Akil Gjakova: Humbja nuk ma mori ëndrrën, një ditë do ta kem medaljen

Xhudisti kosovar Akil Gjakova përmes rrjeteve sociale, ka folur për eksperiencën në Lojërat olimpike ‘Paris 2024’.

Garuesi ynë arriti deri në repesazh për të luftuar për medaljen e bronztë, por fatkeqësisht pësoi në ndeshjen e parë të repesazhit.

Gjakova thotë se pavarësisht humbjes, pjesëmarrja në ‘Paris 2024’ është një arritje e madhe.

Akili thekson se humbja nuk ia mori ëndrrën dhe se kjo medalja është synimi i tij jetësor.

Përfunduan edhe Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’. Fatkeqësisht me fatin e keq iku edhe shanse për të fituar medaljen olimpike. Medalje kjo që kurrë me parë nuk ka qenë me afër meje se tani, por fati sportiv ma mori nga dora. Megjithatë, nuk ma mori ëndrrën që unë një ditë ta kem edhe këtë medalje, e cila është synimi im jetësor. Unë kam filluar të stërvitem në sportin e xhudos, në vitin 2002, me trajnerin tim Driton Kuka. Që atëherë e deri sot kam bërë çdo gjë nga vetja të arrijë këtu. Natyrisht kam pasur fatin ta kem trajnerin më të mirë në botë, në krahun tim. Atij, familjes time, qytetit tim dhe Republikës së Kosovës, ia dedikoj të gjithë të arriturat e mija”, ka thënë Gjakova, i cili me pas ka thënë se xhudos i ka dhënë të gjitha: kohën, fokusin, dedikimin, sakrificën dhe përkushtimin e duhur. Derisa thotë se edhe xhudo i ka sjellë atij shumë, por jo mjaftueshëm. “Ende kam punë për të bërë”ka shkruar Gjakova.

Xhudisti pejan me pas ka folur për nivelin e sportit ku ka garuar. Sipas tij për të qenë sportist i nivelit të tillë para se gjithash, duhet të jesh një karakter i vërtetë, të kesh një disiplinë, regjim dhe kulturë tejet të lartë dhe pastaj fillon dhe vjen në shprehje puna dhe të arriturat.

“Për ta prekur këtë nivel nuk është aspak e lehtë, sepse ky nivel me bën sportistin me kompetitiv në Republikën e Kosovës! Një xhudist fillon ditën në ora 05:00 për stërvitjen e mëngjesit. Për t’u kthyer në shtëpi dhe për ta mbyllur ushqimin e zgjedhur. Duke bërë gjumin me minuta dhe për tu përgatitur për stërvitjen e radhës. E kështu me radhë. Pa parashikuar asnjë herë kushtet, faktorët e jashtëm dhe rrethanat e paparashikuara: lëndimet, sëmundjet, problemet dhe çështjet e tjera të cilat na rrethojnë si sfida të jetës”.

Sukseset e Gjakovës janë të mëdha, pothuajse të prekshme për sportin e Kosovës. Ai është kampion Evropian (U18), kampion Evropian (U23-Gior 2018), kampion Evropian (Lisbona 2021). Gjithashtu ka medalje të artë në Lojërat Mesdhetare (Tarragona 2018), si dhe medalje të artë edhe në Grandslamin në Paris (2018). Akili ka fituar medalje të artë edhe ne “grand prix”. Medalje e bronzta nuk mungojnë në sirtarin e Akilit, kurse Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” e ka zënë vendin e shtatë si dhe suksesin në “Paris 2024”.

“Këto janë sukseset e mija të cilat nuk mi ka falur askush, por janë arritur në saje të një sakrifice të cilën e di veç unë, trajneri im dhe familja ime”, ka pohuar ai.

Ne shqiptarët kemi plot qytete me status, por pak qytete me karakter, Gjakova shkëlqen mes kësaj pakice

Shkruan Ermal Hasimja

Ne shqiptarët kemi plot qytete me status, por pak qytete me karakter. Në 3-4 vitet e ardhshme GJAKOVA do të shkëlqejë mes kësaj pakice. Po e shkruaj tani që të mund të mburrem që ua thashë para se ta zbuloni vetë. Gjakova ka histori sa Gjirokastra, qytetari sa Korça, gatime sa Dibra, traditë sa Shkodra e mikpritje sa të gjitha bashkë. Ka Çarshinë me kafet, kullat e monumentet e kulturës, Krenën, Drinin e Erenikun, liqenin e Radoniqit me pamje magjepsëse, këngët qytetare që këndohen me raki përpara, samunat me suxhuk, Alpet në sfond, traditat e rregullat e veta, krenarinë e sakrificat për lirinë, vetëdijen e thellë shqiptare e shumëçka tjetër.

Mbi të gjitha ka njerëz punëtorë, të dashur e me humor.

Gjakova do të jetë dashuria e madhe e pjesës tjetër të jetës suaj. / KultPlus.com

Mjeshtëria e Shakespeare nën dritat e Teatrove të Gjakovës dhe Prizrenit

Teatri i qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, së bashku me teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, kanë nisur një fazë emocionuese të procesit krijues me fillimin e provave për shfaqjen e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Vepra që do të ngjitet në skenën e dy teatrove është “Masë për masë” e shkruar nga William Shakespeare, një autor i njohur dhe i respektuar në botën e letërsisë. Regjisori i njohur Altin Basha është aty për të drejtuar këtë projekt me vizionin dhe përvojën e tij të pasur në botën e teatrit.

Ky bashkëpunim mes teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizrenit sjell një energji të re dhe një sjellje të përzier të talenteve artistike.

Përgatitjet intensive dhe përpjekjet e përbashkëta të aktorëve, regjisorit dhe ekipit të produksionit po krijojnë një pritje të madhe për shfaqjen e premiere që do të sjellë magjinë e artit teatral në skenën e teatrit.

Kjo shfaqje e re, e cila ka datën e premierës në fund të shtatorit të këtij viti, po përgatitet me shumë pasion dhe përkushtim, derisa premierën do ta ketë në fund të muajit shtator. /KultPlus.com

Nora Gjakova stoliset me medaje të argjendtë në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës

Xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë  në garat ndërkombëtare të Xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit, shkruan KultPlus.

Trajneri Driton Kuka, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se Nora Gjakova ka fituar medalje të argjendtë në ditën e çlirimit të qytetit të saj të lindjes, Pejës.

