Frederik Ndoci: Është turp të krahasohet Adem Jashari me Gjergj Kastriotin

Këngëtari i njohur shqiptar Frederik Ndoci ka reaguar mbi krahasimin e Adem Jasharit me Gjergj Kastriotin, sipas të cilit, është turp të bëhet një krahasim i tillë. Ai ka thënë se Adem Jashari mund të krahasohet me Mujo Ulqinakun, Isuf Xhelilin, Elez Ndreune…, por jo me Gjergj Kastriotin. Sipas tij, i pari luftoi për 5 deri në 6 orë, kurse Gjergj Kastrioti për 25 vjet, shrkuan KultPlus.

“Gjergj Kastriotin po duan ta marrin fqinjët, e ne po duam ta zvogëlojmë. Gjergj Kastrioiti, për mua ka vlera sa të gjithë heronjtë e tjerë së bashku” ka shkruar Ndoci.

KultPlus ju sjell të plotë dhe pa ndërhyrje reagimin e Ndocit.

Kush asht ai stupid qe krahason Gjergj Kastriotin dhe heroizmin e Tij e ven ne nji nivel me Adem Jasharin?
Shoh shpesh nivele zh qe bajn krahasime jashte logjikes.
Adem Jashari si hero mund te krahasohet
me Mujo Ulqinakun
me Isuf Xhelilin
Elez Ndreun
me Selam Musan
me Oso Kuken
Sef Kosharja e tjer…
Ku na afer asht Oso Kuka, ne kull te barotit, se paku ai vrau disa dhjetra malazez kur ndezi kullen e barotit.
Asht turp me e karahasu heroin e koheve moderne qe ka ba rezistenc nja 5-6 ore (po thona) luftime, dhe sakrifikoi tan familja, sepse menduen se serbi nuk shuen nji familje te tan per nji njeri.
E sot ka njerez me qellim ose injorant qe e krahasojn me Gjergjin qe ka luftu 25 vjet.
Dhe asht i krahasuem me Aleksandrin e Madh me Pirron Me Huniadin Me Atilan me Xhin Xhis Khan, Jul Çezarin etj.
Gjergj Kastrioti po duen me ta marr tan kojshite si super hero te vetin, e na dona me e zvoglu sa te mundena.
Heroi yne per mu ka vlera, sa te gjith herojt e tjere te marr sebashku../KultPlus.com


Mal Berisha: Brenda historisë së përgjithshme të turqve

Për nder të 550 vjetorit të heroit tonë kombëtar

(Nga fillimi i familjes otomane deri në vitin 1603)
Studim mbi veprën e autorit anglez Richard Knolles, (1545 – 1610)

Hyrje

Shkruan: Mal Berisha

Në një nga pritjet e shumta të mbrëmjeve të trupit diplomatik në Londër, pata rastin të zhvilloja një bisedë të ngrohtë me ambasadorin turk Sh.T. z. Abdurrahman Bilgiç. Ai ishte një burrë i thjeshtë dhe shumë skrupuloz. Si në çdo rast, kur kisha të bëja me diplomatët turq, edhe në atë mbrëmje bisedën e solla tek historia jonë dhe lidhjet midis dy vendeve dhe popujve tanë. Në bisedë e sipër mësova se në rezidencën e tij gjëndej një libër shumë i vjetër dhe i rrallë, rreth krijimit të Perandorisë Osmane dhe luftërat e turqve osmanë kundër mbretërve dhe princave të krishterë të Europës. Ambasadori turk e pohoi këtë fakt por më tha se, edhe pse ai vetë kishte disa muaj që kishte ardhur në Londër, ende nuk ishte ulur që ta shihte atë libër me vemendje dhe të mësonte për përmbajtjen e tij. Ankaraja kërkon që libri të dërgohet në kryeqytet, shtoi ai, por ai vetë tha se e shihte më të rëndësishme që libri të mbetej aty ku është. Gjithsesi ai më premtoi se një ditë do të më ftonte për një çaj në rezidencën e tij dhe aty do ta shihnim dhe të bisedonim rreth atij libri.

