Era Berisha
I lindur më 18 tetor të vitit 1953, në Shtupeq të Madh, përkatësisht në Rugovë të Pejës, balerini Elez Nikçi ka vulosur gjurmët e tij nëpërmjet gjuhës së baletit. I përket brezit të parë që u kualifikua për artin mjeshtëror të baletit në Shkollës e Mesme të Baletit në Shkup, dhe si i tillë ka bartur mbi supe peshën e të qenurit solisti kryesor i baletit bartës i të gjitha roleve kryesore. Kreativ, atraktiv dhe unik në stilin e tij, 1968-ta do të bëhej viti kur ai do niste rrugëtimin e tij drejt shndërrimit në një yll, shuarja e së cilit nuk do të ndodhte asnjëherë, shkruan KultPlus.
I njohur për formën e tij prej shpate, këmbët e tij kanë arnuar role artistike nga më të ndryshmet, role këto që u bënë kryevepra gjithandej nëpër skena vendore dhe jugosllave deri në Dubrovnik, Slloveni, Novi Sad e tutje. Shfaqjet si: “Legjenda mbi ngadhënjimin“ (Armiku), “Sokoli dhe Mirusha“ (Sokoli), “Halili dhe Hajria“ (Halili), “Vallja pranverore“ (I fejuari), “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“, “Coppelia“ (Kopelius), “Era dhe Kolona“ (Armiku), “Kënga e Rexhës“ (Rexha),“Romeo dhe Xhulieta“ (Tibajli, Dali, Antoni), “Besa“ (Korbi), “Carmen“ (Torero), “Zef LushMarku“, “Don Kishoti“ (Don Kishoti), “Peter Pani“ (Kapiten Kuku), “Loja e Sizifit“, “Fyelltari“ dhe “Tranzicioni 2“, do të rrumbullakonin globin e tij që tregon për përkushtimin e pashoq e të pashlyeshëm përgjatë viteve.
Si një pishtar në një rrugë të errët, balerini Nikçi ka ngelur i pazëvendësueshëm në artin skenik. Qëndisja e tij në kujtimet e shumë njerëzve ka ndodhur krejt lehtazi. Rolet e tij kanë qenë të shkrira si qiri në secilën skenë që ka prekur, dhe kësisoj me një ndjeshmëri të lartë, ka hyrë në arkivin e baletit nacional, nëpërmjet së cilit do të mbahet mend gjatë.
Në bjeshkët e Rugovës ka hedhur hapat e tij të parë. Tokat me gropa, të larta e të rrëshqitshme duket se e kanë skalitur qysh në fëmijëri. Por, aty e ka mësuar edhe vallen, në një atmosferë kënge e vallesh diversive, dhe kësisoj ka gjetur ritmin e tij të parë, një ritëm që do ta kapërdinte për gjithë jetën. Në historinë e tij gjejmë qindra palë këpucë të shterura të cilat kanë krijuar art. Shpirti i tij artistik na del edhe në të shprehurit e tij, por më së miri e shohim në lëvizjet e trupit. Gjithçka është teatrale, e realizuar në skenë së bashku në ndërlidhje me kostumet, dizajnin skenik dhe ndriçimin. Në balet asgjë nuk krijohet instinktivisht, ngaqë trupi shkon kundër natyrës së vetë.
Në pamje, kjo degë e artit duket e bukur, marramendëse dhe e paparë. Ka një shtrirje të gjerë që rrëmben shpirtin e atij që e shikon dhe e përjeton. Kthimi i ijëve, këmbëve nga jashtë, kërcimet në ajër në sfidë me gravitetin, piruetet e shumta dhe balancimi i peshës në gishta të këmbëve, nga jashtë duken krejt të lehta, por kërkohet ushtrime e stërvitje të shumta vjeçare, për të arritur në perfeksionim. Ka edhe shumë flluska si dhe këmbë të gjakosura që bëhen pjesë konstante e jetës së një balerini/e, dhe zgjedhja e këtij udhëtimi, nuk ka tjetër çka të dëshmojë pos pasionit e dashurisë me bollëk për këtë profesion. Zgjedhja, nënkuptonte një jetesë me dhimbje të vazhdueshme e cila patjetër që me prekje të skenës, do të bëhej një jetë mbretërore, aty ku jorealja dukej e mundur.
Rrëfimi i balerinit Nikçi peshohet në të dy anët jetësore, të mirat e të këqijat. Ai ka qenë nxënës i profesoreshës së njohur, Tatjana Petkovska, e cila konsiderohet një emër i lartë në dimensionin artistik e pedagogjik. Nëpërmjet mësimeve të saj, është arritur të krijohet një brez artistësh që sipas Nikçit, kanë jetësuar gjininë e panjohur të baletit, ndër ne. Kontributi i saj i dhënë për të krijuar afërsinë me grupin e Kosovës, ka qenë kulmor.
