Fundjavat e polifonisë tërheqin turistë në Gjirokastër

Në fundjavë ka vazhduar cikli i fundjavave të këngës polifonike, në qytetin e Gjirokastrës, duke tërhequr vëmendjen e artdashësve të këngës popullore por edhe turistëve. Prej fillimit të muajit gusht iso-polifonia ka zbritur çdo fundjavë në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, në një event të titulluar “Iso mbi kalldrëm”, në kuadër të të cilit grupe të ndryshme popullore, interpretojnë në ambient të hapur, duke u bërë një prej atraksioneve kryesore të mbrëmjeve gjirokastrite.

Në skenat artistike të improvizuara përgjatë rrugëve të kalldrëmta kanë performuar disa prej grupeve të mirënjohura të këngës popullore labe si grupi “Ergjëria” dhe “Cfakës”. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, në koncertet që kanë si skenë ansamblin arkitektonik të Pazarit karakteristik, artistët popullorë po shpalosin për artdashësit dhe turistët vlerat më të spikatura të këngës iso-polifonike, të kësaj pasurie të UNESCO-s.

“Organizimi synon të kthehet edhe në një pikë tërheqëse për guidat e turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë këtë verë Gjirokastrën”, pohon kryebashkiaku Golemi.

Përgjatë kësaj vere Bashkia Gjirokastër po organizon aktivitete kulturore dhe artistike të cilat tërheqin edhe grupet turistike./ atsh / KultPlus.com

“Çeço Fest”, 3 netë muzikë në kalanë e Gjirokastrës

Nis “Çeço Fest”, festivali ndërkombëtar i DJ-ve, i cili do ta mbajë zgjuar qytetin e Gjirokastrës për 3 netë rresht. “Çeço Fest”, tashmë i kthyer në një event të përvitshëm, do të zhvillohet në kalanë madhështore të Gjirokastrës.

Ky festival ka në thelb ka muzikën elektronike të viteve të fundit që luhet nga DJ të njohur në jetën e natës, në vend dhe më gjerë.

DJ nga Shqipëria e vende të ndryshme të botës, do të performojnë në një atmosferë mistike, mes mureve të lashta të kalasë, tingujve dhe efekteve vizive.

Festivali premton të sjellë një përvojë aspak të zakonshme për netët verore të një qyteti që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Disa nga DJ-të që do të luajnë janë AD Disha, Bani D, Pa emër, Edessa, Equinoxx, Chriss V, Didymus, Abstraal, Nidal Jr, Ison etj.

Festivali ka mbështetjen e bashkisë Gjirokastër dhe të Ministrisë së Kulturës./atsh/ KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës

Nisi programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës, i cili parashikon shfaqjen e filmave për 3 net rresht.

Ky program vjen si nismë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Bashkia Gjirokastër, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Production Cinemania, janë disa nga mbështetësit e këtij eventi, i cili pas një kalimi në qytete të tjera të vendit, solli kinemanë verore në qytetin e bukur të Gjirokastrës.

Show kinematografik ka në permbajtjen e tij, filma shqiptarë dhe të huaj, të cilët nisën projeksionin në sheshin përballë Teatrit “Zihni Sako”. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin edhe muzikë live.

Ky projekt parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror. / KultPlus.com

Historia e emrit të Gjirokastrës

Emri i qytetit të Gjirokastrës mësohet të jetë përmendur në shekullin XIII, për herë të parë. Ndërsa fillimet e qytetit mendohet të jenë pas rënies se Adrianopolit. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të qytetit. Një legjendë thotë që gjatë rrethimit të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë” dhe mori emrin qyteti.

