Agim Vinca: Nuk ka poet të vjetër apo të ri që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun

Gili Hoxhaj

Po vazhdon të mbahet edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Sot në seancën e parë të sesionit të dytë, profesori Agim Vinca lexoi kumtesën e tij me titull “Skënderbeu në poezinë e sotme shqipe”. Lidhur me këtë ai tha se nuk ka poet të vjetër apo të ri, klasik apo bashkëkohor, të njohur apo më pak të njohur që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun, që të flas në vargje për jetën e tij për jetën dhe veprën e tij dhe për kohën që përfaqëson ai, të cilën poetët e romantizmit sidomos arbëreshet e quanin “Moti i madh” kurse historiografia e quante më të drejtë “Epoka e Skënderbeut”. Vinca tha se figura historike në letërsinë shqipe kalon përmes dy modelesh.

“Për Skënderbeun janë shkruar vjersha, poema, balada, sonete, skica, tregime, novela, romane, drama, monodrama, tragjedi, skenar filmash dhe vepra të tjera artistike, pa harruar edhe ato në fushën e muzikës dhe të arteve figurative, madje jo vetëm në letërsinë shqipe por edhe atë botërore por objekti i studimit tonë është trajtimi i heroit kombëtar në letërsinë tonë. Në letërsinë e figurës historike dhe temës historike në përgjithësi në poezinë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore hasim në dy modele kryesore, modeli i parë është i glorifikimit dhe himnizimit të historisë ku mbizotëron shprehja patetiko-historike kurse modelit të dytë i përkasin veprat historike nga pozitat kritike”, u shpreh Vinca gjatë leximit të kumtesës së tij.

Ai tregoi se duke qenë që para e kishte trajtuar më gjerësisht këtë temën lidhur me trajtimin e Skënderbeut në poezinë shqipe, sot tha se pa dashur ta përseris veten do të ndalet vetëm tek poeti Dritëro Agolli që edhe pse nuk është shumë karakteristik për temën historikë në përgjithësi dhe atë të Skënderbeut në veçanti ngase është marrë më pak se koleget e tij me këtë temë, ai meriton vëmendjen e studiuesve.

“Fjala është për poetin e shquar bashkëkohor, Dritëro Agolli. Duke qenë në thelb poet ndryshe nga Kadareja, poet i përditshmërisë dhe jo i historisë, Agolli nuk ka shkruar shumë poezi për Skënderbeun por si poet që e ka mbajtur gjallë gjithmonë zjarrin e dashurisë, as nuk e ka anashkaluar atë. Në vitin 1956, kur bënte hapat e parë si krijues, shkroi poezinë “Zjarret”, në të cilën stigmatizohet fenomeni i tradhtisë. Ky stigmatizim karakterizohet artistikisht përmes figurës së nipit të Skënderbeut, Hamza Kastrioti i cili u bë me turqit. Konform llojit të saj të përcaktuar qysh në titull si baladë, kjo poezi është e shkruar në distriktin elegjiak, njëmbëdhjetë rrokesh që i përgjigjet frymës dhe përmbajtjes së saj, tabloja është e gjatë dhe epike por nuk mungojnë në të as elementet baladike”, u shpreh Vinca.

Vinca tregoi se poeti i njohur Agolli, kësaj poezie të hershme iu kthye edhe në vitet e 70-a, atëherë kur përvoja e tij letrare ishte pasuruar dukshëm dhe bëri disa ndryshim por pa e prekur thelbin e poezisë.

“Ndryshe nga varianti i parë i viteve 50-a, ky variant ka dy vargje më shumë se i pari dhe është i ndarë në katër pjesë , në tri sa kishte varianti i parë, janë hequr disa vargje dhe janë shkruar disa të tjera, është bërë edhe një zhvendosje e vargjeve brenda vjershës por struktura e saj ka mbetur e njëjtë. Është hequr për shkaqe ideologjike fjala “mbret”, e cila përmendej tri herë brenda tekstit, ndoshta dhe historike pasi që formalisht sa e di unë Skënderbeu nuk është shpallur kurrë mbret. Në dy vargjet e fundit ku shpërthen zemërimi kundër tradhtisë ka pësuar një ndryshim të vogël, nga veta e tretë e ka kthyer në vetën e dytë”, tregoi Vinca sot në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”.

