Dhoskati i Gjirokastrës mirëpret vizitorët me gatime tradicionale dhe festë

Në këto ditë të nxehta gushti, pothuaj të gjithë janë zhvendosur në jug aty ku freskia, uji, natyra, mali dhe deti bëhen një dhe të pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në botë.

Megjithatë, nuk janë të vetmet gjëra që mund të të kënaqin gjatë këtyre ditëve të nxehta. Për të gjithë ata që nuk preferojnë të rrinë gjatë gjithë ditës në diell, por preferojnë të vizitojnë vende që promovojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë, ka gjithmonë hapësira.

Më 11 gusht, në Lunxhëri dhe në rrethinat e saj, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, jo vetëm që do t’ua mbushin ditën, por edhe do të ju ushqejnë me informacione për traditat e lashta të kësaj zone, ashtu si edhe me recetat tradicionale që nuk duan t’ia dinë nëse bota ecën me shpejtësinë e dritës ato shijojnë edhe më shumë, sepse u janë besnike duarve të gjysheve.

Në Dhoskat, një prej fshatrave më të vizituara të zonës, do të organizohen një sërë aktivitetesh që promovojnë agroturizmin e këtyre rrethinave.

Banorët e zonës, njohësit më të mirë të produkteve organike të prodhuara në këtë vend, do t’ju ofrojnë të shijoni gjithçka të përgatitur nga duart e tyre. Duke nisur që nga trahanaja, te mjalti i luleve e gjithçka tjetër kjo zonë ofron, këtu do t’i gjeni të rralla e të pakrahasueshme me asnjë shije tjetër./ KultPlus.com

Banesa e Musine Kokalarit e rrënuar, premtimet për restaurim nuk janë mbajtur

Katër vite pas djegies dhe shkatërrimit të plotë të banesës karakteristike të shkrimtares dhe disidentes Musine Kokalari, pas një zjarri të papritur që shkatërroi gjithçka, banesa trekatëshe në lagjen “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës është lënë krejtësisht në harresë.

Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e mbetura të banesës 120-vjeçare, të shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, janë trashëgimtarët e shkrimtares.

Arieta Kokalari, pasardhëse e kësaj familjeje dhe ideatore e muzeut “Kokalari”, pohon se pavarësisht premtimeve të dhëna për restaurimin e banesës, nuk ka pasur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse.

Keqardhja e saj është dëmtimi i qëllimshëm që po i bëhet banesës. Sot shtëpia i ka të dyja hyrjet të izoluara e të bllokuara nga gurët e hedhur nga brenda banesës prej fqinjëve. Kjo e bën të pamundur hyrjen në të. Zjarri i papritur i katër viteve më parë zhduku sende të rralla të hershme të banesës si dhe shkatërroi tavanet origjinale të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar. Ajo çka ka mbetur janë vetëm muret anësorë e qendrorë të banesës dhe premtimet e pambajtura për restaurimin dhe ringritjen e muzeut të disidentes Musine Kokalari.

Në shkurt të 2017-ës, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në 100-vjetorin e lindjes se Musines Kokalarit, deklaroi se është bërë projekti për restaurimin e banesës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, por ndonëse ka kaluar një vit e gjysmë asgjë nuk është bërë. (BalkanWeb) / KultPlis.com

Fotografi të antropologut austriak që tregojnë Shqipërinë paskomuniste ekspozohen në shtëpinë e Kadaresë

Fotografi, antropologu e albanologu austriak Robert Pichler ka hapur ekspozitë në shtëpinë e Ismail Kadares në Gjirokastër ku ka ekspozuar fotografi të bëra në fillimin e viteve në ‘90 kohë kur sapo ishte përmbysur regjimi komunist dhe tranzicioni reflektonte një kaos social gjithandej.

Gjirokastra, Kurveleshi, fshatrat e bregdetit, zona e Çorraj janë fotografuar gjatë asaj kohe nga Pichler që atëherë sapo kishte përfunduar studimet.
Ai e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1989 kur ishte ende student.

“Shumë shenja janë të lidhura me kohën e komunizmit, veshja por edhe mentaliteti. Situata ekonomike ka qenë një katastrofë por nga ana tjetër njerëzit ishin shumë kureshtarë. Unë kam marrë pjesë në një pajtim gjaku, ky ka qenë një ritual për mua shumë i veçantë”, ka thënë Robert Pichler.

