Sanja Iveković shpalos arkivin personal në “Shtëpia e Grave”: Kurrë nuk kam takuar njerëz kaq entuziastë si në Prishtinë

Era Berisha

Mbrëmë Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur “Shtëpia e Grave”, ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković. E ndarë në dy pjesë, ku njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj me ç’rast përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore të bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago. Këto dy kuratore kanë bashkuar fuqitë e tyre për të prezantuar një arkiv që të rrëmben brenda një rotacioni të bukur ekspozimi, shkruan KultPlus. 

Pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, artistja Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist. Ajo ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb në vitin 1970, kur nisi t’i ekspozonte veprat e saj. Ka ekspozuar punën e saj në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare (Bienalen e Parisit, Bienalen e Sao Paolo, Manifesta, Documenta, Bienalen e Liverpoolit, Bienalen e Stambollit, Bienalen e Pragës dhe të tjera), dhe video-veprat dhe video instalimet e saj janë shfaqur në festivale të shumta ndërkombëtare të videove (Ljubljanë, Berlin, Gjenevë, Paris, Montreal, Los Anxhelos, Lokarno, Tokio, Hagë, Osnabrück, Bon, Dessau, etj). Kurse, mbrëmë të pranishmit kanë pasur rastin që ta njohin nga afër punën e vetë artistes, e ndoshta edhe më mirë se që e njeh ajo veten, gjë të cilën e ka potencuar edhe gjatë hapjes së ekspozitës mbrëmë në Prishtinë. 

Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës që nisi në orën 19:00, drejtorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani-Berisha e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje shprehi kënaqësinë e saj që artistja Sanja Iveković po ekspozon në Prishtinë. 

“Sonte kemi kënaqësinë ta hapim ekspozitën e artistes së njohur ndërkombëtare Sanja Iveković, kuruar nga Ivana Bago dhe Hana Halilaj. Nuk ka qenë aspak e lehtë për me e sjellë Sanjën këtu, duk e ditë agjendën e saj, mirëpo me mbështetjen e bordit të Galerisë Kombëtare dhe me insistimin e Hanës, kemi arritur me e sjellë dhe jemi shumë të lumtur që po e hapim këtë ekspozitë me të cilën do të ndaheni shumë të kënaqur”, thotë ajo. 

Hana Halilaj, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se janë rreth pesëdhjetë vite karrierë të artistes Sanja që janë prezantuar brenda ekspozitës, e njëra ndër to që shpaloset për herë të parë është vepra “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë. 

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në këtë ditë të ftohtë. Kemi kënaqësinë të prezantojmë ekspozitën ‘Shtëpia e grave’ nga Sanja Iveković, e cila ndahet dhe prezanton dy qasje të ndryshme. Një pjesë e kuruar nga unë në pjesën e poshtme të Galerisë dhe pjesa tjetër në katin e sipërm vjen e kuruar nga Ivana. Ekspozita prezanton rreth pesëdhjetë vite karrierë praktike të Sanjës dhe shqyrton në mënyrë feministe, marrëdhëniet gjinore, politikat dhe pabarazitë gjinore. Qysh nga periudha jugosllave e pastaj në trazincionin post-socialist, ekspozita prezanton disa nga veprat që vijnë për herë të parë si “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë, kur ka qenë edhe për herë të fundit në Kosovë. Kemi nderin që të prezantojmë veprën e saj, njëzetë vite më vonë në Galerinë Kombëtare.”   

Ivana Bago, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se ekspozita vjen si një histori për artisten Sanja dhe veprën e saj, por edhe si një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi. 

“Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe dua të filloj duke falënderuar Hanën që më ftoi të bëj këtë ekspozitë këtu. Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit tim të gjatë me Sanjën dhe hulumtimit tim mbi punën e saj, hulumtimit të arkivit të saj personal. Këtë ekspozitë e prezantuam në Zagreb vitin e kaluar, si pjesë e retrospektivës së Sanjës në Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe jam shumë e lumtur që Prishtina është lokacioni i dytë ku u prezantuam së bashku me ekspozitën e Hanës. Mendoj se është shumë gjë e bukur, sepse ekspozita ofron dy këndvështrime të ndryshme mbi veprën e Sanjës, nga dy historiane arti. Ekspozita përqendrohet në periudhën e viteve shtatëdhjetë, duke bashkuar veprat e Sanjës dhe brenda do të gjeni fotografi, gazeta, artikuj, shënime të Sanjës, libra, katalogë. Ekspozita tregon historinë e studimeve të Sanjës në Akademi, zhvillimin e saj si artiste pamore, udhëtimet e saj nëpër botë. Pra, është një histori për Sanjën dhe veprën e saj, por edhe një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi. Një gjë që e lidh Zagrebin me Prishtinën, e kam gjetur në hulumtimet e mia për periudhën e viteve shtatëdhjetë, por nuk do të them se çfarë është. Fatkeqësisht, në atë kohë nuk kishte shumë lidhje Zagrebi me Prishtinën, të paktën jo për sa i përket skenës artistike që Sanja ishte pjesë. Ka qenë një kënaqësi për të vendosur këtë ekspozitë këtu. Të gjithë punonin aq shumë dhe të gjithë ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës. Është vënë një energji e mirë në këtë ekspozitë.” 

Sanja Iveković, artistja që hapi ekspozitën vetanake, nuk e zgjati shumë, mirëpo gjeti kohën që në gjuhën shqipe t’i lexoj dhe falënderoj gjithsecilin që ka punuar për këtë ekspozitë. Ajo e vlerësoi lartë punën e secilit prej tyre. 

“Dua ta mbaj shkurt. Nuk do të flas për ekspozitën sepse do ta shihni. Ishte një përvojë jashtëzakonisht e bukur dhe shumë emocionuese për mua. Unë kam udhëtuar shumë nëpër botë dhe kam një retrospektivë të tërë, por kurrë nuk kam takuar njerëz që janë kaq entuziastë, kaq të këndshëm, kaq të dobishëm si këta në Prishtinë.” 

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit që ishin në një numër të madh me padurim po hynin brenda dalëngadalë. Sytë e tyre patën shumëçka për të parë. Fotomontazh në pllakë, printim me ngjyra kromogjene, printim dixhital të biografive të heroinave partizane që ishin pjesë e Frontit Antifashist të Grave të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, performancë/fotografi e një aksioni që zhvillohet në ditën e vizitës së presidentit Tito në Zagreb, video me ngjyrë e zë që shfaq vetë artisten teksa aplikon grimin në fytyrën e saj për të shfaqur një motiv përsëritës, skica lapsi që kritikojnë premtimet boshe politike, kallëpe gipsi të fytyrave në stenda metalike, video tjetër me ngjyrë e zë që artistja shpalos nëpërmjet një xhirimi të masazhit të fytyrës për të treguar të pathënat e standardeve të bukurisë pastaj edhe print dixhital të posterave të reklamave të modës mbi të cilat janë biografitë e disa grave që i kanë mbijetuar abuzimit në familje. 

Ekspozita “Shtëpia e Grave” ballafaqon audiencën me një serë montazhe, imazhe, tekste, fotografi personale, letra, postere ekspozitash, faqe të revistave, video-dokumentime, libra të artistëve. Pra, është parë e shpalosur e gjithë jeta e Sanja Iveković, artistja e cila vjen me një qasje eksperimentale dhe shumë të larmishme, duke shpalosur kështu detaje nga arkivi personal i saj që shfaqin realitete historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar. 

Një nga pjesët më të bukura e të ndjeshme të ekspozitës qe nxjerrja nga arkivi i transkriptimit të një letre që ishte e shkruar nga artistja Sanja Iveković për babin e saj (Hrvoje Iveković), më 1 nëntor të vitit 1978. 

