‘Menaxherja e qelqtë’ shfaqet në Gjirokastër

Drama ‘Menaxherja e qelqtë’ u shfaq këtë fundjavë në teatrin Zihni Sako, në Gjirokastër. Vepra që bazohet në letërsinë amerikane trajton tema sociale dhe përcjell mesazhe të ndryshme. Shfaqja ‘Menaxherja e qelqtë’ tërhoqi vëmendjen e artdashësve në qytetin e gurtë.

“Është një pjesë e cila u përzgjodh nga aktorët vërtet është një kënaqësi e madhe për shkak sepse dhe përkushtimi i tyre është shumë i madh. Është diçka që e zgjodhën vet dhe donin t’a çonin deri në fund.”

Në kastin e veprës kishte edhe aktorë të rinj.

“Kam ndjerë një farë mungese në këtë premierë sepse mungonin aktorët ikonë të këtij teatri. Po mund të them me krenari që te kjo shfaqje ne aktorët e rinj jemi munduar të ecim në rrugën e tyre dhe jam shumë krenar për këtë.”

“Jam shumë e lumtur që arrita ta shpërfaqja këtë rol dhe punën time në një sallë plot, me një publik shumë të mirë.”

“Provova emocionet e këtij teatri, emocione të mrekullueshme, me një publik të mrekullueshëm. Salla ishte plot.”

Gjatë këtij sezoni artistik në skenën e teatrit të Gjirokastrës janë vënë disa shfaqje të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj./ KlanNews/ KultPlus.com

‘Java e Europës 2024’, aktivitete në Gjirokastër

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, çeli sot në Gjirokastër “Javën e Evropës 2024”, një event që fton qytetarët të njihen më nga afër me projektet dhe të mësojnë se si BE po e mbështet Shqipërinë për të nxitur gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Qafës e Pazarit, në Gjirokastër ishte i pranishëm Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe qytetarë të shumtë që iu bashkuan këtij eventi.

Ambasadori Silvio Gonzato, përshëndeti këtë event duke u shprehur se është kënaqësi që Java e Evropës po çelet në Gjirokastër.

“Ne kemi vendosur tre tema kryesore mbi të cilat do të fokusohemi, të cilat janë gjithëpërfshirja, larmishmëria në shoqëri dhe të drejtat e njeriut. Kjo për faktin se 27 vendet e BE-së janë të ndryshme, por të gjitha bëhen bashkë në BE. Pra në shoqërinë europiane secili ka vendin e vet dhe e gëzon atë”, tha Gonzato.

Gonzato tha se, gjatë vizitës në Gjirokastër inspektoi nga afër punimet për hapjen e një tregu të ri për grumbullimin dhe shitjen e të gjitha produkteve që do të prodhojë komuniteti rom në këtë bashki.

Ai nënvizoi faktin se “gjatë rrugëtimit që Shqipëria po bën për në BE, nuk duhet të lëmë askënd pas”.

“Të gjitha pjesët e shoqërisë bëhen pjesë e këtij rrugëtimi, duke kontribuar për një shoqëri më të mirë. Unë ju ftoj të vizitoni stendat në panairin e çelur me këtë rast këtu ku ekspozohet kontributi që BE jep për Shqipërinë, bashkë me shoqërinë civile, për ta bërë Shqipërinë një shoqëri më të drejtë më të mirë”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Golemi e vlerësoi nisjen e këtij aktiviteti fillimisht një ditë më parë në Shkodër dhe sot në Gjirokastër, një hap të rëndësishëm, që siç u shpreh ai “çelet në dy qytete të vatrës kombëtar me tradita e histori ku zë vend edhe diversiteti kulturor dhe fetar”.

“Projektet që BE ka mbështetur në zhvillimin e Gjirokastrës, kanë dhënë kontribut në përmirësimin e ekonomisë lokale. Ndërsa vihet re një interes i shtuar i turistëve për ta vizituar këtë qytet”, tha Golemi.

