Biletë hyrëse në botën e kompozitorit Rauf Dhomi, aty ku noton me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike

Jeta Zymberi

Një natë e ftohtë dhjetori më hodhi në rrugën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një takim me kompozitorin e shquar, akademikë Rauf Dhomin. Kjo ishte biletë hyrëse për një udhëtim të papritur në botën e pasur të muzikës dhe pasionit të palodhur të tij.

Profesori Rauf, i cili më priti me elegancën e një artisti të vërtetë, ishte vetë një vepër arti. Ai ishte përgatitur që vetëm pas pak të drejtojë Korin e Burrave në një koncert festiv të Akademisë. Por megjithatë, me një bukuri dhe harmoni që i takonin një dirigjenti, me një karizëm që nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe një pasion të flaktë për zanatin e tij që reflektonte pashmangshëm në të, ai më uroi një mirëseardhje plot nderim.

Nën hijen e muzikës që dëgjohej nga provat e koncertit dhe ambientin solemn të akademisë, ne filluam një bisedë të këndshme me profesorin Rauf i cili nuk është thjeshtë një kompozitor, por një udhëheqës i fushatës së krijimtarisë artistike në Kosovë dhe përtej saj. Ai na çoi në një udhëtim emocionues përmes ujërave të jetës, ku notonte me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike.

Në këtë bashkëbisedim motivues, Rauf Dhomi ndau me ne ndjenjat dhe shpirtin e rrugëtimit të tij. Kjo nuk ishte thjesht një intervistë, por një eksperiencë që na kujtoi se pas çdo melodie artistike ka një histori unike dhe një pasion të patundur për të ndarë bukurinë e muzikës me botën.

Me profesorin Rauf ke se çfarë të flasësh, i lindur në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor të vitit 1945, ai i përket plejadës së kompozitorëve të Kosovës, të cilët ndërtuan artin muzikor në vend. Ai ka zhvilluar karrierën e tij në një periudhë aspak të lehtë për historinë e Kosovës, mirëpo përkundër kësaj, ai ka vazhduar në secilën periudhë të shpreh emocionet e tij përmes muzikës duke krijuar kështu një portofol të pasur me vepra të shquara.

Kjo intervistë e rrallë, shumë e rrallë e kompozitori Dhomi, është një udhëtim në thellësinë e mendjes krijuese të tij, një krijues që ka hapur degë të reja në pemën e muzikës klasike shqiptare duke u bërë i pari kompozitor kosovar që ka shtuar në portofolin e tij një operë të lavdishme.

Nga fillimi i tij në botën e kompozimit deri në arritjet e tij më të fundit, ne eksploruam çdo nuancë të pasionit të tij për muzikën dhe impaktin e tij të madh në skenën muzikore.

Krijimi i Institucionit të Operës në Kosovë: Arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet

E nisëm këtë bisedë me një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që ka ndodhur sëfundmi, me krijimin e Institucionit të Operës në Kosovë, një iniciativë kjo të cilën profesori Rauf e kishte nisur qysh në vitin 2003, kur edhe themeloi trupën e Operës së Kosovës, dhe me 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij Institucioni.

“Në vitin 2003, ish-presidenti Ibrahim Rugova më autorizoi të themeloj Institucionin e Operës. Në atë kohë unë dhashë tri opera. Kjo ishte një iniciativë e madhe, filluam të mbajmë koncerte gjithandej, kemi shkuar në Turqi, Kalabri, Greqi, Shqipëri e nëpër qytetet e Kosovës”, thotë profesori teksa në këtë pikë nuk harron të përmend edhe publikun që i ka dhuruar emocionet më të mëdha.

“Shumë shpesh kemi shkuar në Mitrovicë sepse Mitrovica e ka publikun shumë të mirë, por publikun më të mirë në Kosovë e ka Suhareka. Nuk e keni idenë! Kanë disiplinë të përkryer. Më të mirë në kulturë, nuk ke”, thotë Dhomi.

Por, kjo iniciativë e bukur që nisi për operën kosovare, ishte jetë shkurtër. Sipas profesorit Rauf, jetën ja shkurtuan udhëheqësit e institucionit të kulturës dhe që nga ajo kohë, iniciativa ra poshtë.

“Jam shumë i lumtur që tashmë është themeluar Institucioni i Operës, por nuk janë duke bërë operë. Për të pasur një shtet operë, fillimisht i bëhet shtëpia. Vetëm tek ne ndodhë e kundërta”.

Kompozitor i operës së parë kosovare, në kohën kur e ka krijuar këtë vepër, asnjëherë nuk e kishte menduar që viti 2023 do të na gjente pa një sallë operash.

“Kur e kam krijuar operën “Goca e Kaçanikut”, kam menduar që vetëm pas 2-3 viteve Kosova do të ketë Institucionin e Operës. Por që na gjen viti 2023 pa një shtëpi të operës, këtë se kam menduar asnjëherë.”