“I dashur baba, 

E mora letrën tënde në Toronto, por fatkeqësisht ritmi i jetës ka ndryshuar dhe është përshpejtuar aq shumë, saqë rrallëherë po gjejmë kohë për të shkruar. Tash që jemi rehatuar aq sa kemi mundur në këtë vend, nis periudha e punës për programin tonë të ekspozitave e cila është shumë kërkuese. Me shumë gjasë deri në shkurt do të na ndryshohen dhe thellohen ndjeshëm përshtypjet tona për këtë vend, por me siguri gjashtë muaj nuk do të jenë të mjaftueshëm për ta kuptuar vërtetë këtë kulturë tjetër, e cila ka (ose më saktë, thuajse nuk ka) histori tjetër. Ajo që vazhdon të jetë fakti më “i pakuptueshëm” për çdo europian është sigurisht raporti me përmasat e këtij vendi, i cili është më i madh se Europa jonë e shkretë. Idenë e hapësirës, që ne zakonisht e konceptojmë si diçka të kufizuar, thjesht nuk ekziston këtu në të njëjtin kuptim të fjalës. Një vend po aq i madh sa Europa, e me një popullsi që barazohet me atë të Jugosllavisë, është më shumë një “vend” sesa një shtet, më shumë një term gjeografik sesa kombëtar. E shijuam shumë udhëtimin tonë me autobus prej bregut lindor (Toronto) deri te bregu perëndimor, në Vancouver, që zgjati plot tri ditë e tri net. (Fatkeqësisht, nuk është mënyra më komode për të udhëtuar, por neve po na duhet të kursejmë para, andaj ishte e vetmja mundësi e mundshme). Tash që kemi qenë në V. për një javë, po arrijmë t’i dallojmë mentalitetet dhe zakonet që janë krejt të ndryshme prej “një bregu” në tjetrin. Ashtu si klima që është krejt e ndryshme, edhe V. dhe Toronto janë dy botë të ndryshme. Një krahasim që duket dhe që përshtatet në një farë mase, për shembull, është midis Zagrebit dhe Splitit. Teks T. është një qytet tipik kontinental, njerëzit janë mjaftë introvertë, qyteti është dukshëm i mbushur me kapital që ndihmon zhvillimin e biznesit, kështu që luksin e sheh kudo (edhe pse ka zona më të varfëra ku jetojnë kryesisht emigrantët), V. është një port tipik në det me të gjitha anët e mira dhe të këqija të një qytet porti. Njerëzit këtu janë më të hapur, më të shoqërueshëm dhe ritmi i jetës është shumë më i ngadalshëm. Pamjet e trishta të grave dhe burrave të dehur, indianëve të droguar dhe mjerimin e vërtetë nuk e gjen në T. Nga ana tjetër, ja nisëm vërtetë ta shijonim natyrën e bukur – megjithëse mund të themi që kemi gjithçka, këtu kjo farë “gjithçkaje” vjen në sasi të kufizuara dhe vetmia e peizazhit (qoftë kodra apo stepa) është frikshëm madhështore. Sa i përket banimit dhe mikpritjes, të rinjtë me të cilët kemi kontakte janë më shumë se të përzemërt. Kjo është ndoshta një nga të paktat vende ku një i huaj (përfshirë edhe neve) nuk ka pse dhe nuk ndihet si i huaj, sepse banorët e këtij vendi janë vetë të huaj. 

             Shumica dërrmuese e banorëve të V. janë vetëm emigrantë të gjeneratës së dytë. Anglishtja jonë nuk është fare më e dobët se e tyrja, kështu që na ka ndodhur disa herë që na kanë pyetur nga cila pjesë e Amerikës jemi. Sa i përket artit tonë, kemi pasur ftesa të jashtëzakonisht të përzemërta poashtu, kështu që nganjëherë pothuajse po ndihemi sikur këtu e vlerësojnë punën tonë më shumë se në vendlindje (“Nemo prohpeta…”). Përvec faktit që, sipër përllogaritjeve aktuale, do të kemi rreth 10 performanca (këtu nuk po i llogarisim ligjëratat në kolegje dhe universitete), gjë që është edhe sfidë e madhe po dhe një mundësi për në për të punuar (gjë që nuk mundemi ta bëjmë në shtëpi sepse na duhet ta fitojmë bukën e gojës), dhe që paguhet (75-100 për një ekspozitë apo ligjëratë). Në të njëjtën kohë, po kemi në dispozicion të gjithë pajisjet (video, etj.), dhe lloj-lloj pajisjesh që rrallëherë mund t’i gjejmë në ndonjë institucion në Europë. Nga ana tjetër, po shihet që mungesa e historisë (përfshirë historinë e artit) ndihet në mungesën e artit vërtet të rëndësishëm, si dhe të artistëve të mëdhenj. Në këtë fushë, mund të themi se kemi pasur dhe vazhdojmë të frekuentojmë mendje shumë më të mëdha të nivelit botëror. Me shumë gjasa, ekziston një raport krejtësisht i ndryshëm për gjërat në fushën e shkencës, ku paratë dhe kushtet e punës kanë rëndësi të madhe, dhe “qëllimet” janë shumë më të qarta. Por në fushën e artit, pasuria dhe standardet e larta nuk janë garanci për cilësinë e ideve, madje, shpesh, mundësitë e mëdha dhe lira e zgjedhjes shpesh dalin si elemente kundërproduktive. Edhe pse Kanadaja ka një sistem disi të ndryshëm nga SHBA dhe më shumë para investohen në kulturë (inkurajohen degë të ndryshme që eksperimentojnë me paranë shtetërore), i gjithë sistemi, kësisoj edhe kultura, bazohet në një kuptim tipik amerikan të artit – si show business. Kjo do të thotë që qëllimi i padiskutueshëm i artistëve është ta argëtojnë publikun dhe të jenë interpretues të mirë në skenë (qoftë ajo skenë politike, teatri, ose muzeu/galeria – ose një festë private). E kjo, sigurisht, lidhet me një mungesë të plotë të ndërgjegjësimit politik dhe një nivel të lartë injorance. Standardet europiane, sipas të cilave një shkencëtar, shkrimtar, apo artist i madh është (kryesisht) edhe një element progresiv i shoqërisë, thjesht nuk janë vlera të pranueshme këtu. Ose, më saktë, një qëndrim i tillë dekurajohet në të gjitha mënyrat e mundshme (përmes medias, mjeteve të propagandës, etj.), sepse shtylla kryesore e shoqërisë, në fund të fundit, janë paratë. Ndoshta po më kupton, nuk mund të them që jam plot entuziazëm për këtë botë të madhe, ashtu siç nuk mund të them që jam e zhgënjyer nga ajo që kam parë dhe përjetuar këtu. Sigurisht, për këdo që është thjesht duke udhëtuar nëpër një vend (dhe që gjithashtu pritet ngrohtësisht nga ai vend), është gjithmonë më e lehtë të marrësh pozicionin e një gjykuesi objektiv dhe të “dashurosh dhe urresh pa vuajtur”. Në të vërtetë, duket se pozicioni më ideal për çdo të ri do të ishte – të jetë i huaj në çdo vend. Më duket se në atë rast do të fillonim të mendonim shumë për atë që jemi si njerëz dhe më pak për veten tonë si banorë të ndonjë zone të globit. Shpresoj arrin t’i kuptosh gjërat për të cilat të shkruajta në këtë mëngjes me shi në Vancouver. Më shkruaj në adresën e V. Me shumë gjasa do të jemi këtu deri më 15 dhjetor, dhe pastaj do të vazhdojmë në San Francisco dhe ndoshta në Los Angeles, pastaj përsëri në Toronto, më pas Montreal etj. 

Të dua, S. 

P.S Pasi ta lexosh këtë letër, ndaje edhe me familjen Martinis… ose te Nëna, sepse e di që lajmet nga ne priten me padurim dhe koha është e shkurtër… Marta të përshëndet.”

“Pikëtakimet: Dokumente në Krijim e Sipër, 1968–1982” (fillimisht prezantuar në Zagreb në vitin 2023) kuruar nga Ivana Bago dhe “Përkohësitë e Shpresës” kuruar nga Hana Halilaj, përthekojnë trashëgiminë fuqizuese të artistes Iveković dhe njëkohësisht synohet që të përdoren si frymëzime në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj. Ndërlidhja e punës së tyre ka ardhur nën titullin “Shtëpia e Grave”, që mbrëmë u shpalos krejt këndshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës. 

Ekspozita “Shtëpia e Grave” është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Partnerë: MSU Zagreb, Rijeka MSU, MFA. Po ashtu, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar të vitit 2025./ KultPlus.com 

Kryeministri Kurti viziton ekspozitën e artistit Gjelosh Gjokaj në GKK

Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, kanë vizituar sot Galerinë Kombëtare të Kosovës për të parë nga afër ekspozitën retrospektivë të artistit të ndjerë Gjelosh Gjokaj “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.

