Gjirokastra u vizitua nga 90 mijë turistë në vitin 2021

Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.

Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.

Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com

Vijon puna për rikthimin e rrugëve me kalldrëm në Gjirokastër

Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve të kalldrëmta, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Mjeshtrit e kalldrëmeve vijojnë të skalitin në gur identitetin e Gjirokastrës.

Pas përfundimit me sukses të rehabilitimit të infrastrukturës dhe restaurimit të kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon me sagën e projekteve në këtë qytet që mbart vetëm vlera.

Janë drejt përfundimit punimet për ndërhyrjen “Restaurimi dhe Interpretimi i shtegut të Edward Lear dhe Udhëtarëve”. / KultPlus.com

Kur Italia shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Gjirokastër

Nga Aurenc Bebja, Francë – 19 Dhjetor 2021

“L’Économiste français” ka botuar, të shtunën e 9 qershorit 1917, në faqen n°16, një shkrim në lidhje me shpalljen asokohe të pavarësisë së Shqipërisë në Gjirokastër nga qeveria italiane, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Italia shpall pavarësinë e Shqipërisë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 6 qershor. — Qeveria italiane sapo ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë me aktin e mëposhtëm të datës 3 qershor në Gjirokastër :

Të gjithë popullatës shqiptare.

Sot 3 qershor 1917, në përvjetorin e lumtur të lirive statutore italiane, ne, lejtënant-gjeneral Giacinto Ferrero, komandant i organit të pushtimit (sundimit) italian në Shqipëri, me urdhër të qeverisë së mbretit Viktor Emanuel II shpallim solemnisht unitetin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë.

Me këtë akt, ju, shqiptarët, do të keni institucione, milici, gjykata dhe shkolla të lira të drejtuara nga qytetarët shqiptarë. Ju do të jeni në gjendje të administroni pronat tuaja dhe produktin e punës suaj, për përfitimin tuaj dhe për mirëqenien gjithnjë e më të madhe të vendit tuaj.

Shqiptarë, kudo që jeni, ose tashmë të lirë në trojet tuaja, ose të arratisur në botë, ose ende të nënshtruar ndaj sundimit të huaj plot premtime, por në të vërtetë të dhunshëm dhe grabitës, ju që, nga një racë shumë e lashtë dhe fisnike, keni kujtime dhe traditat shekullore qe ju lidhin me qyteterimin romak e venecian, ju qe njihni bashkësinë e interesave italo-shqiptare mbi detin që njëkohësisht na ndan dhe bashkon, bashkohuni të gjithë, ju njerëz të vullnetit të mirë që keni besim në fatet e atdheut tuaj të dashur. Vraponi të gjithë nën hijen e flamurit italian dhe atij shqiptar, të betoheni për besim të përjetshëm në atë që sapo është shpallur sot në emër të qeverisë italiane për Shqipërinë e pavarur me miqësinë dhe nën mbrojtjen e Italisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-economiste-francais-1917-italia-shpall-pavaresine-e-shqiperise-ne-gjirokaster/ / KultPlus.com

Gjirokastra magjike e festave të fundvitit (FOTO)

Në këtë fundvit, Gjirokastra e gurtë, është mbuluar nga manteli shumëngjyrësh i festave.

Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.

Pazari karakteristik, oazi i festave

Një dekor i veçantë, dritat shumëngjyrëshe në fasadat e gurta, bredhi i festave dhe simbolikat e tjera të fundvitit e bëjnë pazarin karakteristik të Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve një oaz të vërtetë feste.

“Prej ditëve të para të muajit dhjetor, në gjithë qytetin dhe veçanërisht në zonën muzeale kemi vendosur dekorin festiv të fundvitit. Jemi kujdesur që dekori t’i përshtat qytetit të gurtë, me synim jo vetëm zbukurimin e mjediseve të ndryshme, por edhe shndërrimin e Gjirokastrës, në një destinacion të preferuar turistik, për festat e fundvitit”, shprehet kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, tashmë dekori festiv  ka më shumë elementë, duke u instaluar edhe në pjesën moderne të qytetit, për t’i falur Gjirokastrës një atmosferë të veçantë në këtë fundvit.

Natyrshëm, Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit, tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.

Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

“Falë zbukurimit për festa,t Pazari i gurtë është mjaft tërheqës, ndërkohë që menduam të shëtisnim gjatë kësaj mbrëmje me shoqërinë, në rrugët e kalldrëmta të tij”, shprehet Elda, ndërsa së bashku me një grup të rinjsh viziton zonën muzeale.

I preferuar për vizitorët e pazarit të gurtë është këndi i festave të fundvitit. Bredhi shumëngjyrësh, slita me drerë dhe simbolikat e tjera të festave tërheqin banorët veçanërisht fëmijët, të cilët nxitojnë të fiksojnë në fotografi këto momente të paharrueshme për ta.

Megjithë temperaturat e ftohta të stinës sërish zonës muzeale edhe në këtë periudhë nuk i mungojnë turistët. Në grupe familjare apo të organizuar ata udhëtojnë nga zona të ndryshme të vendit, për të prekur magjinë e festave të fundvitit, në qytetin e gurtë.

“Kam ardhur nga Shkodra së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Në këtë periudhë Gjirokastra është e veçantë me dekorin e festive, kështu që vendosëm të vizitojmë qytetin dhe kalanë, duke e cilësuar dhe si një udhëtim për fundvitin. Gjithçka është e bukur falë edhe dekorit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes”, shprehet mysafiri nga Shkodra.

Bertrami është pjesë e një grupi gazetarësh dhe producentësh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë qendrat turistike të vendin tonë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në qytetin tuaj. Gjithçka këtu është mbresëlënëse, një dekor i veçantë që zbukuron ndërtesat historike. Është një udhëtim i vlefshëm për mua dhe kolegët e medias, sepse mendojmë që vlera të tilla duhen promovuar për turizmin ndërkombëtar”, pohon ai, ndërsa me kamerën televizive nxiton të filmojë peizazhin dhe mjedisin e festave të fundvitit në Gjirokastër.

Festat gjallërojnë turizmin

Tashmë festat e fundvitit janë kthyer në një mundësi mjaft e mirë për gjallërimin e Gjirokastrës dhe nxitjen e turizmit.

“Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe”, pohon kryebashkiaku Flamur Golemi.

Falë punës së bërë qyteti i gurtë, po vizitohet nga turistë duke qenë një destinacion i përzgjedhur këtë fundviti. Qazim Tuqi, administrator i një biznesi familjar për turizmin shprehet se, kanë patur kërkesa për akomodim gjatë periudhës së fundvitit si nga vizitorët vendas ashtu edhe të huaj.

“Falë vlerave dhe atmosferës së veçantë, tashmë Gjirokastra është një destinacion turistik i përzgjedhur, për festat e fundvitit”, shprehet ai. Mjeshtri i kulinarisë karakteristike, Dëfrim Gjoça pohon se, tërheqëse për turistët janë dhe gatimet karakteristike të tavolinës së festave të fundvitit.

“Vizitorët vendas dhe të huaj kërkojnë të shijojnë gatimet tradicionale që serviren në këtë periudhë për festat”, shprehet ai.

Vlerat e Gjirokastrës pasurojnë guidat turistike

Vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës, po pasurojnë guidat turistike të fundvitit, duke e bërë udhëtimin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Pjesë e tyre janë resurset natyrore, traditat dhe trashëgimia kulturore në qytet dhe zonat rurale.

Vizitat në kalanë e Argjiros, Pazarin karakteristik, banesat e Zekatëve, Skëndulajve,etj  janë elementët kryesorë të guidave turistike gjatë këtyre ditëve. Eraldo Breshani, udhërrëfyes turistik, shprehet se falë vlerave të traditës por edhe atyre natyrore, në këtë periudhë të vitit Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga turistët.

“Janë vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët për festat e fundvitit dëshirojnë të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, duke përjetuar mbresa të paharrueshme gjatë vizitës në qytet dhe rrethinat”, pohon Eraldoja.

Vlerë e shtuar për guidën turistike është peizazhi mbresëlënës i Parkut Natyror të Viroit. Për turistët nuk mungojnë edhe udhëtimet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, fshatrat turistike dhe objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Lunxhërisë, Cepos, etj, duke e bërë me afektiv udhëtimin e fundvitit, në zonën e Gjirokastrës.

