Arbëreshët e Eparkisë së L’Ungros në vitet 1930 (FOTO)

Një foto e rralllë e komunitetit arbëresh në eparkinë e L’ungrës në vitet 1930.

Monsinjor Giovanni Mele, peshkop i Eparkis së L’Ungros me famullitarin, kryepriftin Pietro Bavasso në të djathtë dhe besimtarët arbëresh të Katedrales së San Nicola di Mira.

Foto kortezi e arkivit privat të Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro.

Në vitin 2019 kjo eparki kremtoi 100 vjetorin e themelimit të saj. Ishte 13 shkurti i vitit 1919 kur Papa Benedikti XV, ndërsa bota ishte e copëtuar nga Lufta I Botërore, themelonte, me Kushtetutën Apostolike Catholici fideles, këtë Seli të Kishës katolike italo-shqiptare. / KultPlus.com

Giovanni Mele, prifti që përçoi me dashuri gjuhën e kulturën arbëreshe

Pa i ndarë kurrë nga njera-tjetra dashurinë për zotin dhe kulturën e vendit të origjinës Imzot Giovanni Mele, mbetet një nga figurat më të rëndësishme arbëreshe.

I lindur në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) në tetor të 1885-s ai studioi në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë.

Gjatë viteve të rinisë dhe formimit teologjik ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut dhe shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungër (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emërohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte-shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungrës. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungrës, Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe Abacia e Grottaferratës.

Imzot Giovanni Mele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë Vinçenc Matrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot Giovanni Mele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvujt. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot Giovanni Stamati, në varrimin e Mons. Giovanni Mele tha: “Imzot Giovanni Mele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”. /diasporashqiptare/ KultPlus.com