Në rezidencën e Ambasadorit Turk në Portland, Londër, verë e vitit 2015.

Ajo ditë nuk vonoi shume. Unë e mora ftesën prej ambasadorit. Shkova në rezidencën e tij në Portland. Ambasadori i bëri adetet e tij të çajit si në një shtëpi mikëpritëse turke. Një garson shumë i sjellshëm na solli embëlsirat, llokumet dhe çajin në takëmet alla-turka të argjendit dhe porcelanit të dekoruara aq bukur me zbukurime orientale.

Ndërsa një punonjës tjetër i rezidencës nuk vonoi të vinte me një kuti të bukur në dorë, e cila ishte e mbështjellur në një kadife të thellë blu mbretërore. Ai e vendosi atë me kujdes në tavolinë sipër një cohe të lëmuar, all të kuqe, po prej kadifeje E la aty duke u tërhequr mbrapsht pa na e kthyer shpinën. Nuk ishte vetëm ai libër që do të më kthente mbrapsht në shekuj me historitë që përmbante për Perandorinë Osmane por edhe sjellja e atij nënpunësi më kujtoi vitet e Stambollit kur kisha shërbyer në Konsullatën Shqiptare si edhe kortezinë perandorake të njerëzve të shërbimit që kisha parë në atë qytet mahnitës. E njejta gjë shfaqej tanimë edhe nëpër filmat turq të cilët kanë pushtuar programet televizive të Ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në fakt ndjeva një si drithërimë pasi m’u duk se një pushtim tjetër po e priste këtë rajon. Këtë herë jo me forcën e shpatës dhe as të zjarrit por me historitë e atyre sulltanëve që dikur na kishin djegur mbarë e mbrapsht. Në fakt, unë pikërisht për këtë gjendesha atë ditë në atë ndërtesë perandorake për të mësuar për një histori që prisja të ishte e shkruar për vendin tim.

Ambasadori e hapi me kujdes kutinë dhe nxori prej saj një libër të madh me një kopertinë të dizajnuar shumë bukur. E hapi mbi tavolinë dhe po e vështronte me kureshtje si një relike shumë të rrallë. Dhe ai libër i tillë ishte. Libri kishte 3500 faqe të shkruara me makinë shkrimi të markës Gutenberg. Shkrimi ishte shtypur në germa të vogla, uniforme, mbi një letër të hollë sa një cipë qepe. Ai libër ishte shkruar prej një autori të quajtur Richard Knolles.

Pashë me vemendje mbi atë libër aq sa mund të shohësh në më pak se një orë. Sulltanët turq dhe mbretërit e krishterë të Europës parakalonin në një përplasje historike të pashoqe dhe përballeshin me njëri tjetrin në çdo kapitull të librit. Por ajo që kërkoja unë ishte e fshehur në ato faqe të ngjitura të librit të cilat ndoshta nuk ishin shfletuar që kur libri kishte dalë nga botimi në vitin 1603. Shfletova sa munda për të ardhur tek pjesa që mua vetë më interesonte – periudha e Sulltanëve – Mehmeti i Parë, (1413 – 1421), Murati i Dytë, (1421-1444), Mehmeti i Dytë (1444 – 1446) Murati i Dytë (1446 – 1451) Mehmeti i Dytë – Fatih (1451 – 1481).

Historia e Skënderbeut brenda kësaj Historie

E tërë kjo periudhë përkonte me kohën kur familja e Kastriotëve dhe biri i tyre më i shquar i kombit shqiptar, Gjergji, ishte në konflikt me këta sulltanë dhe vetë Perandorinë Osmane. I hodha një sy të shpejtë, për aq kohë sa kisha por pashë se mikëpritësi im nuk kishte ndonjë dëshirë që unë të thellohesha aq shumë, mbase edhe duke ndjerë se kureshtja mund të çonte në ndonjë teme e cila nuk do të ishte aq e këndshme për të.

