jë zbulim i fundit arkeologjik në qytetin e lashtë majan, Tikal, në Guatemalë, mund të hedhë dritë në lidhje të reja mes qytetërimeve Maya dhe Teotihuacan. Sipas një raporti të “National Geographic”, studiuesit në Tikal kanë zbuluar një kompleks ndërtimor që pasqyron stilin arkitektonik të qytetit antik të Teotihuacanit, i cili gjendej afër Mexico Cityt, rreth 800 milje (1 287 kilometra) larg Tikalit.
“National Geographic” njofton se struktura, që përfshin një piramidë dhe një oborr të mbyllur, besohet të jetë një kopje e zvogëluar e fortesës në Teotihuacan, transmeton KultPlus.
“Ne e dinim që Teotihuacanët kishin të paktën një prani dhe ndikim në Tikal dhe zonat e afërta majane para vitit 378”, ka thënë Edwin Román-Ramírez, drejtor i Projektit Arkeologjik të Tikalit Jugor, kërkimi i të cilit ka sjellë dëshmi për sende teotihuacane, si armë dhe varreza në Tikal, bën me dije publikimi. “Por nuk qe e qartë nëse majat vetëm po imitonin aspekte nga mbretëria më e fortë e rajonit. Tash ka dëshmi që lidhja ishte shumë më shumë sesa kaq”.
“Ajo që kemi gjetur sugjeron që për më shumë se një shekull njerëzit që ishin të paktën të familjarizuar me kulturën dhe traditat teotihuacane jetonin atje në koloninë e tyre, një sektor i veçantë në identitet që praktikonte fenë e Teotihuacanit”, ka shtuar Román-Ramírez .
Kompleksi i sapozbuluar, i cili u analizua duke përdorur teknologjinë “LiDAR” (Light Detection and Ranging), e tejkalon vitin 378, gjatë të cilit pati një pushtim teotihuakan dhe marrje e Tikalit. Shumë nga detajet që lidhen me këtë pushtim të papritur janë të panjohura, por kërkimet e vazhdueshme përqendrohen që të hedhin dritë mbi marrëdhëniet midis dy qytetërimeve. /artnews/ KultPlus.com