Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”.
Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj.
Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. /KultPlus.com
Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste. Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com
82 vjet më parë vdiq, dramaturgu, prozatori, publicisti, kleriku i lartë e politikani Gjergj Fishta.
Ai lindi në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 dhe vdiq më 30 dhjetor 1940.
Ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip.
Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme. Ndër botimet kryesore përmenden: “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), “Lahuta e Malcis” (1941) etj.
Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj.
Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com
AT GJERGJ FISHTA N’ AMERIKË, dhe çështja e përparimit në Shqipni.
(Dokumenti i pabotuem origjinal asht në Arkivin e Shtetit Tiranë.)
Janë tre muej që At Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shumë kush nder Shqiptarë të ktûshem, qi endé s’kanë pasë rasë me u pjekë me Tê, janë interresue të dijnë qellimin e t’ardhunit të Tij në Botën e rè – n’Amerikë.
At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e Shqiptarve.
Edhé né të redaksisë së “Diellit” na ká rá me kênë të pvetun mbi ketë çeshtje; prandej, tue u ndollë në këto ditë At Gjergj Fishta këtû në Boston: Mbasi edhè ndjesi miqsore të kahershme e njëmori idealesh kulture e perparimi e lidhin me Kryetarin e Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzen: Muerme rasen, njëditë që edhe në Redaksinë tonë, t’a pyesim familjarisht, se cili ishte qellimi, qi e kishte sjellë e prue këtû në ket dhé?
•E qe se shka na u pergjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj njëherë mâ perpara, se s’kishte kurrnjë misjon zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare: “- Po m’vjen fort mirë, na tha, që po ma lypni ketë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas edhé mbi do çeshtje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të Federatës “Vatra”.”
Fjala e At Gjergj Fishtës:
“Shqipnija, si dihet, sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve per né do t’ishte kênë teper anderr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një Parlament t’onin, një Qeveri t’onen e një Këshill të Naltë Regjencet, që pervetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ká mâ turqë në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjânë: Ká vetëm Shqiptarë të lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskânve të Shqipnisë. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndergjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue t’a kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive nder të gjitha levizjet kombtare per lirinë e Atdheut.
Endé qet avull gjaku i Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju bâ flij Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit nder kombe të qytetnueme nuk janë per këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; shka ndollë ndër shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: Por per t’i sjellë të maren popullit, tuj e bâmë me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e perparimi i një populli rrjedhin prej gjêjes së tij ekonomike e prej shkalles së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesht mirë fillit, se prej një populli të qytetnuem, posë se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të mjaftuehsme, për me dijtë me krye detyrat me ndergjegje e me perdorue tagret me kohë, me vend, me mënyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâ ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin perparimi i popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë perparimi i tij.
Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot politikisht âsht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?
Puna e tij a prodhon aq sa lypet per me jetue mirë e pa u bâ ky robi i huej ekonomikisht? N’ atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot shqiptari a âsht pernjimend i zoti të perparojë? Kur të vemë oroe, se sot per sot në Shqipni, pa kênë caktue endé kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi perjashta e me vue oroe, po tham, se në pêsë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët perpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzit, por per katër kamë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit Minister a Deputet të kombit: bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi, analfabetë gjithfarësh, mund të vênë sŷnin me u ngjitë nder zyret edhé ma të naltat e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet nder duer oficierash, qi, para këtyne dhetë vjetve kanë vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare; se nder zyre të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kanë mujtë të jenë têja, a ma mirë me thanë, rrenimi i financave të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasyshë, se edhe sot Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta purrijsh, si perpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit, due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtisë, t’indrustrisë e mbas natyret të perpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së Financave, sa per të mbajtë në kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas numurit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se populli Shqiptar s’ká as kuptimin e as ndergjegjen e vertetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká zotsinë e mjaftueshme, per me mbajtë pamvarsinë ekonomike të veten, e se prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue perparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetojë si shtet i pamvarun.
Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame Deputetit të Shkodres, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të jetojë i pamvarun?
– Un nuk e thashë ketë fjalë, na u pergjegjë; por fundi aty del.
Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot per sot kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, perposë zyrtarësh e parlamentarësh. E po, a per të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë, të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në Shqipni, mund do t’ ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz me pare: që kanë mujtë me vra bujqit per t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”; që per interresa të veta, per një “qifllik”, per një “titull”, do t’ishin gati të pshtyejnë n’Atdhé e n’ndijesitë mâ shêjta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po thom, me rroga àr këta tri a katër mijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livroj tokën, do të bâjnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të fabrikave!
Një pamvarësi këso dore mund të hyjnë në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!
Po s’perparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht, né pamvarsija s’na duhet asgjâ.
Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i Naltë e s’di shka tjeter s’mund të kenë farë kuptimit per né, déri që populli mos të vêhet n’at shêj vendit që të perparojë; janë një lojë fjalësh, per të mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé. E ndoshta, shi per ketë punë i ngrati Populli Shqyptar, megjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputetë, s’ka endé një statut, s’ka endé një formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem të mbahet per një ligjë ibride qi s’ âsht ekspresjoni i shpirtit të tij e që kurrsesi s’mund të perkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.
Por, në tjeter anë, kur të vêmë oroe ushtarët Shqiptar, të cilltë, per kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të percaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’ Europës:
Kur të vêmë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)nderlikim besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nên dishiplinë të shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati të bajnë flij per të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e fshatet e veta: kur të vênë n’oroe prap zyrtarët e rìj tonë, që edhé këta rritë me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencen e punës, por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasyshë ndigjesen e popullit, që bân, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nepër mejhana sidomos, të Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin perballë t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnijet perballë të vllazenve të vet, tue luftue per shkas t’ambicjoneve të poshtme të do zyrtarve, që janë bâ “shqiptar” qyshëse kanë dalë rrogat àr e që kanë kênë, janë e kanë me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë azjatike: pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasyshë, po thonë këto fakte, do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të jetojë i Pamvarun.
Gjallnija e shpirtit Shqiptar âsht veshkë e jo tha: e kanë veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasite në një landë, janë shartue në tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja–këto gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e Popullit Shqiptar janë të sigurueme pergjithmonë.
Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e popullit Shqiptar prej mentaliteteve të hueja, para se të na i pertrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike? E pvetem atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u pergjegjë këso dore:
– Mbas mendimit tem kishe me thânë, se puna ma e parë që do të bajnë Shqiptarët, per me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kercnohet per shkak të ndryshimit të mentaliteteve âsht ky: mos me lanë të kenë dorë në Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë t’a rrisin menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetem mbas andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ká mujtë të formoj qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit paten krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e me lakmue me u bâ robt’ e tyne.”
Shenim F.R.: Dokumenti origjinal i perket vitit 1924.
Një gjendje shumë e ngjashme me të sotmen (Dhetor 2022.)
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.
Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.
Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.
Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com
Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e mbi 100 vjet.
At Fishta duke e rikujtuar Ditën e Alfabetit të Shqipes, shkruante:
“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.
– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?
– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?
– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?
– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.
– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…
– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…
Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …
Gjergj Fishta s’ishte intelektual e shkrimtar dosido, por një hero kulturor që luftoi me të gjitha forcat intelektuale e shpirtërore për bashkimin e kulturimin e shqiptarëve, për t’iu sjellë atyre dije e dritë pas territ shekullor, rrjedhimisht për t’i orientuar kah rrezet e bukura të diellit e të lirisë, pas shumë shekujve të rëndë robëri dhe këtë e thotë në fillim të kryeveprës së tij, Lahuta e Malcis:
”Ndihmo, Zot, si m’ ké nihmue!
Pesqind vjet kishin kalue
Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní,
Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,
Frymen tue i zanun njak,
E as tue e lânë, jo, dritë me pá:
Kurr të keqen pa i a dá:
Rrihe, e mos e lên me kjá:
Me i u dhimtë, po, minit n’múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!”
Te “Lahuta e Malcis”, vepra përfaqësuese e autorit, Fishta pra e nis rrëfimin duke e futë lexuesin në hollinë e mynxyrshme të pasojave kishte lënë pushtimi osman në historinë shqiptare dhe bën një konstatim të fortë historik e dramatik.
Dhe përballë një Shqipëri të zhytur në mjerim të thellë, autori ishte i vetëdijshëm se vetëm një lëvizje e fortë kulturore dhe një analizë e mbrehtë e pasojave të rënda të sundimit të huaj, mund të shërbente si kurë shpirtërore për t’i pastruar e shëruar plagët e thella. Në këtë drejtim ai besonte se populli duhej armatosë me dije e kulturë, pra duke u vetëdijesuar e ndërgjegjegjësuar, dhe kështu mund të hynte në mesin e popujve të përparuar oksidental, ku ai aspironte ta shihte popullin e tij të këputur nga rrjedhat e këtij qytetërimi.
Në publicistikë, Fishta flet për nevojën që kombi shqiptar të pasurohet me vlera fisnike, që janë mirësia, e vërteta dhe e bukura, e të cilat shërbejnë si shtylla për ta mbajtë lart ngrehinën kombëtare, dhe në funksion të këtij ideali ai kërkon që lexuesit të njohin traditën, meqë sipas tij asgjë nuk mund të ndërtohet pa traditë.