“Më shumë se 300 mijë turistë patëm vitin e kaluar dhe këtë vit presim shifra në rritje dhe kjo falë transformimit pozitiv që po shënon kjo zonë, në çdo drejtim ekonomik, social, e kulturor”, u shpreh ai.

“Javën e Evropës 2024” në Gjirokastër filloi me performanca artistike dhe një panair ku ekspozohen prodhime tradicionale të zonës, nga ato ushqimore e deri tek ato artizane. Ndërsa pjesëmarrës të shumtë në këtë takim u bënë pjesë në diskutime dhe shkëmbyen ide për bashkëpunime të reja./atsh/KultPlus.com

‘Një vrasje e vogël aksidentale’, komedia nga trupa teatrore e Mitrovicës në skenën e Gjirokastrës

“Një vrasje e vogël aksidentale” komedia e Jean Pierre Martinez u ngjit në skenën e teatrit të Gjirokastrës nën interpretimin e teatrit të Mitrovicës nën regjinë e Marigona Bekteshit.

Shfaqja, një komedi e pastër e bazuar në marrëdhëniet e komplikuara të dashurisë mund të shihet edhe si një eksplorim humoristik i fuqisë së gjuhës. Gënjeshtra të vogla por të shumta që shkaktojnë ngjarje me pasoja shkatërruese. Regjisorja e shfaqjes u shpreh shumë e kënaqur me mikpritjen e shfaqjes.

Komedia që pati ritëm dhe dinamikë interesante solli  situata plot humor brenda një çifti ku gënjeshtrat e njërit zbulojnë sekretet e tjetrit. Vepra njëherazi një tragjedie qesharake – ose një komedi dramatike ka të bëjë me fuqinë e rrezikshme që kanë deklaratat e vërteta dhe të rreme për të ndryshuar realitetin, herë për mirë e herë për keq. Një shaka e vogël  e pafajshme i tërheq personazhet e kësaj drame në mënyrë të pakontrollueshme duke i çuar ata nga një mbrëmje e qetë në shtëpi në një situatë surreale dhe shumë të rrezikshme.

Shfaqja ka udhëtuar më parë në Vlorë dhe trupa pritet të interpretojë edhe në disa qytete të tjera. Ky ishte shkëmbimi i dytë mes teatrove të Gjirokastrës dhe Mitrovicës./topchanel/KultPlus.com

Restaurimi i manastireve, ekspertët vlerësojnë objektet ortodokse në Gjirokastër

Të paktën 5 manastire historike të ritit ortodoks në qarkun e Gjirokastrës janë vënë në fokusin e ekspertëve të trashëgimisë për t’i rijetëzuar dhe kthyer në stacione të vizitueshme të turizmit kulturor.

Një pjesë e objekteve që prej fillimit të shekullit të XII e deri tek ato me funksione komplekse që lidhen me fillimin e shekullit të XVII me vlera të rralla të arkitekturës dhe pikturës murale kanë pësuar dëmtime serioze ndër dekada dhe shpëtimi i këtyre vlerave sipas Prof. Dr. Pirro Thomo një prej ekspertëve kryesorë të objekteve me arkitekturë fetare në vend është me rëndësi kritike për të ardhmen. Prof. Thomo thekson se ritmi i lartë i degradimit lidhet edhe me rrethana specifike të historisë së Shqipërisë.

“Në qoftë se flasim konkretisht për monumentet e kultit qoftë kisha, manastire, xhami apo teqe një goditje të rëndë pësuan në 1967 kur doli ligji i famshëm i ndalimit rreptësishtë të ceremonive fetare ku shumë objekte u kthyen në mjedise poshtëruese si stalla bagëtish apo depo. Nga ’91 kur vendi ynë kishte hallin e mëkëmbjes ekonomike kishim emigracion e probleme të tjera prapë se prapë nuk mund të kishim ato ritme të mirëmbajtjes së monumenteve kjo solli gradualisht pavarësisht punës së madhe të shtetit dhe kishës nuk është e mundur që në një kohë kaq të shkurtër ti kthejmë monumentet në gjendjen që dëshirojmë t’i kemi”, u shpreh eksperti Pirro Thoma.

