Gazetari francez pyet Fishtën se pse shqiptarët janë hajdutë, kjo ishte përgjigja e Fishtës

Gjatë një interviste për gazetat britanike në vitin 1934, një gazetar anglez i drejton At Gjergj Fishtes këtë pyetje ironike dhe fyese njëkohësisht:

“Kam dëgjuar se shqiptarët tuaj janë shumë hajdutë! Si e komentoni ju këtë?!”

“Ashtu na ka dalë nami ore zotëri”, përgjigjet Fishta.

“Unë kam parë se si vidhet një bankë në Londër në mes të ditës, dhe askush në Shqipëri nuk mendon se të gjithë anglezët janë hajdutë.

Shqiptari edhe nese vjedh këtë e bën nga halli i madh, ku mundet të marrë ndonjë dele, derr apo edhe pushkë.”

Më pas vjen pyetja e dytë dhe e fundit, pasi Fishta e detyroi gazetarin të tërhiqet.

“Sikur shqiptarët të kishin mbetur të krishterë, atëherë edhe bashkimi juaj kombëtar do te ishte bërë i mundur shumë më shpejt.

Pra, ndërrimi i besimit është një pjesë tjetër e errët e karakterit të shqiptarit” -vijoi pyetjen ai.

“Unë vërtetë nuk po të marr vesh more zotëri”, -vijon At Fishta.

“Po si guxon dhe mundet të flasë për mangësi karakteri të shqiptarëve një anglez?!

E gjithë bota e di, se ju anglezët, për një bythë gruaje, ia ndërruat besimin fetar një Perandorie të tërë”, perfundone Fishta përgjigjen në pyetjen e gazetarit zhurmaxhi./KultPlus.com

105 vite nga themelimi i Komisisë Letrare Shqipe

105 vjet më parë, më datë 1 shtator të vitit 1916 në Shkodër, u themelua dhe filloi veprimtarinë e saj, Komisia Letrare Shqipe.

I konsideruar si institucioni i parë në rrafshin albanologjik, Komisia Letrare Shqipe, u krijua me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës, 8 vjet pas njësimit të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir dhe ishte një tjetër hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës, si dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën shqiptare në përgjithësi e të gjuhësisë në veçanti.

Ky institucion hartoi “Rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe” që u bë një nga bazat mbi të cilat u vendos gjuha standarde shqipe. Komisia kodifikoi për herë të parë drejtshkrimin e gjuhës letrare, terminologjinë shkollore e administrative me bazë elbasanishten dhe çoi më përpara njësimin e gjuhës letrare dhe kodifikimin e drejtshkrimit të saj, duke i afruar më shumë të dy variantet letrare.

Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe, dhe mjaft albanologë të huaj. Pjesëmarrës të saj ishin intelektualë të njohur brenda dhe jashtë vendit, personalitete të kulturës kombëtare, ekspertë të të gjitha fushave, njohës të të gjitha gjuhëve klasike dhe moderne të kontinentit evropian, si dhe të zhvillimit arsimor e kulturor të vendeve të përparuara.

Me një përfaqësi të tillë synohej “bashkimi i një elite intelektuale të fuqishme” dhe gjetja e zgjidhjes së problemeve më të mprehta dhe të ngutshme të gjuhës, letërsisë, arsimit dhe kulturës kombëtare.

Ndër ta përmendim: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, At Ambroz Marlaskaj, dr.Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Imzot Vinçens Prenushi etj.. / KultPlus.com

Rrëfimi i Konicës, Fishtës dhe Esat Pashës para profesorit francez (FOTO)

“Excelsior” ka botuar të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen 2, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe takimet (bisedat) e tij asokohe me Faik Konicën në Durrës, Gjergj Fishtën në Shkodër dhe Esat Pashë Toptanin në Reth, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjellë për lexuesin shqiptar.

[Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit, mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.

Në Durrës, portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane – mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën, por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor. Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysëm-zyrtar pranë qeverisë serbe: nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një “modus vivendi” i respektit të ndërsjellë midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën). Ai është një ish-nxënës i Gaston Paris-it në “Kolegjin e Francës – College de France”; ai kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe “folklorit” të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.

“Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën. Ai është poet, filolog, patriot…”.

NJË BASHKËBISEDIM ME AT FISHTËN

Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, më duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër. Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër. (Të gjithë priftërinjtë katolikë serbo-kroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe.)

“Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj, ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto “kanune”, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale, dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…”.

NE DUAM, NE SHQIPTARËT, PAVARËSINË TONË

Unë do të kujtoj gjithmonë se me çfarë sinqeriteti të drejtpërdrejtë m’u përgjigj françeskani, pa iu shmangur pyetjes dhe pa vështirësi: “S’është e vërtetë. Ne nuk jemi agjentë të Austrisë; Unë, si dishepull, çfarë do të bëja këtu, nëse do të isha peng i ndonjë fuqie? Ajo që është e vërtetë, është se ne dhe Austria kemi pasur interesa paralele. Katolikët shqiptarë kanë simpati për Austrinë, e cila ka mbrojtur dhe mbështetur, ashtu si dikur Franca, kauzën e shenjtë të lirive të tyre fetare: Unë jam drejtori i shkollave katolike të Shkodrës, të cilat financohen nga Austria, por ju siguroj mbi nderin tim që konsulli austriak nuk do të guxonte të më jepte kurrë një urdhër… Ajo që duam, ne Shqiptarët, dhe ajo që do të ruajmë kundër të gjithëve, është pavarësia jonë…”.

Unë po u dërgoj, si një dëshmitar besnik, këto deklarata të fuqishme. Françeskani vazhdoi përsëri: “Na qortojnë për faktin se nuk kemi frymë politike… Por, si mund të kemi një opinion publik disi të organizuar, kur ne jemi të pavarur vetëm prej disa muajsh?… Dhe, prapë, a i përkasim vetvetes?… Është e qartë se ne jemi të ndarë dhe e injorojmë njëri-tjetrin; por le të na besojnë. Nuk na mungojnë individët që dikur, dhe ende dje, kanë treguar një frymë të madhe politike në Kostandinopojë. Lëruni njerëzve me vlera kohën e duhur që të vihen në pah dhe t’u imponohen natyrshëm shqiptarëve. Ne, pa frymë politike! Por kedivi i Egjiptit ka gjak shqiptar, dhe politikani i madh Crispi ishte një italo-shqiptar!”

Ky françeskan, që pretendonte Crispi-n për lavdinë politike të Shqipërisë së tij, më dukej gjithnjë e më interesant. “Gjenerali Esat Pasha e ka treguar veten si një njeri që di të qeverisë. Ne e pamë në aksion gjatë rrethimit të gjatë të Shkodrës. Ai arriti t’u vinte rreth, në këtë qytet shqiptar katolik, 35.000 turqve pa asnjë incident”. Rrethimi, megjithatë, ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë! Të gjitha lidhjet (rregullat) e disiplinës mund të ishin dobësuar… Edhe katolikët shqiptarë kanë shpresë për të ardhmen e vendit të tyre mbi personalitetin e spikatur të pashait, gjeneralit Esat. Po kështu, edhe për shumë shqiptarë myslimanë të Veriut. Më çuan të takoj Esat Pashën nëpërmjet njërit prej shefave të rajonit malor të Veriut, Basri Beut. Një njeri i qetë, i zgjuar, plot kuptim, që është një nga ata për të cilin do të flitet sërish. Basri Beu më duket se është negociatori dhe lideri i kësaj lloj konfederate të Qendrës dhe Veriut, që do të jetë nesër, nëse bëhet realitet, mbështetja dhe forca e Esatit.

NJË FJALË NGA ESAT PASHA

Ky, pasha, më priti tek prona e tij në fshatin Reth, midis Durrësit dhe Tiranës. Me një qeleshe të kuqe, të vendosur mirë, dhe një xhaketë të zezë (e prerë sipas stilit parizian dhe me origjinë po nga Parisi), me një trëndafili të bukur e të zbehtë në xhep, gjenerali, i cili nuk është pesëdhjetë vjeç, duket edhe më i ri se ç’është. Ai është një njeri i aksionit dhe vullnetit, i cili është në moshën e duhur, plot energji. Ai duket i vendosur se dëshiron të jetë udhëheqësi efektiv i vendit të tij sesa ta braktisë atë ndaj disa burrave për të cilët ka vetëm një konsideratë shumë të ulët. Ai e di shumë mirë se çfarë bën dhe ku po shkon.