Tutje Vinca theksoi se Figurës së Skënderbeut, Agolli do t’i referohet edhe në një vepër tjetër, në poemën “Nënë Shqipëri”, të shkruar 20 vite më vonë. Vinca shtoi se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu shfaqet edhe në krijime të tjera të Dritëro Agollit, në kontekste të tjera ideo-artistike dhe me mjete të tjera gjuhësore e stilistike.

“Në këngën e dytë të kësaj vepre, të cilësuar si një sintezë të fuqishme e rrugës historike të popullit shqiptar ndër shekuj, poeti i kushton disa vargje figurës së heroit kombëtar duke u përqendruar në një moment kyç të jetës së tij që është kthimi në Krujë”, u shpreh Vinca.

Po ashtu sot do të mbahet edhe dy sesione të tjera dhe mbyllja e punimeve të konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe epoka e tij”, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. / KultPlus.com

Figura e Skënderbeut, frymëzim dhe për brezin e ri (FOTO)

550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, i kthyer tashmë edhe në një tur aktivitetesh për shkak të shpalljes së vitit 2018 dhe si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka marrë vëmendje të madhe edhe nga nxënësit e shkollave.

Në këtë kuadër Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” organizuan një aktivitet mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëri që fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë të mund të realizojnë krijime origjinale siç ata e përceptojnë Heroin Kombëtar.
Fëmijët e talentuar të frymëzuar nga historia e betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës, por dhe armët e përkrenarja e tij, kishin përgatitur punime të realizuara në pikturë dhe një program festive-edukativ me dramatizime, këngë e valle patriotike dhe ese mbi figurën e Skënderbeut.

Aktiviteti që u zhvillua edhe nën moton “Edukimi mbi dhe përmes kulturës”, u organizua nën kujdesin e Sektorit të Programeve Edukative. Në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, aktivitetin e përshëndeti dhe specialistja e Sektorit të Programeve Edukative, Sonjela Babaliu, e cila falenderoi shkollën “Jeronim De Rada” për bashkëpunimin./ Ata/ KultPlus.com

Krujë, qytet i bekuar

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë.

Paris (1608): Shpirtmadhi Skënderbe, edhe i vdekur, tmerronte dhe çorodiste muhamedanët supersticiozë

Në librin francez, të autorit Adrien de Boufflers, me titull « Le chois de plusieurs histoires et autres choses mémorables tant anciennes que modernes appariées ensemble, pour la plupart non encore divulguées », botuar në vitin 1608 nga shtëpia botuese mbretërore franceze, P. Mettayer, gjejmë një shkrim të rrallë, në faqet n° 102 – 103, dedikuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, të madhit Gjergj Kastrioti.

Trimi shqiptar tashmë kishte ndërruar jetë. Kur turqit, e morën vesh, nuk vonuan të pushtonin Lezhën dhe të shkonin tek varri i luftëtarit legjendar që i kishte tmerruar për një çerek shekulli.

Në vijim, shkrimi i sjellur ekskluzivisht nga Aurenc Bebja, [Blogu Dars (Klos), Mat – Albania] :

Pasi Muhamedanët pushtuan qytetin e Lezhës, ku ishte varrosur Rrufeja e madhe e luftës, Skënderbeu, ata e nxorrën trupin e tij nga varri për të parë të vdekur njeriun që i kishte bërë të largoheshin të tmerruar qoftë dhe vetëm me përmendjen e emrit të tij.

Të afruar pranë kockave të tij, këta ndiheshin të lumtur që mund t’i preknin, ose të paktën t’i admironin. Edhe krerët dhe komandantët morën monedhat e arit dhe të argjendit, e i mbanin ato me nderim të madh sikur të ishin diçka e shenjtë (hyjnore) duke besuar seriozisht se mbajtja e këtyre relikeve do t’u sillte atyre lumturi ashtu si qiejt kishin vepruar për Skënderbeun.

