‘Zgjoi’ vazhdon aventurat nëpër botë, në muajin mars shfaqet në Angli dhe Gjermani

Filmi “Zgjoi” dhe aventurat e tij në botë vetëm po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.

Filmi që theu rekorde në arenën ndërkombëtare, do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe gjashtë të tjera në Zelandë të Re.

Më pas, Blerta Basholli ka konfirmuar se filmi do të rikthehet në Evropë, ku gjatë muajit mars do të shfaqet në Angli dhe Gjermani.

‘Zgjoi’ përcjell Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi),  e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të. /KultPlus.com

Kajtazi: Mos u dorëzoni asnjëherë, ëndrrat bëhen realitet

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka arritur që të realizojë një ëndërr të saj, duke debutuar në bulevardin historik të Berlinik “Staatsoper Unter den Linden”, shkruan KultPlus.

Gëzimin e saj dhe emocionet e paraqitura pas debutimit në këtë teatër, Kajtazi i ndau me të gjithë ndjekësit e saj në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Ajo u shpreh shumë e lumtur për këtë debutim dhe po pret me padurim që të këndojë edhe nesër e pasnesër.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Me të vërtet ka qenë një ëndërr e imja që të debutojë këtu dhe u bë realitet”, thotë ajo me shumë emocione.

Për fund, Kajtazi thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë, sepse ëndrrat një ditë realizohen. /KultPlus.com

May be an image of indoor

Rrëfim i jashtëzakonshëm – ‘Selfie’ me Angela Merkel ia ndryshoi jetën një refugjati

Anas Montamani, një refugjat nga Siria, u bë i famshëm në vitin 2015, kur bëri një selfie me kancelaren e atëhershme Angela Merkel, në kulmin e krizës së refugjatëve. Por ku është ai sot? Dhe çfarë ka ndryshuar në jetën e tij që atëherë?

Montamani tani jeton në periferinë lindore të Berlinit dhe merr me qira apartamentin e tij. Gjashtë vjet më parë, kur mbërriti në Gjermani, jetonte në një konvikt refugjatësh.

Ai ka arritur shumë që atëherë, ku tregon edhe vetë se tani ka filluar studimet në Ekonomi.

“Unë studioj për Ekonomi dhe Komunikim. Jam ne semestrin e peste. Punoj në të njëjtën kohë dhe jetoj me të dashurën time. “Shpresoj të marr më vonë nënshtetësinë gjermane”, thotë ai në mënyrë karakteristike.

Selfia që bëri rastësisht me Angela Merkelin e bëri papritur të famshëm. Imazhi i tij është shfaqur në të gjitha mediat gjermane – dhe më gjerë. Një familje gjermane e kontaktoi menjëherë, duke i ofruar mikpritje.

Germany to rule on fake news on Syrian refugees – Middle East Monitor

Nga synimi tek suksesi

Ai kujton vazhdimisht: “Selfie me kancelaren do të thotë shumë për mua. Është shumë më tepër se një fotografi. Është një simbol i humanizmit të zonjës Merkel. Ai më ndihmoi, më shpëtoi jetën. Unë do t’i jem mirënjohës asaj për pjesën tjetër të jetës sime. Selfie ishte prova se Angela Merkel ka një zemër të madhe, ajo na mirëpriti në vend dhe na dha mundësinë të qëndrojmë dhe të integrohemi këtu”.

Montamani vazhdoi të punonte dhe nuk u frikësua, gjithnjë ishte në kërkim që të siguronte jetësën në Gjermani.

“Do të më mungoj shumë. Nëse do ta takoja përsëri, do të doja ta falënderoja për gjithçka që bëri për mua. Falë saj, sot jam duke ecur shumë më mirë në jetën time. Unë dua t’i tregoj asaj respektin tim sepse ajo më shpëtoi jetën. Dhe ndoshta do t’i kërkoj përsëri të bëjë një selfie përsëri”, deklaroi ai.

Angela Merkel ka përfunduar mandatin e saj shumëvjeçar në Gjermani dhe është larguar nga posti i kancelares, vitin që lamë pas. /KultPlus.com

Kajtazi kujton Kosovën nga Gjermania: Shpresoj që fëmijët të performojnë në Operën e Kosovës së shpejti

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi ka performuar me sukses shfaqjen e saj “Hansel und Gretel”, pas aventurës së saj në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kajtazi është shprehur shumë e lumtur për përfundimin e kësaj shfaqje.

Postimi i saj i plotë:

“Shfaqja e parë e Hänsel und Gretel përfundoi me shumë sukses! Kënaqësi e jashtëzakonshme të këndosh për një sallë të mbushur plotë prindër e fëmijë, publikë shumë entuziast që shijon çdo gjë që ndodhë në skenë , fëmijë që reagojn pas çdo gjëje që shtriga bënë në skenë, me të vërtetë emocionuese. Sahere këndoj Gretel mendoj me vetën time se sa shumë dëshirë do kisha ta këndoj këtë rol edhe për fëmijët në Kosovë, do të ishte me të vërtetë diq e bukur dhe emocionuese për mua. Po tani meqenëse është formuar Opera e Kosovës ka shpresë besoj që ndoshta do të ndodhë kjo gjë ndonjeherë”, shkroi Kajtazi.

Elbenita ka treguar rezultate shumë të mira në performancat e saj të fundit që ka zhvilluar këtë vit. /KultPlus.com

Gjermania ndihmon FSK-në me 1 milion euro donacion

Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sot donacion me vlerë prej një milion eurosh për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express, ministry Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it.

Tutje, njoftohet se Mehaj ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qeverinë gjermane.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Gjermania vazhdon mbështetjen konkrete për modernizimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it. Vlera e donacionit është 1 milion euro.

Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje shumë të madhe për qeverinë gjermane e cila, sikur më parë, vazhdon mbështetjen e madhe në të gjitha aspektet, në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së. / KultPlus.com

Evropia ‘epiqendra’ e lumturisë, top 10 vendet më të lumtura në botë

Çfarë e bën një vend të lumtur? A është aksesi në kujdes shëndetësor cilësor, jetëgjatësi e lartë, stabilitet financiar, liri, lidhje sociale apo një kombinim i gjithçkaje? Dhe si mund të bëni renditjen e një cilësie që është pothuajse e pamundur të përcaktohet në mënyrë sasiore?

Kjo është një sfidë që Raporti Botëror i Lumturisë ka marrë përsipër gjatë nëntë viteve të fundit, duke u mbështetur në një larmi të gjerë të dhënash – veçanërisht në Sondazhin Botëror të Gallup – për të përcaktuar se si renditet çdo vend në mbarë botën kur bëhet fjalë për lumturinë, apo çfarë raporti i quan “vlerësime mesatare të jetës kombëtare”.

Përveç marrjes në konsideratë të të dhënave të zakonshme, ekipi këtë vit rishikoi efektet e COVID-19 në cilësinë e jetës së njerëzve, duke marrë parasysh gjithçka nga shëndeti mendor dhe ndërveprimi social deri te siguria e punës dhe reagimi i qeverisë ndaj pandemisë.

Gjetjet e tyre vënë në pah vendet që jo vetëm u ofrojnë banorëve të tyre një jetë të lumtur dhe me cilësi të lartë, por gjithashtu u kanë ofruar mirëqenie qytetarëve të tyre gjatë gjithë epokës së trazuar COVID-19.

Finlanda, Islanda, Danimarka, Zvicra, Holanda, Suedia, Gjermania, Norvegjia dhe Zelanda e Re konsiderohen të jenë top 10 vendet më të lumtura në botë. /KultPlus.com

The Tor at Waiake beach in Torbay on Auckland's North Shore, with moored boats and dog walker, evening
(PHOTO: Getty Images)

Merkel në mesazhin lamtumirës: Merreni seriozisht virusin dhe vaksinohuni

Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel, përdori video-mesazhin e saj të fundit javor për popullin duke i kërkuar vendit të saj të merrte vaksinën kundër COVID-19, përcjellë KultPlus.

“Vaksinohuni, pavarësisht nëse është një vaksinim i parë apo një përforcues”, tha Merkel sipas Associated Press. “Çdo vaksinim ndihmon”, shtoi tutje.

Pothuajse 69 për qind e gjermanëve janë plotësisht të vaksinuar – por 75 për qind është objektivi i qeverisë federale, e cila ka fajësuar një rritje të kohëve të fundit tek ata që ende nuk e kanë marrë atë, sipas raportit.

“Me vaksinat efektive dhe të sigurta, ne kemi çelësin për këtë në duart tona”, përfundoi kancelarja.

Autoritetet shëndetësore gjermane raportuan të shtunën për një rritje masive të rasteve, duke u “frikësuar” edhe më shumë nga varianti i ri Omicron. /KultPlus.com

COVID vaccine

Angela Merkel në 16 vite pushtet, nuk emëroi asnjë të afërm në një pozicion shtetëror

Në 16 vitet e pushtetit, Angela Merkel nuk emëroi asnjë nga të afërmit e saj në një pozicion shtetëror.

Gjermania i tha lamtumirë udhëheqëses të saj, fizikanes dhe kimistes kuantike, e cili nuk u tundua nga moda apo dritat dhe nuk bleu prona të paluajtshme, makina, jahte dhe avionë privatë.

Ata dolën në ballkonet e tyre dhe duartrokitën për 6 minuta, një ovacion në këmbë në të gjithë vendin.

Ajo largohet dhe të dashurit e saj nuk pretenduan përfitime.

Për gjashtëmbëdhjetë vjet, ajo kurrë nuk ndryshoi stilin e veshjet e saj.

Në një konferencë tjetër për shtyp, gazetarët e pyetën: “A keni një shërbyese shtëpie që pastron shtëpinë tuaj, përgatit ushqim, etj.”

Përgjigja e saj ishte: “Jo, nuk kam shërbëtorë dhe nuk kam nevojë për ta. Burri im dhe unë i bëjmë punët e shtëpisë çdo ditë.”

Merkel jeton në një apartament normal si çdo qytetar tjetër.

Ajo jetonte në këtë apartament para se të zgjidhej Kancelare e Gjermanisë. Ajo nuk e la këtë apartament për të zotëruar një vilë të sajën me pishina e kopshte.

Angela Merkel, kancelarja e ekonomisë më të madhe të Evropës, do të mbetet gjithmonë një shembull i shkëlqyer i lidershipit, e udhëhequr nga vlerat, parimet vetëmohuese, faktet dhe ndjeshmëria./voal /KultPlus.com

Qytetet dhe fshatrat më të mira të Gjermanisë

Gjermania është një territor i madh me vende të bukura ngado që shkon.

Edhe pse shumica e vendeve të Evropës kanë një qendër kryesore frekuentimi nga turistët, siç ka Franca kullën e Parisit, Gjermania nuk ka një të tillë, por çdo vend i saj të bën të ndihesh sikur po viziton një vend të mahnitshëm.

Guardian ka listuar vendet më të bukura në Gjermani.

Banja e Pyllit të Zi

Është një qytet i vogël i bukur dhe i vjetër, por gjëja më e mirë për të është pishina e madhe publike, e hapur, me rrjedhje uji, zona pikniku me bar dhe një kafene. Më e mira nga të gjitha, kur paguani taksën tuaj turistike ju merrni hyrje falas dhe udhëtim falas me tren rreth rajonit të Pyllit të Zi. Kjo do të thotë që ju mund të eksploroni qytetet e vogla, liqenet, pyjet dhe ujëvarat me tren.

