Shqiptarët në Argjentinë përbëjnë një komunitet prej rreth 50 mijë banorësh. Shumica e shqiptarëve që mërguan në Argjentinë ishin arbëreshë nga Italia jugore, ndërsa rritja e mërgimeve shqiptare në Argjentinë ndodhi në fillim të shekullit 20, me mbërritjen e rreth 20,000–30,000 shqiptarëve.
Sot, përveç disa familjeve në Rosario dhe Córdoba, pothuajse të gjithë shqiptarët e Argjentinës jetojnë në Buenos Aires. Për çdo vit, më 29 nëntor, “Shoqëria Patriotike Shqiptare Skenderbeu” feston Ditën e Flamurit.
Sipas fesë, shumica e shqiptarëve në Argjentinë janë të krishterë, ndërsa një pakicë janë myslimanë.
Arbëreshët në Argjentinë janë të shumtë dhe kanë dhënë një kontribut të vyer në përcimin e vlerave. Edhe pse në një vend të largët arbëreshët flasin shqip.
Pjesa dërrmuese kanë arritur në Argjentinë me anije, bashkë me shumë shtetas italinë të cilët emigruan në këtë vend.
Në Italinë e jugut ka shumë shqiptarë arbëreshë, të cilët kanë ruajtur kulturën arbërore, të njëjtën kulturë e kanë marrë me vete edhe kur emigruan në Argjentinë.
Në Argjentinë, arbëreshët e quajnë veten dy herë mërgimtarë. “Farën e Skënderbeut ti sot trashëgo”, është ky vargu që i shoqëron shumë arbëreshë.
Arbëreshi nga Argjentina, Antonio Bellushi, në vitin 1990 ngriti zërin në Kuvendin e famshëm të të gjithë shqiptarëve në New York, për pavarësinë e Kosovës.
Arbëreshët zakonisht nuk flisnin italisht me njëri-tjetrin, por e bënin në një variant të gjuhësh shqipe të njohur si arbëreshe, një emër që u bë i njohur dhe me të cilin u identifikua i gjithë komuniteti arbëresh.
Natyrisht, nuk ishte vetëm gjuha elementi i vetëm që dallonte popullin me origjinë nga Shqipëria.
Edhe feja luante një rol të rëndësishëm duke konsideruar banorët si pjesë e besimit katolik por me rite greko-bizantine.
Ishin raste të veçanta, njëjtë sikurse festat fetare, ku çdo fshat në mënyrë të pavarur kishte kishën e vet, shenjtërorin (priftin) e vet që ndërmjetësonte në mes të Zotit dhe besimtarëve kur ishte dita e Shën Dimitrit.
Këto elemente dhe shumë të tjerë faktuan që emigrantët e ardhur nga Italia nuk ishin italianë, por ishin arbëreshë, të cilët u vendosën në Lujan, Buenos Aires rreth vitit 1869.
Regjistri civil i vitit 1869, nuk ishte asgjë tjetër përveç se diçka që duhej plotësuar me dorë nga regjistruesit shtëpi për shtëpi.
Në të vërtetë, edhe pse identifikoheshin si italian, mbiemrat e tyre tregonin prejardhjen arbëreshe, e të cilët punonin tokat bujqësore në qarkun e Pestës, pjesë e cila më pas do të përbënte zonën më të madhe të banuar nga ta. Një predispozitë fillestare e cila u bë shumë më e dukshme në formularët e vitit 1895, kur u zhvillua regjistrimi i dytë kombëtar i popullsisë, në të cilin është rritur numri i arbëreshëve në qarkun numër 5.
Në lagje kishin arritur të krijonin hapësirën e tyre shoqërore, duke trilluar identitetin e tyre ata dhe arrinin ti ruanin elementet e tyre themelore që i përbënin, sikurse gjuha si dhe zakonet e tyre për të ndihmuar fqinjët. Për këtë, përpara pyetjes se cilat ishin arsyet që i quan ata në migrim, ata duhet të përgjigjeshin së pari për arsyet thelbësore.
Në këtë drejtim, mbipopullimi ekstrem i zonës, një tokë e varfër dhe e mbishfrytëzuar, e copëtuar deri në pafundësi, në atë mënyrë që nuk do të mund t’ju garantonte të gjithëve qasjen në burimet që të sigurojnë mbijetesën e tyre. Këto janë të dhëna jo të vogla për të cilat nuk duhet shumë për të kuptuar se si duhet ndikuar në vendimet e fëmijëve të tyre në rast të emigrimit. Por ky shpjegim është kusht i mjaftueshëm por nuk arrijnë ta kuptojnë se përse arbëreshët të Arbërisë kalabreze në vend që të shpërndahen nëpër botë, ata jo që nuk e bënë këtë, por arritën në Argjentinë, dhe jo në tërë Argjentinën por në Luján, dhe jo në të gjithë Luján, por në “Republikën e t ‘Pestit”.
Është i dukshëm dhe i pa mjaftueshme shpjegimi që emigrimet konsiderohen si bijë te kapitalizmit, me theks të veçantë në krizën evropiane, dhe në futjen e Argjentinës në tregun ndërkombëtar si prodhues i lëndëve të para.
Mund të thuhet se shqiptarët kanë emigruar që nga mesjeta, duke qenë migrimi pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Paraqitja e emigrimit si rrjedhojë e mjerimit, ku njerëzit ishin të obliguar të iknin nga varfëria, arritja e industrializimit dhe shkatërrimi i aktiviteteve tradicionale, në të kaluarën kishte një imazh anakronik, ose në rastin më të mirë ishte vetëm gjysma e historisë.
Ndër shqiptarët më të njohur në Argjentinë është Kryepeshkopi Aleksandër (Alejandro Greco), i cili është bërë zëri i shqiptarëve të Argjentinës.
Edhe shqiptari me famë botërore, Ernesto Sabato, ka prejardhje arbëreshe.
Nëna e tij Juana Maria Ferrari, rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Futbollisti argjentinas Matteo Pablo Musacchio, po ashtu ka prejardhje shqiptare. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Lokacionet e territorit të Republikës së Kosovës deri më tani janë shënuar në gjuhën serbe në Apple Maps, po tashmë gjithçka ka ndryshuar, shkruan KultPlus.
Është vënë re se Apple ka përmirësuar këtë gjë dhe lokacionet tashmë janë shënuar në gjuhën shqipe.
Ky hap, vjen pas peticionit të suksesshëm që qytetarët e Kosovës ndërmorën për njohjen e shtetit të Kosovës në Apple.
Apple Maps si duket ka vazhduar procedurat e rregullimit të plotë të vendosjes së Kosovës në hartën e tyre edhe ende janë në proces deri në ndryshimin përfundimtar të secilit lokacion nga gjuha serbe në atë shqipe. / KultPlus.com
Në Zvicër është hapur një tjetër shkollë e gjuhës shqipe në komunën Aadorf të Kantonit të Thurgaut. Mësimi do të zhvillohet çdo të mërkurë në orën 16:00.
Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Bern: “Në vijim të punës për masivizimin e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë, “Shkolla Shqipe” në mbështetje të vazhdueshme nga Ambasada e RSH në Bern, hap dhe një degë të mësimit të gjuhës, kulturës e historisë shqiptare. Mësimi në këtë shkollë zhvillohet çdo të mërkurë, nga ora 16:00 me mësuese Feride Liçolli”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë, gjithashtu u bën thirrje të gjithë prindërve dhe fëmijëve të moshës shkollore të bashkohen në këtë përpjekje për të ruajtur e promovuar gjuhën, kulturën, traditat e historinë Atdhetare. /diasporashqiptare/ KultPlus.com
Në qytetin e Hamburgut në Gjermani është arritur marrëveshja që mësimi i gjuhës shqipe të jetë pjesë e programit mësimor në këtë zonë.
“Në qytetin e Hamburgut ekziston mundësia që mësimi i gjuhës së prejardhjes të përkrahet nga Drejtoria e Arsimit. Mirëpo paraprakisht duhet të plotësohen disa kushte dhe të bëhet kërkesa. Unë së bashku me kolegun tim Muhamet Idrizi jemi angazhuar që nga viti 2018 në këtë drejtim dhe tani edhe gjuha shqipe figuron si mundësi në planprogramet e mësimit në Hamburg”, tregon për “Diaspora Shqiptare” mësuese Nadire Rexhepi, transmeton KultPlus.
“Këtu në Hamburg ekzistojnë 4 lloj tipesh për mësimin e një gjuhe të huaj:
si gjuhë e prejardhjes ( për nxënës me prejardhje të asaj gjuhe),
2 si lëndë e detyrueshme zgjedhorje ( për të gjitha kombësit)
si gjuhe e 2 apo 3 e huaj krahas gjuhës frënge, spanjolle, latine etj.