Në ekspozitë janë të përfshira vepra nga e gjithë krijimtaria artistike e Gjelosh Gjokajt dhe përbëhet nga dy koleksione të artit. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit nga Sead Gjokajt, kushëririt të tij nga Podgorica, dhe 18 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita që po vizitohet çdo ditë edhe nga artdashës, është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe është e hapur për publikun deri më 7 korrik.

Nesër në GKK zhvillohet bisedë dhe punëtori me artistin Gani Riza

Të mërkurën, më 13 mars, në orën 17:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovë zhvillohet bisedë dhe punëtori me artistin Gani Riza mbi qëndisjen dhe teknikat e ndryshme të saj.

Mos humbni këtë mundësi për të marrë informata rreth procesit të tij kreativ dhe për të mësuar nga ekspertiza e tij në artin e tekstilit!

I lindur dhe rritur në Paris me rrënjët në Gjakovë, përvoja e tij ka formuar një perspektivë të veçantë mbi lidhjen e traditës dhe inovacionit në artin e tekstilit. / KultPlus.com

Ekspozita kolektive “Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale Në Tekstil”, vjen në GKK

“Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale Në Tekstil“, e kuruar nga Inka Gressel, Susanne Weiß dhe Hana Halilaj do të hapet të enjten, 29 shkurt në ora 19:00.

Në qendër të ekspozitës të quajtur “Ngjarja e Një Fijeje. Narrativat Globale në Tekstil”, janë tekstilet ku fokusi qëndron në pyetjet si: Çfarë kuptime dhe porosi të qenësishme mund të gjenden në pëlhura? Cila është rëndësia e tyre kulturore? Si mund të ‘lexohen’ tekstilet? Çfarë mund të na tregojnë pëlhurat për origjinën, kuptimin dhe rolet e tyre në shoqëri? Cilat teknika tradicionale të tekstilit kanë përvetësuar, përhumbur, zhvendosur dhe rikthyer në jetë artistët? Tekstilet formojnë vendin ku arti takohet me artizanatin, traditat takohen me ditët e sotme dhe njohuritë lokale kryqëzohen me marrëdhëniet globale.

Ekspozita nxjerr në pah shumë mënyra komplekse në të cilat artistët pjesëmarrës punojnë me tekstile. Ato i lidhin narrativat personale dhe estetike me konfigurimin social dhe ekonomik të botës së globalizuar.

Në vitin 1965, artistja e Bauhaus, Anni Albers e përshkroi “ngjarjen e një fijeje” si diçka shumëlineare, pa fillim apo fund: më gjerësisht, ajo nënkupton fushëveprim të vazhdueshëm për të rivlerësuar marrëdhëniet dhe për të ristrukturuar lidhjet dhe kontekstet.

Në të gjitha pjesët e botës mund të dëshmohen mbishkrimet komplekse të tekstileve nëpër historitë e tyre kulturore dhe industriale.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, kjo ekspozitë udhëtuese fillon me thurjen e ndërlikuar të narrativave nga globi dhe inicion dialogje të reja në kontekstin lokal. Historitë janë të thurura me shkathtësi në pëlhura dhe tekstile skulpturore, duke theksuar natyrën dinamike dhe të gjithanshme të fibrave.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 28 prill, 2024. / KultPlus.com

Në GKK vjen ekspozita personale e artistit Dardan Zhegrova ‘Brand New Ancients’

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita personale e artistit Dardan Zhegrova, me titull “Brand New Ancients”, e kuruar nga Cathrin Mayer, shkruan KultPlus.

E vendosur në katin përdhesë të Galerisë Kombëtare të Kosovës, kjo ekspozitë do të shpaloset në katër kapituj.

Zhegrova, nga puna paraprake si gazetar e më pas artist autodidakt, eksploron tema të fëmijërisë duke përdorur instalacione tekstilesh, tingujsh e skulpturash që krijojnë skenografi dinamike teatrale.

Ekspozita do të hapet nesër më datën 7 dhjetor në ora 19:00 në GKK./KultPlus.com

Palimpsestet e Historisë: Promovim libri dhe panel diskutimi në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se më datë 9 nëntor do të bëhet promovimi i librave “Belbëzimet e Universalitetit” dhe “Limitet e Reprezentimit”, me autorë Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada, përcjell KultPlus.

Paneli i diskutimit në mes të autorëve dhe filozofit e teoricientit Shkëlzen Maliqi do të nisë në orën 18.00 – 19.00.

Ngjarja do të jetë e hapur për të gjithë pas diskutimit, në orën 19.00, ku në katin e dytë të galerisë do të mund të shihni të prezantuara një seri posterash silkscreen së bashku me shkëputje nga filmat që kryejnë funksionin e fotografive të çastit të historisë.

Palimpsestet e Historisë trajton reprezentimet filmike të Kosovës gjatë rënies së Jugosllavisë — të nacionalizmit, aparteidit, kryengritjeve, luftërave klasore dhe dhunës shtetërore. Projekti distilon rrëfimin e tij nga imazhet e viteve 1980-a, një kohë kur po lindnin kriza të shumta politike të ndërthurura me trazira sociale dhe po ndodhte komodifikimi i gjerë i formave kulturore. Qëllimi i projektit është ta përfytyrojë këtë histori përmes boshllëqeve të saj dhe t’i vë ato në lëvizje.

Ekspozita e trajton filmin si një mjet kërkimor me kapacitet për t’i zbuluar palimpsestet vizuale të kësaj periudhe historike. / KultPlus.com

Nesër hapet në GKK ekspozita e parë retrospektive e artistes Lumturi Blloshmi

“Lumturi Blloshmi. Nga e para” është ekspozita e parë retrospektivë e artistes Lumturi Blloshmi (1944–2020) në Kosovë dhe gjithashtu ekspozita pasuese e prezantimit të saj të suksesshëm në Bienalen e 59-të Venecias si pjesë e pavijonit shqiptar në vitin 2022.

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpres këtë retrospektiv të zgjeruar që përfshin një pjesë domethënëse të krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore. Ekspozita synon të prezantojë dhe ri-pozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet ’60-të deri në vitet ‘2000-jë, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan.

Si pothuajse të gjithë artistët e brezit të saj, Lumturi Blloshmi pikturoi deri në fund të viteve ‘80-të e kufizuar nga metoda e realizmit socialist. Megjithatë, pas viteve ’90 ajo ishte një nga të paktët artistë të brezit të saj që arriti të ripozicionojë dhe transformojë me sukses veten dhe veprën e saj deri në fund të jetës. Veprat e Lumturi Blloshmit në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë karakterizohen nga ironia dhe reflektojnë e tejkalojnë realitetit në të cilin ajo Komunikatë për media Prishtinë, 22 gusht, 2023 jetoi. Personaliteti i saj dinamik i ushqyer nga filozofia, poezia, ndjesorja dhe shpirtërorja, i kanë dhënë formë një veprimtarie artistike tejet unike.

Duke prezantuar vepra të paekspozuara më parë, ekspozita ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore dhe metamorfozën idividuale të Blloshmit. Paraqitja e ekspozitës gjurmon trajektoren e saj artistike në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah temat kryesore: kontekstin individual përmes përvojave personale të Blloshmit që janë bërë frymëzimi kryesor për autoportretet e shumta; kontekstin shqiptar të cilin ajo e analizoi, komentoi dhe e përcolli sistematikisht qoftë përmes peizazheve të viteve ‘1980, Eksodit të viteve ‘1990 apo tranzicionit politik të viteve ‘2000; dhe në fund konteksti universal si një interesim për aspektet filozofike dhe shpirtërore të cilat i trajtojnë veprat e viteve të fundit. Kontekstet që ushqyen praktikën e saj artistike zbulojnë gjithashtu sesi Blloshmi nëpërmjet imagjinatës dhe eksperimetimit, rikrijon në vazhdimësi figurën në mediume të ndryshme për të sjellë atë që ajo e quan “një univers të veçantë e të prekshëm”. Praktika artistike mbresëlënëse, biografia e jashtëzakonshme dhe personaliteti i fuqishëm e bëjnë Blloshmin një vlerë unike dhe shenjuese për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar. Për shkak të disa kufizimeve (e shurdhër që në moshën pesë vjeçare, e shtypur nga regjimi komunist për arsye politike, grua në një fushë të dominuar nga meshkujt) nuk ju dha vlersimi i merituar gjatë jetës së saj.

