Janë bërë të ditura nominimet për shpërblimet e sivjetme “Globi i Artë”, të cilat i ndanë Shoqata e Gazetarëve të Huaj dhe që i nderojnë më të mirë në industrinë e filmit dhe televizionit.
Nominimet e sivjetme janë një përzierje mes projekteve të reja dhe të vjetra, dhe ku dominojnë të gjitha serialet dhe filmat që i kemi shikuar nga shtëpia gjatë kohës së karantinës.
Në kategorinë “Seriali më i mirë dramë” sivjet janë nominuar projektet, “The Croën”, “Lovecraft Country”, “The Mandalorian”, “Ozark” dhe “Ratched”. Ndërkaq, në garë për çmimin “Seriali më i mirë komedi”, janë: “Emily in Paris”, “The Flight Attendant”, “Schitt’s Creek”, “The Great” dhe “Ted Lasso”.
Sa i përket nominuarve në kategorinë “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në dramë”, sivjet për këtë çmim garojnë yjet: Jason Batemen, për rolin e tij në serialin “Ozark”, Josh O’Connor për performancën e tij në “The Croën”, Bob Odenkirk për serialin “Better Call Saul”, Al Pacino për “Hunters” Matthew Rhys për rolin e tij në serialin “Perry Mason”, Olivia Colman për performancën e saj në serialin e suksesshëm “The Crown”, Jodie Comer për “Killing Eve”, Emma Corrin për rolin e saj në “The Crown”, Laura Linney për serialin “Ozark” dhe Sarah Paulsen për performancën fantastike në “Ratched”.
Të nominuar për performancat e jashtëzakonshme në seriale komike, sivjet janë aktorët: Don Cheadle, Nicholas Hoult, Eugene Levy, Jason Sudekis, Ramy Youssef si dhe aktoret, Lily Collins, Kaley Cuoco, Elle Fanning, Jane Levy dhe Catherine O’Hara.
Sa i takon kategorive për film, sivjet të nominuar për çmim “Globi I Artë” në kategorinë “Filmi më i mirë dramë” janë filmat: “The Father”, “Mank”, “Nomadland”, “Promising Young Woman” dhe “The Trial of the Chicago 7”. Kurse për kategorinë “Filmi më i mirë komedi” sivjet garojnë filmat: “Borat Subsequent Moviefilm”, “Hamilton”, “Music”, “Palm Springs” dhe “The Prom”.
Në kategorinë “Aktori dhe aktorja më e mirë në film dramë”, kanë arritur të nominohen yjet: Riz Ahmed, për rolin e tij në filmin “Sound of Metal”, Chadwick Boseman për performancën e tij në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Anthony Hopkins për filmin “The Father”, Gary Oldman për “Mank”, Tahar Rahim për rolin e tij në filmin “The Mauritanian”, si dhe aktoret Viola Davis për “Ma Rainey’s Black Bottom”, Andra Day për filmin “The United States vs. Billie Holiday”, Vanessa Kirby për “Pieces of a Woman”, Frances McDormand për performancën në filmin “Nomadland” dhe Carey Mulligan për projektin “Promising Young Woman”.
Për çmimin tjetër të rëndësishëm në ceremoninë “Globi I Artë”, atë “Aktori dhe aktorja më e mirë në komedi”, garojnë yjet: Sacha Baron Cohen, James Corden, Lin-Manuel Miranda, Dev Patel, Andy Samberg, Maria Bakalova, Kate Hudson, Michelle Pfeiffer, Rosamund Pike dhe Anya Taylor-Joy.
E për shpërblimin “Regjia më e mirë në film” sivjet janë nominuar regjisorët: David Fincher për filmin “Mank”, Regina King me filmin e saj debutues “One Night in Miami”, Aaron Sorkin për filmin “The Trial of the Chicago 7”, Chloe Zhao për “Nomadland” dhe Emerald Fennell për projektin me titull “Promising Young Woman”.
Këtë vit skenaristi dhe producenti veteran, Norman Lear, do ta pranojë shpërblimin për arritje jetësore, “Carol Burnett Award”, kurse aktorja dhe aktivistja e famshme hollywoodiane, Jane Fonda, do të nderohet me çmimin special “Cecil B. deMille Award”, i cili e vlerëson kontributin e saj në industrinë e filmit dhe televizionit.
Edicionin e 78-të të ceremonisë së përvitshme “Globi Artë”, për të katërtën herë do ta prezantojnë aktoret komike, Tina Fey dhe Amy Poehler. Ngjarja e cila zakonisht e fillon sezonin e shpërblimeve në Hollywood, do të mbahet të dielën më 28 shkurt, në formatin virtual, ndërsa do të transmetohet direkt në kanalin “NBC”./ KultPlus.com