Rama: Shtëpi për shkrimtarët në Gjirokastër

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ish-Shtëpia e Pritjes në Gjirokastër do të kthehet në një shtëpi të dedikuar për shkrimtarët.

“Ne jemi duke punuar një tjetër projekt që do jetë një projekt për shkrimtarët, pra një shtëpi shkrimtarësh. Në Gjirokastër, në ish-Shtëpinë e Pritjes, ku shkonte edhe i zoti i atëhershëm i kësaj shtëpie, do bëjmë një shtëpi që do të jetë e dedikuar për shkrimtarët”, tha Rama, në ceremoninë e hapjes së rezidencës artistike europiane “Vila 31 X Art Explora”, në Tiranë.

Duke qenë se është edhe qyteti i Ismail Kadaresë, duke qenë se edhe Ismail Kadareja nuk është më, por është një nga brandet më të rëndësishme të Shqipërisë, Rama tha se do të jetë “Shtëpia Kadare” që do të presë shkrimtarë.

“Jemi duke punuar me projektin, bashkë me një projekt tjetër të rrugëve të personazheve të Ismail Kadaresë në Gjirokastër. Është projekt, nuk e kemi akoma përfundimisht, si të thuash, aprovuar, se si do të jetë, po do ta çojmë deri në fund si projekt dhe pastaj nëse do të bindemi plotësisht se është gjëja e duhur, do ta bëjmë”, informoi ai./atsh/KultPlus.com

Mbi 260 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës gjatë 2024-ës

 Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Ndërsa fluksi turistik ka përfshirë gjithë zonën e Gjirokastrës, kalaja mbetet destinacion i preferuar.

Statistikat e publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Gjirokastrës flasin për rritje me më shumë se 20.73 për qind të vizitorëve në këtë kala.

Ishin 262 972 vizitorë për vitin 2024 që panë nga afër dhe u mahnitën nga struktura dhe peizazhet që ofron kalaja e Gjirokastrës si pjesë e vizitave turistike.

Mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Kumbaro: Rikualifikimi i sheshit në Gjirokastër, nxitje turizmit

Në Gjirokastër janë drejt finalizimit punimet për rivitalizimin e sheshit “Çerçiz Topulli”, që pritet t’i gjallëroj edhe më shumë zonën e vjetër të qytetit, duke e bërë Qafën e Pazarit të lidhet natyrshëm me pjesën tjetër të qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale momente nga puna që vijoj aktualisht aty, ku po vendoset busti i Çerçiz Topullit i restauruar.

“Nga episodi “Çeçua në aksion” për t’u rikthyer në piedestalin e tij prej mermeri që po i nënshtrohet gjithashtu restaurimit, pasi mbaroi rikualifikimi i plotë i sheshit falë investimit të qeverisë dhe projektit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, shkroi Kumbaro.

“Sheshi i Çerçizit” i rikonceptuar, duke mos prekur elementët urbanë ekzistues do të kthehet në një vend pushimi për turistët e shumtë që mrekullohen nga pamja magjepsëse që ofron qyteti.

Investimet e reja në restaurimin e qytetit e vendosin Gjirokastrën, përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com

Muzeu ‘Ismail Kadare’ në Gjirokastër, rreth 8 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit

Muzeu i shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare ka qenë një prej aseteve më të frekuentuara turistike që prej fillimit të vitit 2024 e deri më tani.

Përgjegjësi i këtij muzeu Bruno Pjetri shprehet se interesi i turistëve ka qenë i lartë në krahasim me vitin e kaluar dhe vijon ende të jetë si nga turistë vendas, por kryesisht ata të huaj.

“Viti 2024 ka qenë i suksesshëm përsa i përket numrit të vizitorëve në muze, por edhe aktivitete që ne kemi zhvilluar në ambjentet e muzeut. Rreth 8 mijë vizitorë kanë ardhur gjatë këtij viti”, tha Pjetri.

