Publikohet historia e panjohur e familjes së Preng Gjonmarkajt me origjinë nga Oroshi i Mirditës dhe që rrjedh nga dera e princërore e Kapedanit Gjon Markagjoni, të cilët gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbyen si ushtarakë në armën e Xhandarmërisë.
Dëshmia e rrallë dhe e dhimbëshme e Filip Gjonmarkajt, të birit të Prengës, i cili rrëfen historinë tragjike të babait, xhaxhait dhe gjyshit të tij, Dedës, që kur u dënua me 101 vite burg në gjyqin e zhvilluar në qytetin e Shkodrës bashkë me të birin, Markun, që u dënua me vdekje, i kërkoi trupit gjykues, që nëse ishte mundësia, të ndërronin dënimet me të birin, që atij t’i falej jeta si i ri që ishte, kurse vetë ai të dënohej me vdekje.
Gjykata e morri parasysh kërkesën e tij dhe Markut i’a fali jetën dhe ai vdiq më vonë në burgun e Shkodrës, kurse Dedën e varën në litar dy vite më vonë, për ngjarjen e vrasjes së Bardhok Bibës ku u ekzekutuan 14 mirditorë të pafajshëm. Kurse i biri tjetër, Prenga, ish-zv/ministër i Punëve të Brendëshme në periudhën e pushtimit dhe Kuestor në Shkodër, që kishte nxjerrë nga burgu shumë komunistë, vuajti plot 30 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
“Me ardhjen e komunistëve në pushtet, kullat tona në Orosh të Mirditësë u dogjën prej tyre, ndërsa babai im, major Preng Gjonmarkaj, i cili gjatë periudhës së Luftës kishte mbajtur detyrën e zv / Ministrit të Brendshëm dhe Kuestorit në Shkodër, ashtu si shumë antikomunistë të tjerë u arratis dhe doli në mal. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati së bashku me kushëririn e tij Mark Gjonmarkajn, i cili e donte më shumë se vëllezërit e tij, në vitin 1945, ai u arrestua në qytetin e Shkodrës dhe u dënua me vdekje. Në atë kohë që u dënua baba, edhe gjyshi jonë Deda, i cili kishte qenë ushtarak i Monarkisë me gradën e kapitenit, ishte i arratisur në mal së bashku me djalin tjetër, Markun.
Gjyshi, Deda, u kthye në shtëpi pas një amnistie që u dha asokohe nga qeveria komuniste e Tiranës, por ai u arrestua përsëri në gushtin e vitit 1949, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës dhe ishte i pari që e varën në litar nga të 14 personat që u ekzekutuan në shenjë hakmarrje për vrasjen e tij. Para varjes, gjyshi, Deda, kërkoi që të paktën djalit të tij, Markut, t’i falej jeta dhe në vënd të tij të dënihej ai me vdekje, gjë e cila u muar parasysh dhe Marku vdiq në burgun e Shkodrës ku ishte dënuar me 101 vjet”.
Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Filip Gjonmarkaj, ish-oficer me gradën e kapitenit në Gardën e Republikës pas viteve ’90-të, i cili rrëfen gjithë historinë tragjike të familjes së tij që rrjedh prej derës së famshme të Gjonmarkajve të Mirditës, ku pinjollët e saj u ekzekutuan, u burgosën, apo u internuan për 45-vjet me rradhë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Familja Gjonmarkaj, nga dera e Kapidanit
Babai i Filipit, Preng Gjonmarkaj, është nga fshati Orosh i Mirditës, prej nga është dhe origjina e asaj familje nga më të njohurat në Shqipëri. Familja e Preng Gjonmarkajt, rrjedh nga i njëjti trung i familjes së famshme të Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, i cili njihet ndryshe dhe si Princi i Mirditës.
Dera e Gjonmarkajve të Mirditës, e cila konsiderohet si një nga dyert e para të Shqipërisë, ka qenë e përbërë nga tre degë: Lleshi i Zi, Preng Pasha dhe Preng Markola. Preng Pasha, apo siç njihet ndryshe Preng Bib Doda, i cili mbajti postin e Ministrit të Botores në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas vdekjes së tij nuk la asnjë trashëgimtar dhe ajo degë e fisit të Gjonmarkajve u shua fare. Familja e babait të Filipit, Preng Gjonmarkajt, e ka zanafillën dhe rrjedh nga trungu i familjes së Preng Markolës, prej së cilës ka ardhur dhe dera e Princit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit. I pari i kësaj shtëpie Preng Markola, ka qenë tepër i njohur si një nga prijsit ushtarakë të asaj familje, i cili ka udhëhequr bajrakun e tij dhe mirditorët në luftrat kundër pushtuesëve osmanë.