Në Gjirokastër ekspozita përcolli surpriza dhe emocione të veçanta pasi shumë vizitor panë të afërmit e tyre në foto që tashmë nuk jetojnë. / KultPlus.com

Kumbaro vizitë tek shkolla artistike në Gjirokastër, i plotëson dëshirën flautistit të talentuar (FOTO)

Ministrja e Kulturës dhe deputetja, Mirela Kumbaro gjatë vizitës së saj në qarkun e Gjirokastrës është ndalur në shkollën artistike “Feim Ibrahimi”, ku i ka bërë një surprizë të bukur njërit prej nxënësve të talentuar të kësaj shkolle.

Kumbaro i ka dhuruar një flaut të ri Anxhelos nga Përmeti, duke i plotësuar kështu dëshirën e tij. Dëshirë, që ishte bërë publike edhe në kronika televizive për shkak të kushteve të vështira ekonomike të Anxhelos, i cili flautin e ka objektin më të çmuar.

“Në shkollën artistike “Feim Ibrahimi” në #Gjirokastër me Anxhelon nga Përmeti, flautistin e ri që sot u pajis me flaut të ri siç e dëshironte. #EdukimPërmesArtit”, shkruan Kumbaro në faqen e saj në Facebook, ku ka publikuar edhe disa foto.

Nga shkolla artistike, Kumbaro tha se qëllimi i kësaj vizite është të shkohet drejt një iniciative për të mbështetur me instrumente muzikore shkollën e vetme artistike të Gjirokastrës. Javën që vjen, kjo shkollë do të pajiset me instrumenta të tjerë muzikorë, që u vijnë në ndihmë fëmijëve të talentuar që studiojnë aty.

Ministrja e Kulturës shoqërohej në këtë vizitë edhe nga deputeti tjetër i qarkut të Gjirokastrës Flamur Golemi./ KultPlus.com

Art në kalanë e Gjirokastrës, celebrohet 10 vjetori i Kampeve Rajonale të Restaurimit (FOTO)

Tingujt e kitarës, magjia e muzikës operistike, janë bashkuar me vlerat polifonike, rapsodinë dhe emocionet e aktrimit në një mbrëmje të vetme, e cila ka jetësuar artistikisht kalanë shekullore të Gjirokastrës, në një event ku është celebruar 10 vjetori i Kampeve Rajonale të Restaurimit.

Një aktivitetet me bashkëpunëtorët dhe miqtë për të përkujtuar dhjetë vite pune gjatë të cilave organizata “Trashëgimia Kulturore pa kufij” , CHwB, ka treguar se ka bërë realitet moton e saj “ Ne organizojmë dhe ndërtojmë të ardhmen”, shkruan KultPlus.

Dhjetëra të ftuar nga bota e trashëgimisë kulturore, historisë dhe artit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Përfaqësues të Ambasadës Suedeze, përfaqësues të Ministrive të Kulturës, profesionistë të fushës, restauratorë dhe mjeshtrit të ndërtimit, studentë të arkitekturës, pronarë të monumenteve, etj festuan mbrëmë në Gjirokastër, qytet në të cilin nisi pikërisht rrugëtimi për restaurimin e objekteve muzeale, edukimi i profesionistëve, krijimi i marrëdhënieve midis pjesëmarrësve të vendeve të rajonit dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit për vlerat që disponojnë.

Një ndriçim bashkëkohor i fjalës së fundit të teknologjisë dhe një dekor i përshtatur me historikun e muzeut u bashkuan me mistiken e një kalaje duke ngrohur mjedisin e ftohtë të këtij fillim Tetori në Gjirokastër.

Plotë 38 Kampe Rajonale të Restaurimit, organizuar në katër shtete si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Jo pakë, por 120 ndërhyrje të përfunduara restauruese me 940 pjesëmarrës të trajnuar dhe 55, 000 orë pune praktike në terren. Është ky vetëm një bilanc i thjeshtë që Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij ka bërë mbrëmë në 10 vjetorin e kampeve.

Për Florian Raunig, kryetar i bordit të CHwB Shqipëri, i cili hapi aktivitetin duke përshëndetur pjesëmarrësit, në Gjirokastër ku janë organizuar shumica e kampeve, ato janë bërë një element kryesor i skenës kulturore dhe kanë inkurajuar dhjetëra pronarë të monumenteve të kulturës të rishikojnë mënyrën se si ata të kujdesen për banesat e tyre.

