Deputetja Tinka Kurti sot ka bërë të ditur se kërkesa e saj si kryetare e GGD-së, lidhur me dhomën e gjidhënies në Kuvend, është aprovuar nga kryetari dhe sekretari i Kuvendit, përcjellë KultPlus.
“Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së”, ka shkruar ajo.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gjidhënies. Këtë kërkesë e kam bërë si Kryetare e GGD-së pas tryezës që kishim mbajtur me këtë temë. Jam fort e lumtur që Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari e kanë aprovuar dhe kjo tashmë është duke u realizuar. Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së. Tjetër rekomandim i kësaj organizate është edhe hartimi i politikave përkrahëse, zbatimi i tyre por edhe promovimi nga politikanet e politikanët.
Një kërkesë e tillë do t’u dërgohet institucioneve të tjera publike. Madje inkurajohen edhe ato private. Shpresojmë se dhoma brenda Kuvendit do të jetë modeli që përhapet shpejt.
Kjo është e rëndësishme për të drejtat e grave në punë. Èshtë e rëndësishme për mirëqenien e grave gjidhënëse e të punësuara dhe nganjëherë jetike për fëmijën.
Gjidhënia është mirëqenie. Gjidhënia është politike. / KultPlus.com