Studimi i fundit zbulon si u ndërtuan piramidat e Egjiptit

Një teori e re është bërë publike së fundi duke treguar se si egjiptianët e lashtë mund të kenë ndërtuar piramidën e madhe të Gizës mijëra vjet më parë.

Studiues, të udhëhequr nga gjeografi Hader Sheisha, në Universitetin Aix-Marseille në Francë përdorën të dhëna paleoekologjike për të rindërtuar një pamje të rrjedhës që mund të ketë pasur lumi Nil në Egjipt gjatë 8 mijë viteve të fundit.

Ata dolën në përfundimin se ndërtuesit e piramidave mund të kenë shfrytëzuar një degë të lumit Nil, tashmë të tharë, për të lëvizur materialet e ndërtimit. Piramida ka një lartësi rreth 138 metra dhe u ndërtua në shekullin e 26 para Krishtit.

Inxhinierët e lashtë mendohet se kanë përdorur si ashensorë hidraulikë përmbytjet. Sipas teorisë së fundit, egjiptianët e lashtë kanë shfrytëzuar degën e Nilit për të lëvizur tonelata të gurit gëlqerorë dhe granitit të nevojshëm për të ndërtuar strukturat gjigante.

/A2CNN/ KultPlus.com

Zhvendoset barka 4600-vjeçare

Nga Reuters

Barka e mbretit Khufu, një anije e lashtë që është edhe barka më e vjetër dhe më e madhe prej druri e zbuluar në Egjipt, është zhvendosur me kujdes nga shtëpia e saj e vjetër pranë piramidave të Gizës në një muze gjigant aty pranë, kanë treguar zyrtarët të shtunën.

Anija 4600-vjeçare, e njohur edhe si “Barka Diellore”, u zhvendos në Muzeun e Madh Egjiptian (Grand Egyptian Museum), që do të përurohet më vonë këtë vit.

“Qëllimi i projektit të transportit është të mbrojë dhe ruajë për brezat e ardhshëm artefaktin më të madh dhe më të vjetër organik të bërë prej druri në historinë e njerëzimit”, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve.

U deshën 48 orë për të transportuar në shtëpinë e saj të re barkën e drurit, e cila është 42 metra e gjatë dhe peshon 20 tonë. Ajo arriti në GEM në orët e para të së shtunës.

Barka u transportua si një copë e vetme brenda një kafazi metalik të mbajtur në një automjet të kontrolluar nga distanca, e që është importuar veçanërisht për operacionin, ka treguar Atef Moftah, mbikëqyrës i përgjithshëm i projektit në GEM.

Anija, e zbuluar në vitin 1954 në cepin jugor të Piramidës së Madhe, është ekspozuar për dekada në një muze që mban emrin e saj në Rrafshnaltën e Gizës.

Egjipti zyrtar thotë se Muzeu i Madh Egjiptian, i cili është duke u ndërtuar me ndërprerje tash e 17 vjet, do të përmbajë më shumë se 100 mijë eksponate. / KultPlus.com

Zbulohet se si janë ndërtuar piramidat në Giza

Arkeologët kanë gjetur fakte mahnitëse, të cilat zgjidhin njërin nga misteret më të mëdha në botë – se si shoqëria nga periudha e bronzit, e cila nuk ishte e zhvilluar nga ana teknologjike, arriti të zhvendosë blloqe të mëdha graniti dhe gurë gëlqerorë me të cilat janë ndërtuar piramidat në Giza.

Zbulimi i fundit i mbishkrimit në papirusin antik, anijes së drurit dhe sistemit gjenial të sistemeve të kanaleve të ujit, ka hedhur një dritë të re mbi infrastrukturën impozante, të cilën e kanë krijuar ndërtuesit e Gizës.

Në papirusin e gjetur në portin Vadi el-Jarf, përshkruhet në detaje se si 170.000 tonë të gurëve prej gëlqeres janë bartur nga lumi Nil deri në Gizë, transmeton ksp.
Punëtorët vendosën blloqet në anijet prej druri, që ishin të ndërlidhura me litarë, dhe pastaj anijet lundronin nëpër kanale deri në portin e brendshëm, i cili ndodhej vetëm pak kilometra larg piramidës.

Punëtorët përmes rrugës së kanalit ndryshuan edhe kahun e lumit Nil.

Edhe pse prej kohësh ishte e njohur se blloqet e granitit janë furnizuar nga Asuani, 855 metra në jug të Gizës, dhe blloqet e gurit gëlqeror nga Tura, tetë kilometra më tej, arkeologët nuk ishin dakorduar për faktin se si materiali ndërtimor ishte transportuar saktë.

Mbetjet e kanalit u gjetën nën platonë e pluhurosur në Giza. Po ashtu është gjetur edhe pishina kryesore, ku kryheshin dërgesat kryesore.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në realizimin e projektit, shkruan Daily Mail./ KultPlus.com