Gjermanët, të njohur për festën e fishekzjarrëve në natën e ndërrimit të viteve, për herë të parë do ta festojnë Vitin e Ri shumë më qetësisht, falë një ndalimi të shitjes së fishekzjarrëve, i detyruar nga pandemia.
Nën moton “Drita të ndezura. Viti mbaroi”, banorëve u kërkohet të ndezin dhe fikin dritat e tyre për pesë minuta duke filluar nga mesnata e 31 dhjetorit për të shënuar fillimin e vitit 2021.
“2020 ka kërkuar shumë prej nesh. Po ia dalim sepse qëndruam të bashkuar. Dhe kjo është pikërisht ajo që duam t’i tregojmë gjithë botës në ditën e fundit të vitit”, tha kryetarja e bashkisë së Këlnit, Henriette Reker në një deklaratë.
Një deklaratë nga autoriteti i qytetit i nxit njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të përmbahen nga hedhja e fishekzjarrëve në prag të Vitit të Ri, një traditë e njohur në të gjithë Gjermaninë.
Si pjesë e masave të bllokadës të rënë dakord nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe 16 landet e vendit, do të ketë një ndalim të shitjes së fishekzjarrëve në prag të natës së Vitit të Ri. /atsh/ KultPlus.com
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka njoftuar mbylljen e dyqaneve, shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor para Krishtlindjeve për të ndaluar rritjen e rasteve të koronavirusit.
Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi nga e mërkura dhe do të kenë efekt deri më 10 janar.
Në një konferencë shtypi pas një takimi të udhëheqësve federalë dhe shtetërorë, ajo tha se vendi kishte nevojë urgjente për të adresuar rritjen eksponenciale të infeksioneve COVID-19.
Vendimi pritet të shkaktojë debate të mëdha për shitësit me pakicë, sistemin arsimor dhe publikun përpara festave të Krishtlindjeve.
Ku konsistojnë kufizimet e reja?
Të gjitha dyqanet dhe shërbimet jo-thelbësore do të mbyllen deri më 10 janar, duke përfshirë parukierët të cilët mbetën të hapur nën bllokimin aktual “lite”.
Shkollat mbyllen dhe mësimi vazhdon në shtëpi në internet si dhe të zgjasin pushimet e Krishtlindjeve deri më 10 janar.
Qendrat e kujdesit ditor gjithashtu do të mbyllen, por prindërit do të jenë në gjendje të bëjnë pushime me pagesë në mënyrë që të kujdesen për fëmijët e tyre.
Punëdhënësit inkurajohen të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia.
Njerëzit nuk do të lejohen të pinë alkool në publik.
Ngjarjet fetare në kisha, sinagoga dhe xhami mund të ndodhin nëse ndjekin rregullat e higjienës, por kënga komunale nuk lejohet.
Shtetet ende planifikojnë të lehtësojnë kufizimet më të rrepta të kontaktit për 24-26 Dhjetor në mënyrë që anëtarët e ngushtë të familjes të mund të kalojnë Krishtlindjet së bashku – një familje mund, gjatë kësaj kohe, të ftojë deri në katër të rritur nga familjet e tjera, por vetëm nga familja e afërt, plus çdo numër të fëmijë nën pesëmbëdhjetë vjeç.
Njerëzit mund të mos blejnë fishekzjarre për prag të Vitit të Ri.
Kancelarja gjithashtu rekomandoi që familjet që po planifikojnë të takohen duhet të izolojnë para një jave për të qenë të sigurt./ KultPlus.com
Prodhuesi gjerman i veturave, Daimler, i cili ka nën pronësi Mercedesin, ka treguar se do t’i shpërblejë punëtorët në Gjermani me 1 mijë euro si “bonus për koronën”, për të ndihmuar personelin për të kaluar pandeminë.
“Për shkak të Koronës, 2020-ta ishte një vit shumë sfidues. Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, kompania gjithmonë ka mund të llogarisë në fleksibilitetin dhe gatishmërinë e forcës sonë punëtore,” ka thënë shefi i personelit të Daimler, Wilfried Porth, transmeton KOHA.
Rreth 160 mijë të punësuar në Gjermani do të marrin këtë bonus, kanë thënë nga kompania Daimler, e cila ka nën pronësi Mercedes-Benzin. / KultPlus.com
Policia gjermane i ka nisur hetimet për zhdukjen e një skulpture të bërë nga druri në një zonë malore në Bavari. Skulptura e kishte formën e organit gjenital mashkullor.
Objekti dy metra i gjatë duket se është copëtuar me mjete të mprehta gjatë fundjavës, raportoi një gazetë lokale gjermane.
Skulptura e çuditshme kishte qëndruar për vite të tëra në malin Gruenten, që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Mynihut, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Nuk dihet se kush është autori i skulpturës që është bërë ikonë e malit të lartë 1.738 metra, duke tërhequr shumë alpinistë.