Ekspozita synon të hedhë dritë mbi veprën dhe jetën e saj, të cilat ende nuk janë hulumtuar, shfaqur dhe kontekstualizuar plotësisht.

Kuruar nga Adela Demetja, hapja e ekspozitës bëhet ditën e premte, 01 shtator, prej orës 19:00 deri 21:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Biografi

Lumturi Blloshmi (1944–2020) lindi dhe jetoi në Tiranë. Babai i Blloshimit ishte oficer i Qeverisë së Mbretit Zog I dhe u ekzekutua nga komunistët kur Lumturia ishte vetëm dy muajshe. Kur ishte pesë vjeç ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit. Blloshmi u diplomua në Degën e Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968. Në vitin 1973 bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve por nga viti 1974 deri në 1984 i hiqet leja krijuese duke mos e lejuar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese. Pas diplomimit Blloshmi punoi si puntore offseti në shtypshkronjën Mihal Duri; më pas punoi si redaktore dhe ilustruese në shtëpinë botuese të librit shkollor deri në vitin 1989. Deri në vitin 2004 punoi në disa institucione, ndër të cilat në Galerintë Kombëtare e Arteve dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

Ekspozitën e saj të parë vetjake ajo e çeli në vitin 1988 në Berat. Pas viteve ’90-të ajo shquhet si një nga artistet më të mira bashkëkohore në artin pamor shqiptar. Praktika e saj mes artit modern dhe atij bashkëkohor është një sintezë e instalacionit, fotografisë, vizatimit dhe pikturës. Disa nga veprat e saj janë përfshirë në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita në grup dhe vetjake në institucione të tilla si: Muzeu i Artit, Chelsea, Nju Jork; Galeria Komunale e Arteve, Bydgoszcz, Poloni; Bienalja e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut, Aleksandri, Egjipt; Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë; Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Ajo ishte artista e parë grua që Komunikatë për media Prishtinë, 22 gusht, 2023 përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias në edicionin e 59-të. Blloshmi ndërroi jetë më 27 Nëntor 2020 si pasojë e një infeksioni me Covid-19. Adela Demetja është kuratore dhe autore e lindur në vitin 1984 në Tiranë, Shqipëri. Ajo, kreu studimet Master në “Kurim dhe Kritikë Arti” në Städelschule dhe Universitetin Goethe, Frankfurt/Main, Gjermani. Ajo është drejtoreshë e Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, institucion i pavarur i artit, të cilin e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur ka organizuar dhe kuruar ekspozita të shumta ndërkombëtare, ndër të tjera në institucione si Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë; Galeria Kombëtare e Kosovës; Teatri Maxim Gorki Berlin; Instituti për Artin Bashkëkohor, Portland, USA; Bienalja D-0 Ark Underground, Konjic; Fusha e Veprimit, Kodra Selanik; Lothringer 13, Kunsthalle Mynih; Villa Romana, Firence; Haus am Lützowplatz, Berlin. Në vitin 2022 ajo ishte kuratore e Pavjonit Shqiptar në Bienalen e 59-të të Venecias duke prezantuar veprën e artistes Lumturi Blloshmi. Ajo jeton mes Frankfurt/Main dhe Tiranës. Kuratore: Adela Demetja Regjisor: Tin Dirdamal Artisti i mediave interaktive: Alexander Walmsley Arkitekte e ekspozitës: Dea Buza / Apparatstudio Dizajni: Joreld Dhamo / Parallel Studio./ KultPlus.com

Fatmir Mustafa- Karllo sjell ekspozitën “Farë e çuditshme” në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë këto ditë ekspozitën personale “Farë e çuditshme” të artistit Fatmir Mustafa- Karllo.

Veprat e Fatmir Mustafës- Karllos janë të lidhura, jo në kuptimin e artit si projeksion për përvojat personale por si dëshmi e gdhendur në material. Për dy dekada të mira, shumë prej veprave të tij kanë qenë të ndërlidhura me performanca dhe ndërhyrje të cilat riformulojnë hapësirat dhe proceset shoqërore duke i bashkuar ato me një këndvështrim alternativ.

Punimet e prezentuara në ekspozitën “Farë e çuditshme” u përkasin situatave, në radhë të parë në raport me hapësirat konkrete historike dhe publike prej nga buron materiali i përdorur dhe të cilave në të njejtën kohë edhe ju referohet. Pajisje mbrojtëse të punës, asfalt, dokumente historike – këto janë farat e çuditshme që artisti i përcjellë me kalimin e kohës dhe i përfshin në veprën e tij si forma rebeluese e alternative të kujtesë.

Farat në të njëjtën kohë janë edhe sende edhe burim i proceseve jetësore. Si fruta ato janë ushqim, diçka që prodhohet dhe shitet si produkt bujqësor. Në të njëjtën kohë çdo farë është imazh i potencialit të pastër, një burim i fshehur i zhvillimit, rritje dhe jetës. Farat e çuditshme janë ato fruta që janë jo të zakonshme ose thjesht duken të çuditshme në kontekstin e tyre. Si devijim i papritur ose i paqëllimshëm ato krijojnë pamje divergjente të rregullave. Vëmendja që ato tërheqin, denormalizon realitetin dhe e bën të anashkaluarën të dukshme.

Veprat e Karllos janë pika problematike ku përvoja nga trazirat sociale, dhunës dhe historisë mund të përjetohet nga këndvështrimi i dikujt që vë në pikëpyetje vetë-provën ose mungesën e dukshme të alternativave të këtyre proceseve. Ai këtë farë të çuditshme e sheh duke punuar kudo, duke shpalosur efekte të papritura në distanca të mëdha kohore. Ashtu siç e tashmja jonë është duke i mbjellur farat që do të formësojnë jetën e fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm.

Ekspozita hapet më datë 04 maj në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

“Eminencë Gri”, ekspozita e parë personale nga Zgjim Zyba hapet në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës këtë javë do të mirëpres ekspozitën “Eminencë Gri” të artistit Zgjim Zyba.

Ndikimi i thellë i teknologjisë në evolucionin e njerëzimit është i lidhur ngushtë me rolin e tij në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares. Për ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zyba prezanton dy instalacione që eksplorojnë nocionin e të pamurit dhe lëvizjes në raport me perceptimet tona të cilat shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imazhet vizuale të cilat shpërndahen përmes mjeteve teknologjike.

Eminenca gri e teknologjisë influencon thellësisht vlerat shoqërore të krijuara në hegjemoninë aktuale kapitaliste globale, duke shërbyer si mjet për emancipim, e në të njëjtën kohë, edhe si mjet kufizimi dhe kontrolli. Duke plotësuar njëri-tjetrin, evolucioni teknologjik dhe ai njerëzor i cili shkon prapa në shekullin e 20, krijojnë mundësi për shpalosje të vazhdueshme të perspektivave të reja mbi botën.

Ekspozita e cila është kuruar nga Hana Hallaj, do të hapet më datë 3 mars, prej orës 17:00. / KultPlus.com

GKK mban sot edicionin e 14-të ekspozitës  ‘Muslim Mulliqi’

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e 14 të ekspozitës ndërkombëtare Çmimi “Muslim Mulliqi” 2022, me koncept kuratorial nga Christian Mosar dhe Raimund Stecker, përcjell KultPlus.

Artistët pjesëmarrës janë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, QazimXhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Artisti/ja fitues/e i Çmimit “Muslim Mulliqi” do të përzgjidhet në hapje të ekspozitës më 01 shkurt, në oren 19.00.

Ndërkaq, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023.

Klikoni KËTU për të lexuar njoftimin e plotë./ KultPlus.com

Hana Halilaj emërohet Kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës

Hana Halilaj emërohet Kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Gjatë dy viteve te fundit, Halilaj ka hulumtuar dhe riaktivizuar arkivin e Galerisë Kombëtare të Kosovës duke i prezantuar disa nga këto materiale arkivore në ekspozitën “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” (2022). Me ekspertizë të gjerë mbi historinë dhe rolin e institucionit, si kuratore ajo sjell përvojën e saj në galeri për ta mbështetur më tej programin dinamik të ekspozitave dhe projekteve hulumtuese e edukative të cilat do kontribuojnë në misionin e institucionit.