“Medalje e argjendtë për Norën në Ditën e Çlirimit të qytetit të saj të lindjes Pejës!

Nora Gjakova shënoi 3 fitore për tu ndeshur në finale me Francezen Qysique e ku mirë e filloj luftën dhe u prit luftë e fortë por një gabim i kushtoj por kjo se humb shkëlqimin e medaljes së argjendtë të Norës dhe 700 Pikë Olimpike!”, ka thënë Kuka.

Nora Gjakova ka mposhtur me Ippon garueset nga Latvia,Polonia dhe gjysëmfinale garusen nga Holanda.

Trajneri Kuka ka bërë të ditur se Nora Gjakova tashmë vulosur Normën drejt Lojerave Olimpike dhe lufta është të mbetet në Top 8 që të jetë ndër bartëset e grupeve./KultPlus.com

Vesa Smolica përfaqëson Shqipërinë në “Ohrid Fest 2022”, zë vendin e tretë

Këngëtarja e njohur nga Gjakova, Vesa Smolica, ka performuar në “Ohrid Fest 2022”, me ç’rast ka prezantuar Shqipërinë me këngën e saj “Kaj”, shkruan KultPlus.

Para një jurie prestigjioze me artistë, kompozitorë, tekstshkures e këngëtarë të njohur nga Evropa, ajo është vlerësuar me vendin e tretë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja në rrjetet sociale.

Miq te dashur, mbreme isha pjesmarrese dhe perfaqesuese e Shqiperise ne “Ohrid Fest” 2022 i cili mbahet ne Oher.
Ne mbremjen e artisteve nderkombetar, u paraqita me kengen time “Kaj” para nje jurie prestigjioze me artist, kompozitor, tekstshkrues e kengetar te njohur ne te gjithe Evropen, nga te cilet u votova me vendin e 3 ne kete festival nder artist te tjere.
Falenderoj @avni_qahili qe me mundesoj pjesmarrjen dhe per veshjen kreatoren @blerinakllokoqirugova
“, ka shkruar ajo.

Kujtojmë që Shqipëria edhe një herë tjetër kishte marrë vendin e tretë në këtë festival, në vitin 2012 kur ishte përfaqësuar nga këngëtarja Zanfina Ismaili me këngën “Dy minuta”. / KultPlus.com

Në kuadër të ‘Ditëve të Nënë Terezës’, sot mbahet aktivitet edukues për fëmijë në Gjakovë

Në kuadër të “Ditëve të Nënë Terezës” që po organizohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në 25 vjetorin e kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës, sot nga ora 12:00 mbahet aktivitet edukues për fëmijë, në shtëpinë e Drane Bojaxhiut dhe shkollën e fshatit.

Aktiviteti mbahet në Novosellën e epërme, Gjakovë. / KultPlus.com

Fshati i Gjakovës dekorohet në mënyrë përrallore (FOTO)

Pamje të mrekullueshme ka marrë fshati Bishtazhin i Gjakovës në prag të festave të fundvitit. Pjesa ku ndodhet Kisha e ”Zojes Rruzare” është dekoruar dhe ndriçuar tejet bukur duke bërë që ambienti të duket mjaft festiv.

Ky dekorim është realizuar nga banorët e fshtatit, të cilët kanë thënë se për këtë punë janë angazhuar rreth një muaj. Ndërsa për t’u arritur kjo pamje të rinjtë janë ndihmuar financiarisht nga bashkëfshatarët nga diaspora.

Kisha e “Zojes Rruzare” gjendet në fshatin Bishtazhin të Gjakovës dhe ka filluar të dekorohet që nga viti 2003. Kjo kishë hap dyert e saj për të gjithë vizitorët nga data 1 dhjetor deri me 1 janar, çdo ditë nga ora 17:00. / KultPlus.com

Dy poetët e mëdhenj kosovarë në një fotografi (FOTO)

Azem Shkreli nga Peja dhe Ali Podrimja nga Gjakova janë përfaqësuesit më të mirë kosovarë sa i përket artit poetik, shkruan KultPlus.

Këta dy poetë shënuan kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Arti i tyre i veçantë poetik, tashmë ka depërtuar edhe në nivel ndërkombëtar, pasi që poezitë e tyre janë përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja.

KultPlus ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy poetëve. / KultPlus.com

Gjakova, djepi i kulturës shqiptare

Qyteti i Gjakovës shtrihet në zonën jug-perëndimore të Republikës së Kosovës, përkatësisht është krijuar si nevojë e ndërprerjes së udhëtimeve të gjata mes qyteteve të Pejës dhe Prizrenit.  

Qyteti i Gjakovës me 85 fshatrat e saj karakterizohet me pasuri të madhe të monumenteve të të gjitha kategorive ku përfshihen: komplekse, shtëpi tradicionale, kulla, xhami, kisha, teqe, medrese, mejtepe, kroje, mulli etj.  Edhe pse si qyteti më i shkatërruar nga lufta e viteve 1998-’99 Gjakova ka arritur që në masë të madhe të ruaj –konservojë dhe restaurojë pasurinë e vet kulturore, edhe pse ka edhe mjaft punë për t’u bërë.

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për  Mbrojtje të Përkohshme në të cilën janë përfshirë objektet e të gjitha kategorive për Komunën e Gjakovës janë evidentuar gjithsej 148 monumente, prej te cilave 38 monumente te kategorisë së trashëgimisë arkeologjike, 1 Kompleks i Tërësisë Urbanistike “Çarshia e madhe” dhe 109 monumente te trashëgimisë arkitekturore prej nga 8 kulla te qytetit dhe 23 kulla ne fshatra.

Gjakova është një nga qytetet më kulturore në Kosovë. Gjatë periudhës Osmane, Gjakova shërbeu si një qendër tregtare në rrugën midis Shkodrës dhe Stambollit. Në të kaluarën, ishte shtëpia e disa aktivistëve të shquar shqiptarë të cilët luajtën një rol në Lidhjen e Prizrenit në fund të shekullit të 19-të. Qyteti u prek keq nga lufta e Kosovës, duke pësuar shkatërrim të madh fizik dhe humbje në shkallë të gjerë njerëzore dhe abuzime të të drejtave të njeriut.