Ndërsa, Birgitta Jansson, përfaqësuese e Ambasadës Suedeze në Shqipëri u shpreh se mbështetja e kësaj ambasade do të vijojë edhe në të ardhmen, pasi kampet janë pjesë e një shtytje më të gjerë ballkanike për të vendosur marrëdhënie mes pjesëmarrësve, për të rritur përgatitjen e tyre në fushën e restaurimit, por dhe për të inkurajuar njerëzit që të vlerësojnë maksimalisht dhe të kujdesen për trashëgiminë e tyre.

Grupi polifonik Argjiro solli më pas interpretimin e këngëve tradicionale gjirokastrite, duke mbushur me emocion mbrëmjen. Këngët popullore polifonike të kënduara nga ky grup tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve.

Rapsodia ja ka lënë vendin më pas eventit, duke sjell nga një mjedis tjetër i kalasë emocionet e interpretimit të së vetmes rapsode tashmë në Shqipëri. Lumturije Nonaj, rapsodia nga Lezha emocionoi gjithë të pranishmit me tingujt e lahutës së saj, të cilat u ngjisën bukur me magjinë shekullore të kalasë. Veshja e saj prej malësore, tingujt e lahutës dhe interpretimi profesional i Nonajt u shoqëruan me duartrokitjet e pjesëmarrësve.

Nga emocioni në emocion, mbrëmja e festës së 10 vjetorit të kampit ja la vendin një tjetër surprize. Soprano Bojana Kukic-Pejanoviç dhe kitaristi Nedeljko Pejoviç nga Podgorica e Malit të Zi sollën për të pranishmit emocionet e vokalit dhe të kitarës. Zëri virtuoz dhe tingujt magjike të kitarës u bashkuan në interpretimin e disa ar-jeve, që artistët i sollën me disa pjesë të njohura muzikore.

Viktor Caro, aktor i njohur jo vetëm në Gjirokastër së bashku me disa të rinj të qytetit sollën nëpërmjet aktrimit disa prej vlerave të qytetit nëpërmjet interpretimit të legjendës, fakteve rreth historisë, artit dhe kulturës.

Një falënderim për të gjithë mbështetësit, profesorët, donatorët, organizatorët, mjeshtrit e ndërtimit, drejtuesit e institucioneve vendore ku janë organizuar kampet, solli në përfundim të këtij eventi Lejla Hadzic, drejtore ekzekutive e “ Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

“Gjatë organizimit të kampeve pjesëmarrësit akomodohen në vendet ku organizohen, ndjekin orët e leksioneve dhe punojnë për të përfunduar një ndërhyrje restaurimi në një ndërtesë gjatë pasdites dhe këto janë mundësuar nga profesionistët më të mirë të fushës së konservimit dhe profesorë që vijnë nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, ndaj dhe falënderimi shkon për ta, tha në fjalën e saj Hadzic. Punimet praktike udhëhiqen nga mjeshtrit me përvojë, të cilët u mësojnë pjesëmarrësve teknikat e duhura si dhe sigurojnë gjithashtu që ndërhyrjet restauruese të jenë të një cilësie mjaft të mirë, ndaj dhe një falënderim tjetër shkon për të gjithë ata mjeshtrit kudo në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi”, vijoj ajo. Duke cilësuar si mjaft të rëndësishme mbështetjen e donatorëve Hadzic falënderoj dhe Ambasadën Suedeze, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, Ministrinë e Kulturës, universitetet që janë bërë partnerë…

Me objektiva të qarta siç janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale, “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” mbylli në Gjirokastër një mbrëmje falënderimi për bashkëpunëtorët dhe miqtë duke dëshmuar se ky dhjetë vjetor është vetëm nisja e një rrugëtimi të gjatë drejt punës për ruajtjen e vlerave të trashëguara./ KultPlus.com

Nga Gjirokastra Erjola Azizolli-KultPlus

Të rinj nga Ballkani restaurojnë në Gjirokastër (VIDEO)

Të rinj nga vendet e Ballkanit prej dhjetë vitesh po punojnë në Gjirokastër në fushën e Trashëgimisë Kulturore.

Krahas ndihmesës profesionale Kurset e Restaurimit po u shërbejnë të rinjve edhe për të kapërcyer paragjykimet dhe forcuar lidhjet e miqësisë./ KultPlus.com