Natyrshëm pjesë e ofertës turistike është edhe organizimi i eventeve kulturore, promovimi i vlerave të traditës, folklorit, gatimeve karakeristike, etj. Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistikë, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët. / atsh / KultPlus.com

Plani Kombëtar për Pastrim gjen zbatim në Shqipëri

Me moton “Shqipëri e Pastër”, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është duke vazhduar me planin Kombëtar të Pastrimit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, i pari i Shqipërisë ka ndarë disa fotografi, ku shihet disa vende janë duke u pastruar.

“Pastrimi i vendit ku jetojmë është patriotizëm, ndërsa ndotja e plazheve është pjesa më e shëmtuar e fytyrës së përbuzjes ndaj vendit dhe të ardhmes”, ka shkruar ai.

Disa prej momenteve nga pastrimi në Durrës, Kavajë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Bulqizë, Përmet dhe Mallakastër

May be an image of 6 people, people standing, footwear and outdoors
May be an image of body of waterMay be an image of 6 people, people standing and outdoors

Hapet ekspozita me kartëmonedha shqiptare e koleksionistit Girando Koti në Gjirokastër

Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.

Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.

Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.

Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.

“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.

Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com

Krijohet taskforca ndërinstitucionale për monumentet e kulturës në Gjirokastër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot nisjen e punës së taskforcës ndërinstitucionale, e cila do të jetë një përkujdesje më shumë për monumentet e kulturës në Gjirokastër.

“Gjirokastra nuk është vetëm Qafa e Pazarit”, u shpreh ministrja Margariti, pasi sipas saj, të tjera ndërhyrje restauruese e rijetësuese pritet të nisin në qytetin-muze.

“Sot i hapëm udhë krijimit të një taskforce midis bashkisë së Gjirokastrës, Ministrisë së Kulturës dhe DRTK Gjirokastër. Që në fazën e parë të saj, kjo taskforcë synon të krijojë një grup pune me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në rreth 30 objekte në lagjen Pazar i Vjetër, Dunavat dhe Manalat”, u shpreh Margariti.

“Ky është momenti i bashkëpunimit me pronarët e objekteve e sipërmarrës për të çuar para këto projekte. Përvojat në banesat Kale, Lulo e Harshova janë shembuj suksesi që duhen ndjekur”, tha ajo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi  u shpreh se “së bashku me ministren Margariti, specialistët e fushës, pronarët e banesave karakteristike, bizneset lokale dhe banorët do të bëjmë të mundur rijetësimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

“Tashmë Gjirokastra është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet në zonën muzeale janë të konsiderueshme, madje duke sjellë dhe një transformim rrënjësor të qytetit në tërësi.Ne do të vazhdojmë punën për ta kthyer Gjirokastrën në një xhevahir të vërtetë të kurorës së trashëgimisë kulturore botërore”, tha Golemi./ KultPlus.com

Gjirokastra pret artizanët në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

29 shtatori në Shqipëri është edhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Kremtimet e këtij viti sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike do të zhvillohen në Gjirokastër, ku edhe do të prezantohet puna dhe krijimtaria e veglapunuesve popullorë, artizanëve, të cilët me punën e tyre krijojnë instrumentet muzikore të traditës.

Ndërsa më datë 30 shtator, me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të trashëgimisë do të mbahet tryeza shkencore rreth mjeshtërisë dhe punimit të instrumenteve muzikore të traditës.

29 shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja. Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Rinisin gërmimet arkeologjike në Antigone dhe Palokastër

Pas shumë vitesh ndërprerjeje, kanë nisur gërmimet në dy site arkeologjike të Gjirokastrës, në Antigone dhe Palokastër.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili ndau edhe foto nga gërmimet arkeologjike.

“Lajm shumë i mirë që rikthehet misioni i përbashkët arkeologjik italo-shqiptar mes Universitetit të Maceratas dhe Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Nën drejtimin e profesor Roberto Perna, arkeologë dhe specialistë të të dy vendeve do të punojnë për një periudhë të gjatë për të gjetur zbulime të reja”, tha Golemi.