Edhe shërbimi i hartave në internet, Google Maps, e kishte njohur statusin e kësaj skulpture, duke e shënuar si monument kulturor.
Askush nuk e di as si është ngjitur në majë të malit skulptura që peshonte rreth 200 kilogramë.
Sipas një teorie, të raportuar në mediet gjermane, thuhet se skulptura ishte dhuratë e padëshiruar për ditëlindje, e përgatitur nga një grup i të rinjve gjermanë për një shok. Kur ai ua refuzoi dhuratën, ata vendosën që ta çojnë në majë mali përmes sajës. / KultPlus.com
Fakti që kanë lënë Kosovën dhe punojnë punë fizike në perëndim kjo nuk e zbehë aspak personalitetin dhe vlerat që kanë shqiptarët që jetojnë në Evropë.
Shumë të rinj shqiptarë kanë kryer universitetet në Kosovë, por në pamundësi që të gjejnë një vend pune kanë shkuar në perëndim që të punojnë dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.
Në mesin e tyre është edhe Gazmend Geci i cili pas luftës në Kosovë, është detyruar të lë vendlindjen dhe të udhëtojë për punë në Gjermani.
Edhe ai si shumica e shqiptarëve punojnë punë fizike në këtë vend.
Të hënën gjatë punës, Gazmendi ka hasur në një piano të braktisur diku në Gjermani. Duke qenë se Gazmendi ka njohuri edhe për artin dhe muzikën për një moment ka lënë punën dhe ka ekzekutuar në piano disa melodi të këngëve shqipe.
Ai madje është futur live në facebook, duke interpretuar këngën “Hajredin Pasha”, një ndër këngët më të pëlqyera shqiptare.
Geci tutje është shprehur se falënderon nga zemra të gjithë për përkrahjen dhe se kjo është një mënyrë qysh mërgimtarët e kalojnë mërzinë për vendlindjen./ KultPlus.com
Shoqata e mjekëvë shqiptarë në Gjermani (Gesellschaft der albanischen Ärzte in Deutschland) dhe “Albanian Committee of Medical Students” do të organizojnë në datat 4,5, dhe 6 dhjetor 2020 Konferencën e I mjekësore ndërkombëtare me pjesëmarrjen e veçantë të mjekëve nga “Shoqata e mjekëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Konferencës së parë të këtij lloji në Shqipëri i janë bashkuar jo vetëm mjekët shqiptarë në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, por gjithashtu referues nga Italia, SHBA dhe Australia. Konferenca do të zhvillohet në mënyrë virtuale në platformën “Zoom”.
Për të gjithë ata që janë të interesuar afati i dërgimit të abstrakteve shkencore është data 14 nëntor 2020, ndërsa afati i rregjistrimit si pjesëmarrës në konferencë është 25 nëntor 2020.
Në njoftimin e tyre “Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani” fton të gjithë studentët shqiptarë të mjeksisë si dhe të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë të na bashkohen në këte projekt ambicioz./ KultPlus.com
Turistin gjerman Joerg Doisher e kemi takuar verën e 2019 në Tiranë teksa përpiqej të orientohej në kryeqytet, por me të këqijat dhe të mirat e saj ai e ka pranuar Shqipërinë.
Për më shumë se një dekadë Jorg ka zbuluar jugun dhe veriun e vendit tonë, për të rrëfyer më pas në një libër 111 arsyet për ta dashur Shqipërinë.
Jorg ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 2006 , e tregon se pasi është larguar drejt Berlinit ka pasur dëshirën të shkruajë për përjetimet e tij këtu. Më pas ikje ardhjet këtu ishin të shpeshta, nuk numërohen. Ndërsa prej një viti shtëpia e tij është kthyer Lukova.
Për shkrimtarin gjerman libri është një deklaratë dashurie për një nga vendet më të bukura në botë, i cili gjendet ngahera në ndërtim e sipër. /tch/ KultPlus.com
Mjekja Aurora Dollenberg Meta nga Gjermania ka deklaruar se situata atje sa i përket Covid është përkeqësuar dhe se vendi rrezikon të shkojë drejt një mbylljeje.
Ajo ka deklaruar se gjoba nëse njerëzit dalin pa maska është deri në 25 mijë euro.
“Deri 25 mijë euro gjobë në Gjermani nëse del pa maskë. Kjo ndodh nëse nuk bëhen lajmërime me shkrim.
Ka qenë një mbledhje e jashtëzakonshme nga ana e ministrisë dhe të hënën do të vendoset definitivisht nëse do të ketë një mbyllje të dytë”, tha ajo.
Qyteti qendror gjerman i Erfurtit ka anuluar tregun e tij të Krishtlindjeve këtë vit për shkak të situatës së koronavirusit.
