Ilir Meta: Gjuha arbëreshe, vlerë e Shqipërisë dhe Italisë

Presidenti Ilir Meta u prit sot me një ceremoni zyrtare në Pallatin Mbretëror të Palermos nga presidenti i Asamblesë Rajonale të Siçilisë, Gianfranco Miccichè.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të këtij partneriteti.

Në këtë kuadër, kreu i shtetit shqiptar theksoi nevojën e vendosjes së një marrëdhënieje të privilegjuar të Shqipërisë me rajonin e Siçilisë, kjo edhe për shkak të komunitetit arbëresh, që së bashku me emigracionin shqiptar në Itali, është një urë e rëndësishme që lidh ngushtësisht dy popujt dhe vendet tona.

Presidenti Meta gjithashtu shprehu dëshirën, që Siçilia, mund të jetë rajoni i parë në Itali, që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore.

“Dimensioni mesdhetar i Shqipërisë, afron më fort lidhjen e saj me rajonet mesdhetare të Italisë, dhe veçanërisht me ato të jugut. Një marrëdhënie e privilegjuar duhet të artikulohet me Rajonin e Siçilisë, i cili ka një status të veçantë autonomie sipas Kushtetutës italiane. Kjo edhe për shkak se së bashku ndajmë një vlerë të jashtëzakonshme, me peshë të rëndësishme edhe në historinë politike dhe shtetformuese italiane: Arbëreshët”, nënvizoi Presidenti gjatë takimit me presidentin e Asamblesë së Siçilisë.

“Falë këtij statusi, ne mendojmë se Siçilia mund të jetë rajoni i parë që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore. Komuniteti arbëresh, vlerat, traditat, kultura si dhe personalitetet e dala nga gjiri i tij duhet të nxiten që të ndërtojmë së bashku një të ardhme dhe marrëdhënie sa më të ngushtë. Gjuha arbëreshe është një vlerë dhe pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, që duhet ta mbrojmë dhe promovojmë!”, u shpreh presidenti Meta. / KultPlus.com

25 nëntori shënoi një kthesë rrënjësore për arbëreshët

Data 25 nëntor mbahet mend nga Arbëreshët si një datë e rëndësishme, që shënoi një kthesë rrënjësore për gjuhën arbëreshe në pikëpamje të politikave shtetërore të vendit pritës, pikërisht me 25 nëntor të vitit 1999 u miratua në formë përfundimtare nga Senati i Republikës Italiane ligji nr. 482, i cili mbron minoritetet historike e gjuhësore në Itali.

Ky ligj u publikua dhe hyri në fuqi me 15 dhjetor 1999 dhe solli mbështetjen institucionale në drejtim të promovimit, nxitjes dhe forcimit të gjuhëve dhe kulturave minoritare, përfshirë ato arbëreshe. Me këtë ligj, komuniteti arbëresh në Itali e përfshiu brenda suazave ligjore trashëgiminë e vet shpirtërore e kulturore.

Sot numërohen në Itali rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë kryesisht në shtatë krahina italiane. Ligji 482/1999 “Norma për tutelën e minorancave gjuhësore historike” ka njohur veçantinë e gjuhës që ata flasin, arbërishtes, dhe të drejtën e mbrojtjes së saj dhe të kulturës arbëreshe: të letërsisë që lindi shekuj më parë, këngëve dhe rrëfimeve të përcjella gojarisht brez pas brezi, të kostumeve dhe valleve, të artit të krijimit të stolive, të kuzhinës dhe të shumë e shumë të tjerave. Me pak fjalë, mbrojtjen e të gjithë përbërësve të identitetit arbëresh./ Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com