‘Legjitimohet’ përdorimi i termit ofendues ndaj shqiptarëve në Serbi, Konjufca: Kjo është ‘fqinjësi e mirë’

Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur nga Gjykata e Apelit në Beograd si i ligjshëm përdorimi i termit ofendues për shqiptarët, me ç ‘rast ka rënë poshtë padia e ngritur nga Shaip Kamberi ndaj ministrit të brendshëm Aleksandar Vulin, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar rëndë mbi këtë situatë, duke thënë se kjo aspak nuk ka të bëjë me fqinjësi të mirë.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë. Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë”, shkroi ai.

Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me polemika, kjo pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në një vizitë zyrtare në Shqipëri rreth Open Ballkan. /KultPlus.com

Glauk Konjufca: Ju tregoj sa përqind do t'i fitojë VV në zgjedhje – 06 Press

Gjykata Themelore e Mitrovicës gjobiti aktivistet për grafitet kundër dhunës ndaj grave, Gjykata e Apelit e anulon këtë vendim

Me nga 100 euro gjobë ishin dënuar aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, pas grafiteve Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg! ; Virgjiniteti është shpikje e burrave! ; Gruja nuk o rob i burrit! ; Gratë e kanë vendin kudo që dojnë! ‘; Trupi jem e drejta jem! ‘; Ai që të don, nuk të rreh!, por të njëjtin vendim e ka anuluar Gjykata e Apelit, shkruan KultPlus.

Për këtë vendim ka njoftuar vetë organizata, dhe më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje.

GJYKATA E APELIT ANULON AKTGJYKIMIN QË I CILËSOI SI TË TURPSHME GRAFITET E KOLEKTIVIT FEMINIST

Dje, me 13 dhjetor 2021, aktivistet/ët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist pranuan vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën u anulua aktgjykimi që u shqiptoi gjobë për kundërvajtje katër aktivisteve/ëve të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist të përfshirë/a në aksionin e grafiteve kundër shtypjes dhe dhunës ndaj grave.

Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg!

Virgjiniteti është shpikje e burrave!

Gruja nuk o rob i burrit!

Gratë e kanë vendin kudo që dojnë!

Trupi jem e drejta jem!

Ai që të don, nuk të rreh!

Këto grafite Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte cilësuar si të turpshme, duke i gjobitur secilin/ën veç e veç me nga 100 euro gjobë. Katër aktivistët/et, të përfaqësuar nga Avokatja Rina Kika parashtruan ankesë të përbashkët ndaj këtij vendimi duke e kontestuar ligjshmërinë e tij.

Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar ankesën e përbashkët të aktivistëve dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke kthyer kështu lëndën në rivendosje. Gjykata e Apelit ka kërkuar që Themelorja të vërtetojë se kush është ofenduar e turpëruar nga grafitet dhe të konstatojë nëse qëllimi i aktivistëve/eve ka qenë prishja e qetësisë publike.

Në ankesë mes tjerash theksohet: “Mbishkrimet feministe në Mitrovicë kanë pasur për qëllim të ngrisin vetëdijen shoqërore ta ndryshojnë mendësinë shtypëse ndaj grave e cila është shkaku rrënjësor i dhunës që e përjetojnë gratë për çdo ditë. Aktgjykimi i gjykatës që i cilëson si të turpshme këto mbishkrime është mohim i këtij problemi kaq të madh, për të cilin nuk flitet sa duhet.” Ndërkaq për sa i përket çështjes se kush mund të jetë ofenduar e turpëruar nga grafitet, në ankesë theksohet: “Ndoshta burrat që i mbyllin gratë në shpi, dhunuesit e grave, burrat që i konsiderojnë gratë rob, ata që mendojnë se i takon të përcaktojnë se ku e ka vendin gruaja si dhe ata që i rrahin gratë janë ndier të ofenduar dhe mbase edhe i kanë konsideruar si të turpshme këto mbishkrime. Por është krejtësisht absurde që një Gjykatë në Kosovë t’i konsiderojë këto mbishkrime të turpshme dhe ofenduese, t’i cilësojë si kundërvajtje dhe ta censurojë përmbajtjen e tyre me gjobë.”

Vendimi i Gjykatës së Apelit që ka aprovuar si të bazuar këtë ankesë, dëshmoi se aktgjykimi i Themelores i bazuar në vlerësimin e grafiteve nga Policia si “të turpshme” si cak të vetëm kishte disiplinimin e aktivitetit feminist. Andaj, ne si aktiviste/ë feministe/ë do ta vazhdojmë rezistencën tonë të përbashkët në kundërshtim të dhunës dhe shtypjes ndaj vajzave dhe grave dhe identiteteve tjera të paprivilegjuara në vend dhe kudo tjetër./ KultPlus.com

100 vjet burg për vrasjen e gazetarit serb, Sllavko Quruvija

Me 100 vjet burgim në total, janë dënuar ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija.

