GShP reagon për policin që e rrahu 18 vjeçarin: Abuzues si në kohën e regjimit serb (VIDEO)

Organizata Jo-Qeveritare Global Shapers Prishtina ka reaguar ndaj rrahjes së një 18 vjeçari nga polici me uniformë, videoja e së cilës është shpërndarë nëpër rrjete sociale.

Kjo organizatë e ka quajtur veprimin e policit tejet skandaloze, e në anën tjetër ata e vlerësojnë se kjo është “fytyra e vërtetë e nepotizmit dhe korrupsionit që e ka kapluar këtë institucion”.

Në deklaratën e tyre përmendet që rinia kosovare ka shumë mungesa, teksa këto shkaktojnë lehtësim për përfundimin e tyre në polici.

“Në shumë Komuna nuk ka qendra rinore, kinema, teatro, që nënkupton jeta kulturore e sportive është skajshmërisht e varfër. Në anën tjetër, mundësitë e edukimit janë shumë të varfëra, në një sistem që nuk e promovon talentin, por e shtyp atë. Nuk ka programe edukative, nuk ka mundësi për aktivitete rekreative, e aq më pak bursa që zhvillojnë talentin e rinisë”, thuhet tutje në reagim.

Global Shapers Kosova kanë përmendur edhe papunësinë prej 51%, shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe mungesën e inspektorëve për hulumtim të rasteve të shkeljeve, teksa kanë vlerësuar se jeta e të rinjve në Kosovë në këto rrethana është e pasigurtë.

“Në këtë kaos, Inspektorati Policor i Kosovës lejon që zyrtarët abuzues të qëndrojnë në polici për më tepër se 2 vite duke rrafur qytetarët e Kosovës si në kohën e regjimit serb. Kjo është e dhimbshme, e patolerueshme dhe e rrezikshme”, deklarojnë Global Shapers Kosova.

Tutje, ata kërkojnë largimin e policit në fjalë nga puna, fillimin e reformimit në procesin e rekrutimit të Policisë së Kosovë.

Global Shapers Kosova së shpejti do të organizojnë edhe një aktivitet lidhur me këtë situatë. / KultPlus.com

Fotografi e realizuar nga Anesa R Metlillo

Global Shapers Prishtina sjellë Linda Shalën në një ligjëratë inspiruese për rininë

Këtë të ejte nga ora 17:00, në Qendrën Burimore Kosovare organizata jo-qeveritare Global Shapers Prishtina sjell një format kreativ të fjalimeve inspiruese për rininë kosovare, shkruan KultPlus.

Ndërmarrësja, gazetarja dhe aktivistja Linda Shala do të jetë folësja e parë që do të hap këtë format të fjalimeve inspiruese që i ik të zakonshmes dhe synon të inspirojë rininë kosovare për të realizuar ëndrrat e tyre.

Ngjarja është pa pagesë dhe është e hapur për të gjithë të interesuarit, ndërsa vegza mund të gjindet këtu: https://www.facebook.com/events/186767449262691/

Në këtë format, moderatori do të luaj rolin e shoqërisë dhe sfidave që rrethi përballë njerëzit kurdo që ata vendosin të bëjnë hap drejt arritjes së suksesit në karrierën e tyre. Formati kreativ i fjalimeve integron teatrin dhe gazetarinë, duke vendosur njerëzit e suksesshëm përballë sfidave që ata i kanë tejkaluar në mënyrë që rinia të mund mësoj nga përvoja e tyre.

Ky format, mundëson që rinia kosovare e cila përballet me sfida të ndryshme, të mësoj në thelb dhe ta shoh në formën më praktike të mundshme, si të tejkalohen sfidat e shoqërisë, paragjykimet e familjes, anën emocionale dhe sfida tjera të cilat dalin në arritjen e suksesit në cilëndo fushë që personi synon.

“Synimi i këtyre fjalimeve inspiruese është që të ndërtojmë guximin dhe vetëbesimin e nevojshëm tek rinia në mënyrë që të mos dorëzohet nga sfidat por të qëndrojë dhe arrijë suksesin që e synon në cilëndo fushë që dëshirojnë”, tha Drejtori Programeve dhe ideatori i formatit – Avdyl Gashi. “Ne besojmë se rinia jonë ka shumë potencial dhe energji, prandaj ky format do t’iu mundësojë që të kanalizojnë energjinë e tyre në mënyrën e duhur dhe ti japim produktivitet asaj.”

“Kjo ngjarje do të jetë e përmuajshme dhe do të jetë diverse në përmbajtje, pasiqë do të sjellim njerëz të suksesshëm të profileve të ndryshme, në mënyrë që sa më shumë të rinjë e të reja ta gjejnë veten brenda këtij formati.” thuhet në komunikatë.

Ndryshe, organizata Global Shapers Prishtina, është pjesë e komunitetit Global të të Rinjve që quhet Global Shapers Community i cili është krijuar nga Forumi Botëror i Ekonomisë” (World Economic Forum), dhe në nivel global numëron rreth 10000 antarë, ndodhet në 425 qytete dhe 154 shtete. Në Prishtinë ky komunitet ka rreth 20 antarë aktiv dhe 20 vullnetarë të rinjë, ndërsa synon që të krijoj ndryshime në komunitet nëpërmjet fuqizimit të rinisë. /KultPlus.com