Rasti i shtëpisë së operës, është dëshmia më e fortë që në vendin tonë arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet. Por derisa jemi në pritje të krijimit të saj, ne u kthyem pas në kohë e folëm për një vepër të kompozuar në vitin 1978, për “Gocën e Kaçanikut”, një operë në dy akte dhe tri tablo, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi, me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

Kjo vepër shënoi një kthesë të re në krijimtarinë muzikore në vendin tonë dhe për herë të parë u inskenua në manifestimin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë në vitin 1979. Padyshim, ky ishte një moment i veçantë për krijuesin e kësaj vepre i cili bashkë me miq e kolegë u nisëm me një autobus nga Kosova për në Shqipëri, për të përjetuar këtë shfaqje.

“Shfaqja në atë kohë u dha me suksesin më të madh, më thirri edhe presidenti Enver Hoxha në atë kohë për të më falënderuar. Pastaj, nga viti 1988 deri në 2004 shfaqja është dhënë rregullisht, çdo mysafir që ka ardhur nga vendet ndërkombëtare, çdo delegacion është mirëpritur me “Gocën e Kaçanikut”. Ishte një nder për mua”, thotë kompozitori.

Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, pas gjysmë shekulli do të inskenohet në vendlindje

Por, përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, përgatitjet për premierën e kësaj shfaqje kanë filluar, rolet janë ndarë dhe gjithçka pritet të vijë premierë në muajin shkurt, për festën e madhe të Pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e re nga Institucioni i sapo themeluar i Operës së Kosovës e ka gëzuar profesorin Rauf.

“Kur më than që do ta ekzekutojnë “Gocën e Kaçanikut” nuk e besova. Mezi po pres të shoh premierën. Regjisori është një mjeshtër i madh tek i cili besoj shumë. Më kanë ftuar edhe mua, por nuk dua të ndikoj, unë e kam shkruar dhe kaq mjafton. Do të shkoj ta shijoj premierën.”

Por një operë e tillë kombëtare, një ditë do meritonte të jetësohet edhe në ndonjë skenë ndërkombëtare, një synim të tillë nuk e kam vetëm unë, por edhe kompozitori i cili kishte pasur një tentativë të tillë por që nuk u realizua asnjëherë. Rreth viteve 86’-88’ ai kishte udhëtuar për në Kalabri dhe Sicili për të mbledhur folklor për “Dasmën arbëreshe” dhe bashkë me kryetarin e komunës të asaj kohe, i cili ishte arbëresh, u dakorduan që “Gocën e Kaçanikut” ta inskenojnë në Itali, por gjithashtu u dakorduan që ata të financojnë një pjesë dhe Kosova pjesën tjetër.

“Kërkesa jonë nuk u mor parasysh në Kosovë sepse në atë kohë përkraheshin këngët popullore dhe opera nuk njihej nga udhëheqësit tanë. Ndodhë që në të ardhmen edhe do të inskenohet në ndonjë skenë të tillë, por për mua do të jetë vonë sepse nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar shumë vite. Por për historinë e operës kosovare nuk do të jetë vonë, kurdo që do të ndodhë do të ishte diçka e bukur”.

Kori i Burrave, një simbol i kulturës së Gjakovës

Krahas punëve të vazhdueshme si pedagog e krijues, Rauf Dhomi aktivisht ka punuar edhe me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965 e i cili vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Për të, Kori i Burrave është një histori më vete, një sukses i jashtëzakonshëm për atë kohë, një simbol i kulturës së Gjakovë.

“E kam formuar në vitin 1965, kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Atëherë kur nuk ka mundur askush të këndojë, në të gjithë bashkë kemi kënduar. “Këngën e Mortit” e kemi kënduar për të gjithë ata ushtarë që jepnin jetën, edhe pse i kishim tytat mbi kokë por asnjëherë nuk jemi frikësuar”, pohon Dhomi duke potencuar rëndësinë e kësaj vepre sepse sipas tij “I vetmi solemnitet në jetë është vdekja”.

Krijimtaria e profesorit Rauf është një maratonë e gjatë dhe e larmishme. Ai ka kompo­zuar në të gjitha gjinitë e muzikës. Krahas operave “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baletit “E bukura More” e shumë vepra të tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, gjithashtu muzikë për filma e shfaqjet teatrale (rreth 300 shfaqje) që përbëjnë krijimtarinë artistike të profesorit Rauf, një kontribut të madh ai e ka dhënë edhe në muzikën pianistike. Ai ka bërë shtatëdhjetë vepra për piano dhe këtë e konsideron një volum të mirë për vendin tonë. Por ai nuk beson se do ti kthehet më krijimit të veprave pianistike. Ajo që tash po i sillet në hapësirë është krijimi i një tjetër opere, operë për Mbretëreshën Teutë.