Pasi rashë në emrin e heroit tim për të cilin në fakt e kisha ndërmarrë atë vizitë, i kalova disa faqe shpejt e shpejt për të arritur në fundin e librit. Aty me shpejtësi pashë indeksin dhe rrëshqita menjëherë tek germa “S” dhe kërkova referencat për emrin Skënderbeg. Pashë menjëherë se ajo periudhë e sulltanëve të përmendur më lart ne përiudhat e tyre kishin të bënin me Skënderbeun. Kaq m’u desh që ta falenderoja nga zemra ambasadorin. E dija që në atë rezidencë dhe në ato kushte nuk mund të bëhëj asgjë më shumë se aq. E falenderova atë shumë dhe u largova.

Sapo u ktheva në shtëpi, menjëherë iu përvesha punës për të gjetur librin në atë version që do të arrija të kisha atë pjesë që do të jepte sa më shumë informacion rreth Heroit tonë Kombëtar. Ky do të vinte nga një burim i besueshëm anglez, i pa-anshëm por për habinë time krejtësisht i panjohur nga studjuesit tanë. I vetmi person që njihja unë dhe që dinte diçka për Richard Knolles ishte Sir Noel Malcolm. Ai dinte për autorin por jo për librin dhe përmbajtjen e tij rreth Skënderbeut.
Po ne fakt kush ishte ky autor i cili kishte shkruar një histori kaq interesante në një volum kaq të madh sa ç’ishte Historia e Turqisë për të cilin po flasim? Cfarë duhej të dinte ai për shqiptarët para se të shkruante këtë vepër?

Shqiptarët në letrat angleze para vitit 1603

Ndoshta një ndër shembujt e parë kur janë përmendur shqiptarët në literaturën historike angleze daton më 7 qershor 1520[1]. Kontesti i përmendjes është shumë interesant po të kemi parasyshë se dy mbretër, Henry i VIII – të i Anglisë dhe Mbreti i Francës, në një takim në Calais (Kallas, qytet në veri të Francës pranë Kanalit La Mansh) janë veshur me rroba të modës shqiptare:

“…Mbasi ndenjën aty një orë, mbretërit zbritën, ndërsa princeshat e dy vendeve treguan respektin ndaj atyre të cilët ishin veshur në një modë shqiptare e cila u pëlqye shumë. Mbretërit ndejën aty deri sa perëndoi dielli pastaj ua hypën kuajve, u përqafuan, në fakt mezi u ndanë me njëri tjetrin”…
“Në të rënë të mbrëmjes, Mbreti i Anglisë u largua dhe u takuan në mesditën e së nesërmes. Me vete kishin 30 vetë të maskuar dhe të veshur si një kavaleri greke dhe shqiptare, me rroba të qëndisura me flori e me kadife.”

“Dje ata bënë një turne, duke bërë sikur luftonin sipas modës shqiptare, në fillim me heshta dhe pastaj me shpata.”[2]
Autori i parë anglez i cili e përmend Ilirinë, mbetet padyshim Uilliam Shekespir në komedinë e tij ”Nata e Dymbëdhjetë”. Kjo vepër mendohet se është shkruar në vitin 1602 pra vetëm një vit para veprës së Richard Knolles. Ngjarja zhvillohet në brigjet e Ilirisë dhe kjo përbën ndoshta rastin e parë kur përmenden ndodhi ilire nga gjeniu më i madh i letrave në historinë e njerëzimit.
Lidhur me këtë, dy autorë[3] kanë shkruar një libër analitik rreth veprës së Shekspirit, me titull “Udhëtim në Iliri”. Në kapitullin e XXIX të tij libri analizon pikërisht veprën në fjalë.
Dhe fill pas Shekespirit, vjen anglezi tjetër, Richard Knolles i cili boton librin shumë voluminoz për Historinë e Turqisë për të cilin po flasim.

