Gjergj që nga janari kur ike në çdo pranverë çelin lule t’këqija.
Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit. Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi. Në pyllin e dilemave, s’i shohin portat e lirisë, as lapsin e urtisë, as përkrenaren e krenarisë, as shpatën e lirisë.
As Pal Engjëlli nuk është askund. Ka shume zbrazëti dhe pikëllim. Gjergj, e sheh? Që nga janari i akullt Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës. Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje dhe trishtim. Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura, atyre shkrepave të thepisura,
Bjeshkëve të Nemuna e Adriatikut të trazuar.
Zemra u kullon, por nuk duan kurim. Ndërgjegjja i brenë, por nuk duan pendim.
Gjergj, Arbnit janë të trazuar dhe ikin e s’dinë ka vejnë. / KultPlus.com
Kaluan 552 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale.
Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime, deri te kundërshtimi, urrejtja, keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm që aktualiteti i tij, “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..
Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij, ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.
Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit, atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje aftësia e tij në diplomacinë e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.
Këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.
Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.
Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.
Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.
Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.
Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.
Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm./drita.info/ KultPlus.com
Studiuesi i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 241 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”.
Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.
Gjergj Kastrioti i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.
Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge:
“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.
Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit: ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.
Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar… Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush… Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh… Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia.
Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën…
Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit”. / KultPlus.com
Me nismën e ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Itali, të premten te shtatorja e Gjergj Kastriotit, në sheshin Albania, do të mbahet një tubim përkujtimor në 552 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.
“Më datë 17 janar, Ambasada e Republikës se Kosovës në Romë dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizojnë takimin në kujtim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe. Ftojmë të marrin pjesë komunitetin shqiptar, atë arbëresh dhe miqtë italianë, në këtë aktivitet përkujtimor kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, simbol i rezistencës shqiptare në mbrojtje të qytetërimit evropian”, thuhet në një postim të Ambasadës së Kosovës në Itali.
Heroi kombëtar vdiq në moshën 63 vjeçare në Lezhë dhe u varros në kishën e Shën’Kollit, aty ku mblodhi prijësat shqiptarë për të themeluar Lidhjen e Lezhës. Për 25 vite me radhë, udhëhoqi luftën kundër Perandorisë osmane. /koha.net/ KultPlus.com
Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor Muzeu i Kosovës sot hap ekspozitën “Moti i Madh” kushtuar Heroit të Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Ekspozita përmban statute, replika, gravura të autoreve të ndryshëm me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com
Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, këtë të shtunë, më 10 nëntor 2018, organizon meshë dhe koreodramë për Gjergj Kastriotin – Skënderbun në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në kuadër të shënimit të Vitit Jubilar 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, njoftojnë nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Mesha e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilës do t’i prijë SH. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në koncelebrim me meshtarë, rregulltarë, me pjesëmarrje të rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë, do të nisë në ora 11:00, kurse pas meshe, rreth orës 12:00 do të bëhet inaugurimi i mozaikut të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në këmbanarën e Katedrales.
Kurse në ora 12:30 do të paraqitet një koreodramë mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, nga koreografi Xhemal Berisha, nën interpretimin e Ansamblit Arbëresha (Misioni Katolik Shqipar Sirnach – CH). Në këtë shfaqje do të ndodh një takim i Gjergj Kastriotit me Nënë Terezën. Koreodrama mbahet në Sallën e Qendrës “Pjetër Bogdani”, e cila gjendet në ambientet e Katedrales.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot janë promovuar dy libra të veçantë për Nënë Terezën dhe Skënderbeun. Librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të koleksionistit dhe autorit Hysen Dizdari, shkruan KultPlus.
Hysen Dizdari është një koleksionin të cilit dëshira për të mbledhur pulla postare i kishte lindur shumë natyrshëm, duke mos e menduar asnjëherë se do arrinte që të ishte autori i dy librave të cilat do mbanin koleksione të veçanta të pullave kushtuar dy figurave të mëdha shqiptare, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.
Mirëpo ashtu siç tha sot edhe profesoresha e tij, Flutura Xhavi, ka mjaftuar që Dizdari të kishte një ide dhe të besonte në të dhe puna deri te realizimi i saj do ishte i pashmangshëm për të pasi që ai veçohej si student punëtor dhe i dedikuar.
“Figurat e mëdha si Skënderbeu dhe Nëna Tereza duhet që t’i bëjmë të kapshme dhe jo vetëm të krenohemi që ata janë shqiptarë si ne pasi që bota vazhdimit po ecën. Ne duhet që të kapemi pas vlerave të tyre që shumë pak kush i ka dhe të bëhemi bartës të këtyre vlerave”, u shpreh ajo.