Ai i ka prerë urat (lidhjet). Nuk do të ndalet në gjysmë të rrugës. Ne ishim në Reth më 17 tetor. Proçedimet publike dhe deklaratat që janë bërë që nga ajo kohë, Esat Pasha, i kishte akoma vetëm në brendësi. Por ai më tha haptas: “Tani që jam në krye të vendit tim, jam i lumtur që personi i parë që takoj është një francez”. (Unë e shënova fjalinë e tij sa më saktë të ishte e mundur, sipas formës në të cilën m’u përkthye.)

Esat pasha qeveris dhe punon. Ai i imponoi vetes mësimin e frëngjishtes. Tashmë, ai e kupton gjuhën tonë – ai shqipton, me korrigjim, disa fjalë. Ai është çorganizues i organizatës së përkohshme. Ai mund të jetë vetëm një i pavarur. Padyshim që krijimi i një shteti shqiptar të ekuilibruar nuk do të jetë punë e një dite. Sa shekuj iu deshën Francës për t’u bërë Franca? Dhe pse ëndërrojmë ne, për krijesat e reja politike, një stabilitet ideal dhe përfundimtar që nuk e kanë më të vjetrat e Evropës sonë? Me çfarë iluzionesh harrojmë papritur gjithë historinë tonë dhe tërë gjeografinë politike! Shqipëria ka ende shumë pengesa, na rezervon shumë surpriza, por lëvizja e mendjeve dhe marshimi i gjërave duket se po shkojnë drejt një fakti që mund të quhet një fakt i ri: pavarësia efektive e një Shqipëri e vërtetë. / KultPlus.com

“Posta e Shqypnis”, rëndësia që pati gjatë Luftës së Parë Botërore

Gazeta “Posta e Shqypnis” u themelua dhe u drejtua prej At Gjergj Fishtës në fillim të shekullit XX dhe u botua përgjatë viteve 1916-1918.

Ishte një botim i përbashkët i Kuvendit të Françeskanëve dhe Komandës së Trupave Austriake të vendosura në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore.

Numri i parë të saj doli më 5 dhjetor 1916 dhe në të shënohej: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve”.

Ky organ shtypi pati një rëndësi të madhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të krahas trajtesave politike të lajmeve të kohës u trajtuan dhe mjaft probleme gjuhësore, folklorike, historike etj. Në këtë gazetë artikuj të trajtuar në dy gjuhë mbanin firmat e filologëve të shquar të kohës, austriakë dhe shqiptarë. / KultPlus.com

Gjergj Fishta: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”

Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.

– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…

– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…

– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija

Kur Fishta detyroi shkrimtarin serb të dalë jashtë një konference ndërkombëtare Letërsie në Romë

A e dini?
Që Fishta ka detyruar një shkrimtar serb të dalë jashtë një Konference ndërkombëtare Letërsie në Romë?

Viti dhe emri i serbit nuk saktësohen,por bëhet fjalë për një shkrimtar që kish shkruar në një libër që shqiptarët janë njerëz me bisht. Dhe në ditën e parë të Konferencës, para hapjes së saj,i vetmi i ftuar në këmbë ishte poeti ynë, Gjergj Fishta.

-Pse nuk zini vend, ju lutem? – e pyet drejtuesi i Konferencës – nuk keni karrige.
-Jo,jo,karrige kam, por s’kam ku të vë bishtin – ia kthen Fishta.
-Çfarë !!! – habitet ai.

Po, po – vijon Fishta – ai zotëria atje – shenjon me emër dhe gisht në sallë – ka shkruar në librat e tij,që ne shqiptarët jemi njerëz me bisht. Ndaj,për këtë gjë të ulët ndaj bashkëkombasve të mi,ose ai të gjejë ku e kam unë bishtin, ose unë nuk ulem nëse ai nuk le sallën.

Dhe sipas burimeve nga të pranishmit, shkrimtari serb është detyruar të dalë dhe të largohet krejtësisht nga Konferenca e Romës.
/H. Z. / KultPlus.com

Letërsia shqipe ndër vite

Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.

Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:

Vargjet e lira, Migjeni

Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative.
Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.

Ylli i zemrësLasgush Poradeci

Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj.
Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.

Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta

Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jakov Xoxa

Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.

Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com

Telegrami i At Gjergj Fishtës për Duçen

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Korrik 2021

“Il Popolo del Friuli” ka botuar, të shtunën 17 qershorit 1939, në faqen n°2, telegramin e At Gjergj Fishtës dërguar asokohe Duçes, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

At Fishta për Duçen

Burimi : Il Popolo del Friuli, e shtunë, 17 qershor 1939, f.2

Romë, 16 qershor.