“Situata e infektimit në qytet nuk na lë zgjidhje tjetër”, theksoi kryetari i Bashkisë Andreas Bausewein, duke shpjeguar vendimin.
Anulimi është pjesë e një dekreti të ri të përgjithshëm që qyteti planifikon të publikojë në faqen e tij të internetit i cili do të zbatohet deri më 30 nëntor.
Restorantet dhe baret do t’i nënshtrohen një shtetrrethimi nga ora 23:00 deri në 05:00.
Ngjarjet kulturore në ambiente të mbyllura duhet të jenë të kufizuara në një maksimum prej 25 personash dhe jashtë në 100 persona.
Të gjitha festivalet ose ngjarjet e vallëzimit, duke përfshirë festivalin e San Martino dhe tregun e Krishtlindjeve, janë të ndaluara.
Që nga e Shtuna Erfurti është caktuar një zonë e rrezikut të koronavirusit.
Festimet private dhe familjare do të jenë të kufizuara në një maksimum prej 10 personash dhe nuk mund të vijnë nga më shumë se dy familje. /atsh/ KultPlus.com
Rrezarta Bojaxhiu ishte një prej konkurrenteve që mahniti jurinë e “The Voice Kids” në Gjermani në mars të këtij viti me këngën “Nessun Dorma” të Luciano Pavarotti-t. Me zërin unik dhe timbrin e veçantë, këngëtarja shqiptare bëri që të ndizen të gjithë dritat e jurisë.
Rrugëtimi deri në gjysmëfinale e shoqëroi Rrezarta Bojaxhiun me një sukses të jashtëzakonshëm, pas të cilit vjen edhe videoklipi i parë i 16-vjeçares.
E lindur në Islandë, por me origjinë nga Kosova, Rrezarta Bojaxhiu ka mbërritur në Shqipëri vetëm për të realizuar këngën e saj të parë me videoklip.
“Ma s’shumti n’botë”, është publikuar dje në YouTube dhe pritet të jetë një debutim i suksesshëm i Rrezartës në tregun muzikor. Muzika e këngës së regjistuar nga “Mixey Music” është kompozuar nga Armend Rexhepagiq, me tekst nga Aida Baraku dhe producentë Yll Limani e Fatjon Miftari. / Kultplus.com
Gjermania do të shpenzojë 450 milion dollarë për të ndihmuar 240,000 viktima të Holokaustit në të gjithë botën për ta luftuar koronavirusin, shkruan Daily Mail.
Fondet, të cilat do të dorëzohen në formën e dy donacioneve 1,200 euro për secilin të mbijetuar gjatë dy viteve të ardhshme, do të shkojnë te afro 240,000 njerëz në të gjithë botën, kryesisht në Izrael, Amerikën e Veriut, ish-Bashkimin Sovjetik dhe Europa Perëndimore, transmeton Indeksonline.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore tani 75 vjet në të kaluarën, të mbijetuarit e Holokaustit janë të gjithë të moshuar dhe për shkak se shumë u privua nga ushqimi i duhur kur ishin të rinj sot ata vuajnë nga çështje të shumta mjekësore/ KultPlus.com
Të dielën, më 20 shtator në Virtschaftsklub në Dyseldorf është mbajtur manifestimi letrar „Azem Shkreli“ 2020.
Në kushte të Pandemisë COVID 19 manifestimi u mbajt me pjesëmarrje të redukuar duke iu pëeshtatur rregullave në fuqi, thuhet në një njoftim të dërguar nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, organizatore e aktivitetit.
Salla e Wirtschaftsklubit në Dyseldorf ishte e rregulluar për 40 pjesmarrës dhe u mbush e tëra. Manifestimit i parapriu kënga me vargjet e Azem Skrelit „Kënga e turpit“. Mirëseardhje të pranishmëve ju uroi kryetari i LSHAKSH- në Gjermani z. Pal Sokoli.
Manifestimin e pershëndetën biznesmeni dhe humanisti io njohur z. Lazim Destani, përfaqësuesi i Ambasadës së Maqedonisë veriore, përfaqësia në Bon z. Burhan Caraja, Kryetari i nderit i LSHAKSH – në Gjermani z. Martin Çuni, Imami i Qendrës islamike në Dyseldorf dhe kryetar i Unionit të Qendrave islamike shqiptare në Gjermani z. Mensur Halili dhe Shoqata e Femrës shqiptare ne Dyseldorf.
Në fjalën kryesore për Azem Shkrelin, Pal Sokoli kishte përfshirë mbresa nga z. Ismail Kadare, Dritero Agolli dhe Don Lush Gjergji, ku përshkruhej veprimtaria letrare-artistike e Azem Shkrelit.
