kaluar koha e dhënies së përparësisë për djalin në shkollim para vajzës, pasiqë 51 për qind e femrave janë në universitet, krahasuar më 49 për qind të meshkujve. Mirëpo, duket që tregu i punës ende është vend (bastion) i dominuar nga burrat, në të cilin përqindja e femrave të punësuara është vetëm 11.5 për qind.

Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim në sektorin publik prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, por ky ligj është i papërfillshëm për realitetin kosovar si në nivel shtetëror, ashtu edhe komunal. Është e vështirë të flitet për avancimin e grave kur ato janë të pakta në pozitat vendimarrëse, aty ku përgjegjësitë dhe të ardhurat financiare janë më të larta. Në kabinetin e kryeministrisë janë vetëm tri gra, nga 21 ministri vetëm tri udhëhiqen nga gratë, kurse sipas Hulumtimit të Qëndres për Studime Gjinore del se komunat e Kosovës kanë vetëm 32 gra në pozita drejtuese nga 318 pozita gjithsej, madje ky hulumtim thotë se 14 nga komunat e Kosovës nuk kanë asnjë grua në pozita drejtuese.

Krahas institucioneve publike, gratë në Kosovë janë të diskriminuara edhe në rrethin e tyre të banimit sa i përket ndarjes se trashëgimisë brenda familjes, ku jo rrallë herë dëgjohet shprehja se “Vajza është e derës së huaj”. E drejta për të trashëguar është e drejtë themelore e gruas në Kosovë, e cila është e garantuar edhe me Ligjin për Trashëgiminë, prapë se prapë vetëm 3.8 për qind e femrave në Kosovë janë trashëgimtare të pasurisë familjare kurse pjesa tjetër e tyre zgjedhin të respektojnë ligjin e pa shkruar të traditës se deri tanishme ku trashëgimia ndahet mes djemve të familjes. Kjo bazohet dhe në statistikat e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës prej nga rezulton se 46.25 për qind e femrave heqin dorë nga pasuria për shkak të traditës. Veç kësaj edhe pasuria e krijuar gjatë martesës rrallë evidencohet si pronë e përbashkët e bashkëshortëve. Deri më tani vetëm 16 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të femrave apo në bashkëpronësi. Kur gratë nuk trashëgojnë as nga babai, e as nga bashkëshorti në rastet e vdekjes së tyre ,gjendja e grave rëndohet dhe shpesh ato mbesin pastrehë.

Rastet e vrasjes së Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi-Berisha të cilave ju kishte injoruar ndihma e kërkuar nga policia, e inkurajojnë edhe më shumë përpjekjen e grave për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj gruas, e cila në shoqërinë tonë tradicionalisht ka kaluar në mënyrë të heshtur dhe me shumë arsyetime. Përjetimin e dhunës tek gratë kosovare e tregojnë edhe shifrat e RrGGK –së sipas të cilave 68 për qind e grave në Kosovë kanë vuajtur nga dhuna në jetën e tyre.

Hendeku për të arritur barazinë gjinore në Kosovë është ende vështirë i kapërcyeshëm, andaj problemet me të cilat ballafaqohen gratë nuk mund t’i neglizhojmë duke festuar një ditë dhe duke u përballur me to çdo ditë tjetër. Lufta për avancimin e gruas dhe për barazi gjinore duhet të jetë jo vetëm luftë e grave, por luftë e të gjithë shoqërisë dhe e të gjitha institucioneve. Vetëm kur ta kemi arritur barazinë gjinore, mund të festojmë për suksese të përbashkëta si shoqëri!/KultPlus.com