Ai ndër të tjera theksoj se edhe gjatë ditëve të dhjetorit nuk kanë munguar vizitorët të cilët vijnë të shohin vendin ku është lindur e rritur shkrimtari.

Prej fillimit të vitit 2024 e deri tani muzeu Kadare ka mirëpritur rreth tetë mijë turistë vendas e të huaj, duke e kthyer këtë muze në një prej destinacioneve më të frekuentuarat në Gjirokastër./atsh/ KultPlus.com

Restaurim i disa monumenteve kulturore në qarkun e Gjirokastrës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër por kryen ndërhyrjen më të madhe në trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës brenda një viti.

Në qarkun e Gjirokastrës po realizohen një sërë projektesh restaurimi me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore.

Aktualisht janë në proces disa projekte në Monumente Kulture të Kategorisë I: restaurimi i Urës së Mesit pjesë e Tri Urave të vogla mbi përroin e Zerzebilit, ndërhyrje emergjente për “Urën mbi Përroin e Benjës”, restaurimi i Urave të Kollorcës, Glinës dhe Haskovës, restaurimi i murit perëndimor në “Banesën Fico”.

Ndërkohë, të tjera projekte pritet të nisin. Mes tyre është restaurimi i “Kishës së Manastirit të Shën Mëri Spilesë”, banesa e Angonatëve, “Sarajet e Myfit Beut”, në Libohovë dhe kisha e Manastirit të Shpërfytyrimit, në fshatin Çatistë.

Në bashkëpunim me CHWB janë duke u restauruar kishat përgjatë Luginës së Drinos: Manastiri i Shën Qirjakut dhe Julitës në Dhuvjan dhe Manastiri i Ungjëllizimit në fshatin Vanistër.

Ndërsa në bashkinë Përmet është duke përfunduar restaurimi i kishës së “Shën e Premtes”.

Sipas DRTK Gjirokastër, duke mbrojtur trashëgiminë kulturore, rritet edhe tërheqja turistike si dhe kontribuohet në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit./atsh/KultPlus.com

Drama ‘Grerëza’ shfaqet në Gjirokastër

Grerëza ishte vepra që erdhi për publikun në qytetin e Gjirokastrës. Ajo u ngjit në skenën e teatrit Zihni Sako ndërsa drama thriller erdhi me regji të Eraldo Malajt. Shfaqja trajton çështje sociale dhe dilemën e përzgjedhjes.

Eraldo Malaj, regjisor: Është hera e parë që vendoset në Shqipëri një dramë thriller. Pjesa trajton bullizmin dhe pasojat që shkaktojnë mospasja e një fëmije dhe pasojat që kanë në jetën e këtyre personave.

Ina Zoto, aktore: Ishte një pritje shumë e mirë. Gjithë publiku dhe gjithë personat që ishin në sallë ishin shumë të mirë dhe nuk e dinim në fakt që do të ishin kështu.

Asiana Koka, aktore: Në fakt ne ishim të surprizuar nga pritja që na bëri qyteti i Gjirokastrës. Është një qytet shumë artdashës dhe pritja ishte shumë e ngrohtë.

Grerëza ishte shfaqja e radhës në kalendarin e pasuri të teatrit të Gjirokastrës.

Lejda Çeli, drejtore e teatrit: Përgjithësisht kemi zgjedhur vepra të autorëve të huaj të vendosura nga teatro të ndryshme të vendit, por edhe nisma private si kjo e sotmja që dua ta theksoj më shumë se të tjerat duke qenë se janë tre të rinj që sapo kanë mbaruar universitetin e Arteve, kanë punuar një vepër dhe falë bashkëpunimit me ne vendosën ta jepnin premierën e tyre sot në teatrin Zihni Sako.  

Drama Grerëza erdhi gjatë fundjavës  për artdashësit gjirokastritë./ Klan News/ KultPlus.com

Kumbaro: Historike, 6 fluturime direkte nga Italia në aerodromin e Gjirokastrës

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamjet nga aerodromi i Gjirokastrës, që tashmë është në funksion të fluturimeve sportive turistike direkte nga Italia.