Pamje alpine dhe një plazh, pranë Mynihut

Herrsching am Ammersee është një qytet i vogël pranë Ammersee, një liqen i bukur akullnajor i gjatë 15 kilometra. Ka pamje nga Alpet Bavareze mbi 60 kilometra larg, një shëtitore dhe plazhe ku njerëzit notojnë gjatë verës. Marrja e varkës për në Dießen am Ammersee është gjithashtu një domosdoshmëri, siç është të marrësh me qira një biçikletë për të eksploruar shumë fshatra përrallorë bavarezë aty pranë.

Trashëgimia e Luterit, pranë Berlinit

Lutherstadt Wittenberg është një qytet i bukur më pak se një orë me tren nga Berlini. Është vendi i përsosur për një udhëtim ditor ose qëndrim gjatë natës. Është një vend i bukur, veçanërisht nëse jeni adhurues i historisë së reformimit.

Në malet Harz, Saksonia e Poshtme

Goslar, një qytet i listuar nga Unesco në një zonë e paprekur në malet Harz. Është një qytet i bukur i vjetër me një qendër simpatike. Figurat magjepsëse interpretojnë skena nga e kaluara minerare e Goslar. Një udhëtim i shkëlqyeshëm nga Goslar është të bëni një udhëtim skenik në hekurudhën Brocken me një gjatësi të ngushtë, një mënyrë ideale për të parë disa nga peizazhet natyrore më pak të njohura në Gjermani.

Magjia mesjetare, Bavaria veriore

Qyteti i fortifikuar në majë të kodrës Rothenburg ob der Tauber nuk është vetëm një vend i bukur për t’u vizituar, por një nga qendrat më të rëndësishme historike të Gjermanisë. I rrethuar nga një mur i madh mbrojtës i shënuar nga portat e larta të qytetit, zonat e mbyllura të rrugëve të ngushta, korsive dhe rrugicave, janë një kënaqësi për t’u endur. Kafenetë, restorantet dhe sallat e birrës janë të shumta, ashtu si edhe muzetë.

Çudia arkitekturore pranë Detit të Veriut

Bremen është një qytet i vogël magjepsës, i bukur me rrugë të lashta. Ka një fshat të mrekullueshëm përreth, me parqe natyrore, kështjella, ku ka Muzeun e shkëlqyer Detar Gjerman. Ka shumë restorante të mira jashtë dhe brenda. Shëtitjet përgjatë lumit Weser janë gjithashtu të bukura.

Aty ku Bach luante në organ, Thüringen

Mühlhausen, në Thüringen, është një qytet i vogël me një histori të madhe. I riu JS Bach ishte organist këtu, dhe ju mund të dëgjoni muzikë organesh në kishën ku ai punonte. Qendra mesjetare është një nga më të mëdhatë në Gjermani, me kisha dhe ndërtesa të bukura kudo që të shikoni. Ka dyer të bukura të vjetra prej druri, prapa njërës prej të cilave është bashkia e qytetit ku një nëpunës civil miqësor mund t’ju çojë në dhomën e mrekullueshme të pikturuar të këshillit. Udhëtimi me tren kalon nëpër fshat të qetë në stacionin e përgjumur, larg nga qytetet e mëdha, transmeton Klan Kosova.

Wonky Wonder, Bavaria

Jo shumë larg nga Nuremberg është qyteti mesjetar Dinkelsbühl me çati të kuqe. Një lum i mbushur me trofta. Në mes të korrikut qyteti është i stërmbushur me të rinj të veshur me lëkurë të bardhë.

Dyert me ngjyra të ndezura, dritaret me shkëlqim dhe rrugët kurioze me kalldrëm e bëjnë Dinklesbuhl një qëndrim historik fantastik.

I bukur dhe Hanseatik, Lübecku

Në momentin që ecni nëpër Portën Holstentor të listuar nga Unesco, gjeni një qytet të mbushur me ëmbëlsira. Si ish-kryeqyteti i Lidhjes Hanseatike, ai ka shumë histori dhe kulturë, dhe ka bonusin shtesë për të qenë brenda disa kilometrave plazhe të gjera, me rërë… / KultPlus.com

60 vjet më parë nisi ndërtimi i Murit të Berlinit

60 vjet më parë, më 13 gusht 1961, RDGJ filloi ndërtimin e murit duke bërë kështu që të ndahet Berlini. 45 mijë blloqe të betonit me një lartësi prej më shumë se 3 metra e rrethuan Berlinin Perëndimor me gjithsej 155 km mur të betonit, përcjellë KultPlus.

Fortifikimet vdekjeprurëse kufitare ndanë jo vetëm familjet dhe miqtë, por u bënë gjithashtu një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz, të cilët në përpjekje për të kaluar kufirin më të sigurt në Evropë, përfunduan me fatalitet. Ushtarët kishin qenë të urdhëruar që t’i vënë zjarr të gjithë atyre që përpiqeshin të kalonin murin.

Qëndroi 28 vjet dhe ishte një nga ndërtimet më famëkeqe në botë: Muri ndau Berlinin Lindor dhe Perëndimor.

Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas.

Edhe në Tiranë gjendet një segment i murit në memorialin “Post-Bllok” si një simbol i lirisë që kujton Revolucionin Paqësor në Gjermani, i cili rrëzoi murin në vitin 1989. / KultPlus.com

Ish-gardiani i kampit famëkeq pranë Berlinit do të del para gjykatës në moshën 100 vjeçare

Krimet e nazizmit nuk harrohen nga drejtësia dhe këtë e tregon dhe ngjarja e fundit që ka ndodhur në Gjermani.

Një ish-gardian i kampit famëkeq të përqendrimit të “Sachsenhausen” pranë Berlinit, do të dalë përpara gjykatës ndonëse është 100 vjeç dhe se ngjarjet për të cilat ai do të gjykohet kanë ndodhur përpara 76 vitesh, transmeton KultPlus.