4 si gjuhë në mësimin bilingual.
Në rastin e gjuhës shqipe tani për tani fuksion tipi 1dhe 2”, tregon më tej Rexhepi.
Ajo shprehet se lejen e kanë edhe për tipin 3, por duhet së pari personel dhe pershtatje e kurikulës.
Për momentin kjo gjë është bërë e mundur në shkollën “Maretstraße”, Hambur dhe mund të regjistrohen të gjithë nxënësit e shkollave të tjera. /diasporashqiptare/ KultPlus.com
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e arsimit është botuar në fletoren zyrtare më datën 2 mars.
Ajo që bie në sy nga marrëveshja e arritur është futja e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhe të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.
Në nenin 2. pika 9, parashikohet shkëmbimi i përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet.
Ndërkohë që më poshtë, neni 3. pika 2, sanksionon edhe futjen e gjuhës turke në shkolla. Në këtë pikë thuhet qartë se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Përmbatja e nenit tre:
Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare
Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.
Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke./ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur aplikimet për përkthime të veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.
Thirrja u hap më datë 1 mars dhe do të vijojë të pranojë aplikimet deri më datë 31.
QKLL thekson veç të tjerave se ky projekt synon mbështetjen e përkthimit të veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale dhe bashkëkohore shqipe. Gjatë aplikimeve dhe pranimeve të këtyre veprave do të krijohet një fond i cili do të kontribuoj në rritjen e interesit të botuesve të huaj për krijimet dhe letërsinë shqiptare.
“Ky fond kontribuon në rritjen e interesit të botuesve të huaj për letërsinë shqipe. Kjo thirrje mbetet pjesë e përhershme e politikave të QKLL-së për të promovuar letërsinë shqipe në kultura të tjera. Ajo synon të mbështesë në përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale dhe bashkëkohore shqipe në prozë, poezi dhe eseistikë”, bën të ditur QKLL.
Në fazën e fundit që do të jetë edhe përzgjedhja e materialeve më të mira letrare, botuesve do tu sigurohet Financimi i plotë, i pjesshëm i përkthimit të siguruar nga QKLL, dhe që do të transferohet në llogarinë e botuesit. Kriter kryesor i këtij projekti gjatë pranimeve do të jenë të drejtat e autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit dhe kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose angleze.
QKLL angazhohet gjithashtu të parandalojë çdo lloj forme të abuzimit apo kopjim të tekstit të përkthyer. Vetëm pas fazës përfundimtare që është edhe përzgjedhja, veprat e miratuara do të mbështeten financiarisht./ atsh / KultPlus.com
“Tradita është ruajtja e zjarrit dhe jo adhurimi i hirit.”- me këto fjalë të prof. Françesko Altimari nisi takimi i dytë i ciklit “Gjuha shqipe në universitetet e botës”, një nismë e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) bash më 21 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Kjo qendër ka nisur me promovimin e gjuhës shqipe si një element i rëndësishëm i studimeve gjuhësore në botë. Në një bashkëpunim me katedrat e gjuhës shqipe në Mynih, Sofje, Shën Petërsburg, Kozencë, Beograd, Vjenë, Bejing, Gjakovë, Tetovë, Korçë, Shkodër, Prishtinë, Gjirokastër, etj, për të ndarë përvojën, kontributin, synimet, sfidat, qasjet, problematikat.
“Duhen forcuar katedrat e gjuhës shqipe në Evropë e më gjerë si ura lidhëse e bërthama kyçe që përcjellin kulturën, gjuhën, historinë shqiptare në universitetet e shtetet ku janë themeluar. Kemi marrë përsipër këtë mision duke bashkuar qendrat albanoligjike dhe katedrat shqipe”- shprehet Milena Selimi, drejtore ne COD.
Takimi i parë u mbaj mbi sfidat e gjuhës shqipe në universitetin “Ludëig-Maximilian”, Mynih, me pjesëmarrjen e prof. Bardhyl Demiraj, i cili gjatë prezantimit të katedrës, historikut dhe sfidave të tij, ai theksoi se: “Mësimi praktik i shqipes është ndër shtyllat kryesore të programit universitar të Albanologjisë, në LMU, Mynih, pasi Qendra për Studimin e Gjuhëve të Huaja në LMU është e interesuar që shqipja të ofrohet në kufijtë maksimalë brenda programeve universitare.”
Tirana, Prishtina dhe Kozenca, tri bërthama të rëndësishme të shqipes që komunikuan përmes Qendrës për Hapje dhe Dialog, në viset e arbëreshëve të “Motit te Madh”me tri lektoret prof.dr. Gjilda Prendushi, Universiteti i Kalabrise, dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, prof. dr, Lindita Rugova , prof.dr, Aljula Jubani drejtore e Institutit të Studimeve Europiane në Universitetin e Tiranës.
Znj. Prendushi paraqiti një panoramë të përgjithshme të aktivitetit didaktik e kërkimor-shkencor të katedrës së shqipes në Universitetin e Kalabrisë, ku studiojnë rreth 200 studentë, ndër të cilët ka edhe doktorantë. Në këtë ëebinar, znj. Rugova hodhi idenë e një platforme të përbashkët, të një programi ndërkombëtar, me albanologët më të mirë, ku të përfshihen akademitë, institutet, fakultetet. Në këtë platformë të japin mësim albanologët më të mirë, të organizohen doktoratura të përbashkëta.
Prof. A. Jubani e mbështet platformën e përbashkët dhe të gjitha nismat e marra nga universitetet apo më gjerë për ruajtjen dhe zhvillimin e shqipes, duke cituar edhe prof. Françesko Altimarin:
“Tradita është ruajtja e zjarrit dhe jo adhurimi i hirit.”
Kultura dhe gjuha jonë, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë, kjo përbën një aspekt mjaft aktual edhe për ditë e sotme lidhur me sfidat dhe perspektivat e përhapjes, mësimit të gjuhës sonë nga të huaj, në universitete të ndryshme në botë.
COD behët nismëtar dhe pika ndërlidhëse me lektorët brenda dhe jashtë vendi për t’i kushtuar një cikël seminaresh online gjuhës shqipe, si pasuri kombëtare që duhet ruajtur si trashëgimia më e çmuar që na kanë lënë të parët dhe duhet të përhapet dhe njihet kudo në botë, jo vetëm për qëllime mësimi, por sidomos për qëllimi studimi./ KultPlus.com
Kjo video sjell disa pasazhe nga Meshari i Gjon Buzukut, i shkruar nga kleriku katolik në vitin 1555. Meshari është libri i parë i botuar në gjuhën shqipe. Ajo që bie në sy është se gjuha shqipe gati 466 vite më parë nuk ka tingëlluar shumë e ndryshme nga sot, në dialektin geg.
Meshari i Gjon Buzukut (1555) është libri më i vjetër i botuar në gjuhën shqipe. Libri u shkrua nga Gjon Buzuku në vitet 1554-1555. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik. Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale. Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”. Nuk ka mundësi të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut./ KultPlus.com
Në librin ‘Gjuha Shqipe’ të klasës së pestë, në njërin nga tregimet thuhet ‘Ja po flet, ja e preva djalin! – Mos ma pre djalin’, përcjell KultPlus.
Fotografia u bë publike nga aktori i mirënjohur Astrit Kabashi, i cili ka shprehur shqetësim në raport me atë se çfarë u servohet nxënësëve të klasës së pestë.
‘Nga këta libra mësojnë fëmijët tanë. Gjithmonë me shpresë që më fund dikush do të mirret me këta libra që promovojnë dhunë’, ka shkruar Kabashi. / KultPlus.com
Studiuesja dhe pedagogia shqiptare në Itali, Ledi Shamku Shkreli, jep kontributin e saj me përgatitjen e një kapitulli për gjuhën shqipe, i cili zë një vend të rëndësishëm në librin “La classe plurilingue”.
Puna e studiueses shqiptare u recensua nga Enciklopedia TRECCANI, e cila është enciklopedia më prestigjioze italiane dhe nga më të çmuarat në Europe.
Siç bën të ditur dhe vetë autorja, hartimi i këtij libri iu besua Universitetit të Bolonjës duke u shprehur se është e vetmja “madrelingua” që në këtë libër universitar shkruan për gjuhën e saj.
“Sa e sa here e kam hapur nder vite kete enciklopedi per te gjetur pergjigje, por nuk kam ëndërruar ndonjëherë te jem vete reference e saj. Nga sot do t’i ushqej me fort ëndërrimet e mia. Natyrisht po aq fort edhe punën. Dua te jem nderkombetarisht bije e denje e vendit tim”, shkruan Shamku.