Saranda Hyseni, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë për KultPlus se në Gjakovë nuk është asnjëherë mjaft, sepse është një qytet që jeton me kulturën dhe artin dhe ka shije shumë të hollë. “Kjo na bën ne që çdo herë të mundohemi që të sjellim risi dhe kualitet. Po ashtu kemi hapësira të  mjaftueshme, shumë shpejtë po e lëshojmë në funksion edhe Galerinë e Arteve, e munguar që disa dekada. Po ashtu shumë shpejt pritet të finalizohet edhe amfiteatri veror i qytetit i cili do të jetë unik për nga lloji në Kosovë”, ka thënë Hyseni , e cila më tutje tregon se ka një mori aktivitetesh që zhvillohen në Gjakovë, e  shumë prej tyre janë tradicionale.”Përkundër gjendjes pandemike po mbahet festivali për fëmijë “Lyra Fest” po ashtu jemi në përgatitje të një premiere në teatrin e qytetit “Hadi Shehu”, dhe duke shtuar po ashtu se gjatë  gjithë pandemisë kanë pasur aktivitete online që në një farë forme kanë  arritur sado pak ta zbusin zymtësinë e kohës”, ka thënë ajo.

Hyseni për KultPlus poashtu thotë se interesim ka mjaft, prandaj kjo i shtynë çdo herë të bëjnë aktivitete të reja si dhe gjithmonë kualitative. “Ne, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kemi disa forma të mbështetjes për të gjitha OJQ- të e kulturës. Duke filluar prej subvensioneve vjetore që ndahen si dhe bashkë organizimet dhe lirimi i hapësirave adekuateSecili drejtor dëshiron që ta rris kualitetin për periudhën që udhëheq me drejtori. Besoj se kjo periudhë katër vjeçare do mbahet mend për investimet e shumta që janë bërë e që do mbesin trashëgimi për brezat e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Sipas Hysenit trendi gjithmonë është pozitiv sa i përket asaj që çfarë është dhe nuk është e zhvilluar, mund të kenë pasur  ngecje aty këtu por në përgjithësi ka shkuar mbarë çdo gjë deri sa filloj faza pandemike që ndryshoi çdo gjë. Ajo më tutje shtoi se sa i përket fondeve dhe mbështetjeve që marrin “Përpos grandit qeveritar dhe të hyrave vetanake të komunës, në vazhdimësi ne kemi dhe mbështetje financiare në projekte të ndryshme nga organizata ndërkombëtare”.

Gjatë pandemisë Hyseni tregon se për dy muaj, çdo natë  kanë ofruar  shfaqje teatrale në bashkëpunim me të gjithë teatrot e Kosovës. Po ashtu, kanë organizuar edhe ekspozitë online me të gjithë piktorët e komunës së Gjakovës. Sa i përket hapësirave publike Hyseni për KultPlus ka thënë se ka mjaftueshëm hapësira, por që së shpejti do të lëshohen në funksion edhe disa të tjera. Kurse gjatë këtij viti ajo tregon se në bazë të disa aktiviteteve që do të zhvillohen do të jenë disa festivale të ndryshme. Për fund ajo thotë “Mbështetja nuk ka munguar e nuk do të mungoj asnjëherë  për projektet e mira që vjin për mbështetje tek ne” për të gjithë ata që janë të interesuar për të zhvilluar ndonjë aktivitet kulturor në qytetin e Gjakovës, shtoi ajo për KultPlus.

Edi Kastrati, aktor i njohur i Kosovës, njëherit edhe drejtor i përgjithshëm i Teatrit të qytetit të Gjakovës “ Hadi Shehu”, ka treguar për KultPlus se sa i përket aktiviteteve kulturore që zhvillohen në teatrin e Gjakovës, janë aktivitete të artit skenik. “Teatri prodhon vetem shfaqje teatrale ndërsa bën edhe bashkëpunime tjera”, duke shtuar më tutje se gjendja e teatrit i plotëson të gjitha kërkesat e nevojshme. Kastrati i pyetur se çfarë ka pasur mangut ky teatër dhe çfarë ka ndryshuar pas ardhjes së tij, ka thënë se “Nga ardhja ime si drejtor ,duhet ti pyesni të tjerët për mua, unë vetëm mundem me thanë se ka qenë tepër keq dhe është i kompletuar dhe ndoshta më i miri në Kosovë” tha ai për KultPlus. Ku më tutje i cili thotë se sa i përket aktiviteteve “Së pari duhet të ndryshoj gjendja e pandemisë e mandej të vazhdojmë me aktivitetet e shumta që kemi pasur gjithmonë dhe që do t’i kemi” tha Kastrati për KultPlus.

KVRL-Gjakovë, organizatë jo qeveritare, sa i përket angazhimeve kulturore, organizon aktivitete të ndryshme të cilat e promovojnë talentin e të rinjve, kryesisht në muzikë dhe art. Poashtu punon për ngritjen e vetëdijes për mbrojtje e trashëgimisë kulturore të Gjakovës me aktivitete promovuese dhe vetëdijesuese së bashku me organizatat anëtare dhe ato partnere. Ideal Zhaveli, udhëheqës i kësaj organizate ka treguar për KultPlus se mbështetjen e kanë nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet komunale, si Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por poashtu edhe nga drejtoritë tjera përkatëse ku bashkëpunojnë për aktivitetet e tyre.

Së fundmi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit na ka përkrahur me një subvencion për angazhimin e të rinjve në art përmes muraleve, poashtu  edhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, na ka përkrahur me një subvencion vjetor i cili ndihmon në promovimin e talenteve të rinj përmes vullnetarizmit duke shprehur talentin e tyre në art”.

Si qytetar i Gjakovës, Zhaveli mendon që duhet të bëhet më shumë rreth aktiviteteve kulturore. “ Bashkëpunimi mes institucioneve dhe organizatave lokale, duhet të jetë më i madh për të punuar për aktivitete kulturore, të cilat promovojnë Gjakovën por edhe mbrojnë objektet e trashëgimisë kulturore”. Ndryshimin të cilin Zhaveli  do të donte ta shihte, është ndoshta një komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe aktereve që punojnë në këtë drejtim, që të kenë informacionin e saktë se çfarë duhet të ndërhyhet apo të zhvillohet në komunën e Gjakovës.