Por ky version është i pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka rrënjën e emrit nga greqishtja, Argyró-kastro që do të thotë kështjellë e argjendtë. Një shpjegim i tretë lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër. /HEJZA/ KultPlus.com

Jusuf Buxhovi me takim letrar në Gjirokastër

Gjatë qëndrimit në jug të Shqipërisë, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i shoqëruar nga botuesi amerikan Ramiz Tafilaj, pati një takim tejet mbresëlënës letrar në bibliotekën e qytetit “Apostol Meksi” me krijues, lexues, e ku morën pjesë edhe prefekti i qarkut Odise Kote, Kryetarja e Qarkut të Gjirokastrës, Lindita Rova dhe kryetari i bashkësisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Bashkëbisedimi letrar u udhëhoq nga poeti Odise Kote, i cili paraqiti portretin letrar të shkrimtari Buxhovi me ç’rast u vlerësua me pietet proza e autorit si një vlerë e rëndësishme e letërsisë kombëtare. Autori u përshëndet edhe nga Lindita Rova dhe Flamur Golemi.

Me këtë rast, të pranishmëve dhe bibliotekës “Apostol Meksi” iu dhuruan 80 libra, për ç’gjë, nga Biblioteka autorit iu dha mirënjohje. / KultPlus.com

 

 

 

“QilimFest” gjallëron kalldrëmet e Gjirokastrës, tërheq turistët vendas e të huaj

Qilimat tradicionalë të zonës së Gjirokastrës u ekspozuan fundjavën që lamë pas në Pazarin e qytetit të gurtë.

“QilimFest” ishte konceptuar si një mënyrë e veçantë për njohjen me mënyrat e përpunimit të tekstilit tradicional dhe punimeve karakteristike me të si: qilima, rrugica, sixhade, etj.

Në pika të ndryshme të Pazarit karakteristik ishin vendosur elementët e përgatitjes dhe endjes së qilimave tradicionalë.  Pjesë e guidës për të pranishmit ishte këndi i qethjes së bagëtive, tjerrjes dhe endjes  së leshit, dizenjimit, këndi i tezgjahut etj.

Pjesë tërheqëse e këtij aktiviteti ishin edhe performancat artistike të grupeve të muzikës popullore, të lehtë dhe muzikës instrumentale. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, organizimi i “QilimFest” është pjesë e programit të aktiviteteve për gjallërimin e qytetit dhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj.

“Prej fillimit të vitit ne kemi organizuar aktivitete të ndryshme të cilat i shërbejnë edhe zhvillimit të turizmit”, tha Golemi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se aktivitetet që promovojnë vlerat e traditës popullore, janë elementë të veçantë për nxitjen e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, aq më tepër në atraksione të tilla siç është Gjirokastra.

”Synojmë që tashmë në Gjirokastër të kemi një zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm të turizmit gjithëvjetor”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro u shpreh se “meritën për organizimin e këtij aktiviteti e ka bashkia dhe shoqata e bizneseve të Pazarit, të cilat kanë hyrë në kalendarin e tyre të përjavshëm e përmuajshëm për ta bërë Gjirokastrën jo vetëm me 3 muaj turizëm, por me 12 muaj”.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë qenë edhe disa ministra të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës së Kosovës, është shprehur se Shqipëria dhe Kosova tashmë po formësojnë një treg të përbashkët turistik.

“Ne do të mbështesim gjithmonë e më shumë organizimin e aktivitete të tilla të cilat promovojnë vlerat e traditës sonë kombëtare dhe  janë të kërkuara për turizmin”, u shpreh ministri Çeku.

Qilimat me motive dhe ngjyra të shumëllojta, të cilët mbuluan kalldrëmet e gurta, janë realizuar që prej fillimit shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa Gjirokastra.

Gjatë gjithë ditës artizanet gjirokastrite demonstruan traditën e punës në tezgjah, të shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe grupeve live të jetës së natës.

Sipas artizaneve gjirokastrite, këto aktivitete vlejnë shumë për të promovuar këtë traditë të hershme të endjes së qilimave, por edhe për të mësuar brezin e ri në mënyrë që trashëgohet brez pas brezi.

“Procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”, shprehen artizanet.

Përgjatë muajit maj bashkia Gjirokastër do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve të ndryshme duke mundësuar edhe tërheqjen e turistëve në qytetin e gurtë./ atsh / KultPlus.com

‘Kërcim në ajër’, një pjesë baleti për fëmijë vihet në skenë në Gjirokastër

Një koreografe dhe dy balerinëve italiane nga Rajoni i Puljas përgatitën për ditë me radhë fëmijët e një shkolle lokale arti në Gjirokastër për të vënë në skenë shfaqjen “Kërcim në ajër”.