“Kam libreto të ndryshme, po nuk e kam ende atë që dua, jam duke e kërkuar”, thotë profesori i cili tutje foli edhe për krijimin e meshës së parë kosovare, të cilën e kishte shkruar për akademikun Gazmend Zajmin. Me këtë krijim, ai kishte prekur edhe më nga afër një prej gjinive muzikore të trajtuara nga kompozitorët më të mëdhenj botërorë.

“Atëherë isha pranuar në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Gazmendi ishte në Zagreb, ishte sëmurë dhe u pritke vdekja e tij. Ai ka qenë i veçantë dhe unë doja të veçantën për të, andaj krijova këtë meshë dhe e këndova ‘Këngën e Mortit’ në varrimin e tij. Po flasim për vdekjen, që është një dhimbje e madhe, por kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë dhe që nga jo kohë hyri në program”, tregon Dhomi.

Krahas këtyre krijimeve, ai nuk anashkalon as botën fëmijërore, një fond i konsiderueshëm i veprave është rezervuar edhe për ta, të krijosh për të vegjlit, për të nuk është vetëm kënaqësi por edhe obligim.

“A ka engjëj më të mirë se fëmijët. Të krijosh për engjëjt ke mundësi edhe me qenë aty afër tyre, është ngrohtësi, po është edhe obligim. Se ata nuk kanë literaturë, literatura botërore për ta nuk ekziston. Atëherë pse mos të krijoj unë dhe kolegët e tjerë për ta.”

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, roli i këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës

Të jesh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç është profesori Rauf që nga viti 1996, është një përgjegjësi jo e lehtë duke pas parasysh edhe kritikat e vazhdueshme në adresë të këtij institucioni. Por megjithatë, profesori mundohet të jetë objektiv kur vlerëson rolin dhe kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit që këtë pyetje e quan provokuese ai thotë: “Rrallë ndonjë seksion, se mos të themi anëtar, mendon për këtë çështje. Apo më mirë të themi nuk mendon fare. Më vjen keq që e them këtë, por janë dhjetëra akademikë që janë të rregullt, marrin rroga, por nuk vijnë fare këtu”, por sipas tij kjo gjendje nuk është vetëm në Akademi, por në të gjitha sferat, diku më shumë, diku më pak, por jemi njëjtë, thotë ai.

Djegia e Muzeut të Muzikës, turpi i Gjakovës

Duke shtrirë bisedën në pika të ndryshme, ne shkuam edhe në vendlindjen e profesorit Rauf. Në Gjakovën e artit dhe kulturës, në vendin i cili ishte përkrahësi më i madh i rrugëtimit të kompozitorit, mbështetja kryesore e të gjitha koncerteve të tij. Por, ndodhia e fundit në këtë qytet, djegia e Muzeut të Muzikës, për Dhomin ishte turpi i Gjakovës.

Në këtë muze, ndër të tjera ishte edhe piano në të cilën profesori kishte kompozuar operën “Goca e Kaçanikut” e shumë e shumë vepra të tjera. Impakti i humbjes së një trashëgimie të tillë kulturore padyshim që më së shumti e ka prekur kompozitorin sepse me djegien e këtij muzeu, u dogj një pjesë e historisë.

“A ka fjalë? Jo, nuk ka. Si mund ta përshkruaj këtë fatkeqësi. Të kaplohet nga zjarri instrumenti, edhe atë jo nga një zjarr i rastësishëm, por një zjarr i menduar. Unë them se Gjakova e ka humbur autoritetin me këtë rast sepse historia nuk fshihet. Aty ka qenë pianoja ku e kam punuar “Gocën e Kaçanikut”, “Dasmën” e shumë e shumë vepra të tjera. Rrugën e Çabratit ku kam qenë në atë kohë, e kam frekuentuar çdo ditë në mëngjes dhe i frymëzuar jam kthyer e kam kompozuar në atë piano. Unë dhe pianoja kemi qenë vëlla e motër. Ka qenë një instrument shumë i vjetër dhe të zhbëhet në këtë mënyrë është turp për Kuvendin e Gjakovës sepse Gjakova ka investuar shumë në kulturë, e sot të ndodh kjo nga moskujdesi, është shumë e dhimbshme.”

Një trajtim i tillë nuk i bëhet as artit, as trashëgimisë e historisë në vendet e civilizuara të botës, vende këto që kanë hapur dyert edhe për artistët tanë duke ju dhënë shkëlqimin e trajtimin e duhur. Artistët nga Kosova tani kanë një prezencë të rëndësishme në skenat ndërkombëtare dhe arritjet e tyre janë shpresa dhe gëzimi i profesorit Rauf.

“Sa mirë që është bota dhe këta talent kanë mundësi të ekspozohen nëpër skenat më të mira botërore sepse ata dinë të vlerësojnë. Tek ne vlerësohesh në bazë të shoqërisë dhe jo të talentit.”

