40-vjet nga vdekja e gjeniut shqiptar, Gjon Mili

Ky shkrim homazh në rastin e 40-vjetorit të vdekjes së fotografit shqiptar me famë botërore, Gjon Mili është një rast i mirë që lexuesit shqiptar t’ia rikujtojmë se kush ishte “Gjeniu shqiptar” që me artin e tij fotografik mrekulloi emra të mëdhenjë të artit dhe kulturës botërore siç ishin Pablo Picasso, Sean O’Casy, Pablo Casals, Sofia Loren, Marlon Brando, Frenk Sinatra, Robert Cappa, Henri Cartier-Bresson, Arthur Rubinstein, Duke Elington, Alfred Hitchcock, Anri Mattise, John Coltrane, Jean-Paul Sartre, Eugène Ionesco e shumë të tjerë, si dhe të hedhim një vështrim tek disa gazeta e revista amerikane që publikuan lajmin për vdekjen e tij…

Gjeniu shqiptar ndrroi jetë në Ditën e Shën Valentinit,me 14 shkurt të vitit 1984.

Shkruan: Fahredin Spahija

Mili u lind më 28 nëntor 1904, në Korçë, nga prindërit Vasil Mili dhe Viktori Çekani. Me ndihmën e dajës së tij, Koço Çekani, si 18 vjeçar emigron në Amerikë. Daja e ndihmon financiarisht, derisa nuk i mbaron studimet në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit. Në këtë universitet prestigjioz ishte ndër studentët më të dalluar, për çka rekomandohet të fillonte punën si inxhinier në kompaninë e famshme të prodhimeve të mjeteve ndriçuese, Westinghous Lamp Company. Për dhjetë vjet sa punojë në këtë kompani, do të vlerësohet si një nga punëtorët më të zotët dhe më inventivë.

Në vitin 1937 Mili do të njihet me profesorin Harold E. Edgerton – njeriun i cili zbuloi flashin elektronik dhe atë stroboskopik. Mes tyre nis një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë, që do të shtyjë Milin të kombinojë elektronikën më fotografinë. Në vitin 1938, falë kësaj miqësie – dhe pas sugjerimit të Edgertonit për t’a krijuar një portfolio me fotografi stroboskopike – fotografi shqiptar fillon punën në revistën e famshme amerikane LIFE.

Fal punës kreative dhe novative, Mili shpejtë do të bëhet fotografi më i dalluar jo vetëm në LIFE, por edhe në komunitetin artistik amerikan dhe evropian. Kështu, në vitin 1949, gjatë realizimit të një reportazhi për artistët pamorë më të mëdhenj të shekullit XX, Gjon Mili takon Pablo Picasson në shtëpinë e tij në rivierën franceze. Aty ai realizon një varg fotografish me teknikën e tij origjinale, ku më e famshmja mbetet ajo që do të quhet: “Picasso duke vizatuar Kentaurin me dritë”. Një vit më vonë, në janar të vitit 1950, koleksioni i fotografive me Picasson ekspozohet në Muzeun e famshëm të New Yorkut, MoMA, ku do të përcillet me kërshëri të jashtëzakonshme si nga kritika ashtu edhe nga publiku amerikan.

Në vitin 1966, Gjon Mili përjeton një tragjedi: shkaku i instalimit të vjetër të rrymës elektrike, studion e tij në Rrugën 23 të New Yorkut e kaplojnë flakët e pakontrolluara, të cilat ia shkatërrojnë dy të tretat e materialeve të vlefshme (fotografi, negativë, dokumente e letërkëmbime të rëndësishme). Gjatë përpjekjes për ta shuar zjarrin e madh në studion e tij, vdesin 12 zjarrfikës.

Gjatë karrierës mbi 45-vjeçare artistike, Mili realizoi edhe disa filma të shkurtër artistikë, nga të cilët duhet të veçohet ai kushtuar xhaz muzikantëve të mëdhenj të kohës, “Jammin’ the Blues”. Shkaku i vlerave artistike dhe risive regjisoriale, ky film u nominua për çmimin Oscar në edicionin e vitit 1944.