Një shkëputje nga hyrja e pjesës që flet për Shqipërinë në “La classe plurilingue”:
“Udhëtoni drejt jugut të Italisë dhe do të arrini në Otranto. Me të mbërritur vijoni drejt portit për të arritur Punta Palascia. Arritët? Mirë, tani shihni malet përballë jush. Për italianët janë Acrocerauni (apo “majat e rrufeve”), por për banorët shqiptarë quhen “Malet e Çikës (apo “malet e dritës”). Ndiqni me shikim këto maja që zbresin drejt detit. Vini re si shtrihen në blu si një lloj gjuhe? Ja, ai fund që prek detin e bukur të Jonit në italisht quhet pikërisht “Il Capo della Linguetta” dhe në shqip Kepi i Gjuhëzës. “Gjuhëz”, në fakt, është një zvogëlues i “gjuhë” që në italisht përkthehet “lingua”, dhe ashtu si në italisht tregon si gjuhën si organ i vendosur në brendësi të gojës, qoftë dhe si kod që flet çdo komunitet, shkruan, gëzon, dëshpërohet dhe me të cilin identifikohet. /dp/ KultPlus.com
92 vjet më parë, më 23 nëntor 1923, pas një kërkese këmbëngulëse dhe të vazhdueshme të komunitetit gjirokastrit, u çel Liceu Francez i Gjirokastrës. Drejtori i parë ishte Viktor Kutan, ndërsa nëndrejtor Hysni Babameto.
Në stafin e parë pedagogjik ishin edhe Salim, Muntaz e Vesim Kokalari.
Hapja e Liceut ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e shumëpritur, veçanërisht nga atdhetarët dhe intelektualët arsimdashës gjirokastritë, sepse mundësohej arsimimi i ciklit të lartë të rinjve në gjuhën shqipe dhe me kulturë europiane, pasi deri në këtë kohë, të rinjtë gjirokastritë i vazhdonin studimet në shkolla të huaja, kryesisht në gjimnazin Zosimea të Janinës.
Pas shumë hapje-mbylljesh dhe ndryshimesh nëpër vite, pas përfundimit të LIIB, në ndërtesën e Liceut të dikurshëm filloi funksionimi i ciklit të plotë të studimeve nga fillorja në të mesme, jo vetëm për gjirokastritët por edhe për nxënësit e rajonit jugor, duke u bërë sot një nga shkollat më të vjetra në Shqipëri që vazhdon të funksionojë si e tillë.
Fotoja që po e ndajmë i përket vitit 1949. Aty kanë dalë një pjesë e mësuesve dhe semimaturantët e vitit shkollor 1948-1949. Shumë prej tyre janë emra të njohur për arritjet profesionale. Duke filluar nga e majta e fotos: Rreshti i parë: Emin Cafuli, Sheraf Mosho, Vangjel Foti, Agron Fico. Rreshti i dytë: Alqi Jani, Sotir Vardhami, Avni Tushe, Besim Elezi, Evjen Peri, Dëshira Karagjozi, Shpresa Hoxha, Iliber Kallajxhi, Bekim Harxhi, … Jasemin Bejleri, Mërkur Carçani. Rreshti i tretë: Mexhit Kokalari, Muharrem Gega, Koço Mosko, Naqo Kutra, Muzafer Bejleri, Loro Kiri, … Kekezi, … Luigj Bojani, Bahir Kokalari. Rreshti i katërt: Hajrie Cano, … Arseni, … , Trandafile Hajro, Sanie Dobi, Lavdie Celo, Bardhyl Xhama, Pranvera Karagjozi, Zyrha Ceribashi, Leman Sinojmeri, Andrea Dhima, Zia Dojaka, Pandeli Arseni, Nebi Memushi, Kiço Leka, Taxhudin Sako. Rreshti i pestë: Dervish Bejleri, Zia Dojaka, Jorgo Konomi, Esad Sinaj, Petro Gogo, Mite Guga, Daver Cipi, Asllan Mici, Avdul Cika, Muzafer Ahmati, Muzafer Pazaj, Kristo Miha, A. Androkliu, Hektor Dalipi, Mehmet Cobani, Orest Qirko, Nuri Kokalari, Hysen Skënduli, Esad Sinaj. Rreshti i fundit: Baki Sino, Ibrahim Aliko, Fatmir Sinojmeri. / KultPlus.com
Kur flasim për identitetin dhe vlerat e një kombi, gjuha, patjetër që radhitet si njëra ndër elementet më të rëndësishme në formimin e identitetit kulturor të një vendi. Është pikërisht gjuha ajo e cila ngrit lartë veçantinë dhe origjinalitetin e një populli, është pikërisht ajo që gjithmonë shquhet si elementi unifikues përgjatë ndërtimit të një shteti apo kombi. E këtë funksion e pati dhe përsëri vazhdon ta ketë gjuha shqipe ndër shekuj. Përveç origjinalitetit dhe veçantisë, kjo gjuhë mvesh edhe petkun e lashtësisë, që sot llogaritet si njëra ndër gjuhët me të vjetra në Evropë dhe na identifikon neve si shqiptarë.
Për popullin shqiptar, shqipja gjithmonë ka shërbyer si urë lidhëse që bashkoi trojet e banuara me shqiptarë, të cilat pa të drejtë, u copëtuan shpesh herë nga okupatorë të ndryshëm përgjatë historisë. ‘’Gjuha Shqipe për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të gjithë kombit tonë, domethënë me çështjen si të shkruhet më lehtë dhe të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqijat që rrjedhin prej saj’’– shprehej dikur intelektuali Hoxhë Tahsini, që së bashku me Sami Frashërin, punuan në hartimin e një alfabeti të veçantë për gjuhën shqipe.
Kjo gjuhë së bashku me Drinin kalëruan Veriun e trevave shqiptare, ku pas vetës lanë gegërishtën e Fishtës, e përmes rrjedhës së lumit të Elbasanit, lanë pasë vetës toskërishten. Pothuajse në çdo rajon shqiptar ku ajo shkeli, la pas vetës një variant të kësaj gjuhe, që në fund kur i përmbledhim, krijojnë një pasuri gjuhësore me laramani fjalësh.
Kjo gjuhë në thelb përmban një rezistencë dhe një përpjekje të vazhdueshme nga veprimtarët tonë të shquar, për ta standardizuar dhe gdhendur mjaftueshëm nga fjalët e panevojshme në kuadër të shqipes. Kjo u dëshmua më së miri gjatë viteve 1908 dhe 1972. Prandaj, të fillojmë të flasim për gjuhën shqipe dhe historikun e saj, ne do të përballemi me një prapavijë fort të çmuar dhe në të njëjtën kohë, shumë të vështirë, mirëpo që na e mban ballin e hapur sa herë që flitet sot për gjuhët më të vjetra në Evropë.
Kur flasim për të sotmen, këtu lind pyetja se sa arrijmë ta ruajmë ne këtë gjuhë me të cilën ne krenohemi sot?! Sa arrijmë t’i përvetësojmë vlerat e kësaj gjuhe, dhe sa kontribojmë në zotërimin e mirëfilltë të saj?!
Sot gjuha shqipe po përballet me probleme dhe sfida mjaft të rrezikshme për të, të cilat janë duke kërcënuar vazhdimisht edhe normën e saj letrare. Mjafton të qasesh në rrjete sociale dhe ta shohësh degradimin e saj në masë të madhe që po i bëhet, qoftë përmes barbarizmave, lokalizmave, gabimeve drejtshkrimore dhe përgjysmimeve të fjalëve. Nuk e përjashtoj mundësinë që barbarizmat dhe lokalizmat kanë ekzistuar edhe më më parë në gjuhën shqipe, përkundrazi, meqë shumë fjalë të huaja na u janë imponuar nga okupimet e ndryshme përgjatë historisë, e që ne fatkeqësisht vazhdojmë t’i përdorim edhe sot. Mirëpo, problemi është se sot, në kushte lirie, ne mbajmë të hapur kufirin me shtete të ndryshme të botës, duke lejuar qarkullimin e mijëra fjalëve të huaja nëpër gjuhën tonë. Shpeshherë duke eksperimentuar me fjalë të huaja, ne po degradojmë shqipen. E ky degradim fatkeqësisht po mbizotëron edhe tek institucionet dhe instrumentet më me ndikim në shoqëri, përfshirë këtu edhe mediet.
