Gjuha shqipe tashmë edhe në shkollat e Nju Jorkut…

Shkollat e Nju Jorkut ofrojnë mësim në gjuhë të ndryshme dhe të enjten në atë që zyrtarët thanë se ishte e para në SHBA – u shtua në listë edhe gjuha shqipe.

Janë 60,000 banorë me origjinë shqiptare që jetojnë në shtetin e Nju Jorkut, më shumë se çdo shtet tjetër, sipas një studimi të Qendrës së Harvardit për Zhvillimin Ndërkombëtar të vitit 2015.

Më shumë se gjysma banojnë në New York City, me enklavat më të mëdha që ndodhen në lagjet e tilla Bronksit si Pelham Parkway, Morris Park, Bedford Park dhe Belmont.

Shkolla “PS 105 Senator Abraham Bernstein School” në Morris Park do të jetë e para që do ofrojë gjuhën shqipe për të gjithë ata që duan ta mësojnë atë.

Kreu i këshillit te Bronksit Shqiptaro Amerikani Mark Gjonaj deklaroi se ishte krenar që kishte punuar për këtë projekt të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Nju Jork.

Drejtori i shkollës në Bronks, Christopher Eustace duke reaguar mbi programin në gjuhën shqipe theksoi se kishte vënë re shumë nxënës të cilët vinin në shkollë duke folur shqip. Për këtë arsye kishte nisur prej kohësh hulumtimet për të zbuluar mësuesit e mundshëm që do ta jepnin këtë gjuhë në shkollë.

Departamenti amerikan i arsimit do te hapë programe të reja mësimore në gjuhën arabe, bengale, kineze, frënge, italiane, koreane, polake, ruse, spanjolle dhe në urdu./konica.al

Kënga përfaqësuese e Finlandës në Eurovizion, sjellë “përbindëshat” në Gjuhën Shqipe

Përfaqësuesja e Finlandës në Eurovizion, Saara Aalto, ka publikuar një version të ri të këngës së saj “Monsters” më të cilën do të konkurrojë në këtë garë. Ajo ka sjellë këngën në 34 gjuhë, ku përfshihet edhe Gjuha Shqipe, shkruan KultPlus.

Kënga e cila fillon në Gjuhën Angleze ndryshon nga çasti në çast, duke sjellë kështu tekstin të copëzuar në 34 gjuhë.

Këngëtarja gjersa luan vet në piano sjellë fjalinë “Nuk dua të kapem pas këtyre përbindëshave”, në gjuhën shqipe në minutë 2:35. Ky version mund të konsiderohet si dëshmi që muzika nuk njeh gjuhë ajo thjeshtë ndjehet./ KultPlus.com

Shqipja, gjuha e pestë në Zvicër, pjesë e projektit artistik Zvicër-Kosovë

Grupi i poetëve dhe instrumentistëve zviceranë nga Berna «Bern ist überall» është “shndërruar” përkohësisht në «Kosovë is everywhere», pasi që në kuadër të një projekti i janë bashkuar edhe poetë instrumentistë nga Kosova. Pika fillestare e bashkëpunimit ka qenë shpërblimi për kulturë i Bashkisë së qytetit të Bernës 2015. Një pjesë të shpërblimit, grupi i autorëve i përbërë edhe nga Pedro Lenz dhe Guy Krneta, i ka investuar në këtë projekt. Me dekada të tëra, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Zvicrës janë përafruar, në ndërkohë që në Zvicër jetojnë një çerek milioni banorë me prejardhje nga Kosova. Gjuha shqipe llogaritet pothuajse si gjuha e pestë zyrtare në Zvicër, shkruan “Der Bund”, përcjellë Albinfo.ch.

Në kryeqendërn kosovare, në Prishtinë ishte huazuar një banesë dhe në pranverë të vitit të kaluar kanë filluar takimet dhe provat e para. Partner produksioni në Kosovë ka qenë Qendra-Multimedia, e cila menaxhohet nga dramaturgu, Jeton Neziraj. Në rolin e trajnerit të kombëtares, Jetoni ka bërë përzgjedhjen e artistëve, në mesin e të cilëve emra prominentë të radios dhe teatrit. Vjeshtën e kaluar, ata shfaqën disa paraqitje të përbashkëta në qytetet të ndryshëm të Kosovës.

Tani, projekti është nëpër turne zvicerane në forma dhe përbërje të ndryshme; në muajin maj do të dalë në dritë një audio CD. «Paraqitjet tona në Kosovë kanë funksionuar shumë mirë», ka pohuar dramaturgu zviceran Gerhard Meister, “gjithkund kishim një auditorium të vëmendshëm”. Kontributet e dialekteve ishin secila me titull në shqip, me shfaqjet në Zvicër do të jetë anasjelltas. “Por, në skenë janë gjithsej katër gjuhë,” thotë Meister. «Përveç dialektit do të interpretohen edhe në shqip, anglisht dhe frëngjisht”.