Zhaveli për KultPlus tregoi më tutje se “Aktivitetet kulturore në Gjakovë, kryesisht i ndjek ato muzikore dhe teatrin e qytetit “ Hadi Shehu “, të cilat mendoj që janë të shumta në Gjakovë por që këtë vit kishte më pak për shkak të pandemisë”  shtoi ai për KultPlus, sa i përket aktiviteteve kulturore që ai i ndjek. Linda Krasniqi/ KultPlus.com

‘Nëntor i ftohtë’ shfaqet në Gjakovë

Parku kulturor “Ali Podimija” pritet t’i nisë aktivitetet për të tretin vit me radhë. Hapjen e këtij sezoni ky park do ta bëjë me shfaqjen e njërit prej filmave më të suksesshëm kosovarë të viteve të fundit. Bëhet fjalë për filmin “Nëntori i ftohtë”, të regjisorit Ismet Sjarina. Ky film do të shfaqet para publikut të Gjakovës më 5 korrik, në orën 20:00. Siç bëhet e ditur, hyrja për ta parë filmin do të jetë falas. “Me plot entuziazëm për shumë ngjarje që na presin gjatë muajve në vazhdim rinisim rrugëtimin tonë të përbashkët. Në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit po shfaqim një nga veprat kinematografike më të përsosura të viteve të fundit. ‘Nëntor i ftohtë’ (“Cold November”) vjen në një nga projektimet e para në vend dhe premierë për Gjakovën. Me producent Fatmir Spahiun dhe në regjinë e Ismet Sijarinës, ky i fundit pranishëm në debatin pas filmit, ‘Nëntor i ftohtë’ është një tregim për një prej periudhave më domethënëse të popullit tonë”, thuhet në njoftimin e parkut kulturor “Ali Podrimja”.

Ky film na dërgon në vitet e ’90-ta dhe protagonisti kryesor i këtij filmi Fadili (Kushtrim Hoxha) është njëri nga ata personazhe që sjellin vendime të çuditshme. Ai dhe familja e tij përballen me vështirësitë e të qenit shqiptarë në Kosovën e asaj kohe dhe njerëzit e gjykojnë Fadilin pa e ditur ndoshta arsyen e vërtetë dhe rrugëtimi jetësor i tij komplikohet skajshmërish. Tridhjetegjashtëvjeçari që punon arkivist në ndërmarrje shtetërore gjendet në një situatë të vështirë dhe i duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. Filmi përçon gjithë presionin, dhunën psikike e fizike ndaj shqiptarëve të Kosovës që dëboheshin nga masat e dhunshme nga puna. Në të nuk mungojnë as ora policore e protestat simbolike, si ajo e zhurmës me çelësa si simbol i kyçjes dhe zhurma me enët e zbrazura si simbol i mungesës së ushqimit.

Me anë të situatave në të cilat Fadili gjendet pasqyrohet qartazi se si u përshkallëzuan në atë kohë raportet mes shqiptarëve, boshnjakëve e serbëve në ish-Jugosllavi. Këngë të rok grupit të njohur “Jericho” janë pjesë e këtij filmi. Ato janë xhiruar drejtpërdrejt në set dhe këndohen nga aktori Kushtrim Hoxha. Përveç Hoxhës, që sjell rolin kryesor, në këtë film luajnë edhe Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Muçaj, Lum Veseli e Kushtrim Sheremeti. Në anën tjetër regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban.

Shoqëria civile e quan plan përfitues të Gjinit ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës

Shoqëria civile në Gjakovë e ka quajtur plan përfitues vendimin e kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për tentim ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës, me të cilin pritet të bëhet shfuqizimi i parcelave dhe ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në afërsi të kullës së Sulejman Vokshit.

Përmes një reagimi ata kanë thënë se ky plan i të parit të Gjakovës po e shkatërron zonën historike të komunës, ku flitet për zonën ku është vendosur kulla e lindjes së udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshi.

Sipas tyre, kjo kullë është e mbrojtur nga Ministria e Kulturës dhe se ndërtimi i objekteve të mëdha në atë zonë po bëhet për interesa të ngushta të kryetarit të Gjakovës.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta e forma të tjera të mosbindjes qytetare për ta kundërshtuar këtë vendim, thuhet më tutje në njoftimin e dërguar mediave.

Njoftimi i plotë:

Përmes këtij reagimi qytetar, dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën e thellë të qytetarëve të Gjakovës lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, për realizimin e planit të tij PERFITUES për të shkatërruar zonën historike të Gjakovës, përkatësisht zonën tek Mejtepi Ruzhdije, ku është e vendosur shtëpia (kullë) e lindjes së një prej figurave më të shquara kombëtare – përkatësisht udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit.

Në realizimin e këtij plani perfitues kryetari i Komunës së Gjakovës synon të shërbehet me gjoja ‘vendimet e shumicës’ në Kuvendin Komunal të Gjakovës, kësisoj duke synuar të sjellë për herë të tretë me rradhë, për një periudhë të shkurtër kohore përpara vendim-marrësve komunalë, një projekt për përmbysjen e një vendimi paraprak të Kuvendit Komunal të Gjakovës me të cilin zona e njohur si Mejtepi Ruzhdije, përkatësisht zona përreth shtëpisë (kullë) të lindjes së Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, duke shpronësuar pronat përreth këtij objekti me qëllim ruajtjen dhe pengimin e ndërtimit të objekteve që do të dëmtonin apo në çfarëdo forme tjetër zhvlerësonin vlerën historike të kësaj zone. Kjo ndërmarrje monstruoze e orkestruar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, po bëhet me të vetmin qëllim, shkatërrim të zonës së mbrojtur historike të Gjakovës, duke lejuar ndërtime të larta banesore dhe afariste në shërbim të interesave të ngushta partiake dhe të pastra përfituese klienteliste tashmë të dëshmuara.

Me këtë rast, duam t’i rikujtojmë kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe vendimmarrësve komunalë se shtëpia (kullë) e Sylejman Vokshit dhe zona te Mejtepi Ruzhdije janë monumente nën mbrojtje të përhershme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si te tilla figurojnë në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, si një monumente të rëndësisë së veçantë arkitektuale i kohës osmane.