Gjyqi pritet të nisë në tetor dhe gjykata rajonale e Neuruppin do të shqyrtojë akuzat e ngritura ndaj 100-vjeçarit për pjesëmarrjen në vrasjen e më shumë se 3500 personave.

I pandehuri, për shkak të moshës, është i detyruar të qëndrojë përballë trupit gjykues 2 deri në 2 orë e gjysmë në ditë, deri në përfundimin e procesit.

Ish-roja, emri i të cilit nuk bëhet me dije, raportohet të ketë punuar në kampin e Sachsenhausen nga viti 1942 deri në 1945, ku më shumë se 200 mijë persona u mbajtën në burg dhe 20 mijë prej tyre u ekzekutuan. / KultPlus.com

Pas Gjermanisë, Zvicrës e Belgjikës, tani stuhi e vërshime edhe në Austri

Pas Gjermanisë, Zvicrës dhe Belgjikës, tani edhe shteti i Austrisë rrezikon nga përmbytjet. Autoritetet kanë deklaruar nivelin më të lartë të paralajmërimit.

Qyteti i vjetër i Hallein është përmbytur plotësisht. Autoritetet austriake kanë paralajmërojnë shi të madh, breshër dhe përmbytje të mundshme, shkruan blick.ch.

Arsyeja për këtë është gjithashtu këtu zona me presion të ulët të Bernd, e cila tashmë shkaktoi reshje të mëdha shiu dhe përmbytje në Zvicër. Kjo tani po zhvendoset ngadalë drejt lindjes dhe kështu lëviz drejtpërdrejt në të gjithë Austrinë.

Shiu i madh vë pjesë të mëdha të Austrisë nën ujë. Shirat e rrëmbyeshëm goditën pjesë të tjera të Austrisë të dielën në mbrëmje. Brigadat e zjarrfikësve ishin në përdorim të vazhdueshëm në Salzburg, si dhe në Tirol dhe kryeqytetin federal Vjenë.

Në Kufstein, njerëzve u kërkohet të mos largohen nga ndërtesat dhe të tërhiqen në katet më të larta. Në zonën urbane, uji nga përrenjtë që hyjnë në Han tashmë ka arritur në rrugë. Një pjesë e Felbertauernstrasse u mbyll për shkak të rrëshqitjeve të mundshme të tokës.

Në Vjenë, shiu i madh dhe stuhi bëri që brigadat e zjarrfikësve të ishin shumë të ngarkuara. Zjarrfikësit zakonisht thirreshin për shkak të bodrumeve të përmbytura ose nënkalimeve, dhe deri të dielën në mëngjes, zjarrfikësja profesionale raportoi mbi 500 operacione. / KultPlus.com

Babai shqiptar ribashkohet me vajzat e tij të cilat i humbi nga vërshimet në Gjermani

Një lajm i mirë është dhënë sot nga mediat gjermane për ribashkimin e lumtur të një familjeje që u nda gjatë përmbytjes katastrofike në Gjermani.

Babai shqiptar Shefik Hyseni, 46 vjeç, arriti të shtrëngojë në krahë vajzat e tij, Lauretën dhe Altunën, të cilat i kishin shpëtuar me helikopter.

Shefik Hyseni nuk e dinte me orë të tëra nëse i kishte humbur vajzat e tij në përmbytjen e vdekjes! Babai pati frikë për jetën e Lauretës 13 vjeçare dhe të Altunës 17 vjeçare.

A kishin qenë në gjendje të dilnin të sigurta në kohë?

Hyseni tha për BILD: “Të mërkurën në mbrëmje vajzat e mia më telefonuan dhe më thanë se uji kishte hyrë tashmë në katin e parë!” tha 46-vjeçari që vrapoi menjëherë në shtëpi.

Por kur ai arriti nuk kalonte dot më – uji ishte kudo!

“Hera e fundit që fola me to ishte rreth orës 21:00. Pastaj lidhja u ndërpre”.

Krejt i dëshpëruar, punëtori priti tërë natën në një urë nga e cila mund të shihte shtëpinë e tij. Por dje në orën 5.30 pasdite i erdhi lajmi që e lumturoi si kurrë: Fëmijët e tij ishin shpëtuar nga shtëpia e përmbytur me helikopter.

Babai shqiptar tha: “Ne vetëm kemi qarë në krahët e njeri –tjetrit. Tani duhet vetëm të shohim se çfarë ka mbetur nga shtëpia jonë”./lapsi.al / KultPlus.com

800 faqe raport për antiziganizmin në Gjermani

Komisioni i Pavarur për Antiziganizmin (UKA) prezanton një raport 800-faqësh për antiziganizmin në Gjermani.

Komisioni i pavarur për Antiziganizmin (UKA) u krijua nga qeveria gjermane në vitin 2019 për të analizuar gjendjen e romëve dhe të sintëve në Gjermani. Raporti i paraqitur në Bundestag me titullin: “Ndryshimi i perspektivës – arritja e drejtësisë – pjesëmarrja” – dëshmon diskriminimin e vazhdueshëm të këtyre komuniteteve në Gjermani dhe tregon se si mund të luftohet antiziganizmi.

Që në hyrje të raportit thuhet se: “në shoqëri ka nevojë për një ndryshim thelbësor të perspektivës, për të bërë të qartë praninë e antiziganizmit dhe për të reflektuar në mënyrë kritike dhe me synimin për të kapërcyer raportet e pushtetit dhe dhunës strukturore dhe institucionale që lidhen me të”.

E nevojshme është një politikë për “vendosjen e drejtësisë” për të kompensuar padrejtësinë e bëra ndaj të mbijetuarve dhe pasardhësve të tyre pas Luftës së Dytë Botërore.

Rezultatet e raportit bazohen në tri studime më të mëdha dhe disa më të vogla në të cilat analizohen nevojat, sfidat dhe kërkesat e komunitetit rom dhe sintisi dhe organizatave të tyre në Gjermani.