Gjatë paraqitjeve formohet një duet prej një muzicienti shqiptar dhe një zvicerani. “Kjo formë sjellë momente magjepse”, nënvizon Meister, duke theksuar se në këto eksperimente nuk ka pasur vështirësi. Humori i përbashkët ka mundësuar që të tejkalohen barrierat e projektit.

Teatri Schlachthaus, e mërkurë, 04 prill, ora20.30 Uhr. www.aprillen.ch

Gjuha shqipe 5000-vjeçare më e vjetra ndër gjuhët

Nga: Mili Butka

Origjina e gjuhës shqipe, është një nga çështjet më të diskutueshme në fushën e Albanologjisë. Çabej, në historinë e tij të gjuhës shqipe (1976c), argumenton se rrënjët e gjuhës shqipe duhet të gjendet në një nga gjuhët e lashta të Gadishullit Ballkanik.

Dy teoritë kryesore kanë qarkulluar në literaturën gjuhësore, në lidhje me shqiptarët. Gjuha: ajo që gjen rrënjët e gjuhës shqipe në gjuhën ilire dhe një tjetër, i cili i gjen ato në gjuhën thrakase.

Siç vëren Victor Friedman (1997), debate mbi origjinë trake kundrejt ilirëve, ka bazën e saj në prova serioze, dhe në çdo rast shqiptarët dhe gjuha e tyre janë:

1. Shqiptarët aktualisht jetojnë në disa nga territoret, të cilat ishin të banuara nga ilirët në kohët e lashta; nga ana tjetër, burimet historike nuk flasin çdo migrim shqiptar nga territoret e tjera në ato të tashme.

2. Një numër i elementeve gjuhësore siç janë emrat e gjërave, fiseve, njerëzve, etj, origjina ilire, shpjegohet në gjuhën shqipe.

3. Format toponimike të lashta nga territoret ilire, krahasuar me format korrespoduese të ditëve të sotme, tregojnë se ato kanë evoluar më pas modelet e krijuara nga rregullat fonetike të shqipes.

4. Marrëdhëniet midis gjuhës shqipe dhe Greqisë antike dhe latinit, sugjerojnë se gjuha shqipe mori formë dhe u zhvillua krah për krah me të, këto dy gjuhë fqinje në brigjet e detit Adriatik dhe Jon.

5. Gjetjet arkeologjike dhe trashëgimia kulturore (mit, muzika, kostume, etj), dëshmojnë për vazhdimësinë kulturore nga Ilirët e lashtë, deri në ditët e sotme shqiptarët./ KultPlus.com

Lika: Askush s’mund ta bllokojë zyrtarizimin e gjuhës shqipe

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Hazbi Lika, ka thënë se askush s’mund ta bllokojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve në këtë shtet, pjesë e të cilit është edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai i ka bërë thirrje presidentit Gjorge Ivanov të reflektojë ndaj ligjit që zyrtarizon gjuhën shqipe.

Lika ka thënë se, pavarësisht prej qëndrimit të presidentit, asnjë institucion tjetër në Maqedoni nuk mund ta pengojë fuqizimin e këtij ligji.

Ai ka bërë me dije se edhe nëse presidenti nuk e dekreton sipas procedurës këtë ligj, ai fuqizohet pa dekretim.

Zëvendëskryeministri Lika ka theksuar se Ligji për gjuhët ka qenë një nevojë dhe e drejtë e patjetërsueshme për shqiptarët e Maqedonisë

Thëniet më të bukura të Faik Konicës për gjuhën shqipe

E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).

Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).

Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane.

Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).

Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224)

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).

Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.

Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226)./ KultPlus.com

Në Ukrainë do të hapet Katedra e shqipes

Në Ukrainë do të krijohet Katedra Shqipe. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko gjatë vizitës në Ukrainë u takua me zv.ministrin e parë të Arsimit dhe Shkencës në Ukrainë, Kovtunets Vladimir Vitalievich.

Bisedimet prodhuan dy rezultate të veçanta; Krijimi i Katedrës Shqipe në Ukrainë dhe dakordësimi lidhur me bursat për studentët shqiptarë në nivelet Bachelor, Master dhe Phd, shkruan atsh.