Për këtë gjë ai është përmëndur dhe nga Padër Gjergj Fishta, në veprën e tij madhore “Lahuta e Malcisë”, ku midis të tjerash thuhet: “Janë vënë trimat në rresht për nji / njaj Preng Markola u ka pri / asht Gjonmarkajsh dhe i takon prija / derë ma të vjetër s’ka Shqipnia”. Trojet e vjetra dhe themelet e kullës së familjes së Preng Gjonmarkut dhe të parëve të tij, kanë qenë në fshatin Ndërshen, fare pranë Oroshit, ku ndodheshin dhe sarajet e kushëririt të tyre, Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit.
Deda dhe Prenga, ushtarakë të Monarkisë
Preng Gjonmarkaj u lind në prill të vitit 1913 në fshatin Ndërshen të Oroshit të Mirditës dhe ishte fëmija i parë nga dy djem dhe një vajzë (Markun e Marten) që kishte Dedë Gjonmarkaj, i cili në atë kohë shërbente si ushtarak në qeverinë e Vlorës që kryesohej prej Ismail Qemalit.
Dedë Gjonmarkaj e vazhdoi karrierën ushtarake edhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, duke shërbyer si ushtarak në armën e Xhandarmërisë me gradën e majorit, në rrethet e Gjirokastrës, Kukësit dhe Mirditës. Po kështu edhe babai i Dedës, Preng Gjonmarkaj ishte ushtarak me gradën e majorit dhe për shumë vjet, ai shërbeu si inspektor i Oborrit Mbretëror në Qarkun e Shkodrës.
Ndërsa djali i Dedës, Preng Gjonmarkaj i riu, mësimet e para i mori në Konviktin e Oroshit, që kishte hapur asokohe dera e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, ku ai mësoi për pesë vjet si nxënës i jashtëm. Në atë kohë që Prenga mësonte pranë atij konvikti dhe ishte me rezultate shumë të mira në mësime, babai i tij Deda, kishte dëshirë që ta shkollonte në një shkollat ushtarake, me qëllim që ai të ndiqte traditën familjare të shtëpisë së tyre dhe të dilte oficer.
Lidhur me të kaluarën e karrierës ushtarake të babait të tij, Filip Gjonmarkaj dëshmon: “Pas mbarimit të shkollës unike në Konviktin e Oroshit në vitin 1929, babai im Preng Gjonmarkaj, u dërgua për të ndjekur një kurs ushtarak për armën e Xhandarmërisë, që ishte hapur asokohe nga Mbreti Zog dhe nën kujdesin e instruktorëve italianë, në Plepat e Durrësit. Duke qenë se atë kurs baba e mbaroi me rezultate shumë të mira, ai u titullua oficer me gradën e nëntogerit dhe u emërua si komandant i Postës së Xhandarmërisë në Lis të Matit, ku ai shërbeu deri në vitin 1932. Nga viti 1932 e deri në vitin 1939, babai shërbeu si ushtarak i Monarkisë me gradën e kapitenit në armën e Xhandarmërisë në qytetet e Durrësit dhe Tiranës, ku atij i’u ngarkuan detyra të ndryshme.
Në vitin 1935, kur ndodhi Kryengritja e Fierit, Prenga shërbente si inspektor ushtarak pranë Oborrit Mbretëror të Zogut dhe në atë kohë ai u dërgua për të hetuar rreth asaj kryengritje, që kishte si qëllim rrëzimin e qeverisë monarkiste. Në detyrën e inspektorit ushtarak pranë Oborrit Mbretëror, Prenga shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë.
Pas pushtimit të Shqipërisë, Prenga nuk pranoi të shërbente përsëri në armën e Xhandarmërisë dhe u lirua nga detyra. Në atë kohë ai u kthye në vëndlindjen e tij në Orosh të Mirditës, ku dhe u emërua si Kryetar i Komunës së Fushë-Arrëzit dhe të Fanit të Mirditës”, kujton Filip Gjonmarkaj, lidhur me karrierën ushtarake të babait të tij Prengës dhe gjyshit Dedës, të cilët kishin shërbyer si ushtarakë të Monarkisë së Zogut.
Në Tiranë, zv/Ministër i Brendshëm
Në Komunat e Fushë-Arrzit dhe të Fanit të Mirditës, Preng Gjonmarkaj shërbeu deri aty nga viti 1941, sepse në atë kohë kushëriri i tij, Mark Gjon Markaj që mori më pas postin e Ministrit të Brendshëm, e thirri në Tiranë dhe e ftoi të shërbente përsëri në armën e Xhandarmërisë.
