Së shpejti fillon ‘Java e Filmit Shqiptar’

Nga data 21 deri më 26 tetor në Kinotekë, në kryeqytetin maqedonas, Shkup, do të zhvillohet Java e Filmit Shqiptar.

Në manifestimin pesëditor, realizuar nga Kinoteka dhe Qendra Kombëtare e Filmit e Shqipërisë do të shfaqen deri pesë filma artistikë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë.

Në hapjen e Javës së Filmit Shqiptar do të jenë të pranishëm drejtori i Qendrës Kombëtare të Filmit të Shqipërisë, Eduart Makri dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka.

Java e Filmit Shqiptar fillon me “Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit, një nga autorët më të njohur dhe më të suksesshëm shqiptarë të këtij shekulli, i cili vdiq para dy viteve.

Xhuvani bëri regjinë e nëntë filmave artistikë të metrazhit të gjatë, prej të cilëve për publikun e Maqedonisë së Veriut më të njohur janë ”Parullat” dhe “Lindje, perëndim, lindje: sprinti final”, pjesërisht të xhiruar edhe në MV.

“Liqeni im” ka titullin alternativ “Filmi im”, ku Xhuvani pasqyron rrëfimin prej tre dekadash të shoqërisë shqiptare.

Pason “Agimi” i Gentian Koçit, realizim debutues artistik i metrazhit të gjatë i këtij regjisori të ri, i cili është autor u disa filmave të shkurtër dhe dokumentarë.

“Amaneti” është edhe një realizim i metrazhit të gjatë nga Namik Ajazi, me rrëfim nga bota e spiunëve në sigurinë e shtetit shqiptar dhe dëshira për t’u rrëfyer e vërteta në atë “lojë të pasqyrave të shtrembëruara”.

“Strehë mes reve” është filmi i dytë artistik i Robert Budinës.

Rrëfimi i “Strehës midis reve” zhvillohet në një fshat malor në të cilin myslimanët dhe të krishterët kanë jetuar në harmoni me shekuj ku personazhi kryesor, bariu i vetmuar, Besniku, është nga një martesë e përzier, kështu që mes ndryshimeve drastike në shoqëri duhet ta gjejë rrugën e vet në jetë.

“Delegacioni” është edhe një titull interesant debutues në kinematografinë shqiptare, i Bujar Alimanit, i cili konsiderohet si një nga autorët e rinj më të talentuar.

Rrëfimi i tij zhvillohet në agimin e ndryshimeve politiko-shoqërore në Shqipëri, në fillim të viteve ’90, pas rënies së komunizmit dhe dëshirës për rehabilitim të të burgosurve politikë. / KultPlus.com

Filmi “Liqeni im” i regjisorit Gjergj Xhuvani shfaqet në “European Film Market”

Filmi shqiptar  “Liqeni im”, me regji dhe skenar  të regjisorit të mirënjohur Gjergj Xhuvani dhe produksion i shtëpisë kinematografike “On Film Production”, u shfaq gjatë EFM (European Film Market), i cili këtë vit u zhvillua virtualisht për shkak të pandemisë  Covid-19 nga data 1 deri në 5 mars.

Lajmin e ka shpërdarë për artdashësit vetë Qendra Kinematografike Shqiptare

Filmi “Liqeni im” i zhanrit dramë është xhiruar në liqenin e  Prespës së Madhe. Ky film rrëfen historinë e Kristos ku protagonisti jeton në një fshat në buzë të liqenit të Prespës, i cili ndodhet pikërisht në vendin ku kufizohen territoret e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kristo është kthyer një kontrabandues marijuane për shkak të vështirësive ekonomike të familjes së tij. Për shkak të njohurive të tij të mira të territorit shqiptar dhe atij maqedonas ai përdor varkën e tij për të transportuar ngarkesa me marijuanë.

Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, dhe aktorë të tjerë të huaj, janë pjesë kryesore e kastit të filmit. Ky projekt gjithashtu është votuar në “Euroimages”, si më i miri nga 54 produksione nga 37 vendeve anëtarë në mbledhjen e 150-të të bordit menaxhues të “Euroimages”, të mbajtur më 12 deri 16 mars 2018 në Armeni.