Majko gjithashtu zhvilloi një takim me zv. kryeministren e Ukrainës, Ivanna Klympush-Tsintsadze

Gjatë takimit u vu theksi tek nxitja e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, dhe u fol gjithashtu për firmosjen e një marrëveshje për tregtinë e lirë. Majko e ftoi zv.kryeministren ukrainase në një vizitë në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Kiev, ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjithashtu vizitoi fshatin Karakurt në rajonin e Odesës ku u prit nga autoritetet rajonale e gjithashtu përfaqësuesit e diasporës shqiptare. Në këtë vizitë Ministri Majko shoqërohej nga Ambasadorja e Shqipërisë, Shpresa Kureta, në Ukrainë.

“Pas 300 vitesh duhet të vini në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin tuaj të origjinës, i cili është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar turistik”, tha Majko.

‘Gjaku nuk bëhet ujë’, tha më tej ministri i Shtetit, i cili premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.

Implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët të mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës.
Majko vizitoi edhe shkollën ku mësohet gjuha shqipe e gjithashtu Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës./ KultPlus.com

Gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë në Qeverinë e Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.

Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare, shkruan koha.net Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.
Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare./ KultPlus.com

Kongresi ndërkombëtar i popujve të lindjes, Jeronim De Rada: Gjuha shqipe është superiore ndaj çdo gjuhe klasike

Në dokumentin në gjuhën frënge « Actes du douzième Congrès international des orientalistes : Rome, 1899. Tome 1 », gjejmë një shkrim, në faqen n° 212, në lidhje me gjuhën shqipe sipas pikëpamjes së poetit dhe publicistit të njohur shqiptaro – arbëresh, Jeronim De Radës.

Të martën e 10 tetorit 1899, gjatë mëngjesit të seancës n° 7, një ndër figurat më të ndritura të kombit tonë ka trajtuar përpara të pranishmëve tetë argumente për gjuhën shqipe dhe veçantitë e saj.

Nga Aurenc Bebja

“Z. De Rada paraqet idetë e tij për atë që karakterizon gjuhën shqipe dhe monumentet e saj :

1.Gjuha shqipe është e përbërë nga fjalë njërrokëshe të cilat vënë në dukje aspekte të ndryshme të fushës. Me ndihmën e prapashtesave ose të ndryshimit të zanoreve në rrënjën njërrokëshe, gjuha shqipe ka mundësitë të formojë fjalët për një ligjërim.

2.Ka dy lakime ku njëri është i shquar; tjetri i pashquar. Tri janë gjinitë, ku ajo asnjanëse shpreh idetë e përgjithshme. Rasat janë shtatë.

3.Format e foljes janë tri : veprorja, joveprorja dhe mesorja; pesë mënyrat ; shtatë kohët.

4.Zanorja e ndryshueshme, si shtesë e prapashtesave morfologjike, ndryshon tonalitetin.

5.Për arsye të burimeve të saj fonetike, gjuha shqipe është superiore ndaj çdo gjuhe klasike.

6.Gjeografia, ashtu si dhe legjendat e kohës parahistorike helene dhe latine ruajnë fjalë shqiptare. Ishin Pellazgë, Trojanë, Frigianë, etj. Ishin Pellazgët që e themeluan Romën.

7.Zotat e paganizmit kanë të gjithë emra që rrjedhin nga rrënjët shqiptare. Është e qartë pra se për kultin e Perëndisë dhe natyrës duhet t’u referohemi Pellazgëve. Pas transformimit të zotit të vetëm në një perëndi shumëformëshe dhe antropomorfe ata ndoqën idhuj, të cilët kishin emra të përkryer shqiptarë, që shprehnin simbolet e tyre.

8.Në përfundim, Z. de Rada është i bindur se në gjuhën shqipe ka ende thesare të çmuara gjuhësore për shkencën dhe ai pret që të zbulohen shpejt.” (darsiani)

https://www.darsiani.com/la-gazette/rome-1899-jeronim-de-rada-ne-kongresin-nderkombetar-te-popujve-te-lindjes-gjuha-shqipe-eshte-superiore-ndaj-cdo-gjuhe-klasike-ne-te-ka-ende-thesare-te-cmuara-gjuhesore-per-shkencen/