Richard Knolles
Richard Knolles (1545 – 1610) ka qenë një historian anglez i famshëm për shkrimet e tij për Perandorinë Osmane. Ai ka sjellë përshkrimin e parë më të plotë rreth saj në gjuhën angleze. Knolles ka lindur në një qytet anglez të quajtur Northamptonshire. Studimet i kreu në Kolegjin Linkoln në Oksford. Aty nga viti 1565 diplomoi dhe më vonë mori gradën shkencore në vitin 1570. Në vitin 1603 ai botoi “Historinë e Përgjithshme të Turqve” e cila u shoqërua nga shumë ribotime të tjera. Kjo histori ishte e para kronikë e aspekteve politike dhe ushtarake të Perandorisë Osmane e shkruar në anglisht. Historitë e mëparshme kanë qënë shkruar vetëm në gjuhën latine dhe po në atë gjuhë shpërndaheshin. Knolles ka shkruar edhe Historinë e Betejës së Lepantos[4], si dhe ka publikuar një përkthim të librit të autorit francez Jean Bodin “Gjashtë Librat e Republikës.” [5] Në përkthimin e tij ai është bazuar edhe në variantin frëng edhe në atë latin të tekstit të Bodinit. Knolles punoi gjithashtu në një përkthim të papublikuar të origjinalit të veprës “Britania e Kamdenit,” në latinisht. Edhe pse e pabotuar, vepra e tretë e Knolles mbijetoi në Bibliotekën Bodleian në Universitetin e Oksfordit. Vepra e tij ka merita të veçanta për stilin dhe kompozicionin që mbart.

Dr. Samuel Johnson, shkrimtar i shquar anglez me një kontribut të vyer në kulturën angleze si poet, eseist, moralist, kritik, biograf dhe leksikograf e quan Richard Knolles si historianin më të mirë anglez kur thotë se:

“Me rrëfimin që ofron, në historinë e tij të turqve, Knolles ka shfaqur tërë shkëlqimin e tij të mundshëm.”
Richard Knolles vdiq në Sandviç në vitin 1610.
Përmbajtja e shkurtër e Historisë së Përgjithshme e turqve?
Vëllimi prej 3500 faqesh i këtij libri përmban një kurs epik ngjarjesh të familjes otomane përpara themelimit të Perandorisë Otomane deri tek fundi i karrjerës së Sulltan Mehmetit të Tretë (1603). Në veçanti libri perqëndrohet tek para-ardhësit e familjes otomane dhe paralel me këtë, mbretërit dhe princët e krishterë të Europës. Ai ia kushton librin Madhërisë së Tij, Princit Xhemjs të Anglisë, Skocisë, Francës dhe Irlandës, mbrojtës i fesë së krishterë.

Libri jep një pasqyrë shumë interesante se si dinastia turke u ngrit në Persi prej Tangrolipix – ëve, paraprijësit e familjes Selxhuke, me aritjet e tyre. Pastaj libri vazhdon me historinë e shkatërrimit të Perandorisë së Parë turke në Persi dhe me suksesin e Mbretërisë së tyre të Dytë në Azinë e Vogël, nën mbretërit Aladin. Më pas libri flet për Perandorin e Parë të familjes Otomane për të ardhur tek sulltan Orhani, i treti i familjes otomane dhe princërit e tjerë të Europës. Më pas ai vjen tek Murati I, pastaj tek Bajaziti I, Mehmeti I, Murati II, Mehmeti, Bajaziti II, Selmi I, e kështu me radhë të gjithë sulltanët turq dhe mbretërit europianë bashkëkohës të tyre deri në vitin 1603.