Në atë kohë Prenga veshi uniformën ushtarake me gradën e kapitenit që kishte pasur më përpara në Xhandarmëri dhe pasi punoi për disa kohë aty, u emërua si shef i Zyrës Politike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Në atë kohë atij i’u dha edhe grada e majorit dhe funksioni i Shefit të Zyrës Politike, korespodonte edhe me funksionin e zv / Ministrit. Lidhur me periudhën që Prenga shërbeu pranë Ministrisë së Brendshme, i biri i tij Filipi, dëshmon:
“Ndonëse babai im Preng Gjonmarkaj ishte me bindje të thella antikomuniste, ai nuk e shfrytëzoi funksionin e tij në Ministri, për t’u hakmarrë ndaj komunistëve të arrestuar, përkundrazi, ai tregohej më shumë se ç’duhej human me ta. Këtë qëndrim ndaj tyre baba Prenga, e mbajti edhe gjatë periudhës kur shërbeu si Kuestor pranë Prefekturës së Shkodrës, ku ai tregohej tepër i butë me komunistët dhe në shumë raste ndërhynte për t’i liruar ata nga burgu. Një nga komunistët e njohur që pati liruar baba në atë kohë nga burgu, ka qenë Tom Kola, (”Hero i Popullit”) i cili më pas u vra gjatë një përpjekje kur ishte partizan.
Aq shumë ndërhyrje pati bërë baba pranë italianëve dhe gjermanëve për lirimin e komunistëve të arrestuar, sa që ai disa herë u konfrontua ashpër me eprorët e tij, të cilët nuk i’a kuptonin dot dobsinë që kishte ai për rininë shqiptare, që Prenga nuk kishte qejf ta shihte të kalbej burgjeve”, dëshmon Filip Gjonmarkaj, lidhur me periudhën e Luftës, kur babai i tij u emërua në funksionin e zv / Ministrit të Brendshëm.
Arrestimi i Prengës dhe dënimi 101 vjet burg
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, major Preng Gjonmarkaj, ashtu si shumë ushtarakë të tjerë të kohe, u arratis në male dhe u bashkua me kushëririn e tij, Mark Gjonmarkajn, i cili në atë kohë ishte udhëheqësi kryesor i rezistencës antikomuniste. Lidhur me këtë, Filip Gjonmarkaj dëshmon: “Që me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, kullat tonë në Orosh të Mirditës u dogjën prej tyre në shënjë hakmarrje. Në atë kohë baba Prenga dhe gjyshi 72-vjeçar Deda, ishin të arratisur në male, së bashku me kushëririn tonë Dr. Mark Gjonmarkajn, i cili e donte Prengën, njëlloj si vëllezërit e tij.
Në majin e vitit 1945, Prenga u rrethua dhe u arrestua nga Forcat e Ndjekjes në zonën e Shllakut në Shkodër, ku ai qëndronte i fshehur së bashku me kushëririn e tij, Gjon Pjetër Gjonmarkajn. Gjyqi kundër tyre u zhvillua në qytetin e Shkodrës dhe prokurori Aranit Çela, së bashku me trupin gjykues, i dhanë dënimin me vdekje, ndërsa për Gjonin, me që ishte shumë i ri, e dënuan me katër vjet burg.
Dënimi i Prengës me vdekje në atë kohë bëri një bujë shumë të madhe në gjithë Qarkun e Shkodrës, për arsye se ai njihej mirë për karakterin e tij burrëror në atë qytet, që nga koha kur kishte punuar si Kuestor dhe kishte lënë përshtypjet më të mira, duke u falur jetën shumë komunistëve.
Nga respekti që kishin krijuar në atë kohë shkodranët për Prengën, pati shumë kërkesa dhe ndërhyrje të ndryshme nga qytetarë të Shkodrës, me qëllim që atij t’i falej jeta. Një nga ato që kërkoi faljen e tij, ishte dhe nëna e “Heroit të Popullit”, Tom Kola, e cila i shkoi vetë në zyrë Prokurorit Aranit Çela dhe i dëshmoi atij se: Preng Gjonmarkaj, i’a kishte liruar njëherë djalin nga burgu.