Bëmat e Skënderbeut në luftë nuk janë admiruar vetëm nga kapitenët Muhamedanë, por edhe nga vetë perandori (sulltani) Mehmet, i cili për të imituar princin shqiptar, përdori shpatën e tij pas vdekjes, duke menduar se do të bënte të njëjtat bëma me dorën e tij kundra të Krishterëve, të përjetonte të njëjtën eksperiencë si Mbreti i Epirit, por këto tehe nuk prenë ndaj të Krishterëve.

Virtyti nuk vinte aspak nga shpata, por nga energjia nervore e krahut dhe dorës së shpirtmadhit Skënderbe, i cili e përdorte atë për të flakëruar mohuesit. “

Festa mbarëkombëtare për Skënderbeun në Durrës, mesazhe të veçanta nga arbëreshët

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Bashkia e Durrësit dhe shoqata kulturore Smat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan “Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun në ditën e lindjes së tij’.

Ky aktivitet dy ditor që zhvillohet në Bashkinë e Durrësit dhe në kepin e Rodonit, u organizuar nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.


>

Delegacioni i përbërë nga rreth 50 vetë nga komunat arbëreshe të Italisë, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip kanë çelur këto festime në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar më pas edhe sheshin Liria.

Në këtë ceremoni delegacioni është pritur nga drejtori i kabinetit të bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj dhe drejtori i arsimit dhe kulturës Adrian Gurra të cilët i kanë uruar mirësardhjen arbëreshëve të Italisë dhe kanë vënë theksin në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore midis arbëreshëve të Italisë dhe Durrësit për të cilën shërbeu edhe kjo festë dy ditore për nder të Skënderbeut që i bashkoi në Durrës shqiptarë nga të gjitha trevat ku ata ndodhen.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave arbëreshe, kryetari i komunës Casalvecchio, Noe Andreano dhe kreu i komunës Chieuti, Diego Iacono./ ATA/ KultPlus.com

Lindja e Gjergj Kastriotit dhe kthesa e epokës historike europiane dhe botërore

Shkruan: Gjon KEKA

Para 613 viteve një yll u duk mbi qiellin arbnor që do ta shoqëronte lindjen e të madhit të saj, para 613 viteve respektivisht më 6 Maj 1405 në trojet arbnore doli filizi i ri i Kastriotëve të mëdhenjë që do ta mbante emrin e pavdekshëm Gjergj Kastrioti. Ai lindi në një familje finsike dhe të frytshme arbnore. Lindja e këtij Princi që me veprat e tij – emri i tij i madh do ta pushtonte botën ishte një tregues se në mesin e këtij populli gjithnjë kanë dal burra e gra që jo vetëm kanë mbrojtur dhe kontribuar për atdheun e tyre, por edhe atë të vetë Europës dhe Botës.

Për sa kohë e dimë, lindja e tij u shoqërua me një rrethanë dhe koincidencë domethënëse,sepse dita kur ai lindi ishte parashikuar nga nëna e tij para lindjes dhe jo rastësisht ai lindi në këtë ditë, e që më pas do të jetë ditë e bekuar për arbnorët dhe brezat e kombit tonë arbnor europian. Ati dhe Nëna e tij kishin qenë aq të kënaqur me lindjen e këtij princi saqë e kishin shfaqur dashurinë e tyre të zjarrët që në përkëdheljet e para prindërore.Ai u pagëzua me emrin e gjyshit të tij Gjergj Kastriotit të Parë ,poshtu u pagzua në kishën e kështjellës princërore të Kastriotëve,Maji për Kastriotët u bë një muaj i bekuar dhe u shoqërua me gëzimin e gjithë vendit dhe të qiellit për lindjen e këtij princi pasardhës.Nën këtë shkëlqim ai u mbështoll nga pëlhura e simbolet e paraadhësve u bekua dhe të gjithë falënderuan me sytë nga qielli Perëndinë e Arbërisë për këtë dhuratë të madhe brenda familjes arbnore të Kastriotëve.