Halilaj është kuratore e një numri ekspozitash duke përfshirë: Dhomë për Kujtime të Pabëra (2022) në Galerinë Qafa, Clubbing Insistence: After a Party (2022) në Doza Gallery dhe Toplocentrala, Informator (2022) në Muzeun e Artit Hessel, Alije Vokshi: I Decided to Draw Bigger Hands (2021) në Chert Lüdde dhe Heronjtë Publikë dhe Sekretet (2020) në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Më parë ka ushtruar role kuratoriale në Kunsthalle Portikus dhe Storefront for Art and Architecture, si dhe ka qenë e përfshirë në hulumtim në programin C-MAP në Muzeun e Artit Modern (MoMA). Për momentin, ajo është Asistente Kuratore në CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack, në Stokholm. Halilaj ka përfunduar studimet master në Qendrën për Studime Kuratoriale në Kolegjin Bard. / KultPlus.com

Së shpejti ekspozita ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e 14 të ekspozitës ndërkombëtare Çmimi “Muslim Mulliqi” 2022, me koncept kuratorial nga Christian Mosar (Luksemburg) dhe Raimund Stecker (Dusseldorf).

Artistët pjesëmarrës janë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, Qazim Xhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Artisti/ja fitues/e për Çmimin “Muslim Mulliqi” do të përzgjidhet në hapje të ekspozitës. Ekspozita do të hapet me datë 01 shkurt duke filluar nga ora 19:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023. / KultPlus.com

Programi i Galerisë Kombëtare së Kosovës për vitin 2023

Galeria Kombëtare e Kosovës prezenton programin për vitin 2023 gjatë të cilit do të prezantoj ekspozita e projekte të ndryshme që sjellin prespektiva e analiza të veçanta të realitetit përmes një game të gjerë mediumesh duke përfshirë – instalacione, pikturë, performanca, skulptura, publikime, dhe një seri e programeve publike, edukative e hulumtuese. Me mbi shtatë ekspozita të komisionuara nga GKK e më shumë artistë të cilët realizojnë ekspozitat e tyre personale për herë të parë në institucion, GKK ka për qëllim të përfshij publikun e një demografie te re.

Ekspozita e parë e planifikuar për këtë vit është edicioni i XIV i bienales ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi.”

Ekspozitat retrospektive të artisteve Violeta Xhaferi, dhe Lumturi Blloshmi do t’i mundësojnë vizitorëve të njohin më mirë opusin e këtyre artisteve duke kuptuar praktikën e tyre artistike krahas ndikimit të kontekstit politik dhe social mbi të cilin ato kanë reflektuar. Njëkohësisht, këto projekte kanë për qëllim të ri-pozicionojë veprën dhe jetën e ketyre artisteve në kontekstin e historive të artit kombëtar dhe ndërkombëtarë.

Po ashtu, këtë vit do të filloj hulumtimi i veprës së arkitektit dhe artistit Agush Beqiri për ekspozitën personale e cila planfikohet të organizohet në fillimin e vitit 2024. Ekspozitat personale të kolektivit Haveit, Leart Ramës, Dardan Zhegrovës ndër të tjera do të prezentojnë një seri veprash të veçantë e provokuese që përmbysin nocionet tradicionale të gjinisë, seksualitetit, identitetit, dhe natyrës se njeriut. Instalacionet nga artisti Zgjim Zyba dhe artistja Abi Shehu, si dhe projekti i artistes dhe kuratores Blerta Hoçia do të organizohen në hapësira publike jashtë galerisë dhe do sjellin një qasje të hapur të galerisë rreth hapësirave alternative duke trajtuar ndjenja e përkatësisë dhe komunitetit. Ekspozita të tjera përfshijnë artistin Genc Kadriu, Fatmir Mustafa-Karllo, Bekim Zeqiri, dhe ekspozitat grupore të Asociacionit të Artistëve Vizuel, dhe ajo e kuruar nga Shkelqim Qestaj.

Krahas ekspozitave, rol të theksuar do të kenë projektete që kontribuojnë në fushën e edukimit përmes iniciatiave hulumtuese, botimeve, diskutimeve e ligjëratave publike. Kuratoret Erëmirë Krasniqi dhe Merve Elveren do të trajtojnë temën e identitetit kombëtar dhe praktikat feministe duke analizuar punën e katër artistëve gra nga Turqia dhe Kosova. Në bashkëpunim me galerinë, Fondacioni Shtatëmbëdhjetë në kuadër të Education+ do të organizojë hapësira sociale reflektuese, të cilat zhvillohen krahas nevojave të skenës së pavarur dhe audiencës së gjerë. Kurse kolektivi Lirindja do të hulumojnë mbi mundësi për të zhvilluar strukturën e indeksimit të Koleksionit dhe hapjes së institucionit duke ofruar informata sa më të detajuara të qasshme online. Palimpsestet e të Sotmes: Historia e Imazhit Lëvizës, projekt nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada do të identifikojë praktika artistike eksperimentale të imazhit lëvizës duke prezentuar një narrative alternative të historiës së Kosovës në 40-të vitet e fundit.

Projektet e përzgjedhura nga thirrja e hapur, kanë për qëllim të reflektojnë gjithëpërfshirje dhe vë në pah potencialin e artit e kulturës për edukim dhe emancipim shoqëror. Dyfishimi i buxhetit total të GKK-së për vitin që po vie, 64.8%, prej 226,247 në 376,247, ka mundësuar zgjerimin e programit dhe rritjen e mbështetjes për artistët e rinjë krahas atyre që tashmë kanë një karrierë të bujshme artistike. Menaxhimi i një numri më të madh projektesh se vitet e kaluara vie si rrjedhojë e ndryshimeve strukturore që galeria ka ndërmarrë gjatë vitit 2022 me Këshillin e ri Drejtues i përbërë nga Renea Behluli, Agron Blakqori, Guri Çavdërbasha, Linda Gusia, Arlinda Hajrullahu, Artrit Salihu, dhe Somer Spat. E drejtuar tash e tre muaj nga U.D Drejtoresha, Alisa Gojani-Berisha, ekipit të GKK-së i është bashkuar rishtazi edhe Hana Halilaj, Kuratore, Vlora Hajdini, Koordinatore e Programit të Edukimit dhe Hulumtimit, dhe Shkamb Jaka, Koordinator i Komunikimit. Po ashtu, galeria është në proces të avansimeve të brendshme që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucionit.

Fotografitë: Enver Bylykbashi / KultPlus.com

Prezantohet koleksioni i veprave të artit prej 300 mijë eurosh, GKK mbushet me vepra diversive

Era Berisha

Artistët si: Afrim Hajrullahu, Afrim Spahiu, Agim Balaj, Agron Blakçori, Agron Mulliqi, Alban Muja, Alban Nuhiu, Albe Hamiti, Albulen Neziri, Altin Krasniqi, Anmansa Petroviç, Arbana Hajredinaj, Arben Llapashtica, Arbnor Karaliti, Argenita Fetahu, Armend Nimani, Artan Hajrullahu, Arton Behrami, Avni Demiri, Astrit Ismaili, Avni Rudaku, Bedri Haziraj, Biljana Veselinova Komoni, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Burim Myftiu, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Daors Hoxha, Doruntina Kastrati, Driton Hajredini, Enesa Xheladini, Enver Hoxhaj, Erblina Karaliti, Esat Valla, Eshref Qahili, Fatmir Jusufi, Fatmir Mustafa, Faton Mazreku, Fidan Bejtullahu, Fikrete Misini, Gëzim Brestovci, Haki Xhakli, Hazir Reka, Hekuran Sokoli, Haveit, Redon Kikaj, Hysni Krasniqi, Ilir Balaj, Jakup Ferri, Jehon Gallapeni, Jeton Gusia, Jetullah Sylejmani, Kaltrina Hoda, Liridona Gjuka Bogu, Lorik Sylejmani, Luan Bajraktari, Lulzim Zeqiri, Mal Myrtaj, Mehmet Behluli, Mehmed Vokshi, Mimoza Sahiti, Nevruz Musa, Nexhmi Bardhi, Nimon Lokaj, Remzi Limani, Renea Begolli, Rexhep Ferri, Rrezartë Bajrami, Roland Masurica, Rron Qena, Sali Musliu, Shkamb Jaka, Shyqri Nimani, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi, Violeta Xhaferi, Yll Xhaferi, Zana Begolli dhe Zeni Ballazhi, kanë qenë personazhet kryesorë të koleksionit të veprave të artit të blera për 300 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të thirrjes publike të vitit 2022, shkruan KultPlus.