Një hulumtim i realizuar nga Top Channel[1] gjatë vitit 2020, konstaton se 500.000 fjalë të huaja janë futur në gjuhën shqipe, ku më së shumti kërcënim shprehin gjuha angleze dhe ajo italiane. Mirëpo, ky hulumtim veçse na e vulos realitetin sa i përket gjendjes së gjuhës shqipe në këtë aspekt, meqënëse edhe vetë nga jeta e përditshme ne mund ta vërejmë fare lehtë këtë. Mjafton të hapësh një program në Shqipëri dhe sheh sesi fjalët nga dy gjuhët në fjalë kanë vërshuar mbi diskursin mediatik. Kjo dukuri e ‘infektimit me gjuhë të huaja’ ka kapluar edhe Kosovën, ku dominon bindshëm ndikimi i gjuhës angleze. Përshembull sot, rrallë herë themi ‘’fundjavë’’, atë e kemi zëvendesuar me ‘’vikend’’, gjithashtu nuk themi më ‘’kujtesë’’ por ‘’memorie’’ e nuk themi më as ‘’laramani’’ por e kemi zëvendësuar me ‘’diversitet’’.
E kur e sheh këtë dukuri me zëvendësimin e fjalëve të huaja, të vie në mend poeti Jeronim De Rada, kur ndër të tjera shprehej se: ‘’Gjuha Shqipe rri mënjanë, si gjuhë origjinale: E pandryshueshme dhe jo e përzier në trungun e saj si sanskritshtja, greqishtja, latinishtja dhe gjuhët e tjera që rrjedhin syresh’’. Ishte pikërisht origjinaliteti i shqipes, elementi mbi të cilin De Rada e vlerësonte lartë shqipen, si gjuhë e dallueshme nga të tjerat. Çështja këtu është se do të hyjnë përsëri fjalë të reja, mirëpo ne duhet të vazhdojmë të lexojmë, sepse në këtë mënyrë ne veçse e ‘ujitim’ edhe më shumë farën e gjuhës shqipe
Krahas fjalëve të huaja, sfidë tjetër e shqipes janë edhe lokalizmat e përdorura në komunikimin publik, që shpesh herë të ngjason se shqiptarët po ngatërrojnë komunikimin e përditshëm me atë publik. Kjo vërehet më së miri tek gjuha e përdorur në rrjetet sociale, qoftë nga persona me ndikim në publik, e qoftë edhe nga qytetarët e zakonshëm. Rrjetet sociale sot janë shndërruar një hapësirë manovrimi sa i përket gjuhë shqipe, ku të dëshmojn qartë se sa ‘’njohës të mirë të gjuhës jemi’’.
Krahas medias, edhe institucione të ndryshme me rëndësi në vend po kontribojnë në cungimin e shqipes. Këtë mund ta vërejmë përmes paraqitjes së tyre në publik, që kur iu drejtohen qytetarëve me zhargonin e fushës tyre, të japin bindjen se i gjithë populli janë politikanë dhe ekonomistë. Kur jemi tek këta të fundit, kohëve të fundit e kemi parë sesi kur flitet për pandeminë, përdorin ‘’kurba’’ në vend të ‘’lakores’’, që të ngjason sikur secili nga ne jemi ekspertë të fushës së ekonomisë.
Andaj, problemet që përmendëm më lartë, janë vetëm disa prej të cilave po ballafaqohet gjuha jonë sot. Kjo gjuhë e cila me shumë vështirësi i rezistojë pushtimeve të ndryshme, tani po rrezikon të pushtohet nga teknologjia, ku ne folësit e saj, ia kemi hapur derën kësaj të fundit. Gjuha shqipe po rrezikohet edhe nga mospërdorimi i saktë i saj.. kjo gjuhë që përderisa popujt e tjerë i humbën gjuhët e tyre, ne e trashëguam këtë gjuhë të lashtë. Prandaj, kjo është arsyeja thelbësore pse ne duhet ta ruajmë dhe ta përvetësojmë atë sa më shumë. Ndër të tjera, ne kemi edhe plot arsye të tjera të krenohemi me gjuhën tonë, sepse ashtu siç shprehej edhe Ernest Koliqi: ‘’Gjuha jonë asht’ e bukur. Nuk e tham kët pse si Shqiptar më duhet me lavdue gjuhën shqipe, por pse jam i bindun qi kemi nji gjuhë në vetvete të bukur. Gjuha jonë asht’ e bukur sidomos pse asht’ e vjetër. Gjuha shqipë asht’ e bukur pse asht burrnore e prandej fisnike, zemrake dhe krenare.’’
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, çdo vit të ri shkollor siguron mbështetje me tekste mësimore për fëmijët e diasporës shqiptare.
Për vitin shkollor 2020-2021, do të dërgohen 17 079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës.
Konkretisht, dje u nisën tekstet drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Çekisë, ndërsa sot janë nisur tekstet drejt Belgjikës, Spanjës, Rumanisë, Francës dhe Turqisë, për të vijuar më tej me shtetet e tjera.
“Ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sonë është ky moment i vitit! Duke u uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë në diasporë, një vit të mbarë shkollor, dëshirojmë t’ju jemi pranë në mësimin e gjuhës amë, me shpresën që të kontribuojë në rritjen e dashurisë për atdheun”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së. / atsh/ KultPlus.com
Një komb i vjetër, më i vjetri i kombeve të Evropës, pellazgët e qëmoçëm të mbajtur e të qëndruar që prej mijëra vite ishin, një komb kaq i vjetër e megjithëse kësaj fort i ri, që tani po zë të lulëzojë për të parën herë, një komb trim e i zoti me një kokë e me një ballë, qe s’i ka askush tjetër, me një gjuhë të gjerë e të plotë, të bukur e të lehtë, që e mëson që në gjirin e nënës, një komb të tillë, kush mund t’i dalë kundër, e kush mund t’i shkojë përpara? (Sami Frashëri 1889) – Gjuha shqipe pra, e populli shqiptar
Para vetit e kemi një hartë të Azisë së Vogël e banuar me popullin pellazg në lashtësi. Qëllimi i hartës është të shohim listën e popujve të vjetër gati të gjithë të një rrënje pellazgjike që banonin në Anatolli në antikitet. Azia e Vogël i ka rritur popujt më të famshëm, i kishte vendet dhe ngjarjet më famëdhaja në historinë e Antikitetit. Sipas historian Philo 225 Para Krishtit, Azia e Vogël ishte strehë e dy prej shtatë mrekullive të botës: Tempulli i Artemisës në Efes dhe varri i Mauslosit të Halikarnasit, i njohur si muzeu i Halikarnasit në Caria (populli Karaj). Në historinë e vjetër, Azia e vogël ishte vendi i mbretërive dhe qyteteve të: “Thrakisë, Bithinisë, Paflagonisë, Eolisë , Hititӕve, Frigjisë, i Galicisë, Pontusit Armenisë, Urartu, Asirisë, Cilicisë, Pamfilisë, Lucias, Pisidia. Lycanonisë Karajve, Myzëve. Lidianëve, Dardanisë dhe Trojës”.
Pellazgishtja nëna e shqipes, shqipja nëna e sanskrishtes, apo jo? Pra, një gjuhë shumë e vjetër. Sami Frashëri shkruan: “Të çojmë gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri; të hapim shkolla, të mësojmë, të mos mbesë ndonjë shqipëtar i paditur e që të mos dijë të lexojë e të shkruajë; të largojmë shkollat e huaja nga Shqipëria e ta mbushim mëmëdheun tonë me shkolla shqipe; djemtë tanë në një kohë të shkurtër të mësojnë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e tyre edhe dituritë që u duhen; meqenëse gjuhën e dinë vetvetiu e mundin ta mësojnë në pak kohë, do të kenë dëshirë të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu dhe bujku edhe mjeshtëri i mureve nuk do mbetet pa “dituri”. Anadolli ose siç njihet ndryshe Azia e Vogël, është territor me një histori shumë të lashtë, që ka lidhje mjaft të ngushta me historinë e Ballkanit dhe të Europës. Anadolli ka qenë banuar nga popullsi e një race me prejardhje pellazge, të ndarë në disa shtete dhe ka folur një gjuhë, të ndarë në disa dialekte. Anadolli përmendet në histori për qytetërime shumë të lashta dhe me zhvillim të madh shoqëror. Vendin kryesor në zhvillimin shoqëror, gjatë kohës së bronzit, në Anadoll e kanë zënë hititët. Perandoria Hitite (afërsisht në periudhën 1650-1180 p.k.) në kulmin e zhvillimit të saj, ka qenë njëra nga fuqitë më të mëdha të kohës, krahas Egjiptit, Asirisë, Babilonisë dhe Mbretërisë së Mikenës në Pellazgji 1. Kjo perandori e fuqishme shtrihej nga brigjet perëndimore të Anadollit, në pjesën veri-perëndimore të Mesopotamisë, pjesën veriore të Sirisë, përfshirë edhe ishullin e Qipros. Prandaj, hititët kanë ndikuar së tepërmi në zhvillimin historik të gjithë rajonit të Egjeut dhe të Lindjes së Afërt e gjetkë. Dëshira për të ditur më shumë mbi gjuhën hitite na nxiti të studiojmë gjuhët e tjera të lashta të Anadollit, për të parë lidhjet dhe afërsitë me gjuhën hitite dhe me gjuhën shqipe. Nga ky studimi i gjuhëve luviane, kariane, lide, like dhe frige vërtetohet, se të gjitha këto gjuhë kanë po atë lidhje të fortë me gjuhën shqipe, si dhe gjuha hitite dhe pa tjetër, që janë të afërta si motra njëra me tjetrën. Nga kjo analizë arritën në përfundimin se të gjitha gjuhët e lashta të Anadollit janë shumë të afërta njëra me tjetrën dhe me gjuhën shqipe, përfundim i një rëndësie të madhe për gjuhësinë në përgjithësi dhe për familjen Indo-Europiane të gjuhëve në veçanti. Për ne nuk ka dyshim, që kjo afërsi e madhe e gjuhëve të Anadollit me gjuhën shqipe lidhet me origjinën e tyre të përbashkët nga gjuha e lashtë pellazge. Pra, studimi që pellazgët e Anadollit e kanë folur gjuhën shqipe të kohës së vet ka bazë shkencore dhe është e vërtetuar.