“Një ngjarje historike për aerodromin e Gjirokastrës në të cilin për herë të parë u kryen gjashtë fluturime direkte nga Italia, duke reduktuar kostot, kohën dhe duke e bërë Gjiron një destinacion ekskluziv për fluturimet sportive e turistike”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjetet sociale.

Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues dhe tregtar që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike të vendit tonë edhe fluturimet në aerodromin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./atsh/KultPlus.com

Gjirokatër, nis restaurimi i çatisë së banesës “Karaulli” në qendrën historike të qytetit

Në kushtet e emergjencës Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër ka filluar punën për restaurimin e çatisë së banesës “Karaulli” në qendrën historike të qytetit.

DRTK bën të ditur se çatia e kësaj banese ka pasur probleme serioze me një pjesë të konsiderueshme të saj dhe rrezikonte nga degradimi i mëtejshëm.

Dëmtimet që ky objekt ka pasur ishin komplekse, duke filluar nga trarë dhe mahi të thyer, petavër të kalbur dhe spreth të dëmtuar.

Punimet restauruese DRTK-ja po i kryen në bashkëpunim me pronarët e objektit, që mundësuan ndërhyrjen e menjëhershme në banesën “Karaulli”./atsh/KultPlus.com

40 pjesëmarrës në Panairin e Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër

40 artizanë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë në Gjirokastër, në kuadër të Panairit të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët ekspozuan punime dhe produkte të ndryshme. Disa prej tyre vinin për herë të parë në këtë panair dhe u shprehën shumë të kënaqur nga mikpritja gjirokastrite.

U vu re se pati interes për punimet e dorës si çantat, kurorat, fustanet etj., të cilat ishin punuar me cilësi.

Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore tashmë është kthyer në një traditë për qytetin e gurtë. Interesi ka qenë i lartë sidomos nga turistë që duan të njohin më shumë punimet artizanale që prodhohen në trevat shqiptare për të cilat pati edhe demonstrime “live” të punimeve të tyre.

Aktiviteti u organizua në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com

Rama: Sheshi i sapopërfunduar i Çerçizit në Gjirokastër, rijetësim i arkitekturës autoktone

Sheshi i sapopërfunduar i Çerçizit në Gjirokastër, një hapësirë që ende nuk është inauguruar nga autoritetet, është kthyer tashmë në një atraksion turistik.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot punimet që janë kryer në këtë shesh, i cili sipas tij, është projektuar si rijetësim i arkitekturës autoktone të qytetit, me mundësi për veprimtari ekonomike, artistike e kulturore.

Ndërkohë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bashkë me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi vizituan sot sheshin dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve në këtë qytet.

Duke u ndalur te sheshi i Çerçizit, Kumbaro u shpreh se “sheshi ka mbaruar tashmë dhe është kthyer në një arenë fantastike, skenë koncertesh dhe akivitetesh kulturore por edhe panairesh të hapura”.

“Na mori ca kohë ndërtimi i sheshit dhe detajet estetike, por besoj se një nga gjërat e bukura janë edhe këto dritaret që imitojnë arkitekturën e qytetit. Këto janë kthyer tashmë në vende për të bërë fotografi”, tha Kumbaro.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se në bashkëpunim me MEKI-n, Drejtorinë Rajonale të Kulturës dhe me bashkinë po punohet për t’i dhënë të njëjtin ndriçim edhe këtyre monumenteve historike që identifikojnë qytetin e gurtë.

Ndërsa kryetari i bashkisë, Golemi u shpreh se përveç sheshit këtu është ndërhyrë në gjithë mozaikun si fasada e bashkisë apo edhe Qendra Kulturore e fëmijëve e rikonstruktuar totalisht

Ministrja theksoi se kjo qendër ofron ambiente të ngrohta dhe dinjitoze për të gjithë fëmijëve që kanë pasion artet, zejtarinë, qëndisjen e shumë zanate që i rrinë për shtat qytetit, përmes kurseve falas.