Për veprën fotografikë të Gjon Milit janë botuar tre libra. Në vitin 1960 botohet libri “The Magic of Opera” – libër i panjohur deri tani për opinionin shqiptar, që i kushtohet historikut të Operës Metropolitane. Tri të katërtat e këtij libri janë të ilustruara me 68 fotografi të Milit, nga të cilat duhet të veçohet ajo e divës së operës botërore, Maria Callas. Tekstin e librit e ka shkruar kritikja e teatrit dhe muzikës, Mary Ellis Peltz.

Në vitin 1970 botohet libri “Picasso’s third dimension”, i redaktuar nga vet Gjon Mili, ku përfshihen fotografitë e realizuar nga dy vizitat – më 1949 dhe më 1967 – që ia ka bërë piktorit më të madh të shekullit XX. Libri përfshinë serinë e fotografive të “vizatimit me dritë”, disa portrete – në mesin e të cilëve është ajo emblematikja, e Picassos me lulen e kuqe në vesh – si dhe fotografitë e dhjetëra veprave artistike që piktori i kishte në atelienë e tij. Teksti shpjegues i Milit karakterizohet nga një stil i rrjedhshëm dhe lehtë i kuptueshëm.

Në vitin 1980 botohet vepra “Gjon Mili-Photographs & Recollections”, që mund të konsiderohet si libër monografik i gjeniut shqiptar, i botuar tërësisht nën mbikëqyrjen e tij. Në tekstin e shkruar nga vet Mili, shpjegohet rrugëtimi i tij krijues – qysh nga fotografia e tij e parë artistikë e realizuar në vitin 1931 (portreti i çelistes Margaret Aue), si dhe porosia e parë e bërë nga revista LIFE në vitin 1938 (ku portretizohet kampioni i tenisit në SHBA, Bobby Riggs).

Qysh në fillim të tekstit të kësaj monografie, Mili përmend shoqërimin e tij me Faik Konicën, për të cilin thotë se “ishte një shok i moshuar shqiptar; një shkrimtar i shkëlqyer; një humanist dhe një intelektual i mprehtë. Konica ka marrë mundin për të zgjeruar interesimin tim për artet, sidomos për filmat, të cilët i pëlqente dhe i konsideronte si një formë artistike më rëndësi…”, ka shkruar ai.

Shoqërimi i Milit me Konicën i ka fillet tek Federata Panshqiptare “Vatra” (e themeluar në Boston, në vitin 1911 nga Fan Noli), të cilën Gjoni i sapoardhur në New York, e vizitonte shpesh. “Vatra” për te u bë nji “strehë shqiptare” në Amerikën krejtësisht të panjohur për te, si dhe një mundësi për të krijuar miqësi me shqiptarët që mblidheshin rreth saj si dhe rreth gazetës “Dielli”që ishte organ zyrtar i saj. Sipas Dalip Grecës një ish-botues dhe redaktor i gazetës “Dielli”, Gjon Mili pas arritjes në Amerikë e fliste shqipen me vështirësi dhe ishte pikërisht, lidhja e tij me “Vatrën”, ajo që atij ia mundësoi mësimin e shqipes së folur por edhe të shkruar, të cilën Mili shumë intelegjent, në dekadën e parë të jetës së tij në “tokën e ëndrrave”, e përdori për të shkruar shumë artikuj lidhur me aktivitetet politike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës por në raste të caktuara edhe të përkthente tregime nga gjuha rumune, në shqip.