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale të Serbisë, më 2 dhjetor, në procesin e përsëritur shpalli dënime për katër ish-pjesëtarët e këtij shërbimi. Më nga 30 vjet burgim janë dënuar, Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq. Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan më nga 20 vjet burgim.

Pas shpalljes së vendimit, palët mund të ankohen, por Gjykata e Apelit këtë vendim mundet vetëm ta konfirmojë ose anulojë. Rigjykimi në këtë rast nuk është më i mundur.

Shpallja e vendimit në rastin e vrasjes së gazetarit të shquar serb, ndodhi plot 22 vjet pas vrasjes së tij. Hetimet rreth vrasjes së gazetarit dhe publicistit, Quruvija filluan në vitin 2001, në kohën kur kryeministër i Serbisë ishte, Zoran Gjingjiq.

Gjykimi i parë në këtë rast kishte filluar në qershor të 2015-s.

Vendimi paraprak për grupin e SDB-së

Vendimin paraprak në rastin e vrasjes së gazetarit, Sllavko Quruvija, Gjykata e Apelit e kishte ndërprerë më 7 shtator 2020. Bazuar në atë vendim, ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB), Radomir Markoviq u dënua më 30 vjet burgim, si dhe shefi i dikurshëm i qendrës së Beogradit të Sigurimit Shtetwror, Millan Radonjiq. Më nga 20 vjet burgim ishin dënuar Romiq dhe Kurak.

Mirosllav Kurak madje ndodhët në arrati dhe nuk është i qasshëm për organet e rendit.

Megjithatë nga Gjykata e Apelit njoftuan se vendimi i shkallës së parë për vrasjen e Quruvijas do të kthehet në rigjykim krahas sqarimit se me futjen e personit ‘NN’ në aktakuzë, si kryes i vrasjes, është ndryshuar gjendja faktike që qëndronte në aktakuzë.

Kush ishte Sllavko Quruvija?

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Pasi që u largua nga pozita e kryeredaktorit të gazetës shtetërore “Borba” (Beteja) themeloi “Nedeljni Telegraf” (Telegrafin Javor) në fillim të vitit 1996 dhe gazetën e parë të pavarur në Serbi, “Dnevni telegraf” (Telegrafin Ditor) e më pas edhe gazetën javore, “Evropljanin”, (Evropiani).

Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Sipas ligjit të posaçëm për media, gazeta e tij “Dnevni Telegraf” (Telegrafi Ditor) krahas edhe disa mediave të tjera u ndalua së publikuari më 14 tetor 1998 por më pas filloi të shtypet në Mal të Zi dhe distribuohej në Serbi nëpërmes një rrjeti të botuesve.

Si ishte vrarë Quruvija?

Bazuar në aktakuzën, dy burra të maskuar e kanë vrarë atë në qendër të Beogradit, para banesës në të cilën banonte derisa ishte bashkë me partneren e tij, Branka Prpa. Në aktakuzë thuhet se njëri prej të akuzuarve, Mirosllav Kurak i cili ndodhët në arrati gjuajti me breshëri plumbash drejt tij nga distanca prej një metri e gjysmë, e më pas Quruvija u rrëzua. Sulmuesi i ishte afruar sërish duke gjuajtur pastaj me armë nga afërsia.

Gjatë sulmit ndaj gazetarit u plagos edhe Branka Prpa të cilën sipas aktakuzës , Ratko Romiq e goditi me revole në kokë që të mos i shihte vrasësit e Quruvijas.

Universiteti i Kolumbisë për rastin e Quruvijas

Në tetor të 2020-s, Universiteti i Kolumbisë kishte publikuar një analizë të rastit të vrasjes së Quruvijas në të cilën qëndron se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë ishte historik ngase ishte hera e parë që dikush mbahej përgjegjës për vrasjen e gazetarit.

Megjithatë në Serbi në 25 vjetët e fundit janë vrarë tre gazetarë përfshirë Quruvijan. Asnjë rast nuk është zgjidhur, shkruan në studim. Krahas Quruvijas, ishin vrarë edhe Dade Vujasinoviq e cila u gjet e vdekur më 8 prill 1994 në banesën e saj në Beograd dhe Millan Pantiq i vrarë më 11 qershor 2001 në qytetin e Jagodinës. / KultPlus.com