Festivali “Tirana International Film Festival” që u zhvillua më shtator 2020 hapi siparin e konkurrimit pikërisht me premierën e filmit “Liqeni im”. Ky film u shfaq më 19 shtator si një homazh për regjisorin dhe skenaristin Gjergj Xhuvani i cili u nda nga jeta më 14 gusht të vitit 2019 në Romë të Italisë./ atsh/ KultPlus.com

Tirana International Film Festival hapet me filmim ‘Liqeni im’ të Gjergj Xhuvanit

Filmi ‘Liqeni im’ i Gjergj Xhuvanit shënoj ceremoninë e hapjes së Tirana International Film Festival në Ansamblin e Kryeqytetit Shqiptar.

Këtë e ka bërë të ditur, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ajo ka shkruar se ceremonia e hapjes të këtij festivali ishte ajo çka duhej për ta larguar sadopak mendjen nga pandemia dhe pë të shijuar magjinë e filmit në një kompani të hapur.

KultPlus ju sjellë më poshtë postimin e saj të plotë:

Filmi “Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit na mblodhi në Amfiteatrin e Tiranës, për të nisur një maratonë të bukur të filmit.

Një homazh për artistin, që na la pas një pasuri të tërë filmike  dhe mesazhin e dashurisë për artin, për jetën.

Ceremonia e hapjes së Tirana International Film Festival ishte ajo çka na duhej pë t’iu larguar sado pak me mendje pandemisë e për të shijuar sërish magjinë e filmit në një kinema të hapur. Amfiteatri do të jetë i hapur çdo pasdite për të shfaqur filma të rinj e emocionues./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/MargaritiElva/photos/pcb.2733247710252157/2733246906918904/?type=3&theater

TIFF vjen me edicionin e 18-të, hapet me premierën e filmit “Liqeni im” nga Gjergj Xhuvani

Edicioni i 18-të i Tirana International Film Festival 2020 do të hapet më 19 shtator me premierën rajonale të filmit “Liqeni im” nga Gjergj Xhuvani, përcjellë KultPlus.

Një vit pas ndarjes së papritur nga jeta, TIFF sjell për publikun filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit, si një homazh për mikun, kolegun dhe regjisorin më të suksesshëm shqiptar të 30 viteve të fundit.

““Liqeni Im” është testamenti më i vyer artistik që Gjergji na ka lënë e neve nuk na mbetet gjë tjetër veç se ta përhapim, ta promovojmë e ta kujtojmë. Vetëm kështu mund të shpresojmë për një fat me te mire te brezit te ri, përfaqësues i të cilit është edhe Kristo, heroi i filmit”, thuhet në njoftim.

TIFF 2020 vjen nën sloganin “Picture Your Life | Create The Future”.

“Liqeni Im” flet për djaloshin Kristo i cili jeton në një fshat në buzë të Liqenit të mrekullueshëm të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujerat në kufijtë e tre vendeve të Ballkanit Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i marihuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase.

Në këtë film me skenar të Gjergj Xhuvani, luajnë aktorët: Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia Zogu, Julinda Emiri, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti.

 Si pjesë e programit të festivalit vjen edhe një tjetër premierë kombëtare nga regjisori i famshëm Milcho Manchevski, fitues i Venecias me “Before the Rain” dhe kandidat për Oscar. Kësaj radhe në TIFF shpalos filmin e fundit “Shelgu”, një bashkëprodhim i Banana Film Maqedoni dhe Tirana Film Institute, Shqipëri.

Në përgjithësi, në festival do të shfaqen 220 filma. Do të jenë 108 filma në competition nga të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike përfshirë edhe filmin në shqip. Ndërsa 112 filma do të jenë në Non Competition section

Këtë vit në fokus të festivalit do të jetë shkolla polake e animacionit me programin NEË ËAY, një përmbledhje retrospektive e filmave më të mirë të kësaj shkolle gjatë 50 viteve të fundit të vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Pjesë e programit të festivalit do të jenë gjithashtu edhe filmat shqiptarë si: “Exil” nga Visar Morina, “Zana” nga Antoneta Kastrati, “The Neës” nga Lorin Terezi i nominuar për Best Short Oscar qualifying. / KultPlus.com

Homazh për Gjergj Xhuvanin, Rama: Një ndër çunat e rrallë që lindin si pleq e jetojnë si fëmijë

Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një mesazh prekës regjisorit dhe kineastit të madh shqiptar Gjergj Xhuvani, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Në një homazh ku e sjell jetën e Xhuvanit në pak rreshta, kreu i qeverisë nuk i kursen fjalët e lavdueshme për regjisorin me të cilin thotë se ka ndarë një pjesë jetës. Ai e cilëson një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë.