Rekomandimet e UKA-s

UKA rekomandon emërimin e një komisioneri kundër antiziganizmit, krijimin e një grupi të pavarur këshillues, krijimin e një komisioni të përhershëm shtetëror dhe njohjen gjithëpërfshirëse të gjenocidit nacional-socialist kundër sinti dhe romëve. Po ashtu në Republikën Federale të Gjermanisë duhet të ngrihet një komision për t’u marrë me padrejtësitë e kryera kundër sinti dhe romëve. 

Hajdi Barz koordinatore e “Studimit mbi Fuqizimin e sint*ë-/eza-ve dhe rom*ë-/enja-ve” pranë Shkollës së Lartë Mittweida, thotë se : “Studimi u krye me pjesëmarrjen e njerëzve nga komunitetet duke vënë në jetë kështu qasjen pjesëmarrësore që kërkohet gjithashtu prej shumicës së vetë organizatave, sepse shpesh për sint*ë-/eza-t dhe rom*ë-/nja-t diskutohen dhe merren vendime pa përfshirjen e tyre.”

Studimi i Barz ka nxjerrë në pah edhe larminë e madhe tematike dhe kompetencën transkulturore të organizatave të ndryshme të sintëve dhe romëve.

Roli i mediave

Në raportin e UKA-s trajtohet gjithashtu edhe roli i medias. Mediat duket se kontribuojnë për konsolidimin e stereotipave, sikurse thotë raporton Isidora Randjelovic një prej drejtueseve të studimit: “Një nga arsyet e mungesës së njohurive dhe për formimin e miteve në perceptimin kolektiv është përforcimi mediatik i stereotipave, shtrembërimi i informacionit dhe emocionalizimi i lajmeve në konteksti i bashkësive të sint*ë-/eza-ve dhe rom*ë-/enja-ve”.

Gjatë diskutimit të raportit në parlamentin gjerman mjaft deputetë theksuan përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë në luftën kundër antiziganizmit. Helge Lindh (SPD) tha se fenomeni i antiziganizmit nuk ka të bëjë vetëm me qarqet ekstremiste të djathta, por me të gjithë, shkruan dw.

Këshilli Qendror i sinti dhe romëve gjermanë e përshëndetën debatin. Fakti që qeveria dhe Bundestagu gjerman u morën me raportin e komisionit dhe rekomandimet e tij për veprim është “një hap i rëndësishëm për pakicën dhe gjithashtu për kushtetutshmërinë demokratike të shoqërisë sonë”, thuhet në një deklaratë publike të këtij këshilli.

Parlamenti i ardhshëm dhe periudha e re legjislative do të bëjnë të qartë se çfarë do të zbatohet vërtet nga rekomandimet e raportit të UKA-s. / Gazeta Express / KultPlus.com

UEFA refuzon kërkesën për të ndezur Allianz Arena në ngjyrat e ylberit për ndeshjen Euro 2020

Organi qeverisës evropian i futbollit UEFA ka refuzuar kërkesën e cila u bë pas një propozimi nga këshilli i qytetit të Mynihut pas një ligji anti-LGBTQ të miratuar nga parlamenti i Hungarisë javën e kaluar, për të ndezur Allianz Arena të Mynihut në ngjyrat e ylberit për ndeshjen e së mërkurës në Euro 2020 midis Gjermanisë dhe Hungarisë, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Legjislacioni, i cili është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut dhe partitë e opozitës, ndalon përhapjen e përmbajtjes në shkolla që konsiderohet se po promovohet homoseksualiteti dhe ndryshimi gjinor.

“Racizmi, homofobia, seksizmi dhe të gjitha format e diskriminimit janë një njollë në shoqëritë tona – dhe përfaqësojnë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet loja sot,” ka thënë UEFA në një deklaratë.

“Sjellja diskriminuese ka dëmtuar të dy ndeshjet dhe ligjërimin në internet rreth sportit që duam. Megjithatë UEFA, përmes statuteve të saj, është një organizatë politike dhe fetare neutrale. Duke pasur parasysh kontekstin politik të kësaj kërkese specifike, rreth një mesazhi që synon një vendim të marrë nga parlamenti kombëtar hungarez, UEFA duhet ta refuzojë këtë kërkesë.”

Tutje, UEFA shtoi se ka propozuar që Mynihu të ndezë stadiumin ose më 28 qershor, që shënon Ditën e Çlirimit të Rrugës Christopher, ose midis 3 korrikut dhe 9 korrikut, që është java e ditës së Christopher Street në Mynih.

Dita e Çlirimit të Rrugës Christopher njeh trazirat Stoneëall 1969 dhe marshimin në New York City që u zhvilluan një vit më vonë dhe që tani konsiderohet parada e parë e krenarisë homoseksuale.

Në një propozim ndërpartiak të paraqitur nga këshilli i qytetit të Mynihut, ideja për të ndriçuar Allianz Arena në dritën e ylberit ishte që të jepej një shenjë e rëndësishme dhe e dukshme e solidaritetit ndaj komunitetit LGBTI në Hungari, për ata që vuajnë nën homofobinë dhe tranfobinë e tanishme.

Lojërat e së mërkurës do të jenë fazat e fundit të të dy palëve në fazat e grupeve Euro 2020.

Gjermania humbi ndeshjen e saj të hapjes kundër Francës, por mundi Portugalinë 4-2 në fundjavë, ndërsa Hungaria humbi ndaj Portugalisë në ndeshjen e saj të hapjes para se të barazonte 1-1 me Francën. / KultPlus.com

default

Mbi një mijë fjalë të reja gjermane u krijuan gjatë pandemisë

I mbizmadhuar? Covidiot? Me një numër të madh fjalësh të reja të frymëzuara nga Covid-19, gjermanishtja në mënyrë kreative pasqyron zhvillimet e vitit të kaluar.