Kultura luviane edhe besimi fetar kanë qenë mbizotëruar nga ajo hitite, sepse luvianët ruajtën traditat kulturoe hitite gjatë historisë së tyre (Enc. Britannica). Gjuha luviane është gjuhë e lashtë e grupit të gjuhëve të Anadollit, që njihet nga studiuesit si gjuhë indo-europiane. Karia ka qenë një provincë, që shtrihej në bregun jug-perëndimor të Anadollit, që përmendet qysh gjatë kohës së bronzit dhe shtrihej midis Lidisë dhe Likisë. Gjuha kariane bën pjesë në degën e gjuhëve të Anadollit. Gjatë historisë së tyre karianët kanë qenë herë aleatë dhe herë armiq me hititët. Ata kanë qenë aleatë me trojanët në Luftën e Trojës.
Lidët e kanë shkruar gjuhën e tyre dhe kjo provohet nga shumë dokumente shkrimore të ruajtura deri më sot. Ata kanë përdorur sistemin alfabetik të shkrimit dhe nuk e kanë njohur sistemin kunjor të shkrimit, i cili është përdorur nga hititët. Janë gjetur më shumë se 100 tekste në gjuhën lidiane në ish-kryeqytetin Sardis, të cilat janë në dispozicion të shkencëtarëve. Për të shkruar gjuhën e tyre, lidët kanë përdorur alfabetin e njohur pellazg të Lemnit, por me përshtatje të tij në gjuhën e tyre, ata kanë futur në përdorim edhe disa forma të reja germash. Mbishkrimi i Lemnit është vërtetuar nga shumë studiues, por edhe nga arkeologjia, që i përket gjuhës pellazge dhe fjalët në të janë njësoj si në gjuhën e sotme shqipe. Shumë autorë të lashtë dhe të sotëm, përfshirë edhe Herodotin, përmendin se etruskët u shpërngulën nga Lidia dhe u vendosën në Itali pas Luftës së Trojës. Ata ngritën Qytetërimin Etrusk, në Apenine, me një zhvillim të madh në të gjitha drejtimet, themeluan mjaft qytete, përfshirë edhe Romën.
Herën tjetër më shumë për dialektet e gjuhës pellazgjike të Anadollit, të cilat zbërthehen vetëm me gjuhën shqipe
* Fahri Xharra, 02.08.20 – Gjakovë Referencat :
Sami Frashëri – Shqipëria çka qenë, ç ‘është dhe çdo të bëhet – Luftulla Peza – Liljana Peza: Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit dhe familja pellazgjike e gjuhëve – Thomopoulos I. 1912. Pelasgika, Athinë – Zheji P. 2005. Shqipja dhe sanskritishtja. / KultPlus.com
Unë besoj në Zot, në Abetare dhe në Komb. Këto janë “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë” – At Irakli Pylli
Mësuesi patriot Irakli Pylli, i njohur me emrin At Isaia, lindi në prill të vitit 1872, në një familje të varfër në fshatin Shën Pjetër të rrethit të Fierit. Në popull, atë e kanë thirrur edhe me emra të tjerë. Kështu, në Vlorë ai është njohur si “prifti me kobure”, në fshatrat e Fierit si “prifti që psalmet i këndon në shqip” etj.
Irakli Pylli mësimet e para i kreu së bashku me Mësuesin e Popullit Jani Minga e atdhetarin Llazi Spiro, nën kujdesin e mësuesit Kostandin Minga. Më pas, me vështirësi të mëdha ekonomike, mbaroi arsimin e mesëm. Gjatë tërë kohës, Irakliu nuk i shkëputi lidhjet me shokun e tij të ngushtë Jani Minga. Ata i bashkonte ideali i njëjtë për përhapjen e gjuhës shqipe. “Shkronjat dhe gjuhën shqipe do t’i përhapnin medoemos, – i shkruante Jani Minga At Isaisë. Dhe vazhdonte: “Është koha që për shqipen të punojmë kudo. Tani të qoftë e mbarë! Mbështetu te populli”.
Dhe At Isaia, kudo dhe kurdoherë thoshte në popull: “Të mësojmë gjuhën tonë. Jemi shqiptarë dhe nuk na duhet gjuha e huaj, kur gjuhën e kemi aq të ëmbël, aq të mirë. Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat”. Me shumë kujdes, At Isaia futi gjuhën shqipe edhe në kishë, ai i këndonte psalmet ne gjuhën shqipe, që atëherë populli filloi ta thërriste: “Prifti që psalmet i këndon shqip”. E kishte të qartë, se armiqtë, agjentët e Patrikanës, për të penguar përhapjen e gjuhës shqipe, thurnin plane djallëzore kundër atyre që bënin përpjekje, sado të vogla, për gjuhën amtare, por ai nuk trembej nga kërcënimet./
At Isaia, në fshehtësi, në njërën nga ndërtesat e kishës në Shën Pjetër hapi të parën shkollë shqipe në fshat. Mësimin shqip në shkollën e fshatit, ai vazhdonte ta zhvillonte pa ndërprerje. Për të shmangur rrezikun e zbulimit të mësimit të shqipes, ai i kishte pajisur nxënësit me dy palë fletore: në një palë shkruanin shqip dhe në tjetrën greqisht.
Por pushtuesit osmanë ranë në gjurmë të veprimtarisë së tij. Aty rreth vitit 1908, e kapën dhe e arrestuan. E ç’nuk i bënë, që të hiqte dorë nga rruga e nisur. Të moshuarit, ata që e panë ato ditë, tregojnë se si e torturuan, si i varën një këmborë në qafë dhe e tërhoqën përmes pazarit të Fierit dhe brigjeve të lumit Gjanicë.
E rrahën pa mëshirë, por ai nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por dogjën edhe ndërtesën e shkollës. Pas shumë kohëve, atë e mbajtën nën tortura në burg. Kur u lirua, At Isaia, me pasion të madh, vazhdoi t’u mësonte fëmijëve të fshatit shkrimin e këndimin e gjuhës amtare.
At Isaia shkoi në Korçë, ku qëndroi në krye të manifestimeve për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke. Ai u ngarkua t’i njoftonte dhespotit vendimin e mbledhjes, që të largohej nga territori shqiptar brenda 24-orëve, si person i padëshirueshëm. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe për punën e përhapjes së gjuhës shqipe, At Isaia u mallkua nga Patrikana. Në fundin e vitit 1919, ai çeli përsëri shkollën shqipe në fshat. Si ndërtesë u shfrytëzua shtëpia e një fshatari. Po kështu, ky mësues hapi edhe një shkollë tjetër në afërsi të fshatit Seman, në pyllin e Janjit. Pas Kongresit të Lushnjës, në mars të vitit 1920, At Isaia u vendos në Vlorë. Reaksioni e ndiqte këmba-këmbës. Mori pjesë gjallërisht në epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës dhe u dallua si një propagandist i flaktë i çështjes kombëtare.
