Magjia e veprave të Gjelosh Gjokajt ka mbërthyer Galerinë e Arteve të Kosovës, u vlerësua si figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën

Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së mërkurës ishte e mbushur në të gjitha anët.  Hapja e ekspozitës ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” mbushi me figura të njohura oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, e më vonë edhe 2 katet në hapësirat e brendshme. Ekspozita me pikturat e Gjokajt, përjetime të cilat ai i jetësoi në letër, përcjellin gjithçka që atij i ka mbetur në kujtesë, përgjatë më shumë se 50 viteve të karrierës së tij.

Fuqinë e artit, siç e quajtën “Pablo Picasso i Ballkanit”,e ka përdorur për të thelluar ndjenjat e tij dhe për të bërë secilin prej nesh që del para pikturave, të fokusohemi si në një libër, pasi do shumë përqendrim për t’u kuptuar.

Ekspozita që u hap mbrëmë e do qëndrojë e hapur deri më 7 korrik, është dëshmi që artistët kanë fuqinë të jetojnë përgjithmonë, përmes veprave të tyre, e sidomos kur flasim për Gjelosh Gjokaj.

Ambasadori i ShBA-ve Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shqipërisë Petrit Malaj, ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, janë vetëm disa nga figurat e njohura që ishin prezent në këtë natë, duke përfshirë edhe shumë artistë, politikanë e qytetarë që kishin ardhur për të parë veprat e Gjokajt.

Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2016. Ai është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, Gjokaj e ka zhvilluar karrierën edhe në Gjermani dhe Itali. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Kosovë si pedagog dhe themelues I shkollës së grafikës dhe si piktor.

Ekspozita “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, u hap në nder të 90 vjetorit të lindjes së tij, me 25 veprat nga koleksioni privat i Sead Gjokaj, i cili është edhe familjar i artistit. Secila vepër mbante të shënuar vitin në të cilin është realizuar, duke filluar që nga viti 1961 e deri në vitin 2012.

Në fazat e hershme, ai krijonte piktura dhe grafika me tema dhe tipare narrative si piktura me figura pa identitet që ngjajnë në lodra fëmijësh, por që artisti i paraqet si të “mobilizuar” në falanga totalitare.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka shkruar se imazhet e artit të Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitet e 80ta, Gjokaj largohet nga imazhi përfaqësues për tu afruar asaj që Merleau Ponty e quante “botë e heshtur pikturale”. Në veprat e viteve të 80ta, ai i shmanget tërësisht qasjes së ”pikturimit” të ideve dhe të porosive, ndaj të cilës kishte qenë besnik për më shumë se tri dekada.

Disa prej pikturave ishin pa titull, por që nuk mungonte informacioni se kur ishin krijuar ato vepra.

“Djali me qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami” ishin disa prej pikturave që kishin të vendosura edhe datën edhe titullin.

Hapja e ekspozitës që ishte e planifikuar të bëhej në orën 19:00, filloi me një fjalim hyrës nga zëvendës drejtoresha e Galerisë, Alisa Gojani-Berisha duke falënderuar të gjithë të pranishimit që ishin politikanë, ambasadorë, artistë, profesorë e akademikë.

Fjalimin e parë nga të ftuarit e mbajti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili fillimisht u shpreh se beson se është ftuar më shumë si studiues modest i artit dhe jo patjetër si kryetar i Kuvendit dhe se rendi do të ishte të flasin fillimisht artistët dhe profesionistët por agjendat po ndërtohen ndryshe.

Ai ka folur për figurën e Gjelosh Gjokajt, duke treguar se për herë të parë pikturën e tij e ka parë në moshën 19-vjeçare, që ishte piktura “Rrëmbimi i Evropës” e vitit 1980.

“Kam qenë shumë i ri kur e kam parë pikturën e parë të Gjelosh Gjokajt, i kisha diku 19 vjet, ishte piktura ‘Rrëmbimi i Evropës’ e vitit 1980, në akuatintë. Edhe për mua ishte tronditje e madhe duke qenë se kisha hyrë të studioja pak artin botëror dhe i njihja gjigandët e pikturës botërore. Në fillim kjo pikturë m’u duk sikur të ishte e Marc Chagallit, edhe kur e kuptova që është e Gjeloshit thash më vete edhe ne e paskemi Chagallin tonë”, ka thënë Konjufca.

Pas tij, fjalën e ka marrë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili tha se edhe pse me artistin e madh vijnë nga i njëjti vend, me të për herë të parë janë takuar në Prishtinë, në vitin 2000 si student në Prishtinë.