Shtrëngica e koronavirusit jo vetëm që nuk i ka kthyer tërësisht përmbys jetët tona, por i ka shtuar gjuhës gjermane si asnjë ngjarje tjetër më parë.

Gjatë vitit të kaluar, gjermanët ishin “zoom”-uar së tepërmi me aq shumë videokonferenca, dhe e kthyen fjalën mbyllje në një folje denglish “gelockdownt”.

Më tutje ata zbatuan dashurinë e tyre për shkurtesa për të ravijëzuar një sërë rekomandimesh për të shmangur shpërhapjen e virusit. Ajo që filloi si rregullat “AHA” u zgjerua në “AHACL” – ku A qëndron për “Abstand” (distancim), H për “Hygiene”, A për “Alltagsmaske” (maskë fytyre), C për “Corona-Warn-App” (aplikacioni gjerman për gjurmim të virusit) dhe L për “Lüften” (ajrosje).

Instituti Leibniz për Gjuhën Gjermane (IDS), me qendër në Mannheim, ka stivuar më shumë se 1 mijë fjalë të reja, që të gjitha të lidhura me pandeminë. Për secilën fjalë, instituti citon edhe një artikull gazete ku është përdorur. Pavarësisht nëse janë përvetësuar fillimisht prej popullatës apo u popullarizuan përmes diskutimeve politike, fjala pasqyron atë se si vendet gjermanishtfolëse u ballafaquan me pandeminë gjatë vitit që shkoi.

Image

Një prej rrengjeve të gjuhës gjermane është të gërshetojë fjalë ekzistuese duke iu dhënë atyre kuptim të ri, që mundëson të pasqyrohen në mënyrë kreative qasjet e ndryshme kundrejt zhvillimeve në lidhje me virusin, me “Klopapierhamster” (brejtës të letrave të tualetit) dhe “Covidiots” që shfaqej në ballina për ato sjellje vetjake në prag të valës së parë.

“Gesichtskondom” (kondom fytyre) dhe “Schnutenpulli” (turi i xhupit) u duken si mënyra humoreske për të përshkruar maskën e fytyrës.

Disa nga këto fjalë të ndërthurura janë që të gjitha të huazuara nga anglishtja, të tilla si “Social-Distancing-Shaming”, që ka të bëjë me njerëzit që qortojnë të tjerët pse nuk mbajnë distancë sigurie në një hapësirë publike, ose “Superspreader-Events”, një dukuri që u pikas anembanë botës, në të cilat tubime të caktuara çuan në një numër të lartë infektimesh./koha/ KultPlus.com

Gjesti i shqiptarit që tërhoqi vëmendjen e mediave gjermane

Nazmi Aruqi nga Kosova është bërë shembull në Gjermani për shkak të një veprimi human që ka bërë.

Në kohën kur në Gjermani temperaturat kanë shënuar – 12 gradë Celzius, Aruqi ka hapur dyert e dy hoteleve dhe ka strehuar personat që nuk kanë shtëpi. Ai ka thënë se e ka bërë këtë veprim për t’i ndihmuar gjermanët, sikur ata kishin strehuar para luftës shqiptarët që kërkonin azil në Gjermani.

“Në qytetin ku jetoj i kam dy hotele, dhe njerëzve që janë pa banim u kam mundësuar që të strehohen aty. U kam ndihmu atyre sikur ata që na kanë ofruar neve strehim kur kemi ardhë azil në Gjermani”, ka thënë Aruqi.

Shqiptari që jeton në Gjermani që nga viti 1995 ka thënë se edhe gjermanët janë habitur me veprimin e tij.

“Gjermanët më kanë falënderu nga të gjitha anët, e kanë parë këtë gjest dhe u ka ardhur mirë që një i huaj i ndihmon gjermanët. Gjermanët nuk janë mësuar prej një të huaji, dhe ky është një gjest. Unë e kam bërë këtë veprim, sepse edhe vetë kam qenë kështu pa strehim”, ka thënë Aruqi.

E ky gjest ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave gjermane. Aruqi tregon se të shumta kanë qenë mediat gjermane që e kanë kontaktuar dhe kanë shkruar për gjestin e tij. “Më kanë kontaktuar shumë media në Gjermani dhe ka qenë edhe për ta një çudi dhe gjest që e kanë vlerësuar shumë”, shprehet ai. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

30 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

Gjermania sot shënon 30 vjetorin e bashkimit.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt.

Në kujtesën e popullit gjerman më shumë është ngulitur data e 9 nëntorit 1989, kur ra muri i Berlinit, simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe i ndarjes së tërë botës në dy blloqe, e që ishte praktikisht edhe fundi i Republikës Demokratike të Gjermanisë.

Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë, njëra pjesë u kontrollua nga aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA-të dhe pjesa lindore e Gjermanisë u pushtua nga trupat ruse.

Për më shumë se 50 vite popullit gjerman iu ndalua lëvizja e lirë, ndërsa për ta bërë edhe më të ashpër ndarjen, ish-BRSS ndërtoi murin në Berlin, që e ndante qytetin në mes, i cili u rrënua në nëntor të vitit 1989, për t’ia hapur rrugën bashkimit të vendit. / KultPlus.com

Deputeti i Parlamentit Evropian: Turp që BE s’i ka hequr vizat për Kosovën

Deputeti i Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl është njëri nga nënshkruesit e letrës që deputetët e PE’së i kanë dërguar kancelares Angela Merkel me kërkesën për të hequr vizat për Kosovën gjatë presidencës gjermane të BE’së që fillon nga 1 korriku.

Mandl i cili është pjesë e Partive Popullore Evropianeka shkruar në Twitter se është e turpshme se si kosovarët janë të vetmit në ballkan që akoma s’mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen të BE’së.

