Ese mbi librin e Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”
Dr. Bardhyl Maliqi
Në Librin e parë të rëndësishëm të Jusuf Buxhovit, botuar në Prishtinë më1982, pra para 40 vjetësh, te “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” përshkruhen të njëjtat rrugë, që përdor Perandoria Osmane për shfarosjen e popullsisë si viseve të pushtuara. Para se të flasësh për librin e Buxhovit mendojmë se duhet folur për teorinë e Tomas Maltusit, që u bë i famshëm me librin e tij “Mbi parimet e popullsisë”, Londër 1798, ku flitet për diferencat që krijohen në mes rritjes dhe zhvillimit gjeometrik të popullsisë me atë aritmetik të drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore. Maltusi provon se gjatë periudhave të ndryshme të historisë njerëzore ka pasur disa rrugë për zbritjen e diferencave mes rritjes së popullsisë dhe pakësimit të produkteve ushqimore, përmbledhtas ai tregon se luftërat, sëmundjet dhe epidemitë, izolimi dhe e kundërta e tij arratisja, sterilizimi dhe pakësimi i detyruar i lindjeve kanë qenë zgjidhja.
Libri “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përshkruan po këtë kohë dhe flet për murtajën e sjellë prej pushtuesit osman, nga lindja në malësitë shqiptare, për ta shuar farën e këtij populli ose reduktuar ndjeshëm atë. Në qoftë se pushtuesi sillte karroca ngarkuara me kufoma të infektuara mbuluar me mushama të zinj dhe minj e pleshta, që e transportonin sëmundjen nga kafshët tek njerëzit, malësorët u kundërvunë me grithje përmes së cilës me dregëzat e hundëve të personave të infektuar, pra kërkohej një vaksinim (i quajtur kështu në kohët moderne), që bëri të dështojë plani osman në fazat e tjera të tij.
Lindshmërinë dhe popullsinë në përgjithësi, Maltusi si prift, ekonomist e demograf i konsideronte madhësi të pandryshuar në hapësirë dhe kohë. Popullsia dhe varfërimi i saj, sipas tij, vareshin nga ligjet konstante natyrore. Ai argumenton se si do të vinte çështja deri te kufizimi i mjeteve për ekzistencë, ndaj duheshin ndërmarrë një varg masash të karakterit preventiv dhe pozitiv për zvogëlimin e lindjeve. Ai preferonte që numri i lindjeve të kufizohej me abstenim moral dhe ngurrim seksual, me shtyrjen e martesave dhe me mos hyrje në martesa, si pengesa preventive, dhe me epidemi, uri dhe luftëra, si pengesa pozitive. Këtu duhet kërkuar arsyeja pse ndaj Teorisë së Maltusit në vende të ndryshme janë mbajtur qëndrime jo vetëm të ndryshme, por shpesh edhe të kundërta.
Natyrisht, duke lexuar veprat e Buxhovit, që kanë në vetvete vlera dhe merita të padiskutueshme, gjen pikëtakime të temave apo ideve të tij me autorë dhe vepra të tjera të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore.
Vepra e parë që unë kam lexuar prej këtij autori është romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, vepër që përmendej në kuadrin e letërsisë Kosovare pas vitit 1985 në tekstet tona të shkollave të mesme bashkë me Jusuf Gërvallën e para tyre me Nazmi Rrahmanin, Ali Podrimjen, Anton Pashkun e Asem Shkrelin. Kur “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” u botua njëherësh në Tiranë dhe në Beograd dhe në disa vende të tjera, pas botimit të parë nga “Rilindja” në Prishtinë më 1982, mendoja për arsyet që e përcollën këtë botim njëherazi në Beograd dhe tek ne. Qysh atëherë kjo vepër është botuar e ribotuar në shqip dhe në gjuhë të huaja në disa vende. E me gjithë atë pretendimi se “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është një roman me fytyrën e vet të pangjarë në letërsinë shqipe, por edhe në atë të huaj”, mendoj se është i tepruar, jo vetëm se Alber Kamy ka një vepër, që titullohet “Murtaja” 40 vjet më të hershme se ajo e Buxhovit, jo vetëm pse Kadare pasqyron me mjete dhe teknika të tjera të njëjtën rezistencë ndaj hordhive osmane, por sepse është kusht ekzistencial për një vepër letrare të ketë fytyrën dhe origjinalitetin e vet dhe e trajtuar kështu biem në një mendje. Duke menduar pse vepra u botua njëherësh tek ne dhe tek sllavët më 1985-ën, siç e përmendëm, besoj se një prej arsyeve ishte se ata gjurmonin se cilat qenë mundësitë e rezistencës sonë.