Më 1972, balerini Nikçi me kolegët e tij që ishin pjesëtarë të asaj gjenerate, kishin në krye Ahmet Brahimajn, ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët së bashku u kthyen për t’u bërë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor. Angazhimi i tyre u bë pika kyçe për ringjalljen e skenës së baletit pas luftës në Kosovë. Kanë hasur në ngjarje të llojllojshme, në situata të vështira në punë pa kushte, e njashtu përjetuan edhe ndërhyrjet politike që çuan deri në mbyllje totale të Teatrit.
Për shfaqjen e parë që u vu në skenë nën emërtimin “Motivet kosovare” e tek ajo e fundit, për mosnënshtrimin e trupës së baletit kundrejt synimeve politike deri tek rikthimi i tyre në skenë, për trofetë e shumta, për pjesëmarrjen në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin si dhe për dëshirën që ta mbulojë amshimin e mendimeve të tij në dërrasat e teatrit, është rrëfyer balerini Elez Nikçi në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë.
KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni se si ju lindi dashuria për baletin?
Elez Nikçi: Dashuria ime ka lindur në bjeshkët e Rugovës. Bjeshka nuk është tokë e rrafshët ku këmba mëson të ecën vetëm në një ritëm. Atje, duhet përballesh më forcën e shkëmbinjve, me erërat e forta, me dimrat e mëdhenj, me rrebeshet dhe furtunat e shirave, ndërsa, një valltar – artist duhet luaj vallen për t’i përballur të gjitha këto të papritura. Kështu mendoj se ka lindur dëshira e të parëve të mi për vallen, pastaj, ajo dëshirë dhe ai pasion është shartuar dhe në mua.
KultPlus: I përkisni Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si e përshkruani këtë ndjenjë, pra që keni nisur diçka që s’ka ekzistuar më parë në Kosovë, si fushë e artit?
Elez Nikçi: Nuk përshkruhet ndjenja e asaj kohe në këtë kohë. Po të më kishit pyetur atëherë do të ju përgjigjesha në nota të sakta. Por ju s’keni qenë të lindur në atë kohë kur lindi Baleti.
Sot, ua them se ka qenë rrugëtim për të cilën i kemi shtjerr me dhjetëra e dhjetëra palë këpucë për të arrirë në këtë stad artistik ku sot qëndron Baleti i Kosovës.
KultPlus: Së bashku me kolegët, keni ringjallur skenën e baletit. Nëpër çfarë rrethana, situata e momente keni kaluar, për të arritur aty ku keni pas dëshirë?
Elez Nikçi: Të llojllojshme ishin, situata të mira, shfaqje të pranueshme, të qëndrueshme, të vyeshme për kohën dhe për situatën. Ndërsa situatat e vështira në punë pa kushte, situatat dhe ndërhyrjet politike deri në mbyllje totale të Teatrit nuk do dëshiroja fare që t’i potencoja, meqë ato janë të ditura.
KultPlus: Shkupi u përzgjedh si qyteti më i duhur për të studiuar ngaqë qe më afër Beogradit. Pse ndodhi kjo?
Elez Nikçi: Shkupi ishte afër dhe kishte mundësi reale, sikundër që, dikush nga administrata e Kosovës e përcaktoj si lokacion studimor Shkupin, në marrëveshje me administratën e tyre meqë ishim brenda gjeografisë së përbashkët të ish Jugosllavisë.
KultPlus: A mund të na shpalosni se si ka ecur edukimi juaj me profesoreshën e njohur Tatjana Petkovska?
Elez Nikçi: Ishte dhe ngelet emër kult në dimensionin artistik dhe në atë pedagogjik.
Ka krijuar një brez artistësh të cilët e jetësuan këtë gjini të panjohur ndër ne. Asaj i jemi mirënjohës për kontributin e dhënë dhe për afërsinë e krijuar me grupin e Kosovës.
KultPlus: “Motivet kosovare”, ka qenë shfaqja juaj e parë. Çfarë mbresa i keni lënë publikut të asaj kohe?
Elez Nikçi: Kanë shkruar për secilën pjesë artistike. Jemi vlerësuar prej strukturës së kritikës.
Janë në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, të gjitha gazetat që dëshmojnë dhe dëftojnë se kush ishim ne në skenë dhe në këtë shfaqje që ju e potenconi. Më kanë veçuar vazhdimisht mua dhe kolegët e mi. Kemi qenë unik në proces të punës andaj them se kemi arritur diçka të një rëndësie kapitale, konsideroj.
KultPlus: “Sokoli dhe Mirusha”, “Këngën e Rexhës”, “Kush e Solli Doruntinën”, “Halili dhe Hajrija”, janë disa nga shfaqjet ku ishit edhe ju pjesë. Na tregoni më shumë rreth këtyre shfaqjeve.