Ky është mesazhi i plotë i Edi Ramës

💐HOMAZH
Sot viti dëgjova lajmin e pabesueshëm të ikjes nga kjo botë të Gjergjit, Xhuvanit. Gjergji ishte superçun, qysh gjithnjë, një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë. E mbaj gjithmonë mend të dashuruar pas Lizës, kur ishim në të njëjtat vite paralele në Akademinë e Arteve dhe ndanim një holl të përbashkët, mes atelieve të “Figurativit” djathtas e studiove të “Dramës” majtas.
Në të gjitha zboret na bashkonte një kapanon dhe një togë, në repartin legjendar të Mamurrasit, po mbi të gjitha një pagure me raki dhe copat e kaçkavallit të mëngjesit, mbledhur nëpër xhepa për bashkëbisedimet fluturake pas shkurreve të luftës imagjinare me imperializmin amerikan.
Gjergji u martua me Lizën dhe njëri flirtoi për vite të tëra me filmin, tjetra me teatrin, megjithëse në fakt Liza ishte një yll që shkëlqente qoftë në skenë, qoftë në ekran. Ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë! Po kjo është një histori tjetër.
Ndërsa historia krijuese e Gjergjit, edhe pse e prerë në mes brutalisht nga një sëmundje dërrmuese, që pasi i mori njërën këmbë, i mori edhe jetën, është një kapitull i pambaruar, shkruar me pasion e me inteligjencë të spikatur artistike, brenda librit të historisë së kinematografisë shqiptare. Filmat e tij e çuan emrin e Shqipërisë në plot festivale ndërkombëtare, madje njëri syresh arriti deri në seleksionimin e parë të filmave të huaj, që u gjykuan për nominimet e kandidatëve për Oscar në vitin 2010.
Gjergji i mbylli përgjithnjë sytë në një dhomë hoteli në Itali, ku shkoi të flejë natën vonë në fund të një dite të gjatë pune, pasi mbaroi montazhin e filmit të tij të fundit. Nuk u zgjua më.
Më duket habi akoma sot që nuk do ta takoj më dot në këtë jetë shokun e mirë, me të cilin shiheshim rrallë, por gjithnjë me shumë kënaqësi, e flisnim për sfidat tona krejt të ndryshme të radhës, ai me filmin që do të vinte e unë me këto të miat, po biseda prekte kinemanë, letërsinë, artin, mediat, shoqërinë shqiptare dhe sigurisht kohën e studimeve tona, ku komedia jetësore e zborit nuk mund të mungonte asnjëherë në bisedë, bashkë me paguren e rakisë që ishte arma armiqësore e disiplinës ushtarake në brezin e Gjergjit.
Gjergji ishte vërtetë njeri i rrallë, mik i mirë, artist që fliste me vepra e që fjalët i kursente bukur. Bukur kursehej edhe kur shijonte verën, i pëlqente të pinte dhe ishte kënaqësi e veçantë tavolina me të, sepse për ta mbaruar një gotë merrte kohë, teksa i merrte aromën, i komentonte përbërjen, i kërkonte ndihmën për të ngritur shëndetet.
E ngrita këtë tekst për ty Gjergj – sot një vit më parë nuk lidha dot as pesë fjalë bashkë! – me pikëllimin që s’mblidhemi dot më, për të folur e për të qeshur si dikur, po edhe me buzëqeshjen e përlotur që më jep kujtimi yt. Prehu në paqe shoku im!
TëPAHARRUESHËM🙏 / KultPlus.com

Drejtoria e Burgjeve i jep leje, Kostandin Xhuvani merr pjesë në varrimin e babait

Ka mbërritur sot në mëngjes në Rinas, trupi i pajetë i regjisorit Gjergji Xhuvani, i cili u nda nga jeta më datë 14 gusht, disa ditë më parë, në Romë.