Zona në fjalë përveç që është nikoqire e shtëpisë (kullë) të Sylejman Vokshit, gjithashtu është zonë në të cilën ishte e vendosur Shkolla e Parë Shqipe në Gjakovë, një monument që poashtu është nën mbrojtje të përkohshme, nga MKRS-së sa i takon anës formale dhe procedurale të vendim-marrjes publike, po ashtu, duam t’i rikujtojmë Kryetarit të Komunës dhe vendim-marrësve komunalë, se vetë mënyra klandestine e procedimit të kësaj politike është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, dhe atë për një numër arsyesh.

E para, demokracia parlamentare në Kosovë nuk është e dizajnuar sipas modelit të supremacisë parlamentare

E dyta dhe thelbësorja është se :Qeveritë ndryshohen por vendimet e marra nga ato parapraket janë të plotfuqishme ,obligative për tu zbatuar sipas parimeve integrale të sundimit të ligjit.

Kësisoj, vendimi i Kuvendit Komunal të Gjakovës 01 nr. 011-78935/2015 të datës 27. 10. 2015, për shpronësimin e pronave përreth zonës historike në fjalë është ligjërisht valid dhe nuk mund të rishikohet nga përbërja përfaqësuese e mëvonshme në raste të panumërta.

Kësisoj, pritjet legjitime dhe të drejtat e personave të shpronësuar të fituara me vendimin e Kuvendit Komunal të Gjakovës, të vitit 2015, me numër 011-78935/2015 janë të drejta legjitime dhe me plot të drejtë presin realizimin e tyre.

Çfarëdo rivendosje në rivotim do të ishte provë që qëllimi i kryesuesit të Kuvendit dhe kryetarit të Komunës është që të keqpërdor një vendim në dëm të interesit publik.

Lidhur me te , grupi i qytetarëve të Gjakovës është i vendosur dhe këmbëngulës deri në tërheqjen përfundimtare dhe të pakushtëzuar të vendimit të kryetarit të Komunës së Gjakovës për ndërrimin e destinimit të zonës së mbrojtur historike tek Mejtepi Ruzhdije, duke u kamufluar prapa ‘vendimeve të shumicës’. Në realizimin e kërkesave të veta, grupi i qytetarëve të Gjakovës do të përdorë të gjitha mjetet e njohura demokratike –kushtetuese dhe ligjore – duke mos përjashtuar edhe protestat dhe format tjera të mosbindjes civile. / KultPlus.com

Artistët e rinj të Gjakovës promovojnë “Artin që i jep ngjyrë qytetit”

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi bashkë me artistët e rinj nga Gjakova, kanë promovuar projektin “Arti që i jep ngjyrë qytetit”.

Gashi ka shkruar në Facebook se artistët, “me duart e arta”, kanë vizatuar murale të ndryshme duke krijuar pamje të mrekullueshme dhe atraktive, dhe kështu kanë ndryshuar pamjen e pahijshme të këtyre hapësirave.

“Do të vazhdojmë edhe më tutje të mbështesim projekte të tilla për ta nxitur edhe më shumë aktivizimin e kreativitetit dhe performancës artistike”, ka shkruar ministri Kujtim Gashi. /KultPlus.com


Nga rrjedhë emri i qytetit Gjakovë dhe kush është Shën Jaku?

Nga Fahri Xharra

Sikur të qëndronim në një vend, pa lëvizur do të pajtoheshim vetëm me ato që i kemi dhe kërshëria e jonë për diçka më të mirë apo më të përparuar do të ngrysej në atë masë sa që do fillonte “atrofia” e rëndë deri në paralizë të trurit.

Me shekuj na është dhënë “e vërteta” e Gjakovës si një qytet që është në pjesën perëndimore të Kosovës. Edhe pse njëri prej qyteteve më të rinj në Kosovë, vetë emri i qytetit duket se vjen nga një gojëdhënë e cila njëkohësisht konfirmon edhe mbiemrin-patronimin e parë të këtij vendbanimi. Sipas gojëdhënës për emrin e këtij qyteti, në vendin ku gjendet sot qyteti, paska ekzistuar një katund prej shtatë shtëpish, të gjithë të një gjaku me mbiemrin VULA, ku kryeplak katundi ishte Jak Vula. Hoxha Hadum Aga e bindi banorin e parë Jakun që ta dhurojë tokën për ndërtimin e një xhamie, e më pas në atë tokë filloi të ndërtohet qyteti, i cili në fillim u quajt Jakovë (nga turqishtja: fusha e Jakut). Pra emri i qytetit, vjen nga emri i Jak Vulës, i familjes Vula që ende banon në qytet dhe që numërohet si ndër familjet më të vjetra gjakovare. Kjo histori i përket shek. XVI, gjë e cila tregon se para kësaj kohe, nuk kemi asnjë mbiemër-patronim të konfirmuar në këtë zonë. (Migena Arllati, 2015 “Patronimet në Gjakovë, mbiemrat, emrat familjarë”. )

Sa është e vërtetë kjo gojëdhënë ? Sipas “defterit zyrtar te Perandorisë të vitit 1571, Gjakova përmendet si fshat, ndërsa tregu i saj konsiderohet si qendër tregtare rajonale. Në atë periudhë, konkretisht në në vitet 1594/1595, Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, vendos ta financojë ndërtimin e një xhamie e cila do ta bartte emrin e tij. Pas ndërtimit të xhamisë në territorin e fushës së Jak Vulës, fillon zhvillimi i hovshëm i ekonomisë, pasi zejtarët nisin të vendosen në afërsi të objektit të saj. Në këtë mënyrë krijohet struktura e kompleksit të Çarshisë së Madhe, e cila më vonë luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Gjakovës.” ( Masar Rizvanolli, historian )

Pra, Gjakova si qytet diçka më i vjetër se 400 vjet e paska “ filluar “ jetën nga ardhja e Hadum Agës dhe ndërtimit të Xhamisë së tij 1594-1795 . Sa është e vërtetë kjo “ e vërtetë “ për Gjakovën dhe krijimin e saj ? A me të vërtet lindi jeta në Gjakovë pas Hadum Ages ? A kishte jetë andej pari, edhe para tij? Po si quhej ai vend ku Hadum Aga vendosi të ndërtonte xhaminë?