Princi i ri i Kastriotëve kishte një kurorë të vogël mbi kokën e tij dhe ishte veshur më pas me kostume tadicionale të vendit si dhe i mbuluar me dhurata nga të pranishmit. E gjithë udha nga vendi ku ai lindi e deri në dalje u pushtua nga arbnorët, fiset përreth dhe nga të tjerët që shfaqnin gëzimin me rastin e lindjes së tij dhe pagëzimit të tij nën këmbanat të cilat dërgonin mesazhin e gëzimit të atij vendi dhe të lindjes së shëptimtarit dhe mbrojtësit të Arbërisë. Kështu ai rritej ngadal dhe bashkë me rritjen e tij rriteshin edhe aftësit dhe talentet e tij të cilat i shfaqte ,këtë madje e kishin kuptuar edhe prindërit e tij se në të fshihej një fuqi dhe talent i madh të cilin do ta përdorte sigurisht kur të rritej në shërbim të vendit të tij. Por nuk zgjati shumë dhe barbarët mbërrtin në derën e Kastriotëve për ta gllabëruar atë, duke mos patur udhë tjetër ata arritën marrëveshje me Gjon Kastriotin që fëmijët t’i jepte të gjithë Sulltanit si kusht për ta lënë atë në pronën e tij ,dhe me gjithëatë ai duke mbajtur shpresën se bijtë e tij do t’i kthehen atdheut të tyre i dha me dhimbje të madhe në shpirt por me një porosi për secilin që mos ta largojn shikimin nga atdheu kur ai të ketë nevoj, kur ai të thërret për shpëtimin e tij. Dhe kjo sikur u ngulit në zemrën e Gjergj Kastriot që në vegjëli.Nga kjo kohë e deri në ardhjen e Lajmit për vdekjen e Babit të tij Gjergj Kastrioti ishte në oborrin e Sulltanit si peng dhe i detyruar t’i shërbente. Historinë e tij e kemi të njohur,është shkruar e është shkruar për rikthimin e tij në Krujë,dhe vendosjen e themeleve të lirisë dhe shtetit arbnor më pas. Por meqë është përkujtimi i datës së lindjes këtu u fokusova më shumë në gëzimin dhe domethënien e kësaj dite të madhe për Familjen Kastrioti dhe Arbërinë në përgjithësi.

Kështu që Gjergj Kastrioti dhe ngjarjet e kohës së tij formojnë kthesën e epokës historike jo vetëm Europiane ,por edhe botërore. Mesjeta gradualisht u bë gjithnjë e më shumë e gjallë ,sepse brenda saj po vuloste këtë periudhë me zjarrin e lirisë dhe të mbrojtjes së qenjes dhe civilizimit të kontinentit Europian Gjergj Kastrioti dhe arbnorët e tij trima që kishte oas vetes.Në të filloi një revolucion i madh ,një epokë e re e mësimit për Europën dhe Botën se si mbrohet dhe duhet atdheu ,se si liria dhe identiteti janë themele për ta cilat janë ujitur me pika gjaku e djerse të heronjëve dhe atyre që sakrifikuan jetën e tyre për brezat dhe të ardhmen e kombit të tyre dhe jo vetëm./ KultPlus.com

Në Toronto u hap ekspozita kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut (FOTO)

Dje, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, për herë të parë në Toronto, u hap ekspozita “Jeta dhe vepra e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmbante pjesë nga koleksioni i librave të vjetër dhe të rrallë të Patricia Nugee-t. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve.

Librat janë ekspozuar në katin e dytë të Robarts Library ndërsa ekspozita u ndoqën me interes nga dhjetëra bashkatdhetarë me banim në Toronto. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Ottawa, Ermal Muça, Robert Austin nga Universiteti i Torontos, Patricia Nugee si edhe anëtarë të bordit dhe këshillit të nderit të SHBSHK-së, Presidenti, Ramazan Këllezi, Presidente e Nderit Ruki Kondaj dhe miq nga shoqatat shqiptare të Londonit e Hamiltonit.

Ceremonia dhe Kjo ekspozitë u organizua nga Pasqyra Shqiptare, në bashkëpunim dhe me sposorizim të pjesshëm të SHBSHK-në dhe me sponsorizimin e “The Boutique Real Estate” me dy agjentët e shitblerjes së pronave: Toni dhe Ledi Alushi si edhe shkrimtarit shqiptaro-kanadez Përparim Kapllani.

Ekspozita do te jete hapur edhe më datën 16 Janar 2018./KultPlus.com