Drejtoria e Burgjeve i ka miratuar lejen djalit të tij, Kostandin Xhuvanit për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së babait të tij, Gjergj Xhuvani.

Artisti i mirënjohur është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare në Itali, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Humbja e tij i ka dhënë një goditje të fortë bashkëshortes së tij, aktores së njohur Luiza Xhuvani, fëmijëve por edhe miqve e të njohurve. Regjisori i njohur për publikun shqiptar ndërroi jetë për shkak të një ataku kardiak në një spital të Romës./27.al

Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani

Ka mbërritur sot në mëngjes në aeroportin e Rinasit, trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani.

Xhuvani u nda nga jeta më 14 gusht në Romë, ku ndodhej për xhirimet e filmit të tij të fundit “Liqeni im”.

Familjarët kanë vendosur që ceremonia mortore të jetë private, jo me homazhe shtetërore.

Regjisori i njohur do të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 14.00.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj. Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik, “Liqeni im”. / Fastnews / KultPlus.com

Xhuvani vdiq ditën që përfundoi montazhi i filmit të ri

Gjergj Xhuvani, një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare, pasi kishte mbaruar xhirimet e filmit “Liqeni im” në Shqipëri në fund të vitit të kaluar, Gjergj Xhuvani edhe pse vuante nga sëmundja e diabetit, në këtë vapë gushti s’e ndali punën.

Regjisori i njohur vdiq në moshën 56 vjeçare, nga një sulm në zemër pasi kishin konsumuar darkën e përfundimit me sukses të montazhit të filmit të ri në Romë.

Filmi me skenar dhe regji të vetë Xhuvanit kishte marrë mbështetjen e Eurimages në Yerevan dhe kishte nisur xhirimet në dhjetorin e vitit të kaluar si një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që kishte mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Regjisori i mirënjohur do të kujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare. Disa nga titujt më të spikatur të filmave të tij janë “Lindje Perëndim lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat”, “Bardhë e Zi”.

Mesa duket “Liqeni im” do të na japë mundësinë ta shijojmë edhe një herë punën brilante të regjisorit Xhuvani. / KultPlus.com




Për Gjergj Xhuvanin: Dhimbjet e mëdha të shpirtit janë më të mëdha se ato të trupit

Nga Luan Rama

Gjergj Xhuvani…
Kohët e fundit e mendoja veten si të isha ai. Dhimbjet e mëdha të shpirtit janë më të mëdha se ato të trupit. Mund të thuash se ishte kjo dhimbje ajo që e mundi çdo ditë e më shumë gjer në frymën e fundit, edhe pse miku ynë i mirë, regjisori i talentuar e donte jetën tmerrësisht, jo thjesht jetën për të jetuar, por një jetë për të krijuar, pasi nëse kishte diçka që e mbante në këtë botë ishte pikërisht filmi, sheshi i xhirimit ku shpirti i tij u bashkua me një shpirt tjetër, kinematografia, pa të cilën ai s’mund të jetonte. Ishte arti, syri në kamera për të parë botën reale dhe për të krijuar pastaj fiksionin, jetën paralele, atë të mirën, përkundrejt asaj kaotike, aq të ashpër, dramatike, sfidante, të padurueshme, klithëse. Ishte krijonjës i së mirës, siç ishte i tillë vështrimi i tij disi flegmatik në pamje të parë por që kur rrije pak me të bëhej nga më njerëzorët, shkëlqente nga drita. Gjergj Xhuvani më kujtonte gjithnjë regjisorin Jean Renoir, autorin e filmit “Le Grand Illusion”, një «bonhomme», ndërtuar nga mirësia, që i pëlqente të pinte verë, të hante mirë, të krijonte paqe rreth tij, e pse jo, të ëndërronte. Ky ishte Gjergji ynë. E kisha parë që adoleshent në krah të atit të tij, skenaristit dhe shkrimtarit të njohur, kolegut tonë Dhimitër Xhuvani. Pastaj u takuam në festivalin e filmit në Kanës kur vinte me Ylljet Aliçkën të prezantonin filmin «Parrullat» që pati jehonë në atë festival. Më kujtohet që për të hapur diskutimet i bëra një pyetje në konferencën e shtypit me gazetarët. Gjergji fliste pak për veten, mendonte shumë. Të donte me vështrimin e tij. Ishte i lumtur, por ishte e habitshme thjeshtësia e tij, gati proverbiale. Më pas, me ardhjet e tij në Paris, Gjergji jetonte me kinemanë, të dashurën e tij. Dukej si një bohem në rrugët e Parisit, në sheshin e Bastijës dhe zonën e Chatelait, në takimet aq të ngrohta me kineastët francezë në studiot e montazhit apo para një gote verë. Kishe dëshirë të ishe në tavolinë me të, të bisedoje për artin. Nga Kana në tragjedinë e jetuar dhe rrugën që nisi së fundi, të ngjiste ngadalë për të dalë në një ditë të dielltë dhe rijetuar me filmin, për filmin, rruga e tij qe mjaft e shkurtër. Si një fluturim i ndërprerë, si ajo shqiponja e plagosur lart në qiell dhe që papritur bie e përplasur në tokë nga lartësitë e mëdha. Një rënie që përfundon me atë që mund të quhet në kinema «fondu dans le noir» (një shkrirje në errësirë), e pastaj në një «stop-kamera». E megjithatë, ky artist e la gjurmën e tij në artin e kinemasë shqiptare. Dhe kjo gjurmë do na jetë e çmuar, gjithnjë. Në fund te fundit dhe jeta është një fiksion… / KultPlus.com