Edhe pas fitores së Luftës së Vlorës, At Isaia nuk rreshti së punuari për të mirën e vendit. Ishte përkrahësi i flaktë i Halim Xhelos dhe i Avni Rustemit. Prifti atdhetar qëndronte në çdo kohë i armatosur. Gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, At Isaia qëndroi përkrah “bijve të popullit që jepnin jetën për Shqipërinë”. Për veprimtarinë e tij, si edhe të nipit 15-vjeçar, Filipit, me urdhër të Prefektit të Vlorës, u arrestuan dhe u internuan në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Koço Faudi, një shok i internuar së bashku me At Isainë, i cili u kthye i gjallë, tregon: “Në kampin e internimit përdoreshin tortura nga më barbaret, nëpër këto tortura kaloi edhe At Isaia, i cili në moshën 72-vjeçare, nga një barbarizëm i rëndë, ra ashtu siç do të dëshironte të binte çdo trim”. / konica/ KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një statusi ka njoftuar së pas shumë përpjekjeve, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.
Ajo gjithashtu është shprehur se fëmijët shqiptarë në Serbi, meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.
Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.” – ka shkruar Shahini. / KultPlus.com
Përvetësimi i gjuhës shqipe është mjaft i vështirë dhe kërkon një sforcim të madh për ta mësuar.
Ky është përfundimi i Institutit për Shërbime të Jashtme që ka përzgjedhur gjuhët kryesore në botë, duke i klasifikuar ato sipas shkallës së vështirësisë në zënien e tyre, transmeton Konica.al.
Me këtë rast është krijuar një hartë me ngjyra që tregon gjuhët e ‘vështira’ dhe ato të ‘lehta’ për t’u mësuar. Gjuhët romane, që mbështeten në tabanin latin, janë më të kapshmet, dhe përfshijnë frëngjishten, spanjishten, italishten dhe romanishten.
Sipas studiuesve, këto gjuhë mund të përvetësohen brenda 24 javëve.
Në atlasin e gjuhëve evropiane, shqipja bashkë me gjuhët sllave janë renditur në kategorinë e katërt, që do të thotë se ato janë ndër më të vështirat për t’u mësuar, dhe zënia e tyre kërkon hiç më pak se 44 javë përpjekje. / KultPlus.com
Zyrafete Loshaj këshilltare për zhvillimin e shumëgjuhësisë në komunën e Linköpings në Suedi ka folur për ndihmën që ajo ka dhënë në implementimin e gjuhën shqipe në programet shkollore.
Ministri i Shtetit për Diasporës, Pandeli Majko ka publikuar rastin e Loshaj, e cila punon vazhdimisht për promovimin e gjuhës shqipe.
“Për promovimin e gjuhës shqipe unë punoj vazhdimisht. Aty ku kjo gjuhë mungon unë bëj kërkesë që kjo gjuhë të shtohet, sepse ndihmon shumë fëmijë që e kanë gjuhë amtare. Në fillim këtu nuk kishte programe në gjuhën shqipe, por unë isha këmbëngulëse dhe pas 2 vite përpjekje më kërkuan ndihmë për të përkthyer 20 filma në gjuhën shqipe. Këto programe janë vetëm për fëmijë që jetojnë brenda Suedisë dhe jo jashtë saj. Gjithashtu në të njëjtin program kam përkthyer edhe 8 libra të tjerë që janë për fëmijë deri në 8 vjeç, pasi filmat më parë ishin për fëmijë deri në 3 vjeç. Por unë e shikoj që këto përkthime janë në dobi edhe të prindërve, jo vetëm të fëmijëve”, thotë ajo.
Gjithashtu, Zyrafetja ka korrigjuar edhe Enciklopedinë Nacionale të Suedisë për Nënë Terezën pasi atje nuk thuhej se ajo ishte shqiptare. Sipas saj kjo ka qenë një rastësi sepse kur ajo kishte shikuar në enciklopedi se çfarë shkruhej për Nënë Terezën kishte parë se askund nuk ishte fjala shqiptare. Nga hulumtimet që ajo bëri arriti t’u tregonte të gjithëve dhe t’i bindte se ajo ishte shqiptare. Ajo ishte një nga nismëtaret e themelimit të fondacionit ‘Albana’ që ka si synim promovimin e shqiptarëve në mbarë botën.
“Kjo organizatë shtrihet në të gjithë Suedinë dhe fton të gjithë shqiptarët t’i bashkëngjiten. Ne si degë këtu në Suedi mundohemi t’i krijojmë kushtet e nevojshme për zhvillimin e Diasporës shqiptare. Kjo organizatë e ka qendrën në Tiranë por kjo seli është e përbërë nga njerëz në vende të ndryshme të botës. E mira e këtij fondacioni është se ka karakter unifikues dhe mundohet t’i afrojë shqiptarët të punojnë për interesat e shqiptarëve. Unë kam punuar në Ministrinë e Diasporës dhe kam qenë zyrtare për zhvillimin e gjuhëve nga vende të ndryshme. Unë kam punuar aty vetëm për një verë dhe roli im ka qenë si përfaqësuese e ministrisë dhe prononcohesha për mediat. Ky staf është shumë mirë i organizuar dhe bëjnë më të mirën për fëmijët që vijnë nga jashtë. Edhe pse unë e shkëputa punën aty pata bashkëpunime me ta duke zhvilluar ekskursione dhe duke shkëmbyer materiale dhe projekte”, theksoi ndër të tjera ajo.
Ajo është arsimuar në Kosovë për gjeologji, por pas fillimit të luftës atje u detyrua të emigronte në Suedi më 29 prill të 1999. Rrugëtimi i saj ishte i gjatë edhe i dhimbshëm sepse mbrapa kishin lënë gjithë ato vite me kujtime dhe familja e saj tashmë ishte e shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Në zonën ku ajo shkoi në Suedi, shkuan edhe shumë emigrantë të tjerë mes tyre edhe shumë nxënës. Kështu me njohuritë e saj nga gjuha angleze ajo shërbeu si një përkthyese për shqiptarët. Këtë punë e bëri si vullnetare por pas dy muajsh filloi punë si mësuese e gjuhës shqipe dhe si asistente e një mësuesi suedez i cili kishte një klasë shqipe. Çdo gjë filloi nga zeroja për të. Gjithashtu, Zyrafetja është ftuar nga Enti shkollor në Suedi për promovimin e një stilolapsi përkthyes të cilët ajo dhe disa kolegë të saj me kombësi të ndryshme e kishin krijuar. Ky stilolaps përkthen fraza nga gjuhë të ndryshme të botës. atsh / KultPlus.com
1-Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër. 2-Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb. 3- Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë. 4- Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët. 5- Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm. 6- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve. 7- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit 8- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër. /KultPlus.com
Në 11 shkolla të mesme të Shkupit prej nesër fillon realizimi i projektit “Flas në gjuhën e shokut tim”, si një prej aktiviteteve kryesore të Strategjisë të Qytetit të Shkupit për integrimin ndëretnik dhe përfshirjen e qytetarëve.
Siç kumtoi Qyteti i Shkupit, në kuadër të këtij projektit do të realizohen kurse tremujore falas për mësimin e gjuhës maqedonase, shqipe dhe turke të dedikuar për nxënësit dhe mësimdhënësit gjuha amtare e së cilëve është e ndryshme prej asaj të kursit të zgjedhur.
“Duke i vizituar kurset nxënësit do të kenë mundësi të fitojnë mundësi të flasin në gjuhën në të cilën flasin bashkëmoshatarët e tyre, që do të kontribuojë për socializimin e tyre gjuhësor. Për këtë aktivitet interes kanë shprehur gjithsej 1.173 nxënës dhe 69 mësimdhënës. Prej tyre 769 nxënës (të ndarë në 20 grupet) do të zbatojnë kursin për mësimin e gjuhës maqedonase, 224 nxënës dhe 69 mësimdhënës (në 15 grupe) do ta vizitojnë kursin për gjuhën shqipe dhe 180 nxënës (në 13 grupe) do ta ndjekin kursin e gjuhës turke”, shtohet në kumtesë.
Kurset në aspektin logjistik dhe financiar do të mbështeten nga Qyteti i Shkupit, do t’i mbajnë mësimdhënësit e punësuar në shkollat e mesme ndërsa do të realizohen në shkollat “Zdravko Cvetkovski”, “Nikolla Karev”, “Vllado Tasevski”, “Arseni Jovkov”, “Dr. Pançe Karagjozov”, “Boro Petrushevski”, “Zef Lush Marku”, “Josip Broz Tito”, “Dimitar Vllahov”, “Georgi Dimitrov” dhe “Vëllezërit Milladinov”.//Zhurnal.mk / KultPlus.com
Edhe shkolla shqipe e Horit në Kantonin e Cyrihut, i bashkëngjitet shkollave të tjera, të cilat janë hapur gjatë këtij viti shkollor 2019/20.
