Sot shënohet 269-vjetori i vdekjes së përkthyesit Gjon Nikollë Kazazi, i cili njihet si zbuluesi i veprës së parë të gjuhës shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut.
Nikollë Kazazi (1702-1752), i njohur në latinishte si Johannes Nicolevich Casasi dhe në italisht si Giovanni Battista di Nicola Casasi, lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Ka qenë autori i një përkthimi në shqipe i “Breve compendio della Dottrina Cristiana”, Romë 1743 (Përmbledhje e shkurtër e Doktrinës së Krishterë), i cili përbën të parin dokument të shkruar në dialektin e Gjakovës.
Kazazi studioi për teologji në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku dhe mori titullin e doktorit në teologji e filozofi. Më pas u bë kryepeshkop i Shkupit derisa vdiq, më 5 gusht 1752.
Pikërisht gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, më 1740, Kazazi bëri zbulimin monumental të së vetmes kopje të mbetur të librit më të vjetër shqip, Meshari-t të Gjon Buzukut të vitit 1555. Ai bëri një kopje të pasthënies dhe ia dhuroi arbëreshit Gjergj Guxeta, themeluesit të seminarit grek në Palermo. / KultPlus.com
Sot shënohet 269 vjetori i vdekjes së ipeshkvit, lëvruesit të gjuhës shqipe dhe teologut imzot Gjon Nikollë Kazazi.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke përkujtuar këtë datë, thekson se, ai në vitin 1740, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, zbuloi veprën monumentale të kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më 1909, kohë kur studiuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente në po këto arkiva nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III, 194”.
Gjon Nikollë Kazazi lindi më 1 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto, ku përfundon studimet. Në vitin 1727 mori titullin Doktor në Filozofi e Teologji. Po atë vit do të shugurohej meshtar. Në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i Shkupit.
Në vitin 1743 botoi veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Kazazi ishte studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit e, kryesisht, arkivit të Propaganda Fide.
Vdiq më 5 gusht 1752. Në këtë ditë të amëshimit të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujton kontributin e imzot Kazazit si gurthemel në panteonin e besimit dhe gjuhës shqipe.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon edhe fletë të “Mesharit” të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit:
Lutjet e Mëngjesit
Po të falem o Zot i vërtetë, e po të bindem, e po të due me gjith zembër. Po të falem nderës se më ke kriuom e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë prej ndonji mortje së pakujtueshme. Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija e po të lutem të më ruojsh sod e për gjithë herë prej gjith fajesh e mpkatesh… / KultPlus.com
Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë edhe në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Por surpriza e mbrëmshme ishte edhe përkthimi në gjuhën italiane i cili sapo kishte arritur dhe kështu autori e bëri një promovim të dyfishtë të veprës në të dyja gjuhët.
Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, ndërsa tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.
Jusuf Buxhovi, në këtë libër është fokusuar tek çështja e polikromit fetar tek shqiptarët, duke e pasqyruar atë jo vetëm si bashkëjetesë të besimeve nga familjet deri te individi, por të ndërlidhur me elementet e kozmogomisë të trashëguara nga dijet e vjetra, të cilat gjenden në vetëdijen kulturore dhe historike të shqiptarëve si një faktor i veçantë, që atë e ka përballur edhe me trysninë e vazhdueshme të garës së qytetërimeve, ku për t’u shkatërruar ky element identitar, është përdorur edhe lufta biologjike, me virusin e murtajës, mbi të cilin ngritet edhe drama e romanit në dimensionin gjithëkohor dhe gjithnjëzor, format e të cilit pasqyrohen edhe sot për qëllime politike dhe hegjemoni.
Po ashtu, autori e ka kthyer paskajorën dhe disa morfema të gegnishtës, që pasqyrojnë fuqinë shpirtërore që mbështetet mbi gjuhën e mirëfilltë.
Të pranishmit mbrëmë ishin në numër të madh dhe patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përpunimin e këtij romani që autori e ka risjell në një version më të plotësuar dhe i cili këtë mbrëmje ia ka kushtuar shkrimtarit që tani nuk është më në mesin tonë, Ramadan Musliut. Andaj, nën moderimin e aktores Vlora Merovci, fillimisht për disa fjalë rasti mbi librin, foli botuesi Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’.