Kompozimi – një fushë që po përballet me mungesë të kuadros

Krejt në fund të bisedës tonë, ne u ndalem te një çështje e rëndësishme dhe e përfolur, ajo e kompozitorëve. Kompozimi, një fushë e pasur me talente në Kosovë, po ballafaqohet me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe iniciativave mbështetëse. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm talentesh, Dhomi e shpreh shqetësimin e tij se ende nuk ka mekanizma dhe nisma që mundësojnë zhvillimin dhe nxitjen e krijimtarisë në këtë fushë të artit.

“Vetëm fakulteti ka kapacitetin për të nxitur krijimtarinë në fushën e kompozimit. Tek ne ka shumë talente por është e nevojshme që Fakulteti i Arteve të krijojë katedra të specializuara për kompozim, dirigjim, dhe degë të tjera të lidhura. Mungesa e konkurseve për pozitat e kompozitorëve ka sjell këtë rezultat”, thotë profesori teksa krejt në fund të kësaj bisede ky kapërcyem periudha të ndryshme të jetës së tij, ai më kërkoi falje për intensitetin e zërit gjatë intervistës, duke e shpjeguar atë si shprehje të mllefosjes që ishte akumuluar brenda tij për gjithë këto vite që sipas tij “arti vazhdon të zvarritet”. / KultPlus.com

Mobilizim i komunitetit për vizionimin e Çarshisë së Madhe në Gjakovë

Me përkrahjen e MKRS-së, kanë filluar takimet konsultative për vizionimin e Çarshisë së Madhe në Gjakovë të iniciuara nga QRTK në bashkëpunim me Komunën dhe në ndihmesë të partnerëve nga organizata “Ec Ma ndryshe” dhe Fakulteti i Arkitekturës.

Gjatë fundjavës është diskutuar me qytetarët e interesuar dhe me përfaqësues të bizneseve që operojnë në Çarshinë e Madhe.

Edhe dy punëtori të njëjta janë planifikuar të mbahen me datën 18 të po këtij muaji me institucionet e përfshira, ato lokale dhe qendrore, si dhe tjetra me profesionistët lokalë.

Procesi i Hartimit dhe Miratimit të Projektit Zbatues do të përmbyllet gjatë këtij fundviti, në mënyrë që të filloj zbatimi i tij. / KultPlus.com

Në Gjakovë promovohet “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit

Libri “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit do të promovohet këtë të premte në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, në ora 12:00.

Rreth veprës flet historiani Jusuf Buxhovi, recensent i librit, i cili veprën “Tokat e lirueme 1939-1946” të Gurakuqit e vlerëson studim tejet të rëndësishëm që merret me ndriçimin e kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në vitet 1939-1946, kur lufta antifashiste përmbysi shumë nga realitetet paraprake dhe solli të rejat, siç ishte fitorja e komunistëve, që ndikuan rrethanat politike dhe shtetërore të botës shqiptare.

Gurakuqi, këto zhvillime i trajton jashtë koncepteve të njohura ideologjike, me ç’rast fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi e paraqet si një faktor të instalimit të diktaturës së njohur komuniste, që ushtroi terror ndaj kundërshtarëve politik. Me këtë rast, bashkëpunimi i udhëheqjeve komuniste shqiptare me atë jugosllave si dhe bashkëveprimi i tyre në shuarjen e rezistencës kombëtare në Kosovë në dimrin dhe pranverën e vitit 1945, paraqitet si një ripushtim sllavo-komunist i Kosovës me pasoja tragjike, ne mbi 50 mijë viktima.

Në promovim pritet edhe prononcimi i autorit rreth veprës. / KultPlus.com

Elementet historike të Muzeut të Muzikës që u dogj në Gjakovë, kanë shpëtuar

Në orët e para të mbrëmjes së djeshme, Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe njësitet e zjarrfikëseve të cilët janë në përpjekje për lokalizimin e zjarrit.

Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës përmes një komunikate me shkrim e ka konfirmuar ngjarjen. Sipas tij njësitet policore janë akoma në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe njësitet e zjarfiksëve.

Elezaj konfirmoi se përveç dëmeve materiale fatmirësisht viktima në njerëz nuk ka.

Në vendin e ngjarjes po ashtu janë parë edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili nuk deshi të prononcohej.

Ndërkaq përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo çka ka ndodhur sonte në objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën.”Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit, thuhet në reagimin përmes Facebookut  të zyrtarëve për informim të  Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com

Valle e këngë shqipe në koncertin në Gjakovë

Mbrëmë në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, me përkrahjen e MKRS-së, është mbajtur koncerti i përbashkët i Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova e Shqipëria.

Audienca e pranishme shijoi performancën e bukur të artistëve të njohur si Irma Libohova, Lambert Jorganxhi, Riza Bytyçi, Selami Kolonja, Korit Okarina, Samir Krasniqi dhe AKKV Shota.