Nisur nga kërkesat dhe ndërhyrjet e shumta pranë organeve gjyqësore, trupi gjykues i mori ato në konsideratë dhe ia fali Prengës dënimin me vdekje, duke i’a kthyer atë në 101 vjet burg”, dëshmon Filip Gjonmarkaj, lidhur me babanë e tij Prengën, të cilit i’u fal jeta, vetëm në sajë të figurës së mirë që ai kishte lënë në qytetin e Shkodrës, ku kishte shërbyer si Kuestor gjatë periudhës së pushtimit.
Deda varet në litar, Marku vdes në burg
Në atë kohë që Preng Gjonmarkajt i’u fal jeta dhe u dënua me 101 vjet burg, babai i tij Deda, së bashku me djalin tjetër Markun, ishin të arratisur në mal, nga frika e hakmarrjes së komunistëve. Lidhur me këtë, Filipi dëshmon:
“Pas dënimit të Prengës, Gjyshi Deda, me xhaxhanë Markun, qëndruan në mal në arrati së bashku me kushëririn Dr. Mark Gjonmarkajn dhe shumë mirditorë të tjerë antikomunistë, nga familjet e njohura. Aty nga fundi i vitit 1947, ata u kthyen në shtëpi pas një amniste që u dha nga qeveria komuniste e Tiranës për ata që nuk kishin bërë asnjë krim. Por qëndrimi i tyre pranë familjes nuk zgjati shumë, sepse ata u arrestuan përsëri në gushtin e vitit 1949, kur ndodhi vrasja e Bardhok Bibës, që në atë kohë mbante funksionin e Sekretarit të Parë të Komitetit të partisë së Mirditës.
Në atë kohë, si shenjë hakmarrje ndaj vrasjes Bardhokut, qeveria komuniste e Tiranës, nëpërmjet Forcave të Ndjekjes, ku ishin dhe dy këshilltarë sovjetik (kolonelët Sokolov dhe Voleskin) arrestoi dhe burgosi me dhjetra mirditorë. Katërmbëdhjet prej tyre u ekzekutuan në Qafën e Valmirit, në vëndin ku ishte vrarë Bardhok Biba dhe i pari që u var në litar, ishte gjyshi ynë Dedë Gjonmarkaj. Në atë gjyq të shpejtë që u zhvillua pak para ekzekutimit, Deda i tha trupit gjykues: Unë dhe këtë burra të tjerë që na keni arrestuar, nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës.
Megjithatë unë jam gati që të shkoj vetë në litar, por djali im Marku, nuk duhet të ekzekutohet, se është krejt i pafajshëm”. Pasi e varën gjyshin në litar, xhaxhanë, Markut, i’a falën jetën dhe e dërguan në burgun e Shkodrës, ku ai vdiq pak kohë më vonë. Në atë kohë që u var gjyshi Deda, familjen tonë (unë, vëllai Gaspëri, nëna dhe gjyshja) e internuan në kampin e Tepelenës, ku qëndruam deri në vitin 1952 dhe më pas na lejuan të ktheheshim në Orosh. Babai Prenga, vuajti plot 20-vjet e katër ditë dënimin që ishte dhënë dhe pjesën më të madhe e kreu në burgun e Burrelit.
Një nga të burgosurit që ka vuajtur bashkë me babanë në kampin e Thumanës, (Mark Alia nga Mamurrasi), më ka treguar se komandanti i atij kampi major Novruz Shehu, donte të ndërhynte tek Kadri Hazbiu dhe ta lironte Prengën, pasi ai u impononte respekt të gjithëve. Kur u kthye nga Tirana, komandanti i kampit në prezencë të gjithë të dënuarëve, i tha Prengës: “Sa të jetë kjo qeveri, ti nuk do të lirohesh. Ne e dimë se ti nuk ke bërë krime, por të mban brenda mbiemëri që ke”. Pas atyre fjalëve, Prenga buzëqeshi dhe i’u përgjigj: ‘Këtë e di mirë, por mbiemërin e kam më të shtrenjtë se jeten, mor zotni major’.
Pasi u lirua në vitin 1965, ai erdhi në Orosh, ku më 30 prill të vitit 1977, u arrestua përsëri dhe kreu edhe dhjetë vjet të tjera burg politik. Prenga u lirua nga burgu në vitin 1987, në moshën 74-vjeçare dhe nga vuajtjet e sëmundjet që kishte kaluar nëpër burgje, ai vdiq në tetorin e vitit 1992, pak kohë pasi ishte shembur regjimi komunist”, e përfundon rrëfimin e tij rreth historisë të dhimbshme të familjes, Filip Gjonmarkaj, një nga pinjollët e fundit të asaj shtëpie që rrjedh nga dera e kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit, e cila u masakrua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës./Memorie.al / KultPlus.com