“Botimi i parë i librit ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’, ka ndodhur në vitin 1982 dhe pas kësaj edhe në Rilindje është ribotuar shumë herë. Libri ka bërë një rrugë të gjatë e të rëndësishme deri tek lexuesi dhe këtë e dëshmojnë ribotimet e deritashme në gjuhë të ndryshme”, ka thënë Rrahmani.
Në vazhdim, Ardian Haxhaj, lexoi shkrimin e tij në qasjen kritike e që është titulluar ‘Mbi triumfe’, ku sipas tij përshkruhet lufta e jetës dhe vdekjes, të mirës e së keqes dhe errësirës e dritës.
“Në konsolidimin kulturor që me botimin e parë të romanit në vitin 1982, romani shqip në Kosovë shënjoi një momentum reprezentativ kulturor. I shkruar në formë të shënimeve, mundësohet që përvoja e leximit të këtij romani të shfaqet në shumë dimensione. Është koha e Perandorisë Osmane në Ballkan, në trojet shqiptare, diku në mesin e shekullit të 18-të dhe Gjakova është vendi ku zhvillohet ngjarja”, thotë Haxhaj.
Sipas tij, narratori dhe protagonisti kryesor, Gjon Nikollë Kazazi e përshkruan një kohë të jashtëzakonshme të përballjes së qytetit të tij me rrethinë, me ethet e mortajës që rezulton të jetë në shumë pikëpamje se prej nga vinte epidemia. Ai i takonte provincës fetare të kohës ku ai ishte udhëheqës shpirtëror i besimtarëve por në romanin e Buxhovit, del në dimensionin e prirjes së liderit shpëtimtari.
“Përsiatjet e Gjon Nikollë Kazazit i tejkalojnë përsiatjet teologjike. Si pjesëtar i një rrethine të mbërthyer nga një perandori, ai preokupohet me tema e veprime ekzistenciale, merr masa se si të shpëtohet nga mortaja që dyshohet se pushtuesi e ka sjell qëllimshëm për shkatërrimin e popullatës vendase. Andaj, ky roman mbetet në listën e romaneve më të qëndrueshme në letërsinë shqipe”, përfundon Haxhaj.
I pranishëm ishte edhe Don Lush Gjergji, i cili me një qëndrim të jashtëzakonshëm shpalosi disa fjalë rreth librit e ekskluzivisht ai foli për përkthimin e librit në gjuhën italiane sepse edhe ishte më afër atij zhvillimi.
“Janë pesë vlera universale që paraqiten në popullin tonë të stërlashtë, ilir arbnor dhe shqiptar. Romani i Buxhovit ka një titull jashtëzakonisht të bukur në përkthimin italisht ‘Për ty toka ime’, një ngjarje e rëndësishme për ne si popull shqiptar. Njerëzit tanë kanë qëndruar, kanë luftuar, kanë bërë çmos që mos të tjetërsohen e të mos shkrihen”, thotë Gjergji.
Sipas tij, vetë fakti që jemi gjallë e jemi shqiptarë, kemi vitalitet dhe e duam jetën, konsiderohet një mrekulli dhe është një ngjarje e tejkalimeve të përballimeve dhe vështirësive.
Ndërkohë, shkrimtari, historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi, tregoi arsyen e tij për ripërpunimin e romanit dhe promovimin e tij që i dedikohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut.
“Ky promovim i kushtohet shkrimtarit dhe intelektualit Ramadan Musliut, i cili ka qenë redaktor i librit dhe punës time ia ka dhënë një kornizë përmbajtjesore dhe konceptuale. Krijuesi gjithmonë është në lëvizje dhe idetë janë një sfidë e veçantë. Janë dy arsye pse unë i jam rikthyer Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit”, thotë Buxhovi.
Sipas tij, ripunimi i këtij romani ka qenë i rëndësishëm që në planin ideor, të intonohet një çasje e re në këtë mbijetimin tonë. Ai e ka përjetuar mbijetimin dhe pranimin e feve si diçka e natyrshme.
“Gjuha është ajo që bastardohet më së lehti dhe në esencë neve po na kanoset koha e mortajës së Gjon Nikollë Kazazit. Një popull nuk mund ta tregojë identitetin jashtë kulturës dhe krijimtarisë, andaj për mua ka qenë e rëndësishme që ky faktor të forcohet edhe më shumë”, thotë Buxhovi.
Kështu, krejt në fund Buxhovi ka falënderuar gazetën KultPlus për mundësinë e promovimit të romanit, e në veçanti kryeredaktoren e gazetës Ardianë Pajaziti.