Elez Nikçi: Kompozitorët dhe koreografët janë ata që meritojnë të veçohen, të përmenden, të falënderohen nga ne dhe nga njerëzit që kanë përfaqësuar kulturën dhe politikën.
Janë ngjarje që kanë krijuar megjithatë një epokë të rëndësishme për kohën që po flasim.
KultPlus: Gjatë fundit të viteve ’80 balerinët u dëbuan nga Teatri. Si e pritët këtë vendim?
Elez Nikçi: Qëllimi ishte që të zhbëhej kultura, ndërsa, synimi i tyre ishte i përmasave të luftës së dytë botërore, luftë për territor dhe për rivendosje të popullsisë.
Ne u dëbuam ngaqë nuk pranuam që të nënshtroheshim. Por, më mirë që dolëm nga skena, ndryshe do të mbeteshim banorë nëpër stacione të trenave të Evropës.
KultPlus: A ju shuan shpresat që ju nuk do të performonit më asnjëherë në skenë?
Elez Nikçi: Ishte e vështirë ndarja nga skena. Ishte sikur të ndaheshim nga familja, nga fëmijët dhe nga brezi im. Por, shpresë kishim që nuk do të shuheshim. Akoma përtej kishim besim të fortë se do të riktheheshim. Dhe kjo ndodhi – u rikthyem!
KultPlus: Keni menduar ndonjëherë që të hiqni dorë së luftuari për krijimin e baletit kosovar?
Elez Nikçi: Jo, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend që të dëboj vetveten nga shpirti im. Baleti është shpirti, ndjenja, lëkura e skenës dhe vizionit tim artistik. Andaj, e veçoj skenën si të pandarë me mua. Ndërsa, me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim.
KultPlus: Si gjetët forcën që së bashku me koreografin e ndjerë Ahmet Brahimaj, të rindërtoni skenën e baletit kosovar?
Elez Nikçi: Kemi bashkërenduar me të në mënyrë perfekte. E kam mbështetur në kohën e duhur dhe të nevojshme kur është dashur që ta rikthenim baletin në kondicion të mirë skenik. Ai u kthye nga Kanadaja, ndërsa unë isha duke punuar në presidencë. Ai ka vazhduar punën suksesshëm si drejtor deri në pensionim, ndërsa unë isha pjesë e pandashme e rrugëtimit artistik. Dhe ja arritëm!
KultPlus: “Fyelltari”, është shfaqja juaj e fundit. Por realisht, cilat ishin ndryshimet që keni hasur pas disa vitesh mungesë?
Elez Nikçi: S’ka ndryshime për Baletin.
Në Balet ka një moshë rinore kur je i pari në hezin skenik – je solist dhe personazh për vepra të mëdha. Ndërsa, koha vetvetiu pastaj të ‘eliminon’, po flas për moshën të cilën nuk mund ta ndalim.
Pra, ne arritëm në një moshë kur krijuam brezin e ri që janë pasardhës të misionit dhe vizionit tonë. Ne u pensionuam, por ishim prapë aty pari. Jemi dhe sot me Baletin. Më ftojnë, më respektojnë, jemi familje e madhe, konsideroj.
KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?
Elez Nikçi: Ne s’kemi bërë gabime në sendërtimin e qëllimit tonë. Kemi punuar mirë dhe kemi krijuar gjëra të mira dhe të rëndësishme për kohën. Jemi vlerësuar me çmime dhe trofe nëpër rajon dhe në vende tjera.
Vetëm një gjë që më ngelet peng në jetë është hapësira skenike (ngrehina, shtëpia) për Baletin, e që nuk është ndërtuar akoma.
KultPlus: Ishit pjesëmarrës në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin. Si ishte kjo ndjenjë për ju?
Elez Nikçi: Ka qenë emocion i veçantë. Po flisja në emër të brezit tim. Kishte shumë pjesëmarrës. Më kujtonin kohërat tjera në një kohë dhe situatë jubilare. E veçoj këtë festë dhe këtë mbrëmje pa masë. Gjërat më të mira që ja dua familjes sime, ia dedikoj edhe Baletit të Kosovës.
KultPlus: BKK nuk ka akoma një shtëpi të veten. Si e vlerësoni ju punën e MKRS-së për këtë fushë arti?
Elez Nikçi: Uroj që do ta ndërtojnë ndërtesën e Teatrit të Baletit.
Megjithëse, kam dyshimet e mia personale për faktin që është mbyllur TKK pa u bërë asnjë zgjedhje konkrete dhe alternative për Baletin e Kosovës. Akoma asnjë tullë askush nuk e ka vënë në TKK deri më sot. Viti shkoj. Çfarë është kjo punë unë se kuptoj. Ka afërsisht 1 vit që është mbyllur pa filluar asnjë hap konkret në renovimin e Teatrit. / KultPlus.com