Gjovalin Shkurtaj pas 50 vitesh punë boton fjalorin dedikuar Malësisë së Madhe

Fjalorët dhe gramatikat vlerësohen si vepra të vështira dhe, pikërisht për atë arsye, i krahasojnë me ndërtimin e veprave arkitektonike. Gjuhëtari i njohur Gjovalin Shkurtaj në ditën e lindjes prezanton edhe fjalorin  dedikuar vendlindjes Malësisë së Madhe. Një punë 50 vjeçare e cila u përmbyll përgjatë pandemisë.

Fjalori ka mbi 10 mijë fjalë. E veçanta e kësaj zone sipas Shkurtajt qëndron tek fjalët e bukura dhe të shumta.

Në këtë fjalor janë përfshirë edhe mbi 700 fjalë që ka përdorur në veprën e tij At Gjergj Fishta. Shkurtaj thotë se edhe shumë gjuhëtar të huaj kanë kërkuar veçantit e shqipes në këtë krahinë.

Ndërkohë që fjalët e këtij fjalori do të përfshihen edhe në fjalorin e madh të gjuhës shqipe i cili pritet të përfundoi në 2023.

Këtë fjalor leksikor dhe frazeologjik Gjovalin Shkurtaj e ka ideuar e nisur ta hartoj qysh në fillesat e punës si dialektolog në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, e pikërisht në janar të vitit 1969. E tashmë sheh dritën e botimit nga Akademia e Shkencave./ABCNews/ KultPlus.com

Ribotohet vepra e gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj për arbëreshët

Vepra “Ligjërimet arbëreshe” nga Gjovalin Shkurtaj është ribotuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Kjo vepër flet për kulturën e arbëreshëve, historinë e shpërnguljes së tyre në Itali, folklorin, traditat dhe letërsinë e tyre.

Kërkesat e larta të lexuesve për këtë libër e kanë motivuar edhe ribotimin, në shërbim të albanologëve, studiuesve e studentë të degëve të gjuhësisë në universitetet shqiptare.

Në ribotimin e veprës, autori ka sjellur disa plotësime.

Vepra përmban shqyrtime sociolinguistike në boshtin “gjuha e bukës” dhe “gjuha e zemrës” në Diasporën shqiptare dhe studime dialektologjike për një numër të folmesh kryesore të diasporës arbëreshe të Italisë, si dhe për të folmet arvanite të Greqisë, për të folmen e arbëreshëve të Zarës. / KultPlus.com

Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj kërkon që deputetët t`i nënshtrohen provimit në gjuhën shqipe

Akademia e Shkencave ka kërkuar që të krijohet një fjalor i plotë për gjuhën shqipe dhe një ligj që ta mbrojë atë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj është i mendimit se duhet t’u japim votën politikanëve duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes.

“Madje para se të marrin mandatin ata duhet ti nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe dhe ata duhet të marrin notë mbi 8-të që të kalojnë. Por kjo nuk vlen vetëm për politikanët por për të gjithë administratën publike”, ka thënë Shkurtaj.

Ai ka thënë se duke i parë fjalimet e deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë, vërehet mungesë e theksuar e njohurive elementare lidhur me gjuhën shqipe.

Që në kohën kur u themelua shteti shqiptar, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe, një praktikë e cila më nuk zbatohet. /tch/ KultPlus.com

Ligj për ruajtjen e gjuhës shqipe, prioritet i ASHSH-së për vitin 2020

Akademia e Shkencave e Shqipërisë për vitin 2020 do të ketë prioritet edhe gjuhën shqipe. Kryetari i këtij institucioni, Skënder Gjinushi shpjegon se do t’i propozojnë qeverisë një ligj për ruajtjen edhe zhvillimin e saj. Ndërsa, gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet, se kjo duhet bërë pa qenë vonë, shkruan Shqiptarja.com

Dikur populli shqiptar ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot njerëzit kanë shumë diploma  dhe flasin keq. Këtë shqetësim ngre akademiku edhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, teksa thotë se duhet më shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës shqipe, veçmas nga institucionet në vend. Ndërsa, kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi e cilëson si një nga prioritetet e institucionit që ai drejton për vitin 2020, hartimin e një fjalori të plotë për gjuhën shqipe dhe të një ligji, që ta mbrojë atë.

 “Nëse se mbrojmë ne gjuhën shqipe, s’ka kush ta mbrojë tjetër. Në fushën e albanologjisë, Shqipëria dhe Akademia e Shkencave duhet që të jetë në avangardë. Në këtë drejtim duhet një ligj, edhe një fjalor i plotë. ASH ka bërë projekte më parë, por do t’i rishikojë dhe riprozojë, me ligj edhe me vendime të Këshillit të Ministrave për gjuhën në institucionet publike”, shprehet akademiku Skënder Gjinushi.

Ndonëse, nuk është hera e parë që Akademia e Shkencave propozon ligj për gjuhën shqipe, kësaj here Gjinushi shprehet i vendosur për më shumë për vëmendje, edhe pse ky ligj do të prek institucionet, që shpeshherë siç rrëfen gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj nuk kanë as korrektor edhe as redaktor.

 “Besoj se është një gjë e dëshirueshme, jo vetëm për mua, por  për cilido shqiptar që do të mirën e Shqipërisë edhe ka krenari se është shqiptar. Sa mirë do të ishte që të flasim shqip, të kujdesemi për gjuhën edhe para se të themi fjalën ta mendojmë mirë. Do të dëshiroja që viti 2020 të jetë një vit i këndelljes për gjuhën shqipe. Populli shqiptar ka një pasuri fjalësh edhe shprehjesh, është një popull që  ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot ka më shumë diploma edhe flitet më keq…”, shprehet Shkurtaj.

Prej 15 vitesh gjuha shqipe nuk ka një fjalor të ri. Fjalori i fundit i Gjuhës Shqipe, me rreth 48 mijë fjalë është botuar në vitin 2006 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, që asokohe në varësi të Akademisë së Shkencave. /KultPlus.com