“Këtu nuk është herë e parë që vijmë, vijmë sepse për mua e të tjerët, ky është një kënd i cili ofron kulturë dhe për fat të keq është dashur të kemi shumë më shumë ambiente të tilla. Por këtë duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë dhe andaj doja të falënderoja për mundësinë që ofrohet, që së paku këtu ta ndjej veten si krijues”, përfundon Buxhovi.
Në fund, duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të marrin falas nga një kopje të librit dhe autografin e autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me nga një gotë verë nën meloditë e këngëve shqiptare. / KultPlus.com
Mediat italiane po i bëjnë jehonë romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit, përcjellë KultPlus.
-Radio Vatikani sjell një intervistë me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer në italisht e quan një monument të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor shqiptar të lidhur me qytetërimin perëndimor, por njëherësh pasqyron edhe dramën e një populli që vazhdimisht i nënshtrohet përpjekjeve për zhdukje që i vinë ngaqë nuk u nënshtrohen pushtuesve…
Gazetarja e Radio-Vatikanit:Fotografia e ditës: Një vajzë e vogël me një prind përkulen për t’u mbrojtur nga sulmi me bomba. Ndoshta në Gaza, ndoshta në Izrael. Viktimat janë të gjitha njësoj ashtu si dhe luftërat, edhe atëherë kur zhvillohen kundër epidemive. Është pikërisht kjo tema që trajtohet në romanin e bukur të Jusuf Buxhovi. “Për ty toka ime”. Ngjarjet e romanit zhvillohen në tokën e popullsisë shqiptare në shekullin VIII. Ky roman sapo u botua nga shtëpia botuese “Armando” në Romë. Për librin që ka zgjuar kureshtjen do flasim me kuratorin e botimit, publicistin Giovanni Cedrone. Në roman trajtohet një histori ambicioze ndodhur gjatë vitit 1747. Romani është botuar për herë të parë në vitin 1982. Ndërsa tash vjen i përkthyer në gjuhën italiane nga Liljana Cuka- Maksuti.
Historia e tregohet nga protagonisti Gjon Nikollë Kazazi, njeri i perëndisë, i cili kërkon të nxjerrë në dritë identitetin kombëtar të popullit të tij, por mund të thuhet se protagonisti i vërtetë i kësaj historie bëhet një epidemi, një epidemi murtaje që e sjellë këtë histori shumë afër me kohën tonë.
Giovanni Cedrone: Historia e këtij romani na kujton se qeniet njerëzore sa herë janë përballur me pandemi gjatë shekujve kanë mbajtur të njëjtën qëndrim, si ky që po mbajmë edhe ne me covidin aktualisht. Protagonisti i romanit, Gjon Nikollë Kazazi në fakt gjendet duke komentuar lajmin e epidemisë së murtajës, e cila, mund themi se për atë kohë nuk ishte një gjë aq e pazakontë, por perceptohet menjëherë si një armë, një armë biologjike që mund të themi është përdorur nga pushtuesit osmanë, në të vërtetë për të ndëshkuar një popullsi, sepse haptazi nuk ishte e përshtatshme për interesat osmane. Këtë pretendim e kanë të gjitha perandoritë e mëdha mbikombëtare. Ndër të tjera në librin e tij Buxhovit na tregon, se perandoria otomane synonte krijimin e një njeriu të ri perandorak, një njeri pa rrënjë krejtësisht e kundërta ma atë që ndihej Kazazi dhe miqtë e tij, ata ndiheshin thellësisht shqiptar, me kujtimet dhe gjuhën e tyre të shtrenjtë. Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe është i vitit 1555, ku ekziston prova e shkruar. Të ballafaquar me këtë situata, kjo popullsi e provon mbi shpatullat e saj çfarë i ka sjellë posaçërisht Perandoria Osmane.
Gazetarja e Vatikanit: Ne nuk duam të bëjmë komplotizëm për komplotizëm, por muajt e fundit kemi dëgjuar të flitet edhe për këtë, në një farë mënyre, por ky virus që po na shkatërron si një armë, si një gjest i kërkuar nga dikush, këtu në këtë roman ‘gjithashtu nxit të njëjtin dyshim’, madje edhe kur Protagonisti, një njeri i Zotit, ai është prift, rrethuar nga ankthi, ndërsa dokumenton sëmundjen, ai gjithashtu gjen edhe zgjidhjen, ai ka një ilaç me të vërtetë superior, i cili është i pagabueshëm?