Gazeta “Dielli” e datës 25 maj 1928 jep këtë shënim të redaksisë për Gjon Milin: “Zoti Gjon Mili ish-arkëtar i Vatrës, i rritur në Rumani, kur erdhi në Amerikë, nja pesë vjet të shkuara, nuk e dinte mirë shqipen. Po të marrim atë gjë në sy, do të shohim nga përralla e përkthyer se përparimi që ka bërë me shqipen është me të vërtetë për të vënë re”. Z. Greca na jep edhe një detaj tepër interesant që tregon lidhjen e fortë të Milit me Federatën “Vatra” dhe përkrahjen financiare që ai ia jep asaj herë pas here. Vetëm në vitin 1928 gjatë një fushate për ta ndihmuar këtë shoqatë të rëndësishme shqiptare, Mili i dhuron 2,500 dollarë të cilat nëse përllogariten me kursin e sotëm të valutës amerikane, na del shuma prej 120,000 dollarësh! “Ka shënuar rekord, askush nuk ka dhuruar sa ai. E konfirmon këtë fakt dokumenti që ndodhet në arkivin e Vatrës. Gjon Mili kishte kryer edhe detyrën e arkëtarit të Vatrës. E vërteton këtë fakt një urim që botoi Dielli në numrin e marsit 1930, përmes të cilit mësojmë se Mili ishte në Boston, pas një problemi shëndetësor,që e kaloi. Pas shtrimit në spital gjithçka shkoi mirë. Në fakt edhe në një numër të mëparshëm, atë të 7 Marsit, Dielli e njoftonte shtrimin në spital të Milit, ndërsa numri i 11 marsit 1930 i uronte shërim të plotë ish arkëtarit të Vatrës. Derisa publikohen këto lajme rreth tij, kuptohet se që në atë kohë ai ishte një personalitet që përbënte lajm. Saktësojmë se Gjon Mili nuk ka qenë kryetar as i ndonjë dege të Vatrës, as i qendrës, siç kanë përcjellë informacione të pasakta disa shkrime, apo intervista. Ai ka luajtur disa herë rolin e Chairman-it në kuvendet e degës nr. 42, por kjo nuk do të thotë se ai kryente funksionin e kryetarit,-Chairmani kishte mandat vetëm për Kuvendin.

Rasti i Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se Gazeta “Dielli” ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare…”, thuhet në shkrimin e Dalip Grecës të botuar në gazetën “Dielli”, me 02 mars të vitit 2015 i cili ma tutje na jep edhe të dhëna për vdekjen e Milit: “Mjeshtri u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, veçanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar disa dekada për revistën e njohur”LIFE”, bashkëpunim që e kishte nisë që më 1937 dhe përfundoi në fund të jetës më 1984. Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhattan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së Nju Jork-ut dhe zëvendës/kryetare e Federatës Vatra, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, e cila ishte një nga shqiptaret e pakta që nuk i ishte ndarë deri në çastet e fundit të jetës.” Sipas një deklarate që ish-Nënkryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Sergio Bitici i kishte dhënë gazetës “Dielli” pas ceremonisë mortore të Gjon Milit, del se në funeral kishin mar pjesë vetëm tre shqiptarë: veç atij edhe mikja besnike e fotografit, zonja Nexhmije Zajmi dhe Tonin Mirakaj, patriot i dalluar dhe një kohë edhe kryetar i Federatës!

Nëse për shqiptarët indiferentë dhe shpesh të pakuptueshëm, nuk ishte bërë bujë e madhe rreth vdekjes së shqiptarit më me nam në Amerikë dhe Europë, tepër mbresëlënëse janë reagimet e ditores njujorkeze “The New York Times” dhe revistës mujore “Popular Photography” që konsiderohej më e specializuara dhe më e madhja për fotografinë amerikane dhe botërore. 

Dy ditë pas funeralit të Gjon Milit (16.02.1984), gazeta “The New York Times” boton shkrimin e William. R. Greer me titullin “Gjon Mili, Life Magazine Photographer, dies” ku veç arsyeve dhe vendit të vdekjes dhe të dhënave për ceremonin mortore të fotografit shqiptar, jepen të dhënat kryesore që identifikojnë aktivitetin dhe artin fotografik të Gjon Milit.

“Z. Mili, një bashkëpunëtor për një kohë të gjatë në revistën Life, filloi të përdorte blicin elektronik në vitin 1937. Me të, ai ngrinte një moment veprimi në një fotografi ose, me një seri të shpejtë shkrepjesh të njëpasnjëshme, bënte një studim-frize të fazave të njëpasnjëshme të të njëjtin veprim.