“Me veprën e Gjeloshit të gjithë krenohemi, por një simbolikë tjetër e cila kur më ftoi ambasadori që të jem sot në Prishtinë në saje të festimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe ditëlindjes së Gjeloshit, pranova me kënaqësi që t’i gërshetojmë ato, sepse pikërisht në këtë mënyrë mendoj se gërshetojmë shumë vlera që kemi të përbashkëta të dyja shtetet, dhe të përçojmë bashkëpunimin e mirë që ka Mali i Zi me Kosovën dhe që do të vazhdojë ta ketë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kuratori Shkëlzen Maliqi u shpreh se ka një borxh ndaj artistit Gjokaj, pasi ai vinte shpesh në Prishtinë dhe i kishte kërkuar t’ia bënte monografinë e parë por që nuk ka arritur. Ai u shpreh se i kishte mbetur merak dhe më vonë familjari i artistit dhe koleksionisti Sead Gjokaj e kishte kontaktuar për të folur për këto vepra.

Kurse në fund, ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, foli në gjuhen angleze për hir të ambasadorëve të shteteve të huaja që ishin prezent, duke u shprehur se Gjelosh Gjokaj është figura kryesore kulturore që e lidh Malin e Zi me Kosovën.

“Gjelosh Gjokaj i njohur si maestro është figura kryesore kulturore që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, është quajtur dhe Picasso i Ballkanit, dhe ekspozita do ta tregojë së përse”, ka thënë Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë.

“Me këtë ne po shënojmë ditëlindjen e artistit dhe përvjetorin e pavarësisë së Malit të Zi. Në Mal të Zi ne kemi shprehjen ‘I përjetshëm qoftë Mali i Zi’, unë do të shtoja e përjetshme qoftë miqësia e Malit të Zi me Kosovën”, ka thënë ai. 

Kurse, profesoresha e pikturës, Zake Prelvukaj, pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, tha për KultPlus se Gjelosh Gjokaj e ka pasur një ekspozitë këtu edhe më herët në vitet e 2000-ta, por ajo që është më e mira është se këtë herë është hap ekspozita për nder të 90 vjetorit të tij të lindjes.

“Jemi përpjekë ta bëjmë një ekspozitë të mirë, ma e mira ishte që për 90 vjetorin e tij. Ne e kemi bërë një bashkim me Ambasadorin e Malit të zi, me koleksionistin Suad Gjokaj që është koleksionisti më i madh i veprave të Gjelosh Gjokaj dhe na i ka sjellë të gjitha veprat. Sonte po shihet që Gjeloshi po komunikon me ne përmes veprave, edhe pse nuk është sonte me ne, dhe ai e ka bërë një mënyrë arti që do të lexohet gjithmonë ndryshe, që është një formulë matematike e artit”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ekspozita do të rri e hapur deri më 7 korrik të këtij viti./KultPlus.com

Sonte nis Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokajt

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita retrospektivë e artistit Gjelosh Gjokaj, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, të mërkurën, 15 maj në ora 19:00.

Ekspozita e cila është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./KultPlus.com

Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita retrospektivë e artistit Gjelosh Gjokaj, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, të mërkurën, 15 maj në ora 19:00.

Ekspozita e cila është organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokaj, përfshinë vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokaj, si dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024./KultPlus.com

Ekspozohen veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj

Një ekspozitë e veçantë, me veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj është çelur në qendrën COD në Tiranë. Në ceremoni mori pjesë vetë kryeministri Rama që e cilësoi këtë një moment të rrallë.

Rama tha se artisti shqiptar nga Mali i Zi ishte nga ato personazhe që jetën e tij e kishte të ndërthurur ngushtësisht me artin.

Gjelosh Gjokaj ndërroi jetë në Gjermani në vitin 2016 duke lënë gjurmë në mbarë botën me mbi 45 ekspozita personale./ KultPlus.com

Agim Salihu vlerësohet me “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj” në Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit 2022

Uranik Emini

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është mbajtur tashmë edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022, shkruan KultPlus.

Artistë të shumtë nga vendet e ndryshme si: Kosova, Polonia, Austria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Mali i Zi, paraqitën veprat e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në ceremoninë hapëse të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit, fillimisht u ndanë edhe çmimet kryesore.

“Kjo është hera e dytë që po vij në Kosovë. Bienalet janë ngjarje të rëndësishme kulturore kudo në botë, të paktën me aq sa di unë. Bienalja është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për politikën kulturore, për shkëmbimet kulturore në mbarë botën. Është nder i veçantë për mua të jem me juve këtu në Kosovë”, thotë kuratorja Beste Gürsu.