Programi “Udhët Kulturore të Manastireve të Luginës së Drinos” pritet të kontribuojë në ruajtjen e komplekseve arkitekturore si manastiri i Ungjillizimit në Vanistër, manastiri i Mingulit ai i Dhuvjanit, Ravenës në fshatin Goranxi dhe manastiri i heremitëve në Spile. Ekspertët e Trashëgimisë Kulturore pa kufi u mbështetën prej fondit të Ambasadorëve të SHBA për të mundësuar në këtë rast ndërthurjen e një modeli të qëndrueshëm të turizmit me zhvillimin ekonomik të zonës.

“Programi do të mundësojë tre gjëra, e para krijimin e një modeli konservimi dhe stabilizimi nga ajo që na mbeten nga manastiret sot duke qenë se ritmi i degradimit është i lartë. Qëllimi i dytë është që këto manastire të lidhen në një formë udhësh kulturore për ti promovuar dhe më tej e për të nxitur një turizëm të kujdesshëm. E treta që bën të mundur lidhjen e dy të parave bashkë është edhe krijimi i një studimi kornizë sesi e gjithë lugina e Drinos bazuar në këto 5 manastire të përzgjedhura të mendohet si një destinacion i turizmit kulturor”, u shpreh Mirian Bllaci, zv.drejtor i CHWB.

Sipas arkitektëve, restauratorëve, teologëve dhe njohësve të trashëgimisë të përfshirë brenda programit ruajtja e vlerave shpirtërore dhe historike të këtyre aseteve kulturore do të të marrë rëndësi më shumë se funksionalizimi i tyre për arsye komerciale.

Komunitetet që jetojnë përreth këtyre objekteve monumente kulture të kategorisë së parë do të duhet të rikthejnë në funksion aktivitete tradicionale të lidhura me jetën e manastireve siç ishte kultivimi i shumë prodhimeve, rite pastorale, zeje dhe traditën e pelegrinazhit me natyrë jo vetëm fetare por edhe kulturore./topchannel/KultPlus.com

“Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” jehon në Gjirokastër

Check in Fest ka sjellë 3 ditë feste dhe argëtimi masiv në Gjirokastër. 

Me pjesëmarrjen e disa bandave muzikore, artit të rrugës, poezisë, ekspozita, festë për fëmijë, aktivitete në natyrë, gjueti thesaresh, edhe kjo fundjavë është sërish e mbushur me vizitorë në Gjirokastër.

Ideja që lindi për të promovuar 5 qytete shqiptare në 5 fundjava shkon jo vetëm në funksion të festës por edhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe vlerave autentike lokale.

Eventi është duke promovuar këtë vit edhe mundësitë e shumta të aktiviteteve në natyrë në rrethinat e Gjirokastrës si udhëtimet me mjete jashtë rruge dhe turizmin e aventurës. Check In Talks është këtë vit një tjetër kënd interesant ku diskutohet mbi inovacionin dhe të ardhmen e qyteteve që mbështeten tek turizmi.

Kuarteti Peter Pan, banda muzikore Gipsy Groove, Rody Jazz, Jericho, apo grupi muzikor Zwadaa performuan muzikë dhe sollën ritme të ndryshme në pazar që prej pasdites  e deri në mbrëmje.

Festa e Check In u shpërnda në pjesë të ndryshme të pazarit me workshope, ekspozita, party, DJ, muzikë elektronike e performanca live.

Nën sloganin “Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” eventi që vjen në edicionin e tij të tretë po promovon këtë vit Gjirokastrën dhe Tiranën./Top Channel/ KultPlus.com

Mbyllet Festivali Folklorik, Margariti: Dasmë e madhe me krushq nga Shqipëria e Kosova

Me një dasmë të madhe, me krushq nga Shqipëria e Kosova u mbyll nata e fundit e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që u zhvillua nga 24 qershori deri më 1 korrik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale momente nga nata e fundit e festivalit, që mblodhi më shumë se 1200 artistë popullorë nga 12 qarqet e vendit, ansamblet shqiptare nga Kosova, Mali i zi, Maqedoni e Veriut, Greqia, SHBA, Kanada, Australi, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe nga gjithë diaspora kudo në botê.