Shfaqja prezantuese ishte i pari produkt i një laboratori të kërcimit që themelohet me bashkëpunim dypalësh.

“Tema lindi nga bukuria e takimeve të veçanta dhe unike të këtyre ditëve ne Gjirokaster midis artistëve  italiane  dhe kërcimtarëve  te  rinj  gjirokastritë. Çdo moment ishte një përqafim, përshëndetje apo inkurajim për një sfidë, rehati apo emocion për një qëllim të arritur, entuziazëm apo energji e pastër fizike, e zhurmshme dhe shpërthyese”, thotë Elisa Barucchieri, koreografe e shfaqjes.

Shfaqja ishte produkt i një bashkëpunimi më të hershëm pjesë e programit “Teatri për përfshirjen sociale”.

Teatri i Gjirokastrës është duke përfunduar restaurimin si pjesë e këtij bashkëpunimi dhe do të çelë sërish dyer në qershor pas një pauze gati 3 vjeçare.

Problemi më i madh që po vuan Gjirokastra por edhe qytete të tjera të Jugut lidhet me largimin e vazhdueshëm të profesionistëve të artit  por edhe të të rinjve që nuk shohim perspektivë nëse edukohen lokalisht./TopChannel/ KultPlus.com

Margariti: Hyrje falas sot për vizitorët në monumentet dhe sitet arkeologjike

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, që këtë vit i dedikohet mbrojtjes së klimës.

Një ditë për të reflektuar mbi dëmet që mund t’i shkaktoheshin monumenteve për shkak të ndryshimeve klimatike. Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës. Sot, hyrja është e lirë në parqet arkeologjike“.

Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të marrin pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre si ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime, punëtori dhe leksione të hapura.

Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë plot monumente kulture dhe site, si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.

Gjithashtu turistët mund të vizitojnë edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos etj.

Muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike gjatë vitit 2018 kanë mirëpritur 378 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983, kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.

Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.

Në këtë ditë ofrohet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi. /k.s/ KultPlus.com

Rindërtimi i teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, drejt përfundimit

Rindërtimi i Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, një hapësirë e re kulturore për komunitetin e për vizitorët e qytetit të gurtë, është drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier ndërtimi, një investim i mezipritur nga aktorët, por edhe nga publiku që i Gjirokastrës.

Kjo hapësirë tejet e rëndësishme për jetën kulturore e artistike në Gjirokastër po transformohet falë mbështetjes së qeverisë italiane përmes programit IADSA, me një fond rreth 43 milionë lekë, ndërsa një pjesë tjetër të buxhetit e ka vendosur vetë bashkia.

Teatri “Zihni Sako” u themelua në 27 nëntor 1968 nën udhëheqjen e regjisorit Bernard Kokalari, i cili vuri për herë të parë në skenën premierën dramatike “Shokët”. Plejada e aktorëve të teatrit “Zihni Sako”, kanë dhënë mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë në takimet kombëtare, ku ka merituar edhe çmime. / atsh / KultPlus.com

Gjirokastra u vizitua nga 90 mijë turistë në vitin 2021

Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.

Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.

Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com

Vijon puna për rikthimin e rrugëve me kalldrëm në Gjirokastër

Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve të kalldrëmta, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Mjeshtrit e kalldrëmeve vijojnë të skalitin në gur identitetin e Gjirokastrës.

Pas përfundimit me sukses të rehabilitimit të infrastrukturës dhe restaurimit të kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit vazhdon me sagën e projekteve në këtë qytet që mbart vetëm vlera.

Janë drejt përfundimit punimet për ndërhyrjen “Restaurimi dhe Interpretimi i shtegut të Edward Lear dhe Udhëtarëve”. / KultPlus.com

Gjirokastra magjike e festave të fundvitit (FOTO)

Në këtë fundvit, Gjirokastra e gurtë, është mbuluar nga manteli shumëngjyrësh i festave.

Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.