Emrat e fituesve vijojnë si më poshtë:

Arke Prekvist (Suedia);

Nehat Beqiri (Maqedoni e Veriut).

Ndërsa ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ai i cili e shpalli fituesin e çmimit “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj.

“E kam nderin e veçantë që ta ndaj çmimin kryesor të Bienales, “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj”, tha Çeku.

Çmimin “GrandPrix – Gjelosh Gjokaj” e fitoi artisti Agim Salihu.

“Faleminderit shumë. Me të vërtetë nuk e kam pritur këtë çmim pasi që unë kam qenë edhe jo zyrtarisht ndër koordinatorët me artistët e huaj. Kështu që është një nder për mua pasi që para dy viteve e kam fituar çmimin vjetor ‘Muslim Mulliqi’ nga Ministria e Kulturës. Tash ky është një çmim shumë i madh për mua dhe ia dedikoj mikut tim sepse nëse nuk do të kishte qenë Gjelosh Gjokaj, nuk do të kisha filluar të punoj fare në arte dhe grafike”, tha Salihu.

Tutje është bërë edhe hapja e kësaj ekspozite.

Përgjatë ekspozitës, Aleksandra Gieraga, artiste nga Polonia tregon për KultPlus se piktura e saj është një kombinim mes lapsit dhe fotografisë ku është munduar të paraqes “ndryshimin e realitetit”, ashtu siç edhe titullohet vepra e saj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datave 15 Qershor deri më 12 Korrik 2022.

Më poshtë KultPlus ua sjell edhe disa prej vizatimeve nga kjo ekspozitë. / KultPlus.com

Komuna e Tuzit organizon ekspozitë me vepra të piktorit me famë botërore, Gjelosh Gjokaj

Në Qendrën Kulturore Informative ‘Malësia’ – Tuz, komuna e Tuzit do të organizojë ekspozitën me vepra të piktorit me famë botërore, Gjelosh Gjokaj, përcjell KultPlus.

Ekspozita e cila do të fillojë më 30 shtator nga ora 19:00, do të mbahet në shenjë përkujtimi në rastin e pesë vjetorit të vdekjes së piktorit Gjokaj.

E pranishme për një fjalë rasti, do të jetë edhe piktorja kosovare, Zake Prelvukaj.

Ndërkaq ekspozitën do ta hapë kryetari i kësaj komune, Nik Gjeloshaj./KultPlus.com

Hapet në Tuz ekspozita e artistit të njohur Gjelosh Gjokaj

Në Tuz të Malësisë së Madhe është hapur ekspozita retrospektive e piktorit të njohur Gjelosh Gjokaj, me origjinë nga kjo anë.

Me këtë rast, në praninë e publikut, u ekspozuan një numër i konsiderueshëm i pikturave të artistit Gjelosh Gjokaj, të punuara me teknika të ndryshme, me shumë mjeshtri, bën të ditur “Zëri i Amerikës”.

Ekspozitën e organizoi fondacioni “Gjelosh Gjokaj” dhe Komuna e Tuzit.

Gjelosh Gjokaj, piktori i madh që ia rriti namin edhe Malësisë së Madhe

Në fund të tetorit të vitit 2016, një muaj pas vdekjes, Shoqata “Malësia e Madhe” në New York kishte organizuar një orë përkujtimore për piktorin nammadh, Gjelosh Gjokajn. Në atë ceremoni disa bashkatdhetarë, midis tyre edhe unë i thashë disa fjalë, rikujton ish-gazetari i “Zërit të Amerikës” e tash botues në New York, Gjekë Gjonlekaj.

Më 20 korrik, pra këtë të shtunë, në Tuz do të zhvillohet një aktivitet kulturor kushtuar këtij piktori përmasash botërore, Gjelosh Gjokajt. Në pritje të kësaj date, Koha.net sjell rikujtimin për të të Gjekë Gjonlekajt.

Malësia e Madhe është njëra prej krahinave më të njohura shqiptare, pavarësisht se kjo tokë arbërore është e ndarë përgjysmë nga fuqitë e mëdha. Shtëpia ku ka lindur piktori i njohur shqiptar Gjelosh Gjokaj është njëra prej familjeve më fisnike të Malësisë. Ky pinjoll i Shtëpisë së Baca Kurtit, lindi në Grudë, por në rini të hershme Gjeloshi dhe e gjithë familja e Dakë Lekës u vendosën në një qytet të vogël afër Novi Sadit në Vojvodinë.