“Rritja ekonomike që ne e shohim nga shifrat, në fakt vjen nga investimet. Ekonomia zinxhir në turizëm është perfekte. Çdo gjë që ne bëjmë sot na i sjell në rritje ekonomike dhe të ardhura. Përndryshe nuk do t’i rrisnim dot rrogat siç ka ndodhur me mësuesit e arsimit profesional që u shkon rroga 900 euro në muaj. As nuk e imagjinonin dot 7-8 vite më parë këtë”, tha Kumbaro./atsh/KultPlus.com

200 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën 1 janar deri më 10 shtator.

Ajo ka pritur 200.000 vizitorë vendas e të huaj ose 21% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

DRTK Gjirokastër shkroi në rrjetet sociale se, kalaja e Gjirokastrës mirëpret vizitorët për t’i njohur me historinë e për të shijuar pamjen që e rrethon në 360°.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë, pranuar në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime.

Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala prej rreth 12 kilometra larg.
Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore./atsh/KultPlus.com

‘Impromptu’, nga fondi i të rinjve, në teatrin ‘Zihni Sako’ të Gjirokastrës

 “Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/ KultPlus.com

“Impromptu”, nga fondi i të rinjve, në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës

“Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Turistë nga e gjithë bota në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot turistët që të vizitojnë Gjirokastrën, si një destinacion që “i ofron të tëra”.

“Shi në plazh? Asnjë problem! Kemi Gjirokastrën që i ka të tëra. Ju presim te Qafa e Pazarit ku java nisi plot me turistë nga e gjithë bota”, u shpreh ajo.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në Kalanë e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës është monumenti më i vizituar në vend, teksa prej fillimit të vitit numëron mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se qyteti i UNESCO-s po tërheq edhe numrin më të lartë të vizitorëve.

“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120 723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Turistët e huaj përbëjnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve, ndërsa ata vijnë nga Europa, SHBA e deri nga Australia.

Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

‘Që ta kemi kujtim nga vendi juaj’: Të huajt të interesuar për suvenire në Gjirokastër

Në tregun e Gjirokastrës turistët të cilët janë nga vende të ndryshme, nuk eksplorojnë vetëm zonën historike, ata gjithashtu ndalen në dyqane të shumta që janë në atë zonë, dhe kryesisht blejnë suvenire.

“Unë jam nga Barcelona në Spanjë. Jam për herë të parë në Shqipëri. Nga ky vend veç suveniereve kam marrë edhe ëmbëlsira të ndryshme dhe gliko”, tha një turiste.

“Kemi ndaluar këtu për të marrë diçka që ta kemi kujtim nga vendi juaj”, u shpreh një tjetër, raporton Tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.

Geraldina Canaj e cila tash e disa vitesh ka hapur dyqanin e saj me suvenire, ajo thotë se turistët më shumë tërhiqen nga prodhimet vendase.

“Turistët më shumë tërhiqen nga këto prodhime vendase, prodhimet e qeramikës, punimet me qëndisje, pra punime tradicionale gjirokastrite, këto i tërheqin më shumë”.

Gjirokastra është një nga qytetet më të vizituara të vendit dhe zgjidhet kryesisht për historinë dhe kulturën.

Qilimi i gurtë i mirëseardhjes në Gjirokastër, drejt përfundimit

Qilimi i gurtë i mirëseardhjes në Gjirokastër është drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në facebook foto nga përfundimi i punimeve të qilimit të gurtë modern e tradicional mbi parkimin e ri nëntokësor në Gjirokastër.

Rama shprehet se parkimi i ri nëntokësor e çliron qytetin tërësisht nga makinat sheshin e rilindur të Çerçizit dhe lidh për këmbësorët hyrjen në qytet me Qafën e Pazarit.

Ai shton se Qafa e Pazarit gëlon ditë e natë nga turistët që këtë vit janë edhe më të shumtë.