Sukseset e Shkollës Shqipe në Zvicër nuk kanë të ndalur. Me një punë serioze dhe me një përkushtim të veçantë mësues dhe prindër arritëm, që gjatë këtij viti shkollor të hapim mbi tridhjetë shkolla, në vendbanime të ndryshme të Kantonit të Cyrihut dhe në kantonet tjera. Hapen shkollat njëra pas tjetrës dhe me këtë dëshmohet se interesimi i prindërve shqiptarë nuk mungon dhe bashkë me interesimin e tyre radhiten edhe sukseset e nxënësve. Kësaj radhe prezantojmë Shkollën shqipe në Komunën Hori që sot, më 26.
Shkurt 2020, filloi mësimi në gjuhën shqipe. Mësimit i prinë në këtë pikë shkollore mësuesja Teuta Myrtaj. Dhjetëra nxënës të kësaj komune sot pasuruan edhe klasën e shkollës shqipe, jo vetëm me prezencën e tyre por edhe me dëshirën e madhe për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe. Veçmas duhet të theksojmë gëzimin e prindërve, sepse tani më në fund u hap një pikë shkollore ku mund edhe ata t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.
Mësuesja Teutë Myrtaj sëbashku me nxënësit e Shkollës shqipe në Hori
Buzëqeshja e Erdës, Erinës, Linës, Analinës, Leonit, Lendionit, Lianit, Jolës, Besës, Besimit, Lianës… është paralajmërimi më i bukur për fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë komunë. Dhe kjo buzëqeshje njëherit është edhe një thirrje edhe për fëmijët e tjerë, që t`i ndjekin mësimet në gjuhën amtare dhe të regjistrohen në ditët në vijim. Thirrja “Ejani në shkollën shqipe – Eja edhe ti me ne” që e kanë lansuar nxënësit dhe mësuesit e shkollave Shqipe në Zvicër po bëhet gjithnjë e më tepë realitet. Në ditët në vazhdim do t`iu njoftojmë edhe për hapjen e shkollave të tjera në Kantonin e Cyrihut si dhe në kantonet tjera.Albinfo / KultPlus.com
Gjuhës Shqipe dhe Gjuhën Letrare Shqipe të vitit 1972? Ju keni qene vetë i pranishëm në punimet e këtij kongresi. A pati ndikime të politikës aktuale për caktimin e bazës së formimit të gjuhës?
Formimi i gjuhës që e përdorin gjithë pjesëtarët e një kombi, për dallim prej gjuhës dialektore që e përdorin vetëm disa nga pjesëtarët e atij kombi, te secili popull ka shënuar shkallën më të lartë të zhvillimit e qytetërimit të tij. Nuk jemi përjashtim, apo jo? Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvillimin e qytetërimit tonë. Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijes të popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij.
Në këtë bisedë që po bëni ju me gjuhëtarë e shkrimtarë për Kongresin e Drejtshkrimit janë dëgjuar mendime pohuese se ka pasur dhe mohuese se nuk ka pasur ndikime të tilla. Unë nuk mund ta di a ka pasur ndikim të politikës në përcaktimin e bazës së gjuhës letrare. Por, unë jam i bindur se ka pasur ndikime të udhëheqjes së shtetit shqiptar në mbajtjen e kongresit, e kjo d.m.th. edhe në formimin e Gjuhës Letrare Shqipe. Dhe kjo, për mendimin tim, është e kuptueshme. Do të ishte e pakuptueshme dhe, në një mënyrë, e panatyrshme, po të mos kishte pasur ndikim të tillë. Gjuha letrare s’është çështje vetëm e gjuhëtarëve, por është çështje e krejt një populli, e krejt një shoqërie. Një filozof gjerman e ka thënë se gjuha është fenomen aq i rëndësishëm sa që nuk guxojmë t’ua lëmë në duar vetëm gjuhëtarëve. Gjuha i bashkon, por gjuha edhe mund t’i ndajë njerëzit. Shteti është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Dhe, gjuha letrare standarde është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli.
Nuk ka gjuhë letrare atje ku nuk ka shtet, më saktësisht, atje ku nuk ka vetëdije për shtetin, për të përbashkëtën institucionale. Nuk është e rastit që gjuhët letrare kryesisht janë krijuar në kohët kur janë shtuar faktorët që vendosin lidhjet e përbashkëta në jetën e popujve: komunikacioni, administrata, qyetetet e mëdha, universitetet, tregtia, librat, gazetat e të tjera. Dhe, nuk është e rastit pse vetëdija për një gjuhë të përbashkët, për Gjuhë Letrare Kombëtare, te shqiptarët fillon në kohën e Rilindjes, domethënë në kohën kur shquhet lëvizja për pavarësi dhe për forimimin e shtetit shqiptar. E di se nuk ka shtet në këtë botë, së paku qe dy shekuj, që nuk ka këmbëngulur për një gjuhë letrare, sepse ashtu lehtësohet funksioni i shtetit dhe ashtu lehtësohet bashkimi i kombit.
Çfarë roli luajtën në atë kohë gjuhëtarët nga Kosova në vendosjen e kritereve për Gjuhën Letrare Shqipe? A ka pasur argumente se kjo gjuhë është imponuar për të hequr dorë nga gegërishtja?
Të gjitha punët, gjuhësore, administrative, politike, për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit janë bërë në Tiranë, natyrisht. Gjuhëtarët nga Kosova nuk kanë mundur të luajnë farë roli të drejtpërdrejtë në vendosjen e kritereve për gjuhën letrare, sepse komunikimet me Shqipërinë ishin shumë të penguara prej pushtetit jugosllav. Por, gjuhëtarët nga Kosova, megjithatë, në masë të madhe e kanë nxitur, e kanë frymëzuar, e kanë ndihmuar vendosjen e atyre kritereve, së pari me Konsultën e Prishtinës, mbajtur në vitin 1968, e pastaj me përkrahjen e deklaruar të të gjithë intelektualëve kosovarë për krijimin e gjuhës letrare mbi kriteret që ishin shpallur. Atëherë nuk është dëgjuar zë kundër gjuhës letrare. Përkundrazi. Është dëgjuar përkrahje me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ne, për fat, nuk kemi menduar për gjuhën prej aspektit të dialektit. Ne kemi menduar për gjuhën letrare si pjesëtarë të një kombi, ashtu më në fund siç duhej të mendojmë edhe sot.
Ka zëra që gjuha letrare për 50 vjet nuk u familjarizua nga shqiptarët në Kosovë. Kjo, sipas tyre, ka sjellur dygjuhësinë. Si mendoni ju, sa është e vërtetë kjo tezë?
Sipas mendimi tim – kjo është tezë e rrejshme. Tek të gjithë popujt që kanë gjuhët letrare sot, përpos gjuhës standarde, në të folur, më pak a më shumë, përdoren edhe dialektet vendore. Duke u përgatitur për këtë bisedë me ju – unë lexova në librin e gjuhëtarit të njohur Oto Jespersen, “Njerëzimi i popullit dhe individi nga aspekti linguistik” se gjuha e gjermanëve të arsimuar, edhe sot, pak a shumë, pas aq shumë vitesh të krijimit të gjuhës letrare, është gjuhë dialektalisht e ngjyrosur. Dhe, nuk thuhet se gjuha standarde gjermane nuk është familjarizuar në Gjermani, Austri a në ndonjërën krahine gjermane. Çdokush që do t’i dëgjojë fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës, në shkolla, fakultete, vendtubime të ndryshme, se sa lehtë, se sa natyrshëm e flasin Gjuhën Letrare Shqipe, do të bindet se sa mirë është familjarizuar ajo në Kosovë.
Sa janë të përgjegjshëm vetë gjuhëtarët në Kosovë, por edhe shtresa intelektuale në përgjithësi, në njësimin e Gjuhës Letrare Shqipe, si një gjuhë e vetme dhe e standardizuar?
Numri më i madh i gjuhëtarëve dhe klasa intelektuale pothuajse në përgjithësi, me ndonjë përjashtim të rrallë, e përkrahin Gjuhën Letrare Kombëtare, si gjuhë e vetme e standardizuar. Dhe, këtë e bëjnë me shumë përkushtim, e bëjnë me shumë përgjegjësi. Jam i bindur.
Ju jeni shkrimtar dhe autor i një sërë veprash letrare. Sa kanë ndikuar shkrimtarët kosovarë në pasurimin e gjuhës shqipe?