Akademiku At Gjergj Fishta i dërgoi Duçes telegramin në vijim :

“Faleminderit, Duçe, për nderin e lartë të titullit akademik të Italisë që më është atribuar falë vullnetit tuaj të mirë dhe që e konsideroj si një shenjë të sigurt të interesit tuaj bujar si për Shqipërinë ashtu edhe për prejardhjen shqiptare, ky virtyt i panjohur deri më sot në diplomacinë evropiane. – At Gjergj Fishta”.

https://www.darsiani.com/la-gazette/il-popolo-del-friuli-1939-telegrami-i-at-gjergj-fishtes-per-ducen/ / KultPlus.com

‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’

Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.

Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët mysliman , shumë klerik kanë uruar për festën e Bajramit, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. / KultPlus.com

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Poezi nga Gjergj Fishta

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933). / KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, kur në Shkodër takoheshin penat e vetëtimshme të shqipes

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com

Misteret e Bibliotekës Françeskane në Shkodër

Biblioteka At’ Gjergj Fishta pranë Kuvendit Françeskan, ka qenë ndër më të pasurat në Shqipëri.

Përgjatë periudhës së komunizmit ndodhi shkatërrimi i bibliotekës dhe asgjësimi i shumë librave.

Sipas dëshmive të At’ Zef Pllumit, një pjesë të librave i kanë marrë për t’i bërë letër në Jugosllavi, disa i kanë plaçkitur apo keqpërdorur.

Përgjegjësi i Bibliotekës Françeskane në Shkodër, At’ Vitor Demaj, rrëfen kalvarin e vuajtjes së françeskanëve, rikthimin e dhomave të kuvendit në qeli burgu, si dhe ringjalljen e bibliotekës, falë riatdhesimit të librave e dorëshkrimeve të tre fretërve, Pater Jak Marlekaj, Paulin Margjokaj dhe Pater Daniel Gjeçaj. /abcnews/ KultPlus.com

Atdheut

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./ KultPlus.com

‘O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës’

Dëshmia e At Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit

Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e 110 vjet.

“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.

– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?

– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?

– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.

– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…

– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…

Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…

Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.

Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …

Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh…” / KultPlus.com

Fjalimi madhështor i Fishtës në Konferencën e Paqes: Pushtuesit nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.

Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.

Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.

Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë uilsonjane (të presidentit amerikan) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?

Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni:

“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbreda Greqisë kundra elementit turk.

Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar.

I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.

Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku , si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë

  1. a) barbarë,
  2. b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
  3. c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…

Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe europjane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?

Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar.

Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit: “… Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen – fyerjen e parë.)

Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “jo!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetetë! – se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.

Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.

E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?

Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë.

Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.

U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.

E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.

Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.

Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoire et descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.“ Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë

  1. a) për nji pamvarësi politike;
  2. b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.

Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.

Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.

Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë:

“Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar.

Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare.

Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.

Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.

Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.

Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”

Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.

Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë…” Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull!” / KultPlus.com

Shtëpinë e restauruar të Fishtës, askush nuk mund ta vizitojë

Shtëpia e At Gjergj Fishtës u restaurua në tetor të vitit 2020, por për çështje administrimi, shtëpia e kolosit të letrave shqipe vijon që të jete e kyçur.

Të shumtë janë personat të cilët kane shfaqur interes ta vizitojnë ketë monument kulture, por janë kthyer mbrapsht. Kjo për studiuesin Frano Kulli nuk është aspak normale.

“Kjo shtëpi duhet të kthehet në vend peligrinazhi kulturore, duke ndjekur itenerarin fishtjan sikur e kishte premtuar Ministria e Kulturës”, ka thënë ai. “Ky monument kulture u restaurua fale donacioneve, pasi ishte degraduar dhe rrezikonte ekzistenca e saj”./tch/ KultPlus.com

Meta dekoron At Gjergj Fishtën në 80-vjetorin e ndarjes nga jeta

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me rastin e 80-vjetorit të ndarjes nga jeta, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.

“Në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtës”, tha Meta.

Presidenti theksoi se “nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e pareshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit”.

“Vepra e tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

BBK ekspozon veprimtarinë e Fishtës, Dodë Gjergji: Fishta ka shprehur vuajtjet e popullit shqiptar

Xhemile Hysenaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot hapi dyert për ekspozitën ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’, ekspozitë kjo që para adhuruesëve të Fishtës do të shpalosë libra, artikuj e dorëshkrime të papublikuara deri më tani për autorin, shkruan KultPlus.