U vazhdua si tradicionalisht me Orën letrare ku poetët pjesmarrës lexuan poezi kryesisht kushtuar Azem Shkrelit. Poezi lexuan: Dibran Demaku, Martin Çuni, Sead Ramadani, Sadri Gashi, Angjelinë Krasniqi, Mehdi Ibrahimi dhe Pal Sokoli.
Pas Orës letrare u promovuan edhe dy vepra të reja të anëtarëve të LSHAKSH-në Gjermani. U prezantua libri dokumentar i Martin Çunit, “Feniks në Kalvar“ për të cilin referoi poetja Angjelinë Krasniqi dhe libri poetik i Sead Ramadanit, “Në kthetrat e kohës“ për të cilin referoi Pal Sokoli.
Në fund të manifestimit u ndanë tri mirënjohje. Njëra prej tyre iu nda Sylejman Gashit (post mortem). Po kështu mirënjohje iu nda edhe z. Dibran Demaku për aktivitetet e vazhdueshme pranë Lidhjes që nga themelumi e deri ditët e sotme.
Një mirënjohje tjetër iu nda Shoqatës se Femrës Shqiptare „Dora D‘ Istria“ nga Dyseldorfi për aktivitete të vazhdueshme dhe kontribuese për integrimine gruas shqiptare në rrethin ku jeton, për të cilën falënderoi kryetarja Znj. Lindita Kryeziu.
Artisti Abdullah Gjongecaj e përshëndeti këtë manifestim duke apeluar qe të koordinohen shoqatat dhe aktivitetët dhe të përkrahen nga institucionët.
Hajredin Ibrahimi u ndal me shumë të aktivitetet tona për tu bërë faktor që tërheq interesimin e institucioneve.
Manifestimi i djeshëm në një ambient të mrekullueshëm ishte një vazhdim tradite edhe pse në kushte pandemie.
Pas manifestimit, nikoqiri kishte siguruar pije dhe ushqime. Pjesëmarrësit patën rastin të kalojnë se bashku, në bashkëbisedim me njëri tjetrin.
Konkursi tradicional i këtij manifestimi kësaj radhe nuk u mbajt dhe veprat konkuruese u mbajtën për vitin tjetër. /albinfo/ KultPlus.com
Është bërë e ditur se Kastriot Krasniqi, Zulfi Jonuzi dhe Adnan Ljura janë kandidatët shqiptarë për këshilltarë në qytetin e Bergisch Gladbachit ,në zgjedhjet komunale të 13 shtatorit për Këshillin për Integrim në komunat e Republikës Nordrhein-Westfalen, Gjermani.
Ata ftojnë të gjithë shqiptarët për t’i mbështetur dhe të votojnë kandidatët shqiptarë në këto zgjedhje.
Duhet theksuar se Krasniqi është asistent i sigurimeve shoqërore, i përfshirë në disa zona të qytetit Bergisch Gladbach dhe anëtar i Këshillit të qytetit. Gjithashtu ai është nënkryetari i SPD-së dhe Këshillit të Integrimit në këtë qytet, transmeton tutje albinfo.ch.
Nga ana tjetër, Ljura është koordinator për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit në disa shkolla të qytetit Bergisch Gladbach, si dhe pjesë e projekteve të ndryshme për qendrën kulturore DAIK e. V.
Ndërkohë, Zulfi Jonuzi vazhdon studimet dhe është pjesë e shoqatave ndërkulturore gjermane. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Filmi “Exile” nga regjisori shqiptar në Gjermani, Visar Morina, do të shfaqet në kinemanë “Abaton” të qytetit të Hamburgut në Gjermani. Visar Morina ka lindur në Kosovë dhe zhvillon veprimtarinë e tij si regjisor dhe shkrimtar në Gjermani.
Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.
Filmi “Exile” i skenaristi dhe regjisori Visar Morina, skenari i të cilit është shpërblyer me çmimin prestigjioz gjerman “Lola’s Gold”, vjen pas sukseseve me filmin “Babai”, i cili fitoi në Festivalin e Karlovy Varyt për regjinë më të mirë.
“Exile” është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board.
Film “Exile” sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sanrda Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi./ Albinfo.ch./ KultPlus.com
A do të kenë të drejtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë të vijnë për t’u punësuar në Gjermani ?
Leja speciale për punëtorët migrantë nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të zgjatet. Sipas një projektligji të Ministrisë Federale të Punës e ashtuquajtura Rregullore për Ballkanin Perëndimor pritet të zgjatet deri në vitin 2023. Në këtë mënyrë qytetarët e Shqipërisë, të Bosnje-Hercegovinës, të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës kanë të drejtë të vijnë në Gjermani pavarësisht kualifikimit formal për punësim. Çdo vit nga ky ligj mund të përfitojnë deri në 25,000 vetë.