Pikërisht me një teknikë të tillë, të quajtura fotografi stroboskopike, ai e krijoi versionin e tij të pikturës së Duchamps “Nude Descending a Staircase”…
Tutje nuk lihet pa u përmendur edhe fotografia ikonike e Milit që tregon gjeniun Picasso duke vizatuar me një llambë drite një kentaur, e që gazetari e quan “The Definitive Picture”.

Revista amerikane “Popular Photography” në edicionin e saj të muajit korrik të vitit 1984), vdekjes së Gjon Milit ia kushton editorialin e saj të shkruar nga një mik i vjetër i fotografit shqiptar, editori, shkrimtari dhe fotografi Arthur Goldsmith i cili veç tjerash jep të dhëna për karakterin e “gjeniut shqiptar” dhe shpjegon relacionin miqësor me të cilin jo çdo herë shkonin gjërat lehtë. “Mili ishte një personalitet jashtëzakonisht individualist, i flaktë, i zjarrtë dhe rast i rëndë për t’u përballur edhe për miqtë dhe admiruesit e tij të shumtë, por ishte më bujar me ata që i pëlqenin. Ai dhe unë patëm një grindje që lindi nga arsyet më të parëndësishme personale dhe nuk folëm për më shumë se një dekadë. Pastaj, në një ceremoni, iu afrova për të thyer akullin dhe dita tjetër na gjeti së bashku. Ai më tha atë natë se nuk mendonte se isha njeriu që shkruaja më së miri për fotografi dhe se gjatë atyre viteve sa nuk kishim folur, ai kishte lexuar gjithçka që kisha shkruar.

Epo, ndoshta e gjithë kjo nuk ishte fjalë për fjalë e vërtetë, por mund ta imagjinoni se si u ndjeva, dhe isha i lumtur që në dekadën e fundit marrëdhënia jonë ishte aq e përzemërt.”, shkruan Goldsmith.

“Mili pati një ekspozitë mbresëlënëse retrospektive në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë në Nju Jork (1980), të cilën Harvey Fondiller e prezantoi me entuziazëm në POP PHOTO (Popular Photography v.j.)… Më vjen mirë që ndodhi kur ai ishte ende në gjendje të mirë shëndetësore për ta shijuar atë. Ai, së bashku me Edgerton, do të zbarkojnë në historinë e fotografisë në një nivel me Eadweard Muybridge si zgjërues të përceptimit vizual njerëzor.”, vazhdon ai.

Arthur Goldsmith përshkruan edhe trajektoren e suksesit të Gjon Milit që nga mbëritja e tij në New York.

“Gjon Mili 79 vjeç, vdiq nga pneumonia me14 shkurt 1984. Me origjinë shqiptare, ai erdhi në SHBA në vitin 1923 për të studiuar inxhinierinë elektrike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Pas diplomimit, ai punoi për 10 vitet e ardhshme si inxhinier ndriçimi për General Electric (Westinghaus) ndërsa ndoqi fotografinë si hobi. Në vitin 1937, ai takoi prof. Harold Edgerton, njeriun që zhvilloi flashin elektronik dhe filloi një bashkëpunim të gjatë që i mundësoi Milit të kombinonte elektronikën dhe fotografinë. Nëpërmjet atij kombinimi, bota e fotografisë u transformua dhe vizioni njerëzor u zgjerua. Duke bashkuar ekspertizën e tij elektronike të teknologjisë së lartë me ndjeshmërinë estetike dhe fuqinë e personalitetit të tij, Mili përfundoi një punë të mahnitshme: imazhe tani të marra si të mirëqena, por që fillimisht konsideroheshin shpesh si të falsifikuara, sepse nuk ishin parë kurrë më parë. Ato varionin nga pjesë milisekondëshe të kohës, një predhë 37 mm e ngrirë që lëvizte me një shpejtësi prej afro 3000 këmbë (afërsisht 1000 metra v.j.) për sekondë, te pamjet stroboskopike në skenat e kërcimit të vallëtarëve dhe fotografia e Pikasos duke vizatuar me një laps-llambë (vizatim me dritë v.j.). Edhe pse asnjëherë nuk ishte pjesë e stafit të Life, Mili ishte i shumë i lidhur me të. Life riprodhoi shumë imazhe të tij mahnitëse dhe e mbështeti atë pasi Studio e tij në Union Square (një studio e njohur fotografike) u dogj në vitin 1966.”