Ishte Fazli Gajraku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, ai i cili e bëri edhe hapjen zyrtare të kësaj ekspozite. Ai para të pranishmëve deklaroi se është vepra dhe puna e Gjergj Fishtës ajo e cila e pasuron institucionin e Bibliotekës Kombëtare, pasi në këtë bibliotekë ka rreth 20 vepra të rralla të Gjergj Fishtës dhe 120 monografi mbi këtë autor.

‘Interesimi për t’u marrë me këtë figurë të shquar e ka rritur botimin e shumë veprave të ndryshme mbi figurën e Gjergj Fishtës’, potencoi tutje Gajraku.

Gajraku poashtu deklaroi se ajo çfarë kjo bibliotekë po tentojë të arrijë përmes kësaj ekspozite, janë dy objektiva: e para, të ndërtohet koleksioni sa më i madh mbi veprën e Fishtës dhe e dyta të krijohet një katalog i duhur për figurën e këtij të fundit.

Fjalën e mori edhe Zv.Ministri i Kulturës, Engelberd Zefaj, i cili potencoi se Fishta ishte një shembull i qëndrimeve të palëkundura politike, ndër të tjera, ky i fundit ju referua Fishtës edhe si një shëmbëlltyrë e kulturës.

‘Sot në hapjen e kësaj ekspozitë me libra, artikuj e dorëshkrime të dhe për shkrimtarin kombëtar, Gjergj Fishta, me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së njërit prej kolosëve më të mëdhenj të historisë, kulturës e të letërsisë shqiptare, si asnjëherë tjetër e kuptojmë vlerën e madhe që ka ruajtja e trashëgimisë së shkruar e të shtypur, trashëgimi kjo e cila na e kthjellon vështirmin që kemi për të kaluar e në të njëjtën kohë vizionin për të ardhmen’, potencoi tutje Zefaj.

I fundit, por jo për nga rëndësia, ishte edhe Imzot Dodë Gjergji, i cili me fjalët më të mira e ngirit lart figurën e Fishtës.

‘Nëse italianët mburren me Danten dhe gjermanët me Gëten, atëherë ne shqiptarët mburremi me Fishtën, sepse Fishta ka qenë pena më e hollë e të gjitha kohërave, që ka ditë të shprehë shpirtin tonë shqiptar, ka ditë të shprehë vuajtjet e popullit tonë dhe ka ditë t’i nxjerrë në pah pasuritë shpirtërore të një populli’, u shpreh Imzot Dodë Gjergji.

Ái poashtu theksoi se sfida e Fishtës dhe e shumë të tjerëve për dhe e atdhe, është britma që nuk do të shuhet kurrë.

Ekspozita ‘Për Atmé e fé Gjergj Fishta’ e cila u realizua nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të qëndrojë e hapur deri më 11 janar të vitit 2021. / KultPlus.com

Një letër e Gjergj Fishtës nga Stambolli

Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topalovic…. Jovic, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar.

