Në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës, do të mbahet takim me qytetarët dhe njëherit do të hapet një ekspozitë, ka njoftuar MKRS, përcjell KultPlus.
Takimi me qytetarët ka për synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet, në lagjen tuaj dhe në komunitetin tuaj.
Ekspozita e fotografive do të shpërfaqë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore në bazë të funksioneve të rëndësishme për kohën dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.
Takimi dhe ekspozita do të jenë të hapura për të gjithë, të hënën me 20 mars 2023, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës. / KultPlus.com