Libri për Nënë Terezën fillon me “Emisioni i zakonshëm – Nëna Tereza”, emërtuar më 4 tetor 1992 i cili përmbante dhjetë pulla postare me të njëjtën pamje, Nënë Tereza duke mbajtur në duar një fëmijë. Ky libër ka gjithsej 14 emisione të ndryshme dedikuar figurës së Nënë Terezës.
Në anën tjetër Don Lush Gjergji u shpreh se çdo libër i cili diskuton apo vë në pah kontributin e Nënë Terezës është i mirëseardhur pasi që ajo është nëna universale e mbarë njerëzimit dhe e meriton një kujdes të tillë.
“Librin të cilin e sjellim këtu është me pulla postare kushtuar Shën Nënë Terezës, me këto pulla të cilat ngjiten në zarfe dhe dërgohen çdo kund në botë. Unë kisha dashur që figura, që jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjet dhe zemrat tona. Që ne të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Tereza ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, u shpreh ai.
Për librat bisedoi edhe vet autori i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim. Libri për pullat postare kushtuar Skënderbeut ka 33 emisione, i pari është emërtuar më 1 dhjetor 1913. Ndërsa në mesin e pullave postare është edhe ajo e figurës së Skënderbeut realizuar nga piktori Ibrahim Kodra, emërtuar më 20 nëntor 2004.
“Mbledhja e pullave dhe përgatitja për botim e albumit historik për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bazuar te historia mbi 100 vjeçare e filatelisë shqiptare, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh ai.
Në fund ai tregoi se ndër vite duke ju shtuar numri i pullave në koleksionin e tij, i ka lindur ideja e krijimit të një koleksioni të veçantë me pulla të cilat do u kushtohen figurave të mëdha patriotike dhe atdhetare të popullit shqiptar./ KultPlus.com
Viti 2018-të, sjellë edicionin e tetë të Etno Fest, shkruan KultPlus. Kësisoj, këtë vit ky festival është ndarë në dy sesione.
Sesioni i parë ndryshe i quajtur si Sesioni Verorë, mbahet më 4 dhe 5 gusht në Fshatin Kukaj, ku tashmë edhe është bërë publikimi i programit që do të përmbajë ky sesioni i Etno Fest-it.
Nata e parë më 4 gusht, sjellë “Natën e Gjergjit”, e cila vjen në frymën e kujtimit dhe nderimit të heroit kombëtar Gjergj Kastioti ndërsa nata e dytë më 5 gusht paraqet “Natën e Diasporës” një manifestim gjithëpërfshirës për dhe me mërgimtarët.
“Çuditërisht ende nuk kemi përgjigje nga komisioni shtetëror për shënimin e përvjetorit të Skënderbeut, a do të na përkrahë a nuk do të na përkrahë për t’i dhënë këtij eventi frymën institucionale. Sidoqoftë do t’i mbajmë dy eventet me ato që mundemi dhe që kemi, e ju të dashur qytetarë, ju bashkatdhetarë jeni të mirëpritur si gjithnjë. Prezenca dhe ndihma juaj është vitale për vazhdimin e këtij festivali”, thuhet në njoftimin e stafit organizativ të Etno Fest.
“Nata e Gjergjit”, për herë të parë një grup Arbëreshësh nga Italia do të performojnë në Kosovë me rastin e këtij eventi së bashku me Pleqtë e Krujës” dhe Kastriotët e Ferizajt.
Ekspozitat dhe konferenca shkencore si dhe performanca tjera do ta bëjnë të veçantë “Natën e Gjergjit” kryeheroit kombëtar.
Sa i përket programit të “Natës së Diasporës”, është një program i ngjeshur me vizita të ndryshme, ekspozita, mbrëmje poetike, debat, program muzikor, e shumë ngjarje të tjera.
Rikujtojmë se Sesioni Vjeshtor i Etno Fest, mbahet nga data 1 deri më 5 shtator, ndërsa programi nuk është bërë ende i ditur./ KultPlus.com
Studiuesi Gjon Keka ka zbuluar në një kronikë evropiane, një stemë të vitit 1687 që tregon se si shtëpia e Kastriotëve dhe stema e tyre kishte shqiponjën e kurorëzuar dhe yllin në stemën e tyre, shkruan KultPlus.
Kjo stemë tregon qartë se si dukej atëherë flamuri i Gjergj Kastriotit dhe shqiponja e kurorëzuar dhe si duket sot flamuri pa kurorat mbi kokën e tyre dhe yllin lartë.