T’u mësojmë shqipen fëmijëve të emigrantëve tanë

Nga Fran Gjoka

Emigracioni është një fenomen social me karakter ndërkombëtar. Edhe Shqipëria në këtë aspekt nuk bën përjashtim. Periudha e tranzicionit u shoqërua me një hemoragji të pandalshme të procesit të emigrimit në drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, sigurisë për të ardhmen dhe kualifikim arsimor të fëmijëve. Pra, emigrimi në përgjithësi dhe fëmijëve në veçanti, krahas të mirave mbart me vete edhe rrezikun e një fuzioni apo asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët dhe tek rinia shqiptare, që jeton aktualisht në emigrim. Faktet ekzistuese të një kombi përcaktohen në fund të fundit nga gjuha. Popullsia e një vendi, që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë e flet gjuhën e tij amtare, është i prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë bëhet më skeptik ndaj vetvetes. Është interesant fakti se gjuha ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Është interesant fakti se gjuha ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë vënë re edhe mjaft analogë, kur dëgjohet e folura e shumë vendeve të Europës, duke krahasuar me shqipen gjuha jonë ka një tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Pra, shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve Indo – Europiane, pra veçohet si një nga më të vjetrat në Europë dhe Ballkan. Është detyrë imperative e mësuesve atdhetar shqiptar për tu mësuar dhe shkruar gjithnjë shqipen brezave emigrues e shoqëruar me një përkushtim në hapjen e shkollave të reja. Shqiptarë të vërtetë ka plot, si ata që dërguan libra, hapën shkolla, hartuan programe, mësues që punojnë me devotshmëri vite me radhë jashtë Shqipërisë. Këtu më vjen në mend një thënie e një emigranti me banim në Itali: “Gjuha është e vetmja armë që vërteton se jemi shqiptarë”. Pra në këtë rast u bëjnë thirrje mësuesve atdhetarë, prindërve emigrant, që t’u mësojnë fëmijëve, si ta flasin dhe të shkruajnë pa ndërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për ta përdorur përgjithmonë të pastër. Historikisht mërgimtarët shqiptarë, kanë punuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’u mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë “që se tret dheu i huaj”, deri në ditët tona. Hemoragjia e pasviteve ’90 të shekullit të kaluar, tashmë të shpërngulur nga atdheu, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen, me djem e me vajza, ka detyruar mërgimtarët shqiptarë, këtej e matanë kufijve shtetërore, që t’iu përshtaten kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë eminent rreziku i humbjes së kulturave nacionale, pra, dhe të gjuhës nga breznitë e reja. Është për tu theksuar se tashmë për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare, nga mësues patriotë e pasionantë, të cilët, në të shumtën e rasteve e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi se përfshin hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë. Në përgjithësi, për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave, kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarët lokalë si në Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo. Greqi etj. Është pozitiv fakti, ku në shumë qytete në Amerikë, aty ku komunitetet shqiptare janë të organizuar janë ngritur dhe funksionojnë shkolla dhe kurse të gjuhës shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në Europë ka shembuj pozitivë si në Zvicer, Gjermani, Suedi, Itali etj, ku funksionojnë shkolla të mbajtura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetohet prej shqiptarëve. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave mbetet i qartë; fëmijët e mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim – lexim në gjuhën amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqipe, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve, si dhe artin, kulturën dhe traditat kombëtare. Rëndësi e veçantë, në këto shkolla shqipe, u kushtohet veprimtarive të lira jashtë klasës, si puna me librin etj. Në ekranet televizive kemi dëgjuar cicërimat e bukura e krenare të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e bukur shqipe, me tubime të tyre e të prindërve. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit, por nuk do të dëshiroja kurrë, që gjuha jonë të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjitha brezave që do të vijnë. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin e ku jetojnë, ekzistojnë. Ata pavarësisht nga mjedisi i huaj ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur gjuhën shqipe, askush nuk i pengon, të flasin vetëm shqip në familje, të komunikojnë me fëmijët e tyre vetëm përmes gjuhës amtare. Fjala vjen, të mos na duket vetja modern kur në çdo fundjavë me familjen kalojmë në njërin prej lokaleve angleze, italiane, gjermane, greke, të mos fyhemi nëse flasim në ambiente të tilla familjare në gjuhën shqipe.

Për shqiptarët emigrues, me gjithë përpjekjet për ruajtjen, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes. Fëmijet po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Ndaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e shqipes.

Në demokracinë gjermane, nuk gëzon respektin se i kujt je, për çfarë kontributi ke dhënë, prandaj për ne shqiptarët dhe brezat që kemi, modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është një model që duhet imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk duhet të pretendohet të gjendet një zgjidhje mrekulli, por të bëhet ajo që është e mundur që varet nga ne shqiptarët.

Ka vite që në Shqipëri vazhdon shpërndarja e një abetare mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet, duke përjashtuar disa të interesuar për këtë lloj të ri të shqipes duke pasur një interesim maksimal për këtë lloj të ri teksti të shqipes. U bënë vite që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë Shqipëri, për një shqipe standarde.Të dy akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapësirave e vendeve që flasin shqip, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm.