“Ishim me mijëra, shqiptarë e turistë të huaj që kënduam e kërcyem deri vonë nën ritmet e muzikës popullore, me farfurinë e kostumeve dhe dritave të një skenografie që i dha edhe më shumë bukuri këtij festivali. Për t’u mbyllur me fishekzjarre gëzimi dhe falënderimi për më shumë se 1200 artistë që u ngjitën në skenë dhe stafin e palodhur që organizoi edicionin XI të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër  2023”, tha Margariti.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra ishte qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat. Ai mirëpriti çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan përgjatë 8 netëve në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike./atsh/KultPlus.com

Grupi i Elbasanit, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Grupi folklorik i Elbasanit u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Pjesëmarrës në natën e gjashtë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ishin grupmosha të ndryshme, ndërsa në skenë u sollën vlerat e folklorit të Shqipërisë së Mesme me këngë e valle.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ndau në rrjetet sociale momente nga kjo ngjarje që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh, ndërsa rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve, por edhe të turistëve të huaj.

Festivali Folklorik Kombëtar ka nisur më 24 qershor dhe vijon deri në datën 2 korrik. Përgjatë 8 netëve, kalaja e Gjirokastrës shndërrohet në një skenë të hapur për të gjithë dhe akesohet falas.

Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon folklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje./atsh/KultPlus.com

Gruaja e vetme lahutare e Malësisë mahnit Festivalin e Gjirokastrës: Po pakësohemi, po shkojmë drejt zhdukjes

Lumturije Nonaj ka gjithë jetën e saj që luan në lahutë. Familja e saj është një familje lahutarësh dhe së bashku me vëllezërit Lumturija ka qenë pjesë e shumë festivaleve nder vite. Që e vogël ka shoqëruar në skenë xhaxhain, mjeshtrin lahutar Gjok Nonaj, i ndarë nga jeta 5 vite më parë.

Dalja e fundit e tij në skenë ka qenë në edicionin e fundit të këtij festivali, në vitin 2015, kur ai ishte 107 vjeç dhe ishte folkloristi më i moshuar i Festivalit. Një kujtim nga skena me axhën e ka gjithmonë ne lahutë. Sot Lumturija është e vetmja grua lahutarë ne gjithë veriun, por ndërsa nuk mungojnë përpjekjet për autenticitetin e lahutës dhe ruajtjen e saj si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, numri i lahutarëve ne Malësinë e Madhe numërohet me gishtat e një dore. Lumturija jo pak e trishtuar thotë se nuk ka me shume se 5 lahutarë, dhe kjo sipas saj, për shkak se të rinjtë nuk kanë interes për të mësuar lahutën. Fëmijët e saj, dhe nipërit janë ne emigrim dhe kane interes për futbollin dhe botën e teknologjisë.

Lahuta përfaqëson mjetin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian. Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpia e lanun”. Ishte turp për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Kulti i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve. Lahutarët i këndojnë këto këngë në dasma, në gazmende, në festa dhe në raste të tjera, si dhe në mbrëmje, kryesisht gjatë stinës së dimrit./ballkanweb/KultPlus.com

Nata e pestë e Festivalit të Gjirokastrës, artistët e Shkodrës dhe Fierit ngjiten në skenë

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e sotme pamje nga nata e pestë e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

“Artistët që sollën vlerat e traditës muzikore të Shkodrës e Fierit, u ngjitën në skenë në natën e pestë magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjirokastra muzeale e traditave dhe kulturës shekullore, po mikpret prej disa ditësh Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili është rikthyer pas 8 viteve nën simbolikën e valltarëve të lidhur dorë për dore, në Kalanë e gurtë, të zbukuruar dhe gjallëruar në këtë natë, si kurrë më parë nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2023, ngjarja që bën bashkë ngjyrat e bukura të folklorit shqiptar, do të mbahet për 8 net në kalanë e Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të aksesohet falas.