Ndahet nga jeta regjisori i njohur Gjergj Xhuvani

Është ndarë nga jeta ditën e sotme, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani.

Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ‘Liqeni im’. Ai ishte gjithashtu, autori i filmave të suksesshëm pas viteve ‘90, ndër të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.

Xhuvani do të përkujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë shqiptare./Gazeta Liberale / KultPlus.com

Gjergj Xhuvani nis xhirimet e filmit “Liqeni im” (FOTO)

Regjisori Gjergj Xhuvani është rikthyer në sheshin e xhirimit për të nisur punën për filmin më të ri “Liqeni im”.

Me skenar dhe regji të vetë Xhuvanit filmi ka marrë mbështetjen e Eurimages në Yerevan dhe është një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë, ka mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Në fotot e bëra publike shihet dhe aktorja Elia Zaharia. Filmi “Liqeni im” tregon historinë e një djaloshi intelegjent, të quajtur Kristo. Ai i ulur në bankën e tij në klasë mendon për kuptimin e fjalisë “Liqeni im”, të shkruara në tabelë nga mësuesi i tij. “Liqeni mund të na jap të gjitha nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo.

Ai pastaj shikon nga dritarja dhe kujton ngjarjet të cilat kanë ndodhur në muajt e fundit. Djaloshi i ri Kristo jeton në një fshat afër liqenit të Prespës, një lumë i ndarë në tri shtete: Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Kristo, pronari i një varke të vogël peshkimi, përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Kristo rritet duke adhuruar dy shitës droge, me të cilët punon; Ismailin dhe Paskon.

Ndryshimet fillojnë në jetën e Kristos, pasi që ai fillon që të ndjejë dashuri për mësuesen e tij të zgjuar, Mirandën. Ismaili merr një vendim fatal, ai dëshiron që të mbizotërojë në tregtinë e drogës që po ndodh në liqe. Kristo rrihet keq, kurse Paskos i ngrihet një kurth nga Ismaili, ndërsa policia është në pritë të tij. Pasko pastaj vritet, në kaosin që po ndodh, nëna e tij vdes dhe gruaja e tij largohet nga vendi.

Kur komuniteti i vogël i peshkatarëve beson që Kristo është fajtor për vdekjen e Paskos, ai e kupton se tashmë Ismaili duhet të ndalet. Kristo hakmerret duke i vënë flakën një anije që bartë drogë, një aksident ky që sjellë vdekjen e Ismailit. Për t’i thënë lamtumirë të kaluarës së tij kriminali Kristo u vë flakën parave të udhëheqësve të drogës.

Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston, i cili kompleton esenë e tij mbi atë se çfarë liqeni mund t’u jap atyre që dinë se çfarë t’i kërkojnë./ KultPlus.com

“Kinematografia e viteve ’90” risjellë filmat e Gjergj Xhuvanit dhe Fatmir Koçit

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” kuruar nga AQSHF solli mbrëmë projeksionin e tre titujve filmi, për të mos harruar vitin e vështirë 1997.

Filmat e regjisorëve të njohur Gjergj Xhuvani dhe Fatmir Koçi u shfaqën për publikun në Tulla Nouvelle Terrace te Pallati i Kulturës në vijim të këtij programi, që ka nisur javë më parë.

Filmat që u shfaqën ishin “Tirana ‘96” dokumentar nga Gjergj Xhuvani prodhim i vitit 1996, dokumentari “Jeta në Tiranën e vitit 1996” po nga Xhuvani realizim i vitit 1996, po mbrëmë në tarracën e Pallatit të Kulturës u shfaq dhe filmi artistik “Funeral business” prodhim i vitit 1999. Skenari Dhimitër Xhuvani, regjia Gjergj Xhuvani.

Në qendër të filmi është Shqipëria, një vend i zhytur në krizë. Tension, ankth dhe tmerr, vetmi e forca që e mposhtin një grua që e do dhe mbaron familjen e saj. Aktorë në filma janë Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami.

Për publikun pjesë e programit të kinemasë verore ishte dhe filmi dokumentar “Super Ballkan” nga Fatmir Koçi, prodhim i vitit 1998. Regjisori Fatmir Koçi pyet artistët shqiptarë mbi arsyet e tyre për të qëndruar në atdhe dhe se si çlirimi nga diktatura totalitare ka ndikuar në punën e tyre krijuese.

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” organizuar nga AQSHF dhe Tulla Culture Center të martën, që vjen do të sjellë të tjerë tituj filmash, shkruan a.t.a.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. /KultPlus.com

‘Liqeni im’ nga Gjergj Xhuvani zgjidhet projekti më i mirë nga Eurimages

Projekti “Liqeni im” me skenar dhe regji të Gjergj Xhuvanit, prodhuar nga On Film Production është votuar si projekti më i mirë ndër 54 aplikime, në mbledhjen e 150-të të Eurimages në Yerevan, shkruan KultPlus.

Projekti është një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë dhe ka mbështetjen e Qendrës Kombëtare të kinematografisë.

Filmi “Liqeni im” sjellë historinë e një djaloshi intelegjent, të quajtur Kristo. Ai i ulur në bankën e tij në klasë mendon për kuptimin e fjalisë ‘Liqeni im’ të shkruara në tabelë nga mësuesi i tij. “Liqeni mund të na jap të gjitha nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo. Ai pastaj shikon nga dritarja dhe kujton ngjarjet të cilat kanë ndodhur në muajt e fundit, djaloshi i ri Kristo jeton në një fshat afër liqenit Prespë, një lum i ndarë në tri shtete, Shqipërinë, Maqedonië dhe Greqinë.

Kristo pronari i një varkë të vogël peshkimi përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Kristo rritet duke adhuruar dy shitës droge, me të cilët punon, Ismailin dhe Paskon. Ndryshimet fillojnë në jetën e Kristos, pasi që ai fillon që të ndjejë dashuri për mësuesen e tij të zgjuar, Mirandën.

Ismaili merr një vendim fatal, ai dëshiron që të mbizotëroj në tregtinë e drogës që po ndodh në liqen. Kristo rrihet keq, kurse Paskos i ngritet një kurth nga Ismaili, policia është në pritë të tij. Pasko pastaj vritet, në kaosin që po ndodh, nëna e tij vdes dhe gruaja e tij largohet nga vendi.
Kur komuniteti i vogël i peshkatarëve beson qëKristo është fajtor për vdekjen ePaskos, ai e kupton se tashmë Ismaili duhet të ndalet. Kristo hakmerret duke i vënë flakën një anije që bartë drogë, një aksident ky që sjellë vdekjen e Ismailit. Për t’i thënë lamtumirë të kaluarës së tij kriminali Kristo u vë flakën parave të udhëheqësve të drogës. Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston i cili kompleton esenë e tij mbi atë se çfarë liqeni mund të u jap atyre që dinë se çfarë ti kërkojnë./KultPlus.com