“Si do që të jetë qyteti ekzistues i takon periudhës osmane. Në fakt, në bazë të të dhënave historike, Gjakova njihet qysh nga dekada e pestë e shekullit XIV, më
saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Altin-Ilisë, me qendër në Junik. Ndërkaq, sipas burimeve të kulturës materiale, ndërtimeve arkitekturale monumentale, ajo njihet nga dekada e fundit të shek. XVI.” ( një material tjetër për Gjakovën )

Po mirë në dokumentet e vitit 1348 , nuk ka mundur ta ketë emrin Jakova. Si e kishte atëherë, dhe pse u fsheh ai emër ? Po, pse Hadum Aga e zgjodhi mu këtë vend (sot Gjakovë) , e jo për shembull Junikun?

“Kryepyetja është cila ishte tradita, toponomia , onomastika, historia shqiptare ne brezat familjar para Jak Vulës sepse ekzistenca shqiptare dhe e vetë Gjakovës dokumentohet para pushtimit osman ne Ballkan… Në të kundërt vetëm historiografia serbe thotë se para ardhjes se perandorisë osmane nuk kishte shqiptarë në Kosovë. Një dëshmi e qartë është se kodi i Stefan Dushanit ishte bëre para ardhjes osmane si projekt serb qe katoliket shqiptare ti ortodoksoj me qëllim të qartë ti sllavizoj. Këto dëshmi dëshmojnë ekzistencën shqiptare në këto hapësira prandaj historia duhet te shkruhet drejte në interes te kombit pa paragjykime dhe manipulime për interesa ditore…!!! ( shkruan Eduard Frrokaj)

Një dokument tjetër që e “penalizon “ gojëdhënën për Hadum Agen dhe Jak Vulen është ky : “Sipas regjistrimeve të viteve 1571 dhe 1591 regjioni Verilindor i Sanxhakut të Dukagjinit , ose sipas emrit të dhënë në shek.XVI-të , regjioni i Hasit ishte tërësisht i banuar nga shqiptarët . Regjioni i Hasit ishte i ndarë në tri nahije: Nahija e Rudinës (Gjakova e sotme dhe fshatrat e saja në jug), Nahija e e Domeshtiçit (fshatrat në mes Gjakovës së sotme dhe Prizrenit) si dhe Nahija e Pashtrikut ( fshatrat në lindje dhe në perëndim të malit Pashtrik).Kjo mbyllet me faktin që ngjashëm me banorët e regjioneve malore të Shqipërisë Veriore edhe banorët e këtyre tri nahijeve kishin emrat tipik Shqiptarë: Gjin, Gjon, Gac, Bac, Kol, Gjec, Doda, Prend, Biba, Nue, Dida, Shtepan, Vata,( Burimi: http://archive.is/tr44YThe albanians in Kosova through the centuries, by S.Pulaha – ëëë.ezboard.com ).

E shihni që diçka nuk është në rregull as me gojëdhënat e as me “ defterët “ turq . Sigurisht ,sepse për paradoks po të pranojmë teorinë se ka filluar me Hadum Agën atëherë ju japim të drejtën serbëve dhe historiografisë se tyre se jemi ardhacak të vonshëm .

Pra qëllimi i shkrimit është hulumtues , thënë më mirë një nxitje më shumë për të vërtetën shqiptare në këto troje. Nuk guxohet ti jepet kahe tjetër , se vetëm që e rëndojmë qëllimin . Ne Gjakovë, pra në qytet duhet te kryhen kërkime arkeologjike duke u nisur nga të dhënat apo hartat që mund të jenë në arkivat e Vatikanit. Manastiri i Deçanit ?, por atje nuk ka interes. A e imagjinoni një vend ku jana zhvilluar pjesë te rëndësishme të historisë europiane që ende ta mos dihet asgjë se çfarë ka nëntoka.”?

Shkojmë më tutje : Mos të harroj se aso kohe kjo qytetëz sipas udhëpërshkruesit turk Evlia Çelebiut quhej JAKOVA , e shpjeguam pra “fushat e Jakut “ . Pas kësaj “ fushave të Jakut “ a mos fshihej diçka tjetër ?

Në Kroacinë lindore është edhe një qytet i quajtur Djakovo ( shiko : https://en.wikipedia.org/Djakovo edhe https://hr.wikipedia.org/wiki/ Đakovo ) ku shkruan: “The Ottoman rule over Đakovo started in 1536 and lasted for nearly 150 years. It was a kaza administrative center in Sanjak of Pojega and was known as “Yakova” during this period.[3] Merkezi, İslam Araştırmaları. “TDV İslâm Ansiklopedisi”. www.islamansiklopedisi.info. Archived from the original on 9 October 2016. Retrieved 26 April 2018. Godine 1536. Đakovo su zaposjeli Turci i vladali gotovo 150 godina – grad tada dobiva naziv Jakova. Srušene su skoro sve katoličke crkve i sagrađene džamije. Najpoznatija je Ibrahim-pašina džamija koja je nakon odlaska Turaka pretvorena u katoličku crkvu. Godine 1690. u grad se vraća biskup i tada počinje izgradnja grada. Broj stanovnika naglo
raste, a 1751. godine otvara se prva škola.

Pra Djakovon e Kroacisë e kanë sunduar turqit për 150 vjet që nga viti 1536 dhe më e rëndësishme për këtë studim është së nga turqit , qyteti është quajtur “ Yakova “ . A mos vallë edhe atje ishte Jak Vula me tokat e tij ? Pra “ Yakova “ nuk ka asgjë të bëjë me “ fushat e Jakut”, sepse fjala është për qendra banimi si atje në Kroaci, ashtu edhe tek në Gjakovë . Kush ishte jaku pra ?

Ja, një informatë tjetër e cila na qet në udhë të duhur : ” Shijaku ( qytet në Shqipëri ) në historikun e tij përfaqësohet si vendbanim i hershëm, ku ne hartën e disa vendbanimeve parahistorike të Shqipërisë gjendet edhe “guri unik militar” i tij, i gjetur në afërsi të fshatit Sallmone pranë lumit Erzen përgjatë rrugës Dyrrachium (Durrës)-Lisus (Lezhe)dhe që i takon kohës së paleolitit të lartë (40.000-6000 vjet p.e.s. Historia dëshmon se pas themelimit të Durrësit në vitin 627 para Krishtit, një nder qendrat e banuara ka qenë edhe Shijaku si pjesë përbërëse e fisit të taulanteve të cilit si qendër të territorit të tyre kishin Durrësin.”