Festivali po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës, e shndërruar në zemrën e Festivalit, me vizitorë të shumtë, artistë popullorë, artizanë, si dhe artëdashës të të gjitha moshave, të mbledhur së bashku për të shijuar një nga eventet më të mëdha të muzikës dhe valles tradicionale shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale./atsh/KultPlus.com

Nata e katërt e festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, Eneda Tarifa zbulon detaje: Mbrëmja do të hapet nga…

Prezantuesja e festivalit, këngëtarja Eneda Tarifi në një lidhje live me skype në rubrikën “Opinion”, në News24, zbuloi detaje të reja në lidhje me natën e katërt të festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Mbrëmja do të hapet nga grupi i Fierit, ku do të mbizotërojë kënga dhe vallja.

“Kam një lidhje të madhe me këtë qytet, pasi kam gjyshen këtu. Çdo pushim veror i kam kaluar në Gjirokastër. Sot do të jetë grupi i Fierit, do të jenë grupe që do të përfshirë çdo veçori të rrethit të Fierit. Nuk do të ketë vetëm këngë, por edhe valle. Ky është një event i madh dhe jam shumë e emocionuar, pasi për mua ishte një surprizë. Ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme dhe kjo është muzika jonë autoktone”, u shpreh ajo./ballkanweb/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar, tradita që përcillet brez pas brezi

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës po ndiqet nga një numër i madh spektatorësh. Rrugët e qytetit të gurtë gjallojnë nga zhurmat e vizitorëve por edhe të turistëve të huaj. Nata e tretë e edicionit të 11-të të FFK ngjiti në skenën e Kalasë së Gjirokastrës artistët popullorë të Qarkut Dibër, Tiranë dhe grupe folklorike nga Kosova. E veçantë dhe me elegancë imponuese erdhi trupa folklorike e Asamblit nga Kosova, ku valle dhe performime koreografike të vajzave dhe burrave krijuan emocion të veçantë. Këngët dhe vallet e sjella nga artistët e Kosovës shënuan një kuotë të lartë estetike si interpretuese ashtu edhe në paraqitjen e kostumografisë.

Artistët sollën këngë lirike dashurie, rite dasmash, valle dyshe, këngë epike lufte, kostume shekullore, që u kane lënë të parët e tyre dhe që po përcillen brez pas brezi.

Në natën e katërt të festivalit pritet të ngjiten në skenë grupet e qarkut të Durrësit, Korçës, Saz’Iso Band dhe Andi Kongo Band./atsh/KultPlus.com

Nis sot festivali folklorik, Rama ndan pamje nga atmosfera në Gjirokastër (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qafa e pazarit në Gjirokastër, ku mbrëmjen e kësaj të shtune do të çelet Festivali Folklorik Kombëtar i qytetit të gurtë.

“Tani nga Gjirokastra, që mikpret plot miq e turistë në sokake, dhe gati për të filluar pas pak Festivalin Folklorik Kombëtar”,- nënvizon Kryeministri Edi Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë. Kryeministri Edi Rama edhe më herët ndau një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1 200 artistë, ndërsa hyrja është falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar. Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet.

Risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.  Në festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të marrin pjesën dhe grupe muzikore nga 12 qarqet e vendit.

Ansambli Folklorik “Tirana” do të përfaqësojë Tiranën dhe Gjirokastrën në Festivalin Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në qytetin e gurtë nga 24 qershori deri në 1 korrik. Ky ansambël, pjesë e Qendrës Kulturore Tirana – Teatri Metropol, ka në repertorin e tij  valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, nga Shqipëria e Mesme, e Jugut dhe valle veriu./atsh/KultPlus.com

Dyfishohen shifrat, 50 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën nga 1 janari deri më 15 qershor 2023.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, thotë se vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për këtë periudhë kanë ardhur gjithnjë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madje, rritja kësaj here llogaritet në 122,6%.