Shqipëria e pavarur dhe ideali i lirisë u shtrinë në gjithë krijimtarinë imagjinare të Fishtës dhe morën trajtë më të qartë në fushën publike e publicistike të Fishtës, ku ai u përfshi vetë duke krijuar institucione kulturore, duke përfaqësuar shtetin e porsa krijuar që përballej me halle të mëdha, dhe në të njëjtën kohë duke luftuar për t’i bashkuar shqiptarët e çoroditur dhe të pamësuar me krijesën e re, shtetin e pavarur.
Në publicistikë e eseistikë, Fishta në formë të strukturuar, jo vetëm si krijues virtuoz, por tani si mendimtar i mbrehtë, sheston zhvillimet e kohës, i analizon dhe ato i paraqet përpara lexuesit, duke dëftuar gjithmonë me kahet e ardhshme të Shqipërisë, rrugën e drejtë që kombi i dalë prej robërisë së gjatë duhej të zgjedhte për të jetuar i lumturi e në mirëqenie. Në këtë drejtim, boshti qendror i veprës së tij publicistike lidhet me postulatin: “Tash, që âsht bâ Shqipnija, duhen përbâ shqiptarët.” E ndër ato vite të mjegullta, kjo formulë e tij u kthye në platformë të sivëllezërve të tij të mendimit e të besimit, që punuan me mish e shpirt t’i jepnin kombit shpirt e vlera fisnike, frymë kjo që e ktheu Shkodrën në kryeqendrën e kulturës shqiptare, rreth të cilës gravitonin idetë më të përparuara të kohës.
Në shkrimet publicistik të Fishtës m’i përbâ shqiptarët domethënë me krijua vepra të mendimit e të estetikës, të gjuhës e të gramatikës, të artit e të administratës. Pra, m’i përbâ shqiptarët për Fishtën veç tjerash domethënë me iu dhanë shpirt e zemër bashkëkombëseve të tij në rrugën e përparimit dhe të avancimit, në agun e qytetnimit, pas shekujve të gjatë të mjerimit nëpër të cilët ata kishin jetuar larg rrezeve të lirisë: pa shkolla, pa kulturë, pa art dhe pa traditë institucionale.
Fishta tregon në veprën e tij letrare e publicistike se ka e vajtë në shpirt sundimin osman, e ka ndierë me trishtim rrezikun e copëtimit të shtetit të ri nga fqinjët sllavë, prandaj ka bërë përpjekje madhore që ta shihte kombin e lirë dhe të konsoliduar. Dhe në agimin e lirisë, ai e ka ditë si rrallëkush se shqiptarëve nuk iu mjafton vetëm liria fizike, por parasë gjithash atyre iu duhej liria shpirtërore, lira e mendjes, që u jep krahë të lartësohen dhe të emancipohen, duke i shartuar veset e këqija, në njërën anë, dhe duke u pasuruar me vlera fisnike, në anën tjetër.
Kështu, betejën për përbâjmen e Shqipërisë ai mendon si betejë kulturore, i bindur se kultura është busulla e orientimit të një shoqërie dhe paradigma e vetme që i jep gjallëri, energji e ideale, dhe që e mban një komb të bashkuar. E në funksion të këtij ideali a e dinte si një rol të madh luante shtypi kulturor, prandaj tregoi një lidhje të fortë me periodikun dhe në vitin 1913, pra një vjet pasi ishte bâ Shqipnia, nis punës të botojë revistën “Hylli i Dritës”, përmes së cilës ai donte të ndikonte në përbâmjen e shqiptareve dhe duke treguar kahet e zhvillimit të saj.
Zef Pllumi i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave e quajti me plot të drejtë këtë revistë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.” Pra, kjo revistë duke lindë “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, ajo u bâ shenja më domethënëse e qytetërimit shqiptar dhe kulturës kombëtare.
Në errësirën e madhe që mbretëronte atëbotë kur shqiptarët e hutuar kishin dalë në rrezet e lirisë, “Hylli i Dritës” vërtet shërbeu si dritë, si yll orientues, ashtu siç ishte proklamuar në misionin e saj. Dhe shpejt rreh idesë së “Hyllit të Dritës” u bashkuan shumë dijetarë dhe patriotë të shquar që dhanë kontribut të madh në emancipimin e përgjithshëm shqiptar, kurse Fishta si drejtues i saj punoi me shpirt e mendje në misionin e përlindjes shpirtërore e kulturore të kombit.
Dihet se në rrethet intelektuale të kohës, revista “Hylli i Dritës” ka qenë një nga lidhjet më të forta që ka besuar plotësisht në një Shqipëri të pavarur, gjë të cilën e dëshmon vetë Fishta në shkrimin “Rreziku i përbrendshëm” ku shkruan: “Kur, para këtyne shtatë vjetve, na të “Hyllit të Dritës” patëm thanë në nji rasë se ka Shqypni, se do të kishte Shqypni të lirë e të pamvarme, ndokush ndër shqyptarë qeshi, tjerët mrrudhën krahët, e shumta bani se s’po ndien. Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, der shpresën e kishin djerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë kur u thamë se kishte Shqypni.”
