Përmbytjet në Bangladeshin dhe Indinë verilindore bënë që më shumë se 9.5 milionë njerëz të mbeteshin të bllokuar me pak ushqim dhe ujë të pijshëm, pas disa ditësh shirash intensivë.
Stuhia e fortë ka sjellë përmbytjet më të këqija në më shumë se një shekull në disa pjesë të Bangladeshit, ku për pasojë janë regjistruar më shumë se 69 viktima.
Në disa deklarata të banorëve vendas të siguruara nga Reuters, thuhet se ishte një goditje e papritur që i la pa ushqim dhe ujë të pijshëm.
Moti ekstrem në Azinë Jugore është bërë më i shpeshtë dhe ambientalistët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës mund të çojë në katastrofa gjithnjë e më serioze.
Drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Menaxhimit të Fatkeqësive të Bangladeshit, Atiqul Haque tha se tre rrethe të tjera në pjesët veriore dhe qendrore të vendit ishin përmbytur.
“Administrata lokale së bashku me ushtrinë, marinën, policinë, personelin e zjarrfikësve dhe shërbimeve të urgjencës dhe vullnetarët janë angazhuar në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës”, tha Haque.
UNICEF po merret me një nismë ku kërkon në mënyrë urgjente sigurimin e 2.5 milionë dollarëve për të ndihmuar katër milionë njerëz, duke përfshirë 1.6 milionë fëmijë, të bllokuar nga përmbytjet në verilindje të Bangladeshit.
Në disa zona ushtria hodhi thasë me ndihma nga helikopterët për njerëzit, ndërsa thirrjet për ndihmë kanë ardhur në rritje.
Rreth 4.7 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Assam dhe afërsisht 330,000 po qëndrojnë në strehimore. / KultPlus.com