Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.
Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.
“Së pari, theksoj se pajtimi nuk mund të ndodhë pa njohjen e krimeve dhe pa përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, parandalojnë shoqëritë nga përballja me të kaluarën e tyre kolektive, përfaqësojnë poshtërim të përsëritur të viktimave dhe të dashurve të tyre, dhe në të njëjtën kohë, zgjasin padrejtësinë dhe rrezikojnë marrëdhëniet paqësore shoqërore”, tha Inzko përmes një letre, ku ka arsyetuar vendimin e tij.
Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.
“Nëse vepra është kryer në atë mënyrë që do të mund të prishë rendin publik ose është kërcënuese, abuzive dhe ofenduese, kryesi do të dënohet me burgim në një afat jo më pak se tre vjet”, thuhet më tej në vendim.
Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.
Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.
“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.
Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi.
Dodik: Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes
Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, në një konferencë për media të premten tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.
“Republika Srpska e hedh poshtë këtë vendim. Gjenocidi nuk ndodhi në Srebrenicë. Serbët nuk duhet ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnja e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Ne do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Srpska këtë javë”, tha Dodik.
“Republika Srpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, shtoi ai. / Express / KultPlus.com