Giovanni Cedrone: Po, ai ka një ilaç metafizik e cila është shpresa. Kazazi thotë se nëse heqim dorë, ne kemi vdekur që në fillimi prandaj ne duhet të kemi shpresë, për të mos u asgjësuar nga kjo epidemi në radhë të parë, dhe pastaj ata madje të fillojnë të kërkojnë një lloj anti-litteram, në se mund ta themi ata kërkojnë vaksinën. Dhe ata kanë edhe metodën e saj, të cilën Kazazi e sipas përkthimit letrar e quan “gërvishtje”, por në thelb është një inokulim i virusit brenda njerëzve të shëndetshëm. Sigurisht këtu kemi të bëjmë me një roman, ku mbi të gjitha shpresa te njerëzit theksohet fuqishëm. Kazazi duke qenë një njeri i kishës, dhe konkretisht ai është peshkop ka përgjegjësi ndaj besimtarëve të tij. E gjejmë atë të ndodhet në një udhëkryq: duhet të kundërshtojë urdhërat e sovranëve osmanë pushtues, apo tu nënshtrohet vullnetit të tyre? Ata që do të lexojnë këtë libër do të mësojnë se çfarë zgjidhje gjen peshkopi Kazazi.
Gazetarja e Radio Vatikanit: por ekziston edhe një element tjetër që ndihmon protagonistin dhe miqtë e tij, botën e tij për t’i rezistuar kësaj katastrofe kundër epidemisë dhe sugjerohet nga vetë nëntitulli, kur përmendëm identitetin kombëtar, hulumtimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, pikërisht ndërgjegjen etnike-kulturore shqiptare, kjo vëmendje ndaj gjuhës që kthehet shpesh nuk është rastësi, që romani ka si nëntitull “Për ty toka ime” ne jemi në zonën shqiptare, Jusuf Buxhovi njihet si eksponent i entitetit kosovar, a mund të na ndihmoni për të kuptuar përfundimisht në këtë drejtim kufirin kulturor- gjuhësor midis Kosovës dhe Shqipërisë?
Giovanni Cedrone: Në realitet, kosovarët dhe shqiptarët të gjithë ndihen pjesë e një populli të madh, pikërisht atij shqiptar, padyshim që mund të ketë dallime shumë të vogla, por me pak fjalë ata ndihen i njëjti popull që flasin të njëjtën gjuhë. Në libër motivohet plotësisht ky fakt. Një poet i madh shqiptar është shprehur: ” Feja e shqiptarit është shqiptarizmi”. Libri e pasqyron këtë fakt në Kosovë, por i njëjti fenomen ekziston edhe në Shqipëri. Papa Françesku në vizitën e tij në Shqipëri disa vite më parë, ndër të tjera tha: “Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës së besimeve”, pikërisht për këtë arsye, domethënë, bashkëjetesa e besimeve është vetë një element dallues i popullit shqiptar, në libër këtë e gjejmë si “Polikromi fetare”, ne e quajtëm në këtë mënyrë disi ekzotike nëse duam, por gjejmë këtë bashkëjetesë edhe në familjet e tyre, mund të themi edhe në të njëjtin person. Toka e tyre ndodhet në ekstremet e perandorisë, si i tillë duhet parë dhe analizuar, ky element që i bënë ata të papëlqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi në një farë mënyre dhe për këtë arsye ata janë të penalizuar, ky fakt pasqyrohet mjaft mirë në këtë libër.
Gazetarja e Radio Vatikanit: dëshira e tyre për ndërgjegjesim të identitetit kombëtar, veçanërisht sot që nacionalizmat shihen me dyshim, nuk është kjo një veçori që i bënë ata të jenë të papëlqyeshëm dhe të shikohen me dyshim si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi¬?
Giovanni Cedrone: është shumë e vërtetë,por ne duhet të kontekstualizojmë botën ballkanike e cila është një botë shumë e veçantë, akoma më tepër Kosova ka një histori vuajtjesh, të cilën ne e tashmë e njohim shumë mirë, që çoi në rezultatin e bombardimeve të Serbisë në vitin 1998, sigurisht nuk kemi të bëjmë me një libër me pretendime nacionaliste, por gjejmë thjesht një pretendim kulturor, në realitet. / KultPlus.com