Se si e kishte merin që nga koha e pas themelimit të Durrësit – nuk është tema e sotme, por si lindi emri i Shijakut dhe kur ? Toponimi gjeografik i Shijakut është me prejardhje të krishterë katolike përmes gjuhës latine, sipas gjuhëtarit Rrota vjen nga S. Jacobus, Shën Jaku.[2] ^ (Rrota, Justin (2006). Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore. Shkodër: Botime Françeskane. p. 43. ISBN 99943-696-9-5.)

Shënimet thonë pra ; “Shijak has ancient roots, dating back to after the founding of Durrës in 637 B.C. Shijak developed as a satellite site for the Taulantii tribe although under a different name, ëith the tribe’s hub located in Durrës. Later Shijak ëas named as Shen Jak, translated to “Saint Jacob.” Later Shijak ëould be knoën as Shenjak, Shejak, Shinjak, then Shijak. The settlement suffered some destruction during the Ottoman invasion including some destruction to the local church.”

Qyteti i Shijakut i ka ndërruar gjatë historisë disa emra , nga Shën Jaku në Shenjak, Shejak, Shinjak, së fundmi Shijak, dhe se pushtimi turk e kishte rrënuar qytetin por edhe kishën lokale të Shën jakut . Kthehemi prapë tek emri i vjetër i Gjakovës, Yakova ; emri turk i qytetit kroat po ashtu Yakova dhe të mendojmë . Pra, të mendojmë seriozisht se mos Hadum Aga e ndërtoi xhaminë e tij mbi Kishën e Shën Jakut apo e rrënoi kishën duke e ngritur një xhami ?

Kush ishte Shën Jaku ? “ I Shenjti i ditës: 25 Korrik,Shën Jaku. Jaku, i quajtur i ‘vogël’, është njëri prej Dymëdhjetë Apostujve, bir i Alfeut (Mt 10,3; Mk 3,18; Lk 6,15) e nga tradita identifikohet si “vëllau i Zotërisë” Jezus ) Mk 6,3; Mt 13,55), është autori i “Letrës së Jakut”. Dëshmitar i Krishtit të Ngjallë ( 1 Kor 15,7) Jaku pati një vend të privilegjuar në bashkësinë e krishterë të Jeruzalemit: atë e njoftoj Pjetri për lirimin e vet nga burgu që ndodhi në mënyrë të mrekullueshme nga dora e Zotit ) Vp 12,17); me Jakun vihet në kontakt Pali i konvertuar ( kthyer) në fe në e Krishtit (Gal 1,18); Jaku ka një rolë të rëndësishëm në Koncilin Kishtar të Jeruzalemit ( Vp 15,13-29). Vdiq martir në vitin 69 pas Krishtit. Nëse osmanët e rrënuan Kishën e Shën Jakut në Djakovo ( Kroaci ), Shijak ( Shqipëri ), pse mos ta rrënonin edhe atë të Rudines ? Pra, të mendojmë ndryshe duke mos e shtrembëruar historinë sipas interesave të të tjerëve. /KultPlus.com

Fahri Xharra, 07.11.18 – Gjakovë

‘HangoverFest’, Gjakova sjellë festivalin më të madh në ambient të hapur

Nga data 23 korrik deri më 4 gusht, do të mbahet festivali më i madh dhe më i gjatë në ambient të hapur, ‘Hangover Fest 2018’.

Festivali që synon të bëhet tradicional vjen kësaj radhe në formë spektakolare.

Me dhjetëra artistë vendorë e ndërkombëtarë, Hangover Club ka konfirmuar se Gjakova do të presë vizitorë nga rajoni dhe gjithë Kosova për 13 ditë.

Në njoftimin e Hangover Club në faqen zyrtare thuhet se ky është festivali më i madh në vend në ambient të hapur, të cilin po e sjell për herë të parë Gjakova.

Sipas burimeve mbrëmjen përmbyllëse të festivalit performon një DJ me renome ndërkombëtare, teksa edhe në netët tjera do të peformojnë emrat më të mëdhenj të skenës vendore.

“Open Air meets Freedom” është slogani i festivalit, ndërsa në ditët në vijim do të zbulohen edhe emrat të cilët do të performojnë në këtë festival /KultPlus.com


Në Gjakovë po synohet numër më i madh i turistëve, vjet e vizituan 10 mijë vetë

Kulla e Abdullah Pashë Drenit, Xhamia e Hadum Agës, Teqeja e Bektashinjve, Hani i Haraqisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës.

Gjakova si një qytet me një histori të lashtë shumë shekullore prej të cilës kanë mbetur edhe shumë objekte e artefakte që tregojnë për jetën që u zhvillua në këtë qytet, vetëm në vitin 2017, është vizituar nga mbi 10 mijë turistë nga vende të ndryshme.

Kështu ka bërë të ditur për Kosovapress udhëheqësi i Zyrës së Informacionit Turistik në Gjakovë, Kujtim Rrahmani sipas të cilit kjo komunë krahas turizmit kulturor e ka të zhvilluar edhe turizmin natyror.

“Sipas disa statistikave jo zyrtare që i kemi është 8 mijë deri në 10 mijë veta këtu përfshihen turistët në përgjithësi që e vizitojnë Gjakovën dhe rrethinën e Gjakovës. Këto statistika i kemi marr prej kufirit dhe disa elementeve tjera… Më së shumti Gjakova është tek turizmi kulturor, aty e ka bazamentin kryesor sepse duke e llogaritur trashëgiminë që e ka vetë brenda qytetit, turizmi kulturor është turizmi bazik që zhvillohet në Gjakovë, mirëpo nuk mund të them që edhe turizmi natyror nuk është i zhvilluar sepse i kemi disa pika interesante turistike të turizmit natyror ku mund ta përmendi Radoniqin, edhe pse është një vend që është ujëmbledhës për furnizim të qytetarëve, por edhe ajo pjesë shfrytëzohet për një lloj turizmi… Pjesa tjetër është tek Ura e Drinit që janë edhe garat kryesore që mbahen që janë gara të veçanta, por edhe Shkukëza është pjesë e parkut rekreativ ku e shfrytëzojnë qytetarët dhe turistët e huaj”, u shpreh Rrahmani.

Rrahmani duke i përmendur disa nga monumentet që turistët mund t’i vizitojnë në qytetin e Gjakovës, tha se turizmi në këtë komunë është duke lulëzuar dita ditës.