Afro 80 vepra kanë mbizotëruar në dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me tematika, teknika e gjendje të ndryshme, pikturat kanë shpërfaqur një horizont të gjerë e të llojllojshëm të artistëve, veprat e të cilëve kanë ardhur në mënyrë të veçantë. Muri i bardhë poshtë, e ai i zi në katin e dytë, ka qenë element kyç që ka treguar qartazi se artistët kosovarë janë në gjendje të jenë unik në stilin dhe paraqitjen e tyre. Të pranishmit, qenë ata që mbushën gjithsej galerinë, duke filluar nga ora 19:00. Nuk pati hapje zyrtare e as katalogë për të pranishmit, por kjo nuk i ndali ata që të shijojnë secilin cep që ishte mbushur me ngjyrë.

Me tone të ngrohta, shpesh edhe të zbehta, kanë qenë ngjyrat që kanë dominuar dukshëm në secilën vepër. Me përmasa të ndryshme, pikturat kanë portretizuar shpesh atë që është shfaqur në titull. “Dita e Shën Valentinit”, “Intrusive Rocks”, “Dritarja e Gjergjit”, “Loja”, “Oksimoron”, “Futbolli”, “Karllo O Hajn”, “Artisti”, “Heshtja”, “Cirku”, “Në shesh”, “Etja”, “Skenderbeu”, “HUMAN”, janë titujt që shpërfaqën gjithë atë se çka ishte ngjyrosur në pikturë, nëpërmjet mendjes artistike të tyre.

Ndërkohë nëntë veprat si: “Pa titull”, “Hapësira në kohë”, “The big ship”, “Kalldërëmi i Prizrenit”, “Kthimi”, “Melodia e ngjyrosur”, “Definition”, “Kallinjët” dhe “Pishat e Deçanit”, kanë përçuar një atmosferë krejtësisht mallëngjyese. Një qetësi absolute kaplonte shpirtin njerëzor kur fokusi vinte mbi këto piktura. Preciziteti, emocioni dhe situatat e ndryshme të “rrëzuara” në këto nëntë piktura ishin ato që ranë në sy më së shumti, e që njëkohësisht kaplonin mendjen. Po ashtu, pikërisht në këto copa arti, këmbët e të pranishmëve ndaleshin pakëz më shumë se sa koha e zakonshme, prej tridhjetepesë sekondash.

Tutje në vazhdim, përpos instalacioneve, video-instalacioneve, skulpturave dhe fotografive me motive që shpalosnin një dhimbje të thellë dhe përjetime të rralla, ishte edhe piktura e artistit Alban Muja ajo që tregonte mesazhin se gratë vazhdojnë ende të luftojnë për të drejtën e tyre në pronë, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë. Emërtimi ‘Brotherhood’ çoi direkt tek pranimi se djemve u premtohet shtëpia e paraardhësve të tyre.

Komunikimi i veprave me audiencë qe e lirshme, e kuptueshme por ndonjëherë edhe konfuze. Ndonëse, ekspozimi i veprave nuk ishte bërë në formën më të mirë të mundshme, hapësira në të dy katet me gjithë grumbullin që posedonte, shfaqi një anë të dukshme të këtyre artistëve që me punën e tyre po dëshmojnë vazhdimisht se pasioni, dashuria dhe përkushtimi ndaj artit pamor, për ta është primare.

Artisti Fidan Bejtuallahu për KultPlus ka potencuar konceptin e veprës “Melodia e ngjyrosur”.

“Duke jetuar në kryefjalë të melodisë vdes një e keqe dhe një e mirë në detin e kaosit. Mbretëresha (melodia e ngjyrosur) bërtet – më lëshoni këtu – në një natë filmi e ndjekur apo imagjinon një melodi e cila i kujton një ngjarje, ose me herët kishte pas një harresë sepse kishte shpresuar veten në një barkë të peshkimit e rrethuar me melodi qetësuese. Vonë kjo e gjitha, nё tetorin e peshkimit, për të mos u kthyer më kurrë dhe për ta ndaluar një kimikal prej fishekzjarri në qiellin e mbrëmjes, jep një tingull melodie të ngjyrosur, por në ditën tjetër kthehet në jë mjegull të dendur – një melodi e dashuruar pas perëndimit; shkon në oborrin e kompozimeve – mё shumë se njësoj dhe ushqehet në datëlindjen e saj qё vjen poshtë reve të shoqeve të saj, të cilat vijnë pasi kanë pushuar në paqe, por në një të hëne të vetmuar mëngjesi ato vijnë të ngjurosin një tingull që nuk jep melodi”, ka thënë ai.

Kujtojmë se koleksioni i veprave të artit i blerë nga MKRS në vitin 2022, do të jetë i hapur për publikun deri më 15 Janar 2023. / KultPlus.com

Këta janë përfituesit e Konkursit të GKK-së për 2023

Galeria Kombëtare e Kosovës ka informuar për përzgjedhjen e projekteve fituese për vitin 2023, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni projektet fituese:

Ekspozita personale:

“Pleasure Tragic” nga Fatmir Mustafa Karllo me kurator Thomas Obernder.

“I can not touch you and yet you’re all around” nga Dardan Zhegrova me kuratore Cathrin Mayer.

Ekspozitë personale nga Zgjim Zyba. “Prishtina Has a River” ekspozitë në hapësirë publike nga Abi Shehu dhe Sara Rodiqi.

“A mund të ëndërrojmë kur trupi është i ngrohur nën mbulojë ndërsa koka mbetet e ftohtë?” nga Kolektivi Haveit me kurator Lulzim Zeqiri.

“Atelieja e piktorit të panjohur” nga Genc Kadriu.

“Lumturie Blloshmi: Nga e para në Prishtinë” nga kuratorja Adela Demetja me Lumturi Blloshmi. “Armored Cabinet” nga Leart Rama.

Ekspozita grupore:

Ekspozitë grupore nga Asociacioni i Artisteve Vizual.

Ekspozitë kolektive e Elena Biserna, Djellza Azemi, Sylvain Croci-Torti, Jeneta, Kelly Tissot, Anita Mucolli me kurator Shkelqim Qestaj.

Projekte hulumtuese/edukative/publikime:

“Digjitalizimi i Koleksionit të GKK” nga Lirindja.

“Klasat e Majit” program edukativ nga Fondacioni 17.

“National Identity and Feminist Praxis” hulumtim dhe publikim nga Erëmirë Krasniqi.

“Palimpsest of Today / History in Moving Images” hulumtim, publikim dhe ekspozitë nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada.

“Ndërmjetësimi kulturor dhe artistik” nga Ismail Myrseli, et al (projekt kolektiv).

“Periferi”, hulumtim dhe ekspozitë në hapësira periferike nga Blerta Hocia./ KultPlus.com

Nesër GKK prezanton koleksionin e veprave të artit nga MKRS në vitin 2022

Nesër duke filluar nga ora 19:00, Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë koleksionin e veprave të artit të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me anë të thirrjes publike të vitit 2022, përcjell KultPlus.

Koleksioni do të jetë i hapur për publikun deri me 15 Janar 2023.

Artistët pjesëmarrrës:

Afrim Hajrullahu, Afrim Spahiu, Agim Balaj, Agron Blakçori, Agron Mulliqi, Alban Muja, Alban Nuhiu, Albe Hamiti, Albulen Neziri, Altin Krasniqi, Anmansa Petroviç, Arbana Hajredinaj, Arben Llapashtica, Arbnor Karaliti, Argenita Fetahu, Armend Nimani, Artan Hajrullahu, Arton Behrami, Avni Demiri, Astrit Ismaili, Avni Rudaku, Bedri Haziraj, Biljana Veselinova Komoni, Blerta Hashani, Brilant Milazimi, Burim Myftiu, Dardan Zhegrova, Dion Zeqiri, Daors Hoxha, Doruntina Kastrati, Driton Hajredini, Enesa Xheladini, Enver Hoxhaj, Erblina Karaliti, Esat Valla, Eshref Qahili, Fatmir Jusufi, Fatmir Mustafa, Faton Mazreku, Fidan Bejtullahu, Fikrete Misini, Gëzim Brestovci, Haki Xhakli, Hazir Reka, Hekuran Sokoli, Haveit, Redon Kikaj, Hysni Krasniqi, Ilir Balaj, Jakup Ferri, Jehon Gallapeni, Jeton Gusia, Jetullah Sylejmani, Kaltrina Hoda, Liridona Gjuka Bogu, Lorik Sylejmani, Luan Bajraktari, Lulzim Zeqiri, Mal Myrtaj, Mehmet Behluli, Mehmed Vokshi, Mimoza Sahiti, Nevruz Musa, Nexhmi Bardhi, Nimon Lokaj, Remzi Limani, Renea Begolli, Rexhep Ferri, Rrezartë Bajrami, Roland Masurica, Rron Qena, Sali Musliu, Shkamb Jaka, Shyqri Nimani, Urtina Hoxha, Valdrin Thaqi, Violeta Xhaferi, Yll Xhaferi, Zana Begolli, Zeni Ballazhi. / KultPlus.com

Sot në GKK hapet ekspozita personale e Jeton Gusisë, “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”

Sot vjen hapja e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, kuruar nga Blerta Hoçia, përcjell KultPlus.

Peisazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë skena që përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.

Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here copëza dite si idile të pikturuara të përditshmërisë shfaqen me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një sheshi të rëndomtë e të populluar, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson. / KultPlus.com

Jeton Gusia së shpejti me ekspozitën personale “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” në GKK

Së shpejti vjen hapja e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, kuruar nga Blerta Hoçia, përcjell KultPlus.

Peisazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë skena që përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.

Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here copëza dite si idile të pikturuara të përditshmërisë shfaqen me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një sheshi të rëndomtë e të populluar, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson. / KultPlus.com

GKK hap thirrjen për programin vjetor 2023

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për programin vjetor 2023, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Çka?
Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ju fton të aplikoni për t’u bëre pjesë e programit vjetor për vitin 2023.
Thirrja shpallet për propozime për ekspozita dhe projekte kuratoriale, edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese,, multimediale dhe ndërdisiplinare nga piktura, skulptura, dizajni grafik, grafika, instalacioni, fotografia, video, performanca.
Inkurajohen projekt propozimet nga artistët dhe kuratorët vendorë/ndërkombëtarë, organizatat dhe komunitetet kulturore, hulumtuesit dhe praktikues tjerë të arteve pamore.

Kur?

Afatet:
Periudha e aplikimit: 20.10 – 25.11.2022.
Shpallja e projekteve të përzgjedhura: 20 dhjetor, 2022
Fillimi i projektit të parë: Shkurt, 2023

Si të aplikoni?
Aplikacionet dorëzohen Galerinë Kombëtare të Kosovës çdo ditë pune nga ora 10.00 – 16.00 fizikisht në adresën: Galeria Kombëtare e Kosovës, Rr. Agim Ramadani, nr. 360, 10000 Prishtinë. Gjithashtu, aplikacioni mund të dërgohet edhe online në [email protected]

Materialet dhe dokumentet e duhura:

  • Formulari i plotësuar
    (gjeni këtu formularin: https://drive.google.com/drive/folders/13_TXWAS8EdVpDsnrXbHkoN5sjAhPSagb?usp=sharing
    Formular aplikimi per kalendarin vjetor 2023.docx
  • Projekt propozim (max. 500 fjalë)
  • Portfolio të punëve artistike
  • Biografi dhe CV, ose Webfaqe
  • Buxheti i parashikuar i ndarë ne linja/kategori
  • Timeline/Orari i implementimit të aktiviteteve të projektit
  • Reproduksion vizual (fotografi, video, skica, animacion) i punës nëse është punë e mëhershme
  • Dokument sqarues mbi projektin/ekspozitën, ku detajohet formati (video-performancë, skica, 3D animacion, video, fotografi, eveniment, etj.)
  • Përdoreni këtë dokument për të sqaruar vizionin e projektit tuaj.
  • Mund të bashkangjithni koncept-propozim ose skicë se si do të mund duket instalimi juaj.
  • Për pikturë/dizajn/grafikë/fotografi etj: 10 punime të shtypura me ngjyra, në formatin A3, me kualitet të lartë (minimum 600 x 800 dpi), me dimensionet e specifikuara
  • Për video/audio: Material me kohëzgjatje prej maksimum 10 minuta;
  • Për skulpturë/instalacion/performancë: fotografi/video/skicatë punimit;
    Shënim: nuk pranohen punimet fizike (piktura, skulptura, të tjera).

Ku të marrim më shumë informata?

Personi kontaktues në GKK për këtë aplikacion: Ardian Haxhiu, +38344112429 ose: [email protected]

Juria/Këshilli i GKK-së: Renea Behluli, Agron Blakçori, Arlinda Hajrullahu, Artrit Bytyçi, Guri Çavdërbasha, Somer Şpat, Linda Gusia / KultPlus.com

Së shpejti ekspozita ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi 2022”, të mërkurën GKK mban konferencë për media

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon konferencë për media për edicionin e katërmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” 2022, me datë 24.08.22 në ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me këtë rast prezantojnë kuratorët Christian Mosar (Luksemburg) dhe Raimund Stecker (Dusseldorf) të cilët do ta shpalosin edhe konceptin kuratorial po ashtu edhe prurjet e autorëve eminent që do të ftohen nga arena ndërkombëtare.

GJEST RESPEKTI

RE-TRO-SPEKTIVE

RI-SHIKIMI

RI-KTHIMI

RE-SPEKTI

RI-SPEKULIMI

RE-SPEKTAKULAR

“ars longa – vita brevis” konsiderohej si e tejkaluar.

Vini re kohën e foljes!

Ka tradita në art – Rishikime dhe Retrospektiva.

Respekti për tradicionalen i është mveshur artit si një lloj gjesti mirësjelljeje.

Pa revokim, lufta midis dy shteteve evropiane na riktheu të përçarë

• nga mospaqja e përtërirë në Evropë,

• nëpërmjet mosnjohjes së pretendimeve për autonomi sovrane nga individë në kontekste kombëtare, e cila nxitet nga interesat shtetërore,

• nga rivendosja e dukshme e një “perde të hekurt” që u zhvendos vetëm në perëndim

mbi të gjitha:

• duke shpërfillur utopinë e Euroazisë së Josef Beuys, e cila historikisht dhe etnikisht pohoi lidhjet midis Uelen në ngushticën e Beringut në detin Chukchi dhe Dingle në Perëndimin irlandez, i cili është afër Shteteve të Bashkuara, ku kufijtë kombëtarë ndajnë ngjashmëritë kulturore dhe sistemet e artit te nivelit ndërnacional.

Jo, çorientimi post-modern I iniciuar si një rrugëdalje nga qorrsokaqet e një manie menaxheriale të ideologjizuar dhe moderne, ka humbur simpatinë e saj – dhe premtimin për të ardhmen. Katarsis nuk ndoqi kaosin e dëshiruar, vetëm dekadencën.

Ofensiva e mediave dixhitale në biznesin e artit të dominuar nga Perëndimi, i përqendruar tek vetja, rezulton të jetë një fata morganë kalimtare. Ai është i dematerializuar pas horizontit të artit dhe jetës, tashmë teknikisht duke u zhdukur kur energjia elektrike nuk del më nga priza ose furnizimi me energji nuk garantohet më as nga kartelet e lëndëve të para dhe as nga kontrollorët e disponueshëm të rrjetit. Mbi të gjitha, ai avullon shpirtërisht, sepse impulset e tij të kujtesës dërgohen pa kohë vetëm në një masë të kufizuar për shkak të “ruajtjes” së paqëndrueshme: vita longa – ars brevis!

Në këtë mënyrë, vlerat jomateriale të komunikuara globalisht ekspozohen si besime të pastra, si ideologji të mbështetura nga të pasurit sektarë – si spekulime. Nëse ato as nuk kundërshtohen nga veprat e krijuara ose nuk ringjallen vazhdimisht nga besimet e praktikuara rreptësisht të shumë më tepër sesa vetëm disa (oligarkëve ose koleksionistëve të mëdhenj, spektakolari shfaqet për atë që është: si vetëm ri-spekulim vetë-përjetësues.

A mund të japë arti përgjigje për pozicionime të tilla bashkëkohore?

Mezi!

Por, arti mund të qëndrojë në këmbët e veta tradicionale dhe kështu nga njëra anë nuk mbetet më një dekorim afirmativ për gabimet – dhe nga ana tjetër përpiqet sërish të tregojë produktivisht orientime për kërkuesit.

