Dita e 7-të e FemArt 10 nisi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me konferencën dhe publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit” – #Metoo Në Arte: Nga Thirrjet Tek Ndryshimi Strukturor, me autore Marta Keil (IETM), Katie Kheriji-Watts (OTM), i cili synon të trajtojë situatën në lidhje me seksizmin, ngacmimin, ngacmimin seksual, dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.
Ky publikim nga IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), On the Move – OTM, dhe FACE – Fresh Arts Coalition Europe është kulmi i punës së projektit SHIFT mbi Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushtetit. Kjo temë përfshin çështje komplekse, si në shoqëri në përgjithësi ashtu edhe në sektorin kulturor. Në dritën e zhvillimeve që nga viti 2017, kur lëvizja #MeToo u ngrit në rëndësi globale, partnerët e SHIFT morën një vendim të përbashkët për t’u fokusuar në ngacmimin seksual dhe abuzimin me pushtetin në botën e artit evropian.
Ky aktivitet u hap nga presidentja e Kosovës, shkëlqesia e saj, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, e cila dha një mesazh inspirues për të pranishmit dhe ndjekësit e rrjeteve sociale të FemArt, duke theksuar se secili hap drejt barazisë gjinore ka rëndësinë e vet, dhe të gjithë duhet të angazhohemi për një gjë të tillë.
“Ju falënderoj që nëpërmjet artit keni përzgjedhur që të përçoni mesazhe të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe që nëpërmjet kësaj përpjekjeve e keni në qendër të vëmendjes pikërisht fuqizimin e grave dhe vajzave. Për mua dhe për gjithë zyrën time është nder që t’iu mbështesim sadopak në këtë rrugëtim, prandaj jam e sigurt se bashkëpunimi ynë do të intensifikohet çdo ditë e më shumë. Në luftën kundër pabarazive, kundër gjuhës së dhunës, abuzimit seksual, ngacmimit seksual, përdhunimit, paragjykimeve e padrejtësive si rezultat i mosbalancit në aspektin e pushtetit, dhe gjithnjë do të na keni në krah”, është shprehur Osmani.
Sipas saj ashtu siç është evidentuar edhe në raport, po aq sa janë të rëndësishme këto nisma dhe fushata për vetëdijësim, po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi me njerëz që kanë pushtet brenda organizatave apo institucioneve, sepse përveç qasjes nga poshtë-lartë ne kemi nevojë për ndryshim strukturor, përmbajtësor e të qëndrueshëm.
“Ka nevojë për guxim të vazhdueshëm, insistim të vazhdueshëm, punë sistematike e këmbëngulje… Duhet ta kemi të qartë se çdo hap që na sjellë më afër realitetit të barazisë është një mundësi më shumë për ta luftuar mentalitetin dhe agresionin e ngacmimit seksual, të dhunës fizike, verbale e psiqike. Çdo hap në këtë drejtim është një hap më afër barazisë gjinore. Vajzat dhe gratë tona meritojnë vend të sigurt në punë, respekt nga të gjithë pa dallim, mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre, vlerësim të mundid të tyre, mundësi të barabarta për avancim, garantim të sigurisë dhe ambientit të sigurisë në punë. Le të flasim sot zëshëm e të punojmë çdo ditë me bindje e përkushtim të plotë për më shumë barazi, dinjitet, respekt e fuqizim, si në art poashtu edhe në çdo fushë të jetës sonë pa dallim”, ka deklaruar Osmani.
Themeluesja dhe drejtoresha e Artpolis dhe Festivalit FemArt, Zana Hoxha, falënderoi presidenten për mbështetjen dhe prezencën e saj në një ngjarje kaq të rëndësishme.
Pas fjalëve hyrëse, bashkëautorja e Raportit Katie Watts bëri prezantimin e gjetjeve paraprake të raportit dhe rekomandimeve. Aktiviteti vazhdoi me dy panele diskutimi.
Pjesë e panelit të diskutimit “Ne duhet të flasim: Seksizmi dhe ngacmimi seksual në botën e artit” ishin Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Çështje Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Elva Margariti, Ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë (TBC), Katie Ëatts, Koordinatore e Kërkimeve dhe Publikimeve – Në lëvizje (OTM) / Belgjikë, Miriam Engel, Koreografe, Valltare, Artiste Performuese / Izrael, Nataša Novaković, Menaxhere Produksioni – Teatri DAH / Serbi, dhe Gazmend Ejupi, Artist, Ligjërues në UBT – (Universiteti për Biznes dhe Teknologji), Drejtor në Galerinë Paper.
Kurse pjesë e panelit të dytë të diskutimit “Krijimi i hapësirave të punës dhe vendeve të punës më të sigurta të artit” ishin Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Valdete Idrizi, Drejtore e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Mitrovicës, Vesa Sahatçiu, Këshilltare e Kryetarit të Komunës së Prishtinës për Kulturë, Vjollca Krasniqi, Ligjëruese në Universitetin e Prishtinës & Bashkëkryetare në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP, Visar Krusha, Drejtor i Teatrit të Qytetit të Prishtinës Dodona, Florent Mehmeti, Drejtor i Teatrit ODA.
Siguria në punë dhe ambienti i sigurt për të menduar, vepruar e angazhuar janë të rëndësie të veçantë për të gjithë artistët.
Fotografitë: Rilind Beqa / KultPlus.com