Dihet se Buxhovi krijon gradualisht pas viteve ‘90 një cikël tematik të eposit të prozës shqipe, i cili mbështetet mbi qenien ekzistenciale të popullit shqiptar, që nga antikiteti e deri në ditët tona, temë që zgjodhëm edhe ne për analizë. Megjithatë në romanin e tij të parë, Buxhovi paraqet kredencialet për të qenë autor i zëshëm i letërsisë sonë. Pak autorë e arrijnë këtë me veprën e tyre të parë. Në këtë mënyrë autori shfaqet me një proces letrar që është i ndërthurur dhe i ndërlidhur organikisht, ku historia kthehet në një fakt letrar. Vetë shkollimi i tij universitar për Letërsi dhe doktorata për Histori e favorizon këtë. Këtij inkuadrimi nuk i kanë shpëtuar as ngjarjet e fundit, veçmas ato të viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, të cilat gjetën një pasqyrim të denjë në romanin “Kodi i dashurisë” i cili në vitin 2006 u nderua me çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, si vepra më e mirë e vitit, pa përmendur këtu vlerësime të tjera të merituara të tij.
Le t’i kushtojmë më tepër vëmendje romanin në fjalë. Murtaja ose vdekja e zezë, siç njihet nga epokat e mëparshme, është një sëmundje vdekjeprurëse e cila shkaktohet nga bakteri Yersina pestis dhe bartet nga pleshtat, të cilët mbijetojnë ne trupin e minjve dhe kalojnë kështu edhe tek njeriu. Murtaja ka ardhur nga Kina në Detin e Zi dhe në Evropë disa herë. Në enciklopedi lexojmë se “Për herë të dytë ri vjen në Evropë ne 1600 dhe në Angli, ku vrau mbi 200 milion njerëz dhe popullsia e kontinentit u përgjysmua”. Pikërisht autori te “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” merret me këtë murtajë. E pra, në qendër të romanit është përballja e njeriut me vdekjen. Kjo është një nga temat që krijon fizionominë letrare të këtij autori, stilin dhe të veçantën e tij. Le të shohim disa nga titujt e tij letrarë për argument ku përballja me vdekjen shfaqet direkt apo indirekt: “Pranvera e zhveshur” – dy drama, “Rilindja” – 1984,”Nata e shekujve” – roman, “Rilindja” – 1985. (Fitoi Çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës),”Galeria e të vdekurve” – roman, “Rilindja” – 1987, “Libri i të mallkuarve”- roman triptik , “Rilindja” -1989. ( Fitoi çmimin letrar “Hivzi Sulejmani”),”Prapë vdekja 1″ – roman, “Rilindja” – 1991 (Fitoi Çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), “Prapë vdekja 2” – roman, “Rilindja” -1993, “Prapë vdekja 3” – roman, “Rilindja” – 1995,”Qyteti i dënuar me vdekje”- roman, “Faik Konica” – 2000, “Vdekja e Kolonelit” – roman, “Faik Konica” – 2004, “Vera e fundit e Gjin Bardhit” – roman, “Faik Konica” – 2004 etj.
Dimë se emri i Gjon Nikollë Kazazit, është ai i zbuluesit të “Mesharit” të Gjon Buzukut. e pra jo më kot autori është kapur pas një emri të tillë, nuk janë thjesht shoqërimet e përfytyrimeve dhe korrelacionet, që krijohen në pavetëdijen tonë në mënyrë të natyrshme, por janë trokitjet e qëllimshme në vetëdijen tonë kryesorja. Ne jetojmë në një territor të begatë nga natyra, plot pasuri tokësore e nëntokësore, ujëra dhe resurse. Kjo ka qenë edhe shkaku i lakmisë së të tjerëve edhe ajo që ne nuk na ka nxitur përpjekjen e grabitjes së gjësë së tjetrit, gjetjen e rrugëve të mbrapshta për ta realizuar këtë gjë, që e kanë bërë të gjithë pushtuesit e trojeve tona gjatë shekujve, përfshi këtu pushtuesit romakë, sllavë, bizantinë e osmanë. Ata janë murtajë-sjellësit edhe në këtë vepër. Kjo është bashkë me asosacionet një arsye pse vepra kumton disa ide, që duan përkushtim dhe vëmendje, ndaj disa autorë dhe studiues e trajtojnë atë si roman të imazheve. Prapaskenat e befta, tubimet e ideve, imazhet që zhvendosen në vazhdimësi, elementët e psiko-analizës të realizuara nga personazhet apo autori janë qartazi dalluese në këtë vepër letrare. Lufta, daullet, kështjella, varrezat, kampi pushtues, drejtuesit e tij brutalë, të diturit dhe të palexuarit, armiqtë dhe heronjtë e heshtur, të kamurit e skamnorët janë të pranishëm gjithandej. Kajmekami Ibrahim Pasha, mjeku Shefki aga me thikat e gjata, dervishët e çartur e të përgjakur, poetët e çartur po ashtu, vërtiten të gjithë si altoparlantë bërtitës.