Qytetarët e këtyre vende kanë pasur të drejtë të merrnin vizë pune në Gjermani që nga janari i vitit 2016 – madje edhe pa njohuri të gjermanishtes dhe pa kualifikim profesional. Kusht është që aplikanti të paraqesë kontratën e punës dhe miratimin nga Agjenca Federale e Punësimit.
Sipas një studimi të Institutit për Tregun e Punës dhe Kërkimit Profesional (IAB) 58 për qind e fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor janë punësuar si specialistë ose ekspertë, kryesisht në industrinë e ndërtimit./DW
Shkencëtarët nga Gjermania janë duke i kërkuar 4.000 vullnetarë që të marrin pjesë në një koncert, i cili do të ndihmojë në vlerësimin e rrezikut të bartjes së koronavirusit nëpër manifestime ku mblidhen numër i madh i njerëzve.
Shkencëtarët shpresojnë që do të rekrutojnë 4.000 pjesëmarrës, të cilët më 22 gusht do të mblidhen në arenën e Leipzigut. Vullnetarët duhet të jenë të moshës prej 18 deri 50 vjeç dhe të kenë test negativ për virusin.
Koncertin do ta mbajë këngëtari i njohur i muzikës pop Tim Bencko në mënyrë që “publiku të ndihet dhe të sillet sa më natyrshëm që të jetë e mundur”, shkruan DW të shtunën.
Pjesëmarrësit duhet të mbajnë maska “FFP2” dhe do të përdoren edhe dezinfektues me UV dritë, të cilat pos mbrojtjes, do t’u mundësojnë shkencëtareve që të përcjellin se cilat sipërfaqe preken më së shumti nga publiku.
Por më e rëndësishmja është se pjesëmarrësit do të kenë një pajisje e cila i përcjellë lëvizjet e tyre dhe largësinë nga pjesëmarrësit tjerë, transmeton KOHA.
Organizatorët planifikojnë të testojnë tre skenarë të mundshëm. Skenari i parë do të jetë grupi i kontrollit, që do të thotë çdo gjë si para pandemisë, ku publiku do të hyjë nëpër dy dyert kryesore dhe nuk do të ketë distancë. Skenari tjetër është me kufizime, hyrje më të ngadalshme, masa më të rrepta higjienike dhe distancë. Ndërsa skenari i tretë është me vullnetarët të cilit janë të ulur në tribuna në largësi prej 1.5 metra.
Ky projekt do të ndihmojë në “identifikimin e kushteve në të cilat do mund të mbahen manifestimet e mëdha sportive dhe të artit që nga 30 shtatori, kur këso manifestime do të duhet të lejohen në Gjermani.
Pos kësaj, ky eksperiment do të ndihmojë në kuptimin më të mirë se me sa persona ka kontakt vizituesi pas një koncerti të tillë”, kanë thënë shkencëtarët.
Ata shpresojnë se ky eksperiment do të ndihmojë në gjetjen e një modeli matematikor i cili do të mund të përdoret për ndalimin e përhapjes së infektimit nëpër manifestime me numër të madh të vizitorëve. Rezultatet e para priten të merren deri në gjashtë javë pas koncertit, pra në fund të shtatorit. /KultPlus.com
Është bërë e ditur se Besnik Kelmendi ka shpallur kandidaturën për Asamblenë dhe Këshillin për Integrim në Essen të Gjermanisë.
Besniku është një nga zërat më të dëgjuar në forcat politike të Gjermanisë dhe është mjaft aktiv në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në këtë vend.
Besnik Kelmendi është një shqiptar, i cili prej më shumë se 25 vjetësh jeton në Gjermani. Ai është aktivist dhe sot është një nga zërat më të dëgjuar në forcën politike më të madhe në Gjermani CDU. Si zyrtar në Ministrinë e Brendshme të landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW), ai është mjaft aktiv në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në këtë vend.
Besnik Kelmendi shkoi në moshën 12-vjeçare në Gjermani si refugjat me familjen e tij. Ai mësoi shpejt atje gjuhën dhe u integrua në shoqërinë gjermane. Në vitin 2002 e mori edhe shtetësinë gjermane. Kelmendi e filloi karrierën e tij të suksesshme qysh në vitet e rinisë.
Pas mbarimit të shkollës në vitin 1995 e filloi kualifikimin profesional si Kaufman për menaxhimit të byros në Dhomën për Industri dhe Tregti (IHK) në Essen. Pas përfundimit të shkollimit profesional filloi punë në REWE, ku e vazhdoi kualifikimin dhe në vitin 1999 ai bëhet udhëheqës i njërës prej filialeve të REWE-së në Essen. Në vitin 2002 ai kaloi në LIDL si udhëheqës i njërës prej filialeve më të mëdha të kësaj firme në Essen. Në këtë kohë ai e vazhdoi specializimin e tij në këtë fushë.