Pjesa më e rëndësishme për ne shqiptarët, në këtë libër kaq informative, është ajo e cila kap periudhën e sundimit të Sulltan Mehmetit I, Muratit II, Fatih Mehmet Sulltanit, kohë e cila përkon me periudhën e konfliktit otoman kundër Shqiperisë dhe historinë e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Historia e Skënderbeut është shkruar nga dhjetra autorë nga vende të ndryshme të botës dhe në gjuhë të ndryshme. Ata janë mbështetur në shumë dëshmi të ndryshme. Por libri në fjalë ka disa merita të veçanta:

E para, ky ështe libri i parë historik në gjuhën angleze për Perandorinë Otomane, përkatësisht edhe për atë pjesë historike që është e lidhur me vendin tonë.
Së dyti, ajo pjesë e historisë që lidhet me vendin tonë është e “fshehur” brenda atyre mijëra faqeve të librit të Richard Knolles. Mbase kjo është arësyeja se përse deri më sot, ketij libri nuk i referohet asnjë studjues i jetës dhe veprës së Skënderbeut, në asnjë kohë as në gjuhën shqipe dhe as në gjuhë të tjera.

Çuditërisht, asnjë bibliograf shqiptar dhe asnjë autor i librave për Skënderbeun, përfshirë këtu edhe Fan Nolin dhe Sabri Godon, nuk ka asnjë referencë ndaj këtij autori. Madje edhe në libra tjerë të autorëve të huaj, nuk kam arritur të gjej ndonjë referencë.
Nga ana tjetër, Richard Knolles i referohet në tre vende Marin Barletit duke e cituar atë.
Prandaj mendoj se përkthimi i 280 faqeve libër të Richard Knolles rreth origjinës së familjes otomane ka një rëndësi të jashtëzakonëshme në këtë përvjetor të 550 – të, të Heroit tone, për vetë faktet historike që ai ka dhënë për Historinë e Skënderbeut, fakte që do i shohim në vijim në këtë libër, përkthim nga origjinali I cili tashmë është i gatshëm për botim dhe do të jetë së shpejti edhe on-line.

Nga Mal Berisha, Prishtinë, Mars 2018

[1] Calendar, State Papers and Manuscripts relating to English Affairs, existing in the Archives and Collections of VENICE and in other libraries of Northern Italy, Vol III, 1510 – 1526, page 52.
[2] Është fjala për Mbretin Henry VIII – të. Henry VIII – të ka qenë mbret i Anglisë nga 21 prilli 1509 deri sa vdiq 28 janar 1547 Ai ishte i biri i Mbretit Henri i VII – të dhe njihet si mbreti që ndau kishën anglikane nga ajo romake dhe ndërpeu varësinë e saj nga Papa. Ai u vu vetë edhe në krye të kishës, një traditë që vazhdon edhe sot.
[3] The Voyage to Illyria, by Kenneth Muir and Sean O’Loughlin, first edition 1937, reprinted in 2005, by Routledge, 2 Park Square, Milton Park, Abingdon, Oxon, OX144RN
[4] Battle of Lepanto 7 tetor, 1571, beteja detare midis të krishterëve dhe otomanëve e zhvilluar në ngushticën midis Gjirit të Patrës dhe Korinthit. Sir Noel Malcolm, në Librin e tij “Agjentët e Perandorisë” e lidh këtë ngjarje me Ulqinin e shekullit XVI, aty ku ndahej kufiri Lindje – Perëndim. Një familje e madhe shqiptare ndahet në dy pjesë, përfaqësuar nga Bruni dhe Bruti. Njëri i shërben Perandorisë së Venecias ndërsa tjetri asaj Osmane. Dhe vjen një ditë që ata do të ndesheshin midis tyre në krye të ushtrive të dy perandorive në Betejën e Lepantos. Në atë betejë ku vritet njëri prej tyre, tjetri mund të ketë qenë 100 metra larg duke luftuar në anën tjetër të frontit.
[5] Jean Bodin (1530–1596) autor i librit “Les Six livres de la République” është një jurist francez dhe filozof politik, anëtar i kohës së tij në parlamentin e Parisit dhe profesor i Universitetit të Tuluzës. Ai njihet për teorinë e tij të sovranitetit dhe për shkrimet e tij rreth demonogjisë./KultPlus.com