Pra, themelimi i kësaj reviste kulturore – letrare, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, tregon lidhjen e fortë të autorit me zhvillimin shoqërore të kohës dhe dëfton kontributin e madh të françeskaneve në përlindjen shpirtërore e kulturore të kombit shqiptar. Revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të kombit, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkonte mendjet më të ndritura të kohës rreth idesë së pavarësisë kombëtare, lirisë dhe përlindjes kulturor kombëtare.
Fishta te shkrimi fantastik “Perlimi i përkoshmes” e sheston njeriun si epiqendër të shtetit, të kulturës dhe të organizmit qytetërues. Duke besuar se njeriu është i krijuar për një ideal të madh, sublim, ai thotë se “nieri nuk ndodhë pa hiri m’ket jetë, por len per nji qellim e qëllimi i tij asht t’gyuemit e fytyrës s’Tenzot në’jetë t’amshume ose lumnija e pasosun.”
Më tej, në këtë tekst, autori shenjëzon katër cilësi themelore të jetës së lumtur dhe të frytshme, që për të duhet të kthehen në parambulla të organizmit të jetës së re shqiptare: Feja, Atdhue, Gjindja dhe Dija.
Këto katër kategori, ndërthuren organikisht në krejt sistemin filozofik e publicistike të tij, duke u kthyer në katër shtylla të identitetit të shkrimit fishtjan. Për autorin, këto vegla e bëjnë njeriun të lum në këtë jetë. E duke analizuar këto komponentë shoqërore e shpirtërore, ai tregon misionin e të përkohshmes “Hylli i Dritës”, që lidhet me binomin e shtrirë në krejt letërsinë e tij, Fe e Atme dhe krejt kjo bëhet për “m’i ngjall shpresën nder zemra të shqiptarëve, se prej Hyjit dit ma të mira kanë me ju reshë Shqipnis.”
Pra, Fishta dhe françeskanët patën një program dhe këtë e shpreh autori qartësisht: “Kombi shqiptar do me u ndertue shtet m’vedi e i pamvarun, si të gjitha shtet tjera t’Europës s’qytetnume.”
Në ese e tekste të shumta të botuara në shtypin e kohës, Fishta analizon e trajton edhe probleme të artit e të politikës, të shoqërisë e historisë, të gjuhës e estetikës, të religjionit e shkencës, shkruan për shkrimtar të mëdhenj botëror si Goethe, për natyrën e artit e mbi artin, për laicizmin dhe shtetin, për Skënderbeun e shqiptarët, pra, gama e publicistikës dhe eseistikes së tij është një kryqëzim kohësh e dijesh, ku bashkohet Fishta intelektual e artist, Fishta poet e frat, Fishta politikan dhe ëndërrues i madh, Fishta hero unik kulturor dhe atdhetar i pathyeshëm, Fishta veprimtar dhe drejtues.
Vepra publicistike e Fishtës ndërlidhet ngushtë me krijimtarinë e tij letrare dhe njëfarë mënyrë bëhet pasqyrim i saj, si trajtë tjetër e shkrimit të drejtpërdrejtë. Në publicistikë, Fishta analizon, interpreton dhe shtjellon probleme të thukta të shoqërisë me një gjuhë shumë të qartë dhe duke i shestuar sfidat si autentike e universale, duke piketuar sfida dhe duke dëftuar rrugën e daljes, kështu që publicistika e tij hap shtigje të reja për lexuesit e kohës dhe me vlerat e saj shërben edhe për lexuesit e sotëm, meqë problemet që trajton autori vazhdojnë të jenë sfida edhe të kohës sonë.
Në publicistikë Fishta flet me kompetencë, gjykon me mprehtësi të thellë dhe mëson siç mëson mësues i mirë që dëshiron nxënësit t’i bëjë nesër mësues të mirë.
Fishta në publicistikë, ashtu sikurse në epikë e lirikë u dha za shqiptarëve, duke ua dëftuar rrugën e formimit historik, iu tregoi konditat për të krijuar një shtet të qëndrueshëm e të mirëqenë dhe pandërprerë u foli edhe për veset e këqija.
Ajo çka është ajri për njeriun, për shoqërinë është kultura, e një popull pa kulturë mund të ngulfatet. Ky parim fisnik te Fishta shtrihet kudo si ajri në hapësirë dhe përbën tharmin e publicistikes së tij. Sepse, ai ishte i bindur se vendit më shumë se gjithçka i duhej kulturë, i duhej që t’i njihte rrjedhat shoqërore, politike dhe ato kulturore dhe njëkohësisht e dinte mirë se shteti para se gjithash ishte një projekt thellësisht dituror, ku kultura ishte në qendër të tij dhe i mbante njerëzit të bashkuar.