“Ndërkohë që çdo muaj hapen dyer të reja shtëpish tradicionale të restauruara e rilindura si bujtina mikpritjeje”, deklaron Kryeministri./atsh/KultPlus.com

Tri urat e Zerzebilit, monumente kulture në Gjirokastër

Tri urat e vogla mbi përroin e “Zerzebilit” Gjirokastër, janë monumente kulture,  Kategoria I dhe shumë interesante për t’u vizituar. DRTK Gjirokastër mori masat që urat të jenë të lira nga vegjetacioni për të mikpritur vizitorë vendas e të huaj.

Ura pranë shkëmbit është e ndërtuar me gurë gëlqerorë të rregullt të lidhur me llaç gëlqere, me një hark guri në mes, parapet me mur guri gëlqeror të lidhur me llaç gëlqere, e shtruar me kalldrëm me gurë të zinj dhe të bardhë, përkatësisht nga dy radhë dhe është relativisht në gjendje të mirë.

Ura në pjesën e sipërme ka një ndërhyrje të mëvonshme ku duket prania e një trau.

Ura në Dunavat është e transformuar tërësisht. Aty ka ndërhyrje me beton dhe ekzistojnë vetëm shpatullat e urës.

Ndërsa ura e mesit është e ndërtuar me gurë të zinj, me një hark guri në mes dhe përdoret nga kalimtarët dhe në ditët e sotme vjen mjaft e dëmtuar. Ura është e rënë në një gjatësi 2,5 m dhe gjerësi 2m.

Urat në qytetin e Gjirokastrës janë ndërtuar për të lidhur dy lagje të saj. Përrenjtë që përshkojnë qytetin kanë detyruar ndërtimin e një sërë urash të vogla, tre Urat e Vogla mbi Përroin e Dunavatit u ndërtuan nga Aqif Zerzebili, një person i kamur që donte të lidhte lagjet Manalat e Cfakë me pjesën tjetër të qytetit./atsh/ KultPlus.com

Kënde ngushëllimi për Kadarenë në Gjirokastër, kryetari Golemi: Monument në nderim të shkrimtarit

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, vendlindja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që ndërroi jetë një ditë më parë, janë vendosur dy kënde ngushëllimi, ku qytetarët dhe turistët po lënë mesazhet e tyre në librat e vendosur aty.

Një prej këndeve është vendosur tek Qafa e Pazarit, ku ndodhet bazorelievi “Nderi i Qytetit” për shkrimtarin dhe tjetri tek shtëpia-muze e Kadaresë.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për ATSH-në se “është momenti të nisim procedurat për të pasur në një shesh kryesor monumentin e Kadaresë sepse ka bërë shumë për qytetin”.

“Kadare e meriton monumentin e tij në Gjirokastër, pasi e bëri të njohur atë në mbarë botën me librat e tij. Për realizimin e këtij projekti do të bashkëpunojmë dhe me Ministrinë e Kulturës”, theksoi Golemi.

Në shtëpinë muze të Kadaresë sot dhe nesër hyrja është e lirë për vizitorët. Ndërkohë që
nesër drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, etj do të zhvillojnë homazhe në nderim të Kadaresë në shtëpinë-muze.

Kadare u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Qeveria shpalli datën 2 dhe 3 korrik ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike u ulën në gjysmështizë.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe./ atsh/ KultPlus.com

Rama: Parada e makinave retro në Gjirokastër, atmosferë fantastike

Gjirokastra vizitohet çdo ditë nga qindra turistë vendas dhe të huaj që e zgjedhin qytetin e gurtë për veçantitë e tij, trashëgiminë, natyrën, mikpritjen, por edhe atmosferën e ngrohtë që krijohet nga shumë aktivitete të organizuara.