Malësia e Madhe brenda dhe jashtë kufirit ka dhënë personalitete të mëdha të shkencave të ndryshme, por ka dhënë edhe tre yje ndërkombëtare të artit: Lukë Kaçën, Gjelosh Gjokën dhe Angjelin Prelocaj. Emëri Gjelosh është shumë i njohur qysh në Malësi. Kush nuk ka dëgjuar për Gjelosh Frangun dhe Gjelosh Lulin e Hotit dhe për Gjelosh Gjokën e Kastratit. Që të tre ishin trima të përmendur dhe të pashëm. Ata ishin dijetarë e gojëtarë dhe logjet e Shpellës së Frashnit, të Kronit të Traboinit, të Vitojës dhe Urës së Tërgajës nuk kishin hijeshinë dhe bukurinë pa pjesëmarrjen e tyre dhe të shumë trimave të njohur të kësaj treve. Për logjet e Malësisë ka shkruar edhe Ismail Kadare në veprën e tij “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nemuna”. Arti dhe bukuria janë pjesa mbase më e rëndësishme e kësaj treve. Familja Gjokaj kishte dhënë edhe patriotë të dalluar që kishin dhënë jetën për çështjen kombëtare. Për atdhe dashuri dhe për gjuhë e traditë shqiptare ishte helmuar studenti i përmendur Dodë Pjetër Leka, djali i axhës së Gjelosh Gjokaj dhe mësuesi i njohur i Malësisë Prenkë Puli Gjokaj. Prenkë Pulin e kishin pushkatuar forcat jugosllave në kufi se gjoja kishte bërë përpjeke për t’u arratisur në Shqipëri. Gjelosh Gjokaj mësimet fillestare i vazhdoi në Vojvodinë. Por qysh në fëmijëri kishte dëshirë të bëhej piktor. Gjeloshi tregonte se qytetarët dhe fshatarët e atij vendi kishin filluar t’i blinin vizatimet e tij, jo me të holla por me grurë ose misër. Atëhërë tregonte Gjeloshi fillova ta kuptoj se një ditë mbase mund të jetoj me këtë profesion. Pas disa vjetësh kishte kaluar në Pejë, ngase atje ishte vëllau e tij Gjeto Leka, gazetar dhe spiker shumë i njohur në Radio Prishtinë dhe më vonë i Televizionit të Kosovës. Pasi mbaroi shkollën e artit në Pejë me ndihmën e piktorit të madh të Kosovës, Muslim Mulliqit, ishte regjistruar në Akademinë e Arteve në Beograd. Pas studimeve të arteve në Beograd u kthye në Prishtinë dhe atje në bashkëpunim me piktorët e Kosovës themeluan Shkollën e Lartë Pedagogjike të Artit dhe më vonë ata hapën edhe Akademnë e Arteve në kryeqytetin e Kosovës. Për 6 vjet, sa punoi në Kosovë, krijoi vepra të mëdha të artit, sidomos të grafikës, sepse ky ishte specializuar në këtë degë gjatë studimeve në Akademinë e Beogradit. Gjelosh Gjokaj kishte bërë edhe koreografinë e filmit të njohur “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”.