“Nuk dihet pse flamuri që sot mbajmë me shqiponjën nuk ka kurorat mbi kokat e shqiponjave dhe yllin ashtu sikur e kishte ngritur Gjergj Kastrioti ne Krujë. Sidoqoftë kjo stemë, kjo shqiponjë e kurorëzuar dhe yllin lartë është stema dhe flamuri origjinal i identitetit tonë kombëtar arbnor evropian”, thotë Keka./ KultPlus.com
“Vallja e shpatave” apo e njohur si “Vallja e Pirros” është një nga vallet më të njohura dhe më të lashta shqiptare, shkruan KultPlus.
Kjo valle e njohur që është realizuar pranë varrit të heroit të kombit, Gjergj Kastrioti i ka rrënjët që nga lashtësia dhe ishte e njohur si “vallja e Pirros”
Vallja pirrike ishte valle e lashtë që luhej në Greqinë e Lashtë, Iliri, Maqedoni e Thraki. Sipas legjendës, edhe Kurretet (banorët eponim të ishullit të Kretës) kanë luajtur një valle të tillë shpatash me synim që ta mbrojnë Zeusin foshnje nga ndëshkimi i pa kthim i atit të tij Kronosit që gëlltiste fëmijët e vet që në lindje./ KultPlus.com
Gjergj Kastrioti u martua me Donika (Marina) Arianiti më 26 prill 1451, por ka edhe autorë që lëvizin datën e martesës së tyre.
Disa e shënojnë më 27 prill, apo në fillim të muajit maj të vitit 1451, sidoqoftë martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën ka ndodhë në vitin 1451, sipas gojdhënave thuhet se pas lutjeve që i bënë miqtë e tij, sepse atij nuk i binte në mend të martohej, ai ishte i zënë me luftën kundër pushtuesve turq.
Thuhet se Gjergji kur u martua kishte 48 vjet, ndërsa Donika 23 vjet. Ata u bekuan me lindjen e djalit të tyre Gjonit, si pasardhës i mbretërisë së Kastriotëve./KultPlus.com
Francesco Tajani, në veprën e tij “Le Istorie Albanesi”, botuar në Salerno në 1886, ka përkthyer nga latinishtja në italisht, në faqen n° 124, poezinë e Paolo Giovio-s për Gjergj Kastriotin, të cilën e gjejmë në faqen n° 147 të veprës me titull “Elogia virorum bellica virtute illustrium”, botuar në 1575 nga Pietro Perna.
Aurenc Bebja, ka përshtatur këtë poezi në shqip dhe e ka sjellë për lexuesin, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Gjergj, brenda varrit tënd mbyllet
Rrënimi i turqve dhe mbrojtja e Epirit;
Kockat e tua pa kundërshtim,
Në shumë vende u shpërndanë dhe përhapën.
Pjesët e trupit që duhet të qëndronin të mbyllura,
Për të mos u ndjerë më të fyera nga armiku,
Ashtu nga emri yt u lind lavdia e zjarrtë,
Sa në një mijë pjesë u thyen dhe shkëmbyen.
Sepse duke u larguar nga kjo botë,
Trupi yt u copëtua nga armiqtë e tu,
sikur për tu ndjerë të rëndësishëm.
Dhe virtyti për tu dhënë jetë të tjerëve,
vjen nga ti, ashtu i njëjti,
të dha famë dhe nder.
Po e sjellim sot këngën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo këngën është kënduar në filmin e Skënderbeut dhe kjo video është pikërisht një fragment i shkëputur nga filmi, shkruan KultPlus.
Rikujojmë se dje ishte 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërkaq viti 2018-të është shpallu Vit Mbarëkombëtar i Skënderbeut./ KultPlus.com
Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në1653, u publikua libri i tij me titullin “Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin”, me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.
Shkrimi titullohet : “Georges Castriot”. Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruar në frëngjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frëngjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtat në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.
Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë:
Fillimet e Gjergj Kastriotit
Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.
I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.
Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu deshtë të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjve të djepit të tij, iu deshtë të ushqehej në mes të armiqve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.
Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.
Por ai, në zemër kishte gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.
Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit
Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.
Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundmë i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qendrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.
Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bënte duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.
Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.
Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.
Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit
Sulltan tradhtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.
Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…
Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar, erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.
Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 milion njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruar mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?
Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit
Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.
Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.
O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…
Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memoria jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj./ KultPlus.com
Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin : “La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”.
Vepra e Elena Gjikës është botuar në vitin 1866 në gjuhën frënge në “Revue des Deux Mondes”, Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.
Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën “Su gli Albanesi, ricerche e pensieri” të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.
Ja kënga në vijim:
Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.
Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?
Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.
Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë :
Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zbehtë, i trishtuar, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen./ KultPlus.com