“Popujt e të gjitha shteteve të Ballkanit mund të vizitojnë BE’në pa viza. Të gjitha shtetet? Jo. Populli i Kosovës akoma duhet të përgatisë dokumente dhe të paguajë për të vizituar shokët dhe familjarët. Ndonjëherë ata refuzohen. Turp. Presidenca gjermane mund të luaj një rol kyç për të rregulluar këtë” , ka shkruar Mandl. / KultPlus.com

Kriza nga pandemia, Gjermania ndihmon artistët me 1 miliard euro

Qeveria gjermane e ka miratuar një paketë ndihme për kulturën në vlerë 1 miliard euro, me qëllim përmirësimin e mundësive të punësimit për artistët, pas kufizimeve të vendosura kundër COVID-19.

“Duhet të mirëmbajmë atraksionet kulturore dhe vendet e performances”, njoftoi ministrja e Kulturës, Monika Gruetters, në një deklaratë pas një takimi të kabinetit në Berlin.

Një e katërta e financimit do të shkojë për vendet e asistencës për zbatimin e masave higjienike, biletave në internet dhe sistemeve të ventilimit.

Deri në 480 milionë euro kanë për qëllim të ndihmojnë artistët të kthehen në punë me kohë të plotë.

Pjesa tjetër, 150 milionë euro janë siguruar për dixhitalizimin dhe 100 milionë euro do të kompensojnë humbjen e të ardhurave nga pandemia. / KultPlus.com

Gjermania zgjat distancimin social deri në fund të qershorit

Gjermania planifikon të shtrijë distancën sociale deri më 29 qershor, raporton gazeta Bild sipas një projekt-dokument që ende duhet të aprovohet nga shtetet federale.

I pyetur për raportin, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se bisedimet ishin në vazhdim.

Bild tha se takimet në vendet publike do të kufizoheshin në maksimum 10 persona ose anëtarë të dy familjeve. /KultPlus.com

Gjermania do të ndihmojë në shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit

Kancelarja Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania do të ketë një kontribut të rëndësishëm financiar për t’u siguruar se posa të krijohet vaksina kundër koronavirusit, të shpërndahet nëpër gjithë botën.

Në postimin e saj javor, Merkeli ka deklaruar se duhen edhe 8 miliardë për zhvillimin e vaksinës që do të luftonte COVID-19.

Liderët botërorë kanë bërë thirrje për testimin e ilaçeve dhe vaksinave dhe t’i ndajnë ato përmes një iniciative të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkaq, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se më 4 maj do të tentohet mbledhja e një fondi prej 7.5 miliardë eurove për të ndihmuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e koronavirusit. /KultPlus.com

Ambasada e Kosovës ka një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që nuk mund të kthehen në Gjermani shkaku i koronavirusit

Qytetarët nga Kosova të cilët kanë shkuar në Gjermani dhe u ka skaduar viza por nuk mund të kthehen në Kosovë për shkak të masave që ka marrë Qeveria e Kosovës si pasojë e pandemisë së koronavirusit duhet të kontaktojnë ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Kjo Ambasadë njofton se qytetarët të cilët nuk mund të kthehen në Gjermani, duhet të lajmërohen deri më 19 mars.

Ata duhet të dërgojnë një email në email adresen e ambasadës së Kosovës në Gjermani dhe aty të bashkangjitni edhe kopjen e pasaportës dhe të vizës.

Në vazhdim mund të gjeni njoftimin e plotë të ambasadës së Gjermanisë në Kosovë me të dhënat se ku duhet të kontaktoni.

Si u shkatërrua për 23 minuta qyteti gjerman

   

Drezdeni dukej i sigurt, me mburojën e veçantë arkitektonike. Por, qyteti pagoi një çmim barbar për luftën e Hitlerit, kur para 70 vjetësh një bombardim të pashembullt.

Drezden 2004: Këshilli i qytetit krijoi një komision ndërdisiplinor, që duhet të merret me çështjen: Sa vetë vdiqën gjatë bombardimeve më 13., 14. dhe 15 shkurt 1945? Për dekada me radhë është spekuluar për këto shifra. Flitej për 70.000 të vdekur, si serioze u provua shifra 35.000 – por edhe kjo bazohej vetëm në vlerësime. Komisioni Drezden ka arritur në konkluzionin e vet. 25.000 të vdekur prej bombave e ka llogaritur ai dhe ky numër është paraqitur në raportin përfundimtar, i cili u publikua në vitin 2010.

Shkatërrimi vetëm në 23 minuta
Ndërkohë që me më shumë preçizion mund të dekumentohet ajo që ndodhi mbi Drezden 75 vjet më parë. Më 13 shkurt u nisën 245 avionë katër-motorik të tipit “Lancaster” nga Anglia. Kjo ishte flota e 5-të bombarduese britanike. Destinacioni i saj: Drezdeni, qytet anës Elbës. Një qytet që asokohe kishte 630.000 banorë me – siç vlerësohej – edhe rreth qindra mijëra refugjatë. Drezdeni nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike ishte i parëndësishëm për ecurinë e luftës në përgjithësi, fati i së cilës qe përcaktuar tashmë qysh në vitin 1944.

Në orën 21:39 gjëmuan sirenat e alarmit në qytetin anës Elbës. Rreth 3.000 bomba të rënda shpërthyese, 250 bomba me rreze djegëse dhe 400.000 bomba flakëhedhëse vërshuan mbi “Firencen e Elbës’, siç quhet ndryshe Drezdeni, i cili shquhet për bukurinë arkitektonike dhe pasurinë e artefakteve. E gjitha kjo ndodhi në vetëm 23 minuta. Qendra e qytetit u bë prush në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ndriçimi i zjarrit ishte aq intensiv sa që pilotët britanikë kanë protokolluar se kanë parë Drezdenin të digjet që nga distanca mbi 320 kilometra dhe nga 6.700 metra lartësi. Nxehtësia arrinte temperatura, që shkrijnë edhe qelqin e shisheve nëpër bodrumet e farmacive. Gjatë dy valëve të sulmit të bombarduesve britanikë dhe një sulmi pasues të SHBA u rrafshuan rreth 15 kilometra katror të qytetit.