Kelmendi ishte edhe zyrtar i Ministrisë së Brendshme të landin të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW). Në pranverën e vitit 2014 ai u bë anëtar i CDU-së në Essen. Në të njëjtin vit ai u bë pjesë e kryesisë “Migrantët e Unionit” në Kreisverband të CDU-së në Essen.
Në dhjetor të vitit 2016 ai ishte pjesë e Kongresit XIX federal të CDU-së si njëri nga bashkëpunëtorët organizativ të tij, me ç’rast kancelarja dr. Angela Merkel u rizgjodh si kandidate për kancelare e CDU-së. Nga shkurti i vitit 2017 Besnik Kelmendi është anëtar i Kryesisë së CDU-së në Essen-Überruhr si sekretar protokolli dhe nga qershori i po të njëjtit vit ai bëhet edhe anëtar i Kryesisë së CDU-së për Ruhrhalbinsel.
Më 21 shkurt 2017 u zgjodh si delegat për Konferencën e Qarkut dhe për Konferencën e të Distriktit të qytetit Essen. Veç kësaj Besnik Kelmendi është edhe kryetar i “Unionit i Integrimit Gjermano-Shqiptar e.V.” dhe zëvendëskryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Gjermani. Kelmendi merr pjesë edhe më tej në Tryezën e Rrumbullakët të qytetit të Essenit si dhe në “Forumin Politik Ruhr e. V”.
Së fundmi, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka ftuar gjithë shqiptarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë partinë CDU, nga radhët e Angela Merkel.
“Ftoj gjithë shqiptarët në Republikën e Nordrhein-Westfalen që me 13.09.2020 të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë CDU, parti e cila ka berë dhe po bën jashtëzakonisht shumë në përkrahje të çështjes shqiptare në përgjithësi.
Gjithashtu dëshiroj të theksoj se ndihem shume i respektuar dhe i nderuar që edhe unë bëj pjesë në listën përkatëse për kandidaturë në Asamblenë e Essenit me nr. 49 po ashtu dhe kandidate i Këshillit për integrimin me nr.4 në Qytetin Essen”, ka shkruar Kelmendi. /albinfo/ KultPlus.com
Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim për në Kosovë, ju lutemi që së pari të njoftoheni për njoftimet e Organeve përgjegjëse të Kosovës dhe patjetër të merrni në konsideratë se: Ministria e Jashtme e Gjermanisë edhe më tej paralajmëron për të gjitha udhëtimet e domosdoshme (përfshirë pushimet, pushimet në vendlindje, vizitat familjare etj.) për në Kosovë. Kjo vlenë aktualisht deri më 31 gusht 2020. Kosova nga institucionet kompetente gjermane aktualisht kategorizohet si rajon me rrezikshmëri për përhapje të pandemisë Covid-19.
Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutem keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit nuk mund t’ju ndihmojnë gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Kosovë nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër tjerash ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.
Në rast të kthimit, karantinë 14-ditore: Nëse tani udhëtoni për në Gjermani – me aeroplan, apo nëpërmjet rrugëve tokësore me autobus ose veturë private – dhe keni qëndruar në Kosovë brenda 14 ditëve të fundit para udhëtimit, jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroheni tek insitucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlenë për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pa marrë parasysh qëllimin e udhëtimit.
Gjatë kohës së karantinës shtëpiake ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta. Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë vendos institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në Kosovë aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë teste për Covid-19, të cilat njihen në Gjermani.
Rregullat nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë. / KultPlus.com
Dy prestigjiozet gjermane, TAZ dhe Der Tagesspiegel, kanë shkruar gjërë mbi shfaqjen “Kthimi i Karl May– një shfaqje zbavitëse për popullin gjerman”, produksion i Qendrës Multimedia, teatrit Volksbühne nga Berlini dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Videoja 40-minuteshe me skena te shfaqjes “Kthimi i Karl May” është dhënë si premierë nga 24-26 qershor, në festivalin ndërkulturor Postwest në Volksbühne Berlin. “Ben Nemsi tek Handke” dhe “Përshëndetje nga Ballkani” janë titujt e artikujve të cilët video-performancën e aktorëve kosovarë e cilësojnë si një risi interesante në edicionin e sivjemë të Postwest.
“Kthimi…” në tekst të Jeton Nezirajt është një format interesant i satirës “që shpeshherë është skajshmërisht i mprehtë në reflektimet e projeksioneve të ndërsjella në mes Lindjes e Perëndimit…”, shkruhet në TAZ. Shfaqja flet për rrugëtimin e Kara Ben Nemsit i cili bashkë me një grup aktorësh nga Kosova ik nga Lindja ndërsa shkon drejt tokave gjermane. Në këtë udhëtim epik ai takon Slavoj Zhizhekun, Peter Handken e personazhe të tjerë intrigues.