Imazhet e karrove të mbushura me të infektuarit e të mbuluara me mushamatë e zinj, Malësorët e nxitur nga Gjon Nikollë Kazazi e kushëriri i tij i fesë myslimane, Lam Mula, që vdes si misionar i shpëtimit të të tjerëve, nxënësi i tij jetim, por prift i përkushtuar dhe poeti i çartur e i varfër gëlojë brenda veprës Në veprën “Shënime të Gjon Nikollë Kazazit”, murtaja vjen nga lindja prodhuar në kazanët e zinj të Perandorisë, prej dijetarësh djallëzorë, vegla të sulltanëve, që projektojnë dhe eksperimentojnë shfarosjen e popujve rebelë, e së pari të malësorëve tanë. Të pakënaqur nga rezistenca dhe mbijetesa e malësorëve shqiptarë, që nuk mposhten nga hordhitë e çallmave me shpata, heshta e hanxharë të përgjakur, ata përgatisin pushtimin e tmerrshëm të sa padukshmes murtajë. Karrocat me mushamatë e zinj, bërtitjet, kërcënimi, ndali i qarkullimit, minjtë e infektuar janë ata vetë dhe mjetet e tyre diabolike.
Viti 1747 nuk është më kot viti i zbulimit të “Mesharit” dhe viti që na sjell ngjarjet e romanit, E përbashkëta e tyre është pikërisht prifti Gjon Nikollë Kazazi, misionar i fesë, që do të bëhej Arqipeshkvi në Gjakovë, por edhe hero i shqiptarizmës, i rezistencës së malësorëve shqiptarë ndaj hordhive të perandorisë dhe djallëzive të saj në këtë vepër.
Gjon Nikollë Kazazi si zbulues i Mesharit, dihet se kush është, por pse ndodhet si krye personazh i kësaj vepre? Autori mund të krijonte një tjetër krye personazh, por Gjon Nikollë Kazazi duke qenë personazh historik dhe duke u përshkruar edhe si i tillë, krijon më shumë besueshmëri. Kjo është njëherazi edhe ura lidhëse mes specialistit të letërsisë dhe doktorantit për histori. Në këtë vepër kemi shumë fakte historike si emrat e vendeve, të fshatrave e qyteteve të përmendura apo përshkruara në të, të vendasve dhe pushtuesve, me gjithë hierarkitë e tyre reale. Ndaj kur lexon librin të duket i besueshëm. Për më tepër ne, që kemi përvojat e grithjeve apo gërvishtjeve në krahë dhe e dimë se çfarë ishte ky lloj vaksinimi popullor. dobinë e vaksinimeve paçka se me gjilpëra e jo me gërvishtje e mësuan edhe fëmijët tanë tani në kohën e Pandemisë së Covid 19.
Aqipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi është filli lidhës mes mjediseve të brendshme të shqiptarizmës me Kajmekamin dhe pushtuesit, mes të pasurve e të varfërve, të mençurve e të çmendurve, sepse të gjithë ata ishin pjesë e këtij vendi, që quhej Gjakovë, malësi e mbasandaj Shqipëri. Kundërvënia ndaj Fermanit të Padishahut dhe urdhrave të Kajmekamit e rrezikon disa herë Gjonin dhe misionin e tij, por më tepër rrezikohen edhe ata që veprojnë në praktikë si kushëriri i tij Lam Mula a ndjekësi i tij i përkushtuar ndaj misionit shpëtimtar Patër Coli. Po kush është Patër Coli? Kandidat për studime në Romë, nxënës i zellshëm i Gjon Nikollë Kazazit dhe ndihmës i tij në Kishë, përhapës i grithjeve në Malësitë jashtë Gjakovës, i spiunuar, kapet nga zabitët e Kajmekamit, por është krenar për misionin e tij, është gati të vdesë me devocion dhe me buzëqeshje në gojë. Kajmekami Ibrahim Pasha dhe Mjeku Shefki aga bashkë me zabitët janë veglat e perandorisë, veprojnë me urdhrin dhe orientimet e saj. Ata nuk janë të verbër ndaj realitetit të vdekjes së zezë, por e njohin mirë atë dhe veprojnë në emrin e shfarosjes së popullatës.