Në shkatërrimin e Drezdenit ishin të përfshirë pilotë britanikë dhe amerikanë, por njëri kishte komandën: Arthur Harris, “komandant i përgjithshëm” i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF). Njeriu i Churchill-it i ngarkuar për bombardimin masiv të Gjermanisë naziste, një mjet lufte për të demoralizuar armikun.

“Kasapi” Arthur Harris
“Asnjë hobby. S’ka lexuar asnjëherë ndonjë libër. Nuk e pëlqen muzikën. Jetonte vetëm për hesapi e vet”. Një nga përshkrimet më konçize mbi qenien e ushtarakut të lartë britanik, i cili edhe sot e kësaj dite është figurë mjaft e kontestuar. Harris ishte një antipod i britanikut. Ai nuk e njihte njerëzillëkun dhe mirësjelljen, ai ishte i vrazhdë dhe për më tepër shpesh edhe njeri që fyente. Shumë e quanin atë thjesht “Butcher”, kasap. Qysh në periudhën mes dy luftërave botërore Harris e kishte zbuluar pasionin e tij për luftën ajrore. Në Pakistan dhe Irak, ai kishte qenë komandant i skuadroneve të RAF, shpesh fluturonte vetë dhe preferonte të përdorte bomba me zjarr kundër kurdëve dhe arabëve. Kasollet e tyre prej kashte digjeshin me flakë deri në qiell. Ai entuziazmohej prej efektit të luftës ajrore.

Ashtu si shumë oficerë të aviacionit ushtarak edhe jashtë Mbretërisë, Harris besonte në superioritetin ushtarak të bombarduesve. Që në fillim të vitit 1943 ai besonte se vetëm nga ajri pa mobilizimin e trupave të këmbësorisë do të mund ta çonte Gjermaninë drejt kapitullimit. Një vit më pas, në 1944, Harris arrin në konkluzionin, se 45 nga 60 qytetet e mëdha gjermane ishin shkatërruar. Duke përfshirë edhe Këlnin e Hamburgun. Tani duhet të përfundojë pjesa tjetër, kërkoi ai. Drezdeni është një prej tyre.

Luftë qyteteve
Disa historianë shohin në bombardimin e Drezdenit një element të rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovjetik në etapën e fundit të luftës. Pasi kishte mbetur në vendnumëro ofensiva e Forcave Aleate kundër Gjermanisë në Frontin Perëndimor që nga fundi i 1944, në të njëjtën kohë që Ushtria e Kuqe po përparonte më shpejt në lindje, Churchill-i në janar, pak para Konferencës së Jaltës, udhëzoi të verifikohej nëse tani “Berlini … e gjithashtu edhe qytete të tjera të mëdha në lindje të Gjermaninë… .ndoshta nuk ishin objektiva që ia vlenin.” E gjitha kjo për t’i tërhequr vëmendjen Moskës, sepse Stalini kishte dyshime. Për vite të tëra ai kishte kërkuar nga fuqitë perëndimore, hapjen e një fronti të dytë në Perëndim. Një tezë tjetër ndjek logjikën: Meqënëse sovjetikëve u ishte premtuar Gjermania Qendrore, si zonë e pushtimit para Konferencës së Jaltës, britanikët dhe amerikanët u turrën me një vrull të shfrenuar shkatërrimi ndaj Drezdenit dhe qyteteve të tjera në Lindje të Gjermanisë.

Por pavarësisht nga kjo, Drezdeni ishte në planin e Harris-it. Dhe ka pasur paralajmërime shumë kohë përpara 13 shkurtit. Lajmet e radiove si dhe gazetat e vendeve aleate paralajmëronin skenarin, se çdo qytet gjerman mund të kthehej në një front lufte, për aq kohë sa vazhdonte lufta. Drezdeni ishte përveç kësaj edhe një udhëkryq i rëndësishëm i linjave hekurudhore, si të Lindjes edhe të Perëndimit, ashtu edhe të Veriut e Jugut. Gjithashtu aleatët e konsideronin Drezdenin, si një qendër të mundshme të tërheqjes së Hitlerit dhe nazistëve në rast se do të ndërpriteshin nyjet e qarkullimit Berlin dhe Lajpcig, si linja furnizimi. Drezden pra, ishte në fokus dhe Churchill-i ishte padyshim më shumë se vetëm një tolerues i praktikave të pamëshirshme të strategut të tij të aviacionit Harris. Këtë ai e ka deklaruar pak para vdekjes së tij, se Drezdeni “në atë kohë konsiderohej nga njerëz që ishin shumë më të rëndësishëm se unë, si një domosdoshmëri ushtarake”.

Akti dhe dorasi – një çështje e diskutueshme edhe sot e kësaj dite
Ushtria e Kuqe nën Marshall Zhukovin në shkurt të vitit 1945 ndodhej vetëm 80 kilometra në lindje të Drezdenit, kur bombarduesit britanikë dhe amerikanë donin t’i demonstronin sovjetikëve një shenjë bashkëpunimi kundër Gjermanisë së Hitlerit. “Një barbari të tillë nuk do ta kishte bërë kurrë ushtria sovjetike”, ka gjykuar më vonë Zhukovi. Edhe në Angli bombardimi i Drezdenit vazhdon të jetë një çështje e diskutueshme. Kur në vitin 1992, “bombarduesit Harri” iu kushtua në qendër të Londrës një statujë bronzi 2,70 metra e lartë Queen Mum e vlerësoi atë si “lider frymëzues”, ndërsa qindra protestues thërrisnin “vrasës në masë, vrasës në masë”./DW / KultPlus.com