50 mijë vizitorë janë regjistruar gjatë kësaj periudhe ose 27541 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një vit më parë nga 1 janari-15 qershor u regjistruan rreth 22 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Kalaja mesjetare e Gjirokastrës është nga më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit. Për herë të parë Gjirokastra dhe kalaja përmenden në 1336. Kalaja ka formën e një anijeje të madhe të gurtë, e cila shtrihet në një hapësirë prej 335 metrash, mbi kodër, nga ku mund të shihet qyteti./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, falas për të gjithë

Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar 2023, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujton se ky event i rëndësishëm që do të zhvillohet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë, do të jetë falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.

“Ju presim në Gjirokastrën e bukur dhe turistike ku artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet”, shkruan Margariti, në rrjetet sociale. Më herët, gjatë një interviste televizive, ministrja e Kulturës është shprehur se risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.

“Të rinjtë do të emocionojnë me performancat e tyre në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike”, është shprehur Margariti./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar rikthehet në Gjirokastër më 24 qershor

Në Sallën Blu të Teatrit të Operas e Baletit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpalli datat e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Eventi i një rëndësie madhore për artin e kulturën shqiptare do të mbahet nga data 24 qershor deri më 1 korrik. Festivali Folklorik Kombëtar kthehet në Gjirokastër pas 8 vitesh dhe do të ketë më shumë se 1200 pjesëmarrës.

“Tashmë jemi rikthyer në aktivitetet artistike kulturore pas pandemisë, me më shumë etje, për të sjellë një nivel të ri jo vetëm performance, por edhe një mendësi të re në përqafimin sidomos të brezave të rinj me festivalin e Gjirokastrës”, deklaroi gjatë konferencës për media, ministrja e Kulturës, Margariti.

Që kur nga Ministria e Kulturës u njoftua rikthimi i Festivalit Folklorik, në qarqe të ndryshme të vendit nisi puna përgatitore e grupeve artistike pjesëmarrëse. Shumë shpejt në qytetin e gurtë do të kemi mundësinë të shohim paradën e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve të cilat do të shpalosen në skenën emblematike të Kalasë së Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

‘Antigonea’ gati për të pritur vizitorë vendas e të huaj

Çelet “Porta e beharit turistik” në sitin arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër.

Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Odise Kote, në ditën e diversitetit kulturor në Parkun Antigone, ka dhënë mesazhin e qartë se, zbulimi dhe rizbulimi i thesareve të trashëgimisë historike e kulturore është pjesë e rëndësishme e ruajtjes, e zhvillimit të identitetit kombëtar, e njohjes së vetvetes.

“Pranimi i dimensionit kulturor të tjetrit është një nga vlerat më emancipuese të qytetërimit shqiptar, vlerë që ka sjellë harmoni, mirëkuptim e bashkëjetesë shembullore në botën shqiptare”, ka shkruar prefekti i Qarkut Gjirokastër, në rrjetet sociale, ku dhe bëri ftesë për zbulimin e hireve e stolive të Parkut të Antigonesë, një nga kërshëritë përvëluese të vizitorëve vendas, të botës shqiptare e të huaj.

Antigonea, me sip.45 ha, territor mbi 90 ha, qytetërim i shekujve të III para krishtit është një nga atraksionet më të rëndësishme të rajonit e krejt Ballkanit.

Në ceremoninë e çeljes së “Portës së beharit turistik”, ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Me këtë rast ishte përgatitur një shfaqje me këngë e kostume tradicionale si dhe një mini panair me prodhime ushqimore të zonës si dhe punime artizanale./atsh/KultPlus.com

Mbi 200 instrumentistë të vegjël pjesë e konkursit “Tempo” në Gjirokastër

Kalaja e Gjirokastrës u kthye për katër ditë me radhë në një skenë festive për fëmijët e të rinjtë e moshave të ndryshime.