Koncerti i parapriu takimit mes dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, takim ky i cili u anulua në momentet e fundit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. / KultPlus.com

Në Kralan të Gjakovës shënohet 24 vjetori i masakrës së 86 civilëve

Sot, në Kralan të Gjakovës shënohet 24 vjetori i masakrës së 86 civilëve, të kryer nga forcat serbe në luftën e vitit 1999, shkruan KlutPlus

Më 2 prill të vitit 1999 në Kralan të Gjakovës, forcat serbe kishin ndarë rreth 1500 burra, të cilët  i kishin lënë vatrat e tyre si shkak i sulmeve serbe. Këta burra dhe djem që u ndanë me dhunë nga familjet e tyre qëndruan në një livadh të rrethuar me tanke, pa ngrënë dhe pa pirë për dy ditë, ku më pas edhe u liruan pjesa më e madhe e tyre.

86 persona nga ai grup u mbajtën, ndër të cilët 11 ishin fëmijë, të cilët më pas u vranë e u masakruan.

Trupat e 18 djemve dhe burrave të vrarë nga kjo masakër janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Basha të Serbisë.

Fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënojnë përvjetorë të masakravve të cilat u kryen në vitin 1999, në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, në familjen Berisha në Suharekë, Pastasellë, Burim, Lybeniq, dhe Izbicë./KultPlus.com

Restaurohet Kulla e Sahit Avdylit, në Dujakë të Gjakovës

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se është restauruar Kulla e Sahit Avdylit, në fshatin Dujakë të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, përmes një postimi në facebook ka thënë  se ruajtja e origjinalitetit dhe rifunksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, është synim i MKRS, pasi mbrojtja e monumenteve kultivon krenarinë për të kaluarën dhe pasurinë kulturore të Kosovës.

Performanca e Filharmonisë në qytetin e Gjakovës (FOTO)

Mbrëmë në qytetin e Gjakovës, Filharmonia e Kosovës ka mbajtur koncert të muzikës klasike, në të cilin u interpretuan vepra nga kompozitorët J. Brahms, C. M. von Weber dhe A. Dvorak, shkruan KultPlus.

Performanca e Filharmonisë, e cila lëvizi nëpër disa vepra të periudhës së romantizmit, u dirigjua nga Lirjona Sylejmani, dhe si solist pati Ardit Ibrahimin.

Ky koncert qe pjesë e platformës ‘Skena Iuvenis’ përmes së cilës Filharmonia e Kosovës mbështet muzikantët e gjeneratës së re në zhvillimin e tyre profesional.

Pjesë e koncertit i cili u mbajt në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’ në Gjakovë, ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

KultPlus ju sjell fotografi nga koncerti i mbajtur mbrëmë në Gjakovë:

Filharmonia e Kosovës sonte performon në qytetin e Gjakovës

Sonte institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, do të performojë në qytetin e Gjakovës vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorakv, shkruan KultPlus.

Në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi, përderisa koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani.

Koncerti do të organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi në ora 20:00./KultPlus.com

Ruajtje efektive e trashëgimisë kulturore

Një tjetër restaurim që Teqen e Sheh Lites në Gjakovë e ka rikthyer në një hapësirë të qasshme ku besimtarët mund të vazhdojnë të kryejnë ritualet e tyre.

Me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit, punimet janë kryer me kujdes të veçantë në dy objektet e saj.

Ndërhyrjet janë bërë në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së./ KultPlus.com

Gjakova, stacioni i radhës për Filharmoninë e Kosovës

Gjakova do të jetë stacioni i radhës në të cilin do të performojë institucioni më i lartë i muzikës në vend, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, i cili kësaj here do të ndalet në qytetin e Gjakovës do të interpretohen vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorak.

Koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani, ndërsa në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti  Ardit Ibrahimi.

‘Koncerti me vepra nga Brahms, Weber dhe Dvorak organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, të premten më 31 mars 2023 prej orës 20:00’, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në facebook.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës. Koncerti është i hapur për publikun./KultPlus.com

Shfaqja “Antigonat” nga Erson Zymberi vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Shfaqja “Antigonat” me regji të Erson Zymberit po vjen premierë në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, në Gjakovë si një lexim i ri, ndoshta edhe arbitrar, i një rrëfimi mirë të njohur, të dëgjuar e parë shpesh edhe në skenë, përcjell KultPlus.

“Në një shkrirje të qëllimshme të dy dramave (të Sofokliut dhe Jean Anouilh), ne kemi krijuar një lëndë skenike të re, më të dendur, e të cilën e kemi plotësuar e qëndisur “me pak dhimbje të freskët – sa për të dëshmuar sërish e sërish, se fatet njerëzore përsëriten, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por mbi të gjitha, me këtë shfaqje, ne duam të tërheqim vëmendjen tek patriarkati, jo më vetëm si shtypës dhe si pengues i prosperitetit e zhvillimit shoqëror, por edhe si formë e shtypjes së njërës prej ndjenjave më sublime: domosdoshmërisë së njeriut për të kujtuar e për të mbajtur mend”, thuhet në njoftim.