“Kthimi i Karl May-it është një satirë jashtëzakonisht e pakursyer e cila absolutisht ia vlen të shihet”, shkruan Der Tagesspiegel. Regjia: Blerta Neziraj. Luajnë: Arta Muçaj, Armend Smajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Shpetim Selmani. /KultPlus.com
Në Azi maskat mbrojtëse kanë qenë prej kohësh pjesë e jetës së përditshme, por jo në Gjermani. Aty tashmë është një përvojë e re për qytetarët që i mbajnë ato në hapësirat publike, shkruan KultPlus.
Pas shpërthimit të virusit korona, gjermanët shihen kudo me maska mbrojtëse duke mbuluar fytyrat. Maska është bërë e detyrueshme për hyrje në dyqan apo për përdorim të transportit publik.
Qysh prej shpërthimit të virusit, maskat janë shfaqur në mbarë botën, e madje të njëjtat janë krijuar në mënyra të ndryshme, disa maska janë edhe artistike, pra unike.
This mask at the Venice carnival recalls models worn by doctors during pest outbreaks
Duke u rikthyer në retrospektivë, mijëra vjet më parë, në Bibël, Adami dhe Eva u dëbuan nga Parajsa ashtu lakuriq; tani shtrohet pyetja: a është maska një metaforë për pafajësinë e humbur?
Maskat për fytyrë u krijuan fillimisht në kafaze teli, ku përdoreshin nga punëtorët e industrive të rënda. Kjo fotografi e vitit 1948 tregon fëmijët e veshur me maska për t’u mbrojtur nga rrezatimi në qytetin e shkatërruar të Hiroshimës.
Picture from 1948 showing children wearing masks to protect themselves from irradiation in the devastated city of Hiroshima
Por gjermanët nuk përdornin maska as atëherë, kur në vitin 1958 pllakosi një pandemi e madhe, gripi aziatik, i cili mori shumë jetë. Në vitin 2003 rregullat higjienike u bënë më të rrepta, gjatë pandemisë SARS. Autoritetet këshilluan njerëzit që t’i lajnë duart shpesh, gjithashtu banjat publike u pajisën me dezinfektues, e megjithatë nuk mbaheshin maska për të mbuluar fytyrën. /bm /KultPlus.com
Janë përgjysmuar shitjet e librave në Gjermani. Shitjet janë ndikuar pasi që dyqanet e librave kanë mbetur të mbyllura për javë të tëra, shkruan KultPlus.
Që nga 20 prilli, në Gjermani libraritë janë hapur përsëri. Ato u mbyllën detyrueshëm për një muaj përveç disave në Berlin, ku lejohej blerja duke i zbatuar rregullat higjienike.
Megjithatë dëmi financiar për këto javë izolimi është i madh, ai arrin në gjysmë miliardë euro.
Disa nga Shtëpitë Botuese gjermane janë skeptik edhe kur të rihapen libraritë, sipas tyre shitjet s’do të përmirësohen shpejt.
“Njerëzit janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe s’ma ha mendja që do të shpenzojnë para për libra”, shprehet Dirk Rehm nga Shtëpia Botuese “Reprodukt”.
Shtëpitë e vogla botuese janë veçanërisht të prekura nga koronavirusi. Anulimi i Panairit të Librit në Lajpcig, si dhe anulimi i festivaleve të leximit kanë ndikuar shumë, dhe i kanë bërë praktikisht librat të padukshëm. /bm /KultPlus.com
Nxënësit në Gjermani u kthyen në klasë të hënën pasi shkollat që ishin mbyllur muajin e kaluar nga koronavirusi, filluan të rihapen
Rihapja e pjesshme, filloi me nxënësit më të mëdhenj, të cilët do të vëzhgojnë distancimin e rreptë shoqëror, shkruan Reuters.
Drejtori i shkollës së mesme FREIHERR-VOM-STEIN, Martin Finke thotë:
“Së pari, ne ulëm numrin e nxënësve në një grup, natyrisht. Tani kemi rreth tetë fëmijë në një klasë me një mësues në ndërrime të ndryshme. Kjo do të thotë, studentët do të qëndrojnë në radhë jashtë klasës. Pastaj ata do të lajnë duart dhe shkojnë në tavolinën e tyre të caktuar, e cila është e rezervuar vetëm për ta. Ne do të duhet të fillojmë t’u mësojmë fëmijëve se kjo është rutina e re”.
“Sot është fillimi i diçkaje të re dhe shpresoj se do të jemi në gjendje t’u japim studentëve që vijnë këtu një besim dhe një ndjenjë të komunitetit, në këtë realitet të ri, në mënyrë që ata të mund të na shohin përsëri ne dhe shokët e tyre të klasës, realitetin që ata do të duhet të mësohen edhe pas diplomimit të tyre në gusht. Tani kemi një temë krejt të re, të cilën do të duhet ta mësojmë çdo mëngjes, dhe të quajtur higjienë”, tha drejtori Finke.