Muzika klasike nën magjinë e tingujve të pianos, violinës, kitarës, flautit, violinçelit apo muzikës së dhomës e luajtur me pasion nga të rinjtë solli emocione të shumta në edicionin e dytë të të konkursit ndërkombëtar “Tempo”.

Pjesë e këtij konkursi u bënë më shumë se 200 instrumentistë të vegjël nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe pjesëmarrës nga jashtë Shqipërisë të cilët plot talent interpretuan repertorë të ndryshëm në Kalanë e Gjirokastrës.

Të rinjtë konkuruan në disiplinat e ndryshme në edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar “Tempo” organizuar nga GjiroClassica e Bashkia Gjirokastër, event i cili u ndoq edhe nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Gjatë këtij edicioni të rëndësishëm të muzikës klasike u ndanë edhe çmime të ndryshme për të rinjtë pjesëmarrës./atsh/KultPlus.com

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës (FOTO)

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një album fotografik me momente nga përgatitjet e grupit përfaqësues të Qarkut Shkodër, që do të jetë pjesë e Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2023.

Shkodra, Puka, Fushë-Arrësi, Malësia e Madhe dhe Dukagjini do t’i bashkohen paradës së motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve e riteve që do të shpalosen në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Festivali Folklorik Kombëtar do të zhvillohet këtë vit, në muajin qershor.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968. Prej asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar, vijon konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës

Në qytetin e Gjirokastrës vijojnë përgatitjet Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor.

Në festival pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau momente nga konkurrimi i grupeve të Gjirokastrës që do të përfaqësojnë këtë qytet në skenën magjike të Festivalit Folklorik Kombëtar.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur./atsh/KultPlus.com

Muzeu i “Luftës së Ftohtë” në Gjirokastër, mijëra turistë e vizituan gjatë 2022-shit

“Ish vendstrehimi luftarak i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër tashmë është kthyer në një prej vendeve më të preferuara për tu vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Historia, objektet që ndodhen përgjatë këtij muzeu ofrojnë kërshëri dhe interes për turistët.

Tuneli i gjithi i ndërtuar prej betoni, shtrihet në një gjatësi prej 1 km, nën muret e Kalasë së Gjirokastrës.

I ndërtuar në vitet 70-të të shekullit të kaluar, vendstrehimi luftarak i përngjan një qyteze nëntokësore me rreth 80 dhoma, të cilat do të përdoreshin në rast të një sulmi eventual gjatë periudhës së komunizmit.

“Tuneli është një atraksion turistik, i cili tërheq mjaft turistë. Tuneli është ndërtuar për njerëzit elitë në kohën e komunizmit dhe është një investim kolosal nga ana e qeverisjes komuniste dhe është një gjë mjaft interesante për të huajt por sigurisht dhe për shqiptarët”, u shpreh Xhulio Rexha, ciceron.

Ndërsa funksionon si Muze i Luftës së Ftohtë historiku dhe mënyra e ndërtimit bëjnë që tuneli prej betoni të jetë një dëshmi nteresante për atë periudhë.

“Turisti tërhiqet më shumë nga gjërat autentike që janë në këtë bunker sepse çdo gjë është origjinale dhe kthehen mbrapa në kohë duke parë pajisjet dhe objekte të komunizmit”, theksoi Rexha.

Gjatë vitit 2022 më shumë se 3500 turistë vituan këtë atraksion. Krahas vlerave arkitektonike reliket e ish-sistemit komunist e bëjnë më tërheqëse guidën turistike të Gjirokastrës./gazetatema/ KultPlus.com

Mërgimtari kthehet në vendin e lindjes dhe shpëton një monument kulture

“Bonusi i Rijetësimit” është një nga projektet madhore të qeverisë, prej të cilit deri më tani kanë përfituar 40 aplikantë, pronat e të cilëve po u nënshtrohen restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale historinë e një emigranti nga Gjirokastra, i cili është përfitues i këtij bonusi, falë të cilit ka shndërruar në bujtinë një godinë tejet të amortizuar.