VETËMjaftueshmëria

Artistët që i besojnë dizajnit, vizatimit, shprehjes së ideve të tyre që është kuptuar si parësia e artit që nga Rilindja, janë pothuajse autonome. Pranë tyre qëndrojne piktorët dhe skulptorët. Të pa tjetërsuar, ata respektojnë prodhimin e “simptomatikës” (Vilém Flusser) si një teknikë qendrore.

Bazuar në vizatimet e shpellës, kjo simptomatikë është përgjegjëse për një traditë pothuajse rezistente ndaj katastrofave në mbijetesën e produkteve mediatike të krijuara nga imazhi. “E dini,” u përgjigj Richard Hamilton ndërsa ishte ulur në ekran gjatë një vizite në studion e tij pranë Oksfordit, kur e pyetën pse ai ishte ende duke pikturuar ndërsa qëndronte pranë kavaletit:

“E dini, piktura ka historinë më të madhe, piktura ka të ardhmen më të madhe!”

Siç tregon kjo deklaratë, natyrisht, fjala ka luajtur gjithashtu një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në art, pasi vetë kuptimi është kondensuar jashtë artit. Fjala – manifeste, teori artistësh, metatekste… – është vënë në skenë në mënyrë apodikale që nga iluminizmi (pasi artistët u çliruan nga punësimi klerik ose oborrtar dhe u përballën me konkurrencën liberale, si të thuash) – dhe ndonjëherë edhe në një mënyrë bashkëkohore si një ide e realizuar.

Kur bashkëkurojnë ekspozitën e çmimit ‘Musli Mulliqi’, Christian Mosar dhe Raimund Stecker duan të ndjekin këtë kredo të “Piktura ka të ardhmen më të madhe” – dhe ta bëjnë këtë në mënyrë reaguese d.m.th në retrospektivë, si kujtesë, përkatësisht me largpamësi!

Pra, Bienalja dëshiron të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen.

Kurator nga:

Christian Mosar (Luksemburg)

Raimund Stecker (Dusseldorf) / KultPlus.com

Nesër hapet “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, kuruar nga Hana Halilaj

Ekspozita “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” kuruar nga Hana Halilaj vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës nesër, duke filluar nga ora 10:00, përcjell KultPlus.

E themeluar më 2 shkurt 1979, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) është institucioni kulturor më i shquar në vend. Shqyrtimi i arkivave dhe historive të ekspozitave të galerisë është hap thelbësor për identifikimin e lëvizjeve të artit, praktikave artistike dhe të veprimtarëve e organizatave të ndryshme kulturore që kontribuan në historitë e artit të Kosovës. Fondet arkivore të GKK-së pasqyrojnë jo vetëm zhvillimet artistike dhe kulturore në vend dhe rajon por shërbejnë edhe si pikënisje për të rimenduar narrativat ekzistuese të fragmentuara, si dhe për të gjeneruar diskurse të reja historike.

Materialet që datojnë nga vitet 1960 e deri më sot–– katalogje, shtojca të shtypit, dokumente, letra, dorëshkrime, fotografi–– tregojnë historitë kolektive dhe individuale të anashkaluara të cilat gjenden në këtë arkiv. Një seri e punimeve në letër të artistes Violeta Xhaferi nga koleksioni i GKK-së janë të ekspozuara së bashku me shënime rreth zhvillimit të koleksionit. Këto materiale shoqërohen nga një rrëfim i ish-arkivistës së GKK-së Lirije Buliqi, e cila diskuton proceset e mundimshme që ende vazhdojnë të ndikojnë në arkivat e këtij institucioni.

Edhe pse arkivat akoma mbeten të pa indeksuara, kjo ekspozitë është një qasje e pjesshme në materialet arkivore me potencial për të rikonfiguruar, rishkruar dhe vënë në pyetje në mënyrë kritike historitë e artit të Kosovës brenda kontekstit lokal dhe global. / KultPlus.com

Të entjen vjen “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës”, kuruar nga Hana Halilaj

Ekspozita “Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës” kuruar nga Hana Halilaj vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës këtë të enjte, duke filluar nga ora 10:00, përcjell KultPlus.

E themeluar më 2 shkurt 1979, Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) është institucioni kulturor më i shquar në vend. Shqyrtimi i arkivave dhe historive të ekspozitave të galerisë është hap thelbësor për identifikimin e lëvizjeve të artit, praktikave artistike dhe të veprimtarëve e organizatave të ndryshme kulturore që kontribuan në historitë e artit të Kosovës. Fondet arkivore të GKK-së pasqyrojnë jo vetëm zhvillimet artistike dhe kulturore në vend dhe rajon por shërbejnë edhe si pikënisje për të rimenduar narrativat ekzistuese të fragmentuara, si dhe për të gjeneruar diskurse të reja historike.

Materialet që datojnë nga vitet 1960 e deri më sot–– katalogje, shtojca të shtypit, dokumente, letra, dorëshkrime, fotografi–– tregojnë historitë kolektive dhe individuale të anashkaluara të cilat gjenden në këtë arkiv. Një seri e punimeve në letër të artistes Violeta Xhaferi nga koleksioni i GKK-së janë të ekspozuara së bashku me shënime rreth zhvillimit të koleksionit. Këto materiale shoqërohen nga një rrëfim i ish-arkivistës së GKK-së Lirije Buliqi, e cila diskuton proceset e mundimshme që ende vazhdojnë të ndikojnë në arkivat e këtij institucioni.

Edhe pse arkivat akoma mbeten të pa indeksuara, kjo ekspozitë është një qasje e pjesshme në materialet arkivore me potencial për të rikonfiguruar, rishkruar dhe vënë në pyetje në mënyrë kritike historitë e artit të Kosovës brenda kontekstit lokal dhe global. / KultPlus.com

Agim Salihu vlerësohet me “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj” në Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit 2022

Uranik Emini

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është mbajtur tashmë edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022, shkruan KultPlus.

Artistë të shumtë nga vendet e ndryshme si: Kosova, Polonia, Austria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Mali i Zi, paraqitën veprat e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në ceremoninë hapëse të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit, fillimisht u ndanë edhe çmimet kryesore.

“Kjo është hera e dytë që po vij në Kosovë. Bienalet janë ngjarje të rëndësishme kulturore kudo në botë, të paktën me aq sa di unë. Bienalja është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për politikën kulturore, për shkëmbimet kulturore në mbarë botën. Është nder i veçantë për mua të jem me juve këtu në Kosovë”, thotë kuratorja Beste Gürsu.

Emrat e fituesve vijojnë si më poshtë:

Arke Prekvist (Suedia);

Nehat Beqiri (Maqedoni e Veriut).

Ndërsa ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ai i cili e shpalli fituesin e çmimit “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj.

“E kam nderin e veçantë që ta ndaj çmimin kryesor të Bienales, “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj”, tha Çeku.

Çmimin “GrandPrix – Gjelosh Gjokaj” e fitoi artisti Agim Salihu.

“Faleminderit shumë. Me të vërtetë nuk e kam pritur këtë çmim pasi që unë kam qenë edhe jo zyrtarisht ndër koordinatorët me artistët e huaj. Kështu që është një nder për mua pasi që para dy viteve e kam fituar çmimin vjetor ‘Muslim Mulliqi’ nga Ministria e Kulturës. Tash ky është një çmim shumë i madh për mua dhe ia dedikoj mikut tim sepse nëse nuk do të kishte qenë Gjelosh Gjokaj, nuk do të kisha filluar të punoj fare në arte dhe grafike”, tha Salihu.

Tutje është bërë edhe hapja e kësaj ekspozite.

Përgjatë ekspozitës, Aleksandra Gieraga, artiste nga Polonia tregon për KultPlus se piktura e saj është një kombinim mes lapsit dhe fotografisë ku është munduar të paraqes “ndryshimin e realitetit”, ashtu siç edhe titullohet vepra e saj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datave 15 Qershor deri më 12 Korrik 2022.

Më poshtë KultPlus ua sjell edhe disa prej vizatimeve nga kjo ekspozitë. / KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kurti dhe Çeku vizituan ekspozitën e tri nxënësve të shkollës ‘Dardania’

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishin në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Bashkë me shumë fëmijë pjesëmarrës panë ekspozitën me piktura të realizuara nga tri nxënëse të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë.

Nxënëset Afërdita Visoka, Anja Rexhepi dhe Alea Hasani, kanë prezantuar 40 piktura në ekspozitën që do të jetë e hapur deri më 3 qershor. / KultPlus.com