Golemi tha se “trashëgimia kulturore materiale është një aset shumë i rëndësishëm që ne kemi, pasi jo vetëm dëshmon për përkatësinë tonë të hershme, por prej saj sot mund të gjenerojmë të ardhura përmes turizmit”. / KultPlus.com

Check-in Fest në Gjirokastër, 3 ditë art, muzikë dhe trashëgimi

Fundjava në Gjirokastër ka mbledhur njerëz të të gjitha moshave e profesioneve si rrallëherë, pasi festa e përgatitur përgjatë 3 ditëve kishte nga të gjitha.

Check-in fest në Gjirokastër dhuroi për vizitorët, por edhe për qytetarët gjirokastritë mundësinë e argëtimit dhe promovimit kulturor e të trashëgimisë përmes aktiviteteve të shumta.

Fundjava ishte fantastike në Gjirokastër e mbushur plotë me miq të rinj dhe të vjetër që duan të festojnë dhe të zbulojnë më shumë për qytetin. Një fundjavë ku mbizotëronte muzika, idetë inovatore, poetika dhe eksplorimi i gjërave të reja.

Aktiviteti nisi të premten nga Qendra e Pazarit për të vijuar me interpretime poetike në Rrugicën e Zejtarëve gjatës pasdites. Gjatë mbrëmjeve nuk munguan festat me muzikë e argëtim. Edhe gjatë shtunës, workshop-e, lojëra me gjueti e thesareve të shumtë të qytetit, festë e argëtim mblodhi mjaft qytetarë, për të kulmuar të dielën me festën e Balonave. / KultPlus.com

Gjirokastra, destinacioni i mbi 23 mijë turistëve nga janari në korrik

Qyteti gurtë, Gjirokastra, vijon të mbetet ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj edhe gjatë muajit korrik.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “numri i turistëve vendas dhe të huaj është i konsiderueshëm”.

Sipas Golemit, “vetëm kalaja e Gjirokastrës gjatë periudhës janar – korrik është vizituar nga 23 mijë turistë”.

“Vetëm gjatë muajit korrik, kalaja është vizituar nga 10 mijë turistë”, tha Golemi për ATSH-në.

Muzeumet janë ndër qendrat kryesore për zhvillimin e turizmit, ndërsa miradministrimi i tyre është në vëmendje të punës së bashkisë Gjirokastër.

Në këtë drejtim, Golemi tha se “muzemumet kanë pritur një numër të konsiderueshëm turistësh, dhe prej muajit janar deri në korrik janë vizituar nga rreth 3000 turistë”.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. / ATSH / KultPlus.com

UNESCO: Të ndërpriten urgjentisht punimet në Bypass-in e Gjirokastrës

Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore kërkon ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.

Ata theksojnë se, sipas dëshmive, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”. Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it.

“UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë  kulturore”.

“UNESCO” i rekomandoi Shqipërisë që të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.

Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë./ Abcnews.al / KultPlus.com

Polifonia në Gjirokastër tërheq turistë: Në verë priten më shumë festivale

Në Gjirokastër kënga polifonike është duke u promovuar përmes krijimit të teksteve të reja dhe përfshirjes së fëmijëve në grupe polifonike.

Njëri prej mjeshtrave të polifonisë Arjan Shehu tregon se nëse UNESCO nuk do ta kishte njohur dhe mbrojtur pak do ti dihej vlera. Sot ai shpreson që polifonia të përdoret si aset krahas trashëgimisë, kulturës dhe natyrës.

Përfshirja e fëmijëve si pjesë e grupeve polifonike është sipas muzikantit Gentian Selfo një qasje shumë e mirë ndaj kësaj trashëgimie. Polifonia dhe njohja e mirë e ritmit është diçka që i zbavit fëmijët dhe një mënyrë e mirë për të evidentuar talente.

Eventet e verës megjithëse do të jenë shumë të kufizuara në pjesëmarrje për shkak të masave do ta risjellin polifoninë në qendër të vëmendjes kombinuar me zërat e fëmijëve. Artistët e vjetër dhe të rinj po përpiqen të krijojnë ndërthurje mes polifonisë, këngës qytetare dhe folklorik koreografik. Përfshirja e vizitorëve për tu bërë pjesë e grupeve të këngëve dhe valleve do të jetë e veçanta e sezonit./ KultPlus.com