Gjatë periudhës që punoi në Kosovë hapi disa ekspozita. Populli shqiptar i Kosovës e ndihmoi dhe e nderoi dhe shumica e suksesve të mëpastajshme kishin lidhje me veprimtarinë e tij në Kosovë. Në kohën kur jetonte në Kosovë, kishte hapur ekspozita nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë, në Itali dhe kishte marrë pjesë në Bienalen e Aleksandrisë. Ekspozitën e parë të Gjeloshit në Itali e kishte organizuar piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra. Gjelosh Gjokaj ishte larguar nga Prishtina për në Itali në dhjetor të vitit 1969. Ai kishte zënë vend në Romë dhe ishte pritur mirë aty nga komuniteti shqiptar i atij qyteti, por mbështetjen më të madhe ia kishte dhënë Ernest Koliqi. Për 8 muaj sa jetova në periferi të Romës, shkruan Gjonlekaj, e kisha takuar çdo javë, bile kisha punuar për të dy muaj në Porto San Giorgio një qytet i vogël afër Ankonës. Në këtë qytet kishte bërë shumë kontrata për shitjen e grafikave të tij. Në Romë u shoqërua me shumë piktorë të njohur italianë. Pas disa vitesh kaloi në Augsburg të Gjermanisë, afër Mynhenit, qytet shumë i njohur për arte. Në Augsburg dhe në qytete të tjera hapi ekspozita të suksesshme, bile edhe në Francë. Frymëzimet e krijimtarisë artistike i kishte fituar në vendlindjen e tij në Milesh. Në trojet labeate të Ilirisë, atje ku ishin përplasur qytetërimet e Perëndimit dhe të Lindjes, pavarësisht se kishin qenë qytetërime pushtuese ato kishin lënë gjurmë të thella në vendin tonë. Artistët shqiptarë kishin fuqi të mëdha për t’i lexuar ato simbole dhe gjurmë antike. Cemi dhe shkëmbinjtë përreth këtij lumi legjendar kishin qenë frymëzim për Gjeloshin. Edhe kafshët e buta shtëpiake shihen kudo në vizatimet dhe grafikat e tij. Gratë me enët e ujit në kokë dhe qengjat e grigjës së vogël kishin qenë figurat e frymëzimit. Me Gjelosh Gjokaj kam punuar e shoqëruar për katër vjet. Ai punonte natë e ditë. Ai thoshte: ”Jetoj sepse krijoj”. Mund të qëndronte pranë një pikture javë të tëra. Për dashamirët e artit krijimtaria e tij prej më shumë se 3000 veprash artistike është pasuri e jashtëzakonshme kulturore. Në vitin 1979 kishte hapur në New York një ekspozitë. Ai ishte mysafir në shtëpinë time për më shumë se një javë. Ekspozitën e tij e vizitoi një gazetare e njohur e artit e të përditshmes “The New York Times”. Gjatë kësaj vizite Gjeloshi ishte takuar edhe me tregtarin e njohur italo-amerikan të artit Leo Castello. Shumica e veprave të Gjeloshit u shitën ato ditë në New York. U largua shumë i lumtur nga Amerika. Në vitin 1990 kam bërë me Gjelosh Gjokaj një intervistë të gjatë për ‘Zërin e Amerikës’. Ai e kishte edhe humorin e zhvilluar. Në Kohën kur jetonin në Vojvodinë ata si zakonisht kishin festuar Pashkët. Për atë festë kishin shkuar në shtëpinë e tyre për darkë tre katër serbo-malazezë. Nëna e Gjeloshit kishte vënë tepsinë me mish e oriz dhe i kishte dhënë njërit prej mysafirëve një lugë të madhe për të qitur mish e oriz në pjatën e tij, por sllavi i uritur kishte qitur aq shumë mish e oriz në pjatën e tij, saqë babai i tij Daku i kishte thënë:” Gjelosh hiqja shkjaut goruzhdën prej dore se na la pa darkë”.

Muzeu i Dedë Gjo Lulit në Hot, Muzeu Artistik i Gjelosh Gjokaj në Malësi dhe Muzeu I Shtjefën Ivezaj në Lekaj e pasurojnë historinë, artin dhe etnografinë në trojet tona. Veprat e tij artistike shkëlqejnë sot nëpër muzeume e galeri artistike në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë.

Fotografi e vjetër, Gjelosh Gjokaj bashkë me Edi Ramën (FOTO)

Sot shënohet përvjetori i parë i vdekjes së artistit të madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, po gjurmët që ka lënë në artin shqiptarë vlerësohen të jenë një pasuri e madhe për këtë komb, shkruan KultPlus.

Se një marrëdhënie të mirë artistike kishte pasur Gjelosh Gjokaj me artistin shqiptar Edi Rama, tashmë kryeministër i Shqipërisë, pat treguar në statusin e vitit të kaluar vetë Edi Rama.

Kurse KultPlus ju sjellë një fotografi nga kjo miqësi, e realizuar në galerinë Schröder, Augsburg në vitin 1992. Në radhën e parë, nga e majta Schröder Galerist dhe Gjelosh Gjokaj, radha e dytë nga e majta Sami Bicaj Taki Pavlovski dhe Edi Rama./KultPlus.com

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj (FOTO)

Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë, kurse Edi Rama me rastin e vdekjes së artistit, një vit me herët pat shkruar se ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë!, shkruan KultPlus.

Një vit pa artistin e madh shqiptar Gjelosh Gjokaj, i cili pat vdekur pikërisht më 25 shtator, në një spital të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte themelues i shkollës së artit pamor – grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.
Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Diplomoi më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë. Që prej 1983 jetonte në Augsburg, Gjermani./KultPlus.com