“Pas vitesh në emigracion, Mariglen Ligu u kthye në vendin e lindjes dhe investoi në sektorin e turizmit. Me mbështetjen e Bonusi i Rijetësimit, ia arriti të shpëtojë një ndërtesë, monument kulture, kategoria II, në Gjirokastër, duke e shndërruar në një bujtinë”, shkruan Margariti.

Bonusi i Rijetësimit nuk mbron vetëm trashëgiminë tonë kulturore e historike, por mbështet mbi të gjitha familjet dhe u vjen në ndihmë qytetarëve duke u ofruar përmes restaurimit të banesave kushte më të mira jetese në shtëpitë e tyre.

Ky projekt do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një fond shtesë prej 50% të atij aktual.

Nxitje brezave të rinj të ruajnë isopolifoninë në Gjirokastër

“Polifonia te trashëgimia” ishte aktiviteti i organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në shkollën 9-vjeçare “Asim Zeneli”, ku së bashku me ekspertin e trashëgimisë kulturore Shkëlqim Guce u fol për isopolifoninë, historinë, ndarjen sipas krahinave dhe më e rëndësishmja, përcjelljen e saj në breza.

Embëlsia e këtij aktiviteti ishin fëmijët të cilët interpretuan këngë dhe valle folklorike.

Në fjalën e tij për nxënësit, drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka tha se fëmijët janë ata që na mësojnë vlerën që ka koha dhe mënyrën si duhet ta shfrytëzojmë atë, duke mbushur ditët tona me vlera të tilla si elementet kulturore të vendit tonë të cilat i kemi të shumta dhe na pasurojnë si komb.

“Ne jemi gjithmonë këtu për ju dhe mbështetje të talentit tuaj”, u shpreh Duka duke falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe krahun mbështetës të këtyre fëmijëve, drejtuesin e shkollës, Astrit Ismaili si dhe gjithë stafin pedagogjik të shkollës dhe prindërit e fëmijëve.

“Isopolifonia popullore shqiptare” është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë jomateriale të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, që prej 25 nëntorit të vitit 2005./atsh/ KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në vitin 2023

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka ndarë në rrjetet sociale lajmin se Festivali Folklorik i Gjirokastrës do të rikthehet.

“Viti 2023 vjen me lajme të mira. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës rikthehet në muajin qershor”, shkruan ministrja Margariti.

Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve do të shpalosen në paradën që do të zhvillohet në qytetin e gurtë. Ministrja shkruan se përgatitjet për këtë festival tashmë kanë filluar.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. / KultPlus.com

“Rikthimi në shtëpi” i Musine Kokalarit, përmes studimeve të traditave të Gjirokastrës

“Rikthimi në shtëpi” ishte aktiviteti i organizuar nga bashkia Gjirokastër dhe Këshilli i Qarkut, në nder të figurës së shquar gjirokastrite, Musine Kokalari.

Vlerat historike, arkitektonike, monumentet e kulturës, trashëgimia kulturore jomateriale janë shndërruar në elementë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Këto vlera të krijuara në shekuj janë margaritarë, të cilat e veçojnë Gjirokastrën edhe në rang botëror si pjesë e UNESCO-s.

Pjesë e aktivitetit ishte revokimi i kontributit që ka dhënë intelektualja dhe disidentja Musine Kokalari në lëmin e studimeve për traditat, doket dhe zakonet e zonës së Gjirokastrës, ndërsa u prezantua edhe botimi që mban autorësinë e saj i titulluar “Nënë Zejnebija”.

Shoqata TID Gjirokastra ju bashkua aktivitetit për të fokusuar të tilla aktivitete në zonë të cilat i japin unitet zonës, dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore për të cilat vizitorët e huaj tregojnë interes të lartë./ atsh / KultPlus.com