Në fund të këtij shkrimi përkujtues për këtë figurë të jashtëzakonshme që në rrafshin ndërkombëtar e lartësoi emrin e shqiptarit për 60 vjet pa ndërprerje dhe në rrafshin kombëtar dha kontributin e tij të padiskutueshëm intelektual dhe financiar, në forcimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, në mënyrë që kjo shoqëri ta lunate rolin e saj të padiskutueshëm në promovimin e kulturës dhe politikës shqiptare në periudhën kruciale për ekzistencën e shtetit shqiptar që sulmohej pandërprerë nga fqinjët e tij hijena, që tentonin zhbërjen e asaj që u themelua me 28 Nëntor të vitit 1912, shqiptarët (shoqëritë dhe politika në Shqipëri e Kosovë) akoma nuk e vlerësojnë si dhe sa duhet! Gjon Mili e ka merituar që në Korçë, Tiranë dhe në Prishtinë t’i ngritet një bust apo shtatore në ndonjë nga parqet apo sheshet e tyre në mënyrë që ata që e vlerësojnë jetën e veprën e tij madhore, ta kenë një vend ku do ta nderojnë ate qoftë me një lule të freskët!/KultPlus.com

Katër vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

Sot bëhen katër prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, ndërroi jetë. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.

Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”.

Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.

Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.

Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.

Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni. / KultPlus.com

14 marsi ditëlindja e gjeniut që hyri gjithmonë në histori, Albert Ajnshtajnit

Albert Ajnshtajn lindi në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje, e bënte atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Ai u nderua me Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com

Historia e gjeniut Stephen Hawking dhe gruas që e mbajti gjallë

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëtve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.

Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.

Në vitin 1988 botoi ​​librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawkings u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta./filozofia.al / KultPlus.com

Nikola Tesla, gjeniu i shkencës që vdiq në mjerim në qilarin e një hoteli në New York

Më 7 janar 1943, Nikola Tesla u shua në qilarin e hotelit ‘New Yorker’ në New York, SHBA, në kushte aspak të denja për një personalitet të rëndësishëm të shkencës.

Duke mos i dhënë kurrë rëndësi gjendjes së tij financiare, Tesla vdiq i varfër e i harruar në moshën 86 vjeçare. Në vitet e fundit të jetës së tij Nikola Tesla nderohej si një shkencetar i çmendur dhe u bë i njohur për pohime të habitshme mbi zhvillime të mundshme shkencore si p.sh. “përçuarja e energjisë pa tela” .

Imagjinoni një botë pa kabllo, ku kompjuterët, televizorët dhe pajisjet elektro-shtëpiake mund të funksionojnë pa fijet përcjellëse të energjisë, ravijëzoni një botë së cilës i rrethvjen një valë elektrike që sjell energji ashtu siç dielli sjell dritë. Fantashkencë! E pabesueshme! Në një botë skeptikësh do të ishte një emigrant nga Kroacia që do të guxonte të pohonte shkencërisht se kjo është e mundur. Atëherë kur energjia elektrike sapo kishte hedhur hapin e magjishëm të ndryshimit të botës, Nikola Tesla, ky shkencëtar propozoi një revolucion wireless, një të sotme të paimagjinueshme.

Askush nuk do ta besonte se një supergjeni si ai do të shuhej tragjikishit i kapluar prej vetmisë dhe i brejtur prej mjerimit, megjithëse ai ishte zotëruesi i 700 shpikjeve që revolucionarizuan elektromekanikën dhe hodhën një hap gjigand në fushën e valëve elektrike.