Publicistika e Fishtës është shprehja më e qartë e idealeve të larta që kishte autori e lidhur me idealin e një Shqipërie të pavarësuar, e cila e dalë prej natës së zezë osmane duhej të formësohej me shpirt dhe orientim të qartë perëndimor, oskidetnal, për të mirën e përgjithshme të ngritjes së shqiptarëve, pra përlindjen e tyre.
…
Gjergj Fishta në tekstin “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Teksti i sipërpërmendur tingëllon si një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Këto shtylla ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem”.
Përvoja e njerëzimit ka treguar se këto parime për të cilat flet Fishta në një tekst më të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.
Vepra publicistike e Gjergj Fishtës në historinë e kulturës shqiptare mbetet një shtyllë e rëndësishme në ngrehinën identitare dhe hap shtigje për të kuptuar më mirë rrugëtimin tonë historik, politik e kulturor dhe njëkohësisht është një vepër që dëfton fuqishëm edhe plagët e kohës sonë.
Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë kujtesën dhe e pasurojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe përmes saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja.
(Fragment nga një tekst i Ndue Ukajt, botuar te Hylli i Dritës, Nr 2, 2021) / KultPlus.com
Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com
“Poezia, praa, si u paa, (e prandej deshtme ktû me folë pak si gjatë mii burrim t’sajë), âsht jehi i shpirtit t’nierit: pse ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kuur kndellet n’ shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kênë se shkelximi i bukurtës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetetike t’tii: t’gjith nierzt nuk e kuptojnë bukuriën si nji nji: çiltas duket se shpirti i nji popullit, njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore.”
Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, që i kushtoi 40 vjet punë.
Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”.
Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Deri më, 1899 Fishta shkruajti në alfabetin shqip të françeskanëve.,
Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin “E popullit”. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ai përdori 24 pseudonime.
Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Vdiq më, 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës./ KultPlus.com
Gjergj Fishta është e para figurë që nderoi Shqipërinë ndërkombëtarisht duke u nominuar për çmimin Nobel.
Dihet se Gjergj Fishta një personalitet i famshëm katolik shqiptar, i cili ka merita të padiskutueshme në krijimin e germave të gjuhës shqipe njëlloj si ato latine në Kongresin e Manastirit, në të cilin ishte dhe drejtuesi kryesor i Kongresit, ka edhe merita të tjera të padiskutueshme në veprat e tij nacionaliste si “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904, shkruan metro.
Gjergj Fisha është shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi, i mohuar e përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet nga regjimi komunist, emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojë-më-gojë.
Shqiptarët nuk kanë fituar ndonjëherë çmimin Nobel për letërsi. Por, gjatë historisë së tyre, kanë pasur shkrimtarë të mëdhenj, të cilët janë bërë të famshëm në botë dhe shkrimtarë që janë propozuar edhe për çmimin Nobel. Më 1937, gjermanët propozuan Gjergj Fishtën.
Nuk ka rëndësi që Fishta nuk e fitoi atë çmim. E rëndësishme është se Fishta u çmua shumë edhe nga njohësit e huaj të letërsisë dhe nga ata u propozua për çmimin Nobel.
Për çmimin Nobel për disa vjet me radhë është propozuar edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. / KultPlus.com
Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e mbi 100 vjet.
At Fishta duke e rikujtuar Ditën e Alfabetit të Shqipes, shkruante:
“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.
– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?
– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?
– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?
– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.
– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…
– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…
Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija / KultPlus.com
Studimi për imagjinatën krijuese, artistike të Gjergj Fishtës, ka për qëllim t’i ofrojë lexuesit e studiuesit të veprave të këtij krijuesi të madh, edhe këtë segment të krijimtarisë së tij, sepse, me sa di unë, ka pak shkrime e studime në letrat tona që trajtojnë imagjinatën e krijuesve, ato kreativet, të dobishmet, të domosdoshmet, të cilat janë vënë në funksion të idesë për krijimtari të gjithanshme, të dobishme, kurrsesi si qëllim për vetvete.
Duhet pasur parasysh edhe faktin se krijimtaria e Gjergj Fishtës tashmë i përket epokës së tij, shekullit të kaluar dhe ajo kundrohet në këtë aspekt, në kohën e hapësirën e tij, kjo nuk do të thotë të pushojnë gjurmimet e studimet për jetën dhe veprën e tij, sepse Fishta mbi të gjitha ishte krijues erudit, meqë për kohën e tij dispononte mendjen e eruditit, të gjeniut shqiptar të kohës.