Këtë radhë, ishin makinat retro që gjallëruan qytetin e gurtë duke surprizuar turistët e shumtë që e shijuan këtë paradë në kuadër të javës italiane të kulturës.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Pazari i Gjirokastrës, ku parada e koleksionit të makinave retro që erdhën nga Italia solli një atmosferë fantastike, duke tërhequr vëmendjen e qindra turistëve vendas e të huaj.

Parada e mjeteve klasike të Veteran Club Valle D’Itria përshkoi rrugicat e kalldrëmta të qytetit të Gjirokastrës. Përveç këtyre mjeteve të mrekullueshme, të pranishmit shijuan dhe muzikën dhe atmosferën fantastike që u krijua.

Parada e makinave retro mbushi një ditë të paharrueshme për adhuruesit e makinave RETRO dhe kulturës./atsh/KultPlus.com

Rikthehet teatri i fëmijëve në Gjirokastër, aktorët e vegjël interpretojnë për bashkëmoshatarët

Në Gjirokastër po rikthehet teatri për fëmijë ndërsa aktorët e vegjël interpretojnë plot dëshirë dhe pasion në skenën artistike. Së fundi ishte Qendra Kulturore e Fëmijëve që solli për artdashësit e vegjël pjesën “Kur gëzon Baba Viti”,e cila u ndoq me interes dhe u duartrokit nga fëmijët dhe prindërit.

Artistët në qytetin e gurtë e vlerësojnë pozitive rikthimin e këtij lloj teatri aq më tepër në shërbim të edukimit dhe argëtimit të fëmijëve.

“Pas shfaqjeve të shumta që kemi dhënë në teatrin “Zihni Sako” për fëmijë kemi vënë re që publiku i vogël është i etur për të parë akoma dhe më shumë shfaqje dhe duke patur parasysh këtë teatri ” Zihni Sako” por jo vetëm edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve të qytetif ka vendosur një shfaqje së fundmi me fëmijë për vogëlushët dhe dua të them që ndjesia e imja si artiste kur pashë sallën plot të qytetit dhe të gjithë dashurinë që fëmijët dhanë për aktorët e vegjël ishte shumë emocionuese dhe fantastike”-tha Lejda Çeli, aktore.

Trupa të tilla si interpretuesit e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve shërbejnë si bërthama artistike për transmetimin e traditës aq të pasur që ka teatri i Gjirokastrës tek fëmijët dhe të rinjtë

“Dua të cek pak interesin e fëmijëve të vegjël për të luajtur, për të qenë protagonistë në shfaqje të tilla dhe kjo është akoma dhe më e bukur dhe akoma edhe më emocionuese, teatri ” Zihni Sako” ka përdorur zakonisht të rinj por këtë radhë shfaqja e fundit ishte me fëmijë të vegjël dhe kjo është akoma më e bukur duket sikur po e transmetojmë në breza”-theksoi Çeli.

Programi i aktiviteteve kulturore në qytetin e gurtë tashmë përfshin edhe organizimin e vazhdueshëm të shfaqjeve teatrore nga fëmijët dhe të rinjtë./euronews/ KultPlus.com

Ujëmbledhësit e Gjirokastrës, monumente të trashëgimisë kulturore

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka përfunduar punën për pastrimin nga vegjetacioni në bendin mbi përroin e “Nokovës” në fshatin “Nokovë”, bend i cili është Monument Kulture i kategorisë së parë.

Bendi është ndërtuar poshtë fshatit mbi përroin e Nokovës, në një distancë rreth 700m nga banesat e fshatit. Bendi me gjatësi 16 m akumulon gjatë natës një volum uji prej 400 metër kub.

Prita prej muri guri, me lartësi 5,5 m është në formë kantraforti. Në skajin e majtë kreu i bendit ka një ulje prej 0,40 metrash për shkarkimin e ujërave të tepërta.

Në mesin e bendit poshtë është vrima e daljes së ujit për vaditje (0,6 x0,6m) e mbuluar sipër me qemer cilindrik. Muratura e bendit është punuar me gurë vendi të zinj e shtuforë.