Pazari karakteristik, oazi i festave

Një dekor i veçantë, dritat shumëngjyrëshe në fasadat e gurta, bredhi i festave dhe simbolikat e tjera të fundvitit e bëjnë pazarin karakteristik të Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve një oaz të vërtetë feste.

“Prej ditëve të para të muajit dhjetor, në gjithë qytetin dhe veçanërisht në zonën muzeale kemi vendosur dekorin festiv të fundvitit. Jemi kujdesur që dekori t’i përshtat qytetit të gurtë, me synim jo vetëm zbukurimin e mjediseve të ndryshme, por edhe shndërrimin e Gjirokastrës, në një destinacion të preferuar turistik, për festat e fundvitit”, shprehet kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, tashmë dekori festiv  ka më shumë elementë, duke u instaluar edhe në pjesën moderne të qytetit, për t’i falur Gjirokastrës një atmosferë të veçantë në këtë fundvit.

Natyrshëm, Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit, tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.

Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

“Falë zbukurimit për festa,t Pazari i gurtë është mjaft tërheqës, ndërkohë që menduam të shëtisnim gjatë kësaj mbrëmje me shoqërinë, në rrugët e kalldrëmta të tij”, shprehet Elda, ndërsa së bashku me një grup të rinjsh viziton zonën muzeale.

I preferuar për vizitorët e pazarit të gurtë është këndi i festave të fundvitit. Bredhi shumëngjyrësh, slita me drerë dhe simbolikat e tjera të festave tërheqin banorët veçanërisht fëmijët, të cilët nxitojnë të fiksojnë në fotografi këto momente të paharrueshme për ta.

Megjithë temperaturat e ftohta të stinës sërish zonës muzeale edhe në këtë periudhë nuk i mungojnë turistët. Në grupe familjare apo të organizuar ata udhëtojnë nga zona të ndryshme të vendit, për të prekur magjinë e festave të fundvitit, në qytetin e gurtë.

“Kam ardhur nga Shkodra së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Në këtë periudhë Gjirokastra është e veçantë me dekorin e festive, kështu që vendosëm të vizitojmë qytetin dhe kalanë, duke e cilësuar dhe si një udhëtim për fundvitin. Gjithçka është e bukur falë edhe dekorit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes”, shprehet mysafiri nga Shkodra.

Bertrami është pjesë e një grupi gazetarësh dhe producentësh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë qendrat turistike të vendin tonë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në qytetin tuaj. Gjithçka këtu është mbresëlënëse, një dekor i veçantë që zbukuron ndërtesat historike. Është një udhëtim i vlefshëm për mua dhe kolegët e medias, sepse mendojmë që vlera të tilla duhen promovuar për turizmin ndërkombëtar”, pohon ai, ndërsa me kamerën televizive nxiton të filmojë peizazhin dhe mjedisin e festave të fundvitit në Gjirokastër.

Festat gjallërojnë turizmin

Tashmë festat e fundvitit janë kthyer në një mundësi mjaft e mirë për gjallërimin e Gjirokastrës dhe nxitjen e turizmit.

“Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe”, pohon kryebashkiaku Flamur Golemi.

Falë punës së bërë qyteti i gurtë, po vizitohet nga turistë duke qenë një destinacion i përzgjedhur këtë fundviti. Qazim Tuqi, administrator i një biznesi familjar për turizmin shprehet se, kanë patur kërkesa për akomodim gjatë periudhës së fundvitit si nga vizitorët vendas ashtu edhe të huaj.

“Falë vlerave dhe atmosferës së veçantë, tashmë Gjirokastra është një destinacion turistik i përzgjedhur, për festat e fundvitit”, shprehet ai. Mjeshtri i kulinarisë karakteristike, Dëfrim Gjoça pohon se, tërheqëse për turistët janë dhe gatimet karakteristike të tavolinës së festave të fundvitit.

“Vizitorët vendas dhe të huaj kërkojnë të shijojnë gatimet tradicionale që serviren në këtë periudhë për festat”, shprehet ai.

Vlerat e Gjirokastrës pasurojnë guidat turistike

Vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës, po pasurojnë guidat turistike të fundvitit, duke e bërë udhëtimin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Pjesë e tyre janë resurset natyrore, traditat dhe trashëgimia kulturore në qytet dhe zonat rurale.