Ai ishte zotëruesi i 9 gjuhëve, ishte një shpikës, fizikant, inxhinier mekanik dhe inxhinier elektrik. Tesla njihet si ndër shkencëtarët më të përkryer të fundshekullit XIX-të dhe fillimshekullit XX-të. Mbamendet gjithashtu dhe si një shtysë e rëndësisë prioritare i teknologjisë moderne. Patentat e tija dhe punët teorike formojnë bazën e sistemit të fuqisë së rrymës elektrike shndërruese, duke përfshirë sistemin e fuqisë shpërndarëse shumëfazore dhe motorët elektrikë, me të cilët ai ndihmoi në Revolucionin e Dytë Industrial.

Nikola Tesla lindi më 10 korrik 1856, në Smiljan të Kroacisë, në atë kohë pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, dhe pasi mbaroi Institutin Politeknik në Raz të Austrisë, u diplomua në Pragë.

Ai e filloi karrierën duke punuar fillimisht si inxhinier elektrik në Budapest, në vitin 1881 dhe dy vjet më vonë u zhvendos në Paris duke punuar për shpikësin e madh të atyre kohërave, Edison në një prej filialeve të “Continental Edison Company”.

Në vitin 1883, Tesla demonstroi për herë të parë në Strasburg prototipin e motorit me induksion, por rrethi i shkencëtarëve europianë në atë kohë ishte tepër radikal për të kuptuar idetë e tij.

Duke parë këtë fakt, në vitin 1884 Tesla pranon të punojë për Thomas Edison në New York, me një rekomandim për Edisonin nga shkencëtari i madh i asaj kohe, Charles Batchelor i cili i shkruante Edisonit: “Unë njoh dy njerëz të mëdhenj në këtë botë, njëri je ti, ndërsa tjetri është ky djalosh”.

Nikola filloi të punonte në laboratorët e Edisonit në New Jersey, por shumë shpejt lindën divergjencat nga idetë brilante të Tesles, të cilat Edison i shihte shumë të rrezikshme për biznesin e vet.

Në atë kohë, ai pak rrjet elektrik që ishte ngritur ishte bazuar mbi rrymën e vazhduar dhe kishte shumë kufizime, ku më kryesorja ishte kufizimi në distancë i transportimit të energjisë, i cili ishte vetëm 3 km dhe për të transportuar këtë energji përdoreshin kabllo përcjellëse të trasha dhe rigjeneratorë të energjisë.

Në këtë moment, Tesla mbështetet për eksperimentet e tij nga bankieri i famshëm i asaj kohe, Morgan. Tesla arrin që më 1888, duke pasur si bazë teorinë e tij për fushën magnetike rrotulluese, të marrë patentën për gjeneratorin polifazë të rrymës alternative si dhe për të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të rrymës alternative për transformimin, transportin, shpërndarjen dhe përdorimin e saj.

Në vitin 1895 bëhet realitet ëndrra e Nikolës për të shfrytëzuar energjinë mekanike të ujit të ujëvarës së Niagarës për të prodhuar energji elektrike, duke ndërtuar hidrocentralin e parë në botë. Motorët elektrikë, të bazuar mbi teorinë e Teslës, pushtuan globin. Edhe në ditët tona, të gjitha makineritë elektrike bazohen mbi teorinë e këtij gjeniu. Motori me induksion elektrik i Tesles është klasifikuar si një nga 10 shpikjet më të mëdha të njerëzimit.

Nikola Tesla nuk u mjaftua vetëm me shpikjet e sistemit të rrymës alternative i cili ndryshoi mënyrën e jetesës në botë, por atij i dedikojmë edhe shpikje të tjera, si drita fluoreshente, llamba me gaz neon, komunikimet valore, sistemet valore të transmetimit të energjisë, rrezet lazer, telekomandat, shpikjet e para në robotike etj. Ai gjatë gjithë jetës regjistroi rreth 700 patenta shpikjesh në të gjithë botën dhe hodhi idetë e para në përdorimin e energjisë diellore dhe asaj detare.

Shumë koncepte të Nikola Tesles akoma janë të pazbërthyera dhe të pakuptueshme për botën e shkencëtarëve. Në vitin 1896 Nikola Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do të merrte patentën, por Tesla me gjenialitetin e tij, që e bënte në shumë raste edhe një njeri kapriçoz dhe të “çmendur”, asnjëherë nuk pretendoi pronësinë e kësaj shpikjeje.