Me herët DRTK Gjirokastër pastroi edhe tre bende të tjera në zonën e Lunxhërisë, po ashtu Monumente Kulture, Kat. I.

Njëri prej tyre ishte bendi i “Mingulit” i cili ngrihet mbi përroin e Mingulit gjatë rrugës që të çon në “Manastirin e Shpërfytyrimit” i cili është një nga bendet më të goditur nga ana konstruktive me gjatësi 17m, gjerësi 2m e me lartësi 4m./atsh/KultPlus.com

79 mijë vizitorë më shumë në kalanë e Gjirokastrës

 Gjatë vitit që lamë pas, turistët që vizituan Kalanë e Gjirokastrës, arritën një numër të lartë për periudhën 1 janar -31 dhjetor 2023. Sipas statistikave të bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, vizitat kanë ardhur gjithnjë në rritje, duke arritur në 217,906 vizitorë gjatë vitit 2023 ose rreth 79 mijë vizitorë më shumë se në vitin 2022.

Gjirokastra ishte ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar gjatë 2023. Rreth 300 mijë turistë priti ky qytet, duke i surprizuar, jo vetëm me atraksionet historike, kulturore e natyrore, por edhe me standarde premium të bujtinave dhe restoranteve falë një bashkëpunimi shumë të frytshëm e në sinkron me sektorin privat. Kjo e ka çuar qytetin drejt 12 muajve turizëm.

Turistët, kryesisht e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Përveç kalasë, nuk lihet pa u vizituar pazari karakteristik, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta, etj./atsh/KultPlus.com

Muzeu me identitet të dyfishtë, ndër më të vizituarit këtë sezon në Gjirokastër

Muzeu etnografik në Gjirokastër përfaqëson një atraksion me identitet të dyfishtë.

Ai njihet si një objekt që koleksionon pasuri të rralla të traditës materiale etnografike por njëkohësisht edhe si shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, figurës që u bë fytyra e diktaturës më të egër në Europë. I restauruar dy vite më parë muzeu është risjellë me një qasje të re për vizitorët qasje e orientuar nga teknologjia. Këtë sezon më shumë se 10 mijë vizitorë në 80% të tyre të huaj e vizituan këtë muze.

Kemi sektorin e zonave etnologjike të Gjirokastrës që diferencohen nga njëra-tjetra për shkak të ndryshimeve me karakter etnik dhe janë të ekspozuara apo ilustruara nëpërmjet kostumeve.

Kemi sektorin e simbolizmit fetar brenda të cilit gjenden objekte të importuara nga kisha e Shën Sotirit, objekte që mbajnë motive të ndikimit fetar. Vizitorët e huaj janë shumë të interesuar për pjesën e simbolizmit fetar pasi kjo pjesë ngjall kërshëri për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Gjirokastër ku bashkëjetojnë tre besime fetare”- tha Iris Shane, cicerone e muzeut.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës. Irisi që udhëheq vizitorët në mjediset e banesës tri katëshe tregon se pyetjet për diktatorin nuk mungojnë por dëshmitë materiale për të janë minimale. Vizitorët shqiptarë do të dominojnë periudhën e dimrit dhe janë ata që kanë kuriozitet të lartë për të dy identitetet e muzeut.

Të huajt e konsiderojnë dhe vlerësojnë sepse është pjesë e historikut të kësaj shtëpie. Shqiptarët kanë edhe më shumë interes për shkak të të jetuarit në dy sisteme por edhe lidhjes historike me vendin tonë. Por ekspozitori i Enver Hoxhës është i përqëndruar më shumë tek lidhja e tij me këtë shtëpi. Ai ka lindur këtu më 1908 dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, kohë kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Më pas u rikostruktuar në këtë lloj arkitekture fillimisht si muze të Luftës Nacional-Çlirimtare por njëkohësisht e bëri të njohur për popullin edhe si shtëpinë e tij të lindjes– tha Shane.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 200 mijë vizitorë./topchanel/KultPlus.com