Shpresojmë se Këshilli ndërakademik do të merret si gjithnjë me vrojtimet dhe vlerësimet e politikës gjuhësore që shpresojmë se Këshilli ndërakademik do të merret me vrojtimet dhe vlerësimet e politikës gjuhësore. Emigracioni ndërkombëtar shqiptar është shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Belgjike, Francë, Sh. B. A, Kanada, Zvicër, Suedi, Austri etj. Janë më shumë se 1/3 e fëmijëve që jetojnë e mësojnë shqip në këto vende.

Me gjithë predispoziten e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës amtare ende ka probleme në këto vende. Për shembull kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të veçanta, që duhet ndërmerren dhe që kërkohet të mendohen nga organet Kombëtare, si në vendin tonë dhe në vendet e tjera, ku kërkohen të ngrihen këto shkolla. Nëse ne shqiptarët bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, që edhe shteti shqiptar të programojë diçka të frytshme, pra të organizojë dhe të drejtojë veprime drejt rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko – administrative që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar. Vetëm kështu u vijmë në ndihmë në ruajtjen e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. “Shkolla” e familjes mërgimtare për mësimin e gjuhës shqipe, kërkon veç të tjerave të mbështetet më mirë nga shkolla me mësues e programe shkencore. Me të drejtë preokupohemi për analfabetizmin, por ç ‘emër ti vëmë atyre dhjetra qindra fëmijëve shqiptarë, që ende vetëm se belbëzojnë në gjuhën shqipe pa lë të njohin historinë, kulturën, gjeografinë e traditat. Kësaj drame i duhet dhënë fund!

Shumë përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë në emigrim. Ata duhet të jenë aktiv e krijues në organizimin sa më efektiv të kurseve, shoqatave dhe shkollave për mësimin e gjuhës amtare.
Indiferentët dhe dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindësve tanë, historia do t’i dënojë, jeta përtej varrit do ti torturojë. Nga Bostoni i Amerikës Konica shprehej: “Erdhi më në fund dhe për gjuhë shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Me të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë, dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipe. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për ë tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd.!

Është i dyti shkrim problemor në llojin e tij që shtron nevojën e një impenjimi dhe vlerësimi më të madh nga prindërit mërgimtarë që të punohet maksimalisht me fëmijët e tyre për të folur e shkruar gjuhën tonë amtare shqipe. Vetëm kështu e mbajnë gjallë gjuhën shqipe tek fëmijët mërgimtarë duke ngulmuar më shumë se deri tani gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët mërgimtarë, duke ngulmuar më shumë se deri tani për të sotmen dhe të ardhmen e brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Vetëm kështu rritet krenaria e kombit tënd. / KultPlus.com

Në Shkup protestë kundër propozim-legjislacionit për gjuhën shqipe

Më se 100 vetë janë tubuar mbrëmë para Parlamentit të Maqedonisë për të protestuar kundër propozim-legjislacionit për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë, derisa ligjvënësit e kanë filluar debatin për këtë dokument.

Protesta ishte organizuar nga disa organizata nacionaliste të linjës së fortë, përfshirë Kongresin Botëror Maqedonas.
Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin “Tradhtia nuk është demokraci” dhe kërkuan që qeveria ta tërheq këtë propozim.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka premtuar miratimin e këtij legjislacioni kur e ka arritur marrëveshjen për koalicion qeveritar me partitë shqiptare, më herët këtë vit.

Legjislacioni aktual e definon shqipen si gjuhë zyrtare, por këtë status e ka vetëm në hapësirat ku shqiptarët e përbëjnë së paku 20% të popullatës.

Shqiptarët e përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, që i ka më tepër se dy milionë banorë./ KultPlus.com

Në Shkollat Fillore të Turqisë, gjuha shqipe si lëndë zgjedhore (VIDEO)

Në Shkollat Fillore të Turqisë, gjuha shqipe do të mësohet si lëndë zgjedhore, shkruan KultPlus.

Mediet turke kanë bërë të ditur se gjuha shqipe do të mund të mësohet në të gjitha Shkollat Fillore qysh nga klasa e pestë, përkatësisht në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët, ku familjet mund të kërkojnë për fëmijët e tyre që ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë zgjedhore. /KultPlus.com

37 vjetori i vdekjes së gjuhëtarit, Eqrem Çabej

Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet Doktor në filozofi. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë Hyrje në Indoevropianistikë, Studime etimologjike në fushën e shqipes, Hyrja në historinë e gjuhës shqipe, Fonetika historike e shqipes, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Meshari i Gjon Buzukut, etj.

Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit. Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.

Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Vdiq në Romë më 1980. Universiteti i Gjirokastrës mban emrin Eqrem Çabej./KultPlus.com