Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon seancën dëgjimore për Ukrainën, Rusia refuzon të marrë pjesë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar seancën dëgjimore ku Ukraina paraqet argumentet e saj verbale kundër Rusisë. Ukraina i ka kërkuar gjykatës të marrë masa paraprake duke e urdhëruar Rusinë të ndalë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend. Rusia ka vendosur të mos përfaqësohet me juristët e saj në këtë seancë të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Me mospjesëmarrjen e saj, Rusia kritikoi kështu zhvillimin e një seance dëgjimore në gjykatën më të lartë të OKB-së për të shqyrtuar kërkesën e Kievit për të ndalur sulmin shkatërrimtar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Gjykata mblidhet sot për të dëgjuar argumentet verbale të Ukrainës mbi kërkesën e saj për vendosje të masave paraprake në çështjen për akuzat e gjenocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit. Ukraina kundër Federatës Ruse”, tha presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatësja amerikane Joan E. Donoghue.

Megjithatë, një radhë karrigesh të rezervuara për juristët rusë qëndronin bosh. Gjykata shprehu keqardhjen për mosparaqitjen e Federatës Ruse gjatë këtyre punimeve.

Seanca dëgjimore vazhdoi sidoqoftë pa pjesëmarrjen e delegacionit rus. Procesi në Pallatin e Paqes të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të zgjasë dy ditë, gjatë të cilave Ukraina paraqet argumentet e saj verbale të hënën dhe Rusia ka mundësinë të përgjigjet të martën.

“Ukraina i kërkon gjykatës vendosjen e masës paraprake: Federata Ruse të ndalë menjëherë operacionet ushtarake të filluara më 24 shkurt 2022… Federata Ruse duhet të shmangë çdo veprim dhe të ofrojë të gjitha garancitë se nuk do të ndërmerren veprime që mund të rëndojnë apo zgjasin mosmarrëveshjen në thelb të kësaj çështjeje, ose që mund ta bëjnë mosmarrëveshjen më të vështirë për t’u zgjidhur”,¸lexoi sekretari i gjykatës pasazhe nga kërkesa e paraqitur nga Ukraina.

Një vendim pritet të merret brenda disa ditësh, megjithëse do të mbetet për t’u parë nëse Rusia do të zbatonte urdhrin që mund të japë gjykata. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme dhe përgjithësisht vendet i zbatojnë ato. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është gjykata më e lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve. Megjithëse një çështje mund të vazhdojë me vite, gjykata ka procedura të përshpejtuara për zbatimin e masave paraprake për të parandaluar një përkeqësim të situatës. /Express/ KultPlus.com