Në këtë libër ka shumë material që të tërheq vëmendjen, në faqen 78 të botimit të parë, gjej këtë Paragraf: “Në mbrëmje fillova të lexoj librin e Kavijusit “Strategjia osmane”, në të cilën bëhej fjalë për politikën e gjatë 300 vjeçare pushtuese dhe asimiluese të Portës dhe mbi përpjekjet e saj që në tokat e pushtuara të krijonte njëfarë njeriu të ri osman, i cili do të paraqiste një krijesë të re, të përzier nga elemente orientale dhe evropiane.” Dhe gjeja e parë që mendova ishte se pushtuesit kopjojnë njeri-tjetrin. Ashtu si kanë kopjuar dhe përhapur në shekuj vdekjen e zezë, pra murtajën, a nuk u përpoqën vendet ish socialiste për krijimin e njeriut të ri?! Kjo shihet si premisa kryesore asimiluese, pavarësisht shkallës së rezistencës së etnive dhe individëve të ndryshëm. Ne përfshihemi te kombet dhe gjuhët që asimilohen me vështirësi.
Por duhet bërë një dallim kombi ynë është asimiluar me tepër se mendojmë dhe shkruajmë ne, territoret pellazge-ilire sot janë katandisur një grusht. Vet asimilimi ndodh për ditë me emigracionin tonë të shumtë, por në territoret e Serbisë nga Nishi e poshtë sa shqiptarë kanë qenë e sa janë sot, po në Mal të zi e Maqedoni, në Greqinë veriore në trojet etnike të Çamërisë, pa llogaritur Kosovën dhe vetë Shqipërinë? Kjo ndodhi me vendimet e padrejta të fuqive të mëdha dhe lakmisë së fqinjëve tanë sllavë e grekë. Ndryshe nga ajo që ndodhi me trojet në sistemin sintaksor të shqipes nuk ka asnjë huazim, ndryshime brenda nesh kemi në trajtat morfologjike dhe në leksik. Por në leksik ne ndodhemi në trysninë e gjuhëve të mëdha, por edhe ato të fqinjëve, ndaj pastërtia e fjalorit është e domosdoshme. Ky libër është një argument i mirë në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe një ilustrim për këtë çështje që po diskutojmë. Ka fare pak gjera që na ndajnë në kuptimin e ca fjalëve dhe në përdorimin e trajtave dialektore, por gjithsesi kemi sundim të plotë të gjuhës letrare të njësuar.
Disa nga përvojat dhe idetë e këtij libri janë jetëgjata. E tillë është vjelja e kujtesës nga malësorët, jeta dhe mbamendja e malësorëve të moshuar, që kanë kaluar përvojën e mortjes së zezë te prindërit apo të afërmit e vet. Kështu u rizgjua kujtesa e grithjeve. Kjo dëshmohet edhe në shënimet që mban Gjon Nikollë Kazazi, jo si Arqipeshkv, por si shqiptar i devotshëm. Kjo i ka dhënë autorit edhe titullin e librit. Por shënime mbajnë edhe Patër Coli, kryesisht poezi, edhe Selamiu këngëzime, edhe vetë Kajmekami, secili prej personazheve zbulon në këto shënime temperamentin dhe karakterin e vet, Por Ibrahim pasha shkruan edhe për planet dhe praktikat djallëzore të tyre për të infektuar krejt malësinë, por kur thika shkon në palcë e uria të grin stomakun nuk ka zgjidhje tjetër veç armëve. Dhe nëse terrenin e përgatiti i ati i Drinit, birit të Lam Mulës, është Drini me shokë që realizojnë kryengritje, vrasjen e Kajmekamit Ibrahim Pasha, largimin e Shefki agës dhe pushtuesve. Drini zbulon edhe ditarin ogurzi të kajmekamit ku planifikohet dhe përcillen në malësi kafshët e infektuara dhe kufomat terrorizuese dhe plani i gjithë të zezave që ndodhën në këto troje. Dhe shumë më tepër se kaq, shfarosjen e gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare. Në të gjithë librin, por veçanërisht në faqen 80 të tij autori shkruan qartë për shpërfytyrimin e njerëzve që humbasin kombësinë, gjuhën e kulturën./KultPlus.com