Dr.Nuridin Ahmeti

Poeti, kleriku Gjergj Fishta (1871- 1940), ishte i njohur edhe si autori i shumë veprave letrare, dhe sidomos u bë i njohur me veprën e tij kapitale “Lahuta e Malcis”. Përveç si njeri i letrave, Fishta njihet edhe për kontributin e tij fetar, atdhetar, diplomatik dhe si kontribuues i mirëkuptimit ndërfetar, njeri që me gjithë përkatësinë e tij fetare katolike, qëndrimet që në disa raste mbajti ndaj “turkut”, siç e quante ai, Perandorinë Osmane, nuk hezitoi që të fliste e të shkruante fjalë miradije për këtë perandori, dhe sidomos foli e lavdëroi dhe i thuri vargje njërit nga udhëheqësit më të njohur të ushtrisë osmane – mbrojtësit të Shkodrës – Hasan Riza Pashës.[1]
At Gjergj Fishta, e kishte njohur personalisht dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë mbrojtës besnik të Shkodrës dhe luftëtari të denjë kundër okupimit të saj nga malazeztë.[2] Për më tepër, me rastin e varrimit madhështor dhe nderimit të fundit që iu dha komandantit Hasan Riza Pasha, At Fishta, mbajti edhe një fjalim mjaft prekës dhe emocionues.[3]
Pa hyrë në të dhëna biobibliografike as për Fishtën dhe as për Riza Pashën, sepse përveç që janë të njohura këto, konsiderojmë se deri tek këto të dhëna lexuesi dhe të interesuarit e tjerë mund të vijnë shumë lehtë, qoftë edhe përmes kërkimeve nëpër faqe të internetit, përveç të tjerash. Këtu nuk duam të vëmë në spikamë as raportet e At Fishtës me mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pashën ose me ndonjë personalitet tjetër.
Por këtu po sjellim një letër që At Fishta e kishte dërguar nga Stambolli më 1931, ku po qëndronte atje si i deleguar i Shqipërisë bashkë me Mehmet Konicën në Konferencën e dytë për krijimin e zonës së paqes dhe për mbrojtjen dhe të drejtën e pakicave në vendet ballkanike.
Sado që mund të thuhet se, kjo letër është e njohur për lexuesin, mendoj së risjellja edhe njëherë e kësaj letre, do të ishte me interes.
Prandaj, për këtë arsye, këtë letër e risjellim edhe një herë për të parë se si rrodhën punimet e Konferencës, si e pa Gjergj Fishta mikpritjen e turqve, çfarë përshtypje i bënë muzetë dhe pallatet e ndryshme në Stamboll, si u mahnit me dorëshkrimet dhe bukuritë e Mushafëve që i pa etj. Për hir të korrektësisë, letrën po e risjellim edhe njëherë ashtu siç është edhe e botuar.

Rrethanat në të cilat u shkrua kjo letër
Qeveria e atëhershme shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjeve të Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtën e pakicave në këto vende.
Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica.
Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit të Shqipërisë, rishtas, qenë Gjergj Fishta dhe Mehmet Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të dt. 20 X. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj në mes tjerash shkruan:

I dashtuni Provinçijal,
Stamboll, 20. X. 1931.
“Sot me 10 paradite u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “ Dolmabahçe”- Pallati i Mretenvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “ Yldiz”- në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes!
Turqit na kanë prit me “salltanet” të madh e fort bujarisht-me u kalue grekve.
Konferencen e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetarësh të Dergatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkisë. Kje në mbledhje edhe Ministri i P. Jashtme.
Jugoslavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndërsa tjerët- mos tjetër me fjalë- folën në favor të bisedimit mbi pakicat. Ndër kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u terhjekë prej Konferencet.
Nuk gjejë me t’a përshkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm “lampadarit”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi përnjimend me të çuditë.
Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugoslav në komisionin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Derergatës Jugoslave e me nji farë Topaloviç…. Joviç, Kryetari i Dergatës Jugoslave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prish Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugoslavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq poterë mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullu mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muarën Jugoslavët fjalët mbrapa, Dërgata shqiptare do t’a linte Konferencën. Edhe Jugoslavët, tue skuzue, mueren, mbrapa fjalët e fyeshme. Nji heri edhe në Komision t’ Afrimit Intelektual u zuen keqas bulgarë e jugoslav.
Grekët, rumunët, turqit, e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të përmendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugoslavët janë kundra, ndërsa bulgarët pranojnë qi kjo çashtje të shtyhet deri sot nji vjetë! Me 23 ashtë mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahëna. Shpensohet se ka me u gjetë ndonji formulë afrimi.
Po s’kjemë të ngushtuam me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Angara; pre ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randësi mjaft relative.
Sot kemi vizitue S. Sofia, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cilat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Sh. Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patëm vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretënvet e muzeun e dorëshkrimevet të Koranit- me sa tri mij. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht për t’u çuditë, se shumica e luftravet, ndër “bassoriljevi” m’ katër anët, bashin për rreth kres nji shall krejt si malcorët t’onë! Më kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si për shumicë si për bukuri.
Sa për visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë.
Mjaft “i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç për numër, në daç për vlerë; se për gur të pa çmueshëm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etr. etr, s’t’i shef syni kurrkund njëti. Ndër ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Sh. Gjonit Pagzues veshë n’ari e në gur të paçmueshëm. Sende me të lanë pa mend.
Për me pas nji ide për shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjithë Shqypnin- a ma në gjith Shqypnin – s’e ke nji salon ma të bukur se oda e “Ypsilonit”… e Yildizit, e kta në kat të poshtër.
Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti. Na kishim ndejë në paradë kund nja nji mijë boiskaut(?), ndër të cilët kishte ken rreshtue edhe nji çetë varzash 16- 17 vjetshe e edhe ma të msha- në Stambollë! S’shifet burrë me fes në krye as grue e mertisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal.
U kënaqa tue pa- të thuesh- me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë nëpër Bosfor.
U falem me shëndet të gjithëve. / KultPlus.com

80 vjet pa Gjergj Fishtën

80 vjet më parë u shua poeti që për së gjalli hyri në historinë e letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, që i kushtoi 40 vjet punë.