‘Antigonat’ janë nënat, gratë e motrat tona të cilat me kurajo e vendosmëri e sfidojnë harresën, e sfidojnë arrogancën dhe përbuzjen shoqërore. Ato janë gra në zemrat e cilave gjenden muzetë e dhimbjes më të madhe njerëzore. Kur mbamendja jonë mund ta harroj pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e trishtimit, atë do të mund ta gjejmë sërish në sytë e zemrat e këtyre grave.

Shfaqja vjen premierë me datën 27 mars, e që ngjizë dy data, dy ditë, dy kujtime, njërën atë të ditës botërore të teatrit dhe tjetrën, ditën e zezë e të kobshme të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i është marrë burri dhe katër djemtë e saj. Të dy këto data, të cilat njashtu si dy maskat e teatrit shpalosin dhimbjen njerëzore dhe misionin e teatrit si platformë e medium i gjallë, i drejtpërdrejtë e i vërtetë, na bëjnë ndërtues’ e përgjegjës artistik dhe jo vetëm.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari.

Pas premierës së 27 marsit në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, “Antigonat” pason edhe me dy premiera të tjera më datë 28 dhe 29 mars duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” organizon koncertin e parë solistik të zërit të melodive autentike, Nezafete Shala

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë po organizon Koncertin e Parë Solistik të zërit të melodive autentike Nezafete Shala, përcjell KultPlus.

Ky koncert do të shoqërohet në piano nga Nezafete Shala, përderisa pjesëmarrës në këtë koncert është kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.

Koncerti do të dirigjohet nga Kastriot Sada dhe në piano do të jetë Gent Kumnova.

Koncerti mbahet më datë 14 shkurt, në ora 19:00, në hollin e Shkollës së Muzikës “Prenk

Një tjetër detaj interesant i këtij koncerti është edhe dizajni dhe shkrimi i posterit i cili në tërësi është realizuar me shkrim dore nga vetë Nezafete Shala. / KultPlus.com

Nesër në Gjakovë protestohet pas rastit në Shtëpinë e të Moshuarve

Nesër do të organizohet një protestë në Gjakovë, pas rastit ku një e moshuar nga kjo komunë u keqtrajtua nga infermieret në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Protesta është thirrur në Gjakovë, ndërsa thuhet se do të mbahet në mbrojtje të së moshuarës, e cila është nëna e dëshmorit Taulant Nura.

“Krejt bashkë të premten në ora 12:00 tek lapidari Shokët e Lirisë. Të parandalojmë torturat në shtëpitë e pleqve, ti gjendemi në krah nënës Minire, nënës së Taulant Nura, i cili humbi jetën në Betejën e Çabratit më 7 Maj 1999. Nënat e dëshmorëve janë nënat tona”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se për rastin tashmë janë arrestuar tri infermiere. / KultPlus.com

“Hajde të puthi”, qytetari ngacmon seksualisht një të mitur

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj një personi për ngacmim seksual.

Sipas njoftimit të prokurorisë i dyshuari e kishte ndjekur me biçikletë të miturën duke i thënë “Hajde të puthi”.

“I dyshuari G.P.,  e ngacmon seksualisht të dëmtuarën e mitur, e cila derisa ishte në shoqëri të dëshmitares së mitur, i dyshuari i ndjek nga pas me biçikletë, dhe tërë kohës të dëmtuarës i ishte drejtuar me fjalët “Hajde të puthi”, “Hajde afrohu”, e fjalë të tjera degraduese dhe poshtëruese, dhe pasi që e dëmtuara e mitur së bashku me dëshmitaren e mitur takojnë babin e  kësaj të fundit,  në ato momente i dyshuari largohet ne drejtim te pa njohur”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të dyshuarit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim./ KultPlus.com

“Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu” në Gjakovë

Kandi i librit në Gjakovë, organizon mbrëmje kulturore, “Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu”, përcjellë KultPlus.

Në këtë event, do të prezantohet krijimtaria e Shehut, kritikat nga kritikët, poetët, botuesit dhe artistët më të njohur botëror në fushën e letërsisë, recital poetik dhe interpretim këngësh nga Sara Hajdari dhe Petrit Çarkaxhiu, i cili do të interpretoj këngë me tekste të Fahredin Shehut.

Eventi mbahet më 14 gusht, (e dielë), në parkun kulturor “Ali Podrimja”, në orën 20.30. / Kultlus.com

Violinisti Shkëlzen Doli i sjell meloditë më të bukura shqipe në Gjakovë

Violinisti i njohur shqiptar me famë botërore, Shkëlzen Doli do të mbajë koncert në Gjakovë.

