Rikonstruksioni i monumenteve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, Kumbaro: Projekte që ta bëjnë zemrën mal

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale renditi një pjesë të punëve të shumta që po kryhen mbi monumente të trashëgimisë kulturore të cilat kanë nevojë për restaurim, konservim e mirëmbajtje.

Ministrja Kumbaro tha se këto janë projekte që ta bëjnë zemrën mal dhe më tutje renditi punimet në gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga Koshtani i Memaliajt ku do të restaurohet Teqeja e Baba Muharremit, në Përmet ku ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën e Premtes e deri te Ura e Zerzebilit, te Kisha e Shën Mërisë Spilesë pranë Antigonesë, te Hamami i Meçites apo në Dropull ku po ndërhyhet në Manastirin e Ungjillizimit në Vanistër.

Kumbaro i cilësoi këto monumente kulture si krenari kombëtare.

“Si gjirokastrite, por edhe si ish-ministre e Kulturës s’mund ta fsheh kënaqësinë dhe vlerësimin për punën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kolegëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për stafin e përkushtuar të DRTK Gjirokastër, me të cilët kam pasur nderin të punoj për projekte që sot janë krenari kombëtare dhe sigurisht mirënjohje për kolegun Blendi Gonxhja e besimplotë për sukseset e tij”, shkroi ministrja Kumbaro./atsh/KultPlus.com

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore koncert në sokakët e Gjirokastrës

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore përcolli mbrëmjen e djeshme në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vlerat e traditës shqiptare.

Me shumë ovacione qytetarë e turistë që ndodheshin në qytetin e gurtë kërcyen e kënduan bashkë me artistët në sokakët e Gjirokastrës.

Artistët interpretuan një program të larmishëm me këngë, valle dhe kostumografi, duke pasqyruar përpara publikut dhe turistëve folklorin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore.

Së bashku me orkestrinën, solistët dhe grupi i valleve të Ansamblit Popullor sollën këngët dhe vallet më të bukura shqiptare në skenën e madhe të Gjirokastrës në sheshin “Çerçiz Topulli”.

Ky koncert u organizua në kuadër të turit “Folk on Tour” të trupës artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Mbrëmjen e sotme ky ansambël do të japë shfaqje në qytetin e Sarandës, ku pushues të shumtë vendas e të huaj do të ndjekin interpretimet e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore./atsh/ KultPlus.com

Fundjava festive në Gjirokastër, nga punimet artizanale te parada e Karnavaleve (FOTO)

Aktivitetet e shumta artistike e kulturore e kthyen qytetin e gurtë të Gjirokastrës për dy ditë me radhe, në epiqendër të festimeve për qytetarët, por edhe vizitorët vendas dhe turistët e huaj që kishin e zgjedhur si destinacion të fundjavës.

Festimet e organizuara nga Bashkia Gjirokastër jo vetëm për ndërrimin e stinëve në Ditën e Verës, por si një festë për të mirëpritur një tjetër sezon turistik ishin të mbushura me performanca artistike, vente të ndryshme kulturore, ekspozita, punime artizanale dhe panaire me produktet karakteristike të zonës.

Aktivitetet festive kulmuan me ngjyrat e Karnavaleve, lajmëtareve të pranverës ku rrugicat e qytetit jehuan nga pjesëmarrja e nxënësve të shkollave, qytetarët gjirokastritë dhe turistët e shumtë.

Fëmijët parakaluan në pazarin karakteristik me madhështi me kostumet e tyre shumëngjyrëshe duke sjellë një atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Në paradën e Karnavaleve që u organizua për të katërtin vit, morën pjesë edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, deputetja Mirela Kumbaro dhe konsulli grek Dimitrios Sacharidis.

Festa e nisur më 14 mars në Ditën e Verës u mbyll me koncertin artistik mbrëmjen e së shtunës nga artistët Elhaida Danin, Young Zerka dhe Ardit Çunin./atsh/KultPlus.com