Nxënësit në të gjithë botën kanë marrë mësimet e tyre nëpër internet pasi qeveritë kanë urdhëruar që shkollat të mbyllen në mënyrë që të ngadalësojnë transmetimin e koronavirusit. /KultPlus.com
Federata Mjekët Shqiptarë në Europë, faktor me rëndësi në integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE.
Dy motrat, Elona Meta- Haubrich dhe Aurora Meta- Dollenberg, janë intelektuale me vizion, të afta dhe njëherësh krenare për origjinën e tyre
Të dy motrat janë nga Shqipëria dhe jetojnë dhe punojnë si mjeke në Gjermani, në qytetin Wolfenbüttel, afër Hanoverit. Kjo ishte një histori suksesi e mjekeve nga Patosi, të cilat që tani zhvillojnë karrierën profesionale në këtë vend nga viti 2006 dhe udhëheqin Federatën e Mjekëve Shqiptarë në Diasporë.
Janë dy lidere dhe lobojnë për “Mjekësinë e të Ardhmes”. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë është themeluar në vitin 2019, me seli qëndrore në Wolfenbüttel-Gjermani si dhe vazhdim i OMA (Organizates Mjekët e së Ardhmes) themelluar në Tiranë në vitin 2006.
Prioritet i Federatës ëshë të bëjë lidhjen e mjekëve shqiptarë në gjithë Europën e më gjerë, SHBA. Qëllimi ështe rritja e metëjshme akademike, shkëmbimi profesional dhe lobizmi pozitiv e konstruktiv në nivel europian për shqiptarët dhe trojet tona etnike.
Elona Meta, kryetare e “Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë” dhe Aurora Meta, nënkryetare pranë kësaj Federate në Gjermani, synojnë një rrjetëzim të mjekëve shqiptarë në Diasporë me qëllim njohjen me njëri-tjetrin dhe shkëmbimin e përvojave mes tyre.
Po ashtu, aty janë ftuar të marrin pjesë edhe mjekët shqiptarë në diasporë që ushtrojnë aktivitetin në vende europiane, si Itali, Gjermani, Francë, Zvicër dhe kanë prezantuar aty punimet e tyre mbi të rejat në mjekësinë moderne. /Albinfo.ch /KultPlus.com
Kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) me origjinë nga Pozharani i Vitisë në Kosovë, bëhet deputeti i parë me origjinë shqiptare në Parlamentin e Hamburgut. 35-vjeçari është një afaristë i njohur në Hamburg.
Sami Musa ka kandiduar në listën e
Partisë Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e ditës së dielë (23 shkurt) ka
fituar më shumë se 39% të votave dhe ka zënë vendin e parë në këtë qytet/land.
Në këtë mënyrë, SPD do të mbetet në pushtet, ndonëse ka shënuar një rënie te
votave prej më shumë se 6%. Por partneri i deritanishëm i SPD në koalicion,
ekologjistët, kanë dyfishuar numrin e votave (me mbi 24%) dhe në këtë mënyrë,
sipas të gjitha gjasave, jo vetëm që do të vazhdojnë qeverisjen e përbashkët,
por do të forcojnë pushtetin. Pjesë e pushtetit do të jetë pra edhe deputeti i
ri me origjinë nga Kosova, Sami Musa. Babai i tij Xhelil Musa është me origjinë
nga Pozharani i Vitisë, ndërsa nëna me origjinë nga Austria.
Lajmin për fitoren e Sami Musës e ka konfirmuar
qysh ditën e djeshme për Deutsche Wellen babai i tij Xhelil Musa, një afarist i
kahershëm në Hamburg. Më vonë të gjithë zgjedhësit ka falënderuar edhe vet Sami
Musa, i cili premton realizimin e objektivave të premtuara gjatë fushatës elektorale.
“Po i kam fituar 3661 vota dhe besoj se jam brenda në parlamentin e
Hamburgut”, konfirmon Sami Musa. Deputeti i ri i Hamburgut ka falënderuar
të gjithë ndihmësit dhe zgjedhësit, me fjalët se “votuesit janë angazhuar
për demokraci”, ndërsa ai premton se do të angazhohet me të gjitha mjetet
për realizimin e premtimeve dhe vlerave demokratike. “Unë nuk dua të pres
që vetëm të tjerët të punojnë për mua dhe për ne, por dua të jap kontributin
tim që gjërat t’i ndryshojë së bashku”, thotë për DW, Sami Musa.
Lajmin se Sami Musa do të jetë pjesë e parlamentit të Hamburgut e kanë botuar publikuar ndërkohë jo vetëm familja e tij, por edhe mediat gjermane. / KultPlus.com