Vizitat në kalanë e Argjiros, Pazarin karakteristik, banesat e Zekatëve, Skëndulajve,etj  janë elementët kryesorë të guidave turistike gjatë këtyre ditëve. Eraldo Breshani, udhërrëfyes turistik, shprehet se falë vlerave të traditës por edhe atyre natyrore, në këtë periudhë të vitit Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga turistët.

“Janë vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët për festat e fundvitit dëshirojnë të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, duke përjetuar mbresa të paharrueshme gjatë vizitës në qytet dhe rrethinat”, pohon Eraldoja.

Vlerë e shtuar për guidën turistike është peizazhi mbresëlënës i Parkut Natyror të Viroit. Për turistët nuk mungojnë edhe udhëtimet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, fshatrat turistike dhe objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Lunxhërisë, Cepos, etj, duke e bërë me afektiv udhëtimin e fundvitit, në zonën e Gjirokastrës.

Natyrshëm pjesë e ofertës turistike është edhe organizimi i eventeve kulturore, promovimi i vlerave të traditës, folklorit, gatimeve karakeristike, etj. Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistikë, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët. / atsh / KultPlus.com

Hapet ekspozita me kartëmonedha shqiptare e koleksionistit Girando Koti në Gjirokastër

Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.

Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.

Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.

Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.

“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.

Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com

Në Gjirokastër fillon ‘Festivali i Filmit Ndërkombëtar për Fëmijë’

Mbrëmjen e djeshme, ka çelur siparin në qytetin e Gjirokastrës, edicioni i 6-të i Ani Fest A-Gjiro, Festivali i Filmit Ndërkombëtar Evropian për Fëmijë.

Ky organizim i Bashkisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Maku Production, do të sjellë në ekranin e kinemasë për spektatorët e vegjël, filma cilësore të kinematografisë evropiane për fëmijë. Sipas drejtorit të festivalit Artan Maku, Gjirokastra është një qytet i veçantë për organizimin e aktiviteteve të tilla, duke përfshirë edhe shfaqjen e filmave për fëmijë.

“Ne synojmë tërheqjen e spektatorëve të vegjël për transmetimin e filmave në ekranin e kinemasë. Në profilin e vet, ky festival filmi është një aktivitet më shumë për fëmijët, ndërsa filmat pjesëmarrës përcjellin vlera argëtuese dhe edukative”, shprehet drejtori i festivalit.

Për kryetarin e bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, organizimi i Anifest A-Gjiro është vazhdim i aktiviteteve të zhvilluara nga bashkia, duke gjallëruar Gjirokastrën edhe në këtë stinë vjeshte.

“Nëpërmjet organizimeve të përbashkëta me shkollat dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”, gjatë muajve të verës fëmijët ishin iniciatorë dhe pjesëmarrës në një sërë eventesh. Bashkia Gjirokastër do të vazhdojë të ketë në vëmendje organizimin e aktiviteteve artistike, kulturore dhe sportive për fëmijët”, shprehet kryebashkiaku Golemi.

Festivali i filmit Anifest A-Gjiro do të zgjasë për tri ditë ndërsa nga juria e festivalit do të akordohen edhe vlerësime për filmat pjesëmarrës. /atsh/ KultPlus.com

Krijohet taskforca ndërinstitucionale për monumentet e kulturës në Gjirokastër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot nisjen e punës së taskforcës ndërinstitucionale, e cila do të jetë një përkujdesje më shumë për monumentet e kulturës në Gjirokastër.

“Gjirokastra nuk është vetëm Qafa e Pazarit”, u shpreh ministrja Margariti, pasi sipas saj, të tjera ndërhyrje restauruese e rijetësuese pritet të nisin në qytetin-muze.

“Sot i hapëm udhë krijimit të një taskforce midis bashkisë së Gjirokastrës, Ministrisë së Kulturës dhe DRTK Gjirokastër. Që në fazën e parë të saj, kjo taskforcë synon të krijojë një grup pune me arkitektë dhe restauratorë, të cilët do të realizojnë projektet e ndërhyrjes në rreth 30 objekte në lagjen Pazar i Vjetër, Dunavat dhe Manalat”, u shpreh Margariti.