Rexhep Qosja: Besoj se kanë ndihmuar ndjeshëm, qoftë duke ia sjellë gjuhës letrare leksikun e viseve ku kanë lindur, qoftë duke trajtuar përmbajtje të reja, në trajta të reja moderen letrare që kërkojnë shprehje më të përbërë figurative e simbolike që doemos e pasuron gjuhën letrare në përgjithësi. Sot, profesor, janë një sërë mediash në gjuhën shqipe në Kosovë. A ndikojnë pozitivisht ato dhe auditori shkollor në Kosovë në përvetësimin e masës për përdorimin e një gjuhe të tillë? Rexhep Qosja: Mësuesit, arsimtarët e profesorët në Kosovë kanë bërë shumë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë për përdorimin e gjuhës së përbashkët. Ata mund të quhen ajo shtresa profesionale së cilës ia detyrojnë ngritjen e kulturës gjuhësore të të rinjve të Kosovës. Edhe mediat kanë ushtuar dhe ushtrojnë ndikim pozitiv në ngulitjen e normës letrare gjuhësore. Për fat të keq, në media, natyrisht me pak përjashtime, gjuha është shumë e thjeshtësuar, e kthyer gjithnjë e më dukshëm në gjuhë zhargoni, në të cilën si edhe në politikë, zotërojnë disa fjalë, si për shembull fjalët: liria, pavarësia, demokracia, republika, që s’kanë lidhje me përmbajtjen kuptimore dhe me kontekstin që do t’i shpjegonte ato. Këtu kemi një paradoks të çuditshëm. Mediat e ndihmojnë përdorimin e gjuhës letrare me vetë faktin se e përdorin. Por, e ndihmojnë duke e varfëruar jashtëzakonisht shumë. Ngjet kështu sepse përmbajtja mbizotëruese e mediave tona janë politika, së cilës ato shumë përulshëm i shërbejnë, dhe argëtimi. Ngjet kështu sepse mediat, në mënyrë të veçantë mediat elektronike, tregojnë një disponim të vazhdueshëm kundërintelektual, sigurisht nën ndikimin e disa faktorëve që inteligjencinë vazhdojnë ta quajnë si në kohën e komunizimit, prodhuese të nacionalizmit.
Me pretendimin se gegërishtja është gjuhë shqipe dhe jo serbe, çfarë mendimi keni ju ose, cili është vlerësimi juaj se kujt i shërben përdorimi i saj sot dhe a duhet për disa sektorë të vendosen ligje në përdorimin e Gjuhës Letrare Shqipe?
Në një shoqëri demokratike çdokush mund ta flasë a ta shkruajë gjuhën që do, gjuhën letrare apo dialektin. Është çështje tjetër, ndërkaq, ne qoftë se dikush e mohon gjuhën e përbashkët letrare për hir të dialektit apo në qoftë se dikush e mohon gjuhën letrare kombëtare në emrin e dy të ashtuquajturave gjuhë dialektore letrare. Në një rast të tillë kemi të bëjmë me çështje serioze, jo gjuhësore, por, në radhë të parë, me çështje politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri mund të dëgjohen individë që e mohojnë gjuhën e përbashkët dhe predikojnë veçimin dialektor. Ata janë të frymëzuar prej qarqesh politike në Prishtinë që përvjedhin idenë sipas së cilës Kosova karshi Shqipërisë duhet të zhvillohet si Austria karshi Gjermanisë dhe harrojnë se Gjermania dhe Austria, megjithatë, kanë një gjuhë letrare, Gjuhën Letrare Gjermane. Ata janë të frymëzuar, ma merr mendja, njëkohësisht edhe prej qarqesh të huaja politike që tradicionalisht janë përpjekur t’i ngatërrojnë punët e shqiptarëve. Të gjitha, thotë Gëte, janë të vdekshme, vetëm marrëzirat janë të pavdekshme.
Përpjekjet për rrënimin e gjuhës letrare mund të bëhen edhe ndonjë ditë, por janë të dështuara sepse janë prapakthime kundërhistorike që do të kishin pasoja shumë të mëdha. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj se a duhet të vendosen ligje në disa sektorë në përdorimin e gjuhës, unë mund të them më sa vijon: përdorimi i gjuhës letrare është i rregulluar jo vetëm me marrëveshje, por edhe me ligje në vendet që kanë gjuhë të standardizuar, në administratë, arsim, shëndetësi, ushtri, në institucionet e shkencës e kulturës, në media, mund të përdoret vetëm gjuha e standardizuar. Kështu është edhe te ne, por në disa vende rregullimi i çështjeve të gjuhës letrare është çuar edhe më përpara. Në disa vende në ministritë e arsimit e të kulturës e në disa akademi të shkencave bëjnë kujdesin për kulturën e gjuhës në përgjithësi. Këto institucione caktojnë, fjala vjen, se cilat fjalë të huaja mund të përdoren në gjuhën standarde. Në Slloveni, për shembull, ekziston gjyqi i gjuhësisë që dënon shkeljet e normave të gjuhës letrare.
Profesor, çfarë do të thotë për ju si shkrimtar një shkrim i shkruar në gjuhë letrare dhe çfarë do të thotë një shkrim i shkruar në gegërisht?
Të shkruash në gjuhën letrare, sipas mendimit tim, së pari do të thotë të shkruash si njeri me kërkesa më të larta shpirtërore, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me kërkesa sado kudo më të rrudhura shpirtërore. Të shkruash në gjuhën letrare do të thotë të shkruash me mundësi më të mëdha të shprehjes gjuhësore e artistike, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me mundësi më të pakta të shprehjes gjuhësore e artistike. Të shkruash në gjuhen letrare do të thotë të shkruash për shumë më tepër lexues, për gjithë pjesëtarët e popullit të cilit i takon, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash për më pak lexues, për pjesëtarët e atij dialekti. Të shkruash në dialekt do të thotë të vjetërohesh gjuhësisht më shpejt, kurse të shkruash në gjuhën e njësuar letrare do të thotë të shkruash për kohë shumë më të gjatë, në mos jo përgjithmonë. Ata që duan ta dënojnë vetën e të shkruajnë për më pak lexues e për kohë më të shkurtër duhet t’i përkujtojmë për këtë, por në asnjë mënyrë t’i pengojmë. Njeriu duhet të jetë i lirë të bëjë ç’të dojë me veten e tij. /KultPlus.com
Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm.
Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi. Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.
Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet dhe letërorëvet” të kohës së tij. Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”. Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye “kapitull”, lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës “ithtar, imitues”, i përbrendshëm, përndjek “persekutoj” (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem “popull, vegjëli”, pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive, me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës, rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej greqishtes), por sidomos në kohët moderne.
Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re. Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si kompozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termet) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”. Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur dhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maks Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lavrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë. Pas çlirimit të vendit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terme), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues m., vendburim e të tjera.
Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti dhe gjuha popullore.
Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të tjera. Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj u thotë hiesira; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë lashtërisht, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë rishmë; anët e Beratit e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon; Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për “vete mbarë” trevon, si në s’na trevon gjaja e gjallë. Në të folët e Tiranës ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri, dhe hulli për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet ansujë për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël, që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta (arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna” përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht “shkoqit në hollësira (një çështje)”, në të folët e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë “i çaj i bëj të holla”. Kosova një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për “dorëzoju” thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret tjerrtore, e për “kaldajë” ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për “shpina e dorës” thonë përmidora, e për “krijoj”, me një fjalë vendi lentoj (nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për “krijim”. Në Greqi për “gardh” thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për “të dhënë e të marrë, marrëdhënie” thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për “litografi”. Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.
Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim, acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim, celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb., influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim, inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim, koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë, kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me këtë formë s’e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz, xhiroj xhirim etj.
Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë që në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim (frgj. emprunt) e ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cënohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do pasur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane as gjysmëromane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise dhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “duhet njeriu më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.
Në këtë veprimtari ndërkaq duan pasur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, pan metron ariston kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.
Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është term ndërkombëtar? Mendojmë se term ndërkombëtar nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. Term ndërkombëtar mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se acid nuk është term ndërkombëtar, po kimi është term ndërkombëtar; levë, presion nuk janë terme ndërkombëtare, porse fizikë po; insekt është term ndërkombëtar, po insekticid nuk është. Ashtu qëndron puna dhe me botanikë përkundrejt leguminozeve e labiate-ve, me zoologji përkundrejt reptilë-ve etj. Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që pa dëm kuptimor janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.
Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit. Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folë e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës, punë në të cilën vjen e integrohet.
Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake, kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit. Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.
Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve. Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.
Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë. Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.
Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer. Sot më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet kryesore të kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj. /KultPlus.com
Shënim: Marrë nga dorëshkrimi i autorit. Botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979-4 prill 1979