E me qëllim që ky qytet i lashtë të jetë më atraktiv për vizitorët, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se janë duke punuar në projekte kulturore që do kenë impakt në turizmin e kësaj komune.

“Do t’i kemi edhe dy ose tri teatro çoftë të hapura apo të mbyllura, po punojmë edhe me shoqërinë civile që edhe ata të involvohen qoftë në promovimin e çarshisë së vjetër me ngjarjet që ndodhin atje, kemi edhe disa plane edhe deri në fund të vitit. Do të thotë tani jemi në ramazan pastaj bajrami do të kemi ngjarje dhe atëherë, do ketë ngjarje edhe para fundit të vitit për vitin e ri për kërshëndella, po promovojmë me i lidh në mes vete që në Gjakovë me ndodh një lëvizje permanente sa i përket ngjarjeve kulturore që ndërlidhen me turizmin… Sot në mëngjes kemi bisedua për një projekt në lumin Erenik e cila është një ide më e vjetër nuk është ide e imja, por është e mirë dhe unë nuk kam nevojë me ndryshua diçka në shije”, ka thënë Gjini.

Se qyteti i Gjakovës do të ketë risi kulturore e tha edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Saranda Hyseni, e cila u shpreh se hendikep më të madh ka buxhetin e vogël që dedikohet për këtë sektor.

Ndryshe, në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, i cili në gjysmën e dytë të shek. XVII, u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia.

Kur gratë gjakovare hoqën Ferexhenë

Guximi i viteve më të hershme ka qenë edhe më sfidues për gratë shqiptare, duke pas parasysh mentalitetin e asaj kohe.

Është pikërisht guximi i grave gjakovare që duhet të vlerësohet, të cilat, pikërisht më 8 mars të vitit 1945 hoqën ferexhenë. KultPlus ju sjellë fotografinë e këtyre grave./KultPlus.com

“Përtej shqisave” ekspozita që bën bashkë Argenita Fetahun dhe Andin Bakija

Alberina Haxhijaj

Muzeu Etnografik në Gjakovë në përvjetorin e 10-të tëPavarësisë së Kosovës, më përkrahje nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komunës, ka bërë së bashku piktoren Argenita Fetahu dhe skulptorin Andin Bakija. Dy artistët gjakovarë do të hapin së bashku ekspozitën “Përtej shqisave” më 13 shkurt, në ora 12:00.

Ekspozita e realizuar në kuadër të Programit Artistik për vitin 2018 ka bërë së bashku këta dy artistë pikërisht për arsye se përmes punës së tyre ata shfaqin ndjenjat, çdo gjë lidhin me emocionet e tyre, shkojnë përtej shqisave.

Piktorja Argenita Fetahu për KultPlus tregoi se synim i saj është paraqitja e vetvetes në të gjitha format dhe madhësitë trupore duke e sfiduar veten, për të mësuar se cili është projektimi më i duhur për të.

“Që në fillim unë e prezantoj vetveten, punën, mendimet apo botën time, kam një fustan që i takon nënës sime, por që e mbaj të veshur unë, pasi që jam modeli, plus kësaj paraqitet në mënyrë të tërthortë një etapë e jetës sime. Nga pesha e rëndë e sfidave që më kanë përcjellë në jetë, nga syri i shikuesit mund të vërehet se diçka tek unë mungon. Ndjenja e boshllëkut është diçka që vërehet, prandaj unë përpiqem ta përcjell një mesazh përmes imazheve të mia”, u shpreh ajo për KultPlus.
Reduktimin e disa elementeve në piktura të saj ajo e bënë në mënyrë të qëllimshme, prandaj në çdo pikturë mungon diçka duke i bërë kështu shikuesit të kenë dhjetëra mendime lidhur me pikturat. Kurse të gjithë vendin në piktura e zë ngjyra dhe ana emocionale.

Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistit, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.
“Veshja si aspekt i paraqitjes fizike ka rëndësi sociale, me rregulla dhe pritshmëri të ndryshme që aplikohen në varësi të rrethanave dhe rasteve. Si veshje e përdorur më së shumti është fustani i kohës, fustani i nënës time, i cili ka ngjyrën e kuqe të mbyllët. Historia mbetet prapa, ndërsa fustani ndjek një rrugëtim të ri.”, shprehet artistja mbi fustanin që e mban veshur nëpër pikturat e saj.
Pikturat e piktores Argenita Fetahu vërehen edhepër shkak të ngjyrave.Ajo ka përdorur ngjyra të ngrohta dhe të ftohta që paraqesin dhe fitojnë iluzion në thellësi. Kurse përmes hedhjes së ngjyrave me shpatull ( mjet pune), duke e bërë hapësirën më të vrazhdë apo më të lëmuar, nxitë mendimin se ku qëndron trupi realisht.

Por edhe skulpturat e artisti Andin Bakijajanë të lidhura me eksperiencat, ndjenjat e tij. Mirëpo përderisa te piktorja Fetahu diçka mungon, në skulptura gjejmë të kundërtën. Aty gjërat janë të zmadhuara.
“Skulpturat e mija janë të lidhura me eksperiencën time e sidomos pasi që kam filluar që kur isha katër vjeçar që ti realizoj. Përmes punimeve shprehi gjithë adrenalinën time të brendshme, ndjenjat e rebeluara që i kam brenda trupit”, u shpreh Andin Bakija për KultPlus.
Ai punimet e tij i bazon në karaktere që dallohen për krenari, fuqi mbinatyrore, gjersa përdore plastelin dhe argjilën.

“Tejkalimi i ndjenjës nëpërmjet të gjitha informacioneve të cilat u krijuan nga shqisat, vjen si rrjedhojë e shprehjes së shpirtit që i përmbushë të gjitha kërkesat e një karakteri të dëshiruar nga të gjithë ne. Ëndrrat e realizuara pa asnjë shpresë dështimi dhe arritjet më të larta në këtë jetë apo tjetrën, krijesat që i solla në jetë nëpërmjet një materiali të caktuar i arrijnë ato”, shprehet ai./KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës

Posta e Kosovës së fundi ka lansuar pulla postale me objekte të trashëgimisë kulturore të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Në këto pulla janë përfshirë objektet më me rëndësi të kësja komune, por duke përfshirë edhe objekte të komunave të tjera./KultPlus.com