Po në këtë vit, 1896, Tesla botoi edhe një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markoni. Gjithashtu, po këtë vit ai shpiku edhe anën tjetër të komunikimit valor, aparatin marrës dhe arriti që për herë të parë të transmetonte dhe të merrte një sinjal pa fije.

Në vitin 1901, me ndihmën e Morganit Tesla ndërton “Wardenclyffe”, laboratorin e tij të ri ku ndërtoi edhe kullën e tij të famshme, e cila ishte e lartë rreth 60 metë dhe kishte një kupolë në majë të saj me diametër 21 metër që do të ishte transmetuesi i parë në botë i energjisë pa fije dhe stacioni i parë broadcast i valëve elektromagnetike. Pikërisht këtu fillon dhe “çmenduria” e Tesles.

Ai kërkonte që me anë të shpikjes se tij të transmetonte energji valore në të gjithë botën, duke furnizuar kështu me energji anijet në det të hapur, të furnizonte trenat, industrinë dhe shtëpitë e njerëzve, duke arritur deri aty sa të komentonte se shpikja e tij mund të përdorej edhe për komunikimet jashtëtokësore.

Pikërisht këtu lind mosmarrëveshja e tij me Morganin, i cili i ndërpret fondet Tesles për kërkimet e tij. Në vitin 1917, kulla e famshme e cila u përdor për qindra eksperimente të Tesles do të shkatërrohet nën pretekstin e sigurisë kombëtare; ishte koha e Luftës së Parë Botërore.

Tesla kërkonte që të transmetonte energjinë në sipërfaqen e tokës. As me anë të transmetimit të saj me valë elektromagnetike dhe duke përdorur jonosferën, por problemi qëndronte tek mjedisi i përhapjes së kësaj vale, ajri. Ajri ndikonte në humbjen e energjisë me rritjen e distancës së transmetimit të saj.

Për këtë, Tesla mendoi që të përdorte Tokën si përcjellës dhe më vonë si kapacitor të energjisë, por Toka deri në atë kohë ishte përdorur si “tokë” në teorinë e elektricitetit dhe mund të shkarkonte çdo kondensator. Por, ai hodhi idenë që mund të emetonte energji të mjaftueshme në Tokë dhe ta kthente atë në një kondensator gjigant, dhe për këtë filloi eksperimentet në kullën e tij duke përfituar nga një marrëveshje me hidrocentralin e Colorado Springs për të përdorur energji pa pagesë.

Në atë kohë, nga eksperimentet e Tesles bari përreth laboratorit të tij natën shkëlqente me drita vezulluese të kaltra, ndërsa njerëzve që ecnin aty pranë u kërcisnin hapat sikur të ecnin mbi një rërë të trashë. Në një natë vjeshte, Tesla me anë të pajisjes së tij që e quante “Transformatori i shkëlqyeshëm”, arriti të pomponte në sipërfaqen e Tokës një tension 1 milion volt. Rryma përshkoi globin me shpejtësinë e dritës dhe mbërriti në anën tjetër të tij, duke u rikthyer mbrapsht, por duke dobësuar intensitetin.

Por, Tesla në rezonancë me kthimin arrinte të pomponte përsëri rrymë, duke e forcuar valën ashtu siç bëhet me një lisharës. Fenomeni erdhi duke u forcuar dhe shkaktoi djegien e siguresave në hidrocentral, por edhe rrufe gjigante pranë laboratorit si dhe një tërmet prej rreth 5 ballë.

Në vitin 1917, Tesla ndërton një stacion i cili nëpërmjet valëve elektromagnetike zbulonte vendndodhjen precize të anijeve armike, sistem i cili do të quhej radar në Luftën e II-të Botërore.

Nikola Tesla vdiq më 7 janar 1943, në një dhomë të hotel ‘New Yorker’, ku kaloi 10 vitet e fundit të jetës së tij.

Materialet shkencore nga puna e tij u sekuestruan nga FBI dhe u cilësuan sekret shtetëror. /albertvataj/ KultPlus.com