Nis restaurimi i kompleksit ‘Angonatët’, ikona e Gjirokastrës muzeale

Ka nisur restaurimi i kompleksit Angonatët, pozicionuar në ‘zemër’ të zonës së mbrojtur në Gjirokastër, monument Kulture i Kategorisë së Parë. Qeveria shqiptare përmes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ka çelur një muaj më parë fondin për rehabilitimin e banesës ‘ikonë’ në lagjen ‘Palorto’.

Inxhinieri i kësaj drejtorie në Gjirokastër, Vaso Polo tha për Report TV se punimet kanë për synim të rehabilitojnë pjesët më të dukshme të këtij kompleksi, fasadën, çatinë dhe parmakët, ndërsa në brendësi nuk do të ndërhyhet pasi është pronë private.

Kompleksi i Angonatëve përbëhet nga dy shtëpi me dy oborre dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XIX-të (viti 1881). Ky kompleks, më i fotografuari nga turistët në Gjirokastër është ndër shembujt më të mirë që tregojnë zhvillimin e arkitekturës gjirokastrite. Kompleksi është e ndërtuar me mure guri shtresor, dhomat janë të pajisura me tavane dekorativë dhe mjaft elementë të tjerë që e bëjnë atë unike./KultPlus.com

Restaurohet kisha e “Shën Ilias” në Gjirokastër, shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje

Në fshatin Stegopull, Gjirokastër ka përfunduar restaurimi i kishës së “Shën Ilias”, një tjetër atraksion i shtuar për vizitorët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë e restauruar, e cila tanimë shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje.

“Kënaqësi të ndaj me ju sot këtë xhevahir të shpëtuar nga zhdukja, kishën e bukur të Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër, e cila tanimë shkëlqen pas rrënimit të frikshëm të dekadave braktisje”, tha Rama.

Restaurimi i kishës së “Shën Ilias” është një projekt i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe financuar nga buxheti i shtetit shqiptar me vlerën e 8 milion lekëve të reja.

Gjatë restaurimit u kryen ndërhyrje konsoliduese-restauruese në objekt dhe në piktura murale.

Kisha e “Shën Ilias” është konsideruar si një monument i trashëgimisë kulturore e kategorisë së I e cila është ndërtuar në vitin 1624.

Ky objekt tashmë përveçse i është kthyer komunitetit të zonës si një objekt i rëndësishëm për ta gjithashtu do të shërbej edhe si një atraksion turistik./atsh/ KultPlus.com