“Ky është momenti i bashkëpunimit me pronarët e objekteve e sipërmarrës për të çuar para këto projekte. Përvojat në banesat Kale, Lulo e Harshova janë shembuj suksesi që duhen ndjekur”, tha ajo.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi  u shpreh se “së bashku me ministren Margariti, specialistët e fushës, pronarët e banesave karakteristike, bizneset lokale dhe banorët do të bëjmë të mundur rijetësimin dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

“Tashmë Gjirokastra është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet në zonën muzeale janë të konsiderueshme, madje duke sjellë dhe një transformim rrënjësor të qytetit në tërësi.Ne do të vazhdojmë punën për ta kthyer Gjirokastrën në një xhevahir të vërtetë të kurorës së trashëgimisë kulturore botërore”, tha Golemi./ KultPlus.com

Gjirokastra pret artizanët në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

29 shtatori në Shqipëri është edhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Kremtimet e këtij viti sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike do të zhvillohen në Gjirokastër, ku edhe do të prezantohet puna dhe krijimtaria e veglapunuesve popullorë, artizanëve, të cilët me punën e tyre krijojnë instrumentet muzikore të traditës.

Ndërsa më datë 30 shtator, me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të trashëgimisë do të mbahet tryeza shkencore rreth mjeshtërisë dhe punimit të instrumenteve muzikore të traditës.

29 shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja. Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Drejt rijetësimit shtëpia e gjeniut të letrave, Ismail Kadare në Gjirokastër

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vijon puna për rijetësimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur se “po rijetësojmë shtëpinë e gjeniut të letrave, Ismail Kadare, në Gjirokastër, për ta kthyer në një nga ndalesat më domethënëse të qytetit të gurtë”.

Shtëpia e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është kthyer në muze. Në këtë shtëpi lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij Kadare. Shtëpia duket e njohur për ata që kanë lexuar librin e tij “Kronikë në gur” ku ai përshkruan çdo qoshe të shtëpisë. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991.

Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si psh një sënduk, disa foto etj.

Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. /atsh/ KultPlus.com

Check-in Fest në Gjirokastër, 3 ditë art, muzikë dhe trashëgimi

Fundjava në Gjirokastër ka mbledhur njerëz të të gjitha moshave e profesioneve si rrallëherë, pasi festa e përgatitur përgjatë 3 ditëve kishte nga të gjitha.

Check-in fest në Gjirokastër dhuroi për vizitorët, por edhe për qytetarët gjirokastritë mundësinë e argëtimit dhe promovimit kulturor e të trashëgimisë përmes aktiviteteve të shumta.

Fundjava ishte fantastike në Gjirokastër e mbushur plotë me miq të rinj dhe të vjetër që duan të festojnë dhe të zbulojnë më shumë për qytetin. Një fundjavë ku mbizotëronte muzika, idetë inovatore, poetika dhe eksplorimi i gjërave të reja.

Aktiviteti nisi të premten nga Qendra e Pazarit për të vijuar me interpretime poetike në Rrugicën e Zejtarëve gjatës pasdites. Gjatë mbrëmjeve nuk munguan festat me muzikë e argëtim. Edhe gjatë shtunës, workshop-e, lojëra me gjueti e thesareve të shumtë të qytetit, festë e argëtim mblodhi mjaft qytetarë, për të kulmuar të dielën me festën e Balonave. / KultPlus.com

38 vjet nga vdekja e Musine Kokalarit, shkrimtares dhe veprimtares së shquar

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!

1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e ishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

2. Kredo intelektuale

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” / KultPlus.com

Tirane Korrik 1946.Gjyqi i Sami Qeribashit.Muzine Kokalari perpara trupit gjykues.Foto:Atsh

Miratohet restaurimi i “Odeonit” në Gjirokastër

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e “Odeonit ” në Gjirokastër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se ky është një tjetër projekt restaurimi në Gjirokastër.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për rivitalizimin dhe restaurimin e plotë të hapësirave publike të Odeonit. Rëndësi të veçantë do t’i kushtohet konceptimit të një skene të re, me një strukturë edhe më funksionale.  Këndi sportiv, i cili më vonë mori emrin “Odeon”, u ndërtua në vitin 1974 dhe ishte një nga mjediset sportive ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme lokale dhe kombëtare”, thekson Margariti.

