Pas Kosovës e Maqedonisë, gjenerali Clark e viziton edhe Shqipërinë

Pas vizitës në Kosovë e në Maqedoninë Veriore, gjenerali i njohur Wesley Clark ka shkuar edhe në Shqipëri.

Sot, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një fotografi në rrjetin social Twitter, ku shihet bashkë në veturë me gjeneralin Clark.

“Është shumë mirë ta fillosh ditën duke biseduar me heroin, gjeneralin Clark, burrin që ishte në krye të operacionit të NATO-s për ta çliruar Kosovën”, shkroi në postim kryetari i Tiranës.

Ndryshe, gjenerali Clark qëndroi ditë më parë në Kosovë, ku u prit me nderime të larta ushtarake nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë tjerë të lartë të vendit.

Gjatë vizitës, ai tha se është i lumtur që u kthye përsëri në Kosovë dhe se është i kënaqur që po sheh përparim dhe demokraci. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim gjeneralin e NATO-s, Clark: Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua me gjeneralin Wesley K. Clark, i cili më 1999 e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake të regjimit të Millosheviçit, përcjellë KultPlus.

Presidentja shprehu kënaqësinë për ta mirëpritur mikun e Kosovës.

“Ju simbolizoni vendosmërinë e botës demokratike për t’u vënë në mbrojtje të jetëve njerëzore, të jetëve të cilat po kërcënoheshin vetëm pse i takonin një etnie tjetër”, tha presidentja Osmani.

Sipas saj, gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të popullit të Kosovës.

“Nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme t’jua ritheksojmë mirënjohjen tonë për atë që ju bëtë për Kosovën në momentet më të vështira të historisë së saj”, tha ajo.

“Rrëfimi juaj për Kosovën duhet të vazhdojë të dëgjohet gjithandej botës”, tha presidentja Osmani.

Në anën tjetër, gjenerali Clark shprehu kënaqësinë që po rikthehet në Kosovë, aty ku mikpritja dhe mirënjohja për të janë të përhershme.

“Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës dhe këmbëngulësisë së qytetarëve të këtij vendi për ta fituar lirinë”, tha gjenerali Clark.

Ai e ritheksoi gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta përkrahë Kosovën sikur edhe deri më tani. / KultPlus.com