Diapazoni mendor, krijues, i Gjergj Fishtës shtrihet gjerë e gjatë në historinë e së kaluarës shqiptare dhe ballkanike përgjithësisht, duke veçuar ngjarjet me rëndësi të së kaluarës dhe duke ndalur interesimin në historinë shqiptare të shekujve 19-20-të, në rajonin e Malësisë së Madhe dhe Shkodrën si epiqendër e botës shqiptare, qyteti i Mbretëreshës Teutë dhe i Shqipërisë veriore, i shtrirë në pashallëkun e kohës së Turqisë, në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës dhe në kohën kur shqiptarët edhe pse nën flamurin e Perandorisë jetonin në katër vilajete të Shqipërisë, të “Arnautistanit”.
Gjergj Fishta edhe pse klerik me profesion, njohës i fesë krishtere dhe i feve përgjithësisht, njohës fenomenal i botës shqiptare, turke, sllave lindore dhe krishtere perëndimore, ai mbi të gjitha mbeti një shqiptar i madh, një ideolog i shqiptarisë, një bard i vërtetë i kombit në krijimtari dhe në të gjitha fushat ku veproi e punoi.
Në këtë studim për Gjergj Fishtën, fokus i interesimit është imagjinata krijuese e tij, diapazoni i vrojtimit autentik në ngjarjet që i ka përshkruar, veçmas në “Lahutën e Malësisë”, sikur janë: intuita, pajisja me njohuri dhe aftësia në përshkrimin e realitetit faktik e dokumentar, duke e pasuruar me spektrin krijues imagjinar, artistik, jo duke emituar autorët klasikë, por duke vjelë përvojat e tyre, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë përgjithësisht krijuesit e mëdhenj. ( Ahmet Qeriqi) / KultPlus.com
Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.
“Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.
Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët mysliman , shumë klerik kanë uruar për festën e Bajramit, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. /KultPlus.com
Enigma e një fotoje të shkrepur në Shkodër nga Marubët, më 16 shkurt të vitit 1938, lidhet me një ngjarje të rrallë, historike për kulturën. Është një foto ekskluzive në “çajin e profesorëve të Gjimnazit Shkodër”. Fotoja fillimisht është publikuar para pak kohësh nga e bija e Lasgush Poradecit, nxjerrë nga arkivi i poetit, ku ruhej prej 80 vjetësh.
Historia duket e thjeshtë: Asdreni, i plakur tashmë, po vinte për një vizitë në Shqipëri, i ftuar në Shkodër nga shoqëria e arteve të bukura “Rozafat”, të cilit iu bashkua edhe Lasgush Poradeci. Për nder të kësaj vizite u organizuan tri ditë festime. Shtypi i kohës e ka pasqyruar gjerësisht këtë ngjarje, udhëtimin e dy poetëve në Shkodër, duke u pritur “me shfaqje të nxehta simpatie e admirimi”. Para një publiku jashtëzakonisht të dendur, në sallën e kinema “Rozafat”, Atë Gjergj Fishta u dha mirëseardhjen dy poetëve toskë, duke mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm. Në fund: Përqafim patetik, me lot e fjalë ngashëryese nga Asdreni, duke prekur gjithë popullatën e mbledhur në nderim të tij.
Fotoja dhe kronika e ngjarjes publikohet në “Përpjekja” e Branko Merxhanit, si dhe në gazetën “Drita”, në këtë të fundit del një botim i posaçëm, me foton e rrallë të Fishtës gjatë ligjëratës për Asdrenin, të gjendur në Bibliotekën Kombëtare, bërë nga Marubët.
Në çajin e profesorëve të gjimnazit në Shkodër, shkurt 1938
Në grupin e të ftuarve që dhanë koncert, ishte edhe sopranoja Tefta Tashko Koço, si dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja personalitete të kohës, të cilat, në nderim të Asdrenit, luajtën për herë të parë pjesë nga opera “Traviata”.
Shoqëria “Rozafat” ishte bujtësja e personaliteteve, e cila kishte 20 vjet jetë, dhe pak ditë para kësaj ngjarjeje kishte kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj, duke shënuar një rast unik në Shqipëri, për kontributin në artet e bukura, pothuaj në të gjitha fushat.
Por, nxitur nga përmbajtja e fotos, prej ku zbardhet kronika e kësaj ngjarjeje, një tjetër personazh historik, drejtor e mësues i gjimnazit të Shkodrës, Gasper Ljarja, bën një organizim të befasishëm duke nxjerrë në rrugë bandën e Shkodrës së asaj kohe, për të nderuar dhe për të pritur Asdrenin e Lasgushin. Këta dy poetë nuk ishin rastësisht së bashku në udhëtimin e Shkodrës. Çfarë dallon në këto marrëdhënie të viteve ’30, është vlerësimi dhe koshienca për vlerat e këtyre personaliteteve, duke i nderuar në kohë reale. Asdrenin dhe Lasgushin e lidhte një miqësi e jashtëzakonshme, ku njihemi se Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare gjatë studimeve në Austri, si rezultat i mosdërgimit të bursës.
Por viti kur Asdreni u ftua në Shqipëri, ardhur nga Bukureshti, me nismën e Koliqit, ministër Arsimi në këtë kohë, përkonte me kremtimet e 25-vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ishte një kujdesje e posaçme e shtetit shqiptar për dy poetët.
Më poshtë botojmë të plotë kronikën e ngjarjes, çfarë ndodhi në kinema “Rozafa” më 1938, botuar në gazetën “Drita”, e përditshme nacionale, si një numër i posaçëm më 13 shkurt.
Çfaqje artistike për nder të vjershëtorit plak, z. Aleksandër Drenova
Shkodër, 13-Sikur e dini, kemi tash nji javë në mes t’onë atdhetarin e vjershtarin plak, zotin Aleksandër Drenovën (Asdren), i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë nji idhull (idol) i atdhetarëve, jo vetëm të Shkodrës, por i të tanë Shqipnis. Pse, jeta e Asdrenit, asht nji brilant qi shkëlqen madhnueshëm ndër virtyte e vepra atdhetarije, sikur e vërtetojnë botimet e tija krejt urti e flakë dashunije për atdhe. Qarqet e Shkodrës, pra intelektuale-patriotike, ndijnë nji gëzim të jashtëzakonshëm qi kanë pasun fatin e mirë t’i shohin syt e t’i ndigjojnë kuvendin këtij atdhetari letrar. Dhe kët gëzim e kënaqë të posatshme e provojnë prej se:
a) Asdreni qe ndër puntorët ma të parë të shvillimit t’ides kombëtare, asht nji veteran prandej në kuptimin ma të këthellë qi ka fjala;
b) Asdreni nderoi përherë secilën vepër qi qe në dobi t’atdheut pa u tërhjekë prej kurrnji pasioni dhe pa vështrue se çelsi a misjoni kishte në jetë ai qi e kryente;
c) Asdreni qëndroi përherë larg ndërlikimesh e kundërshtimesh të pjelluna përgjithësisht prej rase a nakari.
Në fund Asdreni, tërhjekë të gjitha zemrat e atdhetarëve të mirë e të drejtë, pse asht urtoja apo modestija e mishnueme.
Të gjitha këto arsye e shtynë Shoqnin e Hartëve të bukura të Shkodrës “Rozafat”, të bajnë të vetin dishirin e intelektualve dhe atdhetarve të qytetit t’onë për t’i çfaqun këtij patrioti letrar, me anën e njij manifestale publike e të çqueme, nderimin e miradijen për shërbimet qi i ka bamë kombësisë.
Edhe, të shtundën në mëngjes më 12 të këtij moji, mbas njij vendimi qi mirrte Këshilli i Shoqnisë “Rozafat” dhe pregatitjeve të para qi bante, i çpallte popullit të Shkodrës se, për nderë t’Aleksandër Drenovës, po ipte, në sallën e Kinemas “Rozafat” nji koncert me anën e orkestrës së saj, tue marrë pjesë edhe artistët shqiptarë, Zojushat Tashko e Aleksi. Çpallja njoftonte edhe se poeti kombëtar, At Fishta do të hapte çfaqjen artistike me nji ligjëratë të tij simpathije ndaj Mikut e çquem qi ka urdhnue në Shkodër.
Menjëherë pas kësaj çpallje, të gjitha lozhat, parterre dhe galeritë e kinemas “Rozafat”, u kaparuan. Në kohën kur po fillonte koncerti, s’kishte jo vend për të ndejun, por as nji pllambë shesh për të lëvizë. Publiku pothuej as frymë nuk mirrte me kaqë respekt e urti qëndronte. Të dukej sikur t’ishe në nji tempull e jo në nji sallë theatric. Vetëm, kur mërrijtën poetent Fishta, Asdreni, Lasgushi e Ernesti, për të cilët ish rezervue nji lozhë e posatshme pranë palkit, shpërthyen duertroktijet në të katër anët.
Çfaqja artistike nisi me marrjen e njij cope muzike prej anës s’orkestrës së Shoqnis “Rozafat” dhe, fill mbas kësaj, duel në palko At Gjergj dhe nisi ligjëratën nën heshtjen e plotë të publikut. Përkujtoi, ndër fjalët e tija të thjeshta, kohën e robnis e peripetit dhe andrrat e asaj kohe dhe shënoi shkurtazi veprat e ndryshme qi kanë krye ata qi u përpoqën për shvillimin e idealeve kombëtare, tue ramë edhe dëshmorë për ta.
Tha se këta ideale i ngjalli e i plazmoi fuqija e fjalës së shkrimtarëve e sidomos të poetenve kombëtarë dhe theksoji se nji prej këtyne asht Aleksandër Drenova, ai për të cilin po bahej ajo manifestatë prej anës së popullit shkodranë në shej nderimi dhe evarije. Shoqnis “Rozafat” qi kishte organizue kët çfaqje i drejtoj përgëzimet e tija dhe i uroi ditë përherë ma të mira për përparimin të kombit e lumni t’Atdheut e të Fronit. Duertrokitjet, mbas këtynë fjalve, plasën në të katër anët dhe vazhduen për nji kohë të gjatë.
Në kët moment, duel në palko Aleksandër Drenova, i cili, i prekun aqë thellë në zemër për çfaqjet qi iu drejtojshin, nuk muejti të nxjerrë fjalë prej goje, por përqafi me nji thjeshtësi At Gjergjin, përqafje qi ju këmbye po me at semplicitet, çka provokoi duertrokitje e enthusjasëm aqë të thekshëm në publik sa ishin asish qi nuk mbajshin lotët. Ky akt, duem me thanë përqafja e dy vjershtarve në palko, qe me të vërtetë pathetik e i madhnueshëm.
Mbasi mori nji copë tjetër orchestra, Ernest Koliqi, duel në palk me nji djalë të vogël, të nipin e dëshmorit Zef Harapit, të cilin e paraqiti tue thanë se do të lexonte nji vjershë patriotike t’Asdrenit nji prej aso vjershash qi ngallnuen axhen e tij për të dhanë jetën për atdhe. Leximi i vjershës provokoi duertrokitje tjera të zjarta e të parreshtuna.
Mbrapa mandej vazhdoi eksekutimi i copave t’orkestrës dhe të këndimit të Zojushës Tashko e përcjellun me piano prej Zojushës Aleksi.
Zojusha Tashko, sikur dy netë ma parë, tregoi nji aftësi të çqueme në këndim dhe zotnimin e njij zani të pastër dhe të shprehjeve lirike. Artistija e ynë u çfaq në naltësin e hartit të saj sidomos në këndimin e copës së Traviatës, Follie, Follie, të cilën e këndoi plot mjeshtëri e gjallni në fund të koncertit.
Gjithashtu, tregoi zotsi e shkathsi të çqueme në piano Zojusha Aleksi. Si sosi koncerti, z. Aleksandër Drenova, falenderoi publikun nga lozha ku kish zanë vend. Edhe ky e drejtoi përsëri duertrokitje dhe çfaqje nderimi ma të përzemërt e të nxehtë. Asdreni po vazhdon të vizitojë institutet kulturale të qytetit t’onë. Trupi i profesorave të gjimnazit shtetnuer e ftoi në drejtorin e shkollës dhe e gostiti me nji vermouth, ku morën në grup edhe nji fotografi kujtimi.
Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”.
Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj.
Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. /KultPlus.com
Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.
Fishta filloi ta shkruante nga vitit 1905 duke e përfunduar në vitin 1937.Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.
Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.
E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie.[1] Më 1905 u botua në Zara te Kroacise Bleni I i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua Bleni II, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.
Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh: historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
A e dini? Që Fishta ka detyruar një shkrimtar serb të dalë jashtë një Konference ndërkombëtare Letërsie në Romë?
Viti dhe emri i serbit nuk saktësohen,por bëhet fjalë për një shkrimtar që kish shkruar në një libër që shqiptarët janë njerëz me bisht. Dhe në ditën e parë të Konferencës, para hapjes së saj,i vetmi i ftuar në këmbë ishte poeti ynë, Gjergj Fishta.
-Pse nuk zini vend, ju lutem? – e pyet drejtuesi i Konferencës – nuk keni karrige. -Jo,jo,karrige kam, por s’kam ku të vë bishtin – ia kthen Fishta. -Çfarë !!! – habitet ai.
Po, po – vijon Fishta – ai zotëria atje – shenjon me emër dhe gisht në sallë – ka shkruar në librat e tij,që ne shqiptarët jemi njerëz me bisht. Ndaj,për këtë gjë të ulët ndaj bashkëkombasve të mi,ose ai të gjejë ku e kam unë bishtin, ose unë nuk ulem nëse ai nuk le sallën.
Dhe sipas burimeve nga të pranishmit, shkrimtari serb është detyruar të dalë dhe të largohet krejtësisht nga Konferenca e Romës. /H. Z. / KultPlus.com