“Me restaurimin e këtij ambienti synohet edhe rikthimi i vëmendjes në këtë objekt sikurse”, shton ministrja.

I pozicionuar në lagjen “Partizani” në qytetin e Gjirokastrës, Odeoni ka një kapacitet të shkallareve prej rreth 1200 vende. Falë projektit të ndërmarrë, synohet rikthimi i vëmendjes dhe aktiviteteve në një monument me pozicion mjaft strategjik në qytet. / KultPlus.com

UNESCO: Të ndërpriten urgjentisht punimet në Bypass-in e Gjirokastrës

Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore kërkon ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.

Ata theksojnë se, sipas dëshmive, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”. Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it.

“UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë  kulturore”.

“UNESCO” i rekomandoi Shqipërisë që të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.

Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë./ Abcnews.al / KultPlus.com

Restaurohet çatia dhe muri i portës “Çene” në Gjirokastër

Në Gjirokastër ka përfunduar puna për restaurimin e çatisë dhe murit të portës “Çene”, monument kulture kategoria I, në lagjen “Varosh”.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se “është një nga portat e jashtme karakteristike e shtëpive Gjirokastrite me një ekzistencë mbi 100-vjeçare dhe me elemente të cilat faktohen ne konstruksionin e saj”.Sipas DRTK-së, pas shembjes që pati muri rrethues dhe nga dëmtimet në vite çatia dhe muri mbajtës ishin drejt rrënimit.Specialistët e DRTK-së Gjirokastër duke ruajtur elementet arkitekturore realizuan restaurimin e plotë të tyre.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm./atsh/ KultPlus.com

Nënshkruhet projekti i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat

Kryeministri Edi Rama priti sot në Gjirokastër, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, me të cilin u nënshkrua projekti i përbashkët i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat.

Kryeministri theksoi se në kuadër të kësaj vizite “u nënshkruan edhe marrëveshjet që synojnë forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftën kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit”.

Kryeministri e priti ministrin turk në një godinë karakteristike gjirokastrite, e restauruar së fundmi dhe e çelur dy ditë më parë.

Marrëveshje të veçanta u nënshkruan mes ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /atsh /KultPlus.com

Associated Press për ‘qytetin e gurtë’: Vera e shkurtër e Gjirokastrës

Associated Press i ka kushtuar një shkrim turizmit të Gjirokastrës historike. Nën titullin “Shqipëri. Vera e shkurtër e Gjirokastrës, e cila përjetoi lulëzimin e turizmit vetëm një sezon”, shkrimi flet për ndikimin e pandemisë në jetën e qytetit të gurtë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Një xhevahir që kishte provuar të mirat e turizmit pa degraduar, vetëm për disa stinë, e fundit në veçanti ajo para pandemisë i çoi të gjitha në vitin zero.

Gjirokastra, një qytet i vogël i Shqipërisë në jug të Shqipërisë pati një minilulëzim në 2019 me 120 mijë turistë që vërshuan për të zbuluar veçantinë e saj arkitektonike dhe kulinarinë.

Unesco World Heritage që nga 2005, e futi bashkë me Beratin si “shembuj të rallë të arkitekturës tipike të periudhës osmane”, ky qytet, që ishte vendlindja e kandidati për Nobel, Ismail Kadare dhe diktatorit Enver Hoxha, kishte bërë së fundmi rinovime të qendrës historike, restaurim të ndërtesave 200-300 vjeçare të ndërtuara me dru dhe gurë, shumë prej të cilave ishin kthyer në bujtina: 700 shtretër, që po përpiqeshin të plotësonin kërkesat.

Por tashmë, edhe në “qytetin e gurtë” të vendosur në shpatin ku është ndërtuar kalaja e shekullit të 13 tashmë është e qetë.