Fishta  lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës.

Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”.

Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.

Deri më, 1899 Fishta shkruajti në alfabetin shqip të françeskanëve.,

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin “E popullit”. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ai përdori 24 pseudonime.

Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Vdiq më, 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës./KultPlus.com

Njihuni me 8-vjeçarin që interpreton përmendësh mijëra vargje të Gjergj Fishtës ( VIDEO)

Nikoll Prendi është ‘ fëmija- gjeni’ nga fshati Balldre i Lezhës i cili ka aftësi të jashtëzakonshme.

Vogëlushi 8-vjeçar arrin të recitojë mijëra vargje të At Gjergj Fishtës, pa ndaluar aspak.

Në një intervistë në ‘Rreze Dielli’ Nikolla tregoi se kur u njoh për herë të parë me vargjet e Fishtës, të cilat i pëlqyen aq shumë sa i mësoi përmendësh.

’ Kur kam qenë katër vjeç pash në televizor xhaxhin Agim Doçi, po recitonte një poezi të At Gjergj Fishtës. Unë e pëlqeva shumë dhe kur hyra në klasë të parë që mësova alfabetin, i thashë babit të më blente të gjitha librat e At Gjergj Fishtës dhe e mësova ‘’ tha ai.

‘’ Më pëlqen se gjërat që i ka thënë ai në atë kohë po ndodhin edhe sot’’ u shpreh 8-vjeçari ndër të tjera.

Së fundmi ai është vlerësuar edhe nga ministria e kulturës me çmimin ‘’ Për dhunti të jashtëzakonshme në rrëfimin e vargjeve të poetit kombëtar At Gjergj Fishta’./shqiptarja/ KultPlus.com

Ekspozitë për Gjergj Fishtën nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës do t’i hapë dyert nesër për një ekspozitë krejtësisht të veçantë, shkruan KultPlus.

“Për Atmé e fé Gjergj Fishta” quhet ekspozita e cila do të shpalos libra e artikuj që gjenden në koleksionet e BKK-së dhe dorëshkrime të papublikuara deri më tani për Gjergj Fishtën.

Ekspozita hapet më datë 30 dhjetor, në ora 11:00 dhe do të mbyllet më 11 janar 2021.

Veprimtaria do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19. / KultPlus.com

5 dhjetor 1916, Fishta botonte numrin e parë të gazetës “Posta e Shqypniës”

Ishte data 5 dhjetor e vitit 1916 kur Gjergj Fishta botoi gazetën “Posta e Shqypniës”.

 Gazeta e cila do të publikohej deri në nëntor 1918. Ishte një botim i përbashkët i Kuvendit të Françeskanëve dhe Komandës së Trupave Austriake të vendosura në Shkodër gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në numrin e parë të të kësaj gazete shënohej: “Fletorja del për gjith t’mërrkurrë e t’shtundë. Drejtimi, mbarështimi e shtypshkrimi: Shkodër, Kuvendi i Françiskajve”. Ky organ shtypi pati një rëndësi të madhe në formimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore. Në të krahas trajtesave politike të lajmeve të kohës u trajtuan dhe mjaft probleme gjuhësore, folklorike, historike etj. Në këtë gazetë artikuj të trajtuar në dy gjuhë mbanin firmat e filologëve të shquar të kohës, austriakë dhe shqiptarë. /dp/ KultPlus.com

“Për Shqyptarë do t’ jét Shqypnija; kush ua prekë, ai kjoftë mallkue”

Poezi nga Gjergj Fishta:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Bini, Toskë!….

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!….

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Bini, Toskë!….

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

Bini, Toskë!…

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendis,

Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!….

Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Bini, Toskë!….

Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastrjota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Bini, Toskë!…

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Bini, Toskë!…. / KultPlus.com