“Shëtitje muzikore në nënqiellin gjakovar me meloditë më të bukura shqipe”, ka shkruar Doli në njoftimin e këtij koncerti.

Në këtë Promenadë verore siç e kanë quajtur organizatorët, do të performojnë edhe artistët nga Gjakova si: Vesa Smolica, Gentian Doli dhe Florent Abrashi.

Koncerti mbahet më datë 17 korrik, ora 20:30 në Xeni Imperial në Gjakovë. / KultPlus.com

Ndërhyrjet në Muzeun Etnografik në Gjakovë drejt fundit, Ceku: Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Po bëhen prekjet e fundit para përmbylljes së ndërhyrjeve të Ministrisë së Kulturës në ndërtesën e Muzeut Etnografik në Gjakovë.

Ky aset i trashëgimisë kulturore me vlera të jashtëzakonshme dhe pikë reference e turizmit në Gjakovë po merr vëmendjen e merituar nga institucionet.

Muzeu Etnografik kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, të cilat tani po i afrohen përmbylljes.

Ky muze po ashtu është përfshirë në analizën që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës në kuadër të Programit Kombëtar për zhvillimin e muzeve në Kosovë.

Duke i ruajtur origjinalitetin dhe mbrojtur nga të gjitha dëmtimet që i janë shkaktuar ndër vite, muzeu do të shërbej dhe bart kujtesën kolektive tek brezat e ardhshëm.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri i kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com

Dorëzohen 16 kallëzime penale për krimet serbe në Gjakovë

Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98-99, do të dorëzojnë 16 kallëzime penale për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

Këto kallëzime do të dorëzohen në Policinë e Kosovës, në sektorin e krimeve të luftës.

Paditë përfshijnë vrasjet, plagosjet, torturat, pengjet e luftës dhe dëmet materiale.

Udhëheqësja e kësaj shoqate Shkëndije Hoda, tha për Klankosova.tv se janë akuzuar nga shteti serb se po bëjnë dëshmi të rrejshme.

“Ka pasur reagime nga shteti serb. Shoqata jonë është akuzuar se kinse ne po paraqesim dëshmi të rreme lidhur me rastet”- tha Hoda.

Hoda theksoi kanë informacione se dy nga anëtarët e shoqatës janë paditur nga Serbia.

“Ne kemi informacione por ende se kemi të konfirmuar se dy anëtarë të shoqatës sonë janë paditur nga Serbia se gjoja se kemi paraqitur dëshmi të rreme. Informacionet janë marrë nga avokatët por ende s’kemi informacione të sigurta”- theksoi ajo.

Ajo shtoi se kanë dëshmi të mjaftueshme për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

“Ne kemi informacione të mjaftueshme lidhur me të dyshuarit që kanë kryer krime të luftës, në bazë të dëshmitarëve që kanë ofruar të dhëna”- shtoi ajo.

“Kallëzimet përmbajnë informacionet nga dëshmitarët, deklaratat e tyre dhe në bazë të kësaj ne ju ndihmojmë të kompletojmë të dhënat në lidhje me të dyshuarit, emrin, mbiemrin, adresat se ku jetojmë. Po ashtu ne kemi edhe fotografi. Pra, një kallëzim penal përmban të dhëna deri në gjashtë faqe”, u shpreh ajo. /KultPlus.com

“Rrushja” e Jusuf Buxhovit, promovohet nesër në Gjakovë

Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që doli nga shtypi para pak ditësh, nesër promovohet në Gjakovë, në orën 13, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim “Rugova”, shkruan KultPlus.

“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!

‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshorti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!

Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…

Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com

Jepet premiera e shfaqjes ‘Kaligula’, ngjall emocione të jashtëzakonshme te publiku

Mbrëmë në Teatrin “Hadi Shehu” është shfaqur premiera e shfaqjes “Kaligula”, përcjell KultPlus.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar për këtë shfaqje, derisa ka shkruar se kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme te publiku.

Me një tekst të shkëlqyer nga Albert Kamy, regji impresionuese nga Kushtrim Mehmeti dhe lojë brilante të trupës së “Hadi Shehut”, kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme tek publiku, i cili për herë të parë pas pandemisë po i kthehet teatrit në kapacitete të plota.

“Kaligula”, është edhe një tjetër dëshmi se Teatri “Hadi Shehu”, vazhdon të mbetet njëri prej tempujve të kulturës jo vetëm për Gjakovën por edhe më gjerë.

Në këtë premierë janë paraqitur aktorët Edi Gjakova, Yllka Lota, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Arbies Komoni, Muradije Muriqi, Myrvete Kurtishi, Valon Pallaska dhe Altina Kusari, ndërkaq në skenografi në mënyrë maestrale ka punuar skenografi Petrit Bakalli. /KultPlus.com

Hapet ekspozita “Thirrja e shpirtrave të humbur” e artistes Tina Hoda-Zoe (VIDEO)

Në përkushtim të personave të pa gjetur dhe të mbijeturave të luftës në Kosovë, të premten më 26 nëntor u mbajt ekspozita “Thirrja e shpirtrave të humbur” nga Tina Hoda – Zoe, përcjell KultPlus.

Ekspozita e mbajtur në Muzeun Abdullah Pashë Dreni në Gjakovë nga ora 17 :00, përfshiu instalacionin artistik “Thirrja e shpirtrave të humbur” ku përmes skulpturave u trajtua në mënyrë shumë-dimensionale, tema delikate e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Subjektet e skulpturave figurative – që janë njerëzit për të cilët ende nuk dihet fati i tyre u paraqitën përmes rikonstruktimit të pjesëve të trupit të tyre, të formësuara me anë të teknikës së modelimit. Si model të skulpturave, artistja ka përdorur simbolikisht dhe në mënyrë innovative, strukturën e formave të familjarëve të të zhdukurve që mishërojnë veçoritë tipike të tyre.

Skulpturat ngërthejnë në vete një histori sa unike aq edhe kolektive të vuajtjeve dhe dhembjeve shpirtërore, që komunikojnë qartazi me audiencën dhe përcjellin tek ta mesazhe të fuqishme, duka ngjallur brenda tyre empatinë e të jetuarit me humbjen e pakuptimtë të të afërmve. Instalacioni gjithashtu krijon një vetëdije për fytyrat e të dashurve të zhdukur, e nga ana tjetër familjarëve të tyre u ofron mbështetje duke i siguruar se ata nuk janë vetë, në këtë çështje dhe se komuniteti ndan shqetësimin me ta. (Gjakush Çapari)

Projekti “Thirrja e shpirtrave të humbur” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Drejtoria e Kulturës, Komuna e Gjakovës.

“Videoja më poshtë është realizuar duke u djeg djepi dhe të njëjtin djep e kam përdorur në ekspozitë ku i është shtuar dhe dora”, thotë artistja për KultPlus. / KultPlus.com

Nxënësja bashkë më profesorin e saj realizuan mural brenda shkollës “Hajdar Dushi”, në Gjakovë

Bashkëpunimi në mes të profesorit dhe nxënëses së tij solli ngjyra dhe një pamje të re brenda mureve të gjimnazit ‘Hajdar Dushi’ në Gjakovë. Puna e të dyve bashkë solli muralin me imazhin e duarve që i zgjaten njëra tjetrës, si synim për të përçuar afirmitetin dhe respektin që duhet të kemi me njëri tjetrin, shkruan KultPlus.

Nxënësja Berna Ajdini së bashku me profesorin e saj Armend Zeqa punuan rreth një javë, pas orarit të mësimit për të realizuar një mural të tillë brenda gjimnazit ‘Hajdar Dushi’.

Në një prononcim për KultPlus, profesori i artit Armend Zeqa tha se ideja e këtij murali ishte e nxënëses së tij, ndërkaq realizimin e kësaj ideje e bënë së bashku.

Tutje ai ka shtuar se murali në vetvete përmban si mesazh respektin që si njerëz duhet ti japim njëri tjetrit qoftë brenda por edhe jashtë mureve të shkollës.

“Mesazhi i pikturës është respekti dhe afirmiteti që ne si njerëz, por dhe brenda shkollës si nxënës japim dhe gjejmë tek njëri tjetri”, pohoi ai.

Krejt në fund profesori ka treguar se bërja e një murali të tillë në muret e shkollës ku ai punon ka gjetur një mbështetje si nga menaxhmenti i shkollës, ashtu dhe nxënësit të cilët dhe e kanë pritur mjaft mirë./ KultPlus.com

MuralFest Kosovo do të mbahet edhe në qytetin e Gjakovës

MurlFest Kosova këtë do të mbahet edhe në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë ditur nga një postim i bërë në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës, ku shkruhet se kryetari i kësaj komunë, Adrian Gjini është shprehur i gatshëm që të mbështesë këtë ngjarje me të gjitha kapacitetet që disponon institucioni që ai udhëheq.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:   

Këtë vit MuralFest Kosovo do të mbahet edhe në Gjakovë!

Rreth organizimit të kësaj ngjarjeje, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini ka pritur në takim Drejtoreshën e këtij Festivali, Lebibe Topalli dhe të rinjë të Gjakovës të cilët po angazhohen për jetësimin e këtij projekti. 

Kryetari Gjini është shprehur i gatshëm që të mbështesë këtë ngjarje me të gjitha kapacitetet që disponon institucioni që ai udhëheq./ KultPlus.com

MuralFest Kosova këtë edicion edhe në Gjakovë 👊 #muralfestkosovo #komunagjakovë #edicioniVI #home #muralfest2021 #ferizajgjakovë #kosovë

Posted by MuralFest Kosovo on Wednesday, March 17, 2021