“Pandemia ndali papritmas gjithçka, sikur e preu me thikë”-, thotë për Associated Press Hysen Kodra, që e kishte kthyer në bujtinë shtëpinë e tij, -“Deri në 2019 gjithçka shkonte mirë me një numër klientësh që rriteshin dita-ditës. Në 2020, anulimet ishin 100 për qind”.

Kalaja në majë të kodrës dhe pazari i vjetër i shekullit të 18-të, me formën karakteristike, ku turistët shëtisnin rrugëve me kalldrëm në kërkim të gatimeve tipike si pashaqofte, apo oshaf (fiq të thatë me qumësht dele) dhe punimet artizanale të zonës, perde, tapetë dhe kostume tradicionale. Këto janë atraksionet turistike vendase që gjithashtu ka edhe një muze etnografik, përveç shtëpisë së liderit komunist dhe shtëpisë së saporinovuar të kandidatit për

Në një vend ende të varfër nga standardet evropiane, turizmi kishte arritur të zinte 9 përqind të PBB-së, një pjesë që, pa pandeminë, vlerësohej të arrinte dy shifra këtë vit.

Gjirokastra ka një popullsi prej 30,000 banorësh. Kodra dhe shtëpia e tij – tani një bujtinë – kanë historinë e tyre për të treguar. Shtëpia është në të vërtetë e vendosur afër vendit ku regjimi kishte vendosur të ngrinte dhe instalonte statujën kushtuar Hoxhës, pas vdekjes së tij në 1985. Për t’i lënë vend monumentit, familja u dëbua dhe u zhvendos gjetkë. Me fillimin e protestës studentore e cila midis viteve 1990 dhe 1991 çoi në rënien e regjimit, pronarët u kthyen në pronën e tyre. Monumenti u hoq pak kohë më vonë.

Një qytet pa industri, Gjirokastra u rinovua në funksion të mikpritjes dhe turizmit. Shtëpitë e frëngjijve u shndërruan në dyqane të vogla, bare dhe restorante; numri i vizitorëve u rrit me 4 herë midis 2015 dhe 2019. Italianët, polakët, francezët dhe spanjollët përbënin numrin më të madh të vizitorëve , të cilët megjithatë vinin madje nga SH.B.A., Kanada dhe Australia, si dhe nga Izraeli. Deri në marsin e kaluar.

Manjola Bici, e cila zotëron një dyqan të vogël që shet çajra dhe bimë të zonës në Pazarin e Vjetër, thotë se ka pasur një rënie prej 60 përqind të vizitorëve dhe se shumë prej atyre që shfaqen janë vendas që hyjnë, shikojnë brenda dhe dalin jashtë. Ata shpenzojnë asgjë. Pavarësisht përpjekjeve për të promovuar qytetin, edhe përmes internetit, të ardhurat kanë rënë ndjeshëm dhe shumë dyqane mbeten të mbyllura. Bici dhe fqinjët e saj tani po përpiqen të ndryshojnë ofertën, për të ulur çmimet gjithsesi, duke kërkuar klientë vendas dhe i kanë kërkuar qeverisë të ulë taksat në mbështetje të tyre. Si në çdo cep të planetit, edhe në këto anë, shpresat janë varur në rezultatin pozitiv të fushatës globale të vaksinimit.

“Siç mund ta shihni vetë – i thotë Manjola ekipit të AP – sot ju jeni të vetmit turistë dhe të vetmit klientë këtu”.

“Nuk mendoj se mund të mbijetojmë gjatë, nëse qeveria nuk ul taksat, domethënë për një vit,” shton Kodra, e cila dyshon nëse do të ketë rezervime për pranverën e ardhshme.

Pak më shumë optimsitë, të paktën përsa i përket betejës së rimëkëmbjes së fluksit turistik janë përfaqësuesit e administratës publike. “Pandemia do të zhduket një ditë së shpejti, turistët do të kthehen dhe do të gjejnë një tjetër qytt dhe madje edhe më të bukur”, garanton Loena Bakuli, drejtoresha e planifikimit të